12.8 C
Prizren
E shtunë, 9 Maj, 2026
Home Blog Page 8669

Albright nuk pranon krahasimet Kosovë-Krimea

0

MadelineAlbrightIsh sekretarja e shtetit, Madeline Albright nuk pranon krahasimin në mes Kosovës dhe Krimesë. Ajo thotë se në rastin e Kosovës, forca u përdor vetëm kur u shterua diplomacia.

Ish Sekretarja Amerika e Shtetit, Madeline Albright, ka thënë për Washington Post se tezat e Putinit se ai po bën në Krime atë çka u bë në Kosovë nuk qëndrojnë.

“Meqenëse agresioni i Putinit ka shkelur ligjin ndërkombëtar, është interesant se ai po përpiqet që të justifikoi veprimet e tij me precedentë. Putin thotë se ai po bënë atë që e bënë shtetet e tjera në Kosovë, gjë që thjesht nuk është e vërtetë.”

Albright thotë  se në vitet 1990-ta, ndërhyrjet ndërkombëtare në Ballkan janë miratuar dhe në to kanë kontribuar një numër i madh vendesh në shumë institucione dhe me marrëveshje informale, përfshirë edhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Forca u përdor vetëm pasi ishte shteruar diplomacia,” tha thënë Madeline Albright, e cila ka pasur një rol kyç në mbështetjen e sulmit të NATO’së kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë dhe Serbi.

Është shkarkuar apo ka dhënë dorëheqje Daut Xhemajli!

0

DautXhemajli-zv.ministerAskush në Ministrinë e Drejtësisë por as në Zyrën e Kryeministrit nuk di për dorëheqjen apo shkarkimin e zv/ministrit Daut Xhemajli. Në zyrën e Kryeministrit, nuk është përgjigjur askush për KosovaPress për shkarkimin apo dorëheqjen e zv/ministrit Xhemajli. Po ashtu këto dy dikastere, nuk kanë bërë të ditur as arsyet e largimit të tij.

Këshilltari i parë i kryeministrit, Bekim Çollaku nuk ka dashur të përgjigjet për KosovaPress, duke thënë se ai nuk është në këtë pozitë për të folur.

Edhe përkundër përpjekjeve të Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, ka qenë e pamundur të merret një përgjigje nga zyra e Kryeministrit.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë që të mos jetë i njoftuar më këtë largim. Ai ka thënë se është në udhëtim e për këtë duhet të drejtohemi në zyrën e Kryeministrit.

“Jam jashtë vendit dhe nuk e di. Sinqerisht nga mediat kam dëgjuar. Unë as nuk i emëroi e as nuk i shkarkoj zëvendësit. Ju lutem pyetni në ZKM”, ka thënë Kuçi për KosovaPress.

Por, Xhevat Bislimi, tashmë anëtarë në “Nisma për Kosovën”, në një njoftim dërguar mediave ka thënë se zv/ministri ka verifikuar se zv/ministri ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij qysh me 14 mars të këtij viti.

“Dorëheqjen e tij e ka bërë publike dhe e ka botuar edhe në “facebook-un” e tij. Si njeri i përgjegjshëm që është, Daut Xhemajli, ka shkuar edhe disa ditë në Ministrinë e Drejtësisë (në zyrën e tij) për t’i përmbushur detyrimet që kishte edhe pas dorëheqjes”, ka shkruar Bislimi.

Bislimi në letrën e tij ka lënë të kuptoj, se Xhemajli ka dhënë dorëheqje pasi që kishin lindur disa mosmarrëveshje mes tij dhe kryeministrit Hashim Thaçi dhe degës së PDK-së në Viti e cila udhëhiqej nga Daut Xhemajli.

“Kryeministri i Kosovës-Kryetari i PDK-së, Hashim Thaci, i revoltuar me dorëheqjen e D. Xhemajlit nga PDK-ja dhe nga të gjitha funksionet, për të lënë përshtypjen e një “burri të shtetit” kishte bërë një vendim (pas dorëheqjes së D. Xhemajlit) për shkarkimin e tij! Qeveri-parti se jo mahi!”, ka shkruar Bislimi.

Begaj prezantoi qeverinë dhe programin e tij, para anëtarëve të KK-së

0

KK Malisheve-BegajNë mbledhjen e tretë të radhës së Kuvendit të Komunës së Malishevës, i pari i komunës, Ragip Begaj, me kërkesën e anëtarëve të KK-së, dje ka prezantuar para tyre, përbërjen e qeverisë komunale, programin qeverisës dhe projektet kapitale. Paraprakisht, KK i Malishevës, mori një mirënjohje nga OSBE, për bashkëpunimin e ndërsjellë mes KK të Malishevës dhe OSBE-së.

Gjatë seancës së KK në Malishevë, Shefi i Zyrës Rajonale së OSBE-së në Prizren, Ulrich Biffar gjatë adresimit ka uruar anëtarët e ri të kuvendit komunal duke theksuar bashkëpunim të mire midis OSBE-së dhe komunës, ai gjithashtu theksoi se “OSBE-ja do të vazhdon me përkrahjen për komunën”. Në fund Ulrich Biffar i dhuroi kryesuesit të KK të Malishevës, Enver Hoti, një mirënjohje për bashkëpunim të mirë me OSBE-në.

Më pas, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, para anëtarëve të KK-së, prezantoi drejtorët e drejtorive komunale, përgatitjen e tyre profesionale, si dhe prezantoi programin e tij qeverisës dhe projektet kapitale për vitin 2014.

“Drejtorët janë përgjegjës për punën e tyre dhe së bashku me mua, besoj se fuqishëm se do t’ia dalim me sukses”, tha Bega, duke e prezantuar me pas, një nga një secilën drejtori, planin e punës dhe objektivat.

Sipas listës së projekteve kapitale, të prezantuara para anëtarëve të KK-së, përveç së paku pesë shkollave, planifikohen edhe ndërtimi i katër rrugëve të reja, ujësjellësi për fshatin Drenoc dhe fshatrave tjera, përfundim të kanalizimeve, investime në bujqësi, angazhim maksimal kundër etheve hemorragjike dhe të tjera.

Në mbledhje të KK të Malishevës, u morën një sërë vendimesh me rëndësi, duke filluar vendimi për formimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), u miratua Plani i punës së Kuvendit të Komunës për vitin 2014, Rregullorja për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale për vitin 2014, pastaj është miratuar kërkesa e drejtorisë për buxhet dhe financa, për destinimin e të hyrave të bartura nga viti 2012 dhe 2013, në vitin fiskal 2014, si dhe u mor vendim për funksionalizimin e komisionit të aksionarëve të Komunës së Malishevës.

Po ashtu në mbledhje, u mor vendim edhe për formimin e komisionit për ndryshimin e statutit të Komunës së Malishevës, komision i cili do të përbëhet nga tetë anëtar dhe udhëhiqet nga kryesuesi i KK të Malishevës, Enver Hoti. /PrizrenPress.com/

Së pari vendimi për EULEX’in dhe Tribunalin për krimet e UÇK’së, pastaj data e zgjedhjeve

0

Thaci, mustafa,pacolliMe marrjen e këtyre vendimeve, lidershipi kosovar mund të vendos për datën e zgjedhjeve, shkruan gazeta “Tribuna”.

Ndërkombëtarët janë duke kërkuar fillimisht një garancë nga liderët e partive kryesore kosovare për të marrë një vendim mbi vazhdimin e mandatit të misionit EULEX dhe marrjen e vendimit për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e Luftës, që njihet edhe si Tribunali për krimet e UÇK’së, dhe më pastaj të merren vesh për zgjedhjet nacionale.

