23.2 C
Prizren
E shtunë, 5 Korrik, 2025
Home Blog Page 7107

Kritika Mustafës për 100-ditëshin e qeverisjes

0

Qeveria Mustafa-kuvendNë prag të 100 ditëshit të parë të Qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa, spektri politik opozitar dhe analistë politikë e kanë vlerësuar me nota të dobëta punën tremujore të ekzekutivit. Sipas tyre, kjo Qeveri ka dështuar në realizimin e objektivave nacionale e shtetërore, por edhe ato programore.

Sipas tyre, kjo Qeveri ka dështuar në realizimin e objektivave nacionale e shtetërore, por edhe ato programore. Kryeministri Isa Mustafa, i cili ka tre muaj që ka marrë kryesimin e Qeverisë së Kosovës, është përballur me sfida të mëdha në ditët e para qeverisjes, shkruan Zëri.

Spektri politik opozitar e analistë politikë përmenden organizimin e protestave masive, si pasojë e deklaratave të Jabllanoviqit, emigrimin masiv, përderisa sfida më e madhe për koalicionin qeverisës shihet të jetë krijimi i Gjykatës Speciale.

Vrasja e trefishtë në Prizren – për hakmarrje

0

vrasje ne prizrenMehdi Sefa, prokuror kujdestar i krimeve të rënda, është deklaruar për vrasjen e sotme të trefishtë në Prizren.

I pyetur rreth motiveve te vrasjes, Sefa ka thënë për KALLXO.com se ka pasur mosmarrëveshje të mëhershme mes viktimave dhe të dyshuarit.

“Siç duket kanë pasur mosmarrëveshje të mëhershme. Para një viti viktimat e kanë rrahur tani të dyshuarin dhe duket kjo tani ka ndodhur në shenjë hakmarrjeje”, tha prokurori Sefa.

“Liqeni” i Çagllavicës ia ndryshk prizrenasit veturën e shtrenjtë

0

Blerim AsllaniBlerim Asllani nga Prizreni ankohet se më 6 shkurt të këtij viti duke u kthyer nga Prishtina në Prizren iu dëmtua rëndë vetura e tipit “BMW- 730” vlera e së cilës është 15,000 euro, për shkak të grumbullimit të ujit në rrugë nga reshjet e asaj dite.

Ai për dëmtimin e makinës fajëson Policinë e Kosovës që e orientuan të lëvizë nëpër shiritin ndihmës të rrugës afër qendrës “QMI”, pa e paralajmëruar për nivelin e lartë të ujit mbi rrugë.

“Më ka ndodhë rasti, duke shkuar prej Prishtinës në drejtim të Prizrenit, edhe kur kam ardhë te rrethi në Prishtinë më thanë hyn në rrugën ndihmëse edhe nuk po na tregojnë fare policia se për çfarë arsye,” thotë Blerim Asllani.

Policia pranon se orientoi vozitësit për lëvizje të ngadalshme dhe të kujdesshme, duke mohuar se uji ishte në nivelin e paraqitjes së rrezikut për automjetet.

“Ngasësit janë sugjeruar nga policia, që të i drejtojnë automjetet me kujdes dhe me shpejtësi të ngadalësuar. Kjo është bërë për arsye të mos bllokohet tërësisht komunikacioni dhe duke pasur parasysh nivelin e ujit i cili ende ka qenë në nivelin e mosshkaktimit të ndonjë dëmtimi për automjetet,” thuhet në prgjigjen e Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun të Policisë së Kosovës.

Blerim Asllani tregon se duke lëvizur ngadalë në ato kushte të rënduara atmosferike, kur e pa ujin refuzoi të hyjë, por policët që rregullonin komunikacionin i thanë se makina nuk do t’i dëmtohej.

“Kur e pashë ujin nuk deshta me hy në ujë, polici më tha hyn se është dizel nuk prish punë për makinën, edhe kur hyna më mbet makina në ujë. Nuk kam pasë zgjidhje tjetër, se kam qenë në shiritin ndihmës dhe nuk kam pasë mundësi të kthehem mbrapa fare,” sqaron Asllani.

Policia mohon se detyroi shoferët të lëvizin me çdo kusht me makina nëpër ujë.

“Por ky sugjerim nga policia nuk ka qenë urdhër obligativ , ngase ata që kanë dashur të ndalen apo kthehen, janë kthyer duke vlerësuar gjendjen e automjeteve të tyre,” vijon përgjigjen Zyra për informim e Policisë.

