Home Blog Page 7036

Filmi “Krom” shfaqet në Prizren

0

Filmi i Bujar Alimanit i titulluar “Krom”, që pati premierën në festivalin prestigjioz, Karlovy Vary, pas prezantimit në Tiranë do të shfaqet edhe para publikut kosovar më 24 tetor (sonte), në kinemanë Doku Kino në Prizren me fillim nga ora 19:30.

“Të pranishëm do të jenë edhe aktorët e filmit së bashku me regjisorin kurse pas filmit do të mbahet një koktej për të gjithë pjesëmarrësit. Luteni që të vini më herët për shkak se vendet janë te kufizuara”, thuhet në njoftimin e Doku Kino-s.

“Krom” flet për një nënë që rrit e vetme dy djemtë e saj. Me rolet e tyre në këtë film paraqiten aktorët Klodjana Keco, Fredjon Ruci, Mirela Naska, Bledar Naska, Kasem Hoxha etj.

Filmi është kooproduksion mes Shqipërisë, Kosovës, Gjermanisë dhe Greqis

Sherri mes dy familjeve çoi në vrasjen e 39 vjeçarit në Rahovec

0

Është varrosur sot 39 vjeçari i vrarë me katër plumba dje në Rahovec. Vrasja erdhi për shkak të një rrahje që kishte ndodhur mes familjes së viktimës dhe dorasit.

Konflikti i mëhershëm mes familjes Shala dhe Danuza në Rahovec ishte fatale për njërin anëtarë të familjes Danuza. Viktima mashkull 39 vjeçar gjeti vdekjen në njërën prej kafiterive në Rahovec. Gazeta Express merr vesh se ai u gjuajt me shtatë plumba ndërsa katër prej tyre kishin goditur trupin e viktimës. Ngjarja kishte ndodhur derisa viktima me dorasin po pinin kafe.

Të premten, rreth orës 10:50, në një lokal në qytetin e Rahovecit një person ka shkrepur me armë zjarri ndaj një 39 vjeçari. Dorasi, nga familja Shala, e ka goditur viktimën me disa plumba duke e lënë të vdekur në njërën prej kafeneve të Rahovecit. Dhe, e gjithë kjo për shkak të një konflikti të mëhershëm midis këtyre dy familjeve.

Anëtarët e familjes Danuza , kohë më parë, kishin rrahur nipin e familjes Shala. Kjo bëri që të nxehen gjakrat, kur ata të dy ishin duke pirë kafe së bashku.

Osman Islamaj, komandat i Policisë rajonale të Rahovecit, kishte konfirmuar për Gazetën Express vrasjen në Rahovec. Sipas Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 10:50, kur ata të dy ishin duke pirë kafe dhe më pas “janë nxehur gjaqet” dhe ka ndodhur më e keqja.

“Të premten rreth orës 10:50, në një kafe ka ndodhur një aksident. Një mashkull i moshës 39 vjeçare është vrarë”, kishte thënë Islamaj për Express. Sipas policisë konflikti kishte filluar më herët. Dorasi e kishte bërë këtë për nipin e tij, djalin e vëllait, pasi që anëtarët e familjes Danueza e kishin rrahur djaloshin.

“Këto dy familje kanë pasur edhe më herët probleme. E në fund, vrasësi ishte nxehur kur anëtarët e familjes Shala kishin rrahur djalin e vëllait të tij”, tha Islamaj për Express.

Rasti tani është në Prokurorinë Themelorë në Komunën e Gjakovës./GazetaExpress/

Limaj kritikon Mustafën, Thaçin e Veselin

0

Lideri i Nisma-s për Kosovën, Fatmir Limaj përmes një postimi në Facebook ka kritikuar kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvëndësin e tij Hashim Thaçin për thellimin e krizës politike në vend.

Limaj ka theksuar se në vend të reflektimit ata kanë zgjedhur shtetin policor si përgjigje ndaj kësaj krize politike, e rezultati i kësaj sjellje të tyre do të jetë turpërues për ta.

Lexoni postimin e plotë:

Isa po thot koaliconi është stabil, kurse Hashimi po na fol për demokracinë. Këta të dy po e lavdërojn Kadriun për “shkathtësit e tij” ( duke përfshi këtu e mos veçu fjalët e tij të pista për deputetët ) sepse ai e gjeti një skut dhe në ora 2 pas mesnate, pasiqë e mbushi mbrenda parlamentin me polici dhe e rrethoj atë nga jasht me njësi speciale, të mbaj një mbledhje dhe krejt kjo sipas tyre për të treguar se gjendja është normale dhe se gjithqka po fuksionon.

Me këtë logjik të sjelljes komuniste e lindore këta njerëz mbrëmë e kan thelluar edhe më shumë krizën politike në vend.

Këta në vend të reflektimit kanë zgjedhur shtetin policor si përgjigje ndaj kësaj krize politike, e rezultati i kësaj sjellje të tyre do të jetë turpërues pë ta.

Thaçi falënderon Veselin dhe deputetët e pozitës

0

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e Qeverisë shprehu mbështetje të fuqishme për qëndrimin e mbajtur të deputetëve dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ai ka thënë se është me rëndësi që partnerët e koalicionit janë të vendosur për të vazhduar punën në institucionet e vendit, me legjitimitetin e tyre të plotë qytetar, me tri të katërtat në Parlament dhe tri të katërtat në Parlament nuk janë vetëm numra por janë drejtpërdrejt legjitimitet qytetar.

“Dëshiroj t’i falënderoj deputetët e koalicionit për durimin e tyre, kulturën e lartë të treguar dhe udhëheqjen e shkëlqyer nga kryetari i Kuvendit”, ka thënë Thaçi, transmeton Koha.net.

Sipas Thaçit, nuk mundet askush ta sfidojë demokracinë e Kosovës.

“ Në veçanti në këtë periudhë, kur jemi duke nënshkruar marrëveshje historike për vendin tonë, anëtarësimin në UNESCO, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe vitin evropian për Kosovën, pamjet në Parlament nga opozita janë pamje me të vërtetë që nuk përkon me realitetin, nuk përkon me standardet, nuk përkon me vlerat, por as me traditën tone”, ka shtuar Thaçi.

Në fund ai tha se nuk do të ketë bllokim fizik të Kuvendit.

Shkelet me veturë edhe një femër në Prizren

0

Një femër është shkelur me veturë në Prizren. Policia njofton se viktima ka pësuar lëndime trupore.

“ I dyshuari duke lëvizur me veturën ‘VW Golf’ me targa lokale nga pakujdesia dhe mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës ka goditur këmbësoren”, njofton Policia e Kosovës.

Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta ka pranuar tretman mjekësor.

Në Prizren ditëve të fundit janë shpeshtuar aksidentet e veturave me këmbësor. Brenda dy ditësh janë shkelur me veturë dy femra, njëra në fshatin Korishë, kurse tjetra renda në qytet. /PrizrenPress.com/

Punësohet pa konkurs në Suharekë gruaja e asamblistit të partisë në pushtet

0

Në shkollën më të madhe të Suharekës është punësuar pa konkurs gruaja e asamblistit më të votuar të partisë në pushtet.

Ardian Shala, asamblisti më i votuar i LDK-së në Suharekë, parti që qeveris që shtatë vjet këtë qytet, mohon se ka ndikuar që gruaja t’i punësohet në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “7 Marsi”.

“Nuk qëndron fakti se gruaja ime është pranuar pa konkurs, pasi e njëjta iu ka nënshtrua konkursit, si çdo qytetar tjetër i Suharekës dhe përderisa është pranuar, edhe i ka plotësuar kushtet,” thotë Ardian Shala.

Por drejtori i Arsimit në Suharekë Sherif Berisha e pranon se në “7 Mars” nuk u hap konkurs për gruan e asamblistit, por ajo sipas tij, konkursit iu nënshtrua për një vend pune në një shkollë tjetër, ndërsa ndodhej në listën e pritjes.

“Konkursi ka qenë i hapur për Shkollën Fillore të Mesme të Ulët ‘Sadri Duhla’ në Duhël, paralelja te Lagjja e Reshanëve, ku kanë konkurruar 14 kandidatë. Të 14-ët janë intervistuar, është bë lista e të intervistuarve në bazë të anëtarëve të komisionit që e kanë bë vlerësimin dhe tre kandidatët e parë janë sistemuar, një në shkollën fillore ‘7 marsi’,” shpjegon drejtori Berisha.

Vetë e punësuara në Shkollën “7 Marsi” nuk e ngriti telefonin kur iu kërkua nga gazetari i KALLXO.com që ta komentojë punësimin e saj.

Punësimin e gruas së asamblistit të LDK-së e konteston Alush Shala i PDK-së, parti që është opozitare në Suharekë.

“Një tjetër shkelje është bërë edhe në shkollën fillore 7 marsi në Suharekë ku pa konkurs është pranuar bashkëshortja e asamblistit më të votuar në komunën tonë, Ardian Shalës, i cili është asamblistit i LDK-së dhe kjo tregon se kemi një familjarizëm dhe nepotizëm në punësime,” thotë Shala.

Edhe asamblistja e Lëvizjes “Vetëvendosje” në Suharekë Zana Zyba, thotë se janë duke u punësuar vetëm të lidhurit me partinë në pushtet.

“Partia në pushtet po punëson mësimdhënës ata kandidatë të cilit janë militantë të partisë së saj si dhe familjarët e pushtetarëve,” thotë Zyba.

