Home Blog Page 7051

Vdes ish-bashkëluftëtari i Adem Jasharit

0

Ka vdekur ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Fejzullahu – Mjaku, nga Shkupi, njofton Klan Kosova.
Ish-bashkëluftëtari i komandantit legjendar Adem Jashari, ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë.

Përkundër se Mjaku pak njihet, me dëshirën e tij kjo, ai ishte edhe në mesin e 52 personave të parë që i mbaruan stërvitjet ushtarake në Shqipëri, bashkë me Adem Jasharin.

Më pas Mjaku ka shërbyer edhe në njësitin shqiptaro-amerikan Atlantiku, në Koshare.

Ushtarak, roker dhe njeri i shkencës, pas përfundimit të luftës, jo si shumë të tjerë, nuk u bë pjesë e strukturave politike, por vazhdoi punën e tij si njeri i dijes, duke kontribuar në profesionin e tij – profesor i matematikës.

Për babain e dy fëmijëve, nuk u organizua kurrfarë ceremonie nga institucionet e Kosovës, për t’iu falënderuar për kontributin e madh dhënë për çlirimin e Kosovës.

Kosovarët lexojnë pak, shohin filma shumë

0

“Ti që nuk lexon je lënda e parë e të gjitha të këqiave; politikës së keqe, qeverisjes së keqe, letërsisë së keqe, medias së keqe”, shkruan Edison Ypi për ata që në jetën e tyre nuk kanë shkelur në derë të bibliotekës.

E kur bëhet fjalë për leximin, numri i atyre që nuk lexojnë në Kosovë shtë mjaft i madh. Nga 1.8 milion banorë, janë gjithsejtë 161 mijë qytetarë të regjistruar si anëtarë të bibliotekave në gjithë Kosovën gjatë vitit 2014.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës edhe këta nuk arrijnë të lexojnë as qerekun e titujve në dispozicion që kanë bibliotekat, gjithsejtë 1.6 milion tituj librash, raporton Gazeta Fjala.

Numri më i madh i lexuesve është në Prishtinë, në Bibliotekën kombëtare, me gjithsejtë 117 mijë lexues në vit.
lexuesit

Ndërkaq, në anjë nga komunat tjera të Kosovës, numri i lexuesve nuk kalon mbi 5 mijë pavarësisht numrit të madh të banorëve që kanë secila komunë.
Madje ky numër është duke u zvogluar nga viti në vit.
lexuesit krahasim
Nga 170 mijë lexues sa ishin në vitin 2013, një vit më vonë janë plot 10 mijë lexues më pak në tërë vendin.

Statistikat tregojnë se kosovarët më shumë e pëlqejnë kinemanë se teatrin.
Numri i shikuesve në kinema në vitin 2014 ishte 68,621 shikues. Krahasuar me vitin 2013 numri i shikuesve është më i madh për 17.920 ose shprehur në përqindje 35.3 për qind.
shfaqje

Ndërkaq, vitin e kaluar 58 mijë shikues kanë shikur 260 shfaqje teatrale, kanë marrë pjesë në 170 koncerte dhe në 22 shfaqje baleti në shtëpitë e kulturës në Kosovë.

E numri më i madh i shikuesve është në teatrin për fëmijë Dodona, kryesisht në shfaqjet për fëmijë.

“Numri i shikuesve në teatrin e fëmijeve Dodona në vitin 2014 është 22,141. Krahasuar me vitin 2013 numri i shikuesve është më i vogël për 6,602 ose shprehur në përqindje 22.9 për qind”, thuhet në raportin e statistikave të kulturës.

Por, është në rritje numri i qytetarëve që shohin shfaqejet teatrale në Teatrin Kombëtarë të Kosovës.
Ndërkaq, vetëm 13 mijë shikues i kanë parë 252 filma të shfaqur në shtëpi kulture. Përafërsisht është numër i njëjt edhe i vizitorëve të ekspozitave artistike.shikuesit – kinema

Edhe numri i dashamirëve të artit është në rënie, sipas të dhënave të statistikave. Një vit më parë, numri i vizitorëve në galeritë e arteve istë 12,740. Krahasuar me vitin 2013 numri i vizitorëve është më i vogël për 1,548 ose shprehur në përqindje 10.8 për qind./Gazeta Fjala/

Qeveritarët dhe autoritetet e shtetit

0

Mr.Ali Hertica

Pjesërisht në ditët tona,ka gjetur vend një pjesëmarrje e theksuar politike si vlerë me përshkrimin e ndryshimit që ndodh me njerëzit,në kalimin nga gjendja natyrore në gjendje shoqërore.E rëndësishme është që tani njerëzit nuk duhet të jenë nën pushtetin arbitrar të të tjerëve.Sipas vrojtimeve të gjendjes natyrore ,sfera politike del nga një sferë tjetër sociale,në kuptimin e saj të pavarur njerëzor.

Mendimet e filozofëve mbi qeverisjen ligjore sipas tyre është që pjesëtarët e shoqërisë nuk kanë ndonjë lloj të drejte mbi sovranitetin dhe ,sipas këtij arsytimi,sovraniteti nuk ka ndonjë detyrim të qeverisë sipas ligjeve.Sovraniteti ka të drejtë të nxjerr ligje dhe të marrë vendime konkrete,pa u mbështet në ligje.Kjo nuk pengon ,të thuash që një qeverisje e zgjuar,të funksionoj si komandë.Qeverisja duhet të bëhet vetëm në bazë të ligjeve dhe jo vetëm kur qeverisja të bëhet me ligje afatgjate,ku qëndron garancia kundër arbitrarit,se ligjet duhet të jenë njësoj për të gjithë,për të pasurit dhe të varfurit.Ligjet e qëndrushme i përkasin kushtetutës në debatet kushtertuse që eshtë një problem i rëndësishem e drejta për të bindur pasardhës,nëpërmjet të një kushtetute të pandryshueshme ose nëpërmjet ndryshimeve procedurale me shumicë të kualifikuar.Është e vërtetë se pavarësisht se çfarë detyrimesh dhe premtimesh ka bërë një person,ai është i lidhur pas tyre siç janë të lidhur disa politikan dhe qeveritar të Kosovës,sepse nuk mund të bejë asnjë lloj ratifikimi apo marrëveshjeje ,për fëmijët e tyre në të ardhmen.

