13.8 C
Prizren
E martë, 14 Maj, 2024

Sahat-kulla, dy shekuj histori

Sahat-kulla e Prizrenit për më shumë se 2 shekuj ka qenë treguesi i kohës dhe i vetmi, sepse në atë kohë orët e dorës nuk ishin në këto anë, kurse orët e xhepit i posedonin njerëzit aq pak sa numëroheshin në gishta. Ky objekt ishte edhe sinonim i besimit në një qytetërim

Roli i fisnikërisë shqiptare në zhvillimet kulturore të vendit nuk është trajtuar më parë si temë e veçantë, megjithatë janë publikuar punime, të cilat sjellin informacione deri-diku të mjaftueshme për këtë temë. Do të veçonim këtu kontributet e studiuesve. Disa dyer të mëdha shqiptare, si: Skurajt, Mahmutbegollët, Vlorajt, Asllanpashallitë, Sinan-pashët, Bushatllinjët, Kurtpashët, Bargjinollët, Hoxhollët, Rrotllat, Rexheppashët, Gjinollët, Toptanët, Biçakçinjtë, Tepelenasit etj., fituan të drejtën e trashëgimit familjar të posteve, ofiqeve dhe gradave të larta shtetërore, duke ushtruar pushtet pothuajse autonom në njësi të ndryshme administrative brenda hapësirës etnike shqiptare. “Këto dyer të mëdha kanë pasur të gjitha tiparet dhe rolin e një fisnikërie të mirëfilltë shqiptare. Pikërisht në këto dyer janë përpunuar idetë jetike për fatin historik të popullit shqiptar”, shpjegon Enver Bahtiu.

Dyert e fisnikëve në Prizren

Një derë fisnikësh, që u dallua në Prizren për kontributin që i dha përparimit të jetës kulturore, duke themeluar e dhuruar institucione të ndryshme, ishte familja e famshme Rrotlla, me prejardhje nga fshati Nangë i Lumës, e cila në Prizren kishte sunduar mbi një shekull, nga fillimi i shek. XVIII deri në fund të dekadës së katërt të shek XIX. I pari i kësaj familjeje ishte Salih Zajmi, të cilit, pas aftësive që kishte treguar në luftën e Kretës, në vitin 1667, sadriazami Fadil-Ahmet pashë Qypërliu i kishte dhuruar një zeamet. Salih Zaimi la dy djem, Mahmudin dhe Mehmedin, për të cilët nuk kemi informacione nëse kanë pasur farë pozite ose jo. Por, nipi i tij, Salih Pasha, i biri i Mahmudit, në vitin 1747 fitoi gradën Pashë dhe u emërua sanxhakbe i Prizrenit. Këtë pozitë e mbajti deri në vitin 1749/50. Pas tij, sanxhekbejlerë të Prizrenit patën ardhur të bijtë e tij, Emrullah Pasha (qe vrarë nga pashai i Shkodrës më 1774) dhe Ismail Pasha (sanxhakbeg i Prizrenit në vitet 1785/86). Këtë pozitë më pastaj e patën marrë të bijtë e Emrullah Pashës, Tahir Pasha 1794/95 dhe Rustem Pasha (1800). Më vonë këtë pozitë e kishin arritur bijtë e Tahir Pashës, Said Pasha (1805-1815), Mahmud Pasha (1819-1836) dhe Emin Pasha, i cili qe emëruar për të dytën herë sanxhakbe i Prizrenit në vitin 1842 (vdiq më 1843).

Mahmud Pashë Rrotlla ka ndërtuar tri xhami në Prizren: njërën në Kala në vitin 1828, tjetrën në Bylbyl-dere dhe të tretën në Mahallën e Hoçës në vitin 1833. Mahmud Pasha ka ndërtuar, po ashtu, një medrese ndërmjet viteve 1806-1831, Kullën e sahatit në vitin 1816. Nga një kullë sahati ka ndërtuar në Rahovec (1791) dhe në Mamushë (1815). Djali tjetër i Tahir Pashës, Emin Pasha, (1843) në Prizren ka ndërtuar një xhami (1831) dhe ka themeluar një medrese, ndërtimi i së cilës është përfunduar në vitin 1855-56, pas vdekjes së themeluesit të saj. Myderrizi i parë i Medresesë së Emin Pashës ka qenë Mehmet Tahir efendiu, farefis i Emin Pashë Rrotllës./kosova sot/

Më Shumë

Mbappe merr vendimin, i drejtohet me një mesazh tifozëve të PSG-së

Francezi Kylian Mbappe ka lajmëruar zyrtarisht se do të largohet nga Paris Saint Germain në fund të sezonit. Futbollisti francez ka thyer heshtjen dhe...

Haradinaj kujton të rënët në Korishë të Prizrenit: 25 vjet pas, Serbia ende nuk ka pranuar asnjë përgjegjësi për krimet makabre

Haradinaj kujton të rënët në Korishë të Prizrenit: 25 vjet pas, Serbia ende nuk ka pranuar asnjë përgjegjësi për krimet makabre Kryetari i Aleancës për...

Lajmet e Fundit