17.1 C
Prizren
E hënë, 9 Qershor, 2025
Home Blog Page 7227

Jablanoviq, ministër “i huaj” në Kosovë

0

Jabllanoviq15Autoritetet e Kosovës nuk posedojnë asnjë të dhënë personale të liderit të Listës Serbe, Aleksandar Jablanoviq. Kjo nuk ka bërë pengesë për kryeministrin Isa Mustafa që ta bëjë atë ministër për Komunitete e Kthim.

Në këtë mandat, përpos Jablanoviqit, pjesë e qeverisë është edhe zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq, dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ljubomir Mariq. Edhe këta dy janë zyrtarë të Listës Serbe, subjekt politik që mban lidhje të forta me Serbinë dhe që nuk njeh shtetësinë Kosovës.

Duke u bazuar në burime jozyrtare, tri ditë më parë, gazeta ka raportuar se anëtarët serbë të kabinetit qeveritar nuk posedojnë dokumente personale të Republikës së Kosovës dhe se njëri nga ta nuk ka as shtetësi kosovare. Qeveria, por edhe vet ata, nuk e patën dëshmuar të kundërtën…/Koha Ditore/

Veseli në vend të Thaçit

0

Hashim thaci e Kadri veseliKryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është rivali kryesor i kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi. Marrëveshja e koalicionit LDK-PDK, e cila i hapi rrugë Thaçit që të marrë postin e presidentit pas një viti, i ka shtuar ambiciet e Veselit.

Ky plan i ish-shefit të SHIKU-ut është konfirmuar edhe nga vetë njerëzit e tij të afërt, madje kjo mundësi nuk është mohuar as nga disa zyrtarë të PDK-së, shkruan ‘Zëri’.

“Në momentin që Thaçi do të bëhej president, posti i kryetarit të partisë do t’i takojë dikujt tjetër. E ai dikush tjetër, është Kadri Veseli, pretenduesi kryesor, që është edhe zëvendësi i parë i partisë dhe kryetar Kuvendi”, ka thënë ish-deputeti i PDK-së, Berat Buzhala. /Zëri/

“Tri Dritare dhe Një Varje” fiton çmim në “Palm Springs”

0

filmiJanë shpallur fituesit e “Palm Springs International Film Festival 2015” ku ndër të tjerët u shpërblye edhe filmi “Tri Dritare dhe Një Varje” nga regjisori Isa Qosja me çmimin special të jurisë, “The Cinema Without Borders”, raporton Koha.net.

“Palm Springs International Film Festival” është një nga festivalet më të mëdha të filmit në Amerikën e Veriut, i cili ka rreth 135,000 vizitorë.

Ky festival njihet edhe për organizimin vjetor të “The Black Tie Awards Gala” ku viteve të fundit kanë marrë pjesë aktorë të njohur si: Ben Affleck, Javier Bardem, Cate Blanchett, Sandra Bullock, Bradley Cooper, George Clooney, Daniel Day-Lewis, Leonardo DiCaprio, Clint Eastwood, Tom Hanks, Matthew McConaughey, Brad Pitt, Julia Roberts, David O. Russell, Meryl Streep, and Kate Winslet.

Në pritje të 4 nënshkrimeve

0

DonikaKadaj-Bujupi-aakAleanca për Ardhmërinë e Kosovës ende nuk ka arritur të sigurojë 40 nënshkrimet e nevojshme, për ta thirrur seancën e jashtëzakonshme lidhur me emigrimin ilegal.

Shefja e GP të AAK’së, Donika Kadaj-Bujupi, thotë për Politiko.net se deri tash kanë mbledhur 36 nënshkrime, ndërkohë që pret reflektimin edhe të deputetëve të koalicionit.

Duke folur për emigrimin ilegal, Kadaj-Bujupi pohon se ikja masive e qytetarëve nga Kosova vazhdon të jetë sfidë, e cila duhet të trajtohet sa më parë.

“Kemi mbledhë 36 nënshkrime, presim edhe reflektimin e deputetëve te shumicës, sepse tani vendimi varet prej tyre. Ndërkohë emigrimi ilegal po vazhdon dhe është sfidë e cila duhet te trajtohet sa më parë”, ka deklaruar Donika Kadaj-Bujupi për Politiko.net.

