16 C
Prizren
E premte, 1 Gusht, 2025
Home Blog Page 8407

Gashi e Ahmeti me shumë mospajtime rreth islamit në Kosovë

0

DardanGashi-AmirAhmetiMinistri i Mjedisit, Dardan Gashi, dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Amir Ahmeti, kanë vazhduar polemikat rreth debatit për fenë. Që të dy, përfaqësues të popullit në Kuvend, kanë akuzuar njëri tjetrin rreth debatit se a po rrezikohet Kosova nga radikalizmi islamik.

Derisa Ahmeti, në një duel në emisionin “Rubikon”, tha se Qeveria e Kosovës po krijon përçarje ndërfetare, këtë e hodhi poshtë Gashi, sipas të cilit, njerëz sikurse Ahmeti po e bëjnë një gjë të tillë. Ahmeti ka sqaruar se çka e ka shtyrë të shkruajë shkrimin që, sipas tij, e pasuroi debatin mbi fenë, duke thënë se mohimi i shamisë në shkolla ishte njëra ndër arsyet, transmeton Koha.

Dy të ftuarit e Rubikonit të KTV-së kanë polemizuar dhe nuk janë pajtuar lidhur me bartjen e shamisë.

Ministri Gashi ka thënë se Ramazani, shkuarja në Haxh janë detyrim në fenë myslimane, por jo edhe bartja e shamisë.

Deputeti Ahmeti ka thënë se shamia është obligim fetar. Ai ka shtuar se besimtarët shumicë në Kosovë po rrezikohen dhe po quhen radikalë. Ahmeti ka insistuar në një ligji me anë të cilit do të sanksionohej blasfemia

Ministri Gashi ka thënë se Kushtetuta e Kosovës i mbron të gjitha fetë dhe përkatësitë sociale të qytetarëve dhe shtuar se s’ka kurrfarë dhune fetare në Kosovë ndaj myslimanëve.

Ahmeti i ka akuzuar liderët e Kosovës se, sipas tij, ata shkojnë nëpër objektet e kultit katolik e ortodoks, ndërsa nuk i vizitojnë xhamitë. Këtë e ka përgënjeshtruar ministri Gashi.

Depueti Ahmeti nuk i ka pritur këndshëm pyetjet rreth Nëne Nënës Tereze dhe deputetes Alama Lama.

Ahmeti nuk u deklarua për debatet rreth Skënderbeut por tha se për këto personalitete është duke debatuar partia e tij dhe se rreth këtyre çështjeve do të dilet së shpejti para opinionit.

Çitaku e befasuar me deklaratat Lunaçekut për liberalizim të vizave

0

Vlora CitakuuJam e shokuar me deklaratat e zonjës Lunacek. Ne kemi punuar shume që ky proces të përfundojë shpejt. Ditëve të ardhshme do të shkojmë në Bruksel për të kërkuar sqarime për këtë çështje, ka thëne Vlora Çitaku për deklaratat e Lunacek se deri në vitin 2016 nuk do të këtë liberalizin vizash për Kosovën.

Kuvendi i Kosovës ka diskutuar ecurinë e negociatave mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, të filluar në tetor të vitit të kaluar. Deputetët opozitarë kanë pasur shumë kritika për qeverinë dhe Ministrinë e Integrimeve, duke thënë se MSA-ja i është dhënë Kosovës më shumë si rezultat i dialogut me Serbinë, dhe jo si rezultat i plotësimit të kritereve. Kjo, pasi sipas deputetëve, në njërën anë konstatohet se sundimi i ligjit mbetet sfidë, derisa ndër kapitujt kryesore të MSA-së është sundimi e ligjit dhe drejtësia.

Por, në anën tjetër Ministrja e Integrimeve Evropiane Vlora Çitaku, në prezantimin e raportit për ecurinë dialogut për MSA-në, tha se nisja e negociatave për Marrëveshjen për Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian është moment historik në kuadër të procesit integrues të vendit tonë.

“MSA do të jetë marrëveshja e parë kontraktuale që ofron perspektiv të qartë drejtë anëtarësimit të plotë të Kosovës në BE. Qëllimi i MSA-së është ofrimi i kornizës politike dhe ligjore që do të rregulloj procesin e përafrimit dhe anëtarësimit me BE-në. Marrëveshja do të jetë bazë ligjore për hapat e radhës se Kosovës në kuadër të procesit integrues në BE. Në kuadër të MSA-së, Kosova dhe BE-ja do të bëjnë zotime të ndërsjella. Në njërën anë vendi ynë për të ndërmarrë reforma edhe më të thella dhe në anën tjetër BE-ja për të ofruar mundësi reale për anëtarësim”, tha Ministrja Çitaku, transmeton express.

Ajo me tutje u shpreh se është inkurajuese se para tyre kanë një agjendë ambicioze, për një marrëveshje që do të përfshijë të gjitha elementet tradicionale të MSA-së, sikurse edhe për vendet tjera të rajonit.

Çitaku tha se presin që takimi i tretë dhe i fundit të mbahet në fund të muajit shkurt të vitit 2014, ku do të shënonte edhe përfundimin e procesit negociator dhe në pranverë të këtij viti pritet edhe vendosja e inicialeve në MSA.

Ndërsa, pas përfundimit të negociatave, ajo tha se teksti i MSA-së do të fillojë procesin zyrtar të miratimit në Parlamentin Evropian, Këshillin e Bashkimit Evropian, po ashtu edhe në Kuvendin e Kosovës.

