17.5 C
Prizren
E shtunë, 10 Maj, 2025
Home Blog Page 8200

KDTP,NDS e Vakat në garë për postin e nënkryetarit për komunitete

0

Shtepia e Bardhe-PrizrenPartitë e komuniteteve të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës së Prizrenit janë duke zhvilluar betejë të ashpër për të siguruar postin e nënkryetarit për komunitete. Përfaqësuesit e KDTP-së, VAKAT-it dhe NDS-it theksojnë se kjo pozitë u takon partive të tyre në bazë të marrëveshjeve të koalicionit parazgjedhore me PDK-në.

Kryetarja e NDS-it, Emilija Redzepi ka theksuar se ky subjekt boshnjak në bashkëpunim me KTAP-në turke synon të marrë postin e nënkryetarit për komunitete meqë për këtë ekziston një marrëveshje me kryeministrin dhe degën e PDK-së në Prizren.

“NDS e KTAP më ka nominuar mua për këtë post. Si pjesëtarë të komunitetit boshnjak e kemi këtë drejtë ngase përbëjmë më shumë se 10 për qind të popullatës në komunën e Prizrenit. Kemi një qëndrim të fortë kundër KDTP-së ngase për vite të tëra, kjo parti e ka pas këtë funksion”, ka thënë Redzepi. Sipas saj, epilogu i kësaj gare do të shihet gjatë votimit në mbledhjen e radhës të KK-së.

Ndërkohë kryetari i degës së KDTP-së në Prizren, Levent Bush ka bërë të ditur se kjo parti turke insiston në postin e nënkryetarit, pasi që është subjekti më i votuar nga radhët e komuniteteve në këtë komunë dhe për këtë ka marrëveshje të nënshkruar me PDK-në.

“KDTP ia ka dërguar kryetarit të komunës së Prizrenit emrin e Ergin Kalës si propozim për nënkryetar të komuniteteve”, ka thënë Bush, duke shprehur bindjen se KK-ja do të votoj për të.

Ndërsa Rasim Demiri nga koalicioni “Vakat” ka theksuar se ky subjekt ka arritur marrëveshje që bashkë me këshilltarin e vetëm të PD-së, Azzam Dida të formoj grupin e këshilltarëve dhe se tashmë e ka emrin e kandidatit për nënkryetar.

“Ne e kemi emrin e kandidatit tonë, por nuk po e bëjmë publik, pasi që koalicioni “Vakat” ka mbetur i hapur për zgjidhje objektive dhe reale të problemit të zgjedhjes së nënkryetarit të komuniteteve. Për këtë kërkojmë marrëveshjen e përbashkët të subjekteve relevante politike, në interes të komunitetit boshnjak në Kosovë”, ka thënë Demiri./Koha Ditore/

 

Qemal Lame: Përplasja me Samit Brokajn për lirimin e atyre që rrëzuan Enverin

0

Qemal LamePas demonstratave të prillit të 1991 në Shkodër, ku mbetën të vrarë katër qytetarë, ish kryehetuesi i kohës, Qemal Lame tregon në librin e tij me kujtime debatet dhe hetimet e kryera. “Kur shembeshin themelet”, rrëfen orë pas ore përplasjet mes ministrave të kohës, hetuesve dhe zhvillimet që çuan drejt rënies perandorinë komuniste.

RAPORT PËR ZHVILLIMIN E NGJARJEVE ME DATËN 1-3 PRILL
Në datat 1-3 prill 1991, në qytetin e Shkodrës ka pasur cenime të rendit publik.
Azem Hajdari ishte përsëri duke u folur të pranishmëve nga kati i dytë i selisë së PD. Nga fjala e tij, pjesëmarrësit entuziazmoheshin edhe më shumë, por më pas Azemi u sëmur dhe u largua. Me largimin e tij, njerëzit u qetësuan dhe u shpërndanë në qendër të qytetit grupe-grupe. Rreth orës 15.45, të gjithë qytetarët që ishin në shesh u drejtuan para Komitetit të PPSH-së, me thirrje “Liri-Demokraci”, “PPSH të japë dorëheqjen”, “Shkodra Republikë”, “Poshtë komunistët”, “Poshtë Xhelil Gjoni”, “O Gjeli, o shkërdhatë, nuk e ke jetën të gjatë” etj.

Para godinës së PPSH-së, ata u shtuan shumë, 15-20 mijë dhe kanë qëndruar duke thirrur deri në orën 21.30. Në disa raste, me kërkesën tonë, të pranishmëve u bënë thirrje për shpërndarje edhe deputetët e PD-së, Pjetër Arbnori e Ali Spahia, por ata nuk u shpërndanë.
Në orën 8.15 u bë një takim i drejtuesve të PD-së e policisë te kryetarja e Komitetit Ekzekutiv të K.P. të rrethit, ku u diskutua se si do të parandaloheshin ngjarjet. Edhe këtu, drejtuesit e PD-së si, Pjetër Arbnori, Xhelal Uruçi e Eduart Perjaku thanë se pjesëmarrësit në miting nuk ishin organizuar prej tyre, ata vetë nuk ishin dakord me këtë formë dhe se kishin konsumuar një ditë më parë me ta dhe se nuk u dëgjohej fjala për t’i shpërndarë.

