22.4 C
Prizren
E diel, 8 Qershor, 2025
Home Blog Page 6854

Kumanova është vetëm fillimi

0

Artur Zheji

Që në 28 qershorin e vitit 1914, me vrasjen në Sarajevë të Princit trashëgimtar të Perandorisë Austro-Hungareze, e pra me fillimin e Luftës së Parë Botërore, mosqetësia e Ballkanit nuk ka të sosur. Edhe në vitin e largët 1914, kjo pjesë e Europës vinte pas disa Luftërave Ballkanike dhe disa kongresesh e konferencash, të pasakta dhe të pasuksesshme në kohëzgjatje të Paqes, sepse ndarjet dhe rishikimet e kufijve, pasqyronin vetëm raportin e Forcës së asaj kohe, dhe jo të Vërtetën e trojeve dhe popujve që jetonin në to.

Pothuajse në asnjë zonë tjetër të Europës nuk ka pasur dhe me sa duket nuk ka, një shkarkues të pazakontë të tensioneve etnike, që në të vërtetë, është edhe një përplasje e Perëndimit latin dhe anglo-sakson, nga njëra anë dhe Lindja sllave dhe ortodokse, nga ana tjetër. Me ndryshimet kulturore përkatëse dhe mbi të gjitha me interesa, shpesh të kundërta dhe në ballafaqim të hapur.

Mbas Luftës së Parë Botërore, ku Ballkani ishte një teatër i rreptë, edhe Lufta e Dytë Botërore, përsëriti të njëjtën skemë. Pushtim të Shqipërisë dhe Greqisë, pushtim të Jugosllavisë, krijim shtetesh të reja disamujore mbi bazat e çështjeve të pazgjidhura etnike, depërtim i komunizmit, si formulë e zgjidhjes së përhershme të konflikteve etnike dhe sociale, luftëra etnike të pastra për territore imagjinare ose reale në kuadrin e Luftës së Madhe dhe përsëri një tension i pazakontë Lindje-Perëndim, që fillonte me zbarkimin britanik në brigjet greke, e i pandërprerë deri në ditët tona.

Nëse mbas rënies së Murit të Berlinit, në 1990, shumë shtete, satelite të sforcuara dhe të shtypura të ish-Bashkimit Sovjetik, si Polonia, Çekosllovakia, Hungaria, Rumania dhe Bullgaria, u thithën me dëshirë në orbitën Perëndimore, Ballkani Perëndimor, e sidomos ish-Jugosllavia, shpërtheu në një Luftë të re, që krijoi edhe shtete të reja: Kroacinë, Serbinë, Slloveninë, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë dhe Kosovën. Një shpërbërje e përgjakur dhe brutale sa më s’ka.

Në vitin 1999 kulmoi masakra dhe Lufta e Kosovës dhe në vitin 2001, lufta në FYROM, apo në Maqedoni.

Sot pra, pothuaj 15 vjet pas kësaj Lufte Nënë, të ish-Jugosllavisë, plot e përplot me luftëra më të vogla, Ballkani mbetet përsëri i pasigurt në shumë rrafshe. I pasigurt dhe me shenja të dukshme të sëmundjeve të vjetra, me pasoja tronditëse.

Dhe për habi, sot, Rusia e rilindur si fuqi ushtarake dhe jo vetëm, e drejtuar me dorë të hekurt nga Vladimir Putini, sidomos mbas krizës së keqadministruar të Ukrainës, nga të gjitha palët (simbas Tony Blair), sot pra, kjo Rusi e rilindur, duke shfrytëzuar një dobësi të vëmendjes por edhe të burimeve të zbehura ekonomike të Bashkimit Europian në krizë, ka depërtuar dhe po depërton ditë pas dite dhe në mënyrë të suksesshme, në Ballkanin e brishtë.

Si një alternativë tërheqëse e vërtetë, apo si një instrument i besueshëm presioni ndaj Perëndimit, kjo ka pak rëndësi.

Kartolina e 9 Majit në Moskë, me rastin e Paradës Spektakolare të 70-vjetorit të kapitullimit të Gjermanisë naziste, ishte dhe mbetet emblematike. Në mungesë të plotë të lidershipit europiano- perëndimor në tribunën putiniane, aty, nga niveli më i lartë, gjendeshin vetëm grekët, të përfaqësuar nga Tsipras, maqedonasit, të përfaqësuar nga Presidenti i tyre dhe trupat ushtarake elitë dhe presidenti Nikoliç nga ana e Serbisë. Kjo kartolinë ku mungonte jo rastësisht dhe pra, krejt qëllimisht në gjuhësinë gjeopolitike, Cameron, Hollande, Merkel apo Matteo Renzi, ishin të pranishëm personalitetet e rangut më të lartë të Fqinjëve tanë ballkanas.

Por çfarë kanë të përbashkët sot, Serbia, Maqedonia dhe Greqia, kjo e fundit anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Europian, me kinezët, kubanët, apo indianët, që shoqëronin Putinin në Moskë?

Padyshim e në radhë të parë, vullnetin për të shprehur hapur, pa droje dhe gjeopolitikisht, një mosbesim të përforcuar ndaj Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ose sepse janë shumë të mëdhenj ose sepse ndjehen shumë të vegjël.

Kina dhe India, padyshim që janë shtete të mëdha dhe nuk bëjnë pjesë në asnjë orbitë, kanë pra luksin të flirtojnë me të gjitha palët, ashtu si ua do interesi i tyre, ekonomik apo gjeopolitik.

Po Greqia?

Tsipras mendon se duke bërë këtë lloj presioni gjeopolitik, disi figurativ dhe deklarativ, do të mundë të marrë koncesione ekonomike, në lidhje me borxhin e stërmadh që shteti helen ka grumbulluar në vite. Një logjikë racionale pra, ndonëse askush nuk e di se sa fitimprurëse mund të jetë kjo përzgjedhje në aktin e vet të fundit.

Maqedonia dhe Serbia, përpos halleve ekonomike, padyshim që parapëlqejnë të lëvizin në dy orbita njëherësh, që të bëhen më interesantë, që të përfitojnë grante sa më të majme ekonomike nga Bashkimi Europian dhe të kenë një aleancë gjeopolitike rezervë, për “hallet e tyre”të sotme apo të nesërme me shqiptarët.

