Home Blog Page 8096

Presidentti Nishani ankohet në Gjykatën Kushtetuese

0

Bujar nishaniPresidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i kërkoi sot Gjykatës Kushtetutese që të shfuqizojë në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë nenin e sapomiratuar nga shumica socialiste, që e kufizon presidentin të zgjedhë nënkryetar të KLD-së një prej dy anëtarëve që zgjidhen nga parlamenti. Këto ndryshime në ligjin për KLD-në presidenti i ktheu në parlament për rishqyrtim, por shumica e majtë i miratoi përsëri në fillim të shtatorit, duke ia kufizuar presidentit kompetencën për të zgjedhur nënkryetarin e KLD-së.

Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese presidenti Nishani theksoi se zgjedhja e çdo anëtari të KLD-së për nënkryetar është një e drejtë që atij ia jep Kushtetuta. Nga ana tjetër, duke u kufizuar vetëm tek dy emrat që vijnë nga parlamenti, u hiqet e drejta që ua ka dhënë Kushtetuta për t’u zgjedhur nënkryetar të KLD-së atyre anëtarëve që vijnë nga radhët e sistemit gjyqësor.

Presidenti thotë se ligji është antikushtetues, sepse bie ndesh me Kushtetutën, e cila i lë atij dorë të lirë nëse nënkryetarin e zgjedh nga radhët e përfaqësuesve të drejtësisë apo nga ata të parlamentit. Kushtetuta thotë thjesht se KLD zgjedh nënkryetar një prej antarëve të vet me propozim të presidentit.

Reforma e sistemit të drejtësisë e sapomiratuar nga shumica e majtë hasi kundërshtimin e menjëhershëm të opozitës. Edhe pse deputetët e Partisë Demokratike nuk marrin pjesë prej disa javësh në punimet e parlamentit, ata paditën në Gjykatën Kushtetuese paketën e ndryshimeve ligjore për reformën në drejtësi, duke i cilësuar antikushtetuese.

Opozita paditi në Gjykatën Kushtetuese padi për tre ligjet e paketës së drejtësisë; ligjin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndryshime në ligjin për funksionimin e Gjykatave Administrative dhe ndryshime në ligjin për Shkollën e Magjistraturës. “Të tre këto ligje kanë një përmbajtje të thellë antikushtetuese, prekin parimet e ndarjes së pushteteve, prekin parimin e funskionimit të shtetit ligjor dhe kanë për synim kapjen politike të sistemit të drejtësisë” – tha zoti Halimi.

Duke dalë nga Gjykata Kushtetuese Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, deklaroi sot se shumica socialiste po e detyron të zgjedhë nënkryetar KLD-je një person nga lista e kryeministrit. Po ashtu kryeministri merr kompetenca në caktimin e ndihmës-gjyqtarëve zyrtarëve të gjykatës administrative me të cilët është në konflikt interesi dhe në kundërshtim flagrant me kushtetutën. Ndërsa me ligjin e tretë kryeministri merr kompetencën për të zgjedhur drejtorin e shkollës së magjistraturës, duke ia marrë këtë të drejtë Presidentit dhe KLD-së.

Opozita i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që të pezullojë menjëherë këto 3 ligje, që jo vetëm nuk janë reformë në drejtësi, por shkelin hapur pavarësinë e saj nga pushteti ekzekutiv, duke e vendosur të tërësisht në kontroll të qeverisë. Shumica socialiste u angazhua që këtë sezon në arlament do të kryente një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë. Ajo rrëzoi dekretet e presidentit, që kërkoi rishikimin e hapave të hedhur, ndërsa opozita mungon rregullisht nëpër seancat plenare.

