29.2 C
Prizren
E premte, 18 Korrik, 2025
Home Blog Page 7545

Tri vetura përfshihen në një aksident trafiku në Rahovec

0

aksident ne autostradPolicia e Kosovës, me anë të një komunikate për media, ka njoftuar se, në komunën e Rahovecit gjatë 24 orëve të fundit është raportuar për një aksident trafiku, ku janë përfshirë tri vetura civile.

Aksidenti ka ndodhur të ënjtën rreth orës 09:55, në fshatin Pastasel të komunës së Rahovecit.
“Fshati Pastasel, Rahovec – 16.10.2014 – 09:55. Raportohet se ka ndodhur aksident trafiku në mes të tri veturave civile.

Deri tek aksidenti ka ardhur ku i dyshuari mashkull K-Shqiptar duke lëvizur me veturën Citroen duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës humb kontrollin dhe ndeshet me veturën tjetër VW Cady me ngasës viktimën mashkull K-Shqiptar e më pas edhe me veturën e tretë Golf II me ngasës viktimën mashkull K-Shqiptar. Si pasojë e aksidentit përveç dëmeve materiale, lëndime trupore kanë pësuar tre ngasësit dhe katër pasagjer dy meshkuj dhe dy femra K-Shqiptare, të cilat kanë pranuar tretmanin mjekësor”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës për komunën e Rahovecit.

Skandaloze: Vetëm një huligan i dënuar pas trazirave në Beograd

0

Serbi-ShqiperiNga gjithë ata huliganë që hynë në stadiumin e Partizanit të Beogradit për t’i sulmuar futbollistët shqiptarë, vetëm një prej tyre është dënuar, duke u gjobitur me të holla.

Huliganët serbë hynë në fushë për t’i sulmuar futbollistët shqiptarë gjatë ndeshjes së ndërprerë kundër Serbisë në stadiumin e Partizanit të Beogradit.

Por, sa do që tingëllon e pabesueshme, është i vërtetë fakti se vetëm një prej tyre është dënuar, dhe atë në formë të gjobës me të holla, raporton portali serb “Alo”.

I famshmi Ivan Bogdanov nuk u mor fare në pyetje pse hyri në fushë në momentet e përleshjes.

Ndërsa, kryetari i gjykatës për kundërvajtje, Milan Marinovic, thotë se në pyetje është procedura e shkurtër, por që policia ka paralajmëruar se do t’i dorëzojë tetë padi.

“Djaloshi që është gjykuar tashmë e ka bërë pagesën. Kur janë në pyetje paditë tjera, të cilat i presim nga policia, shumica prej tyre kanë të bëjnë me mungesën e dokumentacionit personal dhe për posedimit të mjeteve piroteknike”, thotë Marinovic./lajmi.net/

Eqrem Kryeziu, Isa Mustafës: Ka kaluar koha e Rrahman Morinës

0

Isa Mustafa me Eqrem KryeziunIsh-udhëheqësi i LDK’së, Eqrem Kryeziu është përfshirë në debatin mes analistit Armand Shkullakut dhe Kryetarit të LDK’së, Isa Mustafës, i cili tha se analisti nga Shqipëria nuk duhet të merret me punët e Kosovës.

Por, Eqrem Kryeziu ka reaguar duke thënë se koha e Rrahman Morinës ka kaluar dhe me këtë edhe ngritja e mureve me Shqipërinë dhe me cilindo shtet tjetër.

“Armand Shkullaku*: Më i rëndësishëm formimi i Qeverisë se një vend pune për Isa Mustafën.
____________
*Madje edhe vogëlsia ime është për qarkullimin e lirë të ideve, të njerëzve e të mallrave.
Ka kaluar koha e Rrahman Morinës, koha e ngritjes së mureve me Shqipërinë, a me këdo tjetër”, ka shkruar Kryeziu.

Ndryshe, Armand Shkullaku, në një intervistë për Express kishte thënë se duhet të formohet shpejt Qeveria e Kosovës në mënyrë që Shteti të mos mbetet peng i një vendi pune për Isa Mustafën.

Pas kësaj, Isa Mustafa ka reaguar duke thënë se i ka tri vende pune, derisa i ka bërë thirrje Shkullakut të merret me punët e Shqipërisë dhe të mos merret me Kosovën.