Blerim Asllani vlerëson mbi 2 mijë euro dëmet që iu bënë në veturë pas vozitjes nëpër ujë. Thotë se nga depërtimi i ujit i është prishur motori dhe komplet instalimi i rrymës.

“Dëmi mu ka bo 2 mijë euro vetëm motorin që e kam ndërru, kurse dy dritat kushtojnë 260 euro, plus kasetofoni që 300 euro kushton i vjetër, ndërsa 500 kushton i ri, nuk din njeri se çka me bo. Uji krejt mrena ka hy në atë moment kur ka ndodhë rasti,” ankohet Asllani.

Policia thotë se fatkeqësitë natyrore janë gjëra të mundshme dhe nga reshjet e 6 shkurtit kanë pësuar edhe të tjerët.

“Duke ditur që reshjet e shumta kanë shkaktuar dëme dhe përmbytje nëpër disa rajone dhe kanë bllokuar shumë rrugë, gjithashtu siç e dini ka pasur pasoja edhe në njerëz.Në raste të tilla kërkohet mobilizim i të gjitha institucioneve relevante, … ndërsa qytetarit nga Prizreni ne i shprehim keqardhje për dëmin që i është shkaktuar në automjetin e tij,” sqaron Zyra për Informim e Policisë.

Pronari i makinës së dëmtuar thotë se ka kërkuar nga policët në vendin e ngjarjes që të shkojnë bashkë me të në polici për të dëshmuar rreth dëmit që i është shkaktuar, por pasi policët nuk kanë pranuar, vetë i është drejtuar policisë.

“Shkova në Prishtinë te policia e Prishtinës ata nuk më dhanë përgjigje, shkova te e Fushë Kosovës ata s’më dhanë përgjigje, shkova te policia dhe komuna e Graçanicës edhe ata më thanë po na vjen keq. Unë lypsha të ma paguajnë makinën se na për këtë punë jemi tu i dhënë paret për rrugë, e për cdo send. Kur ta bën regjistrimin bëhet pagesa edhe për rrugë edhe rruga duhet ta marrë përgjegjësinë,” tregon pë ankesat që bëri Blerim Asllani.

KALLXO.com-i kontaktoi edhe Komunën e Prishtinës për këtë rast. Xhevdet Pozhari nga Kabineti i Kryetarit të Komunës së Prishtinës tha se vendi ku ka ndodhur rasti është pjesë e Komunës së Graçanicës.

“Kufiri administrativ është te rrethi në Çagllavicë. Ndërsa magjistralet janë përgjegjësi të nivelit qendror. Ajo pjesë i takon Komunës së Graçanicës,” tha Pozhari.

Ndërsa komuna e Graçanices nuk ktheu fare përgjigje.

Blerim Asllani paralajmëroi se do ta kërkojë deri në fund të drejtën e tij për kompensim dëmi.

“Kërkesa jeme është që t’ma kompensojnë mallin, dëmin që më është bërë në makinë, ja policia le të ma paguan, ja komuna, përndryshe do ta bëj një padi private edhe qeshtu do të shkojë…” flet për hapat e ardhshëm pronari i “BMV-së së dëmtuar./kallxo.com/

“Chappie” kryeson arkën filmike të fundjavës

0

Chappie-filmFilmi mbi robotin që flet dhe mendon, “Chappie”, nga regjisori Neill Blomkamp, ka kryesuar arkën filmike të ShBA-ve këtë fundjavë që po e lëmë pas, me 13.3 milionë dollarë të mbledhura.

Në një treditësh “të ngadalshëm”, në pozitën e dytë ra filmi i Will Smith, “Focus”, me 10 milionë të mbledhura, kurse në pozitën e tretë është vendosur filmi “The Second Best Exotic Marigold Hotel”, me 8.6 milionë dollarë.

Top pesëshen e fundjavës e përmbyllën filmat “Kingsman: The Secret Service”, si dhe animacioni “The SpongeBob Movie: Sponge Out of Water”.

Në anën tjetër, zhgënjyes ishte filmi që u prit se do të fitonte më së shumti. “Unfinished Business”, komedia me aktorin Vince Vaughn, Dave Franco dhe Tom Wilkinson, doli i dhjeti me rreth 4 milionë dollarë. Javën e ardhshme, ndërkaq, pritet të dominojë filmi i shumëpritur i Disney-t, “Cinderella”, i përshtatur nga përralla e mirënjohur e Hirushes.

