19 C
Prizren
E diel, 24 Gusht, 2025
Home Blog Page 7889

Spartak Ngjela: Letra e Jorgaqit për Kadarenë? Shenjtorët nuk preken

0

Spartak NgjelaBefas lexova nëpërmjet “FB”- së një letër të “Hapur” që i ishte dërguar Ismail Kadaresë nga shkrimtari Nasho Jorgaqi. U habita posa kalova njëzet rreshta të saj dhe e pashë se flitej për një konkurrencë krijimesh letrare: përkatësisht, dy novela me të njëjtën temë. Pastaj e kuptova se nuk ishte një konkurrencë, por thjesht një humbje arsyeje nga Jorgaqi. Habi e madhe, sesi ende vijojnë të godasin Kadarenë, ata që ende nuk u besohet se ka rënë realizmi socialist… Megjithatë, për një gjë jam i sigurt, që atë s’e ka rrëzuar Ismail Kadare, sepse edhe Bashkimin Sovjetik s’e ka rrëzuar Ismail Kadare, dhe as Perandorinë Turke s’e ka rrëzuar ky, edhe pse Kadare ka folur me stigmatizim dhe letrarisht kundër tyre. Por ajo që s’e kuptoj dot, që nga viti 1973, është pyetja: Këta sovjetikë apo otomanë, s’e kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë… që kjo, esencialisht është përplasja e krijimit të lartë letrar me tiraninë, ideologjike, sidomos?

E pse të zgjatem: I Santi non si toccano!
Si ka mundësi që të “akuzosh” një nga shkrimtarët më të mëdhenj të botës sot, se “po pretendon me pa të drejtë që ka qenë disident” kundër regjimit tiranik të Tiranës, në një kohë që kjo s’i jep asnjë vlerë më shumë veprës së tij? Letërsia nuk është dëshirë për të shkruar, kjo s’mjafton: ajo është vlerë artistike që e merr vlerësimin mes arsyes komperative të modeleve të mëdha. Nuk e di se çfarë mund të jetë më e rëndë për një regjim si ai i tiranisë “Hoxha”, sesa një roman si “Pallati i Ëndrrave”. Pa dyshim që ky roman është një vlerë kombëtare, në fillim, e mandej edhe botërore. Atje është stilizuar me art të madh ferri hoxhian, por dhe ferri i të gjitha tiranive – më saktë, vetë Komiteti Qendror dhe Enver Hoxha bashkë me të. Nëse nuk e kuptojnë, të paktën ta shijojnë artistikisht…

Shumë vjet përpara, ndoshta rreth vitit 1994, e kam takuar Kadarenë në Hotel Dajti, pas nëntëmbëdhjetë vjetësh, dhe jo pa një ndjenjë kureshtjeje i kam thënë: “Nga ‘Pallati i Ëndrrave’, ka dalë romani total që ke shkruar, dhe e ke titulluar ‘Koncert në Fund të Dimrit’”. Isha i sigurt për këtë, por nuk isha i sigurt për pohimin e autorit, sepse një pyetje si kjo nuk mund të lejohet t’ia bësh autorit. Janë dy vepra këto që më kanë pëlqyer veçanërisht në letërsinë botërore. Por, për shumë e shumë arsye, Ismaili ndenji disa sekonda dhe pa ndrojtje e pa qejfmbetje më tha:

“Po, nga ai ka dalë”.
Me këtë dua të them se ka një kontinuitet kadareian në veprën e Ismail Kadaresë. Ato janë të lidhura, por kanë një specifikë të përbashkët: tragjizëm dhe patriotizëm, histori universale dhe krijim tronditës që bashkon kohët – lashtësinë greke, Mesjetën dhe kohët moderne. Por Jorgaqi më detyroi që të lexoja “Mjegullat e Tiranës”, se kisha lënë ta lexoja në muajin gusht…
Nuk u habita nga vlera artistike e kësaj novele, por nga një fakt tjetër: Tragjiku shqiptar, paska edhe ky një Romeo e Zhulietë moderne… Siç duket, kjo qenka një propensitet natyror (tendencë natyrore) e shkrimtarëve të mëdhenj.

Kurse kritiku e “akuzonte” se kjo novelë është shkruar tani. Si ka mundësi të flitet për datën e shkrimit për një vepër arti? Madje, sipas tij, kjo ka ardhur dhe “është shkruar tani”, se “Kadareja kërkon padrejtësisht të tregohet disident kundër tiranisë ‘Hoxha’”. Po ku ka disidencë kundër regjimit në këtë novelë? A mund të krahasohet kjo novelë për kundërtinë e saj antitiranike (që s’ka fare), sado e bukur që është, me “Pallatin e Ëndrrave”, apo me “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur”, apo me “Kronikë në gur”, për të mos përmendur dhe shumë të tjera?

