19.7 C
Prizren
E martë, 29 Prill, 2025
Home Blog Page 7475

Muja uron myftiun Lutfi Balleku për Kurban Bajram

0

Ramadan Muja 2Kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, uron kryetarin e Bashkësisë Islame në Prizren, myftiun Lutfi Balleku dhe të gjithë qytetarët e komunës së Prizrenit me rastin e festës së Kurban Bajramit.

“Festa e Bajramit, uroj që të na shërbejë në thellimin e respektit, tolerancës, miqësisë dhe dashurisë, për familjen, fëmijët dhe të gjithë qytetarët”.

“Festa e Kurban Bajramit e lartëson shpirtin e besimtarëve, forcon besimin në Zot, i bashkon ata, ngrit ndjenjat e solidaritetit ndërnjerëzorë dhe zgjon idenë e sakrificës për të mirën e përgjithshme njerëzore”.

“Uroj që kjo festë të na bashkojë, të jemi më solidar me njëri tjetrin, të jemi sa më afër atyre që kanë nevojë dhe të rrugëtojmë së bashku drejt fitoreve të reja”.

“Urime dhe gëzuar Kurban Bajrami!” thuhet në urimin e Mujës./PrizrenPress.com/

Hahn: Në muajt e parë të punës do të merrem me Kosovën

0

Johannes Hahn-BEPesë vendet anëtare të BE-së të cilat nuk e kanë e njohur Kosovën, së shpejti do të përballen me presionin e Brukselit që ta ndryshojnë qëndrimin e tyre, shkruan gazeta serbe Novosti.

Sipas kësaj gazete ky qëndrim vjen pas deklaratave të para të Komisionerit të ri për politika të fqinjësisë Johannes Hahn, i cili ka thënë se pret ndryshim të qëndrimit të këtyre shteteve dhe ka theksuar se personalisht do ta diskutojë këtë çështje me shefen për politikë të jashtme Frederika Mogerini.

“Duke u përgatitur për këtë post, kam kuptuar se ndoshta në bisedimet me qeveritë e këtyre pesë shteteve, te shohim se ku qëndrojmë për momentin, sa ato janë fleksibile dhe cilat janë hapat e mundshëm me qëllim që gjendja të përmirësohet, në mënyrë që mos të kemi pengesa në bisedimet dhe punën e mëtutjeshme me Kosovën. Kjo do të jetë pjesë e punës time në disa muajt e parë, ka thënë Johannes Hahn.

Në çështjen e Kosovës, shihet më së miri, mosuniteti i vendeve anëtare të bashkimit Evropian, andaj Brukseli në periudhën vijuese do të mundohet që të bëjë diçka në këtë drejtim. Megjithatë, vështirë është të mendohet se do të mund të ndryshohet diçka seriozisht, duke ditur qëndrimet e ngurta të Qipros, Rumanisë, Spanjës, Greqisë dhe Sllovakisë. si dhe gjendjen në terren, në momentin kur po shtohen apetitet rajonale, siç është rasti i Katalonisë.

Johannes Hahn, ka falënderuar paraardhësin e tij, Shtefan Fyle, por nuk ka shkuar më përpara se ai, në raport me Serbinë. Sipas gazetës Novosti, në raportin vjetor që do të publikohet javën e ardhshme, propozohet që në negociatat e BE-së me Serbinë, më në fund të hapet kapitulli i parë, cili kërkon edhe normalizimin e raporteve me vendet fqinje.

Një person arrestohet në Rahovec

0

arrestimi 2Një person është arrestuar në fshatin Dobidol të Rahovecit. I arrestuari është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

“Ne bazë të flet rreshtimit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar dhe është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë”, njofton Policia e Kosovës. /PrizrenPress.com/

Tre të lënduar në dy aksidente në Prizren

0

Police-tabela per aksidentSi pasojë e dy aksidenteve në trafik, tre persona kanë marrë lëndime trupore. Sipas raportit të Policisë së Kosovës, njëri rast ka ndodhur në rrugën “Tirana” në qytetin e Prizrenit dhe tjetri në fshatin Petrovë.