Begaj: Fjalimi im, nuk është i kopjuar

0

RagipBegaj-kryetariMalishevesI menjëhershëm ka qenë reagimi i të parit të Malishevës, Ragip Begaj, ndaj publikimit të lajmit, se fjalimi i tij i mbajtur me rastin e shënimit të manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, është kopjuar. Begaj thotë se fjalimi i mbajtur me këtë rast nuk është i kopjuar.

“Gjatë ditës së sotme, fillimisht nga portali Malishevapress, e më pas edhe nga portalet tjera, bazuar në këtë portal, ka dalë një publikim se gjoja, fjalimi i kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj, i mbajtur me rastin e shënimit të manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, është kopjuar”.

“Për hirë të së vërtetës, sqarojmë opinionin publik se fjalimi i mbajtur me këtë rast nuk është i kopjuar, pavarësisht se korrespondon me disa me ngjashmëri të fjalëve. Po ashtu, nuk ka kopjim nga, siç thuhet wikipedia, pasi të dhënat për Komandantin legjendar Adem Jashari dhe të dhënat për ngjarjet e asaj kohe, janë po ato të dhëna, të cilat jo vetëm në wikipedia, por edhe në botime të shkruara dhe në çdo rast tjetër janë po ato të dhëna, pasi as emrat dhe as datat e ngjarjeve nuk ndryshojnë”.

“Në fjalimin e kryetarit Begaj, me qëllimin më të mirë janë përdor dy fjali, njëra nga shumë i respektuari, figura e ndritur e kombit Adem Demaçi dhe një fjali e komandantit të ish UÇK-së, Agim Çeku, por nuk janë kopjuar fjalimet e tyre, ashtu siç pretendohet”.

“Këtë sqarim, e dërgojmë me qëllim të sqarimit të opinionit publik, se kjo nuk është e vërtetë, pavarësisht tentimit të manipulimit të opinionit”.

“Pavarësisht se dikë e pengon kjo qeverisje, ne do të vazhdojmë të punojmë dhe në datat e caktuara, të respektojmë edhe historinë tonë dhe figurat tona të ndritura”.

“Gjatë gjithë jetës sime jam përpjekur për lirinë këtij vendi dhe isha pjesë e luftës nga fillimi, deri në mbarimin e luftës, prandaj, gjithmonë do ti çmoj vlerat e luftës. Ndërsa ata që s’kanë qenë pjesë luftës mundohen që përmes këtyre manipulimeve, të njollosin ata që kanë kontribuar dhe që vazhdojnë të kontribuojnë për këtë vend. Kjo nuk ju bën nderë”, ka thënë Begaj, në reagimin e tij, pas publikimit të kësaj të pavërtete. /PrizrenPress.com/

Projekti Obama për vajzat edhe në Shqipëri

0

OBAMA 9“Çdo vajzë e meriton respektin tonë dhe një këshillë”, ka thënë presidenti i SHBA-së, Barack Obama gjatë fjalimit të tij javor, që këtë javë i është kushtuar grave në ditën e tyre ndërkombëtare.

“Kjo është dita për të promovuar gratë dhe fëmijët e çmuar të të gjithë botës dhe për tu kthyer e për të mbrojtur të drejtar dhe dinjitetin e tyre në të gjithë botën”, tha gjatë fjalës së tij, Obama i cili është edhe babai i dy vajzave adoleshente, Sasha, 16 vjeçe dhe Malia, 13 vjeç.

Gjatë javës që sapo u mbyll, Obama dhe zonja e Parë, Michelle kanë prezantuar programin e tyre “Ti lëmë vajzat të mësojnë” me qëllim që të promovohet që 62 milionë vajza dhe adoleshente në të gjithë botën aktualisht nuk frekuentojnë shkollën.

11 vendet e para ku kjo nismë do të shtrihet janë: Shqipëroa, Benin, Burkina Faso, Kamboxhia, Gjeorgjia, Gana, Moldavia, Mongoli, Mozambik, Togo dhe Uganda.

Qeveria amerikane shpreson që të ketë edhe mbështetjen e sektorit privat, ndërsa ka kërkuar nga Kongresi që të japë një fond prej 250 milionë dollarësh.

Ferdi Shishko i vrarë sot në Prizren: Për çfarë u përmend emri i tij më 2012?