Nisi ndërtimi i Qendrës së Kulturës në Xerxë

0

IMG_6705[1]Në fshatin Xerxë nisi ndërtimi i qendrës së kulturës. Në ceremoninë vënies së themelit të qendrës kryetari i komunës Idriz Vehapi tha se kjo qendër ka qenë shumë nevojshme për banorët e kësaj ane. Sot filloi faza e parë e punimeve dhe kostoja e projektit arrin në 300 mijë euro. Ky është ndër vendbanimet më të mëdha të komunës tonë dhe nevoja për një institucion të tillë ka qenë shumë e madhe. Besojmë se kjo do të sjellë dobi të mëdha për këtë komunitet, shtoi kryetari Vehapi.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport Osman Hasku tha s e mungesa e një objekti të kulturës k ndikuar në mungesë të aktiviteteve kulturore e rinore në këtë fshat. Besojmë se pas ndërtimit të objektit jeta kulturore do të gjallërohet, ngase Xerxa ka potencial njerëzor e profesional. Deri më tani aktivitetet kulturore janë zhvilluar nëpër objekte, ndërsa në të ardhmen entuziastët e kulturës do të kenë ku të dëshmojnë vlerat e tyre. Objekti do të jetë shumëfunksional dhe do të mund të përdoret për shumë qëllime, shtoi drejtori Hasku.

Falënderues u shpreh kryetari i fshatit Kapllan Gashi, i cili përkujtoi se grupet artistike që kur kanë qenë mjaft aktive, ka kohë që i kanë përmbyllur aktivitetet kulturore për mungesë të kushteve dhe hapësirës adekuate. Kjo ka qenë nevojë e kahershme, sepse në këto fshatra jetojnë rreth 10 mijë banorë. Në të ardhmen ky objekt do të shërbejë si vatër e kulturës dhe rekreacionit për rupet artistike. Besojmë se kjo qendër do të ndikojë mjaft pozitivisht për të rinjtë, të cilët për mungesë hapësire kanë bredhur nëpër lokale dhe e kanë kaluar kohën kot.

Objekti në fjalë do të ketë 600 metra katror dhe krahas sallës së shfaqjeve do të ketë edhe hapësira të nevojshme për bibliotekë dhe nevoja të tjera të komunitetit. Punimet e fazës së parë do të kryhet në afat prej 100 ditësh, ndërsa për këtë fazë janë ndarë 120 mijë euro, mjete këto të MAPL-së dhe të Komunës së Rahovecit.

VV në Malishevë demanton Ragip Begajn

0

VV ne malisheve 1Lëvizja Vetëvendosje! në Malishevë, ka reaguar edhe sot kundër kryetarit të Komunës, Ragip Begajt. Sipas VV-së prononcimi i djeshëm i Begajt lidhur me komunikatën “Çka po fsheh Kryetari i Komunës së Malishevës Ragip Begaj është i pa vërtetë dhe kundërthënëse.

“Dëshirojmë që t’ia sqarojmë Begajt dhe publikut se ai dhe qeveria lokale të cilën e udhëheqë është i obliguar ligjërisht t’u përgjigjet kërkesave tona dhe të gjithë qytetarëve të interesuar për qasje ne dokumente zyrtare brenda afateve ligjore. Kryetari Begaj nuk mund të fshihet prapa faktit se Komuna ka punë të tjera. Së pari sepse përgjigja në kërkesa për informim është, punë dhe detyrim ligjor, së dyti çdo asamblisti i duhen krijuar kushtet për punë duke ia kompletuar informacionin që kërkon. E së treti, që nuk lidhet me detyrimin ligjor është sjellja konkrete me punën e përgjegjshmërinë, fakt të cilin e dimë të gjithë në Malishevë, e di dhe Kryetari se sot drejtorët Komunal më shumë rrinë në lokale me biznesmenë se sa në vendin e tyre të punës ku do të duhej t’i shërbehej publikut”, thuhet në reagimin e VV-së në Malishevë.

“Po ashtu nga 7 kërkesat që nuk kanë marrë përgjigje, vetëm një është projekt që ka kaluar para disa viteve, të tjerat janë shumë aktuale dhe ky është fakt që e demanton Ragip Begajn”.