Në rrugën “Tirana” në Prizren, raportohet për një aksident trafiku në mes të dy veturave. Si pasojë e saj lëndime trupore kanë pësuar pasagjerët dy femra K-shqiptare të njërës nga veturat e aksidentuara. Viktimave u është ofruar tretman mjekësor nga një qytetar i rastit”.

Ndërsa në fshatin Petrovë të Prizrenit, raportohet për një aksident trafiku me lëndime në mes të një veture me vozitës mashkull K-shqiptar dhe një biçikletë me ngasës mashkull K-shqiptar. Si pasojë e saj lëndime trupore ka pësuar ngasësi i biçikletës dhe të njëjtit i është ofruar tretman mjekësor. /PrizrenPress.com/

Hoti: Pse Enver Hasani nuk flet për PDK-në

0

AvdullahHoti-LDKDeputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka dhënë një sërë kritikash në drejtim të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar për ‘heshtjen’ e Hasanit ndaj partisë së Hashim Thaçit.

Ja postimi i plotë i Avdullah Hotit:

Gjykatësi Hasani po na informon në baza ditore se çfarë nuk mund të bëjë ‘Blloku i shumicës’ në Kuvendin e Kosovës – se nuk mund të shkarkojë Znj.Brovina, se propozimi për Kryetar të Kuvendit i takon vetëm PDK-së, se (çuditërisht) grupi parlamentar po u caktuaka nga KQZ-ja e jo nga vullneti i lirë i deputetëve etj.

Me këto deklarime, ai po merr rolin e supremit, që tregon se çfarë mund e çfarë nuk mund të bëjnë deputetët.

Ndërsa, nuk e thotë asnjë fjalë për uzurpimin që PDK-ja i ka bërë Kuvendit të Kosovës, duke shtyrë në mënyrë kundërligjore seancën konstituive, duke ndërprerë seancën pa asnjë bazë ligjore etj.

Ta kuptojmë drejt Gjykatësin Hasani se me këto ai ‘’nuk po përzihet në politikën ditore’’, siç deklaron vazhdimisht.

‘Blloku i shumicës’ në Kuvendin e Kosovës është i palëkundur për të liruar shtetin nga udhëheqësit ‘suprem’ dhe uzurpuesit e institucioneve, për ta kthyer supremitetin tek qytetarët dhe për ta forcuar shtetin demokratik.

Drejtuesit e ‘DokuFestit’ në mesin e frymëzuesve për ndryshime në Evropë

0

dokufest konferencDrejtuesit aktualë të “DokuFestit”, Veton Nurkollari e Eroll Bilibani, janë radhitur në mesin e 100 personave që kanë frymëzuar ndryshime në Evropën Lindore dhe atë Qendrore në listën e krijuar nga “NewEurope 100”, projekt ky i nisur nga “ResPublica”, “Google”, Fondi i Vishegradit, në bashkëpunim me “Financial Times” dhe disa institucioneve nga ky rajon.

Në këtë listë kanë gjetur vend individë që kanë inspiruar ndryshime në komunitetin e tyre, por edhe në aspektin global duke përdorur teknologjinë dhe shtrirjen shoqërore. Në këtë listë prej 100 emrash hasen edhe programerët nga Skype, themeluesit e antivirusit, AVAST dhe PREZI.COM, që njihet si njëra prej uebfaqeve të avancuara të prezantimeve profesionale.

Sipas përpiluesve të listës, Nurkollari dhe Bilibani e kanë merituar vendin në këtë qindëshe “për lidhjen që kanë mundësuar ndërmjet gjuhës së teknologjisë dhe kinemasë”.

