10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Qemal Lame: Përplasja me Samit Brokajn për lirimin e atyre që rrëzuan Enverin

Qemal LamePas demonstratave të prillit të 1991 në Shkodër, ku mbetën të vrarë katër qytetarë, ish kryehetuesi i kohës, Qemal Lame tregon në librin e tij me kujtime debatet dhe hetimet e kryera. “Kur shembeshin themelet”, rrëfen orë pas ore përplasjet mes ministrave të kohës, hetuesve dhe zhvillimet që çuan drejt rënies perandorinë komuniste.

RAPORT PËR ZHVILLIMIN E NGJARJEVE ME DATËN 1-3 PRILL
Në datat 1-3 prill 1991, në qytetin e Shkodrës ka pasur cenime të rendit publik.
Azem Hajdari ishte përsëri duke u folur të pranishmëve nga kati i dytë i selisë së PD. Nga fjala e tij, pjesëmarrësit entuziazmoheshin edhe më shumë, por më pas Azemi u sëmur dhe u largua. Me largimin e tij, njerëzit u qetësuan dhe u shpërndanë në qendër të qytetit grupe-grupe. Rreth orës 15.45, të gjithë qytetarët që ishin në shesh u drejtuan para Komitetit të PPSH-së, me thirrje “Liri-Demokraci”, “PPSH të japë dorëheqjen”, “Shkodra Republikë”, “Poshtë komunistët”, “Poshtë Xhelil Gjoni”, “O Gjeli, o shkërdhatë, nuk e ke jetën të gjatë” etj.

Para godinës së PPSH-së, ata u shtuan shumë, 15-20 mijë dhe kanë qëndruar duke thirrur deri në orën 21.30. Në disa raste, me kërkesën tonë, të pranishmëve u bënë thirrje për shpërndarje edhe deputetët e PD-së, Pjetër Arbnori e Ali Spahia, por ata nuk u shpërndanë.
Në orën 8.15 u bë një takim i drejtuesve të PD-së e policisë te kryetarja e Komitetit Ekzekutiv të K.P. të rrethit, ku u diskutua se si do të parandaloheshin ngjarjet. Edhe këtu, drejtuesit e PD-së si, Pjetër Arbnori, Xhelal Uruçi e Eduart Perjaku thanë se pjesëmarrësit në miting nuk ishin organizuar prej tyre, ata vetë nuk ishin dakord me këtë formë dhe se kishin konsumuar një ditë më parë me ta dhe se nuk u dëgjohej fjala për t’i shpërndarë.

Ky proces vazhdoi deri në orën 10:00. Në këtë moment, me gjithë se disa pjesëtarë në manifestimet e paligjshme u përpoqën që të mos i linim të afroheshin, demonstruesit thyen me gurë të gjithë xhamat e katit të parë të Komitetit të PPSH dhe disa xhama të bibliotekës.
Demonstruesit përdorën edhe dinamit kundër autoblindës dhe tentonin t’i hidhnin edhe në objekt. Armët u përdorën kryesisht ku kryheshin akte diversioniste. Gjithashtu u plaçkit biblioteka e rrethit dhe tentuan t’i vënë zjarrin.

Rreth orës 11.30 morëm vesh se ishte vrarë një person, të cilin e sollën nga spitali në vendin e ngjarjes, e pak më vonë edhe për dy të tjerë. Pas vrasjes së parë, ata që shoqëronin kufomën u bënë presion forcave tona duke u thënë: “Kot e keni, pse nuk dorëzoheni, sepse Tirana është dorëzuar”, disa vazhdonin thirrjet kundër PPSH-së, presidentit dhe kërkesat “Shkodra Republikë”. Të tjerë thoshin se Xhelil Gjoni është vrarë, Xhelil Gjoni ka arrestuar Ramiz Alinë etj., parulla këto që i nxisnin më tepër demonstruesit për veprime vandale.

