Home Blog Page 7073

Prizren: Vetura godet lisin, lëndohen dy persona

0

Në rrugën Suharekë – Prizren te rrafshi i Sopisë një person është vetëaksidentuar me veturë duke e goditur një lis që gjendej jashtë rrugës.

Policia bën të ditur se lëndime trupore ka pësuar vozitësi dhe një pasagjere, të njëjtit janë dërguar në tretman mjekësor. /PrizrenPress.com

Zyrat e ofiqarisë në Malishevë me pamje të re

0

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, sot ka mbajtur mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, të cilët kanë raportuar për punët dhe aktivitetet e tyre gjatë javës së shkuar dhe për aktivitetet e javës në vazhdim.

Në këtë mbledhje u bë e ditur se brenda dy ditëve, zyrat e ofiqarisë, do të jenë me pamje të re, ku shërbimi do të jetë me efikas, pas ridizajnimit të këtyre zyrave.

“Sot dhe nesër, pritet të përfundoj në tërësi projekti i rregullimit të zyrave të ofiqarisë, të cilat do të kenë pamje tjetër dhe qasja e qytetarëve do të jetë me e lehtë. Kjo është bërë me qëllim të ofrimit të shërbimeve më të shpejta dhe më efikase për qytetarët”, ka thënë drejtori i administratës, Sami Kafexholli.

Përndryshe, edhe drejtorët tjerë raportuan për aktivitetet e tyre dhe projektet në realizim e sipër, ku u tha se shumica e projekteve tashmë kanë përfunduar, ndërsa disa tjera janë drejt përfundimit, edhe pse reshjet atmosferike të ditëve të fundit, i kanë penguar disa projekte, të cilat realizohen në hapësirë të hapur, siç janë rrugët, kanalizimet, dhe të ngjashme.

Drejtori për buxhet dhe financa, Vesel Krasniqi, njoftoi se buxheti komunal 2016-2018, do të shqyrtohet në dy lexime në mbledhjet e Asamblesë Komunale, në dy ditët në vijim.

“Këtë të mërkure, QKMF e Malishevës shënon ditën e saj, si dhe do të mbahet edhe një Akademi Përkujtimore, me rastin e 17 vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit dr.Shpëtim Robaj, emrin e të cilit e mban edhe QKMF e Malishevës”, ka njoftuar drejtori i shëndetësisë, Hajdin Berisha. /PrizrenPress.com

Kosova e Shqipëria bashkë në Panairin e Qendrave Rinore

0

Sot në Prishtinë hapet Panairi i Qendrave Rinore 2015, ku pritet të marrin pjesë 20 Qendra Rinore nga Kosova dhe 12 nga Shqipëria

Kët 20 Qendra Rinore nga Kosova dhe 12 nga Shqipëria, për dy ditë radhazi do të promovojnë dhe shkëmbejnë përvojat në mes tyre.

Ky panair vjen në bazë të marrëveshjes së nënshkruar së fundmi në mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nga Kosova dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinise nga Shqipëria.

Panairi do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke filluar nga ora 11:00, dhe do të hapet nga ministri i Kulturës, Kujtim Shala dhe Ambasadorin norvegjez, Jan Braathu.

Opozita refuzon ndërmjetësimin e presidentes

0

Tri partitë politike që kanë krijuar tashmë frontin opozitar vazhdojnë ta sfidojnë kryeministrin Kosovës, Isa Mustafa, për nënshkrimin e dy marrëveshjeve të fundit, madje thonë se aksionet e tyre në Kuvend dhe jashtë tij, do të intensifikohen. Opozitarët po ashtu kundërshtojnë çdo përpjekje të presidentes Atifete Jahjaga në këtë proces, në rolin e ndërmjetëses. Kjo e fundit në një emision televiziv ka thënë se është e gatshme ta luajë rolin e unitetit edhe në rastin pozitë-opozitë.

Muharrem Nitaj, nga Zyra për informim e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka deklaruar për “Zërin” se opozita do të pengojë zhvillimin e seancës plenare derisa të mos ketë reflektim nga Qeveria për marrëveshjet.

“Opozita do të bëjë krejt çka është në dorën e saj që ta pengojë zhvillimin e seancës plenare derisa të mos ketë një reflektim nga Qeveria për marrëveshjet. Këto marrëveshje nuk mund të jenë çështje e Qeverisë. Ato u përkasin të gjithëve. Opozita është unike në frontin e përbashkët për ta ndalur degradimin e qeverisjes së keqe të këtij vendi. Kryeministri i ka dy zgjidhje. Ose të gjejë modalitetet e tërheqjes së marrëveshjeve, ose të japë dorëheqje vetë”, ka deklaruar Nitaj. /Zëri

Papa Francisko në nëntor me album Pop-Rock (Video)

0

Albumi i miratuar nga Vatikani i krijuar në bashkëpunim me Believe Digital dhe përfshinë fragmente nga fjalimet prekëse të Papës në gjuhë të ndryshme.

“Wake Up”, është albumi që pritet të dalë më 27 nëntor në shitje dhe tashmë është lansuar kënga “Wake Up! Go! Go! Forward!

Shumica e fjalimeve dhe himneve të Papës janë përzgjedhë nga producenti dhe drejtori artistik Don Giulio Neroni.

https://youtu.be/lXGOLYvVIpc

Kritika për kolonën zanore të 007

0

Kolona zanore e filmit të James Bond “Spectre” është në qendër të kritikave. Shumë nga përdoruesit e mediave sociale e kanë cilësuar si “më të keqen e të gjitha kohërave”.

Versioni i plotë i këngës “Writings on the Wall” zgjat 4 minuta e 38 sekonda dhe këndohet nga Sam Smith. Ai është i pari britanik që këndon kolonën zanore të filmit të Bondit, prej vitit 1964, kur Tom Xhons këndoi “Thunderball”.

“Skyfall” e Adele, një tjetër kolonë zanore e filmave me agjentin 007- u rendit singëlli i dytë në Britaninë e Madhe.

Sam Smith tha se dëshironin një këngë “klasike e përjetshme”.

“Kjo këngë nuk është për mua, për jetën time – tha ai gjatë promovimit të këngës. Shpresoj që të gjitha ata që e dëgjojnë të mendojnë “Është Bondi”.

Por duke iu referuar opinioneve dhe kritikave duket se misioni i tij nuk është përmbushur. Filmi i James Bond, me Daniel Craig, si protagonist për herë të katërt në rolin e agjentit special, do të shfaqet premierë në Londër më 26 tetor të këtij viti dhe më pas në të gjithë botën më 6 Nëntor.

Letër tim biri për kirurgët e huaj

0

Dr. Adem Harxhi

Të shkruaj nga Tirana. Siç e di, kam disa ditë që ndodhem këtu dhe çudirat janë pafund në vendin tonë të dashur. Do të të shkruaj për një çudi që ka lidhje me profesionin që unë i kushtova gjithë jetën dhe që ti sapo e ke filluar. Në Shqipëri ka diçka që nuk e gjen në asnjë vend të botës, këtu ka një “pazar” të madh doktorësh.

Jam i befasuar nga reklama e shfrenuar që u bëhet në radio, televizion, në gazeta, në internet, shumë kirurgëve të spitaleve të huaja që janë hapur në Shqipëri pa kursim. Nuk e di dhe nuk më intereson leverdia që kanë këto spitale në Shqipëri, ku popullata është e vogël dhe e varfër. Sigurisht, kjo është çështje e tyre, mua më intereson dhe më shqetëson ana mjekësore në këtë reklamë të shfrenuar. Kam parë e dëgjuar doktorë gjermanë, turq, italianë, shqiptarë që dalin e flasin se, unë bëj këtë dhe atë operacion me rezultate perfekte, për të gjitha rastet e operuara. Dëgjon e shikon reklama që thonë se filan doktor në spitalin gjerman bën këtë operacion në perfeksion, një doktor tjetër në spitalin amerikan bën një tjetër mrekulli , ndërsa, njëri në atë italianin të zbukuron dhe të ndryshon krejt lukun.