Në përshkrimin e dhënë në uebfaqen e NE100 thuhet se emri i Kosovës në saje të paragjykimeve lidhet vetëm me luftën dhe vrasjen, përderisa dy aktivistët e përzgjedhur kanë bërë përpjekje që të kapërcejnë këtë imazh tragjik gjatë 13 viteve duke e rikthyer Prizrenin si kryeqendër kulturore të Kosovës.

“Ata kanë krijuar festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër ‘DokuFest’. Pa kinema funksionale në Prizren, Nurkollari dhe Bilibani kanë gjetur mënyrën për të zgjidhur problemin duke e shndërruar qytetin në kinema të hapur.

Përkundër mungesës së përkrahjes, mjeteve financiare dhe situatës së vështirë të pasluftës, festivali është shndërruar në ngjarjen kryesore filmike në Kosovë me një reputacion në rritje në mbarë botën.

Me kalimin e viteve, themeluesit e “DokuFestit” kanë dëshmuar dobitë kulturore dhe edukative të festivalit për Kosovën dhe rajonin”, thuhet në uebfaqen e NE100.

Reagim i familjes së heroit Hakif Zejnullahu

0

Heroi Hakif ZejnullahuFamilja e Heroit Hakif Zejnullahu ka reaguar ndaj lajmit të djeshëm në media që fliste rreth rrethanave të vrasjes së heronjve të Kosovës Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.

Në vazhdim deklarata e plotë e familjes drejtuar mediave:

Televizioni KTV ka emetuar sonte një deklaratë të Sabit Zejnullahut, babai i Heroit të Kosovës, Hakif Zejnullahu. Kjo deklaratë, e plotë dhe në variante të ndryshme, është bartur edhe nga mediat e tjera.

Dëshirojmë të sqarojmë se deklarata, e nxjerrë nga konteksti, nuk e paraqet qëndrimin e Sabitit dhe as të familjes Zejnullahu rreth rrethanave të vrasjes së heronjve të Kosovës Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.

Njoftojmë opinionin se ekipi i televizionit KTV ka ardhur në familjen tonë për të marrë një intervistë me babain tonë, lidhur me ngjarjet dhe zhvillimet në vitet 60-70 të shekullit të kaluar, sic kanë shpjeguar ata, në kuadër një projekti për dokumentar.

Pas përfundimit të intervistës, në bisedë private, babai është pyetur se çka ka dëgjuar për vrasjen e tre dëshmorëve. Babai ynë u ka shpjeguar diçka rreth asaj që i kanë thënë insektorët e UDB-së, kur ai ka shkuar për të identifikuar trupat e të vrarëve, një ditë pas vrasjes. Ata që e kanë kryer vrasjen janë munduar të fshehin gjurmët e së vërtetës duke tentuar që të nxisin vëllavrasjen dhe që të ndalin luftën e UÇK-së kundër okupatorit serb.

Babai ynë dhe ne e kemi kuptuar atëherë qëllimin e tyre dhe neve si familje kjo nuk na ka ndalur që të vazhdojmë luftën krah për krah me ushtarët e UÇK-së dhe ta realizojmë amanetin e dëshmorëve të kombit.

Nuk e kuptojmë qëllimin tendencioz të KTV-së që të manipulojë me një prind dëshmori në moshën 80-vjeçare. Ta publikojë si lajm, si akuzë, dicka krejtësisht private që e ka rrëfyer, duke përcjellë ato që i kanë thënë ata që kanë marrë pjesë në vrasjen e familjarit tonë.

Ne shprehim shqetësim dhe dyshim, rolin e kujt po e luan grupi `Koha` kundër vlerave të UÇK-së.

Me respekt,

Familja Zejnullahu

Gjykata e Apelit caktoi kolegjin për rastin e Ramadan Mujës

0

Ramadan MujaGjykata e Apelit ka caktuar kolegjin e gjyqtarëve që do të merren me shqyrtimin e ankesave të mbrojtjes së kryetarit të Prizrenit Ramadan Mujës dhe ish drejtorëve të tij.