Ky proces vazhdoi deri në orën 10:00. Në këtë moment, me gjithë se disa pjesëtarë në manifestimet e paligjshme u përpoqën që të mos i linim të afroheshin, demonstruesit thyen me gurë të gjithë xhamat e katit të parë të Komitetit të PPSH dhe disa xhama të bibliotekës.
Demonstruesit përdorën edhe dinamit kundër autoblindës dhe tentonin t’i hidhnin edhe në objekt. Armët u përdorën kryesisht ku kryheshin akte diversioniste. Gjithashtu u plaçkit biblioteka e rrethit dhe tentuan t’i vënë zjarrin.

Rreth orës 11.30 morëm vesh se ishte vrarë një person, të cilin e sollën nga spitali në vendin e ngjarjes, e pak më vonë edhe për dy të tjerë. Pas vrasjes së parë, ata që shoqëronin kufomën u bënë presion forcave tona duke u thënë: “Kot e keni, pse nuk dorëzoheni, sepse Tirana është dorëzuar”, disa vazhdonin thirrjet kundër PPSH-së, presidentit dhe kërkesat “Shkodra Republikë”. Të tjerë thoshin se Xhelil Gjoni është vrarë, Xhelil Gjoni ka arrestuar Ramiz Alinë etj., parulla këto që i nxisnin më tepër demonstruesit për veprime vandale.

Vandalistët i vunë zjarrin dhe dinamitin edhe 4 makinave të policisë, si dhe 4-5 makinave të Komitetit të PPSH-së.
Godina e Komitetit të PPSH-së u dogj plotësisht. Rreth orës 13.00, vandalistët u grumbulluan para Radio Shkodrës, ku rreth 20 minuta u mbajti fjalim Azem Hajdari, i cili ka thënë se qeveria në Tiranë është rrëzuar dhe se në 5 qytete, si në Vlorë, Durrës, Korçë, Elbasan, Kavajë demokracia arriti qëllimin e vet, prandaj na mbeti edhe Shkodra për ta fituar. Disa pjesëtarë të turmës, duke qenë edhe nën presionin e forcave të rendit, e penguan turmën të futej në radio. Nga përleshjet te Komiteti i Partisë së Punës u plagos shefi i policisë, të cilit i morën pistoletën e kërkonin ta vrisnin 10-15 huliganë, komandanti i repartit të policisë së qytetit, 4 oficerë të tjerë, si dhe 21 policë e ushtarë, prej të cilëve me armë u plagos edhe sekretari i Komitetit të Partisë Punës, Xhorxhi Grabova. U vranë me armë 3 qytetarë: Arben Broci, inxhinier në fabrikën e cigareve, anëtar i PD-së, vjeç 24; Besnik Cepa, vjeç 29, punëtor në NSHRAK dhe Bujar Bishanaku, vjeç 22, i pazënë në punë, anëtar i PD-së. Në datën 04.04.1991, njoftohemi se në spitalin e Tiranës ka vdekur edhe Nazmi Kryeziu, rreth 33 vjeç, i plagosur rëndë, punëtor në Uzinën e Blojës, i dënuar 7 vjet për kontrabandë. Gjithashtu janë plagosur edhe qytetarë të tjerë.

Më datë 03.04.1991, si rezultat i thirrjes së bërë nga sindikata e pavarur e punëtorëve dhe Partia Demokratike, shumica e punonjësve të qytetit, nxënësit e shkollave etj., që në orën 9.00 lanë punën dhe u grumbulluan në qytet për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të tre të vdekurve.
Me përjashtim të thyerjeve të disa xhamave në mëngjes, më datën 03.04.1991 nuk pati ndonjë shqetësim tjetër serioz. Rreth orës 14.30, të tria kufomat u shoqëruan para selisë së Partisë Demokratike, ku u grumbulluan rreth 30 000 persona, ku foli lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili u tha të pranishmëve se të vrarët janë heronjtë e demokracisë, ata do të rrojnë, vrasësit do të vdesin, komunizmit i erdhi fundi. Pak a shumë kështu janë zhvilluar ngjarjet edhe në varreza, ku kufomat u shoqëruan në këmbë nga rreth 10 000 veta. Pas kthimit nga varrimi, në dy mjete transporti që janë kthyer para turmës, janë hedhur parulla të kundërligjshme si “Poshtë Ramiz Alia”, “Poshtë komunizmi” etj. Më pas nuk ka pasur ngjarje të tjera, njerëzit janë shpërndarë normalisht. Për këto probleme që trajtuam, hetuesia ka filluar e po vazhdon hetimet. Sot përsëri ka grumbullime para ish-Komitetit të PPSH-së, ku pjesëmarrësve u foli Azem Hajdari dhe njerëzit po shtoheshin vazhdimisht. Po marrim masa për normalizimin e gjendjes, e cila është akoma e tensionuar. (Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Çapajev Taçi).
MANGËSITË E RAPORTIT PËR NGJARJEN DHE PËRGJEGJËSITË KONKRETE
Pasi u njoha me raportin, pyeta nëse kishte të dhëna të tjera nga dega e punëve të brendshme, Komiteti i Partisë së Punës, Partia Demokratike etj., të cilat lidheshin direkt me ngjarjen.
– Ka prova dhe fakte të tjera të dërguara nga dega e punëve të brendshme, për të vërtetuar të dhënat e raportit? – pyeta Kostën.
– Jo, shoku kryetar. Më paraqitën vetëm raportin. U kemi kërkuar të dhëna, por nuk i japin. Nuk kemi, thonë.