Vandalistët i vunë zjarrin dhe dinamitin edhe 4 makinave të policisë, si dhe 4-5 makinave të Komitetit të PPSH-së.
Godina e Komitetit të PPSH-së u dogj plotësisht. Rreth orës 13.00, vandalistët u grumbulluan para Radio Shkodrës, ku rreth 20 minuta u mbajti fjalim Azem Hajdari, i cili ka thënë se qeveria në Tiranë është rrëzuar dhe se në 5 qytete, si në Vlorë, Durrës, Korçë, Elbasan, Kavajë demokracia arriti qëllimin e vet, prandaj na mbeti edhe Shkodra për ta fituar. Disa pjesëtarë të turmës, duke qenë edhe nën presionin e forcave të rendit, e penguan turmën të futej në radio. Nga përleshjet te Komiteti i Partisë së Punës u plagos shefi i policisë, të cilit i morën pistoletën e kërkonin ta vrisnin 10-15 huliganë, komandanti i repartit të policisë së qytetit, 4 oficerë të tjerë, si dhe 21 policë e ushtarë, prej të cilëve me armë u plagos edhe sekretari i Komitetit të Partisë Punës, Xhorxhi Grabova. U vranë me armë 3 qytetarë: Arben Broci, inxhinier në fabrikën e cigareve, anëtar i PD-së, vjeç 24; Besnik Cepa, vjeç 29, punëtor në NSHRAK dhe Bujar Bishanaku, vjeç 22, i pazënë në punë, anëtar i PD-së. Në datën 04.04.1991, njoftohemi se në spitalin e Tiranës ka vdekur edhe Nazmi Kryeziu, rreth 33 vjeç, i plagosur rëndë, punëtor në Uzinën e Blojës, i dënuar 7 vjet për kontrabandë. Gjithashtu janë plagosur edhe qytetarë të tjerë.

Më datë 03.04.1991, si rezultat i thirrjes së bërë nga sindikata e pavarur e punëtorëve dhe Partia Demokratike, shumica e punonjësve të qytetit, nxënësit e shkollave etj., që në orën 9.00 lanë punën dhe u grumbulluan në qytet për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të tre të vdekurve.
Me përjashtim të thyerjeve të disa xhamave në mëngjes, më datën 03.04.1991 nuk pati ndonjë shqetësim tjetër serioz. Rreth orës 14.30, të tria kufomat u shoqëruan para selisë së Partisë Demokratike, ku u grumbulluan rreth 30 000 persona, ku foli lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili u tha të pranishmëve se të vrarët janë heronjtë e demokracisë, ata do të rrojnë, vrasësit do të vdesin, komunizmit i erdhi fundi. Pak a shumë kështu janë zhvilluar ngjarjet edhe në varreza, ku kufomat u shoqëruan në këmbë nga rreth 10 000 veta. Pas kthimit nga varrimi, në dy mjete transporti që janë kthyer para turmës, janë hedhur parulla të kundërligjshme si “Poshtë Ramiz Alia”, “Poshtë komunizmi” etj. Më pas nuk ka pasur ngjarje të tjera, njerëzit janë shpërndarë normalisht. Për këto probleme që trajtuam, hetuesia ka filluar e po vazhdon hetimet. Sot përsëri ka grumbullime para ish-Komitetit të PPSH-së, ku pjesëmarrësve u foli Azem Hajdari dhe njerëzit po shtoheshin vazhdimisht. Po marrim masa për normalizimin e gjendjes, e cila është akoma e tensionuar. (Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Çapajev Taçi).
MANGËSITË E RAPORTIT PËR NGJARJEN DHE PËRGJEGJËSITË KONKRETE
Pasi u njoha me raportin, pyeta nëse kishte të dhëna të tjera nga dega e punëve të brendshme, Komiteti i Partisë së Punës, Partia Demokratike etj., të cilat lidheshin direkt me ngjarjen.
– Ka prova dhe fakte të tjera të dërguara nga dega e punëve të brendshme, për të vërtetuar të dhënat e raportit? – pyeta Kostën.
– Jo, shoku kryetar. Më paraqitën vetëm raportin. U kemi kërkuar të dhëna, por nuk i japin. Nuk kemi, thonë.

TAKIMI NË DEGËN E PUNËVE TË BRENDSHME PËR RENDIN DHE ZBATIMIN E LIGJIT
Në degën e punëve të brendshme ishte qetësi. Në zyrë ishte Çapajev Taçi, kryetari dhe Naim Reçi, nënkryetari.
Çapajevi u ngrit nga karrigia e tij dhe u nxi në fytyrë sapo më pa. Më vështronte me urrejtjen që besnikët e partisë shikonin armiqtë e Partisë dhe popullit. Zylyftar Ramizi më kishte akuzuar në disa mbledhje se sabotoja Sigurimin e Shtetit, ndërsa të tjerët, si edhe Çapajevi, nuk kishin aq pushtet sa Zylyftari që të deklaronin hapur mendimin e tyre dhe reagonin me qëndrimet dhe mimikë të pakënaqur.
Çapajevi nuk u përmbajt dhe i tensionuar tha:

