Home Blog Page 8076

Krasniqi: Vetëm Thaçi kryeministër

0

Memli KrasniqiNënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, duke iu referuar zërave që Kosova ta ketë një kryeministër konsensual, ka ripërsëritur qëndrimin e kësaj partie, se vetëm Hashim Thaçi do të jetë kandidat për kryeministër.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Krasniqi, duke iu referuar zërave që Kosova të ketë një kryeministër konsensual, në mënyrë që të tejkalohet ngërçi politik, ka deklaruar se qytetarët e Kosovës më 8 qershor kanë vendosur për pozitën e kryeministrit.

“Qytetarët e Kosovës e kanë dhënë verdiktin e tyre në zgjedhjet e 8 qershorit. Në garën për kryeministër të Kosovës ka pasur konkurrencë, por ka fituar bindshëm kandidati i PDK-së, njëherësh lideri i partisë, Hashim Thaçi, i cili ka marrë numrin rekord të votave nga qytetarët e Kosovës për ta udhëhequr qeverinë e vendit edhe për një mandat”, ka thënë Krasniqi.

Në këtë kontekst, Krasniqi ka deklaruar se për PDK-në nuk mund të ketë zgjidhje politike e cila është në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatarin e qeverisë dhe kryeparlamentarin e Kosovës.

Nënkryetari i PDK-së ka kërkuar nga partitë e bllokut të mbizotërojë racionaliteti politik në mënyrë që Kosova ta tejkalojë këtë ngërç politik.

“Mendojmë se është koha e fundit të mbizotërojë racionaliteti politik edhe te kampi opozitar, në mënyrë që, duke u nisur nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe duke u bazuar në verdiktin dhe vullnetin qytetar të shprehur nëpërmjet zgjedhjeve demokratike të 8 qershorit, të gjejmë një zgjidhje, duke i vendosur interesat shtetërore para atyre partiake ose personale”, ka deklaruar Krasniqi, duke shtuar se PDK-ja gjithmonë ka qenë e hapur për bashkëpunim me partitë politike.

“Ngërçi politik mund të zgjidhet vetëm duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ne gjithmonë kemi qenë dhe jemi të hapur për diskutime dhe për bisedime për t’i çuar përpara proceset e rëndësishme për vendin dhe qytetarët. Në këtë drejtim, ne edhe herëve të kaluara, kur i kemi fituar zgjedhjet, i kemi thirrur të gjithë për bisedime. Nuk do të thotë me u marrë vesh me të gjithë, por për të shkëmbyer mendime dhe për të gjetur pika të përbashkëta. Megjithatë, ende vazhdojmë të jemi të hapur”, ka thënë Krasniqi.

S’ka zarf, ka zgjidhje ose zgjedhje

0

Jahjaga14-23Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar të hënën takime të ndara me partitë politike të përfaqësuara në Kuvend për të diskutuar tejkalimin e ngërçit politik në vend.

Takimet u zhvilluan pasi që Jahjaga ishte kthyer nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në prag të vazhdimit të seancës konstituive më 2 tetor, ku pika e vetme mbetet zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Për këtë arsye, gjatë gjithë ditës ishin përhapur spekulimet se ajo kishte sjellur një zgjidhje zarfi nga SHBA me emrin e një kryeministri konsensual. Mirëpo, jo vetëm Zyra e Presidencës, por edhe burime të besueshme të gazetës nga takimet e zhvilluara, kanë deklaruar se nuk bëhet fjalë për një zgjidhje zarfi./Tribuna/

Gjuetia e shtetit serb kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së

0

UCK-amblemaGjykata e Lartë në Nish ka hedhur poshtë apelimin e Naim Kaqandollit për ta liruar nga paraburgimi, shkruan Koha Ditore.

Kaqandolli është arrestuar më 22 shtator të këtij viti nga Policia e Serbisë, bazuar në një urdhër të lëshuar nga Gjykata e Qarkut e Prishtinës e zhvendosur në Nish nën akuzën për terrorizëm si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Miku i tij, Nysret Restelica, është duke u marrë me rastin e Kaqandollit. Ai të martën do të udhëtojë për në Nish, ku pritet që në koordinim me një avokat ta dërgojë rastin në një shkallë më lartë të Gjykatës me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë. Pretendon se arrestimi dhe paraburgosja janë të paligjshme, sepse Naim Kaqandolli ishte arrestuar më 4 maj 1999 dhe ishte liruar më 7 qershor të atij viti në mungesë të provave.