Sepse dihet se Rusia, as nuk e ka njohur dhe as nuk do ta njohë ndonjëherë Republikën e Kosovës, ashtu si edhe Greqia. Dhe kjo nuk është thjesht një rastësi.

Greqia nga ana e vet, nuk e ka fshehur asnjëherë në vite “xhelozinë” e saj, ndaj Turqisë dhe politikave “speciale” amerikane ndaj saj në Rajon, por së fundi edhe ndaj rritjes eksponenciale të faktorit shqiptar në Ballkan.

Në fjalën e tij të 9 Majit, Vladimir Putin, verbalizoi qartë dhe pa komplekse doktrinën e tij, për një Botë jo më, Një-Polare, e pra, për një Botë, jo më, vetëm me një Superfuqi të vetme: Shtetet e Bashkuara. Ndoshta ambicia e tij e pafshehur është rikthimi në superfuqi i Rusisë së sotme.

Me këtë mund të bjerë dakord me të drejtat e ambiciet e veta, opinion publik rus, Republika Popullore e Kinës apo India, por si mundet të bjerë dakord Greqia? Tashmë e rreshtuar në Polin Perëndimor, sot fitues?

Po Serbia apo Maqedonia, aplikantë të zellshëm për anëtarësimin dhe grantet financiare antikrizë të Bashkimit Europian?

Për të zbritur në rrafshin tonë, të interesave tona të drejtpërdrejta gjeopolitike, Rilindja e fuqisë ushtarake dhe ekonomike e Rusisë, aleancat e saja të forta taktike me Kinën dhe Indinë, në kërkim të Polit të Dytë Gjeopolitik Botëror, reagimi muskuloz putinian në çështjen e Ukrainës, janë një udhërrëfyes që Ballkani, mund të kthehet sërish në një “Laborator Gjeopolitik”, ku të shkarkohen tensionet e larta gjeopolitike të Blloqeve të Reja dhe me interesat e tyre përkatëse.

Ndoshta në një ballafaqim të ri.

Greqia, Serbia dhe Maqedonia, për interesat e tyre dhe pa dashur t’i paragjykojmë, sepse nuk është ky qëllimi i kësaj analize, kanë përzgjedhur të kenë në platformën e tyre, një “Rrugë rezervë” drejt Lindjes, e pra Moskës së sotshme, të fortë dhe ambicioze.

Ndërsa Shqipëria dhe Kosova kanë zgjedhur një rrugë të vetme, Perëndimin. Sepse ky është vullneti i popujve të tyre dhe kjo është rruga që historikisht përmbush interesat e nëpërkëmbura gjeopolitike dhe jo vetëm, të shqiptarëve. Dhe këtu nuk po flasim as për nacionalizëm dhe as për realitete imagjinare.

Kjo nuk mund të lexohet as si dobësi dhe as si dogmatizëm gjeopolitik, pavarësisht belbëzimeve të shumta, të të paditurve të shumtë, që marrin guximin të flasin, për këto dimensione gjeopolitike në Shqipëri.

Ngjarjet e Kumanovës dhe antimitingu, jo rastësisht edhe me flamuj serbë, i kryeministrit Gruevski, janë alarmuese dhe jo të shkëputura nga fusha globale e shahut gjeopolitik botëror.

Alarmizmi publik i paradoditshëm, i kryeministrit serb Daçiç, për një spirale destabilizuese në Ballkan, nuk është një alarm as retorik dhe as fals. Porse një shqetësim real.

Tensionet e Athinës dhe sulmet ndaj kryeministrit shqiptar aktual, duke e vizatuar atë, në mënyrë tendencioze si nacionalist shqiptar apo si filo-turk, për çështjen e rezervave kolosale të naftës për shembull, që “de facto” janë zbuluar nga satelitët, në ujërat tona territoriale, nuk janë edhe ato pa një lidhje.

Sepse sa herë një kryeministër shqiptar bën qoftë edhe një metër përpara në mbrojtje të interesave të vendit të vet, etiketat janë të gatshme dhe kompleksuese. Hiqen nga Berisha dhe i vendosen Ramës dhe do të hiqen nga Rama, për t’u ruajtur për kryeministrin e nesërm. Duke krijuar apo kushtëzuar një kulturë mediatike dhe të opinionit, në Shqipëri, që sheh me mikroskop paragjykues çdo fjalë dhe çdo gërmë të natyrës gjeopolitike. E cila ka kodet dhe fjalorin e vet specifik. Demek në të gjitha rastet e huazuar nga “streha e horrave dhe e maskarenjve” të nacionalizmit fals.

Ballkani po tronditet. Sepse është i brishtë dhe me plot çështje të pazgjidhura ndëretnike, të vjetra dhe të reja, ku shqiptarët janë gjithkund palë.

Palët, me sa duket dhe po duket përherë e më mirë, po rishikojnë vijat e forcës dhe kolaudimin e ri, të aleancave të reja gjeopolitike.

Përveç Shqipërisë dhe Kosovës. Por e gjithë kjo nuk kalon pa pasoja. Pasoja të të gjitha llojeve.

Sepse ndoshta rasti i Kumanovës është vetëm Fillimi

Keqpërdoret seksualisht një 16 vjeçare në Prizren

0

Policia në Prizren ka arrestuar një të dyshuar për keqpërdorim seksual me të miturën. I arrestuari dyshohet se ka keqpërdor seksualisht një vajzë 16 vjeçare.

“Lidhur me rastin pas hetimeve intensive të zhvilluara nga njësitet policore me 20.05.2015 është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar dhe i njëjti me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia e Kosovës./PrizrenPress.com/

Rrëfimi ekskluziv i ushtarit të UÇK-së për aksionin e Kumanovës

0

Ende e ka të freskët plagën nga plumbi që mori më 9 maj në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Po të freskëta i ka edhe kujtimet për atë të shtune ku humbi shokët në përleshjen që zgjati afro 48 orë në këtë vend.

Njëri nga ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, pjesë edhe e strukturave udhëheqëse, që ishte pjesëmarrës në luftimet e Kumanovës rrëfen ekskluzivisht për Gazetën Fjala në detaje se çfarë ndodhi. Ai tregon për organizimin e UÇK-së, shtrirjen e saj, financimin e strukturën komanduese.