TAKIMI NË DEGËN E PUNËVE TË BRENDSHME PËR RENDIN DHE ZBATIMIN E LIGJIT
Në degën e punëve të brendshme ishte qetësi. Në zyrë ishte Çapajev Taçi, kryetari dhe Naim Reçi, nënkryetari.
Çapajevi u ngrit nga karrigia e tij dhe u nxi në fytyrë sapo më pa. Më vështronte me urrejtjen që besnikët e partisë shikonin armiqtë e Partisë dhe popullit. Zylyftar Ramizi më kishte akuzuar në disa mbledhje se sabotoja Sigurimin e Shtetit, ndërsa të tjerët, si edhe Çapajevi, nuk kishin aq pushtet sa Zylyftari që të deklaronin hapur mendimin e tyre dhe reagonin me qëndrimet dhe mimikë të pakënaqur.
Çapajevi nuk u përmbajt dhe i tensionuar tha:

– Shoku Qemal, kështu nuk shkohet më. Jemi në tension prej shumë kohësh. Të vihet dorë. Këtë e ka bërë Partia Demokratike. Azem Hajdari e nxiti popullin. Është deputet, por të përgjigjet. Të vihet dorë për ta arrestuar. Të shkohet deri në fund. Çështja duhet të shkojë deri në fund. Ju jeni kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme. Bisedoni me shokun Ramiz. Unë nuk kam çfarë të bëj. Kështu nuk mund të punoj dot.
Reagova me kujdes që të qetësohej dhe të reagonte pozitivisht për detyrat që dilnin:

– Unë kam për detyrë të kërkoj se si është zbatuar ligji dhe të hetoj veprat penale të kryera, në bazë të provave dhe fajësisë së fajtorëve. Këto kërkojnë procedurën ligjore të parashikuar nga procedura e hetimit. Imuniteti i deputetit është garanci kushtetuese. Megjithatë, kjo nuk pengon policinë dhe as hetuesinë për të evidentuar drejt rrethanat e ngjarjes dhe provat për cilindo që ka kryer një vepër penale. Kemi për detyrë të veprojmë në bazë të ligjit dhe me prova.
– Për ne është e vërtetuar kush e shkaktoi ngjarjen. Kam bërë raportin. E paraqita sot edhe në hetuesi. Të vendoset në fillim për drejtuesit e Partisë Demokratike.
– Ka prova për drejtuesit e Partisë De-mokratike?
– Unë paraqita raportin me përfundimet që kemi ne si degë e punëve të brendshme. Më shumë nuk kemi.
– Raporti nuk bazohet në prova, – u përpoqa ta sqaroj edhe njëherë për kërkesat e nevojshme procedurale. – Nuk kemi asnjë të dhënë tjetër veç konkluzioneve.

NE TIRANE
U takova me kryetarin e hetuesisë, duke e porositur të ndihmonte bashkë me hetuesin zëvendëskryetarin dhe grupin e hetuesve dhe të punonin së bashku. Drejtori, Besniku, erdhi me mua për në Tiranë.
Ndalova direkt në selinë e Këshillit të Ministrave. Ishte pak pas orës 18.00. Sapo kishte filluar mbledhja. Rrapi erdhi pas afro një gjysmë ore.
Pasi mbaroi pika e parë e sapofilluar, u kalua në analizën për gjendjen në Shkodër. -Na raporto ti, shoku Qemal, për gjendjen dhe çështjen hetimore, – tha Fatosi.

