25.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Të pakënaqurit e PDK-së, pjesë e Limajt

Limaj-KrasniqiSubjektit politik që do ta themelojnë Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi pritet t’i bashkëngjiten disa deputetë nga grupi parlamentar i PDK-së.

Ish-ministri i Transportit, edhe publikisht të martën ka paralajmëruar braktisjen e PDK-së dhe formimin e një partie politike, me të cilën do të marrin pjesë në zgjedhjet nacionale të këtij viti, që pritet të organizohen në qershor.

Haxhi Shala, Hydajet Hyseni, Justina Shiroka-Pula, Nait Hasani, Flora Brovina, janë emrat e deputetëve që lakohen se do t’i bashkëngjiten partisë së Limajt e Krasniqit, të cilët vazhdimisht kanë shprehur pakënaqësi me drejtimin e partisë nga kryetari Hashim Thaçi dhe zëvendësi i tij, Kadri Veseli.

Deputeti Haxhi Shala, i njohur si komandant “Topi”, e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se tashmë është pjesë e ekipit të Limajt dhe në këtë mënyrë i ka thënë lamtumirë GP të PDK-së.

“Gjithmonë e kam thënë dhe tash po e ripërsëris se jam pjesë e ekipit të Limajt dhe jo e GP të PDK-së”, ka thënë ai, edhe pse në Kuvendin e Kosovës erdhi para pak ditësh në emër të votave të fituara të PDK-së.

Ai ka konfirmuar se ka edhe deputetë tjerë në Kuvendin e Kosovës që do t’i bashkohen grupit të Limajt e Krasniqit, por nuk ka dashur të flasë me emra.

“Unë po flas për vete dhe asnjëherë s’e kam fshehur se jam në ekipin e Limajt. Përveç kryeparlamentarit Krasniqi, në këtë ekip ka edhe deputetë të tjerë, por më mirë secili le ta konfirmojë vetë”, ka thënë ai, duke mos përmendur emra.
Por, Shala ende nuk e di nëse gjatë seancës plenare të së enjtes do të ulet përkrah deputetëve të GP të PDK-së, apo do të zërë vendin në ulëset e fundit.

“Nuk e di, nuk e di se ku do të ulem në Kuvend”, ka thënë ai.

Komandant “Topi” edhe gjatë tubimeve elektorale për zgjedhjet lokale ku Limaj edhe zyrtarisht i dha mbështetje Iniciativës Qytetare të Malishevës me në krye Ragip Begajn, vazhdimisht ka qenë bashkë me të.

Në mesin e emrave më të përfolur se do të jetë në partinë e re, është edhe ai i Hydajet Hysenit. Por, ky i fundit ka thënë se për momentin s’ka asgjë për të thënë.

“E kam përcjellë pjesërisht intervistën e Limajt. Nuk pashë asgjë të re, përveç se është një paralajmërim i një diçkaje që do të ndodhë. Nuk shoh njëherë për njëherë diçka të veçantë që do të prononcohesha. Në parim mbështes nismat për konsolidim të skenës politike, apo për kompletimin e skenës, pasi që skena politike nuk është komplete dhe e konsoliduar”, ka qenë përgjigjja e tij.

Por, jo vetëm kaq, prej kohësh janë lakuar edhe emrat e deputetëve tjerë të PDK-së se do të jenë pjesë e taborit të Limajt e Krasniqit, sikurse emri i Nait Hasanit, Justina Shirokës-Pulës e Flora Brovinës. Por, kjo është mohuar në mënyrë kategorike nga vetë deputetët.

Deputeti Nait Hasani thotë se as nuk ka pasur konsulta të tilla dhe në këtë drejtim ka përjashtuar çdo mundësi se do të mund t’i bashkohet partisë së re të bashkëpartiakut të tij, Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit.

“Jo, jo jam deputetet i PDK-së dhe aty mbetem. S’jam i interesuar të kaloj në ndonjë parti të re”, ka thënë ai. Hasani, ndërkaq, ka mohuar të ketë pasur ofertë apo biseda me Limajn për t’iu bashkuar subjektit të ri politik që pritet për pak ditë të zyrtarizohet.

Edhe Justina Shiroka –Pula ka hedhur poshtë mundësinë se do të mund ta braktisë PDK dhe të jetë në krahun e Limajt. “ As që është diskutuar dhe as menduar për diçka të tillë. Unë jam anëtare e PDK-së dhe mbetem aty deri në fund”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, gazeta ka kontaktuar edhe me deputeten Flora Brovina, por për shkak se ajo gjendej për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,ka qenë e pamundur që të merret një përgjigje nga ajo. Por, vetë Brovina ditë më parë i pati deklaruar gazetës “Zëri” se nuk është pjesë e muhabeteve të tilla. “As s’më ka thanë Jakupi dhe as Fatmiri. Pra, s’kam diskutuar për diçka të tillë asnjëherë. Unë jam anëtare e kryesisë së PDK dhe s’kam lidhje me këtë punë, sikurse nuk kam lidhje që ata qenkan duke e formuar ndonjë grup të ri”, kanë qenë fjalët e Brovinës.

Burime të afërta me Limajn thonë se pritet që pjesa e të pakënaqurve e PDK-së t’i bashkohen këtyre dy figurave politike ( Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit), por sipas tyre tash për tash ekziston një hezitim që ata të deklarohen publikisht. /Zëri/

Më Shumë

Shtyhet afati i procesit të regjistrimit të popullsisë

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se është shtyrë afati i procesit të Regjistrimit të Popullsisë deri më datën 24 maj.   Sipas komunikatës  së qeverisë, ky...

Ligji i ri i trafikut: Për një muaj policia shqiptoi mbi 36 mijë gjoba

Policia ka bërë të ditur pwr dënimet që janë dhënë më së shpeshti për shkelësit e rregullave në trafik. 27 mijë e tre gjoba janë...

Koha dritëplotë

Lajmet e Fundit