Thelbi i arsytimeve politike në Kosovë nga qeveritarët mund të thuhet se janë parime të caktuara nga disa faktor nderëkombtar,për qeverisjen e shoqërisë,që nuk mund t’u shmangen asnjë brezi,pa bërë ndonjë gjë joracionale ose jolegjitime.Kryesorja është që një kushtetutë liberale është se me të nuk është lidhur vetëm një brez,ose një tjetër.Është po aq e rëndësishme që kushtetuta të mbështetet në parim dhe sisteme që janë edhe në të ardhmen të nevojshme për të siguruar qytetarët nga qeverisjet arbitrare.Në qoftë se një berz,heq me shumicë votash një kushtetutë liberale apo një marrëveshje dhe në vend të saj vendos një kushtetutë joliberale edhe brezat e ardhshëm më një kushtetutë,që nuk mund të hiqet në të njëjtën mënyrë,me shumicë votash,por i kanë ekspozuar pjesëtarët e shoqërisë para përdorimit arbitrar të pushtetit.Lidhur me këto qe u tha për prirjet totalitare,mund të themi se janë në krah krejt ekundërta,megjithëse mund të shihen më pak rezervë parimet e tolerancës nga qytetarët.Kjo për sa u përket pikëpamjeve të individve janë shumë të dëmshme për shoqërinë dhe me pasoja për vetë Kosovën.Njerëzit nuk iu detyrohen për gjithqka shtetit dhe shoqërisë,por si në planin material,ashtu edhe atë shpirtror,kanë pronat e tyre,që kërkon respekt dhe nuk mund askush të bëjë amnisti pavarsisht nga shteti.Pikëpamjet për shtetin ,ku parsore është sigurimi i qytetarëve kundër pushtetit arbitrar.Qeveritarët dhe autoritetet e shtetit duhet të qeverisin sipas ligjeve të pushtetit ligjëvënës dhe duhet përputhen me pushtetin ekzistus dhe gjykatat të ndershme duhet të gjykojnë çështjen civile dhe penale.

Një kuvend ligjëvëns duhet të lujë një rol qendror në legjislacion dhe populli ka të drejtë të mos i mbeshtesë më autoritetet,në qoftë se ato nuk marrin parasysh mirëqenjen e popullit.

Kërkesat për votën e çdo qyterari në miratimin e legjislacionit dhe kërkesa për ligj të përgjithshm,përbëjnë garanci të rëndësishme kundër prirjeve totalitare. Nënvizimet që bën në vend të ndryshimit apo marrjes së vendimeve për ratifikime apo amnesti e benë që sovrani është i pakufizuar nënkupton që shumica e mazhorancës mund të urdhrojë indoktrinim që do të jetë një kufizim i mendimeve dhe lirisë. Vullneti i përgjithëshem nuk duhet

Thyer se është vullnet i përgjithëshem ku qëndron i pandryshushëm.Lidhur me këtë kemi një raport të rëndësishëm që gjendet te koncepti ,,vullnet”që duhet të jetë i plotësuar nga një subjekt apo qeveria e shtetit,që mos të bëj Ratifikimi e marrëvshjes dhe projektligj pa vullnetin e përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës.

Prizren: Tre persona përfshihen në rrahje

0

Tre persona janë përfshirë në një rrahje në Prizren. Dy prej tyre kanë pësar lëndime trupore.

“Tre të dyshuar si pasoj e një mos marrëveshje verbale që kishin pasur janë përleshur fizikisht në mes veti. Gjatë përleshjes të dyshuarit kanë përdorur dhe armë të ftohta (thika)”, njofton Policia e Kosovës.

“Dy nga të dyshuarit kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në tretman mjekësor”.

“Njësitë policore në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale kanë gjetur dhe konfiskuar dy thika të cilat dyshohet të jenë përdorur në rast”.

“Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas inicimit të rastit janë liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”./PrizrenPress.com/

Mungesa e trotuareve rrezikon jetën e nxënësve në Gjonaj të Hasit

0

Banorët e fshatit Gjonaj të Hasit ankohen se nuk kanë trotuare për nxënës. Ata thonë se Komuna e Prizrenit, duhet të investojë në këtë fshat edhe në trotuare.
Kuvendari Haziz Hodaj tregon se banorët e fshatit Gjonaj në mesin e shumë kërkesave është edhe ndërtimi i trotuareve në rrugën kryesore të.

“Mungesa e trotuareve po rrezikon drejtpërdrejtë jetën e shumë nxënësve”, thotë Hodaj.

“Prioritet duhet të kushtojmë trotuareve”./Kosova Sot/

Sahat-kulla, dy shekuj histori

0

Sahat-kulla e Prizrenit për më shumë se 2 shekuj ka qenë treguesi i kohës dhe i vetmi, sepse në atë kohë orët e dorës nuk ishin në këto anë, kurse orët e xhepit i posedonin njerëzit aq pak sa numëroheshin në gishta. Ky objekt ishte edhe sinonim i besimit në një qytetërim

Roli i fisnikërisë shqiptare në zhvillimet kulturore të vendit nuk është trajtuar më parë si temë e veçantë, megjithatë janë publikuar punime, të cilat sjellin informacione deri-diku të mjaftueshme për këtë temë. Do të veçonim këtu kontributet e studiuesve. Disa dyer të mëdha shqiptare, si: Skurajt, Mahmutbegollët, Vlorajt, Asllanpashallitë, Sinan-pashët, Bushatllinjët, Kurtpashët, Bargjinollët, Hoxhollët, Rrotllat, Rexheppashët, Gjinollët, Toptanët, Biçakçinjtë, Tepelenasit etj., fituan të drejtën e trashëgimit familjar të posteve, ofiqeve dhe gradave të larta shtetërore, duke ushtruar pushtet pothuajse autonom në njësi të ndryshme administrative brenda hapësirës etnike shqiptare. “Këto dyer të mëdha kanë pasur të gjitha tiparet dhe rolin e një fisnikërie të mirëfilltë shqiptare. Pikërisht në këto dyer janë përpunuar idetë jetike për fatin historik të popullit shqiptar”, shpjegon Enver Bahtiu.