Gjendja vazhdon të jetë e tensionuar dhe është shumë e vështirë për të vendosur qetësinë dhe rendin publik. Hetimet sapo kanë filluar. Mora takim me drejtuesit e degës së punëve të brendshme dhe ata të Komitetit Ekzekutiv. Masat për rregullimin e gjendjes janë së pari të karakterit më të rëndësishëm shtetëror dhe të kompetencës së organeve më të larta shtetërore, duke filluar nga Kuvendi Popullor. Së dyti, duhet konsesus i gjerë politik, që të qetësohet populli dhe të fillojë funksionimi i shtetit dhe i rendit në Shkodër. Me anë të shtypit, është bërë një njoftim nga Ministria e Brendshme dhe pas tij, njoftimi i përbashkët i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit Presidencial. Prandaj është mirë që të jepet një raport informues me të dhënat e deritanishme nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe pastaj nga unë. Duke i dëgjuar në mënyrë kronologjike, do të mund të krijohet një përfytyrim më i mirë për situatën dhe masat që duhen marrë.
DEBATET
– Po ti ishe në vend, – tha menjëherë Fatosi.
– Pikërisht, për këtë do të flas, pasi e përjetova sadopak gjendjen. Në vend duhej të kishte vajtur më parë ministri i Punëve të Brendshme.
– Fol ti, ministër i Drejtësisë, – tha Fatosi, duke iu drejtuar Dashamirit.
– Të flasë ministri i Brendshëm, – iu përgjigj Dashamiri.
– Mirë, po flas unë, – ndërhyri dhe e mori fjalën Gramozi dhe filloi të lexojë raportin e dërguar nga kryetari i degës së punëve të brendshme edhe në hetuesinë e rrethit.
Pasi mbaroi leximin, Gramozi bëri disa komente për gjendjen e krijuar dhe vuri në dukje disa kritika që bëheshin nga drejtues në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Shkodër, për bashkëpunimin me hetuesinë.
E mora unë fjalën: -Raporti i degës së punëve të brendshme është i vetmi material kallëzues i ardhur në hetuesi. Bëhet informim për ngjarjen, nuk janë bërë ndalime dhe nuk janë paraqitur prova për shkeljet e ligjit dhe pasojat për vrasje dhe shkatërrimet e pronës….
Në këto drejtime, merr rol me përgjegjësi qëndrimi i Partisë Demokratike. Drejtuesit e saj dhe deputetët e Shkodrës duhet të kontribuojnë për ngjarjen.

Pas meje foli Rrapi Mino. Edhe ai vuri në dukje gjendjen e rëndë, duke miratuar problemet e parashtruara nga unë.
– Shoku Qemal mori takime dhe bëri biseda dhe raportoi drejt. Problemet janë politike dhe kërkojnë zgjidhje nga lart. Sa na përket neve si Hetuesi dhe si Prokurori, kemi ngritur grupin e hetimit dhe të prokurorëve për të kontrolluar.
Fjala ime dhe e Rrapit ndryshonin nga ajo e Gramozit. Këto ndryshime nxitën pyetje dhe diskutime nga anëtarët e kabinetit qeveritar.
Menjëherë konstatova se kërkohej që zgjidhja të arrihej me shtimin e dhunës së paligjshme shtetërore.
MINISTRAT MILITANTE
Një pjesë e ministrave do të tregoheshin militantë nga më besnikët e udhëheqjes së Partisë së Punës dhe personalisht të presidentit të ri, që i zgjodhi me kujdes. Pyetjet e para dhe qëndrimi direkt ishte në theksin që iu dha kritikave për liberalizëm në hetuesi dhe në prokurori. Emërimi i Qeverisë së Re ishte bërë me konceptin e emërimit të besnikëve për të zbatuar udhëzimet dhe mbajtur qëndrime të ashpra. Qeveria nga e cila pritej bërja e reformave, do të ishte edhe më konservatore se e mëparshmja që të mbahej pushteti nga Partia e Punës. Kishte të drejtën për qeverinë pasi fitoi zgjedhjet, por zgjedhjet e lira u bënë për realizimin e reformave demokratike dhe jo të ruajtjes së sistemit të vjetër.
SABIT BROKAJ
Pati edhe ndonjë ministër që nuk kishte njohuri për punën në drejtësi, por si besnik i Partisë në mendimet e tij, ngriti zërin me kritikë të thellë:
– Kur do të na i japë rezultatet hetuesia, – tha Sabit Brokaj, ministër i Shëndetësisë. – Për ngjarjet në Shkollën e Bashkuar, s’u bë gjë. U lanë të lirë fajtorët. U lanë të lirë edhe ata të rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës. Tani nuk veprohet për vandalistët e terroristët në Shkodër. Ku do të vemi kështu? Kështu nuk mbahet pushteti! Po na ikën nga duart!

E çuditshme, që një ministër i Shëndetësisë të mendonte, analizonte dhe të jepte konkluzione, si një militant partie me një nivel të tillë politik dhe kulturor. Një ministër i një sektori të rëndësishëm human dhe me rol të posaçëm për jetën dhe mirëqenien e njeriut, fliste si një militant ekstremist, që mbështeste dhe zbatonte verbërisht dhunën shtetërore.

Nuk mund ta lejoja më shumë që të diskutonte në mënyrë kaq të papërgjegjshme dhe i ndërhyra, duke i ndërprerë fjalën, po me ton të ashpër:
– Ku e njeh ti punën e Hetuesisë, shoku ministër i Shëndetësisë. Në punën tënde ti ke përcaktuar diagnoza dhe ke ndjekur terapi për zemrën, si specialist i mirë që dihet se ke qenë, nuk e besoj të kesh punuar ndonjëherë në organe të drejtësisë apo të Hetuesisë. Por gjithsesi, ne të dyve na lidh në profesionet tona dimensioni human. Humanizmi im qëndron në zbatimin me përpikmëri dhe drejtësi të ligjit, ndërsa yti në përcaktimin e diagnozës dhe shpëtimin e pacientit. Diskutimi yt më krijon mendimin se je ndikuar në mendimet për shkak të presionit që bëhet ndaj Hetuesisë dhe merren në mbrojtje me qëllime të caktuara gabimet me paramendim të organeve të punëve të brendshme.