Një grup deputetësh socialistë kërkuan disa ditë më parë largimin nga KLD-ja të nënkryetarit dhe një anëtari, për t’i hapur rrugën ardhjes së dy anëtarëve të rinj nga parlamenti, njëri prej të cilëve duhet të zgjidhet nënkryetar, sipas ligjit të ri. Por presidenti i kërkoi Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e nenit 7 të ligjit të ri për KLD-në dhe pezullimin e veprimeve që mund të ndërmerren deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese./VOA/

Mbyllet edhe ‘Kulla e Jetimit’ në Prevallë

0

Kulla e Jetimit ne PrevalleMotel-restoranti ‘Kulla e Jetimit’, me vendndodhje në Prevallë të Prizrenit, ka mbyllur sot aktivitetin e tij.

Lajmi.net ka mësuar se motel-restoranti ‘Kulla e Jetimit’ nga sot e deri në një afat të pacaktuar nuk do të punojë.

Supozohet se urdhri për mbylljen e kësaj strehimore ka ardhur nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ndryshe, para disa javësh, policia ka bastisur të njëjtin vend nën dyshimin se aty ka të dyshuar për terrorizëm, por nuk kishte hasur në ndonjë të tillë.

Jo shkeljeve dhe buxhetit të varfërisë !

0

Drita MillakuShkruan: Drita Millaku

Ne si grup i kuvendarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kemi kundërshtuar shumë ashpër buxhetin 2015-2017 të miratuar në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Prizrenit, sepse është buxhet që garanton varfëri e mjerim.

Duke pasur parasysh premtimet që janë bërë gjatë fushatës për një ekonomi të zhvilluar, kjo qeveri nuk i ka përmbushur as kërkesat minimale për zhvillimin e ekonomisë, duke ndarë vetëm 3.11% të buxhetit, ndërsa Drejtoria e Shërbimeve Publike merr 9.65 % nga buxheti që tregon për një qeveri tenderiste, tenderë të cilët favorizohen firmat e afërta me PDK të cilat më vonë ia financojnë fushatën zgjedhore. Kjo tregon paaftësinë e qeverisë për një strategji të zhvillimit ekonomik.

Për Drejtorinë e Kulturës dhe Sportit janë ndarë vetëm 6.16 % të buxhetit. Kjo drejtori prej pas luftës është udhëhequr nga pakicat. Mbi 60% e buxhetit të saj të vogël ndahet për shoqëritë e pakicave kur dihet shumë mirë se si është raporti i popullsisë në mes shqiptarëve dhe pakicave. Kjo paraqet edhe diskriminim të shumicës.

Absurditeti i këtij buxheti është edhe ndarja e 3.06 % për Drejtorinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, kur kihet parasysh se një pjesë shumë e madhe e qytetarëve të komunës sonë jetojnë nga bujqësia dhe blegtoria.

Buxheti për zyrën e Kryetarit të Komunës nga ai paraprak është rritur për 42.27 % ndonëse nuk janë shtuar nevojat për rritje, përpos nëse nevojë konsiderohet superluksi.

Nga ana tjetër vetëm për hartimin e projekteve për 3 vitet e ardhshme janë ndarë 1.460.000.€ Kjo tejkalon buxhetin e shumicës së drejtorive. Po të punësoheshin 4 arkitektë dhe profesionistë të profilizuar, atëherë do të kurseheshin 95 % e këtyre të hollave.

Ne kemi vërejtur shumë shkelje edhe në punësimin të mësimdhënësve në drejtorinë e arsimit, drejtori e cila e ka ulur tmerrësisht nivelin e arsimit dhe të sigurisë në këto vite. Mosmarrja në konsideratë e 20 pikave që Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka propozuar tregon shumë qartë se kjo qeveri nuk e ka në plan zhvillimin ekonomik të Komunës sonë.

Gjithashtu në seancën e fundit është vërejtur haptazi për keqpërdorimet që po bëhen sa i përket dhënies në shfrytëzim të pronës Komunale. Si duket kjo klikë qeverisëse nuk ka mësuar asgjë nga vendimi i gjykatës ndaj Ramadan Mujës dhe vazhdojnë me keqpërdorimin e pronës publike. Në seancën e fundit pika 9 e rendit të ditës është futur pa kurrfarë paralajmërimi, në të cilën u pa haptazi blerja e asamblistëve për interesat e një klani të ngushtë te ekzekutivit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është duke mbledhur materialin e nevojshëm rreth kësaj pike dhe shumë shpejtë do te dalim me një komunikatë në lidhe me keqpërdorimet e mundshme rreth kësaj prone. Keqpërdorime ka pothuajse në te gjitha drejtoritë komunale. Dhe kjo është për t’u brengosur sinqerisht!