Me marrjen e këtyre vendimeve, lidershipi kosovar mund të vendos për datën e zgjedhjeve, shkruan gazeta “Tribuna”.

Për këtë ujdi, lidershipi politik i Kosovës, përjashto këtu liderin e Vetëvendosjes, pritet që të mblidhen në javën e ardhshme ku të pranishëm do të jenë ambasadorë të vendeve të “kuinitit”.

Rektorati i UP-së mban në pozita profesorët me publikime në revista false

0

UP-rektoratiSafet Merovci, anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së, Skënder Ahmeti, dekan i Fakultetit Ekonomik, Naser Kabashi, dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe senatorë në UP, si dhe vetë kryesuesja e Agjencisë Kosovare për Akreditim, Ferdije Zhushi, rezulton të kenë bërë botime shkencore në revista të rreme, shkruan Koha Ditore.
Por, asnjëri nga ta nuk e ka ndjekur rrugën e ish-rektorit Gashi, për të dhënë dorëheqje. As drejtues të Rektoratit nuk po e kërkojnë këtë nga ta.

Profesorët që janë anëtarë të organeve më të larta të Universitetit të Prishtinës, përkatësisht Këshillit Drejtues, Senatit dhe vetë njësive akademike, janë identifikuar të kenë botuar punime shkencore në revista që cilësohen si të rreme të shteteve aziatike, siç është India, aty ku kishte botuar edhe ish-rektori Ibrahim Gashi.

Glauk Konjufca: Qeveria e interesuar ta rrëzoj vetën

0

GlaukKonjufcaNënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, thotë se që në fillim të kësaj legjislature Kuvendi është përballur me shumë probleme.

Për “Epokën e re” ai tha se të vetemet momente kur Kuvendi ka pasur pjesëmarrje mbi 80 për qind të deputetëve në seanca kanë qenë marrëveshjet me Serbinë.

Konjufca ka deklaruar se shumë herë është dashur të rrëzohet Qeveria në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ai tha se veprimet e fundit të LDK-së, e të AAK-së, janë në interes të kësaj Qeverie.

Sipas Konjufcës, Qeveria është e interesuar ta rrëezoj vetën para vjeshtës.

Java frankofone sjell artistin serb pas 20 viteve në Kosovë

0

JulienLourau-BojanZulfikarpasicPianisti serb, Bojan Zulfikarpasic dhe saksofonisti francez, Julien Lourau kanë performuar në mbrëmjen e së premtes në teatrin “Oda”, në kuadër të javës frankofone që po mbahet në Kosovë. Bojan Zulfikarpasic, ka deklaruar për “KultPlus” se kishte shumë vite që nuk performonte në Prishtinë. Ai ka thënë se muzika do të duhej të ishte ajo që duhet ti bëj bashkë popujt pa dallime kombëtare.

Njëmbëdhjetë vepra muzikore që i takojnë muzikës jazz janë luajtur të premten në mbrëmje nga pianisti serb Bojan Zulfikarpasic së bashku me saksofonistin francez Julien Lourau, në natën e dytët të programit Ditët e Frankofonisë në Kosovë.

Bojan Zulfikarpasic në piano dhe Julien Lourau me saksofon, për më shumë se një orë kanë performuar përballë një audience të madhe në skenën e sallës së teatrit “Oda”, duke ekzekutuar veprat muzikore të kompozuar nga vetë ata si: “Reuxin”, “Full half”, “Zeven”, “Fuzzlija”, “Bugarska”, “The others”, “Huuo’s”.

Pastaj, këta dy artistë të muzikës jazz para se ta përmbyllnin koncertin e tyre në Prishtinë nën duartrokitjet frenetike të publikut, kanë ekzekutuar edhe katër vepra të tjera si: “Ederuezi”, “Tu mi turn”, “Grana” dhe “Mister Waits”.

Para se ta realizonin koncertin e tyre të muzikës jazz në kryqytet, Bojan Zulfikarpasic dhe Julien Lourau, në mbrëmjen e kësaj të enjte kanë performuar edhe në qytetin e Leposaviqit, në kuadër të edicionit të katërt të Ditëve të Frankofonisë në Kosovë.

Pianisti serb i lindur në Beograd, Bojan Zulfikarpasic, ka deklaruar për “KultPlus” se kishte shumë vite që nuk performonte në Prishtinë. Ai ka thënë se muzika do të duhej të ishte ajo që do ti bën bashkë popujt pa dallime kombëtare.

“Herën e fundit kur kam performuar në Prishtinë, ka qenë para 27 viteve që i bije të jetë në vitin 1987. Sonte, vërtetë kaluam mirë. Mbrëmë ishim për ta realizuar të njëjtin koncert edhe në qytetin e Leposaviqit. Si këtu në Prishtinë e po ashtu atje kemi qenë të mahnitur me mikpritjen e publikut. Ideja ime është që këngët e kompozuara nga unë t’i bëjë shqiptarët dhe serbët bashkë. Arti dhe muzika janë të vetmet gjëra që i bashkon njerëzit pa dallim etnie. Pra, për këtë gjë ne edhe përformuam në këtë mbrëmje se bashku me Julien”, ka thënë Zulfikarpasic, i njohur me emrin e tij artistik si Bojan Z.

“Nuk ka ndonjë dallim të madh ndërmjet publikut të Leposaviqit dhe atij të Prishtinës. Ne në të dyja këto qytete kaluam për mrekulli duke performuar veprat tona muzikore që i kemi kompozuar së bashku me Bojanin vite më parë. Prishtina është qytet i bukur, mirëpo unë mendoj që këtu autoritetet dhe qytetarët të kenë kujdes në ruajtjen e pjesëve antike”, ka thënë saksofonisti francez Lourau.

Bojan Zulfikarpasic, i njohur edhe me emrin artistik Bojan Z është i lindur më 2 shkurt 1968 në Beograd. Ai filloi të luajë piano në moshën pesë vjeçare, dhe gjatë adoleshencës së tij, filloi të luajë në disa grupet të njohura të skenës së muzikës jazz të Serbisë, ku edhe mori çmimin si muzikanti më i mirë jazz për të rinj gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë në vitin 1989.

Kurse, Julien Lourau është i lindur në Paris të Francës në vitin 1970. Ai bëri debutimin e tij të parë në shoqatën Trash Corporation me kitaristin Noel Akchoté dhe pianisti Bojan Zulfikarpasic. Gjithashtu, Lourau është themelues i grupit olimpik “Gramofon”. Në vitin 1992 , Julien Lourau fitoi çmimin e parë si solisti më i mirë në qytetin francez “La Mbrojtjes”.

Programi i Ditëve të Frankofonisë në Kosovë, vazhdon nesër në ora 10:00, në Amfiteatrin e vogël të Universitetit të Prishtinës, ku pritet të mbahet një seminar nga studentët e departamentit të gjuhës frënge të UP-së.

Motrat takohen në Prizren pas 40 vitesh

0

Prizren-Motrat takohen pas 40 viteshJetonin larg njëra-tjetrës, pasi jeta i kishte ndarë dy motrat e rritura pa prindër, duke e dërguar njërën në Novi Pazar e tjetrën në Prizren. Pas 40 vjetësh ato u ribashkuan, Nailja 74 vjeçare e mirëpriti të motrën në shtëpinë e saj në Vllashë të Prizrenit.

Ndonëse e pasigurt që të qëndrojë në këmbë të veta, 74 vjeçarja po insiston që ta pres jashtë mysafiren që i erdhi. E përballja me të, ishte fortë e ndjeshme.

Kimeta Colic, që është për 3 vjet më e moçme se Nailja erdhi, nga Novi Pazari.