Por, deputetët opozitarë kishin shumë kritika për Ministren por edhe qeverinë, duke thënë se MSA-ja ka qenë me shumë si rezultat i negociatave që ka zhvilluar Kosova me Serbinë.

Nënkryetari i Kuvendit, deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca tha se përmbushja e kritereve dhe kapitujve të MSA-së është parakusht i domosdoshëm që shteti të hyjë në rrugën e anëtarësimit të plotë në BE. Por ai ka ngritur tri çështje që kanë të bëjnë me MSA-në, në rastin e Kosovës.

“E para ka të bëjë me atë që mbetet problemi kryesor i MSA për Kosovën dhe me këtë rast shtrohet pyetja se cilët kanë qenë faktorët që Kosova të nis negociatat për këtë marrëveshje. Ne jemi dëshmitar se si raporti i progresit ngrit shqetësime të ndryshme sa i përket funksionimit të drejtësisë dhe demokracinë në Kosovë. Aty thuhet se drejtësia vuan nga ndërhyrjet politike në gjyqësorë. Kurse dihet fare mirë se drejtësia dhe sundimi i ligjit përbëjnë kapitujt kryesor të MSA-së. Atëherë nëse në Kosovë ka probleme serioze sa i përket sundimit të ligjit çka ndikoj çka ndikoj që BE të na shpërblej për MSA. Këtu dua të them se arsye kryesore që ka nisur ky proces ka të bëjë shumë me shumë me zemërgjërsinë e paskajshme që e ka treguar qeveria në negociata me Serbinë, e cila është përkthyer me koncesione dhe lëshime kapitale me marrëveshjen e 19 prillit me Serbinë”, tha Konjufca.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Ardian Gjini tha se Ministrja e Integrimeve nuk mundet të ketë sukses derisa në të gjitha sferat tjera, sidomos në sundimin e ligjit, Kosova ka probleme të shumta.

“Kemi problem me gjithçka, me universitet, me Kuvend me Qeveri, me Polici, me sundim t ligjit, me gjyqësor, të gjitha janë probleme të mëdha. Dhe, nëse ministrja beson se këto do të përmirësohen me afat të shkurtër, me sinqeritetin me të madh po ju them edhe ne edhe Aleanca, si gjithmonë do të kishim mbështet ato që janë në të mirë të vendit. Por ne nuk po mund te besojmë se qeveria mund të bëjë diçka për të shkuar tutje”, tha Gjini.

Por, krejt në fund Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku iu ka përgjigjur kritikave të deputetëve. Ajo iu përgjigj pyetjeve rreth kostos që do ta ketë MSA-ja në buxhetin e Kosovës.

“Një ndër parakushtet për nisjen e negociatave për Stabilizim Asociim ka qenë edhe përgatitja e ndikimit financiar të marrëveshjes mbi buxhetit të Kosovës. Mbi bazën e parallogaritje që ka bërë ministria e tregtisë, Ministria e Financave, bashkë me BE-në, implikimet në buxhetin e Kosovës do të jenë 20 milion euro, asnjë cent me shumë, 20 milion euro, dhe Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave ka përgatitur planin alternativ me të cilin do të kompensoheshin këto 20 milion euro”, tha Çitaku.

Deputetët pas këtij diskutimi, kanë shqyrtuar dhe miratuar edhe rekomandimin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, lidhur me raportet e auditimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Agjencionin Kosovar për Produkte Medicinale, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe Raportin e auditimit mbi menaxhimin e mbeturinave medicinale për vitin 2012. Po ashtu, me propozimi i Grupit Parlamentar të PDK-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Kongoli: Jeta ime, kam qenë kërcimtar i shkëlqyer, por i ndrojtur

0

fatos KongoliNjë mëngjes dimërak ka përqafuar Tiranën, teksa shiu, qetazi ia ka larë mëkatet qytetit. Dritat e dyqaneve, bareve, madje edhe ato të semaforëve, shkëlqejnë mbi asfaltin e zi, mbi rrugica e herë-herë, me llamburitjen e vet, krejt padashur të japin një ndjesi paqeje. Një ditë më herët, kishim rënë dakord me Fatos Kongolin që takimi ynë të ishte tek “Friend’s book house”. Një shkrimtar, ndihet rehat, veçse mes librash. Veçse aty, mundet, mbase (dëshirova me vete) të flasë qetësisht, për shtatë dekadat e jetës së tij.

Është veshur me të zeza nga koka tek këmbët, në kokë mban kapelen e vet të zakonshme, në njërën dorë çantën e në tjetrën, një çadër. Me të mbërritur shkrimtari, i afrohemi një qoshke të kafenesë. I sugjeroj të ulet në një poltron dyvendësh, ku mund të rehatohej. Fillimisht refuzon, e meqë këmbëngulja, detyrohet të më thotë se nuk do të rrijë përkundruall të tjerëve. Rrjedhimisht, atë vend e zë unë, e ai, ulet në një karrige të drunjtë që mua më dukej se ment do thyhej. Është e djelë, por kafenejashtëpi libri është plot. Dy tavolina më tutje, është edhe një ministër i ri. Kongoli, është njeri pa vese. Ndërmendja më thotë, se nuk iu ngjan shkrimtarëve tipikë që teksa mendojnë vetmevete, në dorë a në cep të buzës mbajnë një cigare, tymi i së cilës kërcen në ajër, e përpara, një gotë që e rrëkellejