16.8 C
Prizren
E martë, 5 Gusht, 2025
Home Blog Page 8389

Të pakënaqurit e PDK-së, pjesë e Limajt

0

Limaj-KrasniqiSubjektit politik që do ta themelojnë Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi pritet t’i bashkëngjiten disa deputetë nga grupi parlamentar i PDK-së.

Ish-ministri i Transportit, edhe publikisht të martën ka paralajmëruar braktisjen e PDK-së dhe formimin e një partie politike, me të cilën do të marrin pjesë në zgjedhjet nacionale të këtij viti, që pritet të organizohen në qershor.

Haxhi Shala, Hydajet Hyseni, Justina Shiroka-Pula, Nait Hasani, Flora Brovina, janë emrat e deputetëve që lakohen se do t’i bashkëngjiten partisë së Limajt e Krasniqit, të cilët vazhdimisht kanë shprehur pakënaqësi me drejtimin e partisë nga kryetari Hashim Thaçi dhe zëvendësi i tij, Kadri Veseli.

Deputeti Haxhi Shala, i njohur si komandant “Topi”, e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se tashmë është pjesë e ekipit të Limajt dhe në këtë mënyrë i ka thënë lamtumirë GP të PDK-së.

“Gjithmonë e kam thënë dhe tash po e ripërsëris se jam pjesë e ekipit të Limajt dhe jo e GP të PDK-së”, ka thënë ai, edhe pse në Kuvendin e Kosovës erdhi para pak ditësh në emër të votave të fituara të PDK-së.

Ai ka konfirmuar se ka edhe deputetë tjerë në Kuvendin e Kosovës që do t’i bashkohen grupit të Limajt e Krasniqit, por nuk ka dashur të flasë me emra.

“Unë po flas për vete dhe asnjëherë s’e kam fshehur se jam në ekipin e Limajt. Përveç kryeparlamentarit Krasniqi, në këtë ekip ka edhe deputetë të tjerë, por më mirë secili le ta konfirmojë vetë”, ka thënë ai, duke mos përmendur emra.
Por, Shala ende nuk e di nëse gjatë seancës plenare të së enjtes do të ulet përkrah deputetëve të GP të PDK-së, apo do të zërë vendin në ulëset e fundit.

“Nuk e di, nuk e di se ku do të ulem në Kuvend”, ka thënë ai.

Komandant “Topi” edhe gjatë tubimeve elektorale për zgjedhjet lokale ku Limaj edhe zyrtarisht i dha mbështetje Iniciativës Qytetare të Malishevës me në krye Ragip Begajn, vazhdimisht ka qenë bashkë me të.

Në mesin e emrave më të përfolur se do të jetë në partinë e re, është edhe ai i Hydajet Hysenit. Por, ky i fundit ka thënë se për momentin s’ka asgjë për të thënë.

“E kam përcjellë pjesërisht intervistën e Limajt. Nuk pashë asgjë të re, përveç se është një paralajmërim i një diçkaje që do të ndodhë. Nuk shoh njëherë për njëherë diçka të veçantë që do të prononcohesha. Në parim mbështes nismat për konsolidim të skenës politike, apo për kompletimin e skenës, pasi që skena politike nuk është komplete dhe e konsoliduar”, ka qenë përgjigjja e tij.

Por, jo vetëm kaq, prej kohësh janë lakuar edhe emrat e deputetëve tjerë të PDK-së se do të jenë pjesë e taborit të Limajt e Krasniqit, sikurse emri i Nait Hasanit, Justina Shirokës-Pulës e Flora Brovinës. Por, kjo është mohuar në mënyrë kategorike nga vetë deputetët.

Deputeti Nait Hasani thotë se as nuk ka pasur konsulta të tilla dhe në këtë drejtim ka përjashtuar çdo mundësi se do të mund t’i bashkohet partisë së re të bashkëpartiakut të tij, Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit.

“Jo, jo jam deputetet i PDK-së dhe aty mbetem. S’jam i interesuar të kaloj në ndonjë parti të re”, ka thënë ai. Hasani, ndërkaq, ka mohuar të ketë pasur ofertë apo biseda me Limajn për t’iu bashkuar subjektit të ri politik që pritet për pak ditë të zyrtarizohet.