Alush Shala nga PDK-ja bën thirrje që të gjitha keqpërdorimet ne arsim të hetohen nga organet e drejtësisë, pasi këtu sipas tij ka vend edhe për përgjegjësi penale.

VV: Ose do të bie Zajednica ose Qeveria

0

Kreu i lëvizjes Vetëvendosje, Visa Ymeri, e ka quajtur si fitore të Opozitës detyrimin e partive në pushtet që të mbajnë mbledhjen në një sallë të improvizuar në Kuvend.

Në një konferencë për media, Ymeri tha se partitë opozitare do të vazhdojnë me protesta derisa Qeveria dhe kryeministri Isa Mustafa të tërheqin nënshkrimin e tyre për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Vazhdimin e seancës në një sallë tjetër në Kuvend, Visari e ka quajtur jo demokratike.

“Mbajtja e seancave në restorante dhe anashkalimi i 1/3 të deputetëve tjerë të Kuvendit, paraqet shkelje të demokracisë”.

“Ne do të vazhdojmë me protesta sikurse mbrëmë dhe do t’i detyrojmë të fshihen skutave”, ka thënë Ymeri, raporton lajmi.net.

I pyetur se përse nuk kanë shkuar në sallën e improvizuar të seancës, Ymeri ka thënë se një gjë e tillë u është pamundësuar pasi që nuk kanë pasur ftesë dhe nuk i ka lejuar sigurimi.

Ndërsa ish lideri i kësaj lëvizje, Albin Kurti, ka thënë se aktualisht janë vetëm dy skenar të mundshëm në skenën politike, ose të bije Asociacioni i Komunave me shumicë serbe “Zajednica”, ose Qeveria e Kosovës.

“Mbrëmë kemi shënuar një fitore të madhe, pasi të bashkuar kemi mundësuar pamundësuar normalizimin e Zajednicës. Në Kosovë nuk mund të ndërtohet edhe Zajednica. Ose do të bie Zajednica ose Qeveria”, ka thënë Kurti.

Veseli fyerjen ndaj deputetes e konsideron si ‘lëshim të çastit’

0

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, në një postim në faqen e tij në Facebook, ka kërkuar përsëri falje për, siç e quajti ai “lëshim të çastit”, kur ofendoi deputeten e Kosovës, Albulena Haxhiun, duke i dëshiruar diçka të pa hijshme.

Veseli kërkim faljen nuk e ka drejtuar në adresë të deputetes së ofenduar, por në atë të qytetarëve të Kosovës, “të cilët mund të jenë ndjerë keq nga ai lëshim”.

Shkrimi i plotë i Kadri Veselit:

Mbrëmë kaluam një situatë shumë të vështirë për të gjithë ne. Të vështirë, pikësëpari, për qytetarët e Republikës së Kosovës, për përfaqësuesit e zgjedhur të tij në Kuvendin e Kosovës, për miqtë tanë perëndimorë që në vazhdimësi po na qëndrojnë pranë në mbështetje të projektit tonë të përbashkët: konsolidimit dhe fuqizimit të shtetit tonë të pavarur dhe sovran.

Ishte një sfidë e veçantë edhe për mua.

Në njërën anë, duhej me deomos të tregojmë vendosmëri në vazhdimin e punës së Kuvendit- institucionit më të lartë të shtetit tonë, sepse për këtë na obligon Kushtetuta, Ligjet dhe Rregullorja e brendshme e punës së Kuvendit, e në anën tjetër, më duhej të garantoja respektimin e integritetit fizik dhe dinjitetit politik të deputetëve, të të gjitha grupeve parlamentare brenda në Kuvend.

Me shumë përpjekje, në një situatë tej mase të rënduar, së bashku me Kryesinë e Kuvendit, me mbështetjen e Qeverisë e mekanizmave tjerë institucional, si dhe miqve perëndimor të shtetit tonë, ia dolëm këtij qëllimi. Respektuam institucionin. Respektuam dinjitetin njerëzor. Respektuam shtetin tonë

Të nderuar miq!

Situatat e vështira shkaktojnë edhe lëshime të çastit. Unë e kisha një të tillë. Mbrëmë, menjëherë ju adresova publikut për këtë. Edhe këtu dëshiroj t’i kërkoj ndjesë secilit qytetar të Kosovës që mund të jetë ndjerë keq prej këtij lëshimi.

Të gjithë që ishim aty kishim emocionet e situatës, por në fund ne që bëjmë shumicën demokratike në Kuvend, me maturi dhe gjakftohtësi, bëmë që të triumfoj arsyeja dhe interesi i vendit.

Duhet të jemi krenarë për këtë.

Mbi të gjitha duhet të jemi krenarë me qytetarët e Republikës së Kosovës që mbrëmë qëndruan me familjet e tyre dhe nuk i dëgjuan thirrjet për t’u bërë pjesë e skenarëve të dhunës nëpër rrugë.