(Autorja është këshilltare e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin Komunal të Prizrenit)

Ilir Shaqiri shkruan roman

0

tan-temaliPadyshim është e pamundur të gjykojmë mbi aftësitë dhe talentin e të shkruarit, por në Kosovë gati të gjithë bëjnë libra, dhe asnjë deri tash nuk ka thyer ndonjë rekord apo të ketë bërë bujë të madhe. Madje edhe këngetarja Genta Ismajli ka paralajmëruar libër. Së fundi, këngëtari Ilir Shaqiri vjen për publikun kosovar me romanin e tij “Tan Temali”.
Ky libër rrëfen për ngjarje historike dhe kulturore që e kanë shënuar jetën e brezit tonë: jetën e brezit që e krijoi lëvizjen kombëtare e cila, më në fund, solli atë që aq gjatë është ëndërruar prej të gjithë brezave shqiptarë: solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Akademik Rexhep Qosja ka shkruar, në parathënien e librit, se në këtë roman lexuesi do të gjejë jo vetëm kulturë krijuese dhe mbamendje të pasur, por edhe imagjinatë të papritur, që tregohet përmes krijimit të ndjenjave, mendimeve, përjetimeve, shprehjeve, shfaqjeve të shumëllojshme të botës së protagonistit dhe të personazheve.

“Lexuesin e tij, doemos, do ta përvetësojnë pasuria e përjetimeve dhe e paraqitjeve të ndryshme kundërshtimore të tyre: butësia dhe ashpërsia, gatishmëria e vetëflijimit dhe egoizmi, heshtja dhe gojëtaria, vetëpërmbajtja dhe shpërthimi, mençuria dhe naiviteti, zotimi dhe paanësia, mashtrimi dhe sinqeriteti, mendjelartësia dhe mendjeultësia e të tjera përjetime e paraqitje, që i bëjnë protagonistin dhe personazhet fort të veçuara psiqikisht dhe mendërisht. Aty do të gjejmë kështu njëmendësinë e dëshmuar të kohës në të cilën e kemi kaluar rininë tonë, në të cilën ishin bërë përditësi tronditëse mërgimi trupor, por jo edhe shpirtëror i bashkëkombësve dhe bashkëkohësve tonë…” ka vlerësuar akademik Qosja.

Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Toena” ndërsa do të promovohet të premten prej orës 12:00 në “Sheshin 21”, në Prishtinë, transmeton KultPlus

Ilir Shaqiri ka lindur më 6.12.1960, në Burojë të Drenicës. Ai ka kryer studimet e larta në degën gjuhë dhe letërsi shqipe. Është magjistruar në degën e letërsisë me temën “Estetika dhe semiotika në krijimtarinë artistike të nënës”. Shaqiri ka krijuar 619 këngë në muzikën tonë të lehtë, popullore dhe për fëmijë si dhe muzikën në 16 filma dokumentarë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka botuar 33 albume muzikore dhe 4 video-albume. Aktualisht është përgjegjës i Etikës dhe Estetikës Programore në RTK.

Lamtumirë Ikonës së teatrit Besa Imami!

0

Besa Imami-aktoreËshtë shuar në moshën 86 vjeçare aktorja e shquar e skenës shqiptare Besa Imami. Aktorja e njohur e skenës ndërroi jetë në moshën 86 vjeçare të djelën e 21 Shtatorit pas vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.

Në ambjentet e Teatrit Kombëtar, në nderim të aktores, u zhvillua sot ceremonia e lamtumirës, e cila bëri bashkë artistë, politikanë, si Robert Ndrenika, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Tefta Radi, ministri Erjon Veliaj, kryeparlamentari Ilir Meta, kryebashkiaku Lulzim Basha.