“Ndërkohë në lidhje me deklarimin e tij se ku paskemi qenë ne më herët, po ia sqarojmë edhe njëherë Kryetarit Begaj se ishte ai që edhe më herët kishte penguar qasjen në dokumentet zyrtare, në kohën kur ishte nën petkun e PDK-së si Kryesues i Kuvendit Komunal të Malishevës dhe këtë vendim antiligjor që mban nënshkrimin e tij e keni të bashkëngjitur”.

“Kryetari Begaj bashkë me ish-bashkëpartiakun i tij Isni Kilaj në dy vendime njërin të nënshkruar nga vet Ragip Begaj me datë: 08.10.2012 dhe tjetrin të nënshkruar nga ish-Kryetari Isni Kilaj me datë: 09.10.2012 kishin penguar Lëvizjen VETËVENDOSJE! në angazhimin për transparencë”.

“Këto dy vendime që mbajnë dy data tregojnë se si Ragip Begaj iu paraprinte me vendime antiligjore për jo transparencë vendimeve të Isni Kilajt po ashtu për jo transparencë ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe publikut “

“Këto vendime janë fakte për Ragip Begajn dhe e demantojnë atë se ku paskemi qenë më herët ne si VETËVENDOSJE! Dhe po ashtu e demenatojnë pastertinë e tij të cilën e ka vetëm teorike. Kjo sjellje e Kryetarit e forcon edhe më shumë bindjen tonë të shprehur edhe me fakte se prapa këtyre projekteve fshihen keqpërdorime të parasë publike në të cilat Kryetari i tanishëm dhe bashkëpunëtorët rreth tij kanë qenë dhe janë të përfshirë dhe tregojnë qartë se Begaj është një Kryetar i kapur dhe nuk e do transparencën”./PrizrenPress.com/

Zhbogar: Në Beograd të gjithë humbën

0

Zhbogar6-13Shef i zyrës së BE në Kosovë, Samuel Zbogar ka komentuar incidentet e ndodhura më datën 14 tetor, në stadiumin “Partizani”, në Beograd, gjatë Serbi-Shqipëri, ku huliganët serbë u futën në fushën e gjelbër dhe situata precipitoi në skena dhune.

Sipas Zbogar, Bashkimi Europian ndjen keqardhje për incidentet e ndodhura në Beograd. “Sporti duhet t’i bashkojë njerëzit.

Disa ndeshje po krijojnë emocione negative”- është shprehur Zbogar. Duke mos cilësuar si fitues asnjë nga palët, Samuel Zbogar u shpreh se “të gjithë humbën në Beograd”.

Çoçaj: LDK-ja po shpif

0

Nexhat cocaj DKADrejtori i Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj ka demantuar të gjitha akuzat e LDK-së. Sipas tij, LDK-ja në Prizren po vazhdon të shpif dhe të zbehë imazhin e arsimit në këtë qytet.

“Për hir të opinionit publik, ashtu siç ka konstatuar edhe Policia e Kosovës, siguria në shkollat e Komunës së Prizrenit është më e mirë se në çdo qytet të Kosovës, por dy ngjarjet e fundit gjetja e një arme me gaz dhe zënka në një shkollë na kanë detyruar që të kërkojmë nga Policia që përmes kontrollimeve të shkollave, ta ngrisim edhe më shumë nivelin e sigurisë në shkolla”, thuhet në reagimin e Çoçajt.

”Ndërsa sa i përket “konstatimeve” të komisionit për arsim të LDK-së, duhet të shtoj faktin se vet anëtari i këtij komisioni është duke u dënuar në gjykatë për vjedhjen e të dhënave personale në bankë, të cilat më pas i ka shfrytëzuar për shpifje ndaj meje. Dhe këtu besoj se shumë shpejtë drejtësia do ta thotë fjalën e vet”.

“Ndërsa sa i përket rastit të nxënësve të mjekësisë më duhet të shtoj se është një shpifje e radhës, sepse fatmirësisht në asnjë shkollë të Komunës së Prizrenit nuk ka ndodhur asnjë rast i therjes, për çka mund të vërtetohet edhe në polici. Por, edhe zënkat, që kanë ndodhur për ne janë të papranueshme dhe kemi kërkuar që të shtohet siguria në shkollat”.

“Komisioni pa pasur informacione të sakta ka potencuar edhe për disa punësime, që sipas këtij komisioni janë pranuar pa konkurse. Më duhet të sqaroj se sekretarët në “Ibrahim Fehmiu” në Arbanë dhe në “Abdyl Frashri” janë me kontratë për shërbime të veçanta dhe për hir të opinionit duhet të sqarojmë se sekretarët e shkollave janë shërbyes civil, për të cilët është përgjegjëse zyra e personelit në Komunës”.

“Për hir të opinionit publik duhet të theksojmë se këtë vit Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren është përballur edhe me 62 mësimdhënës të klasave të XIII, që kanë mbetur norma dhe na është dashur që t’i risistemojmë dhe normalisht për ata nuk është hapur konkurs, por u është vazhduar kontrata aty ka pasur vende të lira”.

“Komisionit për Arsim të Degës së LDK-së në Prizren ua rikujtojmë se shpifje dhe shantazhe nuk ndihmohet arsimit, po harrojnë se me këto shpifje po i lëndojnë mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe qytetarët e Prizrenit. Sepse çdo kush e di se arsimi në komunën tonë është model për komunat tjera në Kosovë”./PrizrenPress.com/

Sali Asllanaj: LDK të gjejë zgjidhjen për Shtetin

0

SaliAsllanaj-ldkNëse do të kishte vullnet për pesë minuta do të gjendej zgjidhja e bllokadës politike. Por, mungon vullneti i liderëve të cilët e kanë harruar interesin e shtetit dhe të qytetarëve.

Pavarësisht kësaj, LDK duhet të gjejë një zgjidhje për të mirën e shtetit. Kjo situatë nuk duhet të vazhdojë më sepse më mirë është të kemi një qeveri të keqe se sa vendi të funksionojë pa qeveri. Kryetari i Degës së LDK’së dhe i Komunës së Therandës, Sali Asllanaj, flet për Express.

Express: Sipas jush, cila duhet të jetë zgjidhja e kësaj bllokade politike, ku PDK dhe Blloku nuk po lëshojnë pe sa i përket Kryeparlamentarit?

S. Asallanaj: Së pari, dua ta shpreh shqetësimin tim dhe të shumë qytetarëve të Kosovës, se me zhvillimet në qendër jam shumë i pakënaqur pa dashur t’i fajësoj veç e veç asnjërin subjekt politik. Por, secili e di se ka nevojë për me u marrë vesh. Realisht, këto probleme zgjidhen për pesë minuta, por deri më tash është duke munguar vullneti i të gjitha palëve për një marrëveshje. Pra, mbi të gjitha duhet të jetë marrëveshja për të dalë nga kjo situatë.

Express: Cili duhet të jetë roli i LDK’së në krejt këtë situatë?

S. Asallanaj: Zgjidhja gjithmonë duhet të gjendet në bazë të fuqisë politike të secilës parti sipas rezultatit zgjedhor. Kjo i bie qe në asnjë mënyrë të mos lëshohet pe për pozicionet ose për pozitat e pushtetit që eventualisht të takojnë. Parimisht, po flas pa hyrë në detaje.

Express: Disa zyrtarë të LDK’së kanë kërkuar rishqyrtimin e marrëveshjes LDK-AAK-NISMA dhe që Isa Mustafa të bëhet Kryeministër. Si e shihni një mundësi të tillë?

S. Asallanaj: Gjithmonë, rishqyrtimet e marrëveshjeve janë me dhimbje shumë. Sepse rishikimi i marrëveshjes nënkupton që duhet të pajtohet edhe pala tjetër. Pra, rishikimi i marrëveshjes është çështje e ndjeshme, por i mbetet Kryesisë së LDK’së dhe Kryetarit Mustafa të gjejnë një zgjidhje në favor të Kosovës. LDK është veçuar me konceptin institucionalist që gjithmonë ka lëshuar pe dhe është sakrifikuar për të mirën e Shtetit.

Express: Mirëpo, deri më tash Blloku e ka dëshmuar se më të rëndësishme e ka pozitën e Kryeparlamentarit se sa largimin e shpejtë të Thaçit nga pushteti?