Por, për ta thirrur seancën, opozitës i nevojiten edhe 4 nënshkrime.
Në bazë të rregullores së Kuvendit të Kosovës, mbledhje të jashtëzakonshme mund të thërrasë “një ose më shumë grupe parlamentare që përfaqësojnë jo më pak se 1/3 e deputetëve, përkatësisht 40 deputetë të Kuvendit të Kosovës”. /Politiko.net.

Ende nuk e kam thënë fjalën e fundit

0

ZafirBerisha11-14Shkruan: Zafir Berisha

Përgjigje tellallëve të çarshisë lidhur me qëndrimin tim personal rreth Rektorit dhe tendencës për me u regjistru në UP si kategori të dala nga lufta çlirimtare.
Vërtet disa fëmijë të luftëtarëve besa një edhe i shoku tim të luftës ka mbet pa u regjistru, mirëpo matrapazët dhe dilinxhit që për vite të tëra kanë manipuluar aq, sa s,kanë lënë më vend as ftyr me folë për mundësin e përparsis këtyre fëmijëve.

Ju edhe mundë të thoni se Zafiri është kundër veteranëve të luftës nuk është problem edhe pse un jem kundër manipuluesve që thirren në emër të veteranëve të vërtet të luftës.

Por fjala ime vendimtare do të thuhet atëherë kur ju tellallë dhe opinioni gjerë do ta kupton se ,,pension si invalidë i UÇK,së për vite të tëra marrin edhe ata që dy vite pas lufte janë kthye në Kosovë nga perëndimi e luftën e kanë pa veç ne TV, pension marrin njerëzit që arma ju ka kris në WC tu bë nevojë pas lufte, pension marrin njerëzit që janë plagos para lufte për mezhd me komshiut e vet, pension marrin njerëzit të cilët kanë pa se si ka plas granda për dritare, pension marrin njerëz që jen bë opercion prej majasili pa lufte,pension marrin njerëzit që tu dal prej makine në Kukës e kanë lëndu këmbën, pension marrin njerëzit që kanë bë ndeshje me makinë mira kilometra larg vijave të frontit, pension marrin njerëz të cilët pretendojnë se i kanë ra drurit me kokë duke lëviz nëpër pyll,,.

Por fjalën time do ta dëgjoni edhe atëher kur do tentojnë Veteran Luftëtar me qenë edhe ata që jenë vesh me dimia a fustan të grave duke ik nga beteja, ata të cilët pa sapun e kanë hek mjekrën mu përzi me civil e me ik nga vija frontit,ata të cilët me traktor kanë dorzur armët te armiku,etj etj etj…

Edhe atëherë mundeni me folë nuk është problem, por një gjë dine se nëse Kosova sot nuk ka ligj dhe institucione të përgjegjëshme ka ZOT, dhe herët apo vonë do të këtij ligje dhe institucione kredibile dhe me përgjegjësi.

Prizren: Vetura godet këmbësorin, vozitësi ikë nga vendngjarja

0

Shiriti i policisePolicia e Kosovës ka arrestuar vozitësin e një veture në fshatin Serbicë të Prizrenit, pasi që ka goditur një këmbësor dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes.

“Është arrestuar një vozitës, pasi që i njëjti duke lëvizur në rrugë me veturën e tij ka goditur një këmbësor dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes”, njofton Policia e Kosovës.Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në tretman mjekësor. I dyshuari pas intervistës me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt./PrizrenPress.com/

OVL-UÇK shqyrtojnë mundësinë ta padisin rektorin e UP-së

0

OVL-Xhavit JashariOrganizatat e dala nga lufta e UÇK-së, po shikojnë mundësinë e ngritjes së një padie për rektorin e Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu për siç thonë ata, shkeljet e bëra me rastin e mosrespektimit të memorandumit për pranimin e studentëve të kategorive të Organizatave të Dala nga Lufta e UÇK-së. Sipas drejtuesve të këtyre organizatave, rektori në letrën dërguar atyre me të cilën njofton për ndërprerjen e memorandumit të bashkëpunimit, pranon se memorandumi ka ekzistuar dhe ai duhet të jep llogari për mos zbatimin e tij.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve Xhavit Jashari thotë për KosovaPress se që nga dita e nesërme do të konsultohen me organet e tyre, ku do të thërrasin në takim përfaqësuesit e OVL-UÇK-së dhe degëve që kanë nëpër të gjitha komunat e Kosovës dhe bashkërisht do të sjellin një vendim se cili do të jetë veprimi e tyre i mëtutjeshëm për të detyruar rektorin e UP-së që t’ua bëjë të mundur regjistrimin e këtyre studentëve që parashihet në memorandumin e mirëkuptimit.