0

ferdi-shishko-i-vrar-euml-n-euml-prizren-p-euml-r-ccedil-far-euml-u-p-euml-rmend-emri-i-tij-m-euml-2012-hdGazeta Jeta në Kosovë (gazetajnk.com), më 28 maj 2012 kishte publikuar artikullin “Të rrëmbyer dhe të njollosur”. Në këtë artikull përmendet Ferdi Shishko, i vrarë sot bashkë me dy të tjerë në Prizren.

Artikullin mund ta lexoni më poshtë.

Shumë njerëz ishin prekur e rrëqethur kur djali i njërit prej biznesmenëve më të njohur në Prizren ishte rrëmbyer në tetorin e vitit të kaluar.

Djali, atëherë 17-vjeçar, ishte mbajtur i mbyllur në mënyrë mizore, në një shtëpi të djegur nën kalanë e qytetit, për gjashtë ditë me radhë, duke u detyruar të flinte në dërrasë e në të ftohtë. Rrëmbyesit kërkonin 100 mijë euro për lirimin e tij. Familja qe detyruar t’ua japë këto para rrëmbyesve në “Marash” të Prizrenit.

Edhe pse dhënia e parave ishte bërë në një aksion të koordinuar me Policinë dhe Prokurorinë, rrëmbyesit kishin arritur të arratisen – bashkë me paratë.

Familja shpreson që drejtësia do të shkojë një ditë në vend, por shprehet e gëzuar që djali është liruar. Nën frikën e kërcënimeve, kjo familje nuk ka pranuar të flasë më shumë në lidhje me rastin e rrëmbimit dhe ka kërkuar që të mos i përmendet emri.

Prokuroria e Qarkut në Prizren fillimisht kishte arrestuar tetë persona nën dyshimin e kryerjes së kësaj vepre penale të rrëmbimit. Pas katër muajve, tre prej tyre ishin shpallur të pafajshëm dhe u ishin pushuar hetimet. Tre të tjerë, të cilët kanë qenë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë lëshuar në procedurë të rregullt (ndaj të njëjtëve është ngritur aktakuza për dhënie të ndihmës gjatë kryerjes së kësaj vepre penale), ndërsa dy të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë akoma në paraburgim.

Këtë maj, tetë muaj pas rrëmbimit, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë nën dyshimin se e kanë kryer këtë vepër penale. Ata janë Leonard Veshalli dhe Shukri Krasniqi, nga lagjia “Tusuz” e Prizrenit.

Nëna dhe bashkëshortja e Leonard Veshallit thonë se familjari i tyre u nxor me dhunë nga shtëpia.

“E kanë futur në veturë, ja kanë lidhë duart me tel dhe ja kanë vënë në kokë një qebe”, thotë nëna e tij. “E kanë keqtrajtuar për ta pranuar fajësinë, kinse ai ka bërë roje derisa gjoja veprën e ka kryer Shukri Krasniqi. Djalin tonë e ka marrë Enes Xhema e jo Policia”.

Enes Xhema kishte qenë njëri nga të dyshuarit e parë të Prokurorisë për kryerjen e kësaj vepre, por ai ishte liruar si i pafajshëm. Xhema nuk ka pranuar të flasë për gazetën në lidhje me këtë rast, mirëpo ka thënë se nuk është i punësuar dhe se kishte pasur disa raste në gjykata në lidhje me armëmbajtje pa leje dhe kalim ilegal të kufirit.

Gratë tregojnë se në momentin kur e kanë marrë Leonardin, ai ka qenë me djalin e tij tetëvjeçar. Sipas tyre, ky banor rom i lagjes ishte futur në një taksi, i ishte thënë se do të duhej të fliste çfarë t’i thoshin, ndërsa fëmijën e kishin zbritur nga taksi dhe e kishin lënë para dyerve të shtëpisë.

“Kur kam shku me e pa djalin (Leonardin) në vizitë, e kam parë se ka pasur shenja të mavijosjeve nga rrahjet në fytyrë dhe në dorë. Më ka thënë se e kanë keqtrajtuar dhe e kanë xhiruar me telefon duke thënë se ky ka bashkëpunuar me Shukri Krasniqin. Tha: ‘mamë nuk kam pasë qare pa thënë se shumë më kanë keqtrajtu, i kam tregu prokurorit po nuk e di pse akoma po më mbajnë të mbyllur’”, tha nëna e Leonardit.