Edhe Justina Shiroka –Pula ka hedhur poshtë mundësinë se do të mund ta braktisë PDK dhe të jetë në krahun e Limajt. “ As që është diskutuar dhe as menduar për diçka të tillë. Unë jam anëtare e PDK-së dhe mbetem aty deri në fund”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, gazeta ka kontaktuar edhe me deputeten Flora Brovina, por për shkak se ajo gjendej për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,ka qenë e pamundur që të merret një përgjigje nga ajo. Por, vetë Brovina ditë më parë i pati deklaruar gazetës “Zëri” se nuk është pjesë e muhabeteve të tilla. “As s’më ka thanë Jakupi dhe as Fatmiri. Pra, s’kam diskutuar për diçka të tillë asnjëherë. Unë jam anëtare e kryesisë së PDK dhe s’kam lidhje me këtë punë, sikurse nuk kam lidhje që ata qenkan duke e formuar ndonjë grup të ri”, kanë qenë fjalët e Brovinës.

Burime të afërta me Limajn thonë se pritet që pjesa e të pakënaqurve e PDK-së t’i bashkohen këtyre dy figurave politike ( Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit), por sipas tyre tash për tash ekziston një hezitim që ata të deklarohen publikisht. /Zëri/

Kërkohen 30 ditë paraburgim për Ukë Rugovën dhe të tjerët

0

uk rugovaProkuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar 30 ditë paraburgim për Ukë Rugovën dhe 9 të arrestuarit të tjerë.

Avokati Tomë Gashi i cili mbron të dyshuarit Izet Beqiri, ka thënë për lajmi.net se vendimi Prokurorisë ka ardhur duke marrë për bazë arsyetimin se ekziston rreziku i ikjes, i ndikimit në dëshmi dhe rreziku që t’i përsërisin veprat.

“Prokurori ka marrë këtë vendim duke marrë për bazë arsyetimin se ekziston rreziku i ikjes, i ndikimit në dëshmi dhe rreziku që t’i përsërisin veprat pasi, sipas tij, kanë vepruar si grup kriminal”.

Gashi ka thënë se për këtë do të vendosë gjyqtarja Ana Galant.

“Unë kam deklaruar se asnjë arsye nuk ekziston për paraburgim, sepse nuk do të ik as Ukë Rugova dhe as klienti im Izet Beqiri dhe as të tjerët dhe se nuk mund të ndikojë askush në provat që i ka siguruar prokurori me përgjimi telefonike si dhe gjatë bastisjes”.

Gjatë seancës e cila po vazhdon të mbahet ende në Kinemanë ABC1, deri më tash janë dëgjuar vetëm dy prej dhjetë të dyshuarve.

Kjo seancë pritet të zgjasë edhe më tej.

As Hydajet Hyseni s’është më me PDK-në?

0

Hydajet HyseniPas largimit zyrtar të Fatmir Limajt, Jakup Krasniqit e Haxhi Shalës, edhe deputeti tjetër Hydajet Hyseni ka dhënë shenjat e para se s’është më në Partinë Demokratike të Kosovës.

Për dallim prej deputetëve të tjerë që e kanë lëshuar sallën e Kuvendit kur janë nxjerr për votim rekomandimet e LDK’së për UP’në, Hydajet Hyseni ka qëndruar në sallë, shkruan Express.

“Me Hydën jemi 51 deputetë”, ka thënë Jakup Krasniqi, derisa e ka ndërprerë seancën e Kuvendit në mungesë kuorumi.

Nuk miratohen rekomandimet për UP-në

0

Kuvendi_i_Kosoves_7Kuvendi nuk ka arritur të miratojë rekomandimet e LDK-së për gjendjen në UP, pasi pozita ka lëshuar seancën dhe nuk ka marrë pjesë në votim.

Lëshimi i sallës nga pozita ndodhi pasi LDK dhe grupet tjera opozitare nuk pranuan të harmonizohen rekomandimet e tyre me ato të koalicionit qeverisës.

Seanca vazhdon nesër në ora 10:00 meqë nuk pati kuorum për të votuar pasi në sallë ishin 51 deputetë.

Haradinaj: Debati për UDB-në nuk bëhet me të dhëna të pasakta

0

Ramush Haradinaj 1Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj theksoi se është në interes të Kosovës që të hapen dosjet dhe të zbardhet e vërteta për to.

“Do të ishte në interes të vetë shoqërisë së Kosovës, që të shihet e vërteta posaçërisht për çdo politikan. Por, kjo e vërtet duhet vijë nga mekanizma të paanshëm dhe mekanizma që janë të besueshëm në popullin e Kosovës. Mbasi lidhur me këtë çështje jo vetëm në Kosovë, por edhe rreth saj, dihet se ka pasur shumë manipulime me dosjet dhe gjëra të tjera të kësaj natyre, e vërteta ka rrezik të mos mësohet asnjëherë”, deklaroi Haradinaj në një intervistë për INA.

Lidhur me zërat e fundit në Kosovë për bashkëpunëtor me shërbimin sekret jugosllav UDB-së, Haradinaj vlerëson se gjithçka duhet bërë përmes dëshmive dhe mekanizmave profesionalë dhe kredibilë.

“Duhet të ketë proces të besueshëm në Kosovë, lidhur me bashkëpunëtorët e UDB-së, e cila nuk ekziston më, por i ruan strukturat e saj në Beograd. Unë nuk jam për debate të tilla, pasi të dhënat janë të komprometuara, pra nuk janë të qëndrueshme. Dhe, nuk i takon shoqërisë kosovare të kyçet në një debat duke mos pasur të dhëna të sakta”, theksoi Haradinaj.

Ai komentoi edhe arrestimet e fundit në Kosovë, duke shtuar se për këtë duhet të flasë drejtësia.

“Unë mendojë se duhet lënë në dorë të drejtësisë, që ajo të bëjë punën e saj”, vlerëson kreu i AAK-së.

Ai përsëriti se është duke bërë përgatitje për të krijuar nesër një “Qeveri Haradinaj”, e cila, siç thotë ai, do të merret me rendin dhe ligjin në gjithë vendin, rritjen ekonomike si dhe uljen e papunësisë. Kreu i AAK-së thotë se nominimi i kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë për çmimin Nobel, do t’i ndihmojë Kosovës për një imazh më të mirë në arenën ndërkombëtare, për të ardhmen evropiane.

Policia në Prizren sekuestron tri pistoleta

0

ArmaPas një bastisje në kërkim të armëve, policia në Prizren ka sekuestruar tri pistoleta. Pistoletë “Astra” model A 80, Pistoletë “Zastava” kalibri 6.35 mm si dhe një pistoletë e demoluar.

Policia nuk ka arritur ta arrestoj të dyshuarin me mbiemër Xhoxhaj pasi i njëjti nuk ndodhej në shtëpi.

Është informuar prokurori i cili ka urdhëruar që provat materiale t’i kalojnë prokurorisë për procedurë të mëtejme./PrizrenPress.com/

Muzika shqiptare mban zi për Vaçen, amaneti i fundit: Dua të prehem në atdhe

0

Vaqe zelaAmaneti i Vaçe Zelës të prehet në tokën shqiptare, ka edhe një pjesë që e lartëson më shumë se zëri i saj. Nga Bazeli trupi nuk do të fluturojë drejt atdheut, por do të shkelë truallin shqiptar të Kosovës të cilin nuk e shkeli dot për së gjalli në liri.

Ajo nuk do të ngjisë më shkallët e Radio TV Publik, siç bëri vite me radhë, por nga këto ambjente kompozitori Osman Mula tregon ngjitjet në skenë, kompozime e para e deri në moment, kur këngëtarja edhe pse në kulmin e karrierës kërkon të mos dalë më në skenë, transmeton Oranews.

Nuk do të mund të pijë kafe me mikun dhe kopozitorin e njohur, Agim Krajka, ku me këngët “Lemza” e “Djaloshi dhe shiu” fituan famën, por dhe njohën dorën e fortë të komunikimit për ti mos i transmetuar këto këngë, por sot me Agim Krajka sjellim këto kujtime.

Vaçe Zela lindi në Lushnje me 7 prill te 1939-es. U largua nga skena ne vitin 1992, por këngët e saj mbetën jehonë: Nga kënga ‘Lemza’, ‘Femija i pare’, ‘Naten vone’, ‘Ne shtepine tone’, ‘ e deri tek “E dua vendin tim’ Vaçe Zela pushtoi zemrat e të gjitëve. Në 40-vitet e karrierës së saj ajo është cilësuar si “Zëri i Artë i Shqipërisë”, “Ikona e Shenjtë e Këngës Shqiptare”, si dhe Mbretëresha e Këngës Shqiptare.

Pllana, sërish në Kongresin Amerikan

0

NusretPllana-libriMe rastin e vizitës së tij zyrtare, të presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në sallën e Kongresit Amerikan (numër 2255) për Marrëdhënie me Jashtë, ka marrë pjesë edhe publicisti nga Kosova, Prof. Dr. Nusret Pllana.

Ai në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë popullit të shumëvuajtur e liridashës shqiptar dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në fitoren e plotë të luftës së saj të drejtë, ua dhuroi nga një libër të tij (“Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999”) ribotimin e pestë të plotësuar, të sajuar në shtatë gjuhë të huaja: shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, turqisht, serbisht e maqedonisht- këtyre personaliteteve: Kongresmenit amerikan, Eliot Engel, Kongresmenit amerikan, Robert Aderholt, Grant Harris, drejtor i Divizionit Evropian të Bibliotekës Botërore të Kongresit Amerikan, presidentit shqiptar, Bujar Nishanit, Dr. Elez Biberit, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të “Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe” (VOA) dhe Avni Mustafës, drejtor ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

Libri i Dr. Pllanës “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”, i cili në shtatorin e vitit 2012 ka marrë mirënjohje nga Biblioteka Botërore e Kongresit Amerikan, nga viti 2001 e deri më tani ka arritur të promovohet në qendrat kryesore evropiane dhe botërore, si: Prishtinë, Tiranë, Shkup, Gjenevë, Cyrih, Lugano, Paris, Lion, Vjenë, Oslo, Stokholm, Budapest, Jovik, Katovicë, Ankara, Stamboll, Bursa, Izmir, Romë, Shtutgart, Dortmund, Singen, Hechingen, Nyrnberg, Hamm, Heidelberg, Mynhen, Ludvigsburg, Heslingen, Phorzheim, Helsinki, Toronto, Berri, New York, Washington, Detroid, Melbourne, etj.

Më 21 mars 2014, do të promovohet në Bruksel, në shenjë respekti të 15-vjetorit të intervenimit humanitar dhe ushtarak të NATO-s në Kosovë.

S’lejojmë improvizimin e zgjedhjeve

0

arsim bajrami Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arsim Bajrami, ka kërkuar nga partitë opozitare ta lënë anash debatin për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe të merren me përfundimin e reformës zgjedhore.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Bajrami ka thënë se PDK-ja nuk do të lejojë të improvizohen zgjedhjet parlamentare. Sipas Bajramit, zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen në shtator të këtij viti. Në këtë kontekst, Bajrami ka thënë se nuk e kupton opozitën e cila është duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare. “Nuk i kuptoj këto parti për zgjedhje të parakohshme. Do t’i kuptoja këto parti sikur të kërkonin zgjedhje para një ose dy vjetëve. Tani kur jemi në një vit elektoral dhe zgjedhjet duhet të mbahen në shator për shkak të afatit kushtetues, të dilet dhe të kërkohen zgjedhje të improvizuar, seriozisht nuk i kuptoj”, është shprehur ai.

Bajrami ka thënë se ata që po kërkojnë zgjedhje të parakohshme nuk kanë fuqi për ta rrëzuar Qeverinë e Kosovës. “I kuptoj prononcimet e opozitës nëpër medie, të cilat i bëjnë për kalkulime politike. Deri më tani nuk e kemi parë asnjë mocion të votimit të mosbesimit të Qeverisë në Kuvendnin e Kosovës”, ka thënë Bajrami, duke shtuar se opozita më shumë ka probleme mes vete sesa me Qeverinë. Pavarësisht kësaj, Bajrami ka shprehur optimizëm se PDK-ja do të dalë përsëri fituese e zgjedhjeve. Bajrami ka bërë me dije se javën e ardhshme Kryesia e PDK-së do t’i miratojë dokumentet strategjike për fitimin e mandatit të tretë qeverisës. Ai ka kërkuar reflektim nga të gjithë ata të cilët janë larguar apo kanë pezulluar aktivitetin në PDK në mënyrë që të kthehen në këtë parti.

“Epoka e re”: Z. Bajrami, brenda çfarë periudhe mund të përfundojë reforma zgjedhore?
Bajrami: Mendoj se tani nuk kemi kohë për të humbur, sepse jemi në vit elektoral. Në këtë vit Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës e shpenzojnë mandatin kushtetues. Reforma zgjedhore më së voni duhet të përmbyllet në muajin mars, në mënyrë që të plotësohet standardi që të lihen gjashtë muaj afat nga dita e përmbylljes së reformës deri në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Personalisht, mendoj se Kosova nuk e ka luksin e improvizimit të zgjedhjeve. Në këtë drejtim duhet ta lëmë me një anë debatin për zgjedhjet e parakohshme apo të jashtëzakonshme parlamentare, sepse për qytetarët e Kosovës nuk është më interes nëse do të mbahen zgjedhjet dy muaj më herët apo dy muaj më vonë, sa është më rëndësi që ato të mbahen në një situatë normale dhe të rregullt. Reforma duhet të përfundojë në mënyrë që partitë politike të jenë të përgatitura, përfshirë edhe mekanizmat implementues të zgjedhjeve. Tani, në vend të debatit se kur duhet të mbahen zgjedhjet, duhet të fokusohemi se cili do të jetë kualiteti i reformës zgjedhore dhe cili do të jetë kualiteti i ligjit të ardhshëm zgjedhor.

“Epoka e re”: Kjo reformë do të jetë substanciale apo sipërfaqësore?
Bajrami: Reforma nuk do të jetë substanciale. Tani për tani partitë politike nuk kanë qenë të gatshme ta bëjnë një reformë të tillë. Fillimisht, përfaqësuesit e partive politike kanë hequr dorë që presidenti të zgjidhet nga populli, gjë që ka qenë një mundësi e mirë. Pastaj nuk ka pasur debat për aplikimin e shumë zonave zgjedhore, pra kanë munguar debatet kualitative për ta bërë një reformë substanciale, por në këto segmente ku do të bëhet reforma duhet me ligj të bëhen të gjitha shmangiet e mundësive teorike, faktike dhe hipotetike për cilëndo shkelje të procesit zgjedhor. Mendoj se tani kemi ndërtuar një disponim dhe atmosferë të mirë politike, që cilado parti apo individ i cili tenton të abuzojë me zgjedhje bën një krim kundër shtetit. Në këtë drejtim është një vetëdijesim i përgjithshëm, se nuk ia vlen të bëhet një deputet me vota të papastra sepse, para së gjithash, dëmtohet imazhi i shtetit. Këtë vetëdijesim e kemi parë në zgjedhjet e fundit lokale. Jam i sigurt se edhe zgjedhjet parlamentare do të jenë të suksesshme. Nuk do të ketë kontestime të votave. Është me rëndësi që partitë politike të kenë kohë të mjaftueshme të bëjnë fushata zgjedhore, t’i përshtaten ligjit të ri për zgjedhjet dhe pak a shumë edhe institucionet siç janë KQZ-ja dhe gjykatat të jenë efiçiente për monitorimin e zgjedhjeve.

“Epoka e re”: Ende pa përfunduar ky proces, disa parti opozitare janë duke kërkuar zgjedhje të parakohshme. Mund të flitet për zgjedhje të tilla, kur ky vit në Kosovë është elektoral?
Bajrami: Nuk i kuptoj këto parti për zgjedhje të parakohshme. Do t’i kuptoja këto parti sikur të kërkonin zgjedhje para një ose dy vjetëve. Tani kur jemi në një vit elektoral dhe zgjedhjet duhet të mbahen në shator për shkak të afatit kushtetues, të dilet të kërkohen zgjedhje të improvizuara, seriozisht nuk i kuptoj. Kosova pas pavarësisë do të jetë në gjendje që mandati i Kuvendit dhe Qeverisë të shpenzohet deri në fund. Zgjedhjet duhet të mbahen normalisht dhe pa tensione politike.