Jetoj në New York, dhe kam vizituar shumë vende të Amerikës dhe Botës, por reklamë të tillë nuk e kam parë gjëkundi. Në qoftë se këta kolegët tanë të huaj e kanë parë diku këtë “pazar” doktorësh si në Tiranë, ose në vendet nga vijnë, unë u lutem të më shkruajnë në këtë gazetë. Unë besoj se këtë reklamë që i nxjerr doktorët në pazar për t’u shitur, e bëjnë administratat e këtyre spitaleve dhe redaksitë e gazetave e televizioneve që fitojnë nga reklama në kurriz të mjekëve që i kanë nxjerrë në treg për shitje. Një mjek, veçanërisht, një kirurg i pjekur, këtë vetë reklamim nuk mund ta bëjë kurrë.

Si mjek dhe kolegu i tyre më i vjetër u them se, “perfeksioni që mundoheni të shisni, në mjekësi, është armiku i të mirës” . Pse? Sepse asgjë nga ato që bëhen në kirurgji nuk është perfekte. Çdo gjë në kirurgji është një kompromis. Shkencërisht pranohet, se po qe se arrin tetëdhjetë përqind të normales pas kirurgjisë, kjo konsiderohet e mirë. Si pacient, e them sinqerisht, se, edhe atëherë kur kam shpresuar për rezultat 100% (ashtu si shumë pacientë të tjerë) dhe prisja të restaurohesha në konditat që isha para sëmundjes, kjo në shumicën e rasteve nuk ka qenë e mundur. Një kirurg i pjekur, nuk parashikon një rezultat të caktuar për një pacient të caktuar, sepse rezultati nuk varet vetëm nga kirurgu, por edhe nga pacienti e shumë faktorë të tjerë.

Doktori duhet të jetë i çiltër, i ndershëm, i sinqertë dhe të mos vizatojë gjithnjë skenarë rozë. Që të veprojë kështu, doktori duhet të zotërojë një shkallë ndershmërie jo të zakonshme. Kjo është e jashtëzakonshme, pikërisht sepse kërkon një shfryrje të konsiderueshme të egos së doktorit, që tek këta doktorë që kanë dalë të shiten në pazar është me tepri.

Ekziston një kontrast i madh që duhet dalluar mirë, midis egos së shëndetshme dhe egos së pashëndetshme të doktorit.

Ego e shëndetshme, është e domosdoshme për të vënë thikën në mishin e një tjetri. Kjo rrit besimin në aftësitë e tua për të marrë vendime të drejta në sallën e operacionit dhe të lejon të punosh me shpejtësi për të kryer detyrën. Ego e pashëndetshme, është ajo që e imagjinon skalpelin (thika e kirurgut) si një shkop magjik, që rigjeneron në mënyrë perfekte pjesën e trupit që pritet, kështu siç pretendojnë doktorët në pazarin tonë. E di që ndershmëria, fatkeqësisht, nuk shpërblehet në shoqërinë e sotme shqiptare, ndaj pacientët dalin në “pazar” dhe kërkojnë të psonisin për doktorin.

Disa doktorë janë gati ta shesin veten sipas parimit: Shitesh më kollaj, kur e prezanton punën tënde si më të mirën. Kjo ngjan sikur shet një automobil luksi që navigon pa gabime në kthesat e forta dhe i ndërron marshet pa u vënë re. Por dora e dhimbsur e kirurgut, është një automobil i vjetër dhe vetëm kaq mund të vlejë në treg. Ajo kurrë nuk do të shitet si një Ferrari apo Lexus i ri.

Tani, natën e mirë.

Ja çka thoshte Albin Kurti për bisedimet në Rambuje, në vitin 1999 (Video)

0

Është shkurti i vitit 1999 kur liderët kosovarë vazhdonin diskutimet për arritjen e paqes në Rambuje të Francës, ndërkohë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës vazhdonte të përballej me forcat serbe që kryenin spastrim etnik në Kosovë.

Nga arkiva e Asocciated Press gjejmë se nga një mbledhje e thirrur në zyrën përfaqësuese të UÇK-së në Prishtinë, zëdhënësi i atëhershëm i UÇK-së, Albin Kurti u thotë gazetarëve se çdo marrëveshje që arrihet duhet të ketë për bazë situatën në terren, dhe se asnjë marrëveshje s’do të ishte e qëndrueshme nëse të dyja palët nuk do të përkushtoheshin në funksionimin e saj, transmeton Indeksonline.