Dyert e fisnikëve në Prizren

Një derë fisnikësh, që u dallua në Prizren për kontributin që i dha përparimit të jetës kulturore, duke themeluar e dhuruar institucione të ndryshme, ishte familja e famshme Rrotlla, me prejardhje nga fshati Nangë i Lumës, e cila në Prizren kishte sunduar mbi një shekull, nga fillimi i shek. XVIII deri në fund të dekadës së katërt të shek XIX. I pari i kësaj familjeje ishte Salih Zajmi, të cilit, pas aftësive që kishte treguar në luftën e Kretës, në vitin 1667, sadriazami Fadil-Ahmet pashë Qypërliu i kishte dhuruar një zeamet. Salih Zaimi la dy djem, Mahmudin dhe Mehmedin, për të cilët nuk kemi informacione nëse kanë pasur farë pozite ose jo. Por, nipi i tij, Salih Pasha, i biri i Mahmudit, në vitin 1747 fitoi gradën Pashë dhe u emërua sanxhakbe i Prizrenit. Këtë pozitë e mbajti deri në vitin 1749/50. Pas tij, sanxhekbejlerë të Prizrenit patën ardhur të bijtë e tij, Emrullah Pasha (qe vrarë nga pashai i Shkodrës më 1774) dhe Ismail Pasha (sanxhakbeg i Prizrenit në vitet 1785/86). Këtë pozitë më pastaj e patën marrë të bijtë e Emrullah Pashës, Tahir Pasha 1794/95 dhe Rustem Pasha (1800). Më vonë këtë pozitë e kishin arritur bijtë e Tahir Pashës, Said Pasha (1805-1815), Mahmud Pasha (1819-1836) dhe Emin Pasha, i cili qe emëruar për të dytën herë sanxhakbe i Prizrenit në vitin 1842 (vdiq më 1843).

Mahmud Pashë Rrotlla ka ndërtuar tri xhami në Prizren: njërën në Kala në vitin 1828, tjetrën në Bylbyl-dere dhe të tretën në Mahallën e Hoçës në vitin 1833. Mahmud Pasha ka ndërtuar, po ashtu, një medrese ndërmjet viteve 1806-1831, Kullën e sahatit në vitin 1816. Nga një kullë sahati ka ndërtuar në Rahovec (1791) dhe në Mamushë (1815). Djali tjetër i Tahir Pashës, Emin Pasha, (1843) në Prizren ka ndërtuar një xhami (1831) dhe ka themeluar një medrese, ndërtimi i së cilës është përfunduar në vitin 1855-56, pas vdekjes së themeluesit të saj. Myderrizi i parë i Medresesë së Emin Pashës ka qenë Mehmet Tahir efendiu, farefis i Emin Pashë Rrotllës./kosova sot/

Dëgjueshmëria dhe manipulimi me përkrahjen ndërkombëtare

0

Analistë të çështjeve politike dhe njohës të rrethanave në Kosovë, politikanë dhe qytetarë të zakonshëm e kanë vërejtur se sa herë që është fjala për proceset si dialogu me Serbinë, hetimi dhe dënimi i pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, ose ndonjë koncesion i palës kosovare përballë kërkesave serbe, ndërkombëtarët nuk ngurojnë të shprehin menjëherë përkrahjen e tyre për lidershipin kosovar.

Ata mendojnë se po të ndodhte kjo përkrahje edhe kur është fjala për ndonjë proces tjetër që është në të mirën e përgjithshme të popullatës, edhe asaj shumicë, Kosova sigurisht se nuk do ta kishte primatin në rajon si vendi ku ka krim të organizuar, korrupsion, veprime mafioze, nepotizëm e autoritarizëm, diferencë të madhe sociale, me varfëri të skajshme të popullatës dhe me pushtetarë që shumë shpejt bëhen milionerë.

Në këtë temë KosovaLive ka marrë mendimin e disa analistëve politikë, disa politikanëve dhe ish-politikanëve dhe njohësve të tjerë të çështjeve aktuale në Kosovë, por në këtë shkrim do të prezentohen vetëm disa prej tyre.

Analisti Donik Sallova thotë se kjo përkrahje selektive e ndërkombëtarëve për vendorët bëhet për shkak se kur është fjala për proceset si dialogu me Serbinë atyre u intereson që këto procese të ecin parapara, pasi ata vetë e udhëheqin këtë proces, ndërsa pala kosovare aty është një palë dhe ndërkombëtarët janë të interesuar që ajo të jetë sa më e dëgjueshme.

“Ata e bëjnë këtë përkrahje selektive, sepse u intereson t’i dërgojnë disa procese përpara e që janë proceset e mbylljes së raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Është e natyrshme që kur bëhet fjalë për marrëveshjet e rëndësishme siç është fjala për ato në Bruksel ka përkrahje, sepse nuk besoj që vendorët do t’i qonin përpara këto procese të cilat janë të ndjeshme, e të cilat, së paku në shikim të parë, cenojnë interesin e Kosovës për hir të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Në këtë plan përkrahja e ndërkombëtarëve është e domosdoshme, sepse pa përkrahjen e tyre nuk do të kishte qeveri që do të shkonte në Bruksel dhe të bënte koncesione në dëm të Kosovës dhe sovranitetit të saj”, thotë Sallova.

Ana e keqe e kësaj përkrahje selektive, sipas Sallovës, është se lidershipi ynë shpeshherë në raport me faktorin ndërkombëtar di të jetë aq i dëgjueshëm sa kjo dëgjueshmëri është e barabartë me servilizëm. Ndërkaq, prania servilizmit e përjashton rezonimin e arsyeshëm.

Bie fjala në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Sallova merr shembull edhe zotimet e shpeshta të autoriteteve të EULEX-it se do t’i kapin “peshqit e mëdhenj”, premtime këto që nuk dhanë asnjëherë ndonjë rezultat.

Sipas tij, ato dhanë vetëm një rezultat, por jo për popullin, por për EULEX-in dhe faktorin ndërkombëtar, arritën që me këtë premtim apo kërcënim t’i mbajnë të disiplinuar, të dëgjueshëm, madje edhe servilë, të gjithë ata udhëheqës të Kosovës që veten e shihnin si “peshq të mëdhenj”.

Analisti Blerim Burjani vlerëson se lidershipi kosovar e ka humbur përkrahjen ndërkombëtare me punën respektivisht mospunën e vet dhe një përkrahje të këtillë e ka vetëm në çështjet që lidhen me sigurinë rajonale dhe me përmbushjen e detyrave të drejtpërdrejta që ia ka në raport me Kosovën faktori ndërkombëtar.

“Realisht po keqpërdoret në mënyrën më të vrazhdë buxheti i shtetit për interesa partiake dhe familjare dhe askujt prej tyre nuk iu intereson qytetari, ata iu interesojnë vetëm në kohën e zgjedhjeve. Nepotizmi është forma me vrazhdët e shfrytëzimit të qytetarëve, kurse kritikat janë edhe vendore edhe ndërkombëtare në drejtim të këtyre partive në pushtet prej vitit 2004 e deri më tash.