Leonard Veshalli vazhdon të qëndrojë në paraburgim.

Ndërkohë, ka reaguar edhe familja Krasniqi duke hedhur poshtë përzierjen e mundshme të Shukri Krasniqit më rrëmbimin e djalit të biznesmenit prizrenas.

Anita Krasniqi ka akuzuar Enes Xhemën dhe shokun e tij, Ferdi Shishko, se në bashkëpunim me disa zyrtarë të Policisë së Kosovës e kanë kurdisur përzierjen e burrit të saj.

“Jetojmë në kushte shumë të vështira, me katër fëmijë. Po të kishte kidnapuar njerëz burri im, të paktën do të na kishte përmirësuar jetën me ato 100 mijë euro, që fliten se janë marrë”, tha Anita Krasniqi.

Ajo e ka quajtur arrestimin e burrit të saj një kurth dhe u ka kërkuar institucioneve të drejtësisë t’i hapin sytë në lidhje me këtë rast.

“Kam dashtë që së bashku me familjarët e Leonard Veshallit të dalim me parulla para Prokurorisë për padrejtësitë dhe njollosjet që po i bëhen familjarëve tanë, mirëpo familja Veshalli janë minoritet dhe janë frikësu, sepse i ka kërcënuar Enes Xhema se do t’ i lyejë dhe do t’ i kallë me benzinë”, ka thënë ajo.

Rrahman Krasniqi, i vëllai i Shukriut, ka thënë se vëllezërit e tij nuk kanë gisht në rrëmbim.

“Kur e arrestuan (në valën e parë të arrestimeve) vëllain e madh, Bashkimin, i cili është 50-vjeçar dhe njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare në zonën e Vrrinit, jemi habitur. Mirëpo, ia kemi lënë drejtësisë se e kemi ditur se ai do të dalë i pafajshëm”, thotë Rrahmani. “Mirëpo tani, pas tetë muajsh, kur na u mor edhe vëllai tjetër, e kemi parë që këtu është në pyetje lidhja mafioze dhe po mundohen ta njollosin familjen tonë. Ju garantoj që këtë nuk do ta arrijnë”.

Rrahman Krasniqi u zotua se nëse vëllezërit e tij kanë ndonjë gisht në këtë rast ai do të kërkojë vetë dënimin e mbase edhe varjen e tyre: “Por, po ju garantoj se vëllezërit e mi nuk kanë gisht në këtë krim, se për me bo një gjest të tillë, duhet me qenë o pa familje, o narkoman, o i pafytyrë, e këto familja ime nuk i ka”.

Sipas familjes Krasniqi, përveç kërcënimeve ndaj Leonard Veshallit për të dëshmuar kundër Shukri Krasniqit, Enes Xhema i ka ofruar për këtë edhe të holla Hidajet Gashit, një qytetari tjetër të Prizrenit. Kur Hidajeti nuk ka pranuar të dëshmojë rrejshëm, thonë ata, ai është keqtrajtuar dhe është rrezikuar me jetë.

Hidajet Gashi ka treguar se Enes Xhema i kishte kërkuar ta ngarkojë Shukri Krasniqin dhe me këtë, pas pesë minutash, do t’ia jepte 10 mijë euro si dëmshpërblim.

“Unë nuk kam pranuar. I kam thënë nuk mundem me e marrë njeriun në qafë dhe jam largu prej tavolinës”, tha Hidajeti. “Në mbrëmje kam dalë me dy shokë, kemi marrë një lëng dhe tre tasa të plastikës, afër tyrbes. Në ndërkohë ka ardhur Enes Xhema së bashku me Ferdi Shishkon dhe Sedat Rapin dhe më kanë thënë që të shkoj me ta. Nuk kam pranuar”.

“Pastaj Enesi ma ka vënë revolen në fyt dhe më ka marrë me zor. Duke më rrahur grushte më kanë tërhequr zvarrë poshtë varrezave. Aty e kam shfrytëzuar rastin dhe u kam ikur nga duart”, rrëfen Hidajeti. “Duke vrapuar, kam dëgjuar tri krisma. Nuk e di se a kanë shtënë drejt meje apo kanë shtënë përpjetë, sepse nuk kam guxu as kokën me e kthy mbrapa”.

Sipas tij, më vonë Policia i kishte arrestuar Xhemën dhe Shishkon, por i kishte lëshuar pas 48 orësh me arsyetimin se nuk kanë gjetur prova në vendin e ngjarjes.