“Kërkesa e palës shqiptare, delegacionit shqiptar në Rambuje, është që së pari të nënshkruhet një marrëveshje armëpushimi, që do të jetë shenjë e vullnetit të mirë se të dyja palët janë të interesuara për një rezolutë politke për marrëveshje, që më vonë mund të shndërrohet në rezolutë”, kishte thënë Kurti para gazetarëve.

Meqenëse nënshkrimi i marrëveshjes për armëpushim do të thoshte njohje e UÇK-së nga pala serbe, marrëveshja nuk ishte nënshkruar.

Diplomati amerikan Christopher Hill, që ndërmjetësonte bisedimet në Paris, e kishte pranuar se që të dyja palët, ajo serbe dhe kosovare, po përpiqeshin t’i iknin procedurave me kërkesa të reja, por kishte thënë se “bisedimet po vazhdojnë nëpër një terren jashtëzakonisht të vështirë”.

Rrustem Mustafa, i njohur si komandant Remi, gjatë kohës sa mbaheshin bisedimet në Rambuje, ishte shprehur i brengosur me Konferencën e Rambujes, duke thënë se UÇK-ja “nuk mund ta pranojë” propozimin e ndërkombëtarëve për t’i dhënë fund konfliktit, thuhet në përshkrimin e AP-së në videon e viti 1999.

Ndërkohë, përkundër dimrit të acartë, UÇK-ja vazhdonte patrullimet nëpër Kosovë.

Isa Mustafa nuk raporton më në Kuvend për marrëveshjet me Serbinë

0

Kryeministri Isa Mustafa sipas të gjitha gjasave më nuk do t’ju drejtohet deputetëve për të raportuar rreth marrëveshjeve të arritura me Serbinë në Bruksel.
Këtë e ka thënë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili vlerëson se edhe po të mblidhet Kryesia e Kuvendit në rend ditë nuk pritet të jetë ri-raportimi i Mustafës.

Ai në një deklaratë për RTK ka thënë se tashmë i ka humb kuptimi këtij raportimi dhe se Kryesia do të vendos që Kuvendit t’ia përcjellë ligjet për liberalizim të vizave, por jo edhe raportimin e Mustafës.

E duket se edhe kjo nuk do të lejohet, pasi që opozita ka paralajmëruar bllokim të Kuvendit deri në tërheqjen e nënshkrimeve nga Mustafa nga marrëveshjet me Serbinë. /Indeksonline/

Pushtetarët e Prizrenit i punësojnë dashnoret nëpër shkolla

0

Qeveritarët e Ramadan Mujës kanë filluar të kujdesen edhe për dashnoret e tyre. Për t’i pasur sa më afër dhe “nën kontroll”, ata i kanë sistemuar ato nëpër shkolla.

Kuvendari i PDK-së Naser Berisha, tregon për punësimet e tyre dhe diskriminimin e meshkujve.

“Për postin e sekretarëve të shkollave kanë konkurruar 30 meshkuj, mirëpo vetëm njëri prej tyre është punësuar”, tregon Berisha.

“ Vendet e tjera janë rezervuar për gjininë femërore”.

Punësimi i gjinisë femërore nëpër shkolla,sipas tij, përveç për përfitime familjare është bërë edhe për lidhje të dashurisë.

“Punësimi i tyre mund të jetë ërë edhe për shkak dashurisë”.

“Le të analizohen emrat dhe të shikohen si dhe pse janë punësur”.

Kuvendarja e VV-së, Drita Millaku thotë ndërkaq reagimi i kuvendarit të PDK-së për mënyrën e punësimeve nëpër shkolla, vërteton zërin e VV-së që ka ngritur për keqpërdorimet që po i bënë ‘Qeveria Muja’

“ Vetë kuvendarët e PDK-së sot po flasin për keqpërdorimet e këtij pushteti, që VV-ja vazhdimisht ka folur deri më tash”, shprehet Millaku./PrizrenPress.com/