19.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Veseli fyerjen ndaj deputetes e konsideron si ‘lëshim të çastit’

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, në një postim në faqen e tij në Facebook, ka kërkuar përsëri falje për, siç e quajti ai “lëshim të çastit”, kur ofendoi deputeten e Kosovës, Albulena Haxhiun, duke i dëshiruar diçka të pa hijshme.

Veseli kërkim faljen nuk e ka drejtuar në adresë të deputetes së ofenduar, por në atë të qytetarëve të Kosovës, “të cilët mund të jenë ndjerë keq nga ai lëshim”.

Shkrimi i plotë i Kadri Veselit:

Mbrëmë kaluam një situatë shumë të vështirë për të gjithë ne. Të vështirë, pikësëpari, për qytetarët e Republikës së Kosovës, për përfaqësuesit e zgjedhur të tij në Kuvendin e Kosovës, për miqtë tanë perëndimorë që në vazhdimësi po na qëndrojnë pranë në mbështetje të projektit tonë të përbashkët: konsolidimit dhe fuqizimit të shtetit tonë të pavarur dhe sovran.

Ishte një sfidë e veçantë edhe për mua.

Në njërën anë, duhej me deomos të tregojmë vendosmëri në vazhdimin e punës së Kuvendit- institucionit më të lartë të shtetit tonë, sepse për këtë na obligon Kushtetuta, Ligjet dhe Rregullorja e brendshme e punës së Kuvendit, e në anën tjetër, më duhej të garantoja respektimin e integritetit fizik dhe dinjitetit politik të deputetëve, të të gjitha grupeve parlamentare brenda në Kuvend.

Me shumë përpjekje, në një situatë tej mase të rënduar, së bashku me Kryesinë e Kuvendit, me mbështetjen e Qeverisë e mekanizmave tjerë institucional, si dhe miqve perëndimor të shtetit tonë, ia dolëm këtij qëllimi. Respektuam institucionin. Respektuam dinjitetin njerëzor. Respektuam shtetin tonë

Të nderuar miq!

Situatat e vështira shkaktojnë edhe lëshime të çastit. Unë e kisha një të tillë. Mbrëmë, menjëherë ju adresova publikut për këtë. Edhe këtu dëshiroj t’i kërkoj ndjesë secilit qytetar të Kosovës që mund të jetë ndjerë keq prej këtij lëshimi.

Të gjithë që ishim aty kishim emocionet e situatës, por në fund ne që bëjmë shumicën demokratike në Kuvend, me maturi dhe gjakftohtësi, bëmë që të triumfoj arsyeja dhe interesi i vendit.

Duhet të jemi krenarë për këtë.

Mbi të gjitha duhet të jemi krenarë me qytetarët e Republikës së Kosovës që mbrëmë qëndruan me familjet e tyre dhe nuk i dëgjuan thirrjet për t’u bërë pjesë e skenarëve të dhunës nëpër rrugë.

Ata dëshmuan një vetëdije të lartë shtetërore.

Ata e dinë se institucionet mbrohen duke i lënë ato të punojnë, e jo duke i shkatërruar.

Sjellja dijnitoze e qytetarëve të Kosovës, në raport me situatën e krijuar, duhet të shërbej si një leksion reflektimi për partitë opozitare. Ne jetojmë në demokraci dhe kjo nënkupton faktin se opozita është pjesë e domosdoshme e jetës politike.

Vendi ynë ka nevojë për opozitë, por për një opozitë që sjellë në Kuvend ide dhe argumente politike, projekte zhvillimore dhe projektligje në shërbim të jetës së qytetarëve.

Jo, për një opozitë që me masa të dhunshme e privon shumicën parlamentare nga e drejta për t’u shprehur dhe përfaqësuar zgjedhësit e saj.

Jo, për një opozitë që po me masa të dhunshme pretendon të marrë monopolin mbi patriotizmin, kombin dhe shtetin.

Duke qenë në krye të Kuvendit të Republikës së Kosovës unë do të vazhdoj t’i konsideroj të hapura rrugët e komunikimit me partitë opozitare, do të vazhdoj të ndjek kursin e paqes parlamentare dhe unitetit të përgjithshëm politik, sepse besoj thellësisht se kjo është rruga më e mirë dhe e vetme që na shpie përpara. Kuvendi i Kosovës do të vazhdoj të punoj me dinamikë të shtuar në agjendën e tij legjislative.

Ata që ëndërrojnë dhe punojnë që Kosovës t’i ngjitet njolla e shtetit të dështuar kanë për t’u zhgënjyer.

Nga pozicioni im institucional dua t’i siguroj qytetarët dhe miqtë e lirisë e të shtetit tonë se Kosova do të vazhdoj të jetë një rrëfim i bashkëpunimit strategjik me botën perëndimore, e rrjedhimisht edhe rrëfim suksesi për një popull që një shekull rresht pagoi një çmim shumë të madh për të qenë i lirë.

Më Shumë

Ylli në finale

Pas një ndeshje shumë interesante dhe drame në fund, Golden Eagle Ylli ka mundur Pejën me rezultat 84:88 (21:21, 25:24, 18:21, 20:22), për tu...

“Një çift nuk martohet për m’u nda”- Blero dhe Afrona përloten gjatë intervistës

Është publikuar një promo më e gjatë e podcast-it të Blero Muharremit me Afrona Dikën. Në një minutë, kuptohet se është fjala për një intervistë...

Lajmet e Fundit