Ky koalicion ka humbur përkrahjen ndërkombëtare dhe gëzon përkrahje vetëm në temat e sigurisë rajonale, kurse tjerat i kanë humbur kaherë. S’ka investime të huaja, s’ka MSA, s’ka liberalizim, asgjë.

Garniturat udhëheqëse të Kosovës paraqiten të dëgjueshme për tema politike rajonale dhe të sigurisë, kërkesa që i ka faktori ndërkombëtar. Si kundërshpërblim për këtë dëgjueshmëri faktori udhëheqës vendor e ‘blen biletën’ për të bërë pasuri në mënyrë të kundërligjshme, për të dërguar familjarë nëpër borde e ambasada, për të themeluar biznese, për të mbajtur me partiak nën mbikëqyrje institucionet më të rëndësishme shtetërore, kulturore e arsimore deri te Universiteti i Prishtinës”, thekson Burjani për KosovaLive.

Ai thotë se organet e rendit dhe të hetuesisë janë të padenja për të hapur procese kundër qeveritarëve që keqpërdorin pushtetin, madje është dëshmuar se ato nuk janë të denja të hapin procedura edhe ndaj familjarëve të tyre. Pse këtë nuk e bën as EULEX-i, sipas Burjanit është çështje për analizë të veçantë.

“Ky model i qeverisjes partiake dhe shteti partiak është komprometuar tek qytetarët. Edhe për EULEX ka kritika të vazhdueshme, për skandale dhe shpenzime të parave të BE-së”, shton Berjani për KosovaLive.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimi, thotë për KosovaLive se vendorët në shumicën e rasteve kanë manipuluar me përkrahjen e ndërkombëtarëve deri në skajshmëri, duke thënë se këtë po e kërkojnë ndërkombëtarët edhe për çështjet që ndërkombëtarët fare nuk kanë pasur qëndrim.

“Zyrtarë të ndryshëm të qeverive ose qeveritarë të Kosovës në shumicën e rasteve thirren në ndërkombëtarët edhe për çështje që ata as që kanë qëndrim. Pra manipulojnë me këtë përkrahje deri në skajshmëri. Bashkësia ndërkombëtare parimisht përkrah qeveritë e zgjedhura, kur rezultati i zgjedhjeve është i njohur nga KQZ-ja dhe bashkësia ndërkombëtare.

Duhet të them se ka pasur raste kur përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të misioneve diplomatike, janë futur në lojëra dhe në matematika politike me zyrtarët vendorë. Ky fakt nuk i lë pa përgjegjësi edhe disa personalitete edhe ambasadorë të cilët janë futur me dashje dhe pa dashje në agjendat e qeverisë”, thekson Selimi.

Ai nënvizon se sa herë që faktori vendor manipulon me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare bënë një gabim të madh duke dëmtuar kështu edhe imazhin e ndërkombëtarëve, edhe imazhin e vet, por edhe të qytetarëve.

“Bashkësia ndërkombëtare ka përfaqësuesit e vet në zyrat dhe në ambasadat diplomatike në Kosovë dhe secili qëndrim është qëndrim i tyre dhe për secilin qëndrim ata marrin përgjegjësi. Mbi të gjitha bashkësia ndërkombëtare ka rolin e vet të bazuar në rregullat, i cili nuk është i njëjtë me Qeverinë e Kosovës, e cila i ka rregullat e veta të cilat do të duhej t’i kryente pa ndikimin e bashkësisë ndërkombëtare”, shton deputeti Selimi për KosovaLive.

Bajrami: Ja çka e shpëton UP-në

0

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka apeluar tek organet e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” që të kenë në rend të parë interesin institucional të Universitetit dhe të “shkarkohen” nga mospajtimet.

Sikurse për studentët, ashtu dhe për stafin akademik ai ka thënë se përgjigjet për kërkesat e tyre duhet t’i kërkojnë në Statut dhe askund tjetër.

Në një intervistë dhënë për “Zërin”, Bajrami thotë se zgjidhja ekziston dhe se ajo, sipas ministrit, është se kriteret statutare për avancim nuk mund të tejkalohen me votim të organeve të Universitetit.

Bajrami ka thënë se Këshilli Drejtues, të hënën, do të bëjë përpjekje që përmes diskutimeve të përbashkëta të tejkalohen mospajtimet rektor-Senat.

Ndërsa, për të gjitha shkeljet që mund të bëhen në UP ai ka kërkuar të jepet përgjigje adekuate dhe të merren masat konkrete të ndëshkimit.

Ndërsa, i ka quajtur të papranueshme veprimet që pengojnë dhe bllokojnë punën e Rektoratit, duke përçuar kështu mesazh tek studentët se dëmtojnë vetë interesat e studentëve dhe punën e Universitetit, i cili është në shërbim të tyre. /Zeri

Vazhdojmë të punojmë kundër vetvetes

0

Akademik Rexhep Qosja ka thënë se veprimet e sotme të Lëvizjes Vetëvendosje, të AAK-së dhe të Nismës janë të nxitura prej veprimeve politike, shtetërore dhe kundërshtetërore të qeverisë në krye me Isa Mustafën. “Qeveria e sotme e Kosovës në krye me ish ministrin e qeverisë së Millosheviqit në Kosovë, Isa Mustafën, po e dëshmon demokracinë e saj të rreme duke tradhtuar interesat kombëtare dhe shtetërore të Kosovës. Nuk ka dyshim së autonomia e veçantë e komunave serbe në Veri të Kosovës e cenon fort sovranitetin e Kosovës. Kjo autonomi bëhet rrezik për ardhmërinë e Kosovës shtet. Me marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, lehtë e shpejt i falen Malit të Zi disa mijëra hektarë tokë të Kosovës. Me njohjen e sovranitetit të Malit të Zi mbi këtë tokë Kosova cenohet në pikëpamje territoriale dhe në pikëpamje gjeostrategjike”, ka thënë Qosja në një intervistë për gazetën “Dita”.

Ai ka shtuar se opozita vendosmërisht po kërkon të tërhiqet nënshkrimi prej atyre dy marrëveshjeve, që dëmtojnë rëndë Kosovën. “Kryeministri i Kosovës vendosmërisht po mohon gatishmërinë që ta tërheqë nënshkrimin e tij. Ky mospajtim thelbësor Opozitë -Qeveri ka sjellë bllokimin e punës së Kuvendit të Kosovës tani e një muaj. Kjo gjendje s’mund të vazhdojë gjatë si e tillë”, ka deklaruar Qosja, duke shtuar se arrestimi i disa protestuesve, kërcënimet për denoncimin e deputetit Albin Kurti e të deputetes, Albulena Haxhiu, për vepër penale pse kanë qitur gaz lotsjellës në Kuvend i përkeqësojnë edhe më tej marrëdhëniet mes qeverisë dhe opozitës..