Ushtari që dëshiron të mbetet anonim, shpjegon se kush mori para nga Qeveria maqedonase për të përgatitur skenarin e sulmit në Kumanovë. Ai rrëfen për Gazetën Fjala se kush i tradhtoi e si u vranë bashkëluftëtarët e tij.

 

Gazeta Fjala: Kush jeni ju dhe kënd e përfaqësoni?

Ushtari: Ne jemi Ushtria Çlirimtare Kombëtare, përfaqësojmë popullin, civilët të cilët janë të maltretuar që nga viti 2001 deri në vitin 2015.

Gazeta Fjala: A ekziston UÇK-ja?

Ushtari: Po ekziston.

Gazeta Fjala: Sipas jush ekziston UÇK-ja edhe pse nuk e kemi parë asnjëherë, mirëpo vetëm kemi dëgjuar për të. A ka strukturë organizative?

Ushtari: Ka strukturë organizative, janë të gjitha sektorët e përcaktuar.

Gazeta Fjala: Do të thotë e ka një hierarki?

Ushtari: Të gjitha i ka, deri te gjykata e UÇK-së.

Gazeta Fjala: Prej kur ekziston kjo?

Ushtari: Kjo ekziston, ka ekzistuar, por është riaktivizuar në vitin 2013, ka filluar riorganizimi.

Gazeta Fjala: Pse?

Ushtari: Për arsye që marrëveshja e Ohrit nuk është implementuar asnjëherë, as 2 përqindëshi i asaj marrëveshje nuk është realizuar, ka qenë gjithmonë një kufomë të cilën është mundu që qeveria ta ngjallë dhe populli ja ka dhënë besimin 2 apo 3 herë që atë kufomë ta ngjallë. Por e panë që ajo kufomë nuk ngjallet dhe e kemi parë të arsyeshme që ne të dalim sërish përpara dhe ti mbrojmë.

Gazeta Fjala: Deri tash nuk kemi parë konkretisht një ushtar të UÇK-së…?

Ushtari: Edhe në vitin 90-ta kur ka dalë, kur ka qenë për herë të parë UÇK-ja, edhe ata nuk kanë dalë. Prandaj edhe këtu duhet, janë hapat të cilat paraqiten.

Gazeta Fjala: Kush janë këta ushtarë, kush është komandanti i tyre?

Ushtari: Janë djem që i ka lind nana shqiptare, që kanë gjak të nënës shqiptare.

Gazeta Fjala: A janë vetëm nga Kosova, Maqedonia…?

Ushtari: Jo, janë nga të gjitha trojet. Sepse ajo tokë nuk është vetëm e atyre që jetojnë në Maqedoni, Iliri. Por janë troje të gjithë shqiptarëve që ne e kemi obligim, qysh kur shqiptarët e Maqedonisë kanë ardhur në vitet 90 deri në 99, kanë ardhur tek ne, ashtu edhe ne e shohim si detyrë si obligim moral, për ti shkuar në ndihmë.

Gazeta Fjala: A paguhen prej dikujt këta ushtar, kush i financon?

Ushtari: Këta paguhen vetëm prej mobilizimi, kurse paga e këto të tjera as nuk fliten, ato janë vetëm gënjeshtra të Ali-ut (Ali Ahmeti), Menduh-it (Menduh Thaçi), Sashos (Sasho Mijallkov – ish shef i shërbimit sekret të Maqedonisë) e të tjerëve.

Gazeta Fjala: Aksioni i fundit është Kumanova, kur Ushtria Çlirimtare Kombëtar ka marrë përsipër aksionin që ka ndodhur atje. Përse është zgjedhur pikërisht Kumanova, përse  Lagja e Trimave?

Ushtari: Ushtria Çlirimtare Kombëtare nuk e ka zgjedhur vetëm Kumanovën. UÇK nuk është nisur për në Kumanovë. UÇK është nisur për institucionet. UÇK nuk ka punë me civil, por ka punë me institucione të cilat dita e ditës do të vijnë parasysh dhe do të shihen.

Gazeta Fjala: A mund të na sqarosh më tepër?

Ushtari: Mbesin gjërat ende jo të qarta mirë për arsye tonat.

Gazeta Fjala: … Është folur shumë për sulmin në Kumanovë, thonë se është organizuar prej kosovarëve..?

Ushtari: Kosovarët nuk e kanë organizuar. Aksionin e kanë organizuar vet qytetarët e pa kënaqur të iliridës, jo kosovarët.

Gazeta Fjala: Në qoftë se mundesh të na sqarosh Iliridën. UÇK Iliridën e sheh në të gjitha trojet Shqiptare?

Ushtari: Ilirida është pjesa ku është caktuar, është zaptuar nga Sllavo-Maqedonët.

Gazeta Fjala: Sa ushtarë kanë marrë pjesë në rastin e Kumanovës?

Ushtari: Nuk është një numër ende i përcaktuar dhe i saktë, sepse kemi pasur aty edhe ndërhyrje nga vetë qytetarët që kanë dalë në ndihmë, prandaj nuk mund të jepet një numër shumë të saktë të tyre. Por, aty kosovarët kanë qenë pjesë, shqiptarët e Kosovës sepse këta me këtë term kosovarë dëshirojnë ta ndajnë si popull. Por, shqiptarët nga Kosova kanë qenë së paku diku 5% apo 10%, dhe shteti Maqedoni kur e ka bërë krimin nuk ka shikuar me bo arrestime tek populli maqedon, por është orientuar më shumë tek shqiptarët e Kosovës, për arsye që me e gjuajt një arsye të tyre qysh e kanë traditë me bo një fitore të mundshme ndaj Kosovës gjoja se ju jeni ata. Na nuk jemi ata që kërkojmë luftë por kur imponohet lufta në nuk kemi ku shkojmë. Ne jemi aty ku na thërrasin vëllezërit tanë.

Gazeta Fjala: Nëse mund të mbesim ende tek kjo pjesa e numrit të ushtarëve që kanë marrë pjesë. Ju thatë se keni një strukturë organizative…?

Ushtari: Shtabet ekzistojnë në secilin qytet ku ka Maqedoni. Në çdo qytet ka shtabe të ndryshme. Janë strukturat dhe janë udhëheqësit pikërisht nga vet shqiptarët e Maqedonisë.

Gazeta Fjala: Do të thotë ditën kur ka ndodhur rasti në Lagjen e Trimave, nuk ka qenë cak Lagja e Trimave?