Meqë kishte probleme me të folur, e reja e Nailes tregon se si ajo tërë ditën kishte kërcyer e kënduar nga gëzimi.

Kontaktet me të motrën, Kimetja i kishte humbur, pasi që burri i pati vdekur moti, e kjo nuk kishte mbetur pa dikë që e ndihmon.

Ajo tha se ishte munduar ta gjente të motrën, por nuk kishte gjetur ndihmë derisa i janë rritur fëmijët. Ajo shtoi se kishte shumë emocione dhe ndihej shumë mirë.

Nailja dhe Kimetja janë të vetmit fëmijë nga prindërit e tyre. E ribashkimin e tyre pas dyzet vitesh e mundësoi djali i Nailes, i cili përmes rrjetit social Facebook kishte rënë në kontakt me nipërit e tezes në Novi Pazar.

E vajza e Nailes e cila me zor mban lotët thotë se kjo ditë është e pa harruar për familjen.

E Kimetja ,që te motra erdhi me vajzën e tre djemtë, është kujdesur që për këtë ribashkim të sjell edhe shumë dhurata. /Klan Kosova/

Lulëzim Kabashi, emërohet kryetar i Degës së AAK-së në Prizren

0

Lulezim KabashiiLulëzim Kabashi është emëruar kryetar i Degës së AAK-së në Prizren. Emërimi tij, është bërë zyrtarisht sot.

Burimet e “PrizrenPress”-it, bëjnë të ditur se Kabashi është emëruar në krye të Degës së AAK-së në Prizren, me sygjerimin e liderit të këtij subjekti politik, Ramush Haradinaj.

“Po është e vërtet që Lulëzim Kabashi është emëraur zyrtarisht kryetar i Degës së AAK-së në Prizren”, tregon burimi brenda AAK-së.

Lulëzim Kabashi ka qenë kryetar i Degës së LDD-së në Prizren. Ai në zgjedhjet e fundit lokale bashkë me AAK-në ka qenë kandidat për kryetar të Prizrenit.

Pas lidhjes së koalicionit AAK-LDD, me partinë fitues të zgjedhjeve në Prizre, PDK-në, Kabashi është emëruar nënkryetar i parë i Komunës së Prizrenit.

Sipas burimeve të sigurta të “PrizrenPress”-it, Lulëzim Kabashi, para se të emërohet kryetar i Degës së AAK-së, ka dhënë dorëheqje nga LDD-ja.

“Ai sot ka dhënë dorëheqje nga LDD-ja dhe është anëtarësuar në AAK. Pas anëtarësimit është emëruar kryetar i Degës”.

Emërimi i tij është bërë  pas  mbështetjes që ka marrë nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. /PrizrenPress.com/

 

Krahasimi i Krimesë me Kosovën është justifikim, thotë Hill

0

Christopher+HillChristopher Hill, Dekan i Fakultetit Ndërkombëtar në Universitetin e Denverit, i ka thënë Zërit të Amerikës se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë shumë vigjilente ndaj Rusisë, pas asaj që ndodhi me Krimenë.

Hill, i cili ka qenë Ndihmës Sekretar i Shtetit dhe ambasador në disa vende, ka një përvojë të gjatë edhe me Ballkanin.

