Home Blog Page 8145

Jakup Krasniqi: Me Hashim Thaçin nuk ndodh ndryshimi

0

Jakup Krasniqi14-12Deputeti i Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi ka thënë se me Hashim Thaçin në qeverisje në këtë vend nuk ndodh ndryshimi. Ai në një postim në Facebook ka thënë se në qeverisje me LAN-in duhet të përfshihet edhe Lëvizja Vetëvendosje, në mënyrë që të ketë legjitimitet në qeverisje.

Ja shkrimi i plotë i Krasniqit në Facebook:

Gjendja e krijuar pas Zgjedhjeve Kombëtare, të 8 qershorit 2014, duhet të zgjidhet në të mirë të qeverisjes së vendit. Interesi i vendit është të kemi një ndryshim substancial të qeverisjes. Ky ndryshim nuk mund të bëhet me koalicionin e Hashim Thaçit, që nuk është gjë tjetër veçse një amalgamë e panatyrshme politike.
Praktika e qeverisjes së vendit me një shumicë parlamentare dhe pakicën qytetare është treguar të jetë jo efikase. Ne duhet të nxjerrim mësim nga e kaluara. Prandaj është e domosdoshme që në Legjislaturën e Pestë, koalicioni qeverisës duhet të qeverisë jo vetëm me shumicën parlamentare, por edhe me shumicën qytetare. Kjo do të thotë se LAN-i nuk është e mjaftueshme të qeverisë në koalicion me komunitetet pakicë, pasi shumica qytetare do të mbetej jashtë qeverisjes (Koalicioni i udhëhequr nga PDK + VV), kjo e bën të domosdoshme që në qeveri të merr pjesë edhe Lëvizja Vetëvendosje! Pjesëmarrja e Vetëvendosjes jo vetëm që e bën qeverisjen më stabile, por njëkohësisht edhe i shton legjitimitetin qytetarë kësaj shumice.
Kosovës, më në fund, i duhet qeverisja e mirë. Madje, vetëm kjo shumicë parlamentare (LAN + VV), pas vendimit të GJK-së, hapë rrugë të sigurtë që kjo shumicë pa ndonjë vështirësi ta zgjedh edhe kryetarin e Kuvendit, por 12 shtatori është i rezervuar për koalicionin e Thaçit, pasi kështu ka thënë kushtetusja?! Më pas i hapet rruga koalicionit LAN + VV-ja. Qytetarët kanë votuar për ndryshimin dhe presin një qeverisje të mirë e përmbajtjesor.
Nëse kjo nuk arrihet, mund të ketë edhe rrugë të tjera, por ato nuk e garantojnë zgjidhjen e ngërçit. Jam i bindur se shkuarja në zgjedhje nuk është zgjidhja e duhur pasi ngërçi i tashëm mund të përsëritet.
Kosovës i duhen institucionet e reja. LAN-i + VV + komunitetet pakicë duhet të formojnë koalicionin qeverisës. Kjo është zgjidhja më e mirë në këto rrethana. Ndërsa koalicioni parazgjedhor i PDK-së me këdo që do të formonte koalicionin qeverisës, nuk do të garantonte qeverisje të mirë e stabile. Mandje ata as nuk kanë aleatë për të qeverisur.
Marrja e VV-së në qeverisje nga ana e LAN-it, ka edhe shumë anë tjera të mira, të cilat, me përgjegjësi të plotë, do t’i zbërthej, analizoj e arsyetoj në përputhje me zhvillimet, të cilat na presin në ditët e ardhshme.

Rama: Maqedonia në NATO nëse zbaton Marrëveshjen e Ohrit

0

Rama ne walesKryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi nga Samiti i NATO-s në Uels se Maqedonia në NATO nëse zbaton Marrëveshjen e Ohrit.

Duke mbajtur një qëndrim të fortë kryeministri ka sqaruar se për ti celur rrugën Maqedonisë si pjesëtare të NATO-s , nevojitet zbatimi i përpikët i Marrëveshjes së Ohrit.

“Gjithë bashkë të punojnë me më shumë këmbëngulje dhe intensitet për të hapur rrugën edhe për Maqedoninë. Por duke bërë presion të domosdoshëm mbi palët që të zgjidhin dhe ti japin fund odisesë të tejzgjatur të emrit dhe nën ‘B’ duke kërkuar nga Qeveria e Shkupit që të respektojnë në frymën e duhur Marrëveshjen e Ohrit”, deklaroi kryeministri Edi Rama, transmeton INA.

Kjo ka qenë deklaratë e fuqishme e kryeministrit shqiptar nga Samiti i liderëve botëror të NATO-s nga Kardifi i Uelsit, në një konferencë ku ishin qindra gazetarë nga media të ndryshme botërore. Kjo deklaratë është një mesazh i fortë për Qeverinë e Shkupit lidhur me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Kryeministri Rama edhe më parë ka bërë thirrje për zbatimin e kësaj marrëveshje, por duke u kritikuar edhe nga autoritetet qeveritare në Shkup.

Pas kësaj deklarate të fortë, pritet edhe reagimi i autoriteteve qeveritare të Maqedonisë.

 

Po ndjekim rrugën kushtetuese

0

Thaci-qeveriaKryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi, ka këmbëngulur se, sipas Kushtetutës dhe zgjedhjeve të 8 qershorit, shumica e vetme e njohur ligjërisht është ajo e PDK-së dhe partive të koalicionit parazgjedhor. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Thaçi ka thënë se mënyra e vetme për ta tejkaluar sfidën e konstituimit të Kuvendit është që më 12 shtator kandidati i PDK-së ta marrë postin e kryetarit të Kuvendit dhe më pas të vazhdohet me procedura të tjera. Ai ka bërë me dije se bllokada politike mund të përfundojë që nesër nëse të gjithë aktorët politikë fillojnë ta respektojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “PDK-ja si parti shtetformuese ka punuar gjithnjë konform rregullave parlamentare, kornizës ligjore dhe afateve kushtetuese. Në asnjë moment nuk kemi ofenduar, nuk kemi bërë politikë personale dhe nuk kemi shantazhuar shtetin me kapriçe apo inate personale”, është shprehur Thaçi, duke shtuar se Kosova ka mundur t’i ketë edhe kryekuvendarin, edhe qeverinë që tani po të mos ishte një marrëveshje politike bllokuese dhe jokushtetuese midis palëve që kanë humbur zgjedhjet.