Madje, ai thotë se do të shqyrtojnë edhe mundësinë që të ngrisin padi ndaj rektorit të UP-së, Ramadan Zejnullahu për mosrespektimin e memorandumit dhe shkeljeve tjera që ka bërë në raport me studentët e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

“Ne do të konsultohemi edhe për shkeljet, meqë janë të identifikuara edhe në letrën e ministrit që janë evidentuara dhe shkeljet tjera që ka bërë dhe pranimi i disa studentëve pa bashkëpunimin tonë, që për një numër të caktuar nuk e dimë se nga cila kategori vijnë. Megjithatë, të gjitha këto shkelje që i ka bërë ne do të përdorim edhe ato bazën ligjore, do të konsultohemi dhe ekziston mundësia të ngrisim padi ndaj gjithë këtyre shkeljeve që ka bërë në kuadër të memorandumit dhe në kuadër të asaj që në radhë të parë që ka bërë shkelje me konkursin për pranimin e studentëve në UP që parashihet si kuotë e veçantë të pranohen edhe studentët e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së”, tha Jashari.

Jashari thotë se në një letër të dërguar me datën 9 janar, rektori Ramadan Zejnullahu i njofton udhëheqësit e OVL-UÇK-së, për shkëputjen e memorandumit të bashkëpunimit, e cila sipas tij, nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme. Madje, ai thotë se me këtë rektori fakton ekzistimin e ati memorandumi dhe me moszbatimin e tij ka bërë shkelje për të cilën duhet të jap llogari.

Cahani:KDI do të vazhdojë t’i monitorojë komunat e rajonit të Prizrenit

0

NaimCahani-kdiInstituti Demokratik i Kosovës(KDI), në vitin 2014, ka vazhduar që ta monitorojë punën e Kuvendeve Komunale në rajonin e Prizrenit, duke i bërë publike sukseset, por edhe shkeljet eventuale.

Naim Cahani zyrtar i KDI-së në Prizren, për televizionin Opinion thotë se gjatë vitit të kaluar, në fillim të mandatit të ri pas zgjedhjeve lokale Kuvendet Komunale janë karakterizuar me punën rreth konstituivit dhe krijimit të komiteteve, por qysh në fillim thotë ai janë regjistruar shkelje ligjore nga ana e Kuvendeve Komunale të Rajonit të Prizrenit.

Cahani thotë se një sfidë në vete edhe gjatë këtij viti do të jetë mungesa e gatishmërisë që Kuvendet Komunale të gjejnë mekanizma shtesë në kontrollin e ekzekutivit.

KDI gjatë monitorimit të punës së Kuvendeve Komunale del me rekomandime për përmirësim të punës së Kuvendeve Komunale dhe gjatë vitit qëe e kemi lënë pas është arritur që disa rekomandime të shtyhen.

KDI gjatë vitit të kaluar veç monitorimit ka qenë pjesë edhe në disa trajnime për kuvendarët e 34 komunave, prandaj Cahani shpreh besimin se përveç monitorimit edhe gjatë këtij viti do të ketë edhe aktivitete të tjera në trajnime të ndryshme.

Instituti Demokratik I Kosovës, edhe gjatë vitit 2015 do të vazhdon të jap kontribut në avancimin e proceseve demokratike me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje./TV Opinion/

Erika Jong: Frika e Fluturimit

0

Erica-jong_1-320x223Irena Dono*

Erica jong_1Erika Jong, shkrimtare amerikane me origjinë hebreje, e shkroi këtë libër dhe e botoi kur ishte njëzetenëntë vjeç. Ishte romani i saj i parë pas botimit të dy librave me poezi erotike. Qysh atëherë e deri më sot, ajo ka botuar mbi njëzet libra dhe ka marrë shumë çmime.