“Unë i kam tregu me emra se kush kanë qenë dëshmitarët e drejtpërdrejtë të rastit, mirëpo asnjërin dëshmitar nuk e kanë marrë në pyetje”, tha ai.

Gazeta Jeta në Kosovë ka takuar Enes Xhemën, Ferdi Shishkon dhe Sedat Rapin, mirëpo ata nuk kanë pranuar të intervistohen dhe të deklarohen në lidhje me versionet që kanë dhënë familjet Veshalli e Krasniqi, si dhe Hidajet Gashi. Po ashtu ka kontakuar edhe Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, mirëpo nga ky stacion ka marrë përgjigjen se rastin e ka njësiti i DKKO-së (Departamenti Kundër Krimit të Organizuar).

Sylë Hoxha, kryeprokuror i qarkut në Prizren, ka thënë se në lidhje me rastin e rrëmbimit janë arrestuar fillimisht tetë persona. Pas hetimeve, ka shtuar ai, tre prej tyre kanë rezultuar të pafajshëm, ndërsa për të tjerët hetimet janë duke vazhduar.

Hoxha tha se është duke u punuar në rastin e Leonard Veshallit dhe nëse rezulton se ka qenë i keqtrajtuar do të merren masa përkatëse. Po ashtu, nëse del i pafajshëm për rrëmbim, nuk do të mbahet në burg.

“Mirëpo ne i kemi disa procedura që patjetër duhet t’ i zbatojmë dhe në një mënyrë jemi edhe robër të provave nga ekspertizat laboratoristike. Në momentin që do të jenë të gatshme ato prova, ne do të dalim me konstatimet se ka apo nuk ka vend për ngritje të aktakuzës në këtë rast”, tha Hoxha.

Ndërkohë, rasti i tentimvrasjes së Hidajet Gashit, tha prokurori Hoxha, është dërguar në kompetencë të Prokurorisë komunale pasi që nuk ka pasur fakte që është shkrepur me armë zjarri.

“Policia nuk na ka ofruar asgjë në këtë drejtim. Ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur në terren, andaj kemi qenë të detyruar që ta dërgojmë rastin në kompetencë të komunales, mirëpo kjo nuk do të thotë se gjithçka ka mbaruar me kaq”, tha prokurori. “Nëse në ndërkohë gjejmë ndonjë fakt, ne sërish këtë rast do t’a aktivizojmë në prokurorinë e qarkut. I garantoj qytetarët se do të punojmë drejtë dhe për këtë nuk kanë arsye të brengosen”.

Në redaksinë tonë (Gazeta Jeta në Kosovë) është paraqitur edhe njëri nga personat që ka qenë i dyshuar për këtë rrëmbim dhe që është shpallur i pafajshëm, Adem Delija. Ky banor i Prizrenit ishte i arrestuar për këtë vepër bashkë me vëllain e tij, Azem Delija.

Ai ka thënë se e ka ndjerë nevojën që të flasë publikisht pas dyshimeve të pabaza që i ishin ngritur nga prokuroria.

“Të gjithë po më shohin me sy të keq, sepse më kanë njollosur për një vepër për të cilën nuk kam ditur as se ka ndodhur”, tha Delija. “Më kanë mbajtur katër muaj për një vepër që është kryer gjatë kohës sa unë kam qenë në Turqi. Në fund më kanë liruar dhe më kanë kompensuar me një shumë qesharake prej 1.596 eurosh si dëmshpërblim, mirëpo kjo nuk është hera e parë që Prokuroria e Qarkut më merr pa faj”.

Delija tha se edhe në vitin 2001 ishte arrestuar dhe ishte mbajtur plot tri vjet për një vepër penale të vrasjes: “Në fund e kanë kuptuar që jam i pafajshëm dhe më kanë liruar duke më kompensuar edhe atëherë me të holla, në shumën prej 12 mijë eurove”.

Tash ai kërkon që edhe prokurorët që bëjnë këso gabime të ndëshkohen. Delija tha se më e keqja është se familja e tij është njollosur pa pikë faji. /Gazeta Jeta në Kosovë/

Po drejtësia, a është e kapur z. Kryeministër?