Nuk e kuptoj përse nuk përmbahen dot ca shkrimtarë…. Pastaj, si mund të atakohet një shkrimtar me staturë botërore, në një kohë kur vlera e tij sot, në një sens historik, nuk është fare më shumë vlerë për të, sesa për vetë shqiptarët?! Pse këta njerëz duan t’ua zbehin shqiptarëve edhe një vlerë të letërsisë botërore që kanë, në këtë kohë kaq të vështirë për historinë e tyre, nga naiviteti apo nga ligësia?

Gjithsesi, e pse duhet ta analizoj këtë? Mjafton shprehja që me mirëdashje dua t’iu them disave që kanë këtë tendencë: I Santi non si toccano; sepse nuk humbet vlera e Shenjtorit, por ajo e atakuesit. Historia, në funksion të vlerës dhe antivlerës, nuk ka kursyer asnjë njeri, kushdo që ka qenë ky… Edhe nëse të ka marrë temën, kjo nuk është asgjë: shumica e tragjedive shekspiriane kanë qenë shkruar para sesa t’i shkruante Shekspiri. Por, më e vështira për t’u kuptuar është fakti që kjo temë, paska qenë një ngjarje personale e vetë Kadaresë…
* Postim i avokatit në “Facebook”

LDK-AAK-NISMA, kërkojnë nga PDK që të mos i zaptojnë institucionet

0

blloku opozitarLiderët e bllokut LDK-AAK-Nisma, Mustafa, Haradinaj e Limaj, janë takuar sërish. Ata kanë kërkuar nga të gjitha institucionet që të respektojnë Kushtetutën e vendit. Isa Mustafa, që ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit, pas pezullimit nga Kushtetuesja me një masë të përkohshme, ka thënën se askush nuk duhet të luajë me votat e shumicës së deputetëve, raporton KTV.

Mustafa ka thënën se janë takuar që të diskutojnë për hapat e ardhshëm që do t’i marrë Qeveria e kryesuar nga Ramush Haradinaj.

Ndërkohë, edhe i nominuari për kryeministër i bllokut të koalicionit paszgjedhor, Ramush Haradinaj, ka thënë se PDK-ja është e interesuar ta prolongojë sa më shumë konsolidimin e institucioneve të vendit. “Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim të drejtë, duke respektuar vullnetin e me shumë se 80 deputetëve. PDK-ja të mos tentojë sërish t’i zaptojë institucionet, siç bëri në seancën konstituive”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërkohë Limaj ka thënë se PDK-ja mund të tentojë sa të dojë ta zgjasë procesin e konsolidimit të institucioneve, mirëpo, sipas tij, asnjëri nga partnerët e koalicionit nuk do të ulet në tavolinën e bisedimeve me partinë e Thaçit. Sipas tij, koalicioni është stabil dhe do të vazhdojë agjendën e vet të ndërtimit të institucioneve, duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Korab Sejdiu: Gjykata Kushtetuese po keqpërdoret nga klasa politike

0

Korab_Sejdiu-avokatJuristi Korab Sejdiu, i cili me kompaninë e tij të avokatëve ka fituar disa raste në Gjykatën Kushtetuese, ka analizuar në një intervistë për Express situatën e fundit politike të krijuar pas nisjes së rastit të Krye-parlamentarit Isa Mustafa nga ana e PDK’së në këtë Gjykatë. Ai vlerëson se ka pasur bazë të mjaftueshme që Mustafa të mos pezullohej nga posti i Kryeparlamentarit, derisa bënë vërejtje që Kushtetueses në këtë vendim i mungon edhe arsyetimi. Korab Sejdiu, një ish-këshilltar i Presidentit Fatmir Sjediu dhe më vonë pjesë e ekipit që përgatiti lëndën e cila rrëzoi Behgjet Pacollin nga posti i Presidentit, thotë se ky institucion po keqpërdoret nga klasa politike, duke e shfrytëzuar këtë institucion për zgjidhjen e problemeve politike. Sejdiu vlerëson se Kushtetuesja nuk duhet të përgjigjet për pjesën më të madhe të pyetjeve që ia ka bërë PDK’ja, pasi që nuk janë kompetencë e saj.
Express: Si e komentoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Isa Mustafës si Kryetar i Kuvendit?

K. Sejdiu: Vendimi i Gjykatës në rastin KO 119/14 është një vendim procedural dhe jo i pazakontë në raste si ky, ku Gjykata vlerëson se në mungesë të një mase të tillë, do të krijoheshin dëme, apo thënë më mirë për rastin konkret, rrethana të pariparueshme, të pakthyeshme. Vlen të potencohet se kjo masë e përkohshme në asnjë mënyrë nuk e paragjykon epilogun e rastit, mirëpo deri diku e përcakton që rasti ka kaluar testin e pranueshmërisë.

Express: A ka pasur mundësi ligjore që ai të mos pezullohet- pra, t’a vazhdojë këtë detyrë deri në një vendim të Gjykatës?

K. Sejdiu: Natyrisht. Vendosja e masës së përkohshme është në diskrecion të plotë të Gjykatës, gjithmonë duke u bazuar në dhe respektuar kriteret e përcaktuara me Rregullin 55 të Rregullores së Punës të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, Gjykata ligjërisht ka mundur të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme, siç edhe bënë në shumë raste të tjera, mirëpo besoj se duke pasur parasysh rrethanat konkrete, Gjykata ka vepruar në mënyrë të duhur duke vrojtuar nevojën për një masë të tillë si parandalim për një mori veprimesh të tjera nga institucionet tona që do të duhej zhbërë sikur epilogu të ishte në favor të parashtrueseve të kërkesës. Prandaj, masa e përkohshme mbanë çdo gjë pezull, deri sa të vendoset përfundimisht rasti.

Express: Si duhet të veprojë në këtë rast Mustafa- a bënë shkelje nëse ai vazhdon të rri në zyrën e Kryetarit të Kuvendit?

K. Sejdiu: Z. Mustafa, sikur edhe të gjitha institucionet dhe personat e tjerë në Kosovë, duhet ti bindet vendimeve të Gjykatës Kushtetuese pasi që ato vendime janë të obligueshme për të gjithë ne. Prandaj, për të evituar çfarëdo keqkuptimi, në këtë rast, të gjithë duhet të përmbahen nga të gjitha veprimet që mund të cilësohen si shkelje e vendimit në fjalë.

Express: Tash, sipas këtij vendimi, a ka Kosova kryetar të Kuvendit dhe nëse po, kush i bie të jetë ai?

K. Sejdiu: A ka Kosova kryetar të Kuvendit apo jo do të dihet përfundimisht kur Gjykata Kushtetuese shpallë Aktgjykimin në rastin KO 119/14, ku edhe në mënyrë përmbajtjesore do të jep qëndrimin e saj përkitazi me të gjitha pretendimet e palës parashtruese dhe atyre përgjegjëse. Çfarëdo përgjigje tjetër nga unë, do të ishte e parakohshme dhe do të paragjykonte epilogun.

Express: Si këshilltar i ish-Presidentit Fatmir Sjediu, ju ishit pjesë e ekipit që bëri ankesën ku u rrëzua nga posti i Presidentit Behgjet Pacolli. A ishte pezulluar ai nga posti i Presidentit deri në nxjerrjen e vendimit për rastin e tij?

K. Sejdiu: Për të evituar ndonjë keqkuptim, dua të them se unë kam qenë pjesë e ekipit që ka përgatitur kërkesën në rastin KO 29/11, që tash veç njihet si Rasti Pacolli. Kërkesa në fjalë është paraqitur disa muaj pasi që kam përfunduar shërbimin si këshilltar juridik i Presidentit Sejdiu, dhe në rastin në fjalë jam angazhuar nga subjekti politik që ka sfiduar zgjedhjen e z. Pacolli, në cilësinë time si avokat i licencuar në SHBA (NeË York, NeË Jersey dhe Pennsylvania) dhe njeri që ka përvojë në të drejtën kushtetuese.

Në atë rast, me sa më kujtohet, dhe me falni për ndonjë gabim eventual pasi që po flas nga kujtesa që është zbehur pak me kalimin e kohës, Gjykata nuk pati lëshuar masë të përkohshme për pezullim, mirëpo, prapë, nëse me kujtohet saktësisht, kjo nuk iu pat kërkuar Gjykatës Kushtetuese nga parashtruesi.

Express: Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, a jep indikacione që Gjykata Kushtetuese po përdor standarde të dyfishta në raste të ndryshme?

K. Sejdiu: Të gjithë ne që kemi përvojë me kërkesa të parashtruara në Gjykatën Kushtetuese, besoj se kemi vrojtuar se ka deri diku një mungesë konsistence në vendimet dhe aktgjykimet që lëshon kjo gjykatë. Kjo besoj që është pasojë e fazës foshnjore në të cilën gjendet ky institucion, ku edhe mungon një jurisprudencë e gjerë kushtetuese mbi të cilën Gjykata mund të bazohet kur i merr vendimet e saj.

Për mua, sa i përket rastit të fundit, është vështirë të cilësohet nëse Gjykata po përdorë standarde të dyfishta sepse fillimisht, siç thashë me herët, me sa më kujtohet, në Rastin Pacolli, masa e përkohshme nuk u patë kërkuar nga parashtruesi. Po ashtu, ndër të tjera, rrethanat janë të ndryshme sa i përket dy rasteve, por njëkohësisht, edhe pjesa arsyetuese e Vendimit për Masë të Përkohshme në rastin në fjalë, pra pjesa që e arsyeton pse pezullimi është i nevojshëm, thjeshtë mungon. Rrjedhimisht, është vështirë të bëhen krahasime.