Ai ka thënë se blloku LDK-AAK-Nisma e ka të qartë se ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës nuk e lejojnë realizimin e skenarit të tyre. “Mendoj se më 12 shtator kandidati i PDK-së duhet ta marrë postin e kryetarit të parlamentit me shumicë votash dhe në përputhje me Kushtetutën. Kjo është mënyra e vetme për ta tejkaluar sfidën e parë, atë të konstituimit të parlamentit dhe organeve të tij. Rrugë tjetër ligjore dhe kushtetuese nuk ka, ndërsa është çështje tjetër që liderët e bllokut vazhdojnë t’ia bëjnë qefin njëri-tjetrit se ata do ta marrin situatën në dorën e tyre me rrugë të tjera”, ka thënë Thaçi.
Pas zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe kryesisë së Kuvendit, lideri i PDK-së ka deklaruar se duhet të vazhdohet me zgjedhjen e qeverisë së re, e cila, sipas tij, duhet të ketë përfaqësim sa më të gjerë politik. “Përfaqësimi sa ma i gjerë politik në qeverinë e ardhshme është synim i natyrshëm sepse Kosova në këto momente ka nevojë për bashkim e jo për ndarje të nxitura nga egot e liderëve politikë”, është shprehur ai.

Thaçi ka bërë me dije se nuk do të heqë dorë nga posti i kryeministrit. “Kjo çështje është adresuar përpara fillimit të fushatës elektorale dhe elektoratit të PDK-së, por edhe shumë qytetarë të partive të tjera më kanë ngarkuar me përgjegjësinë për ta udhëhequr vendin në fazën e ardhshme zhvillimore. Vota e tyre me obligon dhe unë duhet ta bëj një gjë të tillë”, ka deklaruar Thaçi.

Në këtë intervistë kryeministri ka folur edhe për arrestimet e të dyshuarve për ekstremizëm. Thaçi ka thënë se ky fenomen nuk lidhet me një produkt vendor, por më shumë me ndikimin e organizatave të huaja të dyshimta apo infiltrimin e propagandës fondamentaliste nëpërmjet rrjeteve sociale dhe teknologjisë së komunikacionit. “Çdo përpjekje për t’i instrumentalizuar këto arrestime apo për të përfituar politikisht prej kësaj çështje delikate është një papërgjegjshmëri e vërtetë dhe shkon ndesh me interesat tona shtetërore”, ka vlerësuar Thaçi, duke shtuar se shteti i Kosovës nuk do të tregojë asnjë mëshirë ndaj atyre që rrezikojnë idealet evropiane të shumicës absolute të kosovarëve. “Mbi 90 % të kosovarëve janë deklaruar si myslimanë, por të gjitha sondazhet flasin se mbi 90 % të kosovarëve e duan edhe Amerikën dhe Evropën dhe kjo është një shumicë absolute e moderuar që synon idealet e lirive individuale, që synon një shtet sekular, ku feja është çështje personale dhe nuk përzihet në punë shteti”, ka thënë Thaçi.

“Epoka e re”: Zoti kryeministër, kanë kaluar disa muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit dhe Kosova nuk është më afër krijimit të institucioneve të reja? Edhe sa kohë parashihni të zgjasë ky ngërç politik?
Thaçi: Bllokada politike mund të përfundojë që nesër nëse të gjithë akterët politikë fillojnë ta respektojnë rezultatin e zgjedhjeve që nxori një platformë dhe një program fitues, mbi të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. PDK-ja si parti shtetformuese ka punuar gjithnjë konform rregullave parlamentare, kornizës ligjore dhe afateve kushtetuese. Në asnjë moment nuk kemi ofenduar, nuk kemi bërë politikë personale dhe nuk kemi shantazhuar shtetin me kapriçe apo inate personale. Edhe kur kemi humbur në zgjedhje, edhe kur kemi fituar jemi sjellë në mënyrë të dinjitetshme dhe gjithmonë kemi qenë të hapur të bashkëpunojmë për të mirën e vendit. Fatkeqësisht, deri më tani, këto premisa nuk po i shohim te blloku i krijuar pas zgjedhjeve nga humbësit. Uroj që deri më 12 shtator, kur është thirrur vazhdimi i seancës së ndërprerë, të kemi më shumë reflektim pozitiv nga opozita për nevojën e Kosovës që nuk lidhet me emra konkretë, por me program ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.

“Epoka e re”: Opozita thotë se i ka 83 deputetë, ndërsa ju akuzojnë juve se po e bllokoni gjendjen?

Thaçi: Fillimisht, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas zgjedhjeve të 8 qershorit, shumica e vetme e njohur ligjërisht është ajo e PDK-së dhe partive të koalicionit parazgjedhor. Kjo është momentalisht shumica parlamentare dhe grupi më i madh parlamentar. Nuk është e vërtetë se 83 deputetë janë në një bllok, ndërsa 37 në një bllok tjetër. Kjo është thjesht një keqlexim i qëllimshëm i numrave të një seance të dështuar dhe jokushtetuese. Kosova ka sistem proporcional që mundëson edhe përfaqësim të grupeve më të vogla, njëkohësisht ka edhe mekanizma për të siguruar që fituesi i zgjedhjeve ta qeverisë vendin për një mandat. Edhe Gjykata Kushtetuese e ka konfirmuar këtë interpretim, por ja që nganjëherë në Kosovë inati thjesht tejkalon edhe argumentet racionale politike.

“Epoka e re”: A do ta ketë Kosova kryekuvendarin më 12 shtator?

Thaçi: Kosova ka mundur t’i ketë kryekuvendarin dhe qeverinë që tani po të mos ishte një marrëveshje politike bllokuese dhe jokushtetuese midis palëve që kanë humbur zgjedhjet. Blloku e ka të qartë se ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës nuk ia lejojnë bllokut realizimin e skenarit të vet. Prandaj mendoj se më 12 shtator kandidati i PDK-së duhet ta marrë postin e kryetarit të parlamentit me shumicë votash dhe në përputhje me Kushtetutën. Kjo është mënyra e vetme për ta tejkaluar sfidën e parë, atë të konstituimit të parlamentit dhe organeve të tij. Rrugë tjetër ligjore dhe kushtetuese nuk ka, ndërsa është çështje tjetër që liderët e bllokut vazhdojnë t’ia bëjnë qefin njëri-tjetrit se ata do ta marrin situatën në dorën e tyre me rrugë të tjera.