Ushtari: Jo, cak ka qenë Qeveria maqedone. Nuk ka qenë cak i UÇK. UÇK qysh në vitin 2001 ka tregu që nuk ka punë me civil, por ka punë me shtetin maqedon.

Gazeta Fjala: Por, pse ndodhi pikërisht aty?

Ushtari: Po, pikërisht sepse ka qenë skenar i përgatitur nga qeveria Gruevski.

Gazeta Fjala: A janë dhënë para nga qeveria Gruevski? Flitet për 2 milion euro që janë dhënë. Tash akuzohet UÇK se i ka marrë paratë?

Ushtari: Flitet, edhe do të vazhdojë të flitet. Por ato para ata luftëtarë të cilët ishin aty, drejtpërdrejtë nuk kanë marrë para. Parja e tyre ishte ideali dhe asgjë tjetër. Por këtu personi i cili e ka organizuar ka qenë një strukturë e lidhur ngushtë nga Sasho. Ai ka marrë urdhër nga Gruevski dhe Sasho bashkë me Jankullovën dhe me ministrin e financave që e përgaditën shumën prej 2 milion eurove,  siç po flitet, edhe pse ne nuk kemi dëshmi për atë. Dhe këto para janë dërguar tek shqiptari, i cili punon në Shërbimin Sekret Maqedon. Ai shqiptar në thonjëza, ja dërgon shumën vëllaut të vet, shokut të vet, i cili është zbuluar nga ana jonë, mirëpo i cili mbetet ende identitet i mbyllur, dhe kjo shumë me siguri i është dorëzua atij. Dhe këta persona, ky personi i fundit i cili ka pranuar shumën nga ish bashkëpunëtori i Sashos e ka dërguaar…

Gazeta Fjala: Ky personi a është në mesin tuaj, a ka qenë në mesin tuaj?

Ushtari: Jo, ky person nuk ka qenë në luftë. Ky person është zhduk disa orë para se të ndodhë aksioni. Gjithçka ka qenë e përgatitur nga ky shqiptar, në thonjëza.

Gazeta Fjala: Para se të ndodhë aksioni ka qenë pjesë e UÇK-së, që ju e njihini por nuk doni ta përmendni emrin e tij?

Ushtari: Po, ne e njohim dhe nuk do ta bëjmë publike, për arsyet tona të cilat i kemi urdhër nga Gjykata jonë, që ato do të mbesin edhe për disa kohë informata vetëm për ne. Në ndërkohë do të dalim të gjithë me emra dhe me mbiemra dhe të japin përgjegjësi para popullit, Gjykatës, të cilën e ka UÇK-ja, sepse ai që e tradhton UÇK-në, ai qysh kur ka hy e ka ditë që tradhtia nuk duhet të ekzistojë dhe dezertorët e tillë duhet ta paguajnë.

Gazeta Fjala: Ju e përmendët që pak kohë para se të ndodhë sulmi ai është larguar nga aty, a mund të na përshkruani më detajisht se si ndodhi kjo tradhtia?

Ushtari: Personi i cili ka organizuar dhe i cili ka marrë përsipër organizimin vjen pikërisht nga Maqedonia. Dhe ai person ka qenë i lidhur me disa prej shqiptarëve, të cilët e kanë idealin mbi të gjitha dhe i ka ngreh me atë që Maqedonia është në krizë. Atje do të ketë luftë dhe do të ketë problem edhe populli civil. Dhe përveçse e kanë organizuar dhe i kanë ngrehë personat e afërt afer vetes, aty ka ardhur edhe ka mbledhë edhe shokët e ish 2001-tës, luftës çlirimtare të Kosovës, të UÇPMB-së e të gjitha strukturave vetëm e vetëm ta bëjë një numër. Por, këta të cilët luftuan heroikisht afër 40 orë, këta kishin vetëm një qëllim, mbrojtjen e qytetarit pa marrë parasysh a është shqiptar apo maqedon, ata e kishin mbrojtjen e popullatës civile. UÇK çdoherë ka tregu me kënd ka punë.

Gazeta Fjala: A e keni parë krejt këtë skenar ju, a keni qenë pjesë e aksionit të Kumanovës. A keni qenë brenda në Lagjen e Trimave?

Ushtari: Po, aty kemi qenë së bashku. Kemi luftuar dhe ju kemi treguar të gjithëve që ata luftëtarë të 2001 janë tripërtri, jo ripëtri por tri herë më shumë janë forcuar. Saqë po të ishte skenar i joni i përgaditur me kohë, aty me siguri do të dilëshinë prej anës maqedone mbi 200 të vrarë e mbi 500 të plagosur. Por ka qenë një skenar, një kurth, një tradhti ndaj neve dhe erdhëm aty ku jemi edhe sot. Që shumë prej nesh shokët i kemi humbur, ndër ta edhe na janë burgosur.

Por, me kaq nuk është mbyll, gjithçka aty ka qenë fillimi. Me datën 9 është varros marrëveshja e Ohrit, ajo marrëveshje e cila ishte për 14 vite vetëm një kufomë e pavarrosur, ajo kufomë shtegtarët e lirisë ja kanë dhënë ceremoninë, ajo më nuk ekziston. Politikë më me shtetin maqedon nuk ka.

Gazeta Fjala: Sado që duket që është krijuar një paqe në mes shqiptarëve të Maqedonisë dhe vet maqedonëve që i kemi parë në protestën e fundit..?

Ushtari: Jo, ata nuk janë shqiptarë të cilët… sepse ata të cilët kanë dalë aty, ata kanë marrë nga 1000 euro, 2000 euro, 5000 euro. Ne mund të flasim si ushtarë pikërisht për ata të cilët po flasin për ne. Ata janë mashtruar nga iluzioni i euforisë, por ndërkohë ata do të jenë me ne, sepse Zevezi (Zaevi) mbetet Zavez. Zavezi (Zaevi) është  i Sopotit, është i të njëjtit rast dhe të gjithë e njohim se kush është ai, dhe kush është Gruevski. Të dytë janë një trup i përbashkët, ashtu siç është një trup i përbashkët Alia dhe Thaçi. Njëjtë është.

Gazeta Fjala: Pse u dorëzuan ushtarët e UÇK-së?