Express: Duke pasur parasysh që keni fituar raste në Gjykatën Kushtetuese, cili prisni që do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese në ankesën e PDK’së për procesin e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit?

K. Sejdiu: Në kuadër të firmës Sejdiu & Qerkini, neve na u janë besuar një numër i madh i rasteve, ndoshta edhe më së shumti nga të gjithë, dhe jemi mirënjohës që kemi fituar një pjesë të konsiderueshme të tyre, disa prej të cilave janë raste që të tjerët po i quajnë “landmark” për jurisprudencën kushtetuese kosovare.

Pavarësisht nga kjo, duke pasur parasysh kompleksitetin e lëndës dhe duke mos dëshiruar që të ndërhyjë në punën e Gjykatës, unë kisha hezituar të bëjë parashikime sa i përket epilogut. Por çka mund të bëjë është t’i jep disa sugjerime dhe komente, që besoj janë të nevojshme për t’iu dhënë kredencë.

Fillimisht, kam drojën se Gjykata Kushtetuese po keqpërdoret nga klasa politike, duke e shfrytëzuar këtë institucion jo sikur autoritetin përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, mirëpo sikur një institucion për zgjidhjen e problemeve politike. E ky rol nuk i lejohet kësaj gjykate, dhe asnjë gjykate tjetër, sepse ekziston një doktrinë e mirënjohur në tërë botën, doktrina e çështjes politike, që mund të gjendet edhe në jurisprudencën evropiane por edhe amerikane, ku theksohet, dhe po e thjeshtëzoj pak, se gjykatat nuk trajtojnë çështje të natyrës politike.

Dhe kërkesa në rastin KO 119/14 ka shumë aspekte që janë çështje politike, e jo domosdoshmërisht kushtetuese. Kjo është vënë re edhe në raste të tjera që iu kanë kontrabanduar Gjykatës Kushtetuese nga klasa politike, natyrisht duke mos pasur kurajo që të marrin vet vendime të vështira politike, siç ishte edhe rasti KO 103/14 i parashtruar nga Presidentja, rasti për imunitetin e deputetëve, e kështu me radhë.

Në këto raste, për të zgjidhur këto probleme politike, Gjykata shpeshherë, po shkel edhe standarde kushtetuese të pranueshmërisë së kërkesave, dhe rrjedhimisht po krijon precedent shumë të rrezikshëm për të ardhmen.

Po ashtu, shihet në kërkesë, që pala parashtruese po kërkon në pjesën dërmuese të saj, interpretim të Rregullores së Kuvendit dhe procedurave në organe të Kuvendit, përkatësisht Kryesinë e legjislaturës së kaluar. Nëse bazohemi në atë që ka vendosë më parë kjo Gjykatë, dihet se Gjykata nuk lëshohet në interpretim të ligjeve, ose vendimeve të organeve të Kuvendit, siç është potencuar në rastin KO 115/13, rast i paraqitur nga AAK, ose Rregullores së Kuvendit, siç është potencuar në Rastin Pacolli.

Për më tepër, nëse Gjykata e trajton këtë kërkesë në mënyrë meritore, atëherë duhet të analizojë disa çështje, që po e theksoj sërish, pjesën dërmuese të të cilave edhe nuk duhet fare trajtuar në mënyrë meritore sepse nuk janë brenda kompetencave të Gjykatës.

Ato çështje, ndër të tjera, janë edhe nëse Kryesuesja ka pasur të drejtë t’i shmanget agjendës së përgatitur nga Kryesia e legjislaturës së kaluar, a ka pasur të drejtë Kryesuesja që të mos i jep mundësi diskutimi deputetëve prezent, a ka pasur të drejtë Kryesuesja të drejtë që të ndërpresë seancën konstituive, a kanë pasur të drejtë deputetët të mblidhen sërish dhe të vazhdojnë seancën konstituive, dhe si të tillë, a kanë mundur të marrin vendime.

Thënë thjeshtë, Gjykata këtu ka mundësinë shumë të mirë që të merr një qëndrim të qartë për klasën politike, se problemet e tyre politike duhet t’i zgjidhin vet, e jo të “mbajnë ymyt” gjithnjë e më shumë në Gjykatën Kushtetuese. Ose, në të kundërtën, Gjykata duhet ti hyjë kësaj lënde me themel, dhe të vendosë në çdo pike kontestuese, që në mendimin tim , do të ishte bastardim i kompetencave të Gjykatës.

Express: A prisni që Gjykata t’i japë të drejtë PDK’së edhe në rastin që ata kanë pyetur: Kush është grupi më i madh parlamentar dhe ta shpall koalicionin PDK-PD-LB-PSHDK si grupi më i madh parlamentar?