– Shoku Qemal, kështu nuk shkohet më. Jemi në tension prej shumë kohësh. Të vihet dorë. Këtë e ka bërë Partia Demokratike. Azem Hajdari e nxiti popullin. Është deputet, por të përgjigjet. Të vihet dorë për ta arrestuar. Të shkohet deri në fund. Çështja duhet të shkojë deri në fund. Ju jeni kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme. Bisedoni me shokun Ramiz. Unë nuk kam çfarë të bëj. Kështu nuk mund të punoj dot.
Reagova me kujdes që të qetësohej dhe të reagonte pozitivisht për detyrat që dilnin:

– Unë kam për detyrë të kërkoj se si është zbatuar ligji dhe të hetoj veprat penale të kryera, në bazë të provave dhe fajësisë së fajtorëve. Këto kërkojnë procedurën ligjore të parashikuar nga procedura e hetimit. Imuniteti i deputetit është garanci kushtetuese. Megjithatë, kjo nuk pengon policinë dhe as hetuesinë për të evidentuar drejt rrethanat e ngjarjes dhe provat për cilindo që ka kryer një vepër penale. Kemi për detyrë të veprojmë në bazë të ligjit dhe me prova.
– Për ne është e vërtetuar kush e shkaktoi ngjarjen. Kam bërë raportin. E paraqita sot edhe në hetuesi. Të vendoset në fillim për drejtuesit e Partisë Demokratike.
– Ka prova për drejtuesit e Partisë De-mokratike?
– Unë paraqita raportin me përfundimet që kemi ne si degë e punëve të brendshme. Më shumë nuk kemi.
– Raporti nuk bazohet në prova, – u përpoqa ta sqaroj edhe njëherë për kërkesat e nevojshme procedurale. – Nuk kemi asnjë të dhënë tjetër veç konkluzioneve.

NE TIRANE
U takova me kryetarin e hetuesisë, duke e porositur të ndihmonte bashkë me hetuesin zëvendëskryetarin dhe grupin e hetuesve dhe të punonin së bashku. Drejtori, Besniku, erdhi me mua për në Tiranë.
Ndalova direkt në selinë e Këshillit të Ministrave. Ishte pak pas orës 18.00. Sapo kishte filluar mbledhja. Rrapi erdhi pas afro një gjysmë ore.
Pasi mbaroi pika e parë e sapofilluar, u kalua në analizën për gjendjen në Shkodër. -Na raporto ti, shoku Qemal, për gjendjen dhe çështjen hetimore, – tha Fatosi.

Gjendja vazhdon të jetë e tensionuar dhe është shumë e vështirë për të vendosur qetësinë dhe rendin publik. Hetimet sapo kanë filluar. Mora takim me drejtuesit e degës së punëve të brendshme dhe ata të Komitetit Ekzekutiv. Masat për rregullimin e gjendjes janë së pari të karakterit më të rëndësishëm shtetëror dhe të kompetencës së organeve më të larta shtetërore, duke filluar nga Kuvendi Popullor. Së dyti, duhet konsesus i gjerë politik, që të qetësohet populli dhe të fillojë funksionimi i shtetit dhe i rendit në Shkodër. Me anë të shtypit, është bërë një njoftim nga Ministria e Brendshme dhe pas tij, njoftimi i përbashkët i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit Presidencial. Prandaj është mirë që të jepet një raport informues me të dhënat e deritanishme nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe pastaj nga unë. Duke i dëgjuar në mënyrë kronologjike, do të mund të krijohet një përfytyrim më i mirë për situatën dhe masat që duhen marrë.
DEBATET
– Po ti ishe në vend, – tha menjëherë Fatosi.
– Pikërisht, për këtë do të flas, pasi e përjetova sadopak gjendjen. Në vend duhej të kishte vajtur më parë ministri i Punëve të Brendshme.
– Fol ti, ministër i Drejtësisë, – tha Fatosi, duke iu drejtuar Dashamirit.
– Të flasë ministri i Brendshëm, – iu përgjigj Dashamiri.
– Mirë, po flas unë, – ndërhyri dhe e mori fjalën Gramozi dhe filloi të lexojë raportin e dërguar nga kryetari i degës së punëve të brendshme edhe në hetuesinë e rrethit.
Pasi mbaroi leximin, Gramozi bëri disa komente për gjendjen e krijuar dhe vuri në dukje disa kritika që bëheshin nga drejtues në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Shkodër, për bashkëpunimin me hetuesinë.
E mora unë fjalën: -Raporti i degës së punëve të brendshme është i vetmi material kallëzues i ardhur në hetuesi. Bëhet informim për ngjarjen, nuk janë bërë ndalime dhe nuk janë paraqitur prova për shkeljet e ligjit dhe pasojat për vrasje dhe shkatërrimet e pronës….
Në këto drejtime, merr rol me përgjegjësi qëndrimi i Partisë Demokratike. Drejtuesit e saj dhe deputetët e Shkodrës duhet të kontribuojnë për ngjarjen.