“Një ditë e trishtuar për qytetarët dhe sidomos për komunitetin e njerëzve të kulturës, artit, teatrit e kinamtografisë shqiptare, pasi një ikonë e ekranit, është ndarë nga jeta, duke lënë një dhimbje të thellë, për të gjithë . Por ajo ka lënë pas një trashëgimi të shkëlqyer të veprave që ka intepretuar përmes punës dhe talentit të saj të cilat do të ndihmojnë ta kujtojmë përgjithmonë” është shprehur kryeparlamentari Ilir Meta në fjalën e tij.

Edhe kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, .Lulzim Basha, pasi vendosi buqetën me lule pranë trupit të pa jetë të artistes, në fjalën e tij për mediat theksoi se “ndarja nga jeta e Besa Imamit, është një humbje e madhe e një aktoreje e cila do të mbetet e padvekshme jo vetëm duke u kujtuar per rolet që intepretoi në teatër apo kinematografi, por dhe si një ndër themelueset e teatrit në vend”.

Ndërkohë, me lotë në sy koleget dhe mikeshat e saj, Roza Anagnosti, Tinka Kurti, si dhe Margarita Xhepa, në fjalën e lamtumirës cilësuan dhe vlerësuan jo vetëm figurën e Imamit si një artiste qe shkëlqente në skenën e teatrit dhe kinematografisë, por edhe figurën e saj në rolin e nënës dhe të gruas.

“Ajo kishte një portret dhe një hijeshi që shkëlqente në skenë. Në skenë ishte fantastike edhe ana e brëndshme, e jashtezakonshme edhe me komunikimin. Ishte një grua krenare, të cilën e kam parë si idhull kur kam ardhur në teatër” tha Roza Anagnosti.

Ndërkohë që artistja e merituar, njëkohësisht një ndër mikeshat e saj, Margarita Xhepa, e ka cilësuar Imamin si “një zonjë fisnike, e cila në kohën e pasionit dhe talenteve, shkëlqeu midis aktorëve të mëdhenj”.

Besa eshte një ndër protagonistet që bashkë me kolegë të tjerë themeluan teatrin, ku nëpërmjet personazheve që ka intepretuar, do t? mbetet e pa harruar” u shpreh me pikëllim Xhepa.

Aktorja Besa Imami ka lindur në 8 Gusht të vitit 1928 në qytetin e Gjakovës. Në vitin 1937, familja e saj u shpërngul nga qyteti i Gjakovës për tu vendosur në Tiranë.

Artistja e Merituar, Besa Imami i ka dhënë publikut mbi 90-të role, midis të cilave përmendim rolin e Mbretëreshës Teuta tek “Artani”, rolin e Nënë Zyrasë te “Bashkë me Agimin”, rolin e Prendës te “Cuca e Maleve”, rolin e Rushës te “Halili dhe Hajria”, rolin e Lajes te “Lulet e Shegës” etj.

Në kinematografi u bë e njohur me rolin e Donika Kastriotit në filmin “Skënderbeu” të realizuar në vitin 1953.

Më pas do të vijonin role të tjera në filmin “Brazdat” në vitin 1973, “Në fillim të verës” në vitin 1975. Vetëm para pak kohësh me një propozim te Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, ajo u nderua nga Gjakova, vendlindja e saj , me titullin “Nderi i skenës shqiptare”.

Imami Mazllam Mazllami flet nga paraburgimi në Prizren: Policia me trajtoi në mënyrë korrekte

0

Mazllam MazllamiImami i xhamisë në lagjen “Jeni Mahalla” në Prizren, Mazllam Mazllami është shprehur i kënaqur me sjelljet që Policia e Kosovës ka treguar gjatë arrestimit të tij.

“Gjatë arrestimit, Policia e Kosovës ka pasur sjellje shumë korrekte”, ka treguar Mazllami.