Ti nuk e njeh dhe nuk mund të gjykosh me këto mendime për të bërë vlerësime për Hetuesinë. Hetuesia bën hetime. Hetuesi zbaton ligjin. Hetuesia nuk shkel ligjin për të kënaqur interesat e njëanshme politike. Hetuesia nuk është as Sigurimi i Shtetit dhe as policia dhe as zëvendëson punën e tyre, kur ato nuk zbatojnë ligjin dhe për përgjegjësitë që kanë, spostojnë vëmendjen padrejtësisht duke akuzuar Hetuesinë. Hetuesia, si organ i drejtësisë, i ka të përcaktuara me ligj detyrat për hetimin e veprave penale. Me një numër të vogël hetuesish, që në mënyrë figurative mund të thuhet “me një grusht hetuesish” që ka në organikë, nuk mund të zëvendësojë Sigurimin e Shtetit dhe policinë, që janë një armatë e madhe potenciale.

– Forcat e rendit kanë vepruar me urdhër nga lart. Policia nuk ka vepruar sipas ligjit gjatë manifestimit dhe, pas vrasjeve dhe shtimit të kundërshtimit popullor, është larguar nga vendi i ngjarjes. Në Shkodër nuk ka rend. Çfarë të bëjnë ata hetues, që nuk kanë asnjë mbrojtje nga policia dhe Sigurimi i Shtetit, të cilët nuk janë në krye të detyrës për mbrojtjen e rendit dhe rivendosjen e qetësisë së popullit, për një jetë normale?!
– Çfarë të bëjë hetuesi, kur forcat e rendit nuk janë në krye të detyrës?!
Çfarë të bëjë Hetuesia, kur organet udhëheqëse të shtetit e dinë këtë gjendje dhe kërkohet llogari për hetuesinë?!
Njoftohet për vandalistë dhe terroristë dhe pas disa çasteve, ndërrohet vlerësimi dhe përmenden si viktima!
Nuk bëhen ndalime nga policia dhe nuk paraqiten prova ligjore dhe bëhet fajtore hetuesia përse zbaton ligjin!
Me gjithë këto vështirësi të gjendjes së hetimit dhe situatën politike, hetuesit janë të mobilizuar dhe punojnë që të realizojnë në bazë të ligjit dhe me drejtësi hetimet edhe në Shkodër.
Në sallë ra qetësi. Sabiti uli kokën dhe nuk foli më.
Ndërhyrja ishte me efekt. Qeveria duhej të orientohej drejt dhe të mos bazohej vetëm në raportimet që bënte ministri i Brendshëm.
Pas pauzës që shkaktoi vetvetiu diskutimi im, e mori fjalën Fatosi dhe më pyeti:
– Kur do të na njoftoni për rezultatet e hetimit?
– U fillua menjëherë puna. Për hetimin ka afate hetimore. Do të punojmë me të gjitha mundësitë ta përfundojmë me drejtësi dhe shpejt. Por po nuk u mbështetëm, nuk arrijmë dot shpejtësinë që duam të kemi në hetim dhe kërkohet për sqarimin sa më shpejt të ngjarjes dhe të ndikojmë pozitivisht në familjet e dëmtuara dhe në qetësimin e opinionit publik. As makina për të shkuar në vendin e ngjarjes nuk ka Hetuesia që i kërkohet çdo gjë për mbrojtjen e rendit. I kërkohen edhe detyra që nuk i takojnë, të cilat nuk i refuzon, por mundohet të ndikojë dhe të japë kontribut sa mundet. Në radhë të parë, kërkohet konsensus politik, të vendoset rendi publik dhe të dëgjohet populli. Po të realizohen këto, atëherë do të arrihet stabiliteti politik. Për këto do të jetë e gjithanshme edhe puna e gjithë hetuesve.
U bë pushim.
Kur dolëm në korridor, erdhi menjëherë Sabiti dhe më takoi. Më foli me respekt dhe kujdes.
– Unë nuk ju rëndoj ju, – tha me dashamirësi. – Dua që secili të bëjë detyrën. Edhe ju bëni mirë që kërkoni të mos ju bien në qafë, shoku Qemal.

Vdes Leopoldo Maria Panero, i konsideruar poeti i mallkuar

0

81813Në moshën 65-vjeçare dhe pas një sëmundjeje të gjatë, vdiq sot poeti spanjoll Leopoldo Maria Panero, një prej figurave më enigmatike të letërsisë spanjolle. Ai ishte i shtruar spitalin psikiatrik të Las Palmas në ishujt Kanarie.