K. Sejdiu: Çështja e “grupit parlamentar” është një çështje që përmendet në Nenin 67(2) të Kushtetutës, dhe përkufizohet mjaftë mirë në Rregulloren e Kuvendit. Unë nuk mund të paragjykojë epilogun, mirëpo kjo është një çështje që kërkon interpretim të Rregullores së Kuvendit nga Gjykata, që nuk besoj që do duhej bërë.

Por nëse veç trajtohet nga gjykata, atëherë, do duhej marrë parasysh edhe praktikën e deritanishme sa i përket grupeve parlamentare, ku shpeshherë, ato janë formuar përtej bazave partiake, pra siç edhe është rasti i Grupit 6+. Grup 6+ ka garuar si subjekte të ndryshme në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, mirëpo kanë formuar grupin e përbashkët parlamentar para konstituimit të kuvendit. Po ashtu, në mendimin tim, do të ishte shume e pabazuar juridikisht sikur termi “grup parlamentar” të përkufizohej si sinonim i termeve “parti politike” ose “subjekt politik”.

Në fund, bëjë një thirrje për të gjithë, që pavarësisht nga epilogu që mund ta sjellë Gjykata Kushtetuese, të respektohet ky aktgjykim në tërësi dhe me maturi të lartë. Për më tepër, është momenti i duhur të potencohet se ka ardhur koha që klasa politike më në fund të pavarësohet, dhe të merr vendime të vështira politike jo duke u bazuar në ndihmën e ndërkombëtarëve ose të Gjykatës Kushtetuese, por në përgjegjësinë që ne si qytetarë ua kemi besuar.

Transformimi i Johnny Deep

0

Transformimi i Johnny Deep1Johnny Deep është konsideruar si sex simboli më i lakmuar i Hollywoodit, por tashmë ai nuk njihet më. Transformimi i Deep, si pasojë e rolit të tij më të ri në fimin “Black Mass”. Aktori shfaqet me dhëmbë të thyera, me bark dhe flokë të rëna.

Një pamje e tillë “rrezikon” shumë imazhin e mashkullit më të dëshiruar të Hollywoodit. Por, duket se të fejuarës Amber Heard i pëlqen edhe kështu. Deep luan rolin e Whitey Bulger, gangster i Bostonit dhe i kërkuari numër një i FBI-së në SHBA.

Filmi pritet të dalë në të gjitha sallat e kinemasë, më 8 shtator të vitit 2015. Ndoshta, deri atëherë, Johnny Deep edhe mund të jetë martuar me të fejuarën Amber Heard, pas unazës së fejesës që ai i dhuroi përpara disa kohësh.

Transformimi i Johnny Deep2 Transformimi i Johnny Deep3

Edhe një lajm nga Gjykata Kushtetuese

0

GjykataKushtetuese e KosovesGjykata kushtetuese e Kosovës do të vazhdoj të ketë në përbërjen e saj tre gjykatësit ndërkombëtarë deri me 31 qershor 2016. Kjo është njoftuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ligjërisht me 31 gusht të këtij viti është të dashur të përfundoj mandati i tyre. Vazhdimi i mandatit është bërë me arsyetimin se Kushtetuesja po rrezikohet nga dërguarit politikë.

Ligjërisht në fund të muajit gusht Gjykata Kushtetuese është dashur ta ndryshoj përbërjen e saj. Sipas ligjeve që përmbyllin mbikëqyrjen e pavarësisë, presidentja tashmë është dashur të emëroj tre gjykatës të rinj për të zëvendësuar gjykatësit ndërkombëtarë në strukturën e Kushtetueses, të emëruar nga Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO). Megjithatë kjo do të ndodh tek në vitin 2016.

Por, tashmë kur jo më “pavarësia e mbikëqyrur”, por arsyetimi se Kushtetuesja rrezikon të vërshohet nga emisarët politikë që përligjin mandatin e ri të këtyre gjykatësve, kabineti i të parës së vendit “nuk ka koment”.

Kjo është përgjigja e dhënë e këshilltarit të presidentes Atifete Jahjaga,Arbër Vllahiu, kur është pyetur për mandatin e gjykatësve ndërkombëtarë.

Përgjigje nuk ka dhënë as autoriteti më i lartë i shtetit për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve.

Zëdhënësi i Kushtetueses, Veton Dula, gjithashtu i ka thënë Radio Kosovës se aktualisht “hierarkia e Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndonjë përgjigje”.

Por, përgjigje ka pasur një autoritet tjetër, Zyra e Bashkimit Evropian dhe ajo e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian (EUSR) në Kosovë.

“Mandati i tre gjykatësve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese është zgjatur pas shkëmbimit të letrave mes presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton. Ky mandat do të jetë deri në qershor 2016″, thuhet në përgjigjet e Zyrës së BE-së/ EUSR në Kosovë për Radio Kosovën.

Në këtë proces një muaj më herët amerikanit Robert Carolan, J.D, portugezit Almiro Rodrigues dhe bullgares Snezhana Botusharova-Doicheva u ishte thënë që kontratat e tyre nuk skadojnë me 31 gusht.