Koordinatori i KMDLNJ-së në Prizren, Bashkim Kajdomçaj ka vizituar sot Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po qëndrojnë të arrestuarit e fundit të dyshuar për terrorizëm.

Kajdomçaj tregon se gjatë intervistës të paraburgosurit e fundit që dyshohen për terrorizëm janë shprehur të kënaqur me trajtimin që kjo qendër po ua bënë.

“Disa nga të intervistuarit si: E.B.nga Mitrovica, I.R. nga Bresana Dragash, F.B.nga Hani i Elezit dhe hoxhë Mazllam Mazllami, imam në xhaminë ‘Jeni Mahalla’ në Prizren, i arrestuar më 17.09.2014 kanë folur për trajtimin korrektë të tyre gjatë qëndrimit në këtë institucion dhe s’kanë pasur asnjë vërejtje”, tregon Kajdomçaj. /PrizrenPress.com/

Qëllon me pistoletë 17-vjeçaren, pse e refuzoi

0

26408719Një histori dashuri mes dy adoleshentësh për pak ka përfunduar në tragjedi.

A.Arshija, 17-vjeç ka qëlluar me tre herë me pistoletë në drejtim të vajzës për të cilën kishte shprehur interes.

Por, refuzimi i vajzës E.Totaj, ka bërë që djali të humbë arsyen.

Ngjarja ka ndodhur në ambientet e shkollës së mesme në Gjorm, Vlorë.

17-vjeçarja ka marrë një plumb në kokë dhe një në shpatull. Por, fatmirësisht ka arritur të mbijetojë.

Cuman Shenaj, anëtar i kryesisë së pleqësisë në fshatin Gjorm thotë se 17-vjeçari është “problematik”. Gjithashtu ai shpreh shqetësim se shumë njerëz në fshat lëvizin të armatosur.

Ndërkohë, forcat e policisë kanë arrestuar autorin e plagosjes.

Arrestohet aktivisti i VV-së nga Prizreni, Kushtrim Dakaj

0

kushtrim dakajAktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje! në Prizren, Kushtrim Dakaj, është arrestuar sot nga Policia e Kosovës.

Siç njofton VV, Dakaj është arrestuar në kohën sa ishte duke pirë kafe para zyrës së VV-së.

“Ai u arrestua nga 3 policë, të cilët i priste makina me dy të tjerë, pa e sqaruar fare se po e arrestojnë dhe pse po e arrestojnë”, njofton VV.

“Këto veprime të policisë ne i konsiderojmë presion politik të Qeverisë në ikje mbi Lëvizjen VETËVENDOSJE! si formë e shantazhit, e kërcënimit dhe e hakmarrjes lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend”./PrizrenPress.com/

Partia e Zafir Berishës, LAN-it dhe VV-së: Mos lëshoni pe në formimin e Qeverisë

0

BD mbledhjaBashkimi Demokratik në Prizren i Zafir Berishës mbështet fuqishëm koalicionin LDK, AAK, dhe VV. Drejtuesit e këtij subjekti politik në mbledhjen e sotëm kanë kërkuar nga ky koalicion që të mos lëshjë pe në formimin e Qeverisë së Kosovës.

“BD-ja mbështet fuqishëm koalicionin pas zgjedhor LDK, AAK, Nisma për Kosovë dhe VV, në ndërtimin e institucioneve te vendit, fillimisht për zgjedhjen e Kryetarit te Kuvendit e më pastaj edhe të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e BD-së në Prizren.

“Ky koalicion ka shumicën e madhe të deputeteve dhe numrin e nevojshëm të votave për t’i formuar institucionet e reja konform rezultatit zgjedhor, të zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 dhe përfundimisht të tejkaloi bllokimin e qëllimshëm të PDK – së”.