I cilësuar “poet i mallkuar”, ishte djali i shkrimtarit Leopoldo dhe aktores Felicidad Blanc, me të cilën, së bashku të vëllain, poetin Juan Luis, morën pjesë në filmin “El desencanto”, dedikuar familjes së tij.

Që kur ishte 19 vjeç ai ishte shtruar disa herë në klinika psikiatrike dhe në vitet ’70 edhe u burgos për motive politike.

Vepra e tij e parë ishte “Così si fondò Carnaby Street”.

Peticioni i AAK-së në dorë të Thaçit

0

Peticioni AAKAleanca për Ardhmërinë e Kosovës po vazhdon mbledhjen e nënshkrimeve nga qytetarët për rrëzimin e qeverisë, pavarësisht se nisma e atyre mund të hasë në telashe kur të shkojë në Kuvend për shkak të procedurave ligjore. Peticioni për shkarkimin e Qeverisë, mund t’i shkojë në dorë për mendim pikërisht njeriut të cilin AAK dëshiron ta shkarkojë – Hashim Thaçit. Në bazë të procedurave në Kuvend e Kushtetutë, nëse peticioni i plotëson të gjitha kriteret, atëherë ai mund të dërgohet edhe në qeveri e cila duhet të japë mendim për implikimet e mundshme buxhetore.

Se një situatë e tillë mund të ndodhë, e konfirmon për gazetën Tribuna edhe vetë kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai ka thënë se nëse proceduralisht gjithçka është në rregull, atëherë dokumenti në fjalë mund të dërgohet në ekzekutiv. “Peticioni mund t’i shkojë qeverisë, por ai shkon edhe në komision përkatës, ndërsa ky i fundit e shikon dhe nëse është në përputhje me Kushtetutë edhe ligjet, ai shkon tutje por nëse nuk është atëherë refuzohet”, ka thënë Krasniqi,shkruan tribuna.

Por ai është shprehur skeptik se kjo çështje mund të ecë përpara pasi ka kujtuar se ligjet dhe Kushtetuta flet për tjera procedura kur bëhet fjalë për shkarkimin e Qeverisë. “Mënyrat se si bëhet mocioni për votëbesimin e qeverisë, janë të përshkruara në Kushtetutë. Çdo mënyrë tjetër është jo e ligjshme dhe nuk ka bazë kushtetuese. Ne do t’i shikojmë rregullat por në Kushtetutë edhe në Rregullore të punës së Kuvendit shkruan qartë mënyra se si kërkohet votëbesimi i një qeverie. Unë po flas me procedura dhe jashtë saj nuk e them asnjë fjalë, megjithëse vullneti im është tjetër”

Minoritetet kushtëzojnë krijimin e FAK-ut

0

FSK12-16Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk po shkon siç e ka paramenduar kryeministri Hashim Thaçi, i cili ka deklaruar se shumë shpejt edhe ndryshimet kushtetuese do të ndodhin dhe Kosova do të bëhet me forcat e saj të armatosura. Të enjten në një mbledhje të qeverisë që kryeministri e kishte thirrur enkas për të paraqitur propozim amendamentet për ndryshimet në Kushtetutë, i ka ‘rrëshqitur’ nga menaxhimi situata kur dy përfaqësues të komuniteteve pakicë në kabinetin e tij e morën fjalën dhe haptas ia bënë të ditur se deputetët e minoriteteve nuk do të votojnë në Kuvend për formimin e FAK-ut, nëse me hapjen e Kushtetutës nuk realizohet kërkesa e tyre për vazhdimin e vendeve të rezervuara edhe për një mandat.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, si dhe ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ka kërkuar në mbledhjen e kabinetit qeveritar, që në kuadër të këtyre ndryshimeve kushtetuese të bëhen edhe ndryshimet dhe plotësimet që i kanë kërkuar më parë pakicat. “Kjo është çështje kushtetuese ku do të hapen çështje të tjera dhe si anëtar i Qeverisë dhe i komuniteteve kemi pasur edhe kërkesa të tjera dhe kjo çështje prapë mundet me ardhur në debat të diskutimit në Kuvend”, e ka paralajmëruar ministri turk Yagcilar shefin e tij,shkruan tribuna.

Edhe ministri tjetër Nenad Rashiq, i cili është edhe përfaqësues i kërkesave të deputetëve minoritarë, paralajmëroi kushtëzimet që do t’i ketë FAK-u. “Edhe më herët ne i kemi kërkuar disa plotësime të Kushtetutës dhe prapë po nevojitet në aspektin politik që ta përsëris edhe një herë që plotësimet që i kemi propozuar ne, kanë qenë në favor të demokracisë dhe jam i bindur se është një aspekt ku përfitojnë të gjitha komunitetet dhe po dëshiroj të cek se plotësim- ndryshimet që i kemi propozuar ne së bashku me përfaqësuesit e komuniteteve të tjera në Kuvendin e Kosovës, shkojnë në favor të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Rashiq

Të përsëritet koalicioni i vitit 2004

0

Daci-lddKryetari i LDD-së, Nexhat Daci, ka vlerësuar se muaji qershor është koha më optimale për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Sipas tij, nëse shtyhet mbajtja e zgjedhjeve, teorikisht mund të ketë trazira.
Ai ka thënë se ka ardhur koha që PDK-ja të shkojë në opozitë. Daci ka deklaruar se LDK-ja nuk mund t’i fitojë zgjedhjet pa LDD-në. Në këtë drejtim, ai ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë me LDK-në.