Kabineti i presidentes dhe Gjykata Kushtetuese vazhdojnë të heshtin edhe rreth procedurave që do të ndiqen për mënyrën e zëvendësimit të tyre në rast se ndonjëri nga ata jep dorëheqje apo për arsye tjera nuk mund ta vazhdoj detyrën.

Para se presidentja e vendit të kërkonte nga Bashkimi Evropian themelimin e Gjykatës Speciale, kreu i Kushtetueses, Enver Hasani i kishte dërguar një letër direkt Bashkimit Evropian, ku ishte kërkuar që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të mos mbetet pa prezencë ndërkombëtare, për shkak të ndikimeve politike.

Kjo përkundër faktit se tashmë është në fuqi infrastruktura ligjore që ka përmbyll pavarësinë e mbikëqyrur, pjesë e së cilës ishte edhe mandati i gjykatësve të Kushtetues të emëruar nga Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) në vitin 2008.

Arsim Bajrami deputet i Kuvendit të Kosovës, që ka marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës vazhdon ta konsideroj këtë si shkelje kushtetuese të të dyja palëve, kreut të Kushtetueses dhe presidentes së vendit.

Megjithatë akoma pa përfunduar procedura për zgjatje mandati një gjykatës vendor i Kushtetueses që nga qershori nuk është pjesë e shqyrtimit të rasteve. Kjo për shkak të procedurave që po ndiqen ndaj tij, pas pjesëmarrjes në një tubim zgjedhor të një subjekti politik.

Sidoqoftë edhe për dy vite të tjera Gjykata Kushtetuese nuk do të jetë institucioni, ku sipas ligjeve në fuqi, gjykatës i saj mund të jetë vetëm personi që ka shtetësinë e Kosovës.

Malishevë: U zbulua busti i dëshmorit Ruzhdi Gjyliqi

0

Busti i deshmorit Ruzhdi GjyliqiSot në oborrin e shkollës në fshatin Marali, u bë zbulimi i bustit të dëshmorit të kombit, Ruzhdi Gjyliqi, i cili kishte rënë 16 vite më parë në betejën e Rahovecit. Zbulimin e bustit e bënë, nëna e dëshmorit, kryetari i Malishevës Ragip Begaj, ish kryetari i Malishevës Isni Kilaj (ish komandant i njësisë “Lumi” të UÇK-së), zv/ministri në detyrë në MPMS Fatmri Shurdhaj dhe bashkëluftëtari i dëshmorit Nuhi Hoxha.

Fillimisht për biografinë e dëshmorit, foli Avdullah Bekolli, bashkëluftëtar dhe bashkë kohanik i dëshmorit Ruzhdi Gjyliqi.  Bekolli foli për angazhimet e dëshmorit në çështjen kombëtare dhe angazhimin në UÇK, deri në rënien e tij, në betejën e Rahovecit, i rënë me 24 korrik, ku bie për të mos vdekur kurrë.

Ndërsa, kryetar i Malishevës, Ragip Begaj, tha se kujtimet e dëshmorit, do të jenë gjithherë në mendjen tonë dhe vepra e tyre do të jetë gjithmonë në historinë e popullit shqiptar.

”Kujtimet e dëshmorit, do të jenë gjithherë në mendjen tonë dhe vepra e tyre do të jetë gjithmonë në historinë e popullit shqiptar, ndërsa ju si familje, bëhuni të fortë dhe të jeni krenar për sakrificën tuaj”, tha Begaj. Ai më pas i uroi për skalitjen në bronz të bustit të dëshmorit.

Ndërkaq, ish komandanti i njësisë “Lumi”, të UÇK-së, Isni Kilaj dhe ish kryetar i Malishevës, tha se është nderë dhe ka qenë nderë të jesh pjesë e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.

“Një prej betejave më të mëdha dhe më të rëndësishme ishte ajo e Rahovecit, ku Malisheva dha shumë dëshmorë, në mesin e tyre ka rënë edhe Ruzhdi Gjyliqi”, tha Kilaj.

Kurse, zv/ministri në MPMS, Fatmir Shurdhaj, foli për veprën e dëshmorit, si dhe për nevojën e mbrojtjes me ligj të luftës së Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, për respektimin e kësaj vlere nacionale.

Edhe kryetari i degës së LDK-së në Malishevë, Januz Kastrati, i uroi për bustin, të gjithë banorët e Maralisë dhe bashkëluftëtarët e dëshmorit dhe në veçanti e uroi familjen Gjyliqi. /PrizrenPress.com/

KDI: 17 % e anëtarëve të KK së Prizrenit ‘flejnë’ në seanca

0

Haxhi Seferqaj-Naim Cahanaj-kdiInstituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar “Fletënotimin” i cili përmban analizë dhe notim për punën individuale të 41 anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit dhe subjekteve politike të përfaqësuara në këtë kuvend për periudhën Janar-Qershor 2014.