“Nuk ka dyshim se Kosova po përjeton edhe një krizë të rëndë politike që ka drojë të bëhet konflikt shoqëror! Ky konflikt mund të ketë pasoja në trajtimin e shtetit të Kosovës nga ana e faktorëve ndërkombëtarë, para së gjithash nga BE dhe SHBA”, është shprehur Qosja.

Ai ka thënë se rrugëdaljen e sigurt e sheh në mbajtjen e referendumit për deklarimin e popullit për ato dy marrëveshje. “Do të ishte shumë tragjike për Kosovën në qoftë se faktorët ndërkombëtarë lejojnë që të përdoret dhuna shtetërore për ta nënshtruar opozitën e panënshtrueshme”, ka deklaruar Qosja.

Profesor Qosja, faleminderit për këtë intervistë. Pyetja e parë është kjo: Jemi dy vjet pas ndryshimit të qeverisë në Shqipëri. Ç’ndryshim mund të nxirrni, çfarë note do t’i vinit qeverisjes së deritashme të Edi Ramës dhe koalicionit të majtë?

Qosja: Me nota, prej 1 deri në 5 apo prej 5 deri në 10 nuk është e lehtë dhe nuk është e drejtë të vlerësohet a të zhvlerësohet puna politike dhe shtetërore e një qeverie. Në praktikën e qeverive që janë vërtet demokratike ka shumë ngjyresa mes masave e vendimeve që merr ajo, vlera e të cilave mund të shquhet shumë më tepër në vitet e ardhshme, domethënë në fund të mandatit se ç’duken në të tashmen. Por, meqenëse po këmbëngulni që të përgjigjem më prerazi në pyetjen, do të them: me ndryshimet e sendërtuara në politikën shtetërore, koalicioni i majtë, shikuar në përgjithësi, ishte kryesisht i suksesshëm.

Z, Qosja a prisnit më shumë ju personalisht nga Rama?
Qosja: Nuk kam pritur më shumë se ç’është arritur nga qeveria, kryeministër i së cilës është Edi Rama, dhe nuk kam pritur më shumë se ç’është arritur për arsye se isha dhe jam i vetëdijshëm për vështirësitë e quajtura objektive dhe për pengesat e quajtura subjektive, që i janë bërë dhe po i bëhen kësaj qeverie, që po i bëhen në mënyrë të veçantë Edi Ramës.

A mendoni se disa zhgënjime të elektoratit vijnë si reagim i natyrshëm pas reformave të dhimbshme, apo pakënaqësia është më e thellë?
Qosja: Është dëshmuar po thuaj në të gjitha vendet ish komuniste se reformat i shkaktojnë pakënaqësi ku më të vogël e ku më të madhe elektoratit. Pakënaqësia e elektoratit është më e madhe kur reformat janë më të thella, më të gjithanshme e sidomos kur janë më të shpejta siç ishin reformat që filloi dhe po zbaton Edi Rama. Edi Rama është detyruar të bëjë reforma më të thella e më të gjithanshme sepse ka trashëguar një gjendje parashtetërore pothuaj kaotike. Ishte detyrë atdhetare e tij dhe e qeverisë së tij, që prej një parashteti në të cilën sundohej pa rend e ligj të krijojë shtet dhe, mundësisht, të krijojë shtet që e quajmë bashkëkohor, dua të them modern. Edi Rama ishte i detyruar të zgjedhe mes Edi Ramës së duartrokitur kudo e kurdo apo Shqipërisë vërtet shtet, mes Edi Ramës së duartrokitur kudo e kurdo apo ardhmërisë së Shqipërisë. Përkrahja që unë i kam dhënë dhe vazhdoj t’ia jap qeverisjes së Edi Ramës, natyrisht, jo pa asnjë vërejtje, mbështetet në deklarimin politik e shtetëror të tij jo për pushtetin vetjak, siç bënte Sali Berisha, po për Shqipërinë shtet, për ardhmërinë evropiane të Shqipërisë, pa marrë parasysh tagrat politike publike që do të paguajë!

Cilat janë ato vërejtje që keni në qeverisjen e Ramës?
Qosja: E para, reformat e filluara prej tij dhe qeverisë së tij, tepër të rëndësishme për të sotmen, të ardhmen dhe për europianizimin e Shqipërisë, janë më të shpejtuara se ç;mund t’i pranojmë, se ç’mund t’i përligjë njëmendësia e Shqipërisë. Më duket se ai e ka harruar një të vërtetë historike: as revolucionet nuk bëhen shpejt.

E dyta, kriteret në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë nuk më duket se në çdo rast ishin të qëndrueshme.
E treta, këshilltarët e tij politikë nga Kosova ishin pafatshëm të zgjedhur.

E opozita, ç’thotë opozita?

Opozita sot po i qet në shpinë Edi Ramës plot vagona me plot gënjeshtra! E kuptueshme! Intelektualët me mendje sipërore si Edi Rama e Rexhep Meidani në politikën ballkanike pashmangshëm ngarkohen me gurë e kusur!

A është koha, sipas jush, që brenda kornizave të ligjit, të korruptuarve t’u sekuestrohen pasuritë; ndërkohë që nuk po ndodh kjo, por po varfërohen të varfërit?
Qosja: Korrupsioni është njëra prej të këqijave më të mëdha, më dëmsjellëse në jetën shoqërore, në procesin e demokracisë dhe në ndërtimin modern të dy shteteve shqiptare.

Në këtë temë, Shqipëria ka shumë pika kontakti me Kosovën, apo jo?
Qosja: Korrupsioni po lulëzon si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, kur e kur e ku e ku po lulëzon edhe në bashkëpunim mes grupeve a institucioneve të Shqipërisë shtetërore dhe të Kosovës. Më pyetni a është koha që t’u sekuestrohet pasuria të korruptuarve? Koha është, natyrisht, por pasuria të korruptuarve as nuk po u merret as nuk do t’u merret! Në Kosovë po bëhet një e quajtur luftë, por luftë e shtirë, kundër korrupsionit. Me një gjuhë gjoja të vendosur, në të vërtetë të rrejshme, po mbulohet, po maskohet korrupsioni. Po burgosen mësues, infermierë, pylltarë, rojtarë, pse kanë marrë 50 a 100 euro mito, por me asgjë nuk po trazohen zhvatësit e pasurive të Kosovës, milionerët e pasuruar për një vit, për pesë vjet a për dhjetë vjet. Pasuria e tyre e vjedhur, e plaçkitur prej Kosovës nuk do të sekuestrohet, nuk do të nacionalizohet, pa u miratuar ligji për hulumtimin e pasurisë së të pasuruarve – prej disave pas çlirimit të Kosovës e prej disave në kohën e Millosheviqit, mes të cilëve është edhe familja e Ibrahim Rugovës. Sipas mendimit tim, pa miratimin e ligjit për hulumtimin e pasurisë korrupsioni nuk do të mund të parandalohet as në Kosovë e as në Shqipëri.