Kaqandolli jeton në Francë së bashku me familjen nga viti 2007. Ndërkohë, të hënën, Restelica ka qenë në Ministrinë e Diasporës për t’u interesuar rreth veprimeve të autoriteteve kosovare për ta liruar atë.

Takimet vazhdojnë deri të enjten, s’imponohet zgjidhja

0

Kuvendi i Kosoves 7Takimet e liderëve të partive politike pritet të vazhdojnë edhe të martën, të mërkurën e ndoshta edhe të enjten para seancës.

Burime të Express kanë thënë se takimet e sotme me liderët e partive kanë pasur qëllim të shihen pikat e përbashkëta të partive politike.

Mirëpo, deri më tash, PDK dhe Blloku vazhdojnë të jenë në pozicionet e njëjta.

Zyrtarë të partive politike kanë thënë se Presidentja ka dhënë shenja për lehtësim por assesi për imponim të zgjidhjes.

“Madje, Presidentja më përpara e shqyrton mundësinë për ta çuar vendin në zgjedhje se sa për të imponuar ndonjë zgjidhje”, ka thënë një zyrtar i përfshirë në takimet e sotme.

Sipas tij, Presidentja ka dhënë edhe idenë e një takimi të përbashkët por që nuk ka marrë përkrahjen e LDK’së, AAK’së, NISMA’s dhe VV’së.

“Vetëm PDK ka pranuar deri më tash një takim me të gjitha partitë politike”, ka shtuar ai për Express.

Megjithëkëtë, pas takimeve zyrtarët e partive politike janë deklaruar optimistë për gjetjen e një zgjidhjeje, ndonëse nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e veta.

Askush nuk dëshiron të shkojë në zgjedhje

0

Naim Rashiti-analistAnalisti nga Grupi i Ballkanit për Politika, Naim Rashiti, konsideron se deklarimet e partive politike se “janë të gatshme për zgjedhje” janë vetëm gënjeshtra, sepse ato në të vërtetë nuk i duan zgjedhjet. Por, barrikadimi i procesi, sipas tij, do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve.

Rashiti, ka folur për Radion Evropa e Lirë lidhur me ngërçin politik në të cilin ka hyrë vendi tash e katër muaj.

“E para, kanë kaluar 4 muaj, por ende nuk dimë dhe nuk ka shenja se kriza institucionale do të zgjidhet, ende nuk ka shenja se do të kemi një proces marrëveshjeje dhe një procedurë për formimin e institucioneve të reja. Kjo është më e keqja në ketë fazë. Duket se pas dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, palët kanë fortifikuar pozicionet e tyre dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë pasur asnjë efekt të ofrimit të palëve të PDK-së në një anë dhe bllokut në anën tjetër”.

Por, cilat janë mundësitë e daljes nga kriza?

“Sipas kësaj Kushtetute që e kemi dhe interpretimit të shumicës së gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese dhe e cila jo se i ka kënaqur të gjitha palët dhe siç duket ka disa mangësi të theksuara, duket qartë që PDK është në avantazh juridik ligjor sa i përket formimit të institucioneve, por de fakto ka mungesë të numrave.
Pra, PDK ka një avantazh ligjor – de jure ka të drejtën dhe de-fakto nuk ka mundësinë”, tha Rashiti.

Ndërsa, Blloku, sipas Rashitit, në marrëveshje me Vetëvendosjen ka krijuar një situatë ku de-fakto ka arritur të krijojë një shumicë parlamentare, por de-jure ka pengesa serioze drejt rrugëtimit të saj. “Edhe një herë kjo Kushtetutë si dhe interpretimi i shumicës se Gjykatës Kushtetuese, për të cilën faktori ndërkombëtar dhe të gjithë janë të interesuar të shohin respektimin e saj në përpikëri”.

Megjithatë, Rashiti konsideron se , në kuadër të këtyre rrethanave ka hapësirë shumë për konsesus, për marrëveshje dhe për krijimin e institucioneve. “E para do të duhej që Kuvendi i Kosovës ose zgjedhja e organeve të Kuvendit të jetë e ndarë nga formimi i Qeverisë, sepse këtu kemi një situatë të komplikuar ku dy blloqet, si PDK dhe LAN në veçanti frikësohen se përmes votimi sipas procedurë së kryetarit të Kuvendit krijohet avantazh anës tjetër për marrjen e Qeverisë. Pra, bëhet një betejë shumë e ashpër agresive, ku në çdo rrethanë duhet penguar palën tjetër për t’i siguruar numrat apo pozicioni për formimin e Qeverisë”.

