22.8 C
Prizren
E diel, 28 Prill, 2024

S’lejojmë improvizimin e zgjedhjeve

arsim bajrami Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arsim Bajrami, ka kërkuar nga partitë opozitare ta lënë anash debatin për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe të merren me përfundimin e reformës zgjedhore.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Bajrami ka thënë se PDK-ja nuk do të lejojë të improvizohen zgjedhjet parlamentare. Sipas Bajramit, zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen në shtator të këtij viti. Në këtë kontekst, Bajrami ka thënë se nuk e kupton opozitën e cila është duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare. “Nuk i kuptoj këto parti për zgjedhje të parakohshme. Do t’i kuptoja këto parti sikur të kërkonin zgjedhje para një ose dy vjetëve. Tani kur jemi në një vit elektoral dhe zgjedhjet duhet të mbahen në shator për shkak të afatit kushtetues, të dilet dhe të kërkohen zgjedhje të improvizuar, seriozisht nuk i kuptoj”, është shprehur ai.

Bajrami ka thënë se ata që po kërkojnë zgjedhje të parakohshme nuk kanë fuqi për ta rrëzuar Qeverinë e Kosovës. “I kuptoj prononcimet e opozitës nëpër medie, të cilat i bëjnë për kalkulime politike. Deri më tani nuk e kemi parë asnjë mocion të votimit të mosbesimit të Qeverisë në Kuvendnin e Kosovës”, ka thënë Bajrami, duke shtuar se opozita më shumë ka probleme mes vete sesa me Qeverinë. Pavarësisht kësaj, Bajrami ka shprehur optimizëm se PDK-ja do të dalë përsëri fituese e zgjedhjeve. Bajrami ka bërë me dije se javën e ardhshme Kryesia e PDK-së do t’i miratojë dokumentet strategjike për fitimin e mandatit të tretë qeverisës. Ai ka kërkuar reflektim nga të gjithë ata të cilët janë larguar apo kanë pezulluar aktivitetin në PDK në mënyrë që të kthehen në këtë parti.

“Epoka e re”: Z. Bajrami, brenda çfarë periudhe mund të përfundojë reforma zgjedhore?
Bajrami: Mendoj se tani nuk kemi kohë për të humbur, sepse jemi në vit elektoral. Në këtë vit Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës e shpenzojnë mandatin kushtetues. Reforma zgjedhore më së voni duhet të përmbyllet në muajin mars, në mënyrë që të plotësohet standardi që të lihen gjashtë muaj afat nga dita e përmbylljes së reformës deri në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Personalisht, mendoj se Kosova nuk e ka luksin e improvizimit të zgjedhjeve. Në këtë drejtim duhet ta lëmë me një anë debatin për zgjedhjet e parakohshme apo të jashtëzakonshme parlamentare, sepse për qytetarët e Kosovës nuk është më interes nëse do të mbahen zgjedhjet dy muaj më herët apo dy muaj më vonë, sa është më rëndësi që ato të mbahen në një situatë normale dhe të rregullt. Reforma duhet të përfundojë në mënyrë që partitë politike të jenë të përgatitura, përfshirë edhe mekanizmat implementues të zgjedhjeve. Tani, në vend të debatit se kur duhet të mbahen zgjedhjet, duhet të fokusohemi se cili do të jetë kualiteti i reformës zgjedhore dhe cili do të jetë kualiteti i ligjit të ardhshëm zgjedhor.

“Epoka e re”: Kjo reformë do të jetë substanciale apo sipërfaqësore?
Bajrami: Reforma nuk do të jetë substanciale. Tani për tani partitë politike nuk kanë qenë të gatshme ta bëjnë një reformë të tillë. Fillimisht, përfaqësuesit e partive politike kanë hequr dorë që presidenti të zgjidhet nga populli, gjë që ka qenë një mundësi e mirë. Pastaj nuk ka pasur debat për aplikimin e shumë zonave zgjedhore, pra kanë munguar debatet kualitative për ta bërë një reformë substanciale, por në këto segmente ku do të bëhet reforma duhet me ligj të bëhen të gjitha shmangiet e mundësive teorike, faktike dhe hipotetike për cilëndo shkelje të procesit zgjedhor. Mendoj se tani kemi ndërtuar një disponim dhe atmosferë të mirë politike, që cilado parti apo individ i cili tenton të abuzojë me zgjedhje bën një krim kundër shtetit. Në këtë drejtim është një vetëdijesim i përgjithshëm, se nuk ia vlen të bëhet një deputet me vota të papastra sepse, para së gjithash, dëmtohet imazhi i shtetit. Këtë vetëdijesim e kemi parë në zgjedhjet e fundit lokale. Jam i sigurt se edhe zgjedhjet parlamentare do të jenë të suksesshme. Nuk do të ketë kontestime të votave. Është me rëndësi që partitë politike të kenë kohë të mjaftueshme të bëjnë fushata zgjedhore, t’i përshtaten ligjit të ri për zgjedhjet dhe pak a shumë edhe institucionet siç janë KQZ-ja dhe gjykatat të jenë efiçiente për monitorimin e zgjedhjeve.

“Epoka e re”: Ende pa përfunduar ky proces, disa parti opozitare janë duke kërkuar zgjedhje të parakohshme. Mund të flitet për zgjedhje të tilla, kur ky vit në Kosovë është elektoral?
Bajrami: Nuk i kuptoj këto parti për zgjedhje të parakohshme. Do t’i kuptoja këto parti sikur të kërkonin zgjedhje para një ose dy vjetëve. Tani kur jemi në një vit elektoral dhe zgjedhjet duhet të mbahen në shator për shkak të afatit kushtetues, të dilet të kërkohen zgjedhje të improvizuara, seriozisht nuk i kuptoj. Kosova pas pavarësisë do të jetë në gjendje që mandati i Kuvendit dhe Qeverisë të shpenzohet deri në fund. Zgjedhjet duhet të mbahen normalisht dhe pa tensione politike.

“Epoka e re”:  A ka fuqi opozita ta rrëzojë Qeverinë nga pushteti?
Bajrami: Opozita nuk ka as fuqi e as dëshirë ta rrëzojë Qeverinë. I kuptoj prononcimet e opozitës nëpër medie, të cilat i bën për kalkulime politike. Deri më tani nuk e kemi parë asnjë mocion të votimit të mosbesimit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës. Dhe nëse do të kishte vullnet të njëmend për rrëzimin e Qeverisë, opozita do ta shtronte këtë mocion, por realiteti ka treguar se opozita është shumë e përçarë. Më shumë ka probleme të unifikimit të qëndrimeve të opozitës sesa të mazhorancës. Ne si mazhorancë nuk do ta mbivotojmë reformën zgjedhore, do t’i prijmë konsensusit, por nuk do të marrim përgjegjësi për divergjencat të cilat i ka krijuar opozita. Ju e dini se edhe në ish-Komisionin për Reformë Zgjedhore më shumë ka pasur divergjenca në mes të opozitës sesa PDK-së. Partia Demokratike e Kosovës do të jetë korrekte dhe konstruktive në mënyrë që ta arrijmë këtë konsensus, që liderët politikë t’i japin përgjigjet e fundit për reformën. Nuk mendoj se duhet të ketë më shumë se edhe një takim në mes të liderëve, sepse tani reforma ka ardhur në Kuvend dhe ky institucion ka mekanizmat e vet për t’i çuar proceset përpara.

“Epoka e re”: Sipas jush, zgjedhjet do të ishin të improvizuara nëse mbahen para muajit shtator?
Bajrami: Nuk e di cili është përfitimi elektoral që të kalkulohet me dy muaj më herët apo dy muaj më vonë mbajtja e zgjedhjeve parlamentare. Është një standard i Komisionit të Venecias që korniza ligjore të jetë e adaptuar gjashtë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike. Në anën tjetër, asgjë nuk ka ndryshuar në qeverisje nga viti 2013. Nëse ka pasur kërkesa aq të zëshme për zgjedhje të parakohshme, atëherë ato është dashur të kërkohen më herët. Kështu që, mendoj se ky debat duhet të spostohet. Partitë duhet të fokusohen në mbështetjen e reformës në mënyrë që ta kemi kohën e mjaftueshme për përgatitjen e zgjedhjeve.