S. Asallanaj: Ky Blloku nuk e ka të sigurt se eventualisht se pas votimit të Kryetrarit të Kuvendit do t’i lejohet të formojë Qeverinë. Në asnjë mënyrë nuk është shprehur një gatishmëri prej PDK’së që do të ndodhë një gjë e tillë. Përkundrazi, PDK po pretendon se mandati i parë dhe i dytë për formimin e Qeverisë iu takon atyre. Kjo lë të kuptohet se ose “ne ose në zgjedhje”. Do të duhej të lëshonin pe secili dhe të shohim se ku është problemi.

Express: Cila është ideja juaj – një Qeveri gjithëpërfshirëse, teknike apo…?

S. Asallanaj: Një Qeveri me marrëveshje ku kushtimisht po them se edhe formimi i Qeverisë më të keqe është më mirë se sa jemi aktualisht. Një Qeveri patjetër, një qeveri, e cila përfaqëson interesat e qytetarëve të Kosovës e jo interesat personale të liderëve të partive.

Express: Rrjedhimisht, sipas jush, të gjithë liderët pa përjashtim po i këqyrin interesat personale dhe e kanë harruar interesin e qytetarëve?

S. Asallanaj: Absolutisht, ky konstatim qëndron dhe është i vërtetë.

Haradinaj: Kemi qëndrim të njëjtë me minoritetet, s’duam zgjedhje

0

Ramush Haradinaj14-14Ka përfunduar takimi i Bllokut me minoritetet. Me të dalë nga takimi, Haradinaj ka thënë se kanë diskutuar për zhagitjen e procesit të formimit të institucioneve.

Ai ka thënë se askush nga pakicat nuk do të shkojë në zgjedhje, ndërkaq ka theksuar se kanë marrë konfirmimin e pakicave se ata do ta përkrahin palën që e ka shumicën.

Haradinaj, ka thënë se do të kërkojnë nga presidentja që të kërkojë sqarim për pikën 127 nga Gjykata Kushtetuese, mirëpo nuk e ka përjashtuar mundësinë që këtë ta bëjë edhe vetë blloku.

Yagcilar: Zgjedhjet nuk janë opsion

Yagcilar-grupi 6plus“Kemi pasur një takim konsultativ, për të diskutuar për mënyrën se si mund të dalim nga bllokada, kështu që kemi konstatuar se zgjedhjet nuk janë opsion i favorshëm për vendin”, ka thënë Yagcilar, pas takimit me Bllokun.

Ai ka thënë se nuk është çështja se dikush po pengon, por problemi qëndron në atë se duhet sqaruar të drejtat ligjore.

Yagcilar vlerëson se do të ishte mirë që presidentja apo blloku t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje./Express/

Në Beograd. Të mundësh një “armik” të lig dhe budalla

0

Andi BushatiShkruan: Andi Bushati

Pak përpara se të niste zallamahia, atje, në stadiumin « Partizani » të Beogradit, gjeta kohën mes tensionit të asaj ndeshjeje nervëshkatërruese të shkëmbeja batuta me një nga kolegët e mi. Shkak u bë një episod anekdodik, por shumë domethënsës. Në skajin tjetër të fushës, diku aty mbi tunelin nga hynin dhe dilnin lojtarët, një grup ultrasish të skuadrës Serbe, po digjnin një flamur: ishte flamuri i NATO-s. Shiko, shiko, i thashë gazetarit që kisha pranë, edhe sot, 15 vite më pas, këta idiotë duan të na identifikojnë me pahir me NATO-on, duke u vetshpallur njëkohësisht si armiq të saj. Kaq thashë në atë moment. Nuk përmenda Millosheviçin dhe tragjedinë që ai i la pas vendit të tij; as sindromën vetshkatërruese të serbëve që përsëritet në mënyrë ciklike në histori, që nga koha e betejës së Fushë Kosovës e deri tek bisedimet e Rambujesë; madje as patologjinë e një kombi që di të rendë pas vetëflijimit, duke ruajtur në kujtesën kolektive kryesisht vetëm disfatat.
As nuk kisha kohë dhe as nuk ishte vendi ti kujtoja të gjitha këto. Në fund të fundit, unë dhe kolegët e mi, ishim aty për të parë një ndeshje futbolli. Qeshë i bindur për këtë, madje nuk hezitoja të ironizoja (me kozmopolitizmin sipërfaqësor të një pjese të Tiranës kaviar do të thoshte ndonjë miku im kosovar) ata që kërkonin të shihnin tek kjo përballje sportive shumë më tepër sesa kaq. Duhet ta pranoj se isha gabuar. Dhe jo pak.