Romani ka në qendër aventurat dhe fantazitë seksuale të një vajze njëzetenëntëvjeçare, Izadora Uing, e cila përshkruhet nga autorja si e egër dhe inteligjente, neurotike dhe e paqëndrueshme, e çiltër dhe e hapur të rrëfejë mëkatet e saj deri në detajet më të imta dhe skutat më të fshehta ku fshihen ndjenjat dhe mendimet e gruas. Ajo gërmon dhe gërmon, aty ku pena e shkrimtarëve të tjerë nuk guxon të hyjë, bashkon realitetin me fantazinë, e le fantazinë të ndërhyjë nganjëherë brutalisht në realitetin jetësor duke mos vënë madje kufi ndarës. Ajo bën një përmbledhje të lidhjeve të saj dashurore dhe seksuale duke i përshkruar në një mënyrë që tregon se ajo nuk është aspak krenare për veten. Ajo e fshikullon veten orë e çast që vepron ashtu, por është e sigurt që thotë të vërtetën dhe nuk fshihet pas artificeve letrare. Dhe kjo e bën heroinën më të besueshme dhe më njerëzore. Ndoshta nga standardet e një pjese të shoqërisë ajo mund të quhet “putanë”, “e shthurur”. Por, prapëseprapë, ajo është aq njerëzore dhe e vërtetë! Ajo nuk shtiret, ajo i thotë hapur ato që mendon dhe lufton të gjejë vendin e saj në jetë. Çfarë mendon dhe çfarë do ajo? Kjo ndryshon nga kapitulli në kapitull dhe, madje, nga një faqe në tjetrën. Ajo aty dëshiron të rrijë me njerëz të tjerë, pastaj do të rrijë vetëm, kërkon më pas të ndërmarrë risqe që do ta ndryshojnë jetën e saj, do të jetë e sigurt, do të jetë e pavarur, por do të jetë nganjëherë edhe shtëpiake e devotshme.

Ky duket se është edhe një nga mesazhet kyçe të Erika Jongut në këtë roman: ndjenjat e tërheqjes dhe dëshira janë nga natyra e tyre në një gjendje konstante fluksi. Të përpiqesh të diagnostikosh Izadorën, ta analizosh atë, ta kategorizosh atë, do të ishte e kotë. Jongu ironizon me gjithë psikiatrit që përpiqen ta bëjnë këtë dhe madje e quan se edhe teoritë e Frojdit janë gjysmake dhe të thjeshtëzuara. Në një nga kapitujt e romanit, Erika Jong citon se: “Gjërat për gratë janë të vështira, sepse atyre u duhet gjithnjë që ta përshtatin veten me teoritë e krijuara nga burrat për gratë”. Izadora është thjesht Izadora, nuk e gjen si personazh askund gjetkë. Erika Jong na jep një karakterizim të thukët të saj, përthithës dhe mbresëlënës. Është përshkrimi që bën një grua për gruan.

Lexuesi e njeh më mirë heroinën kur mbërrin në gjysmë të librit, atëherë kur fillojnë dilemat dhe vartësitë e saj. Ajo është konfuze, kërkon për diçka më të mirë në jetë, shpalos ambicien e saj për t’u bërë shkrimtare, por ka frikë nga gjithçka në jetë, madje tmerrohet edhe të dërgojë shkrimet e saj te botuesit. Rrëfimi i Izadorës rrjedh energjikisht, çka ajo mendon dhe dëshiron është më e rëndësishme nga ajo çka bën. Në fillim filozofimet e Erika Jongut duken didaktike, por shpejt lexuesi e kupton se ato janë një atribut thelbësor i mënyrës së të shkruarit së saj. Dhe në përsiatjet e personazhit gjejmë plot sentenca filozofike interesante që kanë vlerë universale. “Frika e Fluturimit” është një roman që fokusohet në temën e zbulimit të vetes e kërkimit brenda vetes, e cila kalon përmes një lufte të brendshme dhe analizash të forta. Erika Jong e paraqet jetën e Izadorës duke e kaluar në sitën e psikanalizës.