Ushtari: Janë dorëzuar në momentin kur e kanë kuptuar se janë të tradhtuar. Dhe njëri ndër ata më të vjetrit që ishte Sokoli, ka vendos që mos të humb jetëra në një tradhti. Në tradhti është turp të humbet një luftëtarë. Nuk është turp me humb në betejë përballë me armikun, është turp të humbësh i tradhtuar nga ana e brendshme. Prandaj edhe Sokoli ka luajtur një veprim të heroit, i cili do të mbetet gjithmonë në histori.

Gazeta Fjala: Atë ditë në Kumanovë kanë humbur jetët edhe bashkëluftëtarët e juaj. Kush janë ata, sepse ende nuk kemi të dhëna të sakta prej asnjërës palë?

Ushtari: Ende nuk mund të flasim konkretisht sepse shumë prej tyre të dorëzuar janë vrarë, janë pushkatuar pasi janë dorëzuar. Prandaj nuk duhet të ngutemi dhe nuk duhet të ngutemi që ti shqetësomë familjet e tyre, të presim deri në momentin të cilën ata do ti kanë certifikatat e tyre të vdekjes dhe atëherë mund të kemi një numër të saktë. Por njëherë mund të themi që në mesin e tyre ka civil shqiptarë të vrarë. Nuk dua ta humbasë këtë sepse kjo është një realitet i hidhur, ka edhe të plagosur, të vrarë, të torturuar e të gjitha më të këqijat që kanë mundur ti ndodhin.

Gazeta Fjala: Është folur shumë se krejt ky skenar është përgatit nga qeveria Maqedonase, madje ka ardhur në atë pikë që është dyshuar edhe për kufomat që janë gjetur në vendin e sulmit ku ka ndodhur në Kumanovë. Është thënë që ata janë trupat e emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët janë shkelë nga një tren në një aksident të mëhershëm në Maqedoni. Sa ka të vërtetë këtu?

Ushtari: Jo. Gjithçka që është aty, ata të cilët kanë rënë heroikisht dhe të cilët janë bërë kurban të tradhtisë së radhës, sepse i njëjti person i cili e ka bërë këtë tradhti është i njëjti person i Gërdecit i Sopotit, Kondovës, Harun Aliut, Komandant Kushtrimit, i Monstrës, po i njëjti është edhe i Kumanovës.

Gazeta Fjala: A dyshoni se ka trupa të emigrantëve?

Ushtari: Jo, nuk ka. E sqarova që nuk ka trupa të emigrantëve. Ka vetëm ushtarë dhe civil. Ushtarët kanë humbur jetën pasi janë dorëzuar, jo duke luftuar. Por pasi janë dorëzuar ata janë pushkatuar.

Gazeta Fjala: Ju, jeni të sigurt që …

Ushtari: Po, të gjithë janë vrarë të dorëzuar.

Gazeta Fjala: Nuk na treguat në fillim me sa ushtarë keni qenë?

Ushtari: Nuk mundemi të caktojmë numër të saktë sepse aty kanë pasur edhe njerëz, vëllezër tanë të Kumanovës të cilët janë bashkëngjit. Ata të cilët kemi qenë ne nuk mundemi me dhënë një numër të përafërt sepse është turp të ju humbim edhe mundin e tyre. Prandaj aty kanë luftuar djem të cilët ishin tamam të nënave shqiptare.

Gazeta Fjala: Ju keni arritur të depërtoni, të tërhiqeni. Më intereson a ka dal edhe dikush tjetër prej bashkëluftëtarëve tuaj? Sa persona? Prej çfarë kohe deri në çfarë kohe keni  qenë ju aty?

Ushtari: Me një numër bajagi të madh jemi tërheq edhe për atë punë të thash që vetëm tek ne kanë qenë mbi 18 persona qytetarë të cilët kanë kapur pushkën dhe na ka ndalur në ndihmë.

Gazeta Fjala: Nuk keni qenë të gjithë bashkë?

Ushtari: Jo nuk kemi qenë të gjithë bashkë. Aty na janë ofruar edhe vetë qytetarët të cilët e kanë kapur pushkën. Sepse ne kur kemi shkuar, kemi shkuar për ndihmë sepse i kemi pasur nga dy pushkë, në mënyrë që ti furnizojmë edhe të tjerët. Prandaj aty është një numër për të cilin nuk mund të flasim saktësisht. Por, vetëm tek grupi jonë kanë qenë mbi 38.

Gazeta Fjala: Kur thuhet tek grupi juaj, ti ke qenë me 37 ushtarë tjerë. Ku kanë qenë të tjerët: Sokoli, Begu, Mirsadi, ku kanë qenë këta?

Ushtari: Secili ka qenë në pikat e tyre. Begu me Mirsadin kanë pasur pikën e tyre. Sokoli e ka pas pikën e tij. Këto s’kanë qenë pika, por janë zanë tradhtisht dhe ata janë pozicionu në ato vende ku kanë qenë. Malisheva ka qenë në pikën e tyre edhe grupi jonë po ashtu në pikën tonë përballë tyre. Prandaj, është bë një depërtim të cilën duhet të mbetet sekret, sepse në momentet në të cilën tregohen sekretet tona atëherë ne si ushtri dështojmë.

Gazeta Fjala: A mund ta dimë sa ushtarë keni arritur të tërhiqeni?

Ushtari: Kemi arritur të tërhiqemi 19. Sepse 18 prej tyre kanë qenë vet qytetarë të Maqedonisë.

Gazeta Fjala: Çka tash, e thatë më herët që nuk ka përfunduar gjithçka?

Ushtari: Lufta nuk ka përfunduar. Edhe në dëshiromë që të përfundojë lufta, por me imponimet e tyre nuk duam ta përfundojmë deri në realizimin tonë që jemi nisur, për të cilën e kemi marrur atë rrugëtim që shqiptarët ta kenë shtetin e tyre edhe në Maqedoni. Ose shqiptarët e Maqedonisë ti bashkohen edhe shtetit shqiptar. Ka qenë shumë më e mirë edhe e udhës ti bashkohet shtetit të Kosovës, mirëpo shteti i Kosovës ende nuk i ka plotësu kushtet dhe prandaj shteti i Shqipërisë i plotëson kushtet që ti bashkohet. Por në qoftë se edhe shteti Shqiptar i Edi Ramës në krye me të nuk e pranon as sikur atëherë që nuk e pranoj edhe Kosovën, që e dijmë të gjithë, atëherë duhet ta shpallim republikë të Iliridës, që të jetë edhe një shtet tjetër i ri i Shqiptarëve, e emrin Ilirida.