Zyrtari i KDI-së Haxhi Seferqaj tha së “qëllimi i publikimit të këtij Fletënotimi është informimi i paanshëm dhe objektiv i qytetarëve për punën e të zgjedhurve të tyre gjatë mbajtjes së seancave të Kuvendit të Komunës së Prizrenit në periudhën Janar-Qershor 2014, notim  ky i bazuar në nëntë shtylla të vlerësimit.

“Anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë në Kuvendin e Komunës së Prizrenit janë: Arbër Rexhaj (LVV) me 7.8  %, Mybera Mustafa (LDK) me 6.7  %, Haziz Hodaj (LDK) me 6.3  % dhe Osman Hajdari (BD) me 6.1 % derisa  Kastriot Krasniqi (PDK), Sehare Maliqi (PDK) %, Nexhat Bytyqi (LDK) , Ganimete Hoxha (BD), Lirije Bytyqi (BD), Munir Basha (PK) dhe Azzam Dida (PD) gjatë kësaj periudhe nuk kanë treguar asnjë rezultat dhe janë vlerësuar me 0.0 % të notimit të përgjithshëm”, sipas Seferqajt.

Në seancat e mbajtura në Kuvendin e Komunës së Prizrenit në periudhën Janar-Qershor 2014 anëtarët e këtij institucioni kanë propozuar vetëm një pikë për rend dite. Këtë pikë për rend dite pranë këtij institucioni ka propozuar Cemil Luma (KTAP) i cila ka propozuar që në rend ditë të jetë pika e rendit të ditës për “formimin e grupit të ekspertëve për hartimin e projekteve për zhvillim ekonomik”, përfundoi Seferqaj.

Naim Cahanaj, zyrtarë tjetër i KDI-së  vazhdoi me prezantimin e te gjeturave tjera ku tha se “gjatë seancave të mbajtura në këtë periudhë, nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit janë ngritur gjithsej 234 çështje, prej të cilave 48 % nga fusha me interes për qytetarët e Prizrenit ndërkaq 52 % e çështjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Prizrenit derisa Mybera Mustafa (LDK) dhe Osman Hajdari (PD) kanë shënuar numrin më të lartë të çështjeve të ngritura me nga 8.1 % të çështjeve të ngritura”.

Sipas tij, ajo çka vihet në pah gjatë kësaj periudhe është se Kuvendi i Komunës së Prizrenit nuk shqyrtoj apo miratoj ndonjë rregullore komunale mirëpo krahas kësaj edhe anëtarët e Kuvendit të Komunës nuk propozuan rregullore për miratim pranë këtij institucioni.

Duke vazhduar më tej mbi pyetjet e anëtarëve të parashtruara në këtë periudhe, Cahanaj tha se “gjatë seancave të mbajtura anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit kanë bërë gjithsej 71 pyetje nga të cilat gjithsej 47 % kanë qenë të lidhura me interesin e qytetarëve ndërsa 53 % e pyetjeve kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Prizrenit. Në këtë kontekst, anëtarët më aktiv në parashtrimin e pyetjeve në Kuvendin e Komunës së Prizrenit kanë qenë Drita Millaku (LVV) me 16.9 %, Arbër Rexhaj (LVV) me 12.7 %, Shani Berisha (BD) dhe Haziz Hodaj (LDK) me nga 8.5 % përkatësisht 7.0 % të pyetjeve të përgjithshme”.

“Në Kuvendin e Komunës së Prizrenit në seancat e mbajtura në periudhën Janar-Qershor 2014 është vërejtur një mos pjesëmarrje e anëtarëve në seanca. Në këtë periudhë janë shënuar 11 raste të mungesës së anëtarëve në seancat e këtij institucioni”, përfundoi Cahanaj.

Fletënotimi për periudhën Janar-Qershor 2014 është përgatitur në kuadër të projektit “Përfshirja e qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie” projekt i mbështetur nga The Olof Palme Centre (OPIC). /PrizrenPress.com/

Gjykata në Prizren mohon se lënda për fajdegjinjët është ndryshuar nga Apeli në Prishtinë

0

Gjykata-qekiqiGjykata Themelore në Prizren, ka demantuar lajmin se vendimi për paraburgimin e fajdegjinjëve nuk është ndryshuar nga Gjykata e Apelit në Prishtinë.

Zëdhënësja e Gjykatës, Afërdita Kicaj tha se Gjykata e Apelit në Prishtinë ka vendosur që lënda mbi paraburgimin t’i kthehet Gjykatës Themelore në Prizren.