“Epoka e re”:  A ka fuqi opozita ta rrëzojë Qeverinë nga pushteti?
Bajrami: Opozita nuk ka as fuqi e as dëshirë ta rrëzojë Qeverinë. I kuptoj prononcimet e opozitës nëpër medie, të cilat i bën për kalkulime politike. Deri më tani nuk e kemi parë asnjë mocion të votimit të mosbesimit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës. Dhe nëse do të kishte vullnet të njëmend për rrëzimin e Qeverisë, opozita do ta shtronte këtë mocion, por realiteti ka treguar se opozita është shumë e përçarë. Më shumë ka probleme të unifikimit të qëndrimeve të opozitës sesa të mazhorancës. Ne si mazhorancë nuk do ta mbivotojmë reformën zgjedhore, do t’i prijmë konsensusit, por nuk do të marrim përgjegjësi për divergjencat të cilat i ka krijuar opozita. Ju e dini se edhe në ish-Komisionin për Reformë Zgjedhore më shumë ka pasur divergjenca në mes të opozitës sesa PDK-së. Partia Demokratike e Kosovës do të jetë korrekte dhe konstruktive në mënyrë që ta arrijmë këtë konsensus, që liderët politikë t’i japin përgjigjet e fundit për reformën. Nuk mendoj se duhet të ketë më shumë se edhe një takim në mes të liderëve, sepse tani reforma ka ardhur në Kuvend dhe ky institucion ka mekanizmat e vet për t’i çuar proceset përpara.

“Epoka e re”: Sipas jush, zgjedhjet do të ishin të improvizuara nëse mbahen para muajit shtator?
Bajrami: Nuk e di cili është përfitimi elektoral që të kalkulohet me dy muaj më herët apo dy muaj më vonë mbajtja e zgjedhjeve parlamentare. Është një standard i Komisionit të Venecias që korniza ligjore të jetë e adaptuar gjashtë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike. Në anën tjetër, asgjë nuk ka ndryshuar në qeverisje nga viti 2013. Nëse ka pasur kërkesa aq të zëshme për zgjedhje të parakohshme, atëherë ato është dashur të kërkohen më herët. Kështu që, mendoj se ky debat duhet të spostohet. Partitë duhet të fokusohen në mbështetjen e reformës në mënyrë që ta kemi kohën e mjaftueshme për përgatitjen e zgjedhjeve.

“Epoka e re”: Nga kjo që thoni, ju jeni ithtar që zgjedhjet të mbahen në muajin shtator?
Bajrami: Për mua nuk ka shumë rëndësi data e mbajtjes së zgjedhjeve. PDK-ja është e gatshme për zgjedhje edhe në qershor, edhe në shtator. PDK-ja nuk do të lejojë të improvizohen zgjedhjet. Pra, nuk do të lejomë improvizime, sepse potencialisht mund të abuzohet procesi zgjedhor.

“Epoka e re”: Çfarë force politike e shihni PDK-në pas zgjedhjeve parlamentare?
Bajrami: PDK-ja hyn në këto zgjedhje me ambicien legjitime për ta fituar mandatin e tretë. PDK-ja ka kapacitete dhe program dhe vlerësojmë se në konkurrencën aktuale politike gjasat janë reale ta fitojmë mandatin e tretë. Ne jemi duke zhvilluar debate të brendshme partiake. Jemi duke e përfunduar reflektimin sa iu përket zgjedhjeve lokale. Kemi përgatitur dokumentet strategjike të cilat do të miratohen javën e ardhshme në Kryesi të PDK-së. Dhe menjëherë pas vlerësimit të zgjedhjeve të kaluara, kemi përgatitur strategjinë për fitimin e mandatit të tretë. Në këtë drejtim jemi duke punuar aktivisht dhe jam i sigurt se në konkurrencën aktuale politike jemi më të mirët.