Gazeta Fjala: A mund ta dijmë sa ushtarë i ka UÇK-ja?

Ushtari: Për momentin kemi mbi 2500 ushtarë vetëm në Iliridë, në trojet shqiptare të Maqedonisë.

Gazeta Fjala: UÇK shtrihet edhe në pjesët tjera, jo vetëm në Maqedoni?

Ushtari: Për momentin jemi të shtrirë vetëm në Maqedoni. Ndërkohë do të shtrihemi edhe pozicionohemi edhe më tutje, mirëpo qëllimi kryesor dhe fillimi ka qenë në Maqedoni, pastaj vazhdojmë edhe me Malsinë ku kemi edhe atje shumë të pakënaqur të cilët thuajse e humbën edhe të gjithë ata shqiptarë i kemi atje, thuajse janë të harruar. Ashtu siç u harruan edhe të gjithë edhe të Çamërisë edhe shqiptarët në Mal të Zi, edhe për ata duhet të vazhdojmë, kaq.

Gazeta Fjala: A qëndron prapa UÇK-së, ish struktura e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , që është fol shpesh për politikanët siç është Ramush Haradinaj, përfaqësues të PDK-së apo të Maqedonisë, Ali Ahmeti apo dikush tjetër. A ka prapa UÇK-së politikan të Kosovës që e financojnë ose e ndihmojnë?

Ushtari: Jo, nuk ka. Tri luftat e fundit shqiptare janë qe 15 vite, këtë e di edhe një fëmijë sapo i lindur mund të përgjigjet. Kur ata janë njerëz tanë, njerëz Shqiptarë të cilët kanë luftuar në luftën e Kosovës, dhe kanë bërë fotografi me bashkëluftëtarët e tyre që në mesin e tyre kanë qenë bashkëluftëtarë edhe Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi, Azem Syla e të gjithë këta. Në mesin e tyre kanë qenë bashkluftëtarë edhe në Preshevë, kur disa prej tyre janë sot edhe politikanë, por aty kanë bërë edhe foto, ato foto janë kanë foto të bashkluftëtarëve e nuk kanë qenë foto politike, në mesin e tyre i ki edhe në Maqedoni kur ato foto janë të bashkluftëtarit e nuk janë foto të politikanit. Prandaj, të gjithë këta politikaj janë të ardhur nga UÇK dhe nuk duhet të dyshojmë në këto paragjykimet e kota mund të them.

Gazeta Fjala: Në rastin e Maqedonisë Ali Ahmeti doli se është njëfar forme kundërshtar i juaj, ose bashkorganizator i skenarit siç e thatë edhe më herët. A ndiheni të tradhtuar që këta bashkëluftëtarë me një moment i janë shkëputur një ideali dhe nuk e vazhdojnë rrugën…?

Ushtari: Po e mbyllim me dy fjalë këtë pyetje. Ne kemi qenë të tradhtuar qysh në vitin 2001 kur është nënshkruar marrëveshja e Ohrit, pikë. /Gazeta Fjala/

– See more at: http://gazetafjala.com/analiza/rrefimi-ekskluziv-i-ushtarit-te-uck-se-per-aksionin-e-kumanoves/#sthash.L4gaJdD8.dpuf

Hasjanët iu besonin drunjve për shërim

0

Pozita gjeografike e Hasit, që i ngjan një ishulli të thatë, të rrethuar nga të gjitha anët me lumenj e në anë tjetër i shtrirë në ashpërsinë e maleve të Pashtrikut, ka ndikuar që kjo malësi si zonë të jetë e mbyllur dhe e izoluar.

“Në këtë mënyrë, Malësia e Hasit ka qenë terren i përshtatshëm për përhapjen e besimeve dhe besëtytnive të ndryshme në të kaluarën, por të cilat gjallojnë edhe sot në kokën e shumë pleqve dhe plakave por që tashmë si besime besëtytnitë kanë filluar të humbin rolin dhe rëndësinë e tyre,” tregon për “Kosova Sot” dr. Nexhat Çoçaj entolog.

“Në përhapjen e besëtytnive në Has ka ndikuar edhe feja, sidomos në të kaluarën, mësime e së cilës janë plotë misticizëm dhe trillime të ndryshme fantastike, të cilat u ngulitën thellë në shtresat shoqërore”, tregon Çoçaj.

Ndërkaq Kadire Muhadri e lindur me 1921e kësaj treve, thotë se koha i ka transformuar jo vetëm figurat mitologjike, por edhe mendimet dhe parafytyrimet e njerëzve.

Këto ndryshime, banorët, madje edhe më të moshuarit, thonë se kanë ardhur falë zëvendësimit të kushteve të vështira me kushte më të mira. Një rol të rëndësishëm në zbehjen e përfytyrimeve të këtyre figurave mitologjike në fshatrat e Hasit edhe nga gratë e moshuara, të cilat kanë mbetur të vetmet, që vende – vende ende ruhen gjurmë të këtyre besimeve, e ka luajtur edhe përfshirja në shkollim e femrës hasjane, që deri në prag të luftës së UÇK-së nuk ishte e përfshirë si në vendet e tjera të Kosovës tregon e moshuara Muhadri.

Besimet e lashta, që nga paganizmi, janë të shumta në popullin e Hasit e që janë ruajtur me xhelozi kryesisht përmes riteve, festave e ngjarjeve të shënuara të jetës së njerëzve të këtij mjedisi. Prandaj, varësisht nga rastet, me qëllime shërimi e parandalimi të sëmundjeve të shumta, për mbarësi në familje, në ekonominë familjare etj., në shumë raste ritet dhe besimet janë përdorur edhe si përforcues të kodeve për besëtytnitë dhe përjetimet e tyre kanë zgjuar interesim të vazhdueshëm të banorëve, duke mbetur vazhdimisht zbërthimi i tyre fshehtësi të pakuptimta e misterioze, por gjithsesi të përhapura ndër banorë. Si në të gjitha trevat e tjera shqiptare edhe në fshatrat e Malësisë së Hasit ka pas shume vende të caktuara në rrugë, që shërbenin si vendqëndrime pushimi, siç ishin dikur: Kodra e Kalemit, Magarçi i Lumit, në Kodrën e Kalemit në Gjonaj në drejtim të Drinit të Bardhë, Trumshi në burimet e malit Pashtrik, Lalakeqi nën Kalanë e Skënderbeeut mbi fshatin Mazrrek, te Dragovodi në afërsi të staneve të Vlahnes, të Vorri i Delmes mbi fshatin Qarr në drejtim të fshatit Letaj, në Va Spas, të Hani i Brutit, te Guri i Shpuem etj.Pos qafëmaleve apo rrugëve, që i përmendëm më lart, në të kaluarën kishte pyje të veçantë me drunj shekullorë, që nuk priteshin, sepse një gjë e tillë konsiderohej mëkat.