Pas meje foli Rrapi Mino. Edhe ai vuri në dukje gjendjen e rëndë, duke miratuar problemet e parashtruara nga unë.
– Shoku Qemal mori takime dhe bëri biseda dhe raportoi drejt. Problemet janë politike dhe kërkojnë zgjidhje nga lart. Sa na përket neve si Hetuesi dhe si Prokurori, kemi ngritur grupin e hetimit dhe të prokurorëve për të kontrolluar.
Fjala ime dhe e Rrapit ndryshonin nga ajo e Gramozit. Këto ndryshime nxitën pyetje dhe diskutime nga anëtarët e kabinetit qeveritar.
Menjëherë konstatova se kërkohej që zgjidhja të arrihej me shtimin e dhunës së paligjshme shtetërore.
MINISTRAT MILITANTE
Një pjesë e ministrave do të tregoheshin militantë nga më besnikët e udhëheqjes së Partisë së Punës dhe personalisht të presidentit të ri, që i zgjodhi me kujdes. Pyetjet e para dhe qëndrimi direkt ishte në theksin që iu dha kritikave për liberalizëm në hetuesi dhe në prokurori. Emërimi i Qeverisë së Re ishte bërë me konceptin e emërimit të besnikëve për të zbatuar udhëzimet dhe mbajtur qëndrime të ashpra. Qeveria nga e cila pritej bërja e reformave, do të ishte edhe më konservatore se e mëparshmja që të mbahej pushteti nga Partia e Punës. Kishte të drejtën për qeverinë pasi fitoi zgjedhjet, por zgjedhjet e lira u bënë për realizimin e reformave demokratike dhe jo të ruajtjes së sistemit të vjetër.
SABIT BROKAJ
Pati edhe ndonjë ministër që nuk kishte njohuri për punën në drejtësi, por si besnik i Partisë në mendimet e tij, ngriti zërin me kritikë të thellë:
– Kur do të na i japë rezultatet hetuesia, – tha Sabit Brokaj, ministër i Shëndetësisë. – Për ngjarjet në Shkollën e Bashkuar, s’u bë gjë. U lanë të lirë fajtorët. U lanë të lirë edhe ata të rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës. Tani nuk veprohet për vandalistët e terroristët në Shkodër. Ku do të vemi kështu? Kështu nuk mbahet pushteti! Po na ikën nga duart!

E çuditshme, që një ministër i Shëndetësisë të mendonte, analizonte dhe të jepte konkluzione, si një militant partie me një nivel të tillë politik dhe kulturor. Një ministër i një sektori të rëndësishëm human dhe me rol të posaçëm për jetën dhe mirëqenien e njeriut, fliste si një militant ekstremist, që mbështeste dhe zbatonte verbërisht dhunën shtetërore.

Nuk mund ta lejoja më shumë që të diskutonte në mënyrë kaq të papërgjegjshme dhe i ndërhyra, duke i ndërprerë fjalën, po me ton të ashpër:
– Ku e njeh ti punën e Hetuesisë, shoku ministër i Shëndetësisë. Në punën tënde ti ke përcaktuar diagnoza dhe ke ndjekur terapi për zemrën, si specialist i mirë që dihet se ke qenë, nuk e besoj të kesh punuar ndonjëherë në organe të drejtësisë apo të Hetuesisë. Por gjithsesi, ne të dyve na lidh në profesionet tona dimensioni human. Humanizmi im qëndron në zbatimin me përpikmëri dhe drejtësi të ligjit, ndërsa yti në përcaktimin e diagnozës dhe shpëtimin e pacientit. Diskutimi yt më krijon mendimin se je ndikuar në mendimet për shkak të presionit që bëhet ndaj Hetuesisë dhe merren në mbrojtje me qëllime të caktuara gabimet me paramendim të organeve të punëve të brendshme.