“Epoka e re”: Çfarë hapash priten?
Thaçi: Shkojmë në formim të qeverisë sipas nominimit të presidentes Jahjaga. Nuk ka dilemë se qeverisjen e PDK-së e dëshiroi votuesi kosovar dhe koalicioni i ardhshëm qeverisës modeomos duhet t’u kthehet prioriteteve urgjente të Kosovës që janë: ekonomia, integrimet evropiane, dialogu me fqinjë, përfundimi i themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, themelimi i Gjykatës Speciale si dhe një mori veprimesh të tjera që kërkojnë një konsensus të gjerë shoqëror dhe politik. Përfaqësimi sa më i gjerë politik në qeverinë e ardhshme është synim i natyrshëm sepse Kosova në këto momente ka nevojë për bashkim, jo për ndarje të nxitura nga egot e liderëve politikë.

“Epoka e re”: Dhe ju doni të jeni kandidat i PDK-së për kryeministër?

Thaçi: Kjo çështje është adresuar përpara fillimit të fushatës elektorale dhe elektorati i PDK-së, por edhe shumë qytetarë të partive të tjera më kanë ngarkuar me përgjegjësinë për ta udhëhequr vendin në fazën e ardhshme zhvillimore. Vota e tyre më obligon dhe unë duhet ta bëj një gjë të tillë, jo për faktin se nuk i kam përmbushur ambiciet politike deri më tani. Përkundrazi, së bashku me të tjerët kam udhëhequr politikisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila konsiderohet forca guerile më e suksesshme në historinë moderne evropiane. Kemi udhëhequr procesin e pavarësimit të vendit tonë dhe, përkundër krizës financiare që goditi tërë botën në gjashtë vjetët e fundit, kemi arritur edhe të fillojmë projekte zhvillimore dhe të shënojmë rritje ekonomike gjatë dy mandateve. Pakkush ka besuar se votuesit do të na shpërblejnë me mandat të tretë dhe kur sovrani foli më 8 qershor, ai e përcaktoi edhe partinë fituese si dhe programin fitues, Misioni i Ri. Zgjedhjet nuk u mbajtën as për mua personalisht e as për liderët e opozitës, ato u mbajtën që të ketë garë idesh dhe programi më i votuar të jetë platforma qeverisëse për katër vjetët e ardhshëm.

“Epoka e re”: A do ta pranoni ndonjë kandidat tjetër nga opozita për pozitën e kryeministrit, sidomos nëse nuk i bëni votat në tentimin e parë?
Thaçi: Do t’i bëjmë votat që në tentimin e parë. Për këtë nuk kam dyshim.

“Epoka e re”: Z. kryeministër, kohët e fundit ka pasur edhe arrestime të imamëve të BIK-ut, pos 40 të dyshuarve për ekstremizëm. Në anën tjetër, në koalicionin e juaj keni deputetë që kanë marrëdhënie të mira me imam Krasniqin. A po e rrezikon ekstremizmi Kosovën dhe a do t’i rrezikojë intervistimi i imam Shefqet Krasniqit marrëdhëniet e shtetit me BIK-un?
Thaçi: Fillimisht më lejoni të them se unë kam konsideratën më të lartë për Bashkësinë Islame të Kosovës dhe të gjithë besimtarët. Besoj se ata luajnë rol shumë të madh në ngritjen e vlerave shpirtërore të popullit tonë, siç bëjnë edhe komunitetet fetare pakicë. Rastet periferike e sporadike të disa predikuesve nuk mund ta njollosin aspak punën e madhe e të lavdishme që kanë bërë klerikët tanë në të kaluarën dhe traditën shembullore që ka komuniteti mysliman shqiptar me tolerancë të njohur botërisht. Prandaj, i përgëzoj qëndrimet dinjitoze të përfaqësuesve të lartë të BIK-ut dhe shumë klerikëve të tjerë të cilët janë distancuar qartë dhe ashpër prej xhihadistëve të sipërpërmendur si dhe diskursit të nxitjes së urrejtjes.
Unë personalisht krenohem me traditën e islamit shqiptar të mbështetur në frymën e tolerancës dhe bashkëjetesës dhe mbrojtja e hebrenjve gjatë kërcënimit të shfarosjes prej Holokaustit nazist është një dëshmi e vlerave të kësaj tradite. Po ashtu, besoj se islami tradicional në Kosovë, por edhe religjionet e tjera kosovare, janë në përputhje të plotë me vlerat që ka përqafuar shteti ynë dhe projekti euroatlantik ku aspirojmë të shkojmë në të ardhmen.

Sikurse është kuptuar qartë edhe nga rastet e bëra publike, prania e këtyre predikuesve kosovarë të indoktrinuar në mënyrë ekstreme nuk lidhet me një produkt vendor, por më shumë me ndikimin e organizatave të huaja të dyshimta apo infiltrimin e propagandës fondamentaliste nëpërmjet rrjeteve sociale dhe teknologjisë së komunikacionit.

Sa iu përket deputetëve të koalicionit të PDK-së, koalicioni rreth Misionit të Ri është koalicion i vlerave evropiane dhe i një programi që synon ta përafrojë Kosovën me NATO-n dhe BE-në, si dhe t’i ruajë partneritetin dhe miqësinë historike me SHBA-në. Ndërsa veprimet e policisë dhe prokurorisë së shtetit janë për t’i goditur ata që rrezikojnë këtë synim tonin, që rrezikojnë tolerancën shekullore shqiptare dhe që kanë tentuar ta importojnë një model fetar të papranueshëm për nënqiellin tonë.