Për ato pyje ishin thurur disa legjenda në lidhje me shumë figura mitologjike dhe në të shumtën e rasteve, ato pyje e në raste të veçanta edhe drunj të veçuar, konsideroheshin si “mrize” të këtyre figurave, por në shumë raste edhe si vende ku kanë gjetur shërim njerëzit, të cilët kanë vuajtur nga sëmundje të ndryshme. Të tilla vende kemi: në Lugishtë Pisha e Osmankaçve,Vidhi në Tupec, Ahishta në bjeshkë etj.Plaku Tana, për të gjithë këto thotë se dikur njerëzit për të shkuara në këtëo vende u është dashur mundi i madh, pastaj duhet se Hasi ka pasur mungesë të ujit të pijes, dhe kur ata është dashur të arrijnë atje shpesh të lodhur bile deri më jermi, Kjo ishte e mjaftiueshem pastj ata të qëndrojnë edhe këso rastesh për të pasur pastaj besim gjegjësisht bestytni./Kosova Sot/

Kongresi amerikan nderon Ismail Kadare

0

Flamuri amerikan u valvit në ndërtesën e Kapitolit në Washington për nder të shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare.

Kjo traditë që daton 78 vjet më parë u është dedikuar amerikanëve të shquar edhe personaliteteve të huaja.

Ceremonia u bë e mundur nga ligjvënësi amerikan Eliot Engel, një prej mbështetesve të shqiptarëve në Kongres, prej një çerekshekulli.

Në ceremoninë e zhvilluar në një nga sallat e Kongresit amerikan, Engel ia dorëzoi flamurin e valëvitur për nder të shkrimtarit shqiptar, me një dedikim të posaçëm, botuesit të gazetës “Illyria” në New York, Vehbi Bajrami.

Thaçi, president në të dy variantet

0

Hashim Thaçi do të jetë president i Republikës së Kosovës, pavarësisht se a do të zgjedhet nga Kuvendi apo nga populli, mendon nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci.

Grabovci ka thënë se në të dyja variantet, PDK-ja e pret mbështetjen e LDK-së për ta bërë Thaçin president të Republikës.

“PDK-ja i ka përmbushur të gjitha obligimet që i ka marrë mbi bazën e marrëveshjes me LDK-në, prandaj presim që edhe partnerja e koalicionit tonë qeverisës, LDK-ja, të bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë për gazetën Epoka e Re shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së.

“Pra në të dyja variantet presim mbështetjen e LDK-së për çështjen e presidentit”, ka than Grabovci, duke shtuar se “Thaçi e meriton të jetë president i vendit, sepse aktualisht është lideri i vetëm në nivel nacional që i përmbushë të gjitha kriteret për të marrë këtë post”.

Kryeministri s’mund të vendosë për Isa Boletinin pa Hashim Thaçin

0

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nuk ka mundur t’u garantojë asgjë sa i përket rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit, në Boletin, më 10 qershor, kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe familjarëve të heroit, të cilët nga i pari i Qeverisë kanë kërkuar që ta anulojë vendimin e Këshillit Organizativ për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit në Vlorë.

Mustafa ka thënë se do të bisedojë për këtë çështje, para së gjithash me Këshillin Organizativ, pasi që aty është marrë vendimi, por edhe me të tjerët sidomos me zëvendësin e tij, Hashim Thaçi, i cili në emër të Qeverisë së Kosovës ka dhënë idenë për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit, në Vlorë, të cilën ide e ka përkrahur edhe Këshilli Organizativ.

Mbase për këtë shkak, kryeministri i vendit edhe nuk ka mundur të vendosë vetë për anulimin e vendimit të KO-së, apo që të marrë një vendim të prerë…/zeri/

Gjenden pajisje prej guri, të vjetra 3.3 milionë vjet

0

Stërgjyshërit tanë kanë ndërtuar pajisje prej guri, që konsiderohet si një nga arritjet më të mëdha të progresit të njerëzimit, shumë më herët se sa që është menduar deri më tash.

Shkencëtarët, sipas Reutersit, e kanë bërë mbrëmë këtë njoftim duke thënë se janë zbuluar pajisje prej guri të vjetra 3.3 milionë vjet.

Ato janë gjetur në afër Liqenit Turkana, në pjesën veriperëndimore të Kenias.

Në mesin e pajisjeve janë gjetur thekon me skaje të mprehta që mund të jenë përdorur për prerjen e mishit duke e hequr atë nga eshtrat e kafshëve dhe çekiç që ndoshta janë përdorur për të thyer arra.

Këto pajisje konsiderohen 700 mijë vjet më të vjetra se sa çfarëdo pajisje tjetër që është menduar si më e vjetra deri më tash.

Pajisjet janë edhe 500 mijë vjet më të vjetra se sa fosilet më të hershme të ditura të gjinisë, Homo Sapiens, duke lënë të kuptohet se ato me siguri janë përdorur për një specie më primitive në trungun e familjes së njerëzimit.

Paleo-antropoligjti, Jason Lewis nga Instituti i Turkanës ka thënë se mbetët ende e paqartë se kush i ka ndërtuar pajisjet e gjetura prej guri. /REL/

Prizreni dhe fshatrat bëhen me adresa të reja

0

Prizreni së shpejti do të ketë adresa të reja. Megjithatë, jo të gjitha tabelat e vjetra, të vëna menjëherë pas luftës së fundit do të ndërrohen. Për herë të parë, tabela orientuese nëpër rrugë do të ketë edhe në fshatrat e kësaj komune.