“Epoka e re”: Nga kjo që thoni, ju jeni ithtar që zgjedhjet të mbahen në muajin shtator?
Bajrami: Për mua nuk ka shumë rëndësi data e mbajtjes së zgjedhjeve. PDK-ja është e gatshme për zgjedhje edhe në qershor, edhe në shtator. PDK-ja nuk do të lejojë të improvizohen zgjedhjet. Pra, nuk do të lejomë improvizime, sepse potencialisht mund të abuzohet procesi zgjedhor.

“Epoka e re”: Çfarë force politike e shihni PDK-në pas zgjedhjeve parlamentare?
Bajrami: PDK-ja hyn në këto zgjedhje me ambicien legjitime për ta fituar mandatin e tretë. PDK-ja ka kapacitete dhe program dhe vlerësojmë se në konkurrencën aktuale politike gjasat janë reale ta fitojmë mandatin e tretë. Ne jemi duke zhvilluar debate të brendshme partiake. Jemi duke e përfunduar reflektimin sa iu përket zgjedhjeve lokale. Kemi përgatitur dokumentet strategjike të cilat do të miratohen javën e ardhshme në Kryesi të PDK-së. Dhe menjëherë pas vlerësimit të zgjedhjeve të kaluara, kemi përgatitur strategjinë për fitimin e mandatit të tretë. Në këtë drejtim jemi duke punuar aktivisht dhe jam i sigurt se në konkurrencën aktuale politike jemi më të mirët.

“Epoka e re”: Mendoni se janë shumë tre mandate për ta udhëhequr vendin?
Bajrami: PDK-ja ka pasur dy mandate. Mandati i parë ka qenë i krijimit të shtetit. Mandati i dytë i kapaciteteve zhvillimore. Siç ka thënë kryeministri, në mandatin e tretë PDK-ja synon ta bëjë Kosovën shtet të zhvilluar dhe vend që ka perspektivë evropiane. Ka shtete që një parti ka qeverisur më shumë se dy mandate, e pse mos të qeverisë edhe PDK-ja tre mandate. Tekefundit, janë qytetarët ata që do të vendosin me votën e tyre.

“Epoka e re”: Si do t’i ofroni njerëzit e pakënaqur në PDK?
Bajrami: Këto janë çështje të brendshme. PDK-ja ka mjaft resurse të pashfrytëzuara. Jemi parti që jemi rritur me kohë, por nuk i kemi shfrytëzuar kapacitetet ekzistuese. Në këtë drejtim do t’i vëmë në funksion të gjitha kapacitetet e brendshme, në mënyrë që secili të japë kontributin e vet. Sa iu përket zhvillimeve të brendshme, jemi parti e hapur dhe kërkojmë reflektim nga të gjithë ata të cilët, për cilëndo arsye apo motiv, janë larguar apo kanë pezulluar aktivitetin, pra të reflektojnë dhe të kthehen në origjinën e tyre, në PDK, sepse aty kanë investuar dhe e ardhmja e tyre është në këtë parti.

Më Shumë

Intervenohet për ndalimin e rrjedhjes së ujit në lokacionin arkeologjik në Sheshin e Lidhjes së Prizrenit

Një problem i vazhdueshëm me rrjedhjen e ujit në lokalitetin arkeologjik në Sheshin e Lidhjes së Prizrenit ka shqetësuar autoritetet që nga fundi i...

52 vite më parë Bekim Fehmiu vizitoi për herë të parë Shqipërinë

Më 21 prill 1972 aktori kosovar me famë botërore Bekim Fehmiu vizitonte për herë të parë Shqipërinë. Fehmiu lindi në Sarajevë më 1 qershor 1936...

Lajmet e Fundit