“Unë mendoj që palët duhet të arrijnë që të zgjedhin një kandidat konsensual për Kryetar Kuvendi, ashtu që të hapet rruga për formimin e Qeverisë, e cila sipas formulës së përcaktuar në përgjigjet e Gjykatës ndaj pyetjeve të Presidentes përcakton formulën e mundshme për mandatimin e se si do të mandatohet kandidati për Kryeministër. Nuk mund të flitet në këtë fazë për kandidat koncsnsual për Kryeministër, siç ishte neper media nëse nuk ka marrëveshje ndërmjet të gjitha palëve”, tha ai.

Naim Rashiti, në vijim të intervistës është shprehur se ka hapësirë për kompromis mes palëve.

“Vetëm një gjë nuk ka hapësirë, që emrat e veçantë përkrahur nga njëra apo tjetra palë për t’u zgjedhur Kryetar Kuvendi. Nëse, duan t’i zgjedhin organet atëherë ka hapësirë. Mungesa e hapësirës ose barrikadimi i pozicioneve do ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve, të cilën gjë asnjëra palë nuk e dëshiron”.

“Aspak nuk e dëshirojnë dhe deklarimet ad-hok të partive se janë të gatshëm për zgjedhje janë vetëm gënjeshtra, nuk janë të vërteta, sepse nuk i duan zgjedhjet. Pra, meqë nuk i duan zgjedhjet gjithmonë ka hapësirë për një marrëveshje e cila mundëson krijimin e organeve të kuvendit. Mos të harrojmë, deputetët në ketë fazë nuk janë deputetë legjislativ, janë vetëm deputetë përfaqësues pa mandat dhe presidentja mund t’i çojë në zgjedhje pa i pyetur fare”, ka deklaruar Naim Rashiti për REL.

Publikohen konkluzionet e Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE

0

Fule-Rama14-29Në përfundim të takimit të IV të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE, publikohen edhe konkluzionet e raportit. “A1 Report” ka siguruar raportin në të cilin theksohen hapat që duhet të ndjekë Shqipëria në rrugën e saj të integrimit europian, si dhe 5 prioritetet kyçe.

Duke theksuar rëndësinë e avancimit të rrugës drejt BE-së, në raport thuhet se Shqipëria duhet të vazhdojë me plotësimin e rekomandimeve, ndërsa theksi vendoset në dialogun politik qeveri-opozitë në Kuvend, në mënyrë që të realizohen reformat.

Dialogu politik shihet me rëndësi në këtë drejtim, pasi Këshilli Kombëtar i Integrimit dështoi për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës.

Ndërkaq, 5 prioritetet kyçe janë administrata publike, reforma në gjyqësor, lufta ndaj krimit të organizuar, lufta ndaj korrupsionit, të drejtat e njeriut.

Malisheva diskuton për gjendjen në arsim

0

Begaj14-25Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka vazhduar sot mbledhjen e jashtëzakonshme, lidhur me gjendjen e krijuar në arsimin e Malishevës, pas shprehjes së pakënaqësisë nga ana e disa ish mësimdhënësve, e për çka një grup i anëtarëve të Kuvendit të Komunës, kishin kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme, me datë 11 shtator, por e cila ishte ndërprerë.

Në këtë vazhdim të mbledhjes, disa nga anëtarët e KK, kryesisht të opozitës, shprehën, siç thanë ata “shqetësimin lidhur me largimin e disa mësimdhënësve nga procesi mësimor dhe zëvendësim i tyre me militant partiak, si dhe për mosrespektim të bazës ligjore dhe të disa parregullsive”.

Të gjitha këtyre shqetësimeve, ju janë përgjigju kryetari i Komunës së Malishevës, z.Ragip Begaj dhe drejtori i arsimit në Malishevë, Blerim Thaçi. Fillimisht drejtori Thaçi, sqaroi se “vendet e lira të punës janë shpallur për 148 vende, në të gjitha shkollat e Komunës së Malishevës dhe se konkursi është shpallur në bazë të rekomandimeve nga Ministria e Arsimit, ku nga 1616 aplikantë, janë pranuar 148 prej tyre, dhe të gjithë me kualifikim përkatës”.