Z. Qosja, pse duan (dhe vazhdojnë) të ikin shqiptarët?
Qosja: Shqiptarët po ikin prej vendit të vet për disa arsye: për shkak të varfërisë; për shkak të të këqijave politike e shoqërore, që përmes administratës e institucioneve të tij të ndryshme pushteti po u shkakton qytetarëve; për shkak të dëshpërimeve të tjera të ndryshme në pushtetin prej të cilit kanë pritur shumë pas rënies së komunizmit; për shkak të padrejtësive të veçanta që po u bëhen atyre që ikin; dhe për shkak se pushteti, tani fshehurazi, e nxit këtë ikje të shqiptarëve në vendet evropiane dhe në kontinente të tjera dhe e nxit për shkak të devizave që do të çojnë në Kosovë si dhe për shkak të shpëtimit prej të pakënaqurve!

Ju njiheni si një nga kontestuesit e mëdhenj të Sali Berishës. Çfarë përfaqëson në memorien tuaj ky emër aktualisht?
Qosja: Dua të jetë e qartë: Rexhep Qosja nuk është kontestues i Sali Berishës si intelektual, si mjek, si njeri. Jo. Unë e respektoj si intelektual që, më kanë thënë, lexon shumë, si intelektual që, megjithatë, e flet me kujdes gjuhën standarde, si mjek specialist i aftë për trajtimin e sëmundjeve për të cilat është i specializuar. Por unë e kontestoj politikën e tij prej vitit të parë të ngritjes në politikë dhe e kontestoj për shkak të bolshevizmit të tij, për shkak të popullizmit të tij, për shkak të bashkëdyzimit të bolshevizmit dhe fashizmit në atë politikë, për shkak të vrazhdësisë së pamatshme në atë politikë, për shkak të diskursit të tij sheshelian, ndotës, politik, për shkak të dëmit që me atë politikë i ka bërë Shqipërisë e , kur e kur, edhe Kosovës. Edhe tani kur s’është më kryetar i Partisë Demokratike ai po i sjell dëme jo vetëm politike Shqipërisë përmes ujarit të tij politik, Lulzim Bashës, i cili, si po shihet, nuk ka dëgjuar as mësuar kurrkund për kategorinë e quajtur masë morale dhe estetike. Po të dinte gjë për masën, për këtë vlerë prej Greqisë antike e deri sot, ai nuk do të gënjente aq hardallshëm saqë me ato gënjeshtra të tij propagandistike, me të cilat synon të komprometojë qeverisjen Rama-Meta, në të vërtetë po i shkakton havari partisë së tij, të cilën po e çdejton, çka u pa edhe në zgjedhjet e 21 qershorit. Në kujtesën time ai, Sali Berisha, është shënuar si fatkeqësi politike e shtetërore e Shqipërisë.

A besoni se Berisha do ndëshkohet ndonjëherë për krimet e tij të çdo natyre: penale, ekonomike, kombëtare…?
Qosja: Nuk besoj se do të ndëshkohet ndonjëherë.

Kjo çështje shënohet nga elektorati si premtim i parealizuar i këtij kryeministri: jo se ai duhet të bëhet prokuror a gjykatës, po pse nuk ka krye asnjë denoncim…!
Qosja: Mjerisht, Shqipëria vazhdon të jetë e përçarë jo vetëm në pikëpamje politike. Prokuroria e Shqipërisë, pas formimit të Qeverisë Rama-Meta, kishte mundësinë të nxirrte një varg delikuentësh shtetërorë në gjyq, përpos të tjerësh, edhe yshtësit e vrasjes së katër protestuesve në vitin 2011, por qeveria nuk e lejoi këtë. Dhe, nuk e lejoi ndoshta për shkak të drojës prej ngritjes në revolta të PD-së, që Sali Berisha do ta sundojë gjatë me evetefendinjët e tij!

Reforma në sistemin e drejtësisë në Shqipëri është kyçe dhe madje e vonuar. Ju besoni se kjo reformë do të bëhet?
Qosja: Gjyqësori në përgjithësi, në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë, është tmerrësisht i korruptuar dhe kjo do të thotë i pamoralshëm politikisht dhe juridikisht. Edhe faktorët ndërkombëtarë po bëjnë trysni që reforma e gjyqësorit në Shqipëri të bëhet sa më parë. Besoj se kjo reformë do të bëhet në Shqipëri, por kam drojë se, për shkak të rezistencës që po i bëhet qoftë prej gjyqësorit, qoftë prej PD-së, kjo reformë do të jetë sipërfaqësore. Si e tillë ajo nuk do të sjellë shërimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Në Kosovë, fatkeqësisht, gati se nuk po flitet për reformë të sistemit të drejtësisë. Si të flitet? Sistemi i drejtësisë në Kosovë formalisht është perëndimor, por thelbësisht vazhdon të jetë vetëqeverisës jugosllav. Ja një shembull. Para do kohe, kur flitej për korrupsionin edhe të kryeministrit të tanishëm, doli prokurori i Kosovës në një televizion dhe pa e pyetur kush deklaroi: prokuroria po heton për korrupsion disa ministra, por jo edhe kryeministrin! Ishte kjo sjellje tipike e prokurorive të kohës së Jugosllavisë komuniste vetëqeverisesë. Edhe lëndët në gjyqësor këtu përzgjidhen për trajtim në mënyrë selektive – siç duan gjykatësit e gjykatëset dhe këtë seleksion të tyre e përcaktojnë përkatësitë e shkallët politike të akuzuesve e të të akuzuarve, lidhjet, afritë, miqësitë, pazaret e të tjera!