Ata dëshmuan një vetëdije të lartë shtetërore.

Ata e dinë se institucionet mbrohen duke i lënë ato të punojnë, e jo duke i shkatërruar.

Sjellja dijnitoze e qytetarëve të Kosovës, në raport me situatën e krijuar, duhet të shërbej si një leksion reflektimi për partitë opozitare. Ne jetojmë në demokraci dhe kjo nënkupton faktin se opozita është pjesë e domosdoshme e jetës politike.

Vendi ynë ka nevojë për opozitë, por për një opozitë që sjellë në Kuvend ide dhe argumente politike, projekte zhvillimore dhe projektligje në shërbim të jetës së qytetarëve.

Jo, për një opozitë që me masa të dhunshme e privon shumicën parlamentare nga e drejta për t’u shprehur dhe përfaqësuar zgjedhësit e saj.

Jo, për një opozitë që po me masa të dhunshme pretendon të marrë monopolin mbi patriotizmin, kombin dhe shtetin.

Duke qenë në krye të Kuvendit të Republikës së Kosovës unë do të vazhdoj t’i konsideroj të hapura rrugët e komunikimit me partitë opozitare, do të vazhdoj të ndjek kursin e paqes parlamentare dhe unitetit të përgjithshëm politik, sepse besoj thellësisht se kjo është rruga më e mirë dhe e vetme që na shpie përpara. Kuvendi i Kosovës do të vazhdoj të punoj me dinamikë të shtuar në agjendën e tij legjislative.

Ata që ëndërrojnë dhe punojnë që Kosovës t’i ngjitet njolla e shtetit të dështuar kanë për t’u zhgënjyer.

Nga pozicioni im institucional dua t’i siguroj qytetarët dhe miqtë e lirisë e të shtetit tonë se Kosova do të vazhdoj të jetë një rrëfim i bashkëpunimit strategjik me botën perëndimore, e rrjedhimisht edhe rrëfim suksesi për një popull që një shekull rresht pagoi një çmim shumë të madh për të qenë i lirë.

Selimi: Kadri Veselin pak me “gërrith” del ai i vërteti

0

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka thënë se seanca e mbrëmshme e improvizuar në një sallë të Kuvendit të Kosovës është ilegale dhe ligjet e miratuar në atë seancë nuk do të mund të marrin formën legale.

Selimi për ORAinfo ka thënë se u ishte thënë se në atë sallë po mbahej takimi i vetëm grupeve parlamentare.

“Ne e kuptuam se në atë sallë ishin mbledhur shefat e grupeve parlamentare dhe ne u dërguam në atë mbledhje përfaqësuesen tonë, por policia nuk e kishte lejuar të hyjë me arsyetimin se aty po mbahej mbledhje e grupeve parlamentare. Ndërkaq, kjo mbledhje e grupeve parlamentare u shndërrua në seancë Kuvendi, e cila nuk mund të marrë formën legjitime”, ka thënë Selimi.

Ai gjithashtu ka komentuar edhe fjalorin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili në një moment, deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhi iu drejtua “ma hanksh”.

“Kadriun pak me gërrith del ai i vërteti dhe dje ishte ai i vërteti, nga aktrimi që kishte në seancat e mëparshme”, ka thënë Selimi.

Kryesia e Kuvendit: Ndërhyrja e sigurimit në Kuvend, e drejt kushtetuese

0

Kryesia e Kuvendit të Kosovës vlerëson se në pamundësi për mbajtjen e seancave plenare, më 17 shtator 2015, 8, 15 dhe 23 tetor 2015, ku është bllokuar puna e seancës plenare, është cenuar siguria dhe shëndeti i deputetëve.

Si pasojë, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të mbajtur me 23 tetor 2015, është marrë vendimi përmes të cilit kërkohen veprime plotësuese, duke përfshirë edhe ndërhyrjen e zyrtarëve të policisë për siguri, në mënyrë që të sigurohet shëndeti i deputetëve dhe mbarëvajtja e punimeve të seancës plenare.

“Ky vendim është marrë në mbështetje të nenit 67.6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 41, paragrafi 4 i Rregullores së Kuvendit”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu shtohet se vazhdimi i seancës së 23 tetorit 2015 në sallën tjetër të Kuvendit të Kosovës, është bërë mbi bazën e nenit 4 të Rregullores së Kuvendit.

“Salla në të cilën është mbajtur vazhdimi i seancës nuk është byfeja e Kuvendit, por sallë alternative e sallës kryesore”, shtohet më tej.

Një nga arsyet pse seanca është zhvendosur në sallën alternative, sipas Kryesisë, është se deputetët opozitarë me veprimet e tyre kanë shkaktuar dëmtim në rrjetin e zërimit përmes prishjes së gjashtë mikrofonave.