Ndërsa kryetari Begaj, duke ju drejtuar anëtarëve të kuvendit, tha se “ realisht ka filluar të vendoset një rend në shkollat e Malishevës, dhe qëllimi im është, që ti eliminoj dukuritë negative në shkollat tona, por këtë mund ta bëjë vetëm me ndihëm e juaj. Sa i përket konkursit dhe pranimit të kuadrit në shkolla, ju garantoj se qëllimisht nuk është bërë asnjë shkelje, por në rast se ka ndonjë rast të shkeljesh, gjatë pranimit të kuadrit, jam në krah të tyre, për gjetjen e zgjidhjes, por në mënyrë ligjore”./PrizrenPress.com/

Limaj: Roli i presidentes, ndihmues

0

Fatmir Limaj 230Lideri i subjektit politik Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, ka qenë ai që ka mbyllur maratonën e takimeve të presidentes së Kosovës, Atifete Jajhjaga, me krerët e partive parlamentare.
Pas takimit me shefen e shtetit Limaj ka deklaruar se beson se ditët në vazhdim do të dilet nga ngërçi politik, i krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

Ai më tutja ka theksuar se “ne jemi para dy situatave të cilat dihen tashmë”.

“Në njërën anë jemi ne, të cilët e kemi shumicën në Kuvend (Blloku VLAN), ndërsa në anën tjetër e kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në të cilin është përcaktuar se kush ka të drejtë të bëjë nominimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit”, ka thënë Limaj.

Ai ka theksuar se besojnë që zgjidhja për daljen nga ngërçi ekziston. “Shpresoj që kjo zgjidhje do të shkoj më tutje. Mendoj se ka zgjidhje duke respektuar ligjin dhe kushtetutën, me qëllim që vendit t’i japim institucione”.

“Mundësitë e presidentes, për zgjidhjen e problemit, në aspektin juridik janë të kufizuara. Ajo luan rolin e saj të unitetit dhe ruajtjes së stabilitetit të vendit. Roli i presidentes është rol ndihmues. Unë kështu e shoh. Ajo duke e ushtruar këtë rol, duke ndihmuar që të tejkalohet situata që e kemi tani”, ka thënë Limaj.

Ndryshe, sot presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar takime me krerët e të gjitha partive parlamentare, me përjashtim të komuniteve jo serbe./Telegrafi/

Në Gjonaj të Hasit përurohen dy xhami

0

gjonaj-620x330Në Gjonaj të Hasit është përuruar restaurimi i xhamisë së vjetër dhe është vënë gurthemeli i një objekti të ri fetar në këtë lokalitet.

Me një solemnitet rasti në prani të zyrtarëve të lartë Bashkësisë Islame të Kosovës, atyre nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizrenit,banorëve të Gjonajve dhe fshtarave përreth dhe shumë të ftuarve është përuruar objekti i xhamisë së restauruar si dhe është vënë gurthemeli i një xhamie të re në këtë lokalitet.

Për rëndësinë që kanë xhamitë për besimtarët dhe qëllimin e ndërtimit të tyre, në një prononcim për Televizionin e Prizrenit ka folur sekretari i BIK-ut, Resul Rexhepi, i cili në mes tjerash tha se “ka qenë edhe nevojë e kohës që edhe në zonën e Hasit me rindërtimin dhe ndërtimin e xhamive të reja, besimtarët ti kryejnë obligimet e tyre fetare ndaj Krijuesit”.

Pjesë e këtij solemniteti ishte dhe imami i xhamisë së Bajrakliut në Prizren, Reshat efendi Mexhiti, i cili para të pranishmëve tha se kjo ngjarje që sot po ndodh është mjaft e rëndësishme,sepse shtoi ai, ”Krijuesi shpërblen me të mirat e tij ata që kontribuojnë në ndërtimin e xhamive dhe atyre që e ndjekin rrugën e tij”.

Ndërkaq, kreu i KBI-së në Prizren, Lutfi ef. Ballëk, tha se fal bashkëpunimit ndërmjet institucionëve fetare dhe besimtarëve po mundohemi të ndërtojmë xhami për të gjithë ata që më devotshmëri i shërbejnë mirësive të Krijuesit.

Për restaurimin e xhamisë së vjetër janë tubuar rreth 40 mijë euro nga BIK, KBI në Prizren dhe besimtarë të shumtë, ndërsa një gjë e tillë pritet të ndodh edhe me ndërtimin e xhamisë së re, të cilës dje i është vënë gurthemeli./TV Prizreni/

Haradinaj: Unë jam kryeministër konsensual

0

Ramush Haradinaj 1Në vazhdën e takimeve me përfaqësues të partive politike në Kosovë, presidentja Jahjaga ka zhvilluar një takim edhe me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Pas takimit, lideri i AAK-së, i pyetur rreth mundësisë së gjetjes së një presidenti konsensual ka thënë se vetë ai është i tillë.

“Unë jam kryeministër konsensual”, ka thënë Haradinaj. /Telegrafi/