“Epoka e re”: Megjithatë, shtrohet pyetja pse tani po zhvillohen këto arrestime?
Thaçi: Operacionet e fundit janë ndërmarrë me përkujdesjen më të madhe për të respektuar çdo procedurë, për të shmangur çdo mundësi të shkeljes së të drejtave të njeriut si dhe për t’ia prerë rrugën çdo lloj degradimi të situatës apo konfrontimi të dhunshëm. Përfitoj nga rasti i kësaj interviste për t’i falënderuar dhe përgëzuar të gjitha institucionet shtetërore për nivelin e lartë të profesionalizmit që kanë demonstruar. Në bazë të informacionit që unë kam zotëruar muajt e fundit, arrestimet janë bërë pasi janë mbledhur shumë të dhëna, fakte, evidenca që provojnë bindshëm implikimin e personave të arrestuar dhe jam i sigurt që në proceset gjyqësore akuza për ta do të jetë e mbështetur në dosje të kompletuara e vërtetuara mirë. Pra, nuk lidhet aspak me rrethana politike, por vetëm me punën dhe procedurat rigoroze të institucioneve të rendit publik dhe sigurisë të cilët kanë pritur të siguronin mjaftueshëm prova bindëse dhe ta gjenin kohën më të përshtatshme në gjykimin e tyre profesional për t’i bërë arrestimet. Çdo përpjekje për t’i instrumentalizuar këto arrestime apo për të përfituar politikisht prej kësaj çështje delikate është një papërgjegjshmëri e vërtetë dhe shkon ndesh me interesat tona shtetërore.

Nuk do të tregojmë asnjë mëshirë ndaj atyre që rrezikojnë idealet evropiane të shumicës absolute të kosovarëve. Mbi 90 % të kosovarëve janë deklaruar si myslimanë, por të gjitha sondazhet flasin se mbi 90 % të kosovarëve e duan edhe Amerikën dhe Evropën dhe kjo është një shumicë absolute e moderuar që synon idealet e lirive individuale, që synon një shtet sekular, ku feja është çështje personale dhe nuk përzihet në punë shteti, që synon një shoqëri ku gruaja dhe burri janë të barabartë dhe ku nuk ka dallim e as rëndësi nëse e ke emrin Anton ose Ali.
Tani pasi që jetojmë të lirë, të pavarur dhe në demokraci, rreziku më i madh për Kosovën janë ata që cenojnë këto liri dhe këtë pavarësi që kemi fituar me ndihmën e miqve në SHBA dhe BE. Ata që tentojnë të na prishin marrëdhëniet me Perëndimin janë ose të paguar nga elementet anti-shqiptare ose janë trushpërlarë.

Kuptohet që ne jemi një shtet i ri ende në fazë konsolidimi, kështu që kemi goxha punë për të bërë për sa i përket çimentimit të edukatës së demokracisë dhe të drejtave të njeriut në çdo cep të shoqërisë kosovare. Unë besoj se me konsolidimin e mëtutjeshëm të shtetit kosovar, interesi shtetëror do të bëhet më i qartë dhe masiv për mbarë shoqërinë tonë dhe do të bëhet shumë më e vështirë për organizata të huaja që të infiltrojnë në Kosovë celula me agjendat e tyre politike.

Fatmirësisht, në këtë luftë të ashpër kundër terrorizmit ne gëzojmë mbështetjen e plotë dhe të pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të tjerë perëndimorë dhe unë jam i bindur që ne jemi sot në rrugën e duhur për t’u përballur siç duhet me këtë rrezik.

“Epoka e re”: Jeni deklaruar disa herë në rrjete sociale rreth temës së ekstremizmit. A është duke ju preokupuar profesionalisht kjo temë më shumë në muajt e fundit?

Thaçi: Nuk është vetëm preokupim i imi, por i tërë botës së civilizuar. Radikalizmi është rezultat i problemeve botërore që po importohen në Kosovë. Probleme me ekstremizëm ka edhe në Angli, ku ka pasur edhe sulme terroriste, ka edhe në Skandinavi, edhe në Turqi, por edhe tek shtetet fqinje. Të gjithë jemi të prekur nga ky kancer ideologjik dhe çdo shtet specifik po ndërmerr masa për ta parandaluar zgjerimin e problemeve të Lindjes së Mesme edhe në shtetet tona. Është e vërtetë se më përpara ka pasur grupe të vogla dhe të vëzhguara nga shërbimet tona, por me luftën në Siri dhe Irak, ky numër është rritur pak dhe tani duhet të jemi të kujdesshëm mos të lejojmë që ekstremistët ta prishin imazhin e Kosovës ose edhe rendin e ligjin në këtë vend. Prandaj edhe kam insistuar ta aprovojmë në qeveri Ligjin kundër pjesëmarrjes në luftëra të huaja. Qeveria e ka aprovuar, por deputetët kanë mbetur t’i kryejnë detyrat e shtëpisë që ky ligj të hyjë në fuqi.

“Epoka e re”: Shumëkush thotë se gjendja ekonomike në Kosovë është arsyeja e radikalizmit. Shumë të rinj nuk po shohin perspektivë dhe po i bashkëngjiten aradheve të ISIS-it.
Thaçi: Terrorizmi është një rrezik aktual global që kërcënon të gjitha vendet e botës dhe padyshim se edhe Kosova është e pashmangshme në kërcënim. Nuk kemi nevojë për dramatizime të tepruara. Jemi duke folur për qindra e mijëra të rinj, por për disa dhjetëra, ndoshta rreth 100 që gjenden në Siri. Rrjeti suportues i tyre në Kosovë është pak më i gjerë, por gjithsesi numër më i vogël se numri i të rinjve që sheh në cilëndo kafiteri të kryeqytetit në çfarëdo momenti. Por ideologjia monstruoze që kërkon vdekje dhe prerje kokash i bën këta shumë të rrezikshëm. Kosova nuk ka qenë kurrë shtet i pasur dhe statistikisht sot jemi më të pasur se kurdoherë në 100 vjetët e fundit. Ekstremizmi po paraqitet edhe në shtete shumë më të pasura se Kosova për shkak të natyrës së saj si dhe rrjeteve sociale që janë bërë mjet i rekrutimit dhe indoktrinimit. E kemi rastin e një djaloshi gjerman me prejardhje kosovare që vrau ushtarët amerikanë dhe ai nuk ka pasur problem papunësinë në Gjermani, por ka pranuar në gjykimin e tij se videot propagandistike në internet ia kanë mbushur mendjen se amerikanët i ka armiq, edhe pse kurrë në jetë të vet nuk ka pasur problem personal me amerikanë. Jam duke përgatitur me një ekip ekspertësh nga vendi dhe bota një paketë masash që adresojnë edhe arsimin, liritë fetare, punën me rininë si dhe më shumë mundësi punësimi nëpërmjet Fondit të Punësimit që do të adresonte këtë çështje në mënyrë komplete.