0

ADRIAN ÇOLLAKUAdrian Çollaku
1.
Kryeministri i vendit, Isa Mustafa në postin e më të fuqishmit të vendit duket se po ndjehet shumë komod. Më nuk ka rëndësi për të se a është me PDK-në, apo me SHIK-un, e të dyja këto i akuzonte për çdo ditë se e kishin kapur çdo institucion, se po kontrollonin çdo pore të jetës, që e kontrollonin shtetin në çdo segment në të cilin merrej frymë.

E rëndësishme për të, tani duket të jetë akomodimi i vetvetes, dhe ruajtja e postit të të parit në parti, ku kundërshtarët politikë, po i lufton çdo ditë dhe në çdo formë…

Nëse Isa Mustafa nuk ka pasur dëshmi më herët se shteti mund të jetë kapur, ai tashmë ka edhe fakte.
2.
A thua si është ndjerë Isa Mustafa, pas skandalit të publikuar vetëm pak ditë më parë në medie se si PDK, së bashku me EULEX-in dhe me Bashkimin Evropian u munduan që në çdo formë ta prishnin koalicionin e arritur ndërmjet LDK-së, Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës, përmes dënimit të Fatmir Limajt, jashtë çdo procedure dhe praktike gjyqësore?

Ka qenë e pritshme që Isa Mustafa nuk do ta thotë as edhe një fjalë për këtë skandal, pavarësisht pse qëllimi ka qenë që me çdo kusht të prishej Blloku LVAN, në krye të të cilit për më shumë se pesë muaj ka qëndruar vetë ai.
Është e pritshme që Mustafa nuk do ta flasë as edhe një fjalë për atë sesi po bllokohet emërimi i Kryeprokurorit të shtetit të Kosovës- sepse krejt qarshia flet për atë që ai post i është ndarë tashmë “babës” dhe tërë “ngërçi” po ngjet për këtë shkak! Poashtu është e pritshme që ai më nuk do ta thotë asnjë fjalë se edhe drejtësia në Kosovë është e kapur, siç na e thoshte sa ishte kryetar i Prishtinës dhe sa ishte në krye të LVAN-it.
3.
Mirëpo, mund të shtrohet dilema nëse vetë kryeministri Isa Mustafa qenka i kapur. Mund të jetë shumë logjike shtrimi i kësaj dileme, nëse e kemi parasysh faktin se si ai brenda një nate ndërroi qëndrim dhe iu bashkua koalicionit me PDK-në.
Se si nga hyrja me PDK-në qëndrimet e tij ndaj Hashim Thaçit dhe SHIK-ut ndërruan për 180 shkallë. Madje, është sa qesharake, aq e dhimbshme deklarata që e kishte dhënë menjëherë pas hyrjes me PDK-në, kur tha se ka parë “vullnet te Hashim Thaçi për luftimin e korrupsionit”.
Është shumë e dyshimtë se si në planin qeverisës të Isa Mustafës nuk thuhet thuajse asnjë fjalë për luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Thjeshtë nuk janë prioritet për qeverinë e tij, këto dy fenomene shqetësuese, që e kanë sjellë Kosovën në këtë derexhe, ku qytetarët duket se më nuk kanë as shpresa, përpos Hungarisë.
Kryeministrin Isa Mustafa s’po e pyet kush as për drejtorë e as për sekretarë të përgjithshëm, e madje as për thuajse asgjë… Thjesht shtrohet pyetja se a është Isa Mustafa kryeministër, apo kush është? Apo po del që Isa Mustafa është vërtetë i kapur!
Edhe nëse Isa Mustafa nuk e ka guximin ta thotë që është kapur, veprimet e tij po e dëshmojnë këtë çdo ditë e më tepër.
Qofsha gabim, mirëpo, kapja duket se brina s’ka.

Florim Metaj: Punësimi i Arbër Rexhajt, i pastër si loti (Dokument)

0

florim MetajNuk dëshiron të përzihet në problemet e krijuara në arsimin e Prizrenit. Thotë se të gjitha akuzat e bëra ditët e fundit për mënyrën e punësimit të mësimdhënësve nuk i takojnë periudhës së tij.

Ish-drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Prizren, Florim Metaj ka vendosë të flasë vetëm për mënyrën e punësimit të kuvendarit të Lëvizjes Vetëvendosje! Arbër Rexhaj.