Komisioni për Emërtimin e Rrugëve, Shesheve dhe Lagjeve të Prizrenit (KERRSHLP), i themeluar nga Kuvendi i Komunës, tashmë ka bërë emërimin e 1.645 rrugëve, ndërsa fjalën përfundimtare rreth këtij procesi do ta thotë Kuvendi i Komunës, në mbledhjen e radhës, që do të mbahet më 28 maj.

Pas mbi 50 mbledhjeve të mbajtura rreth përcaktimit të emrave që do të mbajnë rrugët dhe sheshet, Komisionit përkatës i është dashur një punë e ngjeshur prej shtatë muajsh, por që del se ka pasur kompromis në mes të anëtarëve dhe se një pjesë e emërtimeve të bëra që në kohën e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, menjëherë pas përfundimit të luftës, fare nuk janë ndryshuar./Zëri/

Bushati- Steinmeier: Hetim dhe transparencë për “Kumanovën”

0

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë pune në Gjermani.

Gjatë kësaj vizite ai u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier, Këshilltarin e Kancelares Merkel për Çështjet e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Christoff Heusgen, si dhe zhvilloi një seancë dëgjimore në Komisionin e Çështjeve Evropiane të Bundestagut.

Perspektiva e integrimit të Shqipërisë në BE ishte në qendër të takimit të Ministrit Bushati me homologun e tij Steinmeier. Duke vlerësuar mbështetjen konstante të Gjermanisë për proceset integruese të Shqipërisë, Ministri Bushati parashtroi përpjekjet e Shqipërisë në procesin e reformave dhe përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe. Ministri Bushati nënvizoi se hartimi i një kalendari konkret masash për ta çuar vendin drejt hapjes së negociatave për anëtarësim do të ishte një përqasje graduale me efekte pozitive për reformat dhe motivimin e administratës publike.

Duke u fokusuar tek bashkëpunimi dypalësh, Ministrat ndanë mendimin për nevojën e forcimit të bashkëpunimit në fushën ekonomike, rritjes se investimeve gjermane, si dhe për promovimin e tyre përmes organizimit të një forumi biznesi shqiptaro-gjerman së shpejti në Tiranë.

Ministri Steinmeier vlerësoi masat e marra në vend për adresimin e fenomenit të azil-kërkimit dhe inkurajoi për intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi mes institucioneve përkatëse, duke ofruar ndihmën e Gjermanisë për përballjen me këtë fenomen.

Një vend të veçantë në diskutimet mes dy Ministrave zuri situata në rajon dhe zhvillimet në Maqedoni. Duke dënuar dhe cilësuar çdo akt dhune të papranueshëm për një shoqëri demokratike që synon integrimin euro-atlantik, Ministri Bushati nënvizoi rëndësinë e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, në zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, e cila mbetet esenciale për stabilitetin demokratik dhe busull orientuese për rrugëtimin euroatlantik të Maqedonisë. Ministrat ndanë mendimin për rëndësinë e integritetit territorial dhe stabilitetit në Maqedoni dhe zgjidhjen sa më parë të krizës politike në vend, evitimin e konvertimit të saj në një krizë ndëretnike dhe me pasoja për stabilitetin rajonal. Te dy Ministrat bënë thirrje për një investigim të plotë, transparent dhe profesional të ngjarjeve në Kumanovë si e vetmja mundësi për të rikthyer besimin tek institucionet. “Episodi i para dhjetë ditëve alarmoi Evropën, por po ashtu na bëri më të vëmendshëm. Shpresoj që ajo që pamë nuk është fillimi i një acarimi, por që autoritetet do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të na sqaruar se çfarë ndodhi. Së dyti, shpresoj që do të marrin gjithë masat që episode të tilla të mos përsëriten më”, tha zoti Shtajnmajer.

“Gjykuar nga pikëpamja apo konteksti i kompozimit etnik dhe social që ka Maqedonia, i cili është disi unik për rajonin e Ballkanit Perëndimor, mendojmë që është në radhë të pare në interesin e Maqedonisë për të bërë një transparence më të plotë sic e tha edhe ministri Shtajnmajer në lidhje me zhvillimet në Kumanovë në mënyrë që kriza aktuale të ndalohet dhe të mos përshkallëzohet dhe rruga apo busulla orientuese e Maqedonisë si gjithë vendet e tjera të rajonit të vazhdojë të mbetet integrimi euroatlantik dhe integrimi euroatlantik që besojmë të gjithë bazohet në respektin për sundimin e të drejtës, në respektin për një marrëdhënie ndëretnike, harmonike sic parashikonte Marrëveshja e Ohrit dhe për një cohesion më të mire politik dhe social”, tha Bushati.

Mbi bashkëpunimin rajonal, Ministri Steinmeier vlerësoi rolin e Shqipërisë si kryetare e radhës të nismës të SEECP-së deri në qershor 2015, në funksion të nxitjes së klimës së bashkëpunimit në rajon.

Duke u ndalur tek rëndësia e Procesit të Berlinit dhe përgatitjet për Konferencën e Vjenës, Ministri Bushati theksoi se Shqipëria mbështet projektet rajonale të përbashkëta, zbatimi i të cilave do ta sjellë rajonin më pranë BE-së, si dhe po punon për konkretizimin e krijimit të një zyre rinore në rajonin tonë, që do të ndihmonte në nxitjen e shkëmbimeve rinore mes vendeve të rajonit sipas modelit franko-gjerman.

Gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të tjera si bashkëpunimi shumëpalësh dhe sfidat e sigurisë globale.

Në takimin me Këshilltarin e Kancelares Merkel për Çështjet e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Christoff Heusgen u diskutua mbi ecurinë e Shqipërisë në rrugëtimin evropian si dhe zhvillimet më të fundit në rajon.

Në seancën dëgjimore në Komisionin e Çështjeve Evropiane të Bundestagut, Ministri Bushati i njohu të pranishmit me ecurinë e reformave në Shqipëri, arritjet dhe sfidat në luftën kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar. Ministri Bushati iu përgjigj interesimit të deputeteve mbi zhvillimet më të fundit në rajon.

Në kuadër të vizitës së Ministrit Bushati në Berlin, MPJ gjermane çeli një ekspoze arkivore me disa dokumente historike për marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, e cila u vizitua nga dy ministrat.