Dalim nga trevat tona. Shkrirja e akujve me Serbinë dhe “ristartimi” i marrëdhënieve mes shqiptarëve e serbëve, inkurajuar nga BE-ja është fakt, në këtë aspekt si e vlerësoni Edi Ramën?
Qosja: Marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve do të duhej të normalizohen sepse kjo është në interesin e të dy popujve dhe të shteteve të tyre, Kemi arsye, prandaj, të çmojmë nismat e Edi Ramës për normalizimin e këtyre marrëdhënieve. Por, meqenëse shumëçka për këtë normalizim varet prej ndryshimeve në ideologjinë politike të Serbisë ndaj Kosovës e ndaj shqiptarëve, do të doja që politika e Edi Ramës në komunikim me sheshelistët Vuçiq e Nikoliq dhe me Millosheviqianin Daçiq të jetë më e ngadalshme.

Ndërkaq kemi një ngjarje të pazakontë: Kualifikimin e Shqipërisë në kampionatin e ardhshëm evropian të futbollit. Si e keni përjetuar këtë ngjarje? Kemi këtu parasysh edhe debatet shoqëruese…
Qosja: Pse ta quajmë ngjarje të pazakontë kualifikimin e Shqipërisë në kampionatin e ardhshëm evropian të futbollit? Është ditur se një ditë edhe Shqipëria do të marrë pjesë në atë kampionat dhe kjo ditë, ja, erdhi, sivjet. Dhe, ne aty, në atë kampionat, do të tregojmë fuqinë tonë trupore, muskulore, mjeshtërinë tonë futbollistike dhe disa shkathtësi të tjera që prodhon dhe kërkon futbolli. Por, unë do të dëshiroja që në panairet e librit në Gjermani, në Francë e në vende të tjera të tregojmë edhe mendjen tonë krijuese, edhe imagjinatën tonë krijuese, edhe mjeshtërinë tonë artistike në letërsi. Për këtë arsye, prandaj, do të ishte mirë që përpos shpenzimeve që bëjmë për trainerin italian de Biazi, të bëjmë shpenzime edhe për përkthimet e romaneve, tregimeve, dramave, poezive tona në gjuhë të tjera, si, fjala vjen, në gjermanisht, në frëngjisht, në anglisht, në italisht për t’u paraqitur në ato panaire, siç veprojnë sot të gjitha vendet e vogla, prandaj edhe vendet ballkanike. Nuk do të thosha se paraqitjet e këtilla në panaire janë më pak të rëndësishme se paraqitjet në kampionatin evropian të futbollit. Apo jo?
Më ka gëzuar kualifikimi i skuadrës sonë në kampionatin evropian të futbollit, por nuk do të doja që ky gëzim të shprehet me euforinë me të cilën u shpreh. Jam kundërshtar i reagimeve euforike në përgjithësi, i reagimeve euforike ndaj fitoreve. Euforia nuk është cilësi e njerëzve e as e popujve me qëndrueshmëri psikologjike, shoqërore dhe historike. Nuk duhet ta harrojmë një mendim që e kanë shqiptuar njerëz të mençur të popujve me përvoja të mëdha historike: euforia është ndjenjë e zjarrtë, joracionale, që kalon shpejt dhe mbas saj vjen mahmurlluku! Të mos jemi euforikë dhe të mos jemi mahmurr, pra.

Një situatë kaotike kemi në Kosovë. Një bashkëqeverisje të pazakontë midis LDK-së dhe PDK-së. Pse ka ndodhur kjo?
Qosja: Situata në Kosovë nuk është kaotike por mund të bëhet. Për bashkëqeverisjen, unë do të thosha për bashkësundimin e PDK-së dhe LDK-së, në të vërtetë të Hashim Thaçit me Isa Mustafën, vendimmarrës kryesor ishte Hashim Thaçi, kurse këtij vendimi, kontrbut i kanë dhënë edhe tri partitë opozitare të cilat, si po dëgjohet, nuk kanë pranuar të hyjnë në koalicion me PDK-në, konkretisht me Hashim Thaçin.

Në Shqipëri pyesin ende pse duhej ngritur Gjykata Speciale për krimet e luftës? Si e konsideroni ju këtë akt të Kuvendit të Kosovës?
Qosja: Kam shkruar për këtë çështje dhe ai shkrim është botuar edhe në shtypin e Tiranës e është postuar edhe në rrjetet sociale, prandaj e quaj të panevojshme të flas edhe tani për atë çështje.

Si i gjykoni aktet e Vetëvendosjes?
Qosja: E kam thënë edhe me shkrim se nuk pajtohem me disa veprime të Vetëvendosjes, por aty ku e kam thënë këtë mendim kam shtuar se: pa Vetëvendosjen Kosova do të bëhej një bërrakë politike në të cilën do t’i ndodhnin shumë të këqija Kosovës.
Veprimet e sotme të Vetëvendosjes, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës janë të nxitura prej veprimeve politike dhe shtetërore, në të vërtetë kundërshtetërore të Qeverisë në krye me Isa Mustafën. Qeveria e sotme e Kosovës në krye me ish ministrin e qeverisë së Millosheviqit në Kosovë, Isa Mustafën, po e dëshmon demokracinë e saj të rreme duke tradhtuar interesat kombëtare dhe shtetërore të Kosovës. Nuk ka dyshim së autonomia e veçantë e komunave serbe në Veri të Kosovës e cenon fort sovranitetin e Kosovës. Kjo autonomi bëhet rrezik për ardhmërinë e Kosovës shtet.
Me marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, lehtë e shpejt i falen Malit të Zi disa mijëra hektarë tokë të Kosovës. Me njohjen e sovranitetit të Malit të Zi mbi këtë tokë Kosova cenohet në pikëpamje territoriale dhe në pikëpamje gjeostrategjike. Mund të thuhet kështu në radhë të parë sepse ajo është tokë që shtrihet nën vijën më të lartë të bjeshkëve që ndajnë natyrshëm Kosovën prej Malit të Zi.
Opozita vendosmërisht po kërkon të tërhiqet nënshkrimi prej atyre dy marrëveshjeve, që dëmtojnë rëndë Kosovën. Kryeministri i Kosovës vendosmërisht po mohon gatishmërinë që ta tërheqë nënshkrimin e tij.
Ky mospajtim thelbësor Opozitë-Qeveri ka sjellë bllokimin e punës së Kuvendit të Kosovës tani e një muaj.
Kjo gjendje s’mund të vazhdojë gjatë si e tillë. Arrestimi i disa protestuesve, kërcënimet për denoncimin e deputetit Albin Kurti e të deputetes , Albulena Haxhiu, për vepër penale pse kanë qitur gaz lotsjellës në Kuvend i përkeqësojnë edhe më tej marrëdhëniet mes Qeverisë dhe Opozitës. Mund të merret me mend se sa do të ashpërsohen këto marrëdhënie në qoftë se ngrihen denoncime edhe kundër dy deputetëve të Opozitës që hodhën gaz lotsjellës në Kuvend të enjten, më 15 tetor: kundër deputetes Donika Kada Bujupi dhe kundër deputetit Faton Topalli.
Nuk ka dyshim se Kosova po përjeton edhe një krizë të rëndë politike që ka drojë të bëhet konflikt shoqëror! Ky konflikt mund të ketë pasoja në trajtimin e shtetit të Kosovës nga ana e faktorëve ndërkombëtarë, para së gjithash nga BE dhe SHBA.
Rrugëdaljen e sigurt e shoh në mbajtjen e referendumit për deklarimin e popullit për ato dy marrëveshje.
Do të ishte shumë tragjike për Kosovën në qoftë se faktorët ndërkombëtarë lejojnë që të përdoret dhuna shtetërore për ta nënshtruar Opozitën e panënshtrueshme.