“Epoka e re”: A do të ketë Kosova krizë ekonomike këtë vit për shkak të vonesës së krijimit të institucioneve?
Thaçi: Qeveria punon sipas planit për ta mundësuar jetësimin e planeve për rritje solide ekonomike. Kemi bërë edhe veprime si rritjet e rrogave për t’i ndihmuar qindra mijëra familje, por është e qartë se çdo vonesë ekstra në krijim të institucioneve vonon edhe planet për rritje të investimeve, zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.

Atentati me C4 në Vlorë/ 19- vjeçarja shpëton nga rreziku për jetën

0

10308945_1458781541047198_5800814399698560762_n-e140990882828919- vjeçarja, Ornela Gjini, e dashura e biznesmenit të vrarë me C4 në Vlorë, del nga rreziku për jetën.

Lajmi është bërë i ditur nga mjekët e QSUT-së, të cilët shprehen se ajo e ka kaluar tashmë rrezikun.

“19 vjeçarja po mjekohet vetëm në këmbë për djegjet që ka pësuar. Vajza është e ndërgjegjshme”, kanë pohuar mjekët.

Ornela Gjini ndodhej në mjetin e biznesmenit Isuf Brahimaj në momentin që makina i tij shpërtheu pasi i bënë atentat.

Nga shpërthimi ajo mori plagë të rënda dhe prej disa ditësh ndodhej në gjendje kome.

Drejtuesi i mjetit, Isuf Brahimaj, mbeti i vdekur në vend.

Shkojmë në seancë, e votojmë Mustafën

0

DonikaKadaj-Bujupi-aakDeputetët e partive të Bllokut (LDK-AAK-Nisma) do të marrin pjesë në seancën konstituive të Kuvendit, që do të mbahet më 12 shtator 2014, por nuk do ta votojnë kandidatin e PDK-së për kryeparlamentar.

Kështu thotë gjatë një interviste të shkurtër për gazetën “Zëri” deputetja e AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi, duke shtuar se do ta presin pikën e 127-të të vendimit të Kushtetueses për ta zbatuar dhe, siç thotë ajo, do ta rikonfirmojnë kandidatin e tyre për kryeparlamentar, Isa Mustafën.

LDK-ja në Prizren dhe Suharekë kërkojnë rikthimin e Fatmir Sejdiut

0

FatmirSejdiu-ldkDisa Degë të LDK’së nëpër qytete të ndryshme të Kosovës po e kërkojnë rikthimin e Fatmir Sejdiut në krye të Partisë.

Kështu, në disa qytete, disa anëtarë të Kryesive të Degëve kanë nisur të kërkojnë rikthimin e Sejdiut.

Burime të Express kanë treguar se një pjesë e Degës së Suharekës, Podujevës, Gjakovës, Gjilanit, Kamenicës e Prizrenit po kërkojnë që Sejdiu të jetë sërish i pari i LDK’së.

Ndryshe, Sejdiu, deri më tash nuk e ka mohuar mundësinë e kandidimit për udhëhequr me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Aktualisht, këtë parti po e udhëheq Isa Mustafa, i cili ka pësuar tri humbje të njëpasnjëshme në ballafaqim direkt me kundërshtarët politik. Mustafa ka humbur edhe garën për Kryetar të Prishtinës si dhe ka humbur dy herë garën në zgjedhjet nacionale.

Veç kësaj, përkrahësit e Fatmir Sejdiut, kanë hapur edhe faqe në rrjetet sociale me thirrje që ai të rikthehet në krye të LDK’së.

Britania, mbi 500 xhihadistë në Siri

0

Al-Nusra ne SiriMbi 500 britanikë llogariten të kenë udhëtuar drejt Sirisë tri vitet e fundit, për t’u bashkuar me rebelët në vendin e gjunjëzuar nga konflikti.

30 prej tyre, sot shprehen të zhgënjyer nga rrjedha që ka marrë lufta; janë të lodhur e duan të kthehen mbrapsht. Por, kërcënimi i burgut i mban akoma në Siri.

Një person kontaktoi në emër të grupit me profesorin Peter Neumann, të Qendrës Ndërkombëtare të Studimit të Radikalizimit dhe Dhunës Politike në Londër, për t’i treguar se si këta dhjetra vetë, që shkuan në rajon për të ndihmuar në përmbysjen e Bashar al-Assadit, tani janë të pakënaqur me faktin që fraksionet rebele po i kthejnë armët nga njëra-tjetra.

“The Times” citon burrin e paidentifikuar të pohoje se do të ktheheshin pa hezitim në Britani, po të mos i druheshin burgut.

“Ne erdhëm në Siri për të luftuar regjimin, por përfunduam në mesin e një lufte mes bandash rivale. Nuk ishte ky qëllimi ynë, megjithatë edhe po të kthehemi mbrapsht në vendin tonë nuk na pret gjë tjetër veç burgut”, shprehet ai.

Neumann thotë se dënimi për këtë kategori mund të shkojë deri në 30 vjet heqje lirie. Ai beson se gati një e pesta e britanikëve, të cilët luftojnë në Siri, duan të largohen prej andej dhe ndan bindjen se për xhihadistët, që nuk i përkasin vijës së ashpër, mund të gjendet një zgjidhje.

Këta njerëz mund të përdoren për t’i treguar rekrutëve potencialë se realiteti i luftës nuk ka shumë të përbashkëta me imazhin e ofruar nga propaganda e ISIS-it. Nga 250 britanikët e kthyer prej rajonit të trazuar, të paktën 40 janë vënë në pranga e përballen me gjyqin nën akuzën e terrorizmit.

Brenda grilave ai i “listës së zezë”!