“Epoka e re”: Mendoni se janë shumë tre mandate për ta udhëhequr vendin?
Bajrami: PDK-ja ka pasur dy mandate. Mandati i parë ka qenë i krijimit të shtetit. Mandati i dytë i kapaciteteve zhvillimore. Siç ka thënë kryeministri, në mandatin e tretë PDK-ja synon ta bëjë Kosovën shtet të zhvilluar dhe vend që ka perspektivë evropiane. Ka shtete që një parti ka qeverisur më shumë se dy mandate, e pse mos të qeverisë edhe PDK-ja tre mandate. Tekefundit, janë qytetarët ata që do të vendosin me votën e tyre.

“Epoka e re”: Si do t’i ofroni njerëzit e pakënaqur në PDK?
Bajrami: Këto janë çështje të brendshme. PDK-ja ka mjaft resurse të pashfrytëzuara. Jemi parti që jemi rritur me kohë, por nuk i kemi shfrytëzuar kapacitetet ekzistuese. Në këtë drejtim do t’i vëmë në funksion të gjitha kapacitetet e brendshme, në mënyrë që secili të japë kontributin e vet. Sa iu përket zhvillimeve të brendshme, jemi parti e hapur dhe kërkojmë reflektim nga të gjithë ata të cilët, për cilëndo arsye apo motiv, janë larguar apo kanë pezulluar aktivitetin, pra të reflektojnë dhe të kthehen në origjinën e tyre, në PDK, sepse aty kanë investuar dhe e ardhmja e tyre është në këtë parti.

Daka e përkushtuar për organizimin e zgjedhjeve sa më të mira

0

ValdeteDaka-zgjedhjetKomisioni Qendror i Zgjedhjeve shënoi sot “Ditën Globale të Zgjedhjeve”. Me këtë rast kryetarja e KQZ-së Valdete Daka u shpreh e përkushtuar që të organizojë zgjedhje sa më të mira kurdo që mbahen ato në Republikën e Kosovës.

Duke folur për rëndësinë e “Ditës Globale të Zgjedhjeve”, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, tha se një nga qëllimet kryesore të kësaj dite është informimi i zgjedhësve dhe qytetarëve me përkushtimin e institucioneve për demokracinë si dhe rëndësinë e pjesëmarrësve në zgjedhje. Ajo u shpreh e bindur se në Kosovë do të ketë zgjedhje demokratike, kurdo që mbahen ato.

“Nga një vit zgjedhor ne kemi kaluar në një vit tjetër zgjedhor. Me këtë rast dua të shpreh përkushtimin në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të bërë gjithçka për organizmin sa më të mirë të këtyre zgjedhjeve, kurdo që ato mbahen. Kjo është detyrë e jona, të cilën fuqishëm besojmë se do ta arrijmë së bashku”, tha ajo, transmeton RTK.

Edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi, tha se kjo ditë përbën një rast të mirë për të informuar opinionin për zgjedhjet, rolin dhe rëndësinë in e tyre. “Shënimi i sotëm na jep rastin për të debatuar për sistemin tonë zgjedhor për funksionimin e tij dhe për reformimin që duhet t’i bëhet”, ka thënë Krasniqi. Ai pati edhe një mesazh për reformën zgjedhore në vend.

”Për reformën zgjedhore sikur për çdo reformë tjetër që duhet të bëjmë kërkohet vullnet politik dhe respektim i interesit të përgjithshëm shoqëror e shtetëror. Kërkohet bashkëpunimi dhe dialogu i brendshëm konstruktiv dhe jo debate shterpe,duke e parë njëri tjetrin jo si armik por si rival konkurrues vlerash dhe konceptesh”, tha ai.

Historiku i shënimit të kësaj dite është i shkurtër dhe daton që nga viti 2005. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve respektivisht Republika e Kosovës, prej dy vitesh është anëtarësuar në Asociacionin e Trupave Zgjedhore. Kjo ditë shënohet për cdo vit të enjten e parë e muajit, shkurt.