“Është publiku lajmi lidhur me paraburgimin e fajdegjinjëve nga Prizreni ku thuhet se Gjykata e Apelit në Prishtinë, e ndryshoi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, e që fare nuk është e vërtet, sepse lidhur me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren nuk ka vendosur Gjykata e Apelit në Prishtinë lidhur me caktimin e paraburgimit, por ka vendosur Gjykata Themelore në Prizren respektivisht gjyqtari i procedurës paraprake, i cili ka vendosur që të pandehurëve Pal Morina dhe të tjerëve t’iu caktohet paraburgimi në afat prej 1 muaji”, tha Kicaj.

Prokuroria Themelore në Prizren nuk kishte dal e kënaqur me vendimin e Gjykatës në rastin e caktimit të arrestit shtëpiak të pesë të dyshuarve për fajde dhe armëmbajtje pa leje.

Kryeprokurori Sylë Hoxhaj thotë se se organi të cilën e drejton ka marrë vendim që të akuzuarit të mbahen në paraburgim.

“Prokuroria kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit që të shfuqizojë këtë vendim të Gjykatës së Prizrenit,me ç’rast kjo e fundit sërish ka proceduar me rastin ditën e sotme”, tha Hoxhaj.

P. Morina, E. Thaçi, N. Karrica, F. dhe F. Selimi të gjithë nga Prizreni akuzohen për fajde, mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve.

Hoxhaj tha se nga Prokuroria ka dyshime të bazuara se të pandehurit mund të gjenden prova të cilat ata i ngarkojnë për akte të paligjshme.

Gjykata e Apelit në Prishtinë ka vendosur që lënda mbi paraburgimin t’i kthehet Gjykatës Themelore në Prizren në rivendosje kur dje është mbajtur seanca e paraburgimit në prezencën e prokurorit të shtetit, të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre. /PrizrenPress.com/

Drejtor i Qendrës së Trashëgimisë Kulturore në Prizren bëhet bashkëpartiaku i ministrit

0

Samir Hoxha zedhenes i PDK ne prizrenDrejtori i ri i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka ardhur në këtë pozitë nga posti i shefit të kabinetit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, shkruan Koha Ditore.

Pos këtij posti politik, deri në shkurt të këtij viti, Hoxha për dy vjet kishte udhëhequr edhe Drejtorinë e Turizmit në Komunën e Prizrenit. Përderisa për njohësit e trashëgimisë kulturore dhe opozitën emërimi i Hoxhës në këtë pozitë cilësohet si emërim politik e partiak, zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e mohojnë një gjë të tillë. Vetë sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Veton Firzi, i cili e mohon kategorikisht se bëhet fjalë për emërim politik, nuk ka dhënë sqarime as për “lojën” që është bërë me konkurse për këtë pozitë.

Institucioni më i lartë kulturor në vend për ta zgjedhur drejtorin e QRTK-së ka hapur dy herë konkurse.

Hoxha qe emëruar drejtor në konkursin e dytë, kriteret e të cilit ishin zbutur, përderisa tash një muaj ka nisur punën si drejtor i QRTK-së së Prizrenit.

Cheryl ende e mban tatuazhin Mrs C në qafë!

0

CherylCole-kengetareKishte premtuar më parë se nuk do ta hiqte kurrë tatuazhin e saj “Mrs C” në pjesën e qafës, edhe pse ishte divorcuar nga bashkëshorti i parë i saj, Ashley Cole.

Por, për Cheryl Fernandez-Versini ndoshta mund të ketë ardhur koha ta rimendojë edhe njëherë artin trupor të saj, që i kujton thjesht ish-mbiemrin e saj nga martesa e parë, në një kohë që sapo është martuar me Jean-Bernard Fernandez-Versini.

Teksa merrte pjesë në një party, natën e së hënës, për të festuar martesën e saj të dytë, 2 javë më parë, me biznesmenin francez, veshja e saj “chic” shfaqte edhe njëherë tatuazhin e saj, të cilin nuk ishte munduar fare ta fshihte.

Cheryl, 31 vjeçe, i bëri “jehonën” e parë ish-mbrojtësit të majtë të Chelsea-t, 33-vjeçarit tashmë lojtar të Romës, gjatë Nëntorit të vitit 2007, 1 vit pasi ishin martuar së bashku, pikërisht me këtë tatuazh në qafë.

Por, ish-ylli i “Girls Aloud” nuk e dinte se 2 muaj pas këtij veprimi, parukierja e saj personale, Aimee Walton, do të deklaronte se kishte shoqëruar për 1 natë futbollistin, ish-bashkëshortin e saj, gjë që e detyroi atë të ndahej nga Ashley Cole në Shtator të 2010-s.

Megjithatë, këngëtarja nuk e hoqi atë tatuazh edhe gjatë kohës që ishte e lidhur me kërcimtarin amerikan, Tre Holloway, në 2012-n. Cheryl ka 12 tatuazhe në të gjithë trupin e saj, kryesori dhe më i madhi i të cilëve është ai me trëndafilat e kuq, i shtrirë nga mesi, në fundshpinën e saj, e që përfundon në kofshën e këmbës së majtë.