Qëllimi i Izadorës është të zbulojë kuptimin e inteligjencës së saj dhe eksperiencave si grua. Brenda këtij konteksti, Jongu injekton atë që mund të vlerësohet si stimul për rrugën e ndjekur nga Izadora në zbulimin e vetes. Izadora ka frikë nga fluturimi, ka frikë se humb kontrollin dhe e le timonin e jetës së saj të drejtohet nga të tjerët. Por nga fundi i romanit protagonistja reflekton mbi jetën dhe historitë e shkuara dhe ndjenjat e revoltës, shtypjes, zemërimit dhe pikëpamjet e saj feministe bashkohen dhe i paraprijnë ndryshimeve substanciale në jetën e saj. Frika e fluturimit është një metaforë për të gjitha frikërat që ka njeriu gjatë rritjes dhe moshimit. Sado që Erika Jong është një feministe e thekur dhe i shpalos idetë dhe filozofinë e saj feministe në shumë penelata të hedhura aty-këtu, prapëseprapë romani të bën të mendosh se, megjithëse ekziston lufta midis sekseve, feminizmi nuk është zgjidhja për atë që ndihet e tradhtuar, e mashtruar ose inferiore ndaj seksit të kundërt.

Në fund të fundit, të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin për t’ia dalë mbanë në jetë. Dhe përtej mesazheve që përcjell ky libër, nuk mund të mos vë në dukje komicitetin me të cilin mbështillen ngjarjet, përshkrimet e situatave dhe sidomos lëvizjet e personazhit kryesor, Izadorës, te të cilat seriozja, naivja dhe komikja shkrihen në një. Kjo e bën romanin zbavitës, madje edhe në përshkrime nganjëherë të vrazhda, të thëna shqeto të jetës, edhe në gjëra të rënda, serioze që duken sikur “zbuten” nga ngjyrimi me këto nota komike. Duke shkuar më tej në analizën e romanit, vërej se ky nuk është një roman tipik klasik, ka thyerje e përthyerje që kalojnë nga situatat përshkruese, të cilat kanë ngjyresën dhe forcën e një proze të mirëfilltë në dialogë nganjëherë të zvargur psikanalitikë, të cilët bëhen të lodhshëm për lexuesin, apo kthehen në banalitete dhe teprime. Këtu proza bëhet e rëndomtë, nuk e ka tharmin e tregimtarisë së mirë dhe i largohet humorit. Por, megjithatë, të lë pa mend inteligjenca, kultura e gjerë e shkrimtares, leximet e saj të pafundme dhe deduksionet logjike që ajo nxjerr nga veprat e shkrimtarëve të shquar që ka lexuar. Erica Jong është një romanciere, poete dhe eseiste që e ka shkrirë talentin e saj për t’i pajisur gratë me një zë të fuqishëm, racional në kalitjen e vetëdijes femininiste të grave. Siç thotë shkrimtarja, “në kohën që u botua romani, nuk kishte pasur ende një libër që të thoshte se gratë janë romantike, gratë janë intelektuale, gratë janë seksuale, të gjitha këto të sjella së bashku”. “Frika e Fluturimit” ishte libri që i përmblodhi këto”.

Botimi i tij më 1973 përfaqëson një moment vendimtar jo vetëm për prozën e grave, por për tërë lëvizjen liberale të grave dhe pati një ndikim të madh në terrenin nacional dhe internacional për pavarësinë dhe seksualitetin femëror. Libri sfidoi të menduarit konvencional për gratë, martesën dhe botën femërore. Shumë gjëra kanë ndryshuar qysh atëherë në botën e grave. Këtë e pranon edhe E. Jong në intervista të viteve të fundit. Megjithatë ajo ngul këmbë se feminizëm do të thotë sot që gratë të përdorin të gjitha dhuntitë e tyre, talentet e tyre dhe të mos gjykohen në mënyrë të pjesshme. Shkurt, feminizëm do të thotë që gratë të gëzojnë të gjitha të drejtat dhe të jenë të plotësuara si qenie njerëzore. Ajo nënvizon faktin se ky libër i dha asaj një platformë për të folur kudo për feminizmin. Ajo dëshiron t’i ndihmojë gratë e reja të kuptojnë se duhet të kontrollojnë trupin e tyre, shëndetin e tyre dhe ky është një nga mesazhet që përcjell edhe protagonistja e romanit. “Frika e Fluturimit” është quajtur si një vepër përfaqësuese që i dha hov valës së dytë të lëvizjes feministe të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar. U quajt një vepër kontroversiale për ndershmërinë me të cilën autorja flet për dilemat ekzistenciale dhe ndjenjat e brendshme seksuale të gruas. Kritikët e konsiderojnë romanin si një mbështetje të fuqishme për principet feministe.