“Unë po i them LDK-së se pa spektrin e vet origjinal që ka pasur nga koha e Rugovës do ta ketë tepër të vështirë ose të pamundur t’i fitojë zgjedhjet për shkak të rrethanave. Unë thashë se i di rrethanat në PDK, por në LDK i di edhe më mirë. Kryesia e ngushtë e LDK-së është në një kurth të rrezikshme. Ajo është e kurthuruar prej interesave jo të shëndosha të freskimit demokratik. Në mënyrën më të sinqertë do të doja që LDK-ja të dalë fituese, por pa LDD-në teoria e gjasave tregon se ajo nuk mund të arrihet”, ka thënë Daci në një intervistë për “Epokën e re”.

Daci ka theksuar se në Kosovë duhet të përsëritet formula e koalicionit të vitit 2004, ku patën bashkëqeverisur LDK-ja me AAK-në. Ai ka thënë se vetëm kjo formulë do t’i shpëtonte Kosovën dhe qytetarët e saj. “Unë e kam bërë të qartë preferencën time, se për një perspektivë të shëndoshë të Kosovës është kthimi në formulën e vitit 2004. Dhe angazhimi ynë i sinqertë duhet të jetë jo për t’i dëmtuar Dacin, Isën apo Ramushin, por ofrimi i një realiteti funksional dhe veprues” është shprehur Daci.

Ai ka thënë se është kundër një koalicioni të mundshëm PDK – LDK. Daci ka deklaruar se LDD-ja në asnjë variant nuk do të pranojë të hyjë në koalicion me PDK-në në rast se kjo parti do t’i fitonte zgjedhjet.

Mësuesja e ‘vitit’, këshilltare e PDK-së në Rahovec

0

buja me mesusen e rahovecitMësuesit që kanë pretenduar çmimin “Shaban Jashari” e që nuk e kanë fituar atë, nuk kanë shumë arsye të ndihen keq. Së paku, keqardhje nuk duhet të ndjejnë ata që nuk kanë një librezë të Partisë Demokratike të Kosovës. Ndonëse libreza partiake nuk ka qenë kusht për marrjen e çmimit “Shaban Jashari”, që ndahet për mësuesin e ‘vitit’ nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, sivjet një çmim i tillë i ka takuar pikërisht një aktivisteje të PDK-së – mësimdhënëses Beatrisa Demiri.

Ajo, përveç se është mësuese në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Mihal Grameno” në Rahovec, është edhe këshilltare e Partisë Demokratike të Kosovës në komunën e Rahovecit. Kjo vërtetohet me të hyrë në uebfaqen e Komunës së Rahovecit, e cila udhëhiqet nga Idriz Vehapi i PDK-së. Në këtë uebfaqe janë paraqitur të dhënat e mësueses – këshilltare. Kjo e fundit sipas të dhënave zyrtare të prezantuara në uebfaqen e Komunës së Rahovecit, është e lindur më 11 janar të vitit 1983 në Prizren, është e martuar dhe ka dy fëmijë,shkruan Tribuna.

Gazeta në momentin që ka mësuar se mësuesja Beatrisa Demiri është këshilltare komunale e Partisë Demokratike të Kosovës, ka provuar të kontaktojë me kryetarin e Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapin, për ta pyetur se cila ka qenë arsyeja e nominimit të kësaj mësimdhënëse për çmimin “Shaban Jashari”, duke pasur parasysh moshën e saj të re dhe pozitën e këshilltares politike

Janë prishur ndërmjet vete gratë dhe burrat e Kuvendit të Kosovës

0

Jakup Krasniqi ne mbledhje te kryesise se kuvenditGratë deputete të Kuvendit janë ftuar zyrtarisht nga Parlamenti i Shqipërisë që të mbajnë një seancë plenare solemne, të përbashkët, në Ditën e festës së gruas-8 Marsi. Por Kryesia ua ka refuzuar sigurimin e transportit.
Kjo përgjigje ka revoltuar gratë deputete, të të gjitha partive politike, deri në atë masë saqë ato kanë bërë thirrje që “burrat” të dënohen përmes votës gjatë zgjedhjeve, shkruan “Koha Ditore”.

Ndërsa kanë shkëmbyer edhe akuza për keqpërdorimin e automjeteve zyrtare nga “burrat” e Kuvendit, duke bërë të ditur se ato janë prishur keq me ta.

Agim Çeku, Serbisë: Mos u frikësoni nga FAK

0

AgimCeku5-30Ministri i FSK’së, Agim Çeku, thotë se Serbia nuk duhet t’i druhet themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, pasi kjo i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon.