Ti nuk e njeh dhe nuk mund të gjykosh me këto mendime për të bërë vlerësime për Hetuesinë. Hetuesia bën hetime. Hetuesi zbaton ligjin. Hetuesia nuk shkel ligjin për të kënaqur interesat e njëanshme politike. Hetuesia nuk është as Sigurimi i Shtetit dhe as policia dhe as zëvendëson punën e tyre, kur ato nuk zbatojnë ligjin dhe për përgjegjësitë që kanë, spostojnë vëmendjen padrejtësisht duke akuzuar Hetuesinë. Hetuesia, si organ i drejtësisë, i ka të përcaktuara me ligj detyrat për hetimin e veprave penale. Me një numër të vogël hetuesish, që në mënyrë figurative mund të thuhet “me një grusht hetuesish” që ka në organikë, nuk mund të zëvendësojë Sigurimin e Shtetit dhe policinë, që janë një armatë e madhe potenciale.

– Forcat e rendit kanë vepruar me urdhër nga lart. Policia nuk ka vepruar sipas ligjit gjatë manifestimit dhe, pas vrasjeve dhe shtimit të kundërshtimit popullor, është larguar nga vendi i ngjarjes. Në Shkodër nuk ka rend. Çfarë të bëjnë ata hetues, që nuk kanë asnjë mbrojtje nga policia dhe Sigurimi i Shtetit, të cilët nuk janë në krye të detyrës për mbrojtjen e rendit dhe rivendosjen e qetësisë së popullit, për një jetë normale?!
– Çfarë të bëjë hetuesi, kur forcat e rendit nuk janë në krye të detyrës?!
Çfarë të bëjë Hetuesia, kur organet udhëheqëse të shtetit e dinë këtë gjendje dhe kërkohet llogari për hetuesinë?!
Njoftohet për vandalistë dhe terroristë dhe pas disa çasteve, ndërrohet vlerësimi dhe përmenden si viktima!
Nuk bëhen ndalime nga policia dhe nuk paraqiten prova ligjore dhe bëhet fajtore hetuesia përse zbaton ligjin!
Me gjithë këto vështirësi të gjendjes së hetimit dhe situatën politike, hetuesit janë të mobilizuar dhe punojnë që të realizojnë në bazë të ligjit dhe me drejtësi hetimet edhe në Shkodër.
Në sallë ra qetësi. Sabiti uli kokën dhe nuk foli më.
Ndërhyrja ishte me efekt. Qeveria duhej të orientohej drejt dhe të mos bazohej vetëm në raportimet që bënte ministri i Brendshëm.
Pas pauzës që shkaktoi vetvetiu diskutimi im, e mori fjalën Fatosi dhe më pyeti:
– Kur do të na njoftoni për rezultatet e hetimit?
– U fillua menjëherë puna. Për hetimin ka afate hetimore. Do të punojmë me të gjitha mundësitë ta përfundojmë me drejtësi dhe shpejt. Por po nuk u mbështetëm, nuk arrijmë dot shpejtësinë që duam të kemi në hetim dhe kërkohet për sqarimin sa më shpejt të ngjarjes dhe të ndikojmë pozitivisht në familjet e dëmtuara dhe në qetësimin e opinionit publik. As makina për të shkuar në vendin e ngjarjes nuk ka Hetuesia që i kërkohet çdo gjë për mbrojtjen e rendit. I kërkohen edhe detyra që nuk i takojnë, të cilat nuk i refuzon, por mundohet të ndikojë dhe të japë kontribut sa mundet. Në radhë të parë, kërkohet konsensus politik, të vendoset rendi publik dhe të dëgjohet populli. Po të realizohen këto, atëherë do të arrihet stabiliteti politik. Për këto do të jetë e gjithanshme edhe puna e gjithë hetuesve.
U bë pushim.
Kur dolëm në korridor, erdhi menjëherë Sabiti dhe më takoi. Më foli me respekt dhe kujdes.
– Unë nuk ju rëndoj ju, – tha me dashamirësi. – Dua që secili të bëjë detyrën. Edhe ju bëni mirë që kërkoni të mos ju bien në qafë, shoku Qemal.

Më Shumë

Moti sot: Me shi dhe reshje bore

Këtë të mërkurë në Kosovë pritet të ketë ulje drastike të temperaturave ku priten reshje shiu. Reshjet do të jenë në formë të rrebesheve, të...

“Kolla e keqe”, infektologu Ramadani tregon tri fazat që kalon i infektuari

Ka arritur në 14 numri i të prekurve nga sëmundja infektive Pertussis, e njohur në popull si kolli i keq. Instituti Kombëtar i Shëndetit...

Lajmet e Fundit