0

Agim MuhaxheriAgim Muhaxheri

Intervista e imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, dr. Shefqet Krasniqit, zgjati disa orë. Ai lirohet. Nëse për ndokënd ka prova e fakte juridike se ka kryer vepër penale, shteti nuk ia fal mëkatin. Lajmi se Flora (Brovina) i ka tubuar të vetët (PDK), mbeti nën hije. Adem “Shtriga” më thotë: Shkruje një hajmali në gazetë, nashta ju ban hajr politikanëve që s’po mund të merren vesh…”

Vala e arrestimeve po vazhdon.
Quo vadis Kosova?
Policia e prokurorët kanë shumë punë. Po përballen me lëndë “shumë të ndjeshme”.
Të “ndjeshme” janë për njerëzit e rëndomtë, ndërsa për njerëzit e shtetit, policinë dhe prokurorinë, janë ‘raste të zakonshme”.
Lëndët me të cilat merren janë ato që kanë të bëjnë me veprën penale të terrorizmit, nxitjes në terrorizëm, urrejtjes kombëtare, fetare, racore…
Kjo bie në domenin e veprave penale politike.
Prokurorët s’bën të heshtin.
Prokurorët identifikojnë shtetin
Kur shteti hesht, krijohet imazh i keq për shtetin.
Shteti s’bën të hesht, assesi, në asnjë mënyrë.
Ndryshe, krijohet imazhi i keq për shtetin.

Serbia armike së bashku me vëllezërit e saj arabë investon, jep para të majme për ata që po e bëjnë luftën në Siri dhe Irak.
Nuk i dhimbsen paratë Serbisë për të krijuar imazhin e keq për Kosovën.
Ajo (Serbia) për procesin e 40 të dyshuarve dhe të tjerëve që iu bashkëngjitën këtij numri i fërkon duart.

Thotë: Financimi s’po më shkon huq.
Prerja e kokave të njerëzve, pra edhe e dy gazetarëve amerikanë ishte rrëqethëse. Ata që janë të sëmurë nga zemra, këto skena nuk bën t’i shikojnë.

Dhe ata që e quajnë veten myslimanë, jo shqiptarë, iu bashkuan ISIS-it dhe Al Nusra-s, u bënë bashkë me ta.
E pjesëtarët e ISIS-it dhe të Al Nusras i quajnë ushtarët e djallit.
Të bëhesh bashkë me ushtarët e djallit, kjo është tmerr.
E enjtja e 4 shtatorit, ishte ditë e “nxehtë” në Kosovë. Pati arrestime, bastisje dhe vlime në politikë. Shpërtheu si raketë lajmi: Brenda grilave mbahet dr. Shefqet Krasniqi, imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë.
Lajmi i dytë, kryesuesja e Kuvendit Flora Brovina u konsultua me të vetët (PDK-në) për rrjedhën e seancës së ardhshme për konstituimin e Kuvendit, që u caktua më 12 shtator.

Lajmi i madh e gëlltit të voglin. Politika mbeti nën hije. Lajmi i “dorës së parë” është ai i arrestimit të teologut Shefqet Krasniqit.
Po ashtu, si raketë shpërtheu lajmi në portalet tona. Tribuna online lajmin e titullon: “Shefqet Krasniqi lirohet?”. Pastaj i heq pikëpyetjen. Del lajmi i vërtetë.

Krasniqin e arrestuan në orët e hershme të mëngjesit, të 4 shtatorit, pasi kishte falur namazin e sabahut. E bastisën shtëpinë e tij. Portalet shkruan se prokurorët me të po bëjnë intervistë. Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, për Radio Kosovën u shpreh se BIK do të jetë përkrah institucioneve të vendit.

Natyrisht, e përmendën shprehjen “përkrahës të institucioneve të Kosovës”, se ndryshe s’bën, bëhet bërlloku.
Di BIK-u të bëjë politikë!

Kur policia të bastisë shtëpinë, të arreston, nuk të thirrë për intervistë, por një veprim i tillë është serioz dhe ka të bëjë me masën e mbajtjes apo të paraburgimit.

BIK-u shpreh habinë se përse, kur është arrestuar doktor Shefqet Krasniqi, nuk është bërë me dije ky institucion fetar.
Nuk bën të shpreh habinë.

Policia nuk ka obligim ligjor ta lajmërojë BIK-un, po familjen e të dyshuarit. Kjo është rregull ligjore që vlen jo vetëm te ne, po çdo kund, aty ku ka sistem të mirëfilltë juridik.

Andaj, zotërinj të BIK-ut, mos u hidhëroni për këtë “kabahat”.
Masa e mbajtjes mund të zgjasë deri në 48 orë, ndërsa paraburgimin, nëse ka arsye për këtë, me propozimin e prokurorit e cakton gjykatësi i procedurës paraprake.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi zyrtar ka treguar se ka shoqëruar Shefqet Krasniqin, si të dyshuar për veprën penale “nxitje e urrejtjes, përçarje ose mosdurim kombëtar, racor, fetar apo etnik”, sipas nenit 147 të KPK-së.

Jorastësisht nuk u arrestua imami Krasniqi, ngase ky dhe dy të tjerë janë në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Megjithëkëtë, prokurorët e gjykatësit s’bën të kenë paragjykime.
Ata s’bën të jenë emocionalë. Kanë prova, nëse i kanë, e bëjnë procedurën penale!

Neni 3 i Kodit tonë të procedurës penale (2013) është i titulluar:
Prezumimi i pafajësisë së të pandehurit dhe in dubio pro reo. Në paragrafin 1 të këtij neni thuhet:

Çdo person i dyshuar ose që akuzohet për vepër penale konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Andaj, askush, pra as shtypi, as televizioni, as radioja nuk ka të drejtë dikë ta quajë kriminel, t’i japë epitetin e xhihadistit….

Imami Krasniqi dyshohet për “nxitje e urrejtjes, përçarje ose mosdurim kombëtar, racor, fetar apo etnik”. Nëse ka prova se ai ka hyrë në zonën kriminale, shteti nuk ia fal. Për këtë vepër penale dënimi është paraparë prej 5 deri në 10 vjet burg.