Askurrë më parë nuk ishte shkruar kështu për jetën e grave, psikologjinë dhe seksualitetin. Erika Jong ishte një pioniere për këtë. Kur u ula të shkruaja këto shënime, isha ende nën trysninë e të qenët përkthyese e librit. Por le të mundohem ta lë mënjanë këtë dhembshuri dhe të them disa fjalë për Erika Jongun dhe librin e saj të parë në prozë “Frika e Fluturimit”, të cilin “Bota Shqiptare” ma besoi ta sillja në shqip. Një përkthyes e do krijesën e vet, se aty ka derdhur mundin, talentin, kulturën dhe njohuritë e tij dhe kjo e bën ta shohë atë me përkëdheli si fëmijën, ta dojë krijesën e vet dhe t’i bëjë parapritë shigjetave që mund të hedhin njerëzit që e lexojnë veprën.

*Përkthyes e Erika Jong në shqip

Në mes paradoksesh!

0

Taulant selmaniShkruan:Taulant F. Selmani

Çudia më e madhe zgjat tri ditë! Kështu thotë populli, por si duket kohët kanë ndryshuar, sa që këtu çudia zgjat sa vet jeta.

Të mbërthyer me paradokse, të ngulfatur nga absurditetet dhe të rrjepur me arsyen e të jetuarit, ne lundrojmë në lumin e turbulluar të quajtur jetë, me varkën e thyer të quajtur shpresë dhe me mitin e ‘kepit të shpresës së mirë’! Çdo hap që bëjmë na molis nga realiteti, duke jetuar në prangat e hutisë dhe duke shijuar burgun e mjerimit, duke u ndeshur me valët e trazuara si pasojë e një erë të fortë, të pamëshirshme, të quajtur realitet.

Ajo që dëgjon orë e çast nga goja e qytetarëve është ankim, frikë e mallkim, drejtuar udhëheqësive tona, sipas të cilëve, gjendja e rënduar me të cilën po jetojnë është si ‘dhuratë’ nga vendimet e këtyre të fundit.

Çfarë të çudit këtu?!
Çuditësh derisa sheh aq shume kolegje e universitete, ndërsa pak dije, aq shumw studentë e aq pak njerëzi! Të çudit fakti që ka shumë diploma e pak mësim, shumë mjekë pak shëndet, shumë arkitektë e ingjinierë, ndërkaq kaos urbanistik gjithandej. Ka shumë libra, por pak lexohet. Nuk ka para, por në çdo cep ka lokale e kafene, të mbushura plot.

Nga ana tjetër, pothuajse në secilën familje ka nga një jurist të diplomuar, ndërkaq bëhen padrejtësi të mëdha gjithkund, apo pothuajse në secilën familje ka një ekonomist me diplomë, ndërsa rangohemi në vendët e fundit për nga zhvillimi ekonomik!

Derisa bota e zhvilluar po mundohet të bëjë sa më shumë hapsira të gjelbruara, besa edhe shkretëtirat po i bëjnë toka pjellore, ne betonizojmë çdo cep, presim drunjët, ngrohemi nga ta dhe përsëri i bëjmë dëm ambientit duke e ndotur me tym të zi që del nga oxhaqet e secilit prej nesh.

Të çudit edhe fakti, se këtu edhe sportisti shkon në stërvitje me makinë. Çuditesh kur sheh gjithë ata pseudoanalistë. Çuditesh me faktin se shëndetësia menaxhohet nga të paaftë, ndërsa me shkolla bëhet biznes. Çuditesh gjithashtu edhe me faktin se një provim në fakultet mund ta kalosh, po kalove një natë me profesorin (për studentet femra).

Çuditësh deri sa sheh se këtu fëmija lind fëmijë. Edhe më shumë çuditësh derisa sheh aq shumë prindër të papërgjegjshëm, që nuk e meritojnë të jënë prindër dhe të dhemb fakti që shumë fëmijë nuk e meritojnë të kenë të tillë prindër.

Paradoksi më i madh është se të gjithë vrapojnë e ngutën, janë vonë, nuk kanë kohë, por në fakt nuk bëjnë asgjë!