“Seanca nuk është caktuar ende”, ka thënë për Koha Ditore zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, së bashku me pesë zyrtarë tjerë komunalë, më 13 mars, u gjetën fajtorë dhe u dënuan nga Gjykata Themelore e Prizrenit, për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Muja, për katër pikat e aktakuzës, u dënua me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike u dënua me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale. Edhe Krasniqi nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit u dënuan me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.

Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrit u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.

Historik i shkurtër i rastit Muja

Procedura ndaj Mujës dhe të tjerëve, ishte nisur më 25 mars të vitit 2013, për të përfunduar në marsin e vitit 2014.

Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Gjykimin e udhëhoqi kryetari i trupit gjykues nga radhët e EULEX-it, Vladimir Mikula.

Mozbatimi i veprimit të Gjykatës Supreme

Në vitin 2006, Gjykata Supreme kishte shpallur Komunën e Prizrenit si pronare legjitime të parcelave të tokës me numër 8617 dhe 8619 që kanë sipërfaqe prej 0.20.65 dhe 0.06.22 hektarësh. Të dyja kanë vlerë rreth 50 mijë euro.

Për tri vjet rresht, nga 1 korriku 2008 deri më 29 nëntor 2011, Muja së bashku me Kadri Ukimerin, në cilësinë e Drejtorit të Gjeodezisë, nuk kanë ekzekutuar këtë aktgjykim, thuhet në pikën e parë të aktakuzës.

Edhe pse avokati publik i Komunës së Prizrenit kishte njoftuar Kryetarin e Komunës, përmes një memorandumi që vendimi i Supremes duhej ekzekutuar, Muja kishte urdhëruar Kadri Ukimerin të bënte të kundërtën.

Sipas aktakuzës, Muja “ka urdhëruar Ukimerin që të mos bënte ndryshimet e duhura në shënimet kadastrale që do ta bënin Komunën e Prizrenit pronare të ligjshme të parcelave tokësore”.

Meqenëse toka nuk ishte kthyer në pronësi të komunës, nga veprimet e kryetarit të komunës dhe drejtorit të gjeodezisë kanë përfituar Minir Krasniqin (i pandehur tjetër në këtë rast), M.Q dhe J.A.

Dhënia e tokës “Gulistanit”

Pika e dytë e aktakuzës përfshin periudhën nga 24 nëntori 2010 dhe 11 shkurt 2011, gjatë së cilës kohë Muja së bashku më Minir Krasniqin, drejtor i Administratës dhe Avni Ademajn, ushtrues detyre i Drejtorit për Gjeodezi, kanë vepruar në bashkëkryerje që t’i sjellin dobi pasurore Qendrës Edukative Arsimore “Gulistan”.

Të tretë në mënyrë të paligjshme kanë marrë në posedim parcelën e tokës me numër 800/2 me sipërfaqe prej rreth 50 mijë metra katrorë në vendin e quajtur “Boka Boka” me vlerë prej 100 mijë e 600 eurosh.

Toka ishte e regjistruar në emër të Organizatës Punuese të Pylltarisë “Sharri” dhe administrohej nga AKP-ja, andaj komuna nuk mund ta posedonte.

Në mënyrë që të administronin me të, nën organizimin e Mujës, Krasniqit dhe Ademajt, toka kishte kaluar nga AKP-ja në pronësinë e komunës së Prizrenit brenda një dite.

Tokën e AKP-së Muja e mori në posedim më 24 nëntor 2010, kur kishte lëshuar vendimin 01/730. Të njëjtin ditë, Minir Krasniqi kishte kërkuar nga Avni Ademaj që të bënte ndryshimet e nevojshme në kadastër të cilat ishin bërë nga ky i fundit po atë ditë.

Kështu, tre muaj pasi kishte marrë paligjshëm tokën e AKP-së, më 11 shkurt 2011 Komuna ka nënshkruar kontratë më Qendrën Edukative Arsimore

“Gulistan” me të cilën në mënyrë të paligjshme i jepej kësaj të fundit toka e AKP-së në shfrytëzim për 40 vjet pa kompensim.