Një ditë para furtunës, në një kafiteri bashkëvendësi im Adem Zeneli, të cilin e thërrasin Adem Shtriga, i shoqëruar me tezakun e tij Nuhiun, “gjermanin”, i zhgënjyer për tërë atë se ç’po ngjet me politikën tonë, për politikanët që s’po mund të merren vesh, më thotë: “Shkruje një hajmali në gazetë, mos po u bënë hajr”. Njëri ia tërhoqi vërejtjen: O Adem Shtriga, mos hyn në politikë…

E pinim kafen e mëngjesit në njërën nga kafiteritë e Kaçanikut. Me mikun e kolegun tim, Ekrem Rakën. Shikonim në TV dhe lexonim titrat për arrestimin e Shefqet Krasniqit. Në njërën nga tavolinat dëgjoj zërat “A more vesh, Shefkija i agës… e kish hek mjekrën… Tanë kanë me i hek mjekrat, mjekrat e vehabistëve…”. Njëri tha: E mjekrat e artistëve a do t’i heqin?
E di shteti mjekrat e kujt i heq!

Më la përshtypje edhe opinioni i shkrimtarit dhe studiuesit të letërsisë Ag Apollonit, autorit të romanit “Ulurimë e ujkut”. Opinioni i tij në Facebook është: “Dikur luftonim për Spanjën, tash për Sirinë. Epo, kështu do ta bëjmë Shqipërinë”.

Nipi im Nazmiu (Kelmendi), ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtar në Pashtrik e Koshare, i njohur si Komandanti i Trentë, më thotë: O dajë nuk ndihem mirë kur dëgjoj e lexoj se si disa “luftëtarë” e njollosin UÇK-në, më vjen marre t’i them dikujt se kam qenë ushtar i UÇK-së. Ndaj atyre që e njollosin kombin tonë, ndaj atyre që e shajnë mikun tonë Amerikën, ndaj atyre që bëhen bashkë me ISIS-in dhe Al Nusran, shteti ynë duhet të jetë i pamëshirshëm. Me u vetë unë, thotë ai, këta që po luftojnë në krah me këto organizata terroriste i kisha fshi prej faqes së dheut…

Mustafa: Pa postin e kryeparlamentarit, prishet projekti LAN

0

isa mustafa 3Koha Ditore shkruan sot për detajet nga takimi i përfaqësuesve të koalicionit paszgjedhor, të cilët janë mbledhur për ta përgatitur skenarin e vazhdimit të seancës konstituive.

Isa Mustafa bashkë me liderët e dy subjekteve të tjera të koalicionit paszgjedhor, Ramush Haradinajn e AAK-së dhe Fatmir Limajn e Nismës, janë takuar të premten në Kuvend, për të bërë përgatitjet shtesë përkitazi me veprimet që do t’i ndërmarrin në vazhdimin e seancës që do të mbahet të premten.

“Projekti është i lidhur me pozitën e kryetarit të Parlamentit, sepse nuk ka asnjë kuptim që dikush të heqë dorë nga Kuvendi dhe të thotë se unë do të qeveris në këtë vend, sepse ato janë punë të lidhura”, ka theksuar kreu i LDK-së. “Po, gjithsesi, sepse ne projektin tonë e kemi projekt të përbashkët dhe nuk kemi menduar dhe nuk mendojmë në asnjë rast që ne tash të bëjmë një lëshim, sepse këtu lëshim nuk ka”, ka shtuar ai, i pyetur nëse prishet projekti LDK-AAK-Nisma në rast se kryeparlamentarin e merr PDK-ja.

Brovina: Seanca m`i kujtoi detyrat e luftës

0

FloraBrovina-deputeteAktivistja shumëvjeçare Flora Brovina nuk po ndihet mirë në mandatin e ri si deputete. Një detyrë solemne e udhëheqjes së seancës konstituive të legjislacionit të ri, që i ka rënë hise për shkak të moshës, po i del sfidë e madhe. Sfidë që, sipas Brovinës, e bëri që të përjetojë edhe ofendime, kërcënime dhe zhgënjim nga kolegë e kolege që i kishte respektuar shumë. Deputetja më e moshuar paralajmëron se e njeh mirë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Kjo njohje e ka kursyer atë nga shkelja në seancën e kaluar. Gjykata Kushtetuese konstatoi se shkeljet i kishin bërë deputetët tjerë.

Për të nuk është me rëndësi se kandidati i cilës parti bëhet kryetar, por kërkon që të ketë marrëveshje. “Për mua nuk është me rendësi cila parti po e merr kryetarin. Në këtë moment jam neutrale. Po duhet të arrihet një marrëveshje në mes të partive shqiptare që marrin pjesë aty. S’ka nevojë me na thanë faktori ndërkombëtar ‘merruni vesh shqip’. Ne duhet vetë të merremi vesh shqip. Nuk është faji i PDK-së se dikush e ka ndarë pogaçen para se të formohet dhe të mbahet kjo mbledhje”, ka thënë Brovina.

Tribuna: A jeni e gatshme për ta drejtuar vazhdimin e seancës konstituive? Brovina: Realisht kur e kam marrë detyrën, e kam ndjerë veten sikurse në kohën e luftës kur duhesh ta udhëheqësh një çështje shumë problematike. Nuk kanë qenë në një linjë Kushtetua, rregullorja e punës dhe rendi i ditës, prandaj unë jam detyruar ta shkel njërën prej tyre. Jam përqendruar që ta shkel rendin e ditës se është më pak e dhimbshme. Këtë para meje, Kushtetutën dhe rregulloren e punës e kishte shkelur kryesia e kaluar kur kishte marrë vendim për pikat të cilat nuk korrespondojnë as me mandatin e kryesisë së kaluar dhe as në rolin tim si kryesuese, që është një rol shumë formal që zgjat më së shumti një orë. Por kush do ta bënte tjetër nëse unë do të tërhiqesha?! Kjo sfidë më ka shtyrë të ballafaqohem me këtë problem që nuk e meritoja. Punën time e njohin të tjerët, por ja që jeta më ka mësuar të mos heq dorë nga sfidat.