Keni bërë një status në facebook muajin shtator, ku evokoni revolucionin francez. Jemi kuriozë të na zgjeronit tekstin e atij shënimi…
Qosja: Është fjala për një mendim të poetit të madh francëz, Lamartinit, që e kam përdorur si moto në librin tim Shqipëria dhe Kosova – si janë dhe si do të duhej të jenë. Nuk është hera e parë që atë mendim të Lamartinit të botuar si moto në librin tim të tjerët e botojnë apo e japin në portalet informative. Dhe, mirë e bëjnë. E vlen të lexohet më shpesh, sidomos prej atyre që bëjnë politikën. Le ta lexojnë edhe njëherë këtu:
Në qoftë se arrin që prej një kombi qytetarësh të bëjë shoqëri të turpshme gënjeshtarësh; në qoftë se e bën atdheun të skuqet për shkak të këqijave zyrtare; në qoftë se lejon që të fundosemi në tragjedi të vërteta të korrupsionit; në qoftë se lejon që pandershmëria e pushtetit shtetëror të pikëllojë dhe poshtërojë kombin dhe pasardhësit – ky pushtet, të jeni të sigurt, do të përmbyset. Dhe, do të përmbyset jo në gjakun e vet, si ai i vitit 1789, po në kurthin e vet. Dhe, meqenëse keni pasur revolucionet e lirisë dhe kundërrevolucionet e famës, tani do të keni revolucionin e ndërgjegjes dhe revolucionin e përbuzjes.

Një pyetje e fundit zoti Qosja: A zgjedh populli gabim apo të zgjedhurit tradhtojnë popullin?
Qosja: Ndodhin të dyja këto të këqija. Historia është përplot shembuj që tregojnë se sa gabimisht mund të zgjedh populli. Nuk është thënë rastësisht pas Revolucionit të Madh Francez: populli është forcë pa sy! Gjermanët – popull me qytetërim e kulturë të pasur, me tradita shtetërore të gjata, në vitin 1933 do të zgjedhin Hitlerin kancelar të Gjermanisë. E Hitleri do të bëhet tragjedia më e madhe e popullit gjerman në gjithë historinë e tij.
Italianët – popull me tradita mijavjeçare shtetërore, qytetëruese dhe kulturore në vitin 1922 do të pajtohen me emërimin e Musolinit kryeministër i Italisë nga mbreti. Dhe, ai do të bëhet tragjedia më e madhe në historinë e shtetit italian dhe të popullit italian.
Është tepër shqetësuese sesa lehtë i ka gëlltitur Kosova karrierat politike të Isa Mustafës në kohën e komunizmit, pas komunizmit dhe gjatë e pas luftës së UÇK-së!
Është tepër shqetësuese sesa lehtë e pamenduar janë zgjedhur deputetë të Kosovës disa individë që shihen në Kuvendin e Kosovës.
Gjermanët, francezët, italianët, anglezët e popuj të tjerë evropianë mund të mos jenë më forcë pa sy, por ne, si po shihet, jemi ende!
Deri kur?

Barrikadimi i politikës po e shkatërron shtetin

0

“Kryeneçësia e kryeministrit Mustafa dhe zv.kryeministrit Hashim Thaçi dhe barrikadimi i opozitës, për shkak të marrëveshjeve të fundit, e kanë sjellë Kosovën në një rrugë të pakrye. Qeveria dhe kreu i saj janë fajtorët për këtë gjendje të krijuar, sepse sjelljet e tyre arrogante, e sidomos e kryeministrit Mustafa, e kanë tërbuar me të drejtë opozitën”, shprehet analisti Faik Krasniqi

Pozita dhe opozita janë barrikaduar në qëndrimet e veta dhe deri tani nuk lëvizin drejt pajtimit dhe në interes të vendit dhe qytetarëve, por u mjaftojnë të lëshojnë vetëm deklarata konfliktuoze e të papërgjegjshme. Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, mbi të cilët bie i tërë faji si nënshkrues të marrëveshjeve me Serbinë thonë se nuk tërhiqen nga marrëveshjet. Dhe, si në shumë raste të kaluara, tani kërkohet ndërhyrja ndërkombëtare për të zgjidhur problemet dhe hipokrizitë mes partive politike dhe koalicioneve, kur ato mund të zgjidhen me dialog e mirëkuptim me opozitën e bashkuar. Pa dyshim se një urdhërarrest për arrestim të deputetëve të opozitës tregon për arrogancën e këtij pushteti dhe e shndërron Kosovën në një shtet policor, ku sundon oligarkia kërcënuese e shkatërruese për vendin tonë, duke e çuar atë në anarki dhe kaos.

Deputeti i Nismës, Zafir Berisha, thotë se opozita nuk do të lëvizë nga pozicioni që është tani, sepse bëhet fjalë për mbrojtjen e sovranitetin të vendit dhe nuk mund të pranohen nënshkrimet, që ka bërë Qeveria e Kosovës në Bruksel dhe për demarkacionion me Malin e zi.

“Opozita është barrikaduar në kërkesat e veta, sepse bëhet fjalë për sovranitetin e vendit, për të cilin është bërë shumë mund dhe është derdhur shumë gjak. Kjo Qeveri e papërgjegjshme është duke vënë në pikëpyetje funksionalitetin e vendit, prandaj në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Kosovës nuk zgjidhem metodat dhe mjetet, sepse historia njeh raste kur një popull i ka kufizuar metodat e mbrojtjes së dinjitetit dhe sovranitetit të vet, ai tretet në kohë. Ne kurrë s’e kemi bërë dhe s’do ta bëjmë që të jemi të verbër dhe të shurdhur, në raport me të këqijat që po i vijnë vendit”, thotë ai../Kosova Sot/