Sepse përballë u ndesha me një kor gjigand që thërriste pa pushim: “vdekje shqiptarëve”. Me një ndeshje që filloi me këndimin e këngëve të çetnikëve dhe vazhdoi me vërshëllimën në kor të himnit tonë. Me policë të çoroditur që bënin çmos të nervozonin tifozët që në aeroport. Me futbollistë milionerë, që më shumë sesa të bënin detyrën e tyre si profesionistë, si lojtarë të mirfilltë të Premier Ligës, u pëlqente të shiteshin si patriotë dhe të përdhosnin flamurin e kuq të “armikut”.

Më pas, kur u gjenda nën goditjet me sende të forta që vërshonin drejt ndejtëseve ku qenë ulur tifozët e paktë kuq e zi; me brutalitetin e forcave të rendit që nuk të linin të shihje më atë që po ndodhte në fushë; me thirrjet që vazhdonin për vdekjen e shqiptarëve, e kuptova se nuk po asistoja thjesht në një ndeshje futbolli.

Disa orë më vonë, tek qëndronim në avion, për të lënë njëherë e mirë tokën beogradase, të njëjtën gjë do të më pranonin edhe shumë nga futbollistët që kishin qenë në fushë. Lenjani kishte akoma pjesë të trupit që i dhimbnin. Debatik Curri e Taulant Xhaka po ashtu. Lorik Cana, kapiteni që ish ulur në fund të avionit, më shumë ishte krenar për grushtat që kish dhënë sesa për goditjet që kishte marë.

Por, të gjithë tregonin se kishin kaluar nëpër një ferr. Jo atë që u pa “live” nëpër ekrane: me karrike që thyheshin në kurriz e me grushta tifozësh që mësynë në fushë. Jo, jo, një tjetër edhe më të rëndë. Kur kishin lënë fushën e lojës, pas agresionit barbar të ultrasve serbë, aty në tunelin që të çonte në dhomat e zhveshjes, i kish pritur një barbari edhe më e madhe. Policë dhe civilë, puntorë të stadiumit dhe badigardë pa uniformë, kishin lëshuar shkelma dhe grushta mbi ta.

Shenjat e gjithë kësaj batërdie ishin të dukshme edhe në avionin e kthimit, megjithëse lojtarët shqiptarë, të flisnin me bezdi për to. Ata kërkonin të tregonin pjesën e tyre inteligjente dhe fine. “Donin të na e punonin,- më tha një moment Ansi Agolli-, por ne u treguam më të zgjuar. Kur lojtarët tanë ishin në dhomat e zhveshjes, serbët ishin të çmendur me mjetin fluturues që u ngrit mbi stadium, dhe ata do të kenë menduar ndonjë hile. Kanë menduar që për të provokuar të gjithë atë që ndodhi, këtë mjet e kishin ngritur në stadium anëtarët e delegacionit shqiptar.

Prandaj, gjë e pa dëgjuar ndonjë herë, ata futën katër pjestarë civilë të shërbimit sekret, për të kontrolluar dhomën tonë. Ndoshta kishin dhe qëllim tjetër- vazhdon Ansi Agolli. Ndoshta donin të na fusnin ndonjë paisje të ngjashme në mjediset tona, për të ngritur pastaj alibinë se i gjithë provokimi ishte projektuar nga ne. Por, -më thotë ai- ne i bllokuam. Si me komandë ndezëm të gjithë smartfonët tanë dhe filluam ti filmonim. Ata u gjendën të përgjuar dhe nëse kanë patur ndonjë qëllim të keq me prapamendim, nuk arritën ta bënin”.