Tokë edhe për fabrikën “Kamila”

Pika e tretë e aktakuzës tregon që Muja kishte vazhduar të merrte veprime të paligjshme kur bëhej fjalë për shfrytëzim pronash.

Në periudhën kohore nga 15 dhjetori 2010 deri më 14 prill 2011, Ramadan Muja dhe Sadik Paçarizi, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, kanë tejkaluar kufijtë e autorizimive të tyre, kur i dhanë tokën publike fabrikës së çokollatës “Kamila”.

Me vendim të Mujës fabrikës i është ndarë toka prej 20 mijë metrash katrorë, në vlerë prej 40 mijë eurosh, në formën e shfrytëzimit pa pagesë, pa i ndjekur procedurat përkatëse ligjore.

Pika e fundit e aktakuzës, ka të bëjë me ndërprerjen e përfaqësimit të ekspertëve të gjeodezisë në lëndët e gjykatës.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, kryetari Muja me nxjerrjen e një konkluzioni më 2 gusht 2012, të cilën për nënshkrim ia kishte ofruar drejtori i Administratës Minir Krasniqi, kishte ndaluar përfaqësimin e ekspertëve të gjeodezisë në gjykatë.

Ndërsa drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrit, Abdullah Tejeci, në bazë të këtij konkluzioni i kishte urdhëruar ekspertët që të mos përfaqësojnë në gjykatë, kështu që ishte bërë bllokimi i lëndëve gjyqësore për gjashtë muaj rresht./PrizrenPress.com/

Komuna e Prizrenit u kërkon para nxënësve për sigurim fizik të shkollave

0

Nxenes14-03Nxënës të shkollave të ndryshme të Prizrenit detyrohen të paguajnë nga 2 – 5 euro për sigurimin fizik të objekteve në të cilat mësojnë, shkruan Koha Ditore.

Përderisa nxënësit dhe një pjesë e prindërve ankohen për këtë praktikë, zyrtarë të Drejtorisë së Arsimit arsyetohen se ky vendim merret nga vetë Këshilli i prindërve, ndërkohë që ndikohet edhe nga buxheti i kufizuar i ndarë për shkollat.

Nxënësja D.K. ka thënë se në shkollën ku ajo ndjek mësimin nxënësve u kërkohen nga 5 euro për sigurimit fizik.

Ndërsa H.R., po ashtu nxënëse e shkollës së mesme, ka pohuar se pothuajse në të gjitha shkollat paguhen nga 2- 3 euro në emër të kontraktimit të kompanive të sigurimit.

Pritet specializim i prokurorëve dhe i gjyqtarëve për luftimin e dhunës në familje

0

Dhuna-fizikeNumri i madh i rasteve të dhunës në familje, përsëritja e tyre dhe ngecjet në trajtimin efikas nga ana e organeve të drejtësisë, kanë bërë që Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ai Prokurorial të marrë vendim për specializimin e disa punonjësve të tyre vetëm për këtë fushë, shkruan sot Koha Ditore.

Ndonëse aktivistët që merren me këto raste konsiderojnë se ka kohë qyshkur është ulur besimi i qytetarëve në raport me sistemin e drejtësisë në Kosovë pikërisht në rastet e dhunës në familje, përfaqësuesit e këtij sistemi shprehen të vendosur se tashmë do ta kenë prioritet këtë sferë.

Sylë Hoxha, kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ka thënë se pas një analize dhe vlerësimi të performancës së punës në prokurori është ardhur në përfundim se kohëve të fundit rastet e dhunës në familje janë shtuar dhe po përsëriten në vazhdimësi.

Si rezultat i kësaj dhe rekomandimeve të jashtme, thotë të kenë marrë vendim së bashku me Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), që t’i trajnojnë nga secila Prokurori Themelore dhe Gjykatë Themelore nga një prokuror e gjyqtar që të merren ekskluzivisht vetëm me rastet e dhunës në familje.