Reagimi i Çekut vjen pas deklaratave të zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë, se do të kërkojnë mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB’së, për shkak të paralajmërimeve për themelimin e Forcave të Armatosura.

Ai e quan të panevojshme që kjo çështje të diskutohet në Këshillin e Sigurimit, duke thënë se ky është vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe nuk kërkon leje nga ana e Serbisë.

Në një prononcim për lajmi.net, Ministri Agim Çeku, thotë se shtetit fqinj nuk duhet dhe nuk ka pse të brengoset për zhvillimet në Kosovë.

“Nuk ka pse të diskutojë Këshilli i Sigurimit për këtë çështje. Ky është vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Kosovës asnjë vendim që e merë nuk e pyet dhe nuk kërkon leje nga ana e Serbisë”.

“Kështu që Serbia nuk ka pse të brengoset dhe nuk ka drejtë të brengoset për zhvillimet në Kosovë’.

“Nuk ka nevojë t’i druhet. Ne nuk kemi qasje armiqësore ndaj askujt, nuk kemi pretendime territoriale të askujt”.

“Misioni i Forcës është mbrojtja e territorit të Republikës së Kosovës, mbrojtja e sovranitetit.

“Mbrojtja është funksion i Forcave të Armatosura të Kosovës, prandaj nuk ka arsye që askush tri druhet, por ka arsye vetëm t’i gëzohet”.

“Ndërtimi i Forcave të Armatosura vetëm çka i kontribuon paqes dhe stabilitetit dhe asesi nuk paraqet kërcënim për askënd”.

“Forcat e Armatosura të Kosovës vetëm sa e stabilizojnë rajonin”.

Qeveria e Kosovës të martën ka marrë vendim për shndërrimin e Forcave të Sigurisë të Kosovës, në Forca të Armatosura.

Gjithashtu Ministria e FSK do të shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes së Kosovës.

Forcat e Armatosura të Kosovës do t’i kenë pesë mijë ushtarë aktivë dhe tre mijë rezervë.

Haradinaj: Koalicion – as me PDK e as me AKR

0

Ramush Haradinaj 1Thotë se premtimi i tij për rritjen e pagave në njëmijë euro është premtim real, ndërsa rritjen e fundit të pagave nga Qeveria e Kosovës, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e quan ofenduese.
“Kjo bëhet para zgjedhjeve. Kjo i mban në stres qytetarët. Mund t’i marrin ato një muaj a dy, e jo më shumë. Kjo është tallje me qytetarët. Pse nuk u rritën më herët, po duhet me pritë katër vjet para zgjedhjeve”, ka thënë Haradinaj në emisionin Rubikon të KTV-së, duke shtuar se në Kosovë më shumë i besohet gënjeshtrës se të vërtetës. “U premtua energjia, ndërsa blihet ajo në Serbi. Ku e merr Thaçi rrymën nga paratë e popullit? Nga Serbia, por nuk thuhet kështu, sepse përmendin ca ‘networke’ të energjisë”.

I pyetur për prurjet e reja në AAK, Haradinaj thotë se në partinë e tij po bëhen reforma të mëdha.

“Jemi duke punuar në terren për një reformë të thellë”, thotë ai, duke shtuar se janë shumë emra të rinj që do ta përbëjnë listën e AAK-së për zgjedhjet e ardhshme. “Disa janë të punësuar në organizata, mekanizma të caktuar, me paga të cilat i mbajnë familjet, prandaj para zgjedhjeve nuk i përmendim se mund t’i dëmtojmë”.

Përkitazi me zgjedhjet e fundit lokale, Haradinaj nuk mohon se e ka dëmtuar “afërsia” me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Në më 20 korrik 2010 kam shkuar në Hagë. Atëherë kam lënë njerëzit me të cilët kam fituar. Mungesa e kryetarit i ka dëmtuar ata në sistem. Ka dëmtuar edhe perceptimi për një afri me Thaçin, se nuk ka afrim me të”, thotë ai, duke shtuar se nuk duhet shkuar në zgjedhje nacionale pa e ndëshkuar Qeverinë e tashme. “Kosova duhet të japë mësim se nuk mund të largohet pa ndëshkim”.

I pyetur nëse në zgjedhje nacionale nuk do të ketë rezultat më të mirë të AAK-së në zgjedhjet e përgjithshme, Haradinaj thotë se mbi 15 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë votuar për AAK-në në zgjedhjet lokale, që për të është një fuqi.

“Aleanca edhe në këto zgjedhje ka rritje në përqindje”, thotë Haradinaj. “Po punojmë për rritje në zgjedhjet e ardhshme”.

I pyetur për kritikat ndaj tij të bëra nga Lëvizja Vetëvendosje, ai thotë: “Pranoj kritika, por gërditëm me njerëzit kur kalojnë në shpifje”.

Ai thotë se është i afërt edhe për koalicion me VV-në, po jo me PDK-në e madje as AKR-në.

“AKR është e njëjta shkollë qeverisjeje. Duhet një qeverisje e re”, tha ai