Ai dëshiron të sqarojë punësimin e Rexhajt, pasi që kjo ka ndodhur në kohën sa ka qenë drejtor i këtij institucioni në qeverisjen e PDK-së. Metaj demanton drejtorin aktual të Arsimit, Nexhat Çoçaj, se kuvendari i VV-së është punësuar pa konkurs

“Arbër Rexhaj është punësuar në kohën kur unë kam qenë drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Prizren. Dua të sqaroj se punësimi i Rexhajt është bërë me konkurs dhe pa ndikime politike”, tregon Metaj për “PrizrenPress”.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj,ka akuzuar kuvendarin e VV-së, Arbër Rexhajn se është punësuar pa konkurs dhe me rekomandim të ish-kryetarit të PDK-së në Prizren, Zafir Berisha.

11040152_10204899824713479_1718555602_n

“Nëse dikush është punësuar në mënyrë të parregullt pa konkurs,atëherë është pikërisht Arbër Rexhaj”, ka thënë Çoçaj.

“Ai është punësuar me direktivë të kryetarit të atëhershëm të PDK-së në Prizren Zafir Berisha”, ka shtuar ai. Nexhat Çoçaj në kohën e punësimit të Rexhajt ka qenë koordinator i Drejtorisë së Arsimit në Prizren.
.
Ndërkaq, ish-drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Prizren, Florim Metaj, akuzat e Çoçajt, i quan të pavërteta. Ai thotë se Rexhaj bashkë me kandidatët e tjerë i është nënshtruar konkursit në mënyrë të rregullt.

“Rexhaj ka plotësuar të gjitha kriteret e punësimit. Madje, ka qenë kandidati i vetëm që ka pasur notën më të naltë mesatare”.

“Po ashtu ka qenë kandidati i vetëm që dokumenteve të konkursit ia ka bashkangjitur edhe një mirënjohje ku ishte shpallur studenti më i dalluar në Universitetin e Prishtinës”.

Ish-drejtori Metaj thotë se Arbër Rexhaj pavarësisht, që ka plotësuar të gjitha kriteret e punësimit në Gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, Rexhaj është dërduar në paralelet e ndara në fshatra.

“Në atë konkurs ka konkurruar edhe një kandidate familja e së cilës gjatë luftës, Kosovës i ka dhënë dëshmorë. Për t’ia lehtësuar afërsinë e punësimit kandidates brenda në qytet, kemi vendosur që Arbër Rexhaj, të dërgojmë në paralelet e ndara në fshatra”.11026777_10204899824873483_693188535_n

“Pak ia kemi bërë edhe të padrejtë”.

“Pra punësimi i Rexhajt ka qenë i pastër si loti”.

Edhe kryetari i Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha ka mohuar se në kohën sa ka qenë kryetar i Degës së PDK-së në Prizren, ka punësuar pa konkurs kuvendarin e VV-së, Arbër Rexhaj.

Ai thotë se si kryetar i PDK-së ka mbështetur të rinjtë pavarësisht ngjyrimeve politike, por gjithmonë duke respektuar vijat e rregullta.

“Unë asnjëherë s’kam qenë në Ekzekutiv, të qeverisë lokale, por kam qenë kryetar i Degës së PDK-së”.

“Për mua me rëndësi kanë qenë kuadrat e rinj dhe profesionalisht të përgatitur, jo me ngjyrime partiake sic janë duke vepruar këta injorantë”.

“Arbër Rexhaj sa me kujtohet i ka plotësuar kushtet për punësim dhe është punësuar në vija të rregullta, pavarësisht se ka qenë i Vetëvendosjes”./PrizrenPress.com/

Vdes nga zjarri 86 vjeçari nga fshati Zhur i Prizrenit

0

ZjarriiPolicia e Kosovës njoftoi se sot rreth orës 04:30 minuta të mëngjesit në një shtëpi banimi në fshatin Zhur të Prizrenit ka shpërthyer një zjarr, i cili përpos dëmeve materiale ka lënë të vdekur edhe një burrë të moshuar të vitlindjes 1929.

“Zjarrfikësit pasi e kanë shuar zjarrin është gjetur trupi i pajetë i viktimës me dëmtime nga zjarri”, tha zëdhënësi i Policisë për Regjionin e Prizrenit Hazir Berisha.

Në vendin e ngjarjes përpos policëve të krim-teknikës dhe hetuesve, i pranishëm ishte edhe prokurori i shtetit.

Trupi i pajetë u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi. Si shkaktar i zjarrit dyshohet të jetë një nxehëse elektrike./PrizrenPress.com/