Po, po u treguam më të zgjuar, thotë me të qeshur Bulku, që i ulur fare pranë sediljes së Agollit e ka dëgjuar krejt rrëfimin e tij.
Pse vërtet – mendoj,- kaq me budallallëk dhe symbylltësi kanë hyrë në këtë betejë “armiqtë” tanë? Ç’u duhej ta fillonin këtë histori me këngë cetnikësh? Ç’u duhej i gjithë ai presion policor? Ç’kishin me himnin? Ç’u duhej përdhosja e simboleve shqiptare, kur mund të na mundin kollaj në fushën e lojës? Pse i duhej një futbollisti si Mitroviq, të rendte për të kapur në ajër pëlhurën me portretin e Ismail Qemalit, ndërkohë që mund t’i mposhtte profesionalisht, pasardhësit e tij?

Këta serbë, ekipi i të cilëve kushton mbi 120 milionë euro, pra së paku dhjetë fish më tepër sesa i yni, që luanin në fushën e tyre, që vinin nga një shkollë futbolli me emër, i kishin të gjitha kartat në dorë për të na mundur. Por, ata nuk zgjodhën këtë. Ata zgjodhën të sillen si bij të denjë të Arkanit. Ata donin medalien e nacionalistit dhe jo nderimin e profesionistit. U sollën si budallej dhe nuk na mundën dot. Dolën nga fusha me turp dhe të përqeshur nga mbarë bota.
“Kishe të drejtë me historinë e flamurit të Natos- më thotë kolegu im. Edhe atëherë në vitin e largët 1999 ata u sollën po njësoj. Kishin në dorë ta gjenin fjalën me shqiptarët. Të uleshim me ta. Madje dhe ti dominonin. Nëse kjo do të kish ndodhur, Kosova edhe sot nuk do të që kurrë e pavarur. Por, ata edhe atëherë zgjodhën rrugën e disfatës heroike. I shkuan pas çmendurisë së Milloshevi çit dhe u ndëshkuan me bombat e NATO-s. Ata më mirë preferojnë të humbasin si heroj, sesa të fitojnë si njerëz normalë”.

Në përmasa të tjera e njëjta fabul u përsërit të martën e 14 tetorit në stadiumin “Partizani” të Beogradit. Ne kishim përballë një ekip që ndofta edhe mund të na mundte. Madje kish shumë gjasa ti’a arrinte kësaj. Por si lojtarët dhe aq më shumë tifozët e tyre zgjodhën të sillen si budallej. Budallej dhe të ligj. Sindroma e humbësit të përhershëm u rishfaq tek ata.

Ishte e lehtë ti bëje këto komente teksa pas orës 1 të mëngjesit, ne qëndronim ende pa arsye, të ngujuar në autobus, përpara godinës së aeroportit. Askush nuk na thoshte asgjë. Autobuzi as nuk lëvizte, as nuk i hapte dyert. Kjo qe “hakmarrja” e fundit e pilocisë sebe ndaj nesh.

Një prej derejtuesve të tyre na tha një moment se do na kërkohej të mbushnim një formular. Përse? Për çfarë? Që të dëshmonim se po largoheshim shëndosh e mirë? Që të dëshmonin se ata nuk ishin treguar harbutë? A mos vallë serbët po e kuptonin se kishin rënë në kurthin e ngritur prej vetë atyre? Se edhe njëherë ishin treguar të këqijtë e vetvetes?

Këtë, në një farë mënyre, e pohonin edhe drejtuesit e kombëtares shqiptare. Homologët serbë i ishin lututur tanëve disa herë të riktheheshinn në fushë. Ta vazhdonin lojën. Me sa duket edhe ata e kishin kuptuar figurën që kishin bërë dhe kërkonin të rikuperonin më të mirën e mundshme. Por tashmë ishte vonë. Tejet vonë.

Avioni çarter me kombëtaren e Shqipërisë dhe ata pak tifozë e gazetarë, u ngrit nga aeroporti i Beogradit aty rreth orës 2 30 të mëngjesit. Pas një ore udhëtim ata u gjendën në festën madhështore të organizuar në Rinas. Mijra vetë këndonin “O sa mir me qenë shqiptar o eeeee…” Në sytë e tyre nuk kishte ligësi. Kishte gëzim. Gëzimin e përligjur jo se qemë treguar më të fortë, por thjeshtë se ishim treguar më të zgjuar.