Tribuna: Mendoni se palët do të arrijnë në një marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit? Brovina: E rëndësishme është që ta mbajmë rregullin dhe të mos anashkalojmë rregullat në mënyrë që të mos ndodhë diçka jashtë Kushtetutës dhe rregullores. Po lejuam diçka jashtë rregullores dhe Kushtetutës, kjo do të ndodhë gjithnjë. E rëndësishme është sistemi ynë ligjor dhe respektimi i ligjeve në Kosovës. Unë kësaj iu përmbajtja me gjithë ofendimet dhe gjithë sfidat. E pranoj ishte edhe menaxhimi jo i duhur, nuk ishte ashtu siç e kam menduar dhe kam dëshiruar të jetë. Personalisht ndihem fituese sepse Gjykata Kushtetuese u përgjigj që pata të drejtë, dhe natyrisht seanca do të vazhdojë aty ku është ndërprerë. Kjo është përgjigje e madhe për disa në Kuvend. Është përgjigje që duhet të respektohet Kushtetuta. Nëse nuk respektohet Gjykata Kushtetuese, atëherë kë do ta respektojmë në këtë shtetin tonë të ri?! Si do të japim shembull për gjeneratat që do të vijnë?! Si do të veprojmë më tutje?! Them të ftohen gjakrat të logjikohet pak më ndryshe. Unë nuk po ndaj drejtësi, por në Kuvend ulen njerëzit për të biseduar. Kuvend do të thotë të kuvendohet, jo të dilet jashtë e të rebelohet. Përmes bisedës mund ta fitosh edhe betejën, përmes durimit duke dëgjuar edhe palën tjetër, sepse secili e ka të drejtën e vet. Nëse rregullorja dhe Kushtetua kanë lëshime, ato ndërrohen, por ato kanë procedurën e ndërrimit dhe mund t’i ndërrojmë së bashku e jo vetëm. Dikush do të thoshte ‘ti s’je ajo që duhet të japësh mendim se je një spikere’ duke minimizuar rolin e kryesuesit, por njëherësh unë jam deputetja më e vjetër që ka përvojën e katër mandateve. Nuk mund të lejoj shkelje.

Tribuna: A është e gatshme partia juaj për një marrëveshje? Brovina: Unë nuk po flas për patinë sepse në këtë rol jam vetëm kryesuesja e Kuvendit. Për këtë mund t’i pyesni udhëheqësit e partisë. PDK ka treguar fleksibilitet dhe është shprehur e hapur me të gjithë për të komunikuar, që t’i japim një zgjidhje çështjes së ngërçit politik në Kosovës. Është e pakuptueshme që pas zgjedhjeve aq të mira, ndoshta më të mirat në rajon, që për mungesë të komunikimit, të ndodhë kjo që po ndodh. Në fushatë ne kemi folur për programet tona, kemi pas program që është Misioni i Ri e që është shumë shpresëdhënës për gjeneratat e reja, për gratë e dhunuara, për njerëzit e papunë dhe për nxitjen e nivelit ekonomik dhe ngritjes së standardit. Unë i besoj këtij programi sepse edhe vetë jam angazhuar në të.

Tribuna: Çfarë nuk shkoi si duhet më 17 korrik? Brovina: Më 17 korrik atmosfera nuk ishte përgatitur mirë nga kryesia e kaluar. Rendi i ditës për mua ishte provokues sepse kishin futur pikën tre, miratimin e një grupi të ri parlamentar që nuk ishte kompetencë e kryesisë së kaluar dhe as kompetencë e imja si kryesuese. Parlamenti duhet të themelohet, t’i zgjedhë kryetarin dhe organet e veta, pastaj mund të formohet çfarëdo grupi më vonë. Ekzistojnë vetëm koalicione parazgjedhore. Koalicionet paszgjedhore bëhen pas konstituimit të Kuvendit. Këtë e kam lexuar 100 herë në mënyrë që të mos e gaboj. Nuk kam mundur shumë mirë ta menaxhoj situatën, jam dukur si jo e sigurt në kuptimin e një fuqie politike. Mirëpo, po të isha më e rreptë dhe më menaxhuese, kisha frikë te një konflikt verbal që mund të ndodhte, për çka kishin frikë edhe faktori ndërkombëtar. Prandaj butësia ime dhe komunikimi im me durim që kalonte edhe durimin brenda meje, me lutjen që PDK të rrinte e të mos acaronte situatën, për çka i falënderoj që nuk reaguan asnjëherë, arrita në qetësimin e situatës. Por pati rebelim të palëve tjera kundërshtuese, sidomos i kolegëve të mia deputete. Një sjellje e tyre ndaj meje si më e vjetra grua parlamentare, me një histori që nuk është më e imja por e Kosovës. Nuk e kam pritur këtë veprim prej tyre. Aq më tepër që kemi punuar shumë afër që kanë qenë deputete për mua të respektuara. Kjo më ka dëshpëruar. Ky insistim më ka dëshpëruar.

Tribuna: A e ndjetë presionin më 17 korrik? Brovina: Presionin e ndjeva pikërisht nga to. Vendosën të më shkarkojnë. Nuk po them që jam heroinë, nuk thashë, kam lënë një emër në historinë e Kosovës dhe të më shkarkosh me gjithë ato vota se nuk po të pëlqen menaxhimi im, mbledhje të cilin kisha me e udhëheqë për tri orë. Le të mbetet në nderin e atyre që e bënë, dhe ja u tregua që nuk ishte në rregull.

Tribuna: A do ta ndërprisni seancën nëse kandidati i PDK-së nuk arrin të bëhet kryeparlamentar? Brovina: Të kuptohemi. Për mua nuk është më rendësi cila parti po e merr kryetarin. Në këtë moment jam neutrale. Po duhet të arrihet një marrëveshje në mes të partive shqiptare që marrin pjesë aty. S’ka nevojë me na thënë faktori ndërkombëtar ‘merruni vesh shqip’. Ne duhet vetë të merremi vesh shqip. Nuk është faji i PDK-së se dikush e ka ndarë pogaçen para se të formohet dhe të mbahet kjo mbledhje. Në këtë moment, kishte me qenë shumë në rregull që lideri i cili pretendon ta marrë këtë post, pikërisht lideri i Lidhjes Demokratike, të dilte dhe të tregohej fer, këtu kemi gabuar. Nuk jam partia e parë dhe me rregullore nuk më takon dhe prandaj tërhiqem. Kjo kishte me tregu madhështinë e personit në fjalë, dhe jo me çdo insistim ta marrë se ta marrë postin. Në këtë rast po flas si Flora Brovina e jo si anëtare e kryesisë së PDK-së