“Në fund të fundit, në Kosovë pati një ndërhyrje të NATO-s, trupat e huaja qëndruan atje me vite dhe u bënë zgjedhje të mbikëqyrura nga të huajt. Që Rusia, e cila kundërshtoi çdo gjë që lidhej me Kosovën, të thotë tani se Krimeja duhet të ndjekë shembullin e Kosovës, kjo të bën të pyesësh se përse, atëherë, nuk e kanë njohur ata Kosovën? Prandaj mendoj se është një justifikim. Ata tani e kanë marrë vendimin, por jo bazuar mbi rastin e Kosovës”, ka thënë Hill.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë shumë vigjilente ndaj Rusisë, pas asaj që ndodhi me Krimenë. Në vitin 1939, kur Gjermania dhe Rusia pushtuan Poloninë, kjo e fundit kishte një marrëveshje me Britaninë dhe Francën që nëse do të pushtohej nga Gjermania, këto dy vende do t’i shpallnin menjëherë luftë Gjermanisë. Ato vërtet e bënë këtë, por kurrë nuk dërguan trupa, nuk e sulmuan Gjermaninë dhe nuk bënë asgjë për të ndryshuar gjendjen e krijuar. Prandaj unë mendoj se është shumë e rëndësishme që nënpresidenti Biden ka shkuar në këto vende për të ofruar siguri se NATO-ja do të nënkuptonte shumë më tepër për to, sesa ajo që ndodhi në vitin 1939.

Hill ka thënë se Rusia gjithnjë i është trembur lëvizjes së Ukrainës në drejtim të perëndimit.
“Ajo që ndodhi në Krime, i shton gjasat që kjo të ndodhë vërtet. Ndërkaq, në disa territore, dhe Çeçenia është një shembull i mirë, Rusia do ta ketë të vështirë të thotë se ato nuk mund të zhvillojnë referendume për të ardhmen e tyre. Prandaj, Rusia e ka futur veten në një pozitë mjaft të vështirë. Për më tepër ajo i fryn nacionalizmit, që është në modë në Rusi, në një kohë kur ekonomia e saj është mjaft e dobët”, ka thënë ai.

Hill thotë se varësia e aleatëve evropiane nga gazi rus, duke filluar nga vitet 70, do të ketë një ndikim lidhur me atë që këto vende mund të bëjnë për t’ju kundërvënë politikisht Moskës. Ai thotë se për ta pakësuar këtë varësi, kërkohen projekte gjigante. Për shembull, në të kaluarën, Polonia është interesuar të marrë naftë dhe gaz nga Balltiku, por që kjo të realizohet, duhet të jetë me përfitime të mëdha për vendet që do të përfshiheshin. Ai mendon se Rusia e ka përdorur këtë varësi për t’u bërë trysni politike këtyre vendeve, prandaj shumë prej tyre do të përpiqen për një diversifikim më të madh të burimeve të enegjisë, pavarësisht nga kostoja.

I pyetur se çfarë mund të kishte bërë më shumë Presidenti Obama në rastin e Krimesë dhe nëse reagimi i tij ishte i vonuar, Christopher Hill tha se nuk beson që ai mund të kishte bërë më shumë. Zoti Hill tha se ideja që Presidenti Obama u tregua i dobët në Siri prandaj edhe Putini e mori Krimenë, është shumë larg realitetit. Ai mendon se sanksionet ndaj Rusisë nuk do ta ndryshojnë sjelljen e Moskës, pasi rusët do të bëjnë të njëjtën gjë kundër Shteteve të Bashkuara. Por në rastin e Krimesë, tha ai, Presidenti Obama nuk kishte asnjë alternativë tjetër.

Hill thotë se gjendja e krijuar rreth Krimesë i ka acaruar marrëdhëniet Lindje-Perëndim. Nëse kemi të bëjmë me një rilindje të Luftës së Ftohtë, tha zoti Hill, kjo është e vështirë të thuhet, por është e nevojshme t’i kushtohet shumë më tepër vëmendje krahut lindor të NATO-s dhe sidomos t’i kushtohet vëmendje e re gjendjes në Ballkan. Unë gjithmonë kam besuar se Maqedonia duhet pranuar në NATO. Por nuk është çështja vetëm tek NATO-ja, kjo ka të bëjë me marrëdhëniet më të gjera të këtyre vendeve me Shtetet e Bashkuara. Për shembull, tha zoti Hill, edhe ajo që bëni ju në Zërin e Amerikës është me shumë rëndësi, pra që u drejtoheni këtyre vendeve duke i njohur ato me pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian për Rusinë.