“Seanca e Kuvendit të Kosovës e datës 18 shtator 2014 përfundimisht e bëri të qartë edhe për vetë krerët e PDK – së se është e kotë të vazhdohet me veprime bllokues dhe shtyrjen e pakuptimtë të vazhdimit të seancës konstituive ngase nuk do te arrijnë t’i sigurojnë votat e nevojshme për ta zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, duhet qetësisht, ashtu siç bëjnë partitë e përgjegjshme, të shkojnë në opozitë”

“Votat sigurohen në kuvend, përmes marrëveshjeve politike dhe koalicioneve para dhe pas zgjedhore, jo ne gjykata. Është obligim kushtetues i deputeteve në të gjitha rastet, të ushtrojnë mandatin e tyre dhe të ofrojnë zgjidhje për sfidat në të cilat mund të kalojë vendi, shumë herë më të rënda se kjo situatë juridike – politike bllokuese, tek e fundit mos zgjedhja aktualisht e Kryetarit të Kuvendit është rezultat i kulturës bllokuese të PDK – së, tentimit që me forcë dhe kapadaillëk të mbahet pushteti”.

“Edhe Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pika 126 dhe 127 i obligon deputetet ( jo partitë politike) që të gjejnë zgjidhje dhe të tejkalohet kjo gjendje e krijuar në Kuvendin e Kosovës”.

“Me formimin e institucioneve të reja vendimmarrëse – qeverisëse në nivel vendi, pritshmëria e qytetarëve janë të mëdha, sidomos në zhvillimin ekonomik, punësim, forcimin e shtetit ligjor, arsim, shëndetësi, integrime evropiane, etj”.

“Bashkimi Demokratik në partneritet me Nisma për Kosovën, me të drejtë synon të bëhet pjesë e vendimmarrjes në nivel vendi, të jetë përfaqësues i interesimeve të qytetarëve të Kosovës dhe të Prizrenit, e mbi të gjitha të kontribuojë në ndërtimin dhe fuqizimin e Kosovës si shtet demokratik dhe të zhvilluar ekonomikisht”. /PrizrenPress.com/

Kurti e Molliqaj ftohen të paraqiten në polici

0

Kurti dhe MolliqiLëvizja VV njofton se ditëve të fundit ka patur kërkime policore mbi aktivistët e saj lidhur me aksionet politike të realizuara tash vonë dhe një pjesë tjetër para më shumë se 5 vitesh.

`Në ditët e fundit në mënyrë shqetësuese është shtuar kontrolli dhe kërkimi policor mbi aktivistët Lëvizjes VETËVENDOSJE! Në të gjitha qendrat e Kosovës ka pasur kërkime për një numër aktivistësh, qoftë në zyrat e Lëvizjes, apo në shtëpitë e tyre. Kërkimet policore janë të lidhura me aksionet politike të Lëvizjes tonë të realizuara tash vonë dhe një pjesë tjetër para më shumë se 5 vitesh.

Kështu, aktivistëve: Nora Fetoshi , Etleva Malushaj , Marigone Drevinja, Albin Kurti, Dardan Molliqaj, Zgjim Hyseni, Frashër Krasniqi, Valdrin Ahmeti, Nol Nushi, u janë dërguar ftesa, apo janë marrë në telefon për t’u paraqitur në polici. Ndërsa aktivistja Brikena Ramabaja është kërkuar disa here në shtëpi dhe në zyrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Dardanë.

Si rezultat i gjithë kësaj `gjuetie` policore mbi aktivistët tanë sot u arrestua Kushtrim Dakaj, i cili ishte duke pirë kafe para zyrës qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ai u arrestua nga 3 policë, të cilët i priste makina me dy të tjerë, pa e sqaruar fare se po e arrestojnë dhe pse po e arrestojnë.

Këto veprime të policisë ne i konsiderojmë presion politik të Qeverisë në ikje mbi Lëvizjen VETËVENDOSJE! si formë e shantazhit, e kërcënimit dhe e hakmarrjes lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend. Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon nga organet e rendit, Policia dhe Gjyqësia që të ndalojnë me kërkimet dhe arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e të mos bëhen vegël e një pushteti skajshmërisht të korruptuar, i cili nuk zgjedh mjet për të mbetur në pushtet`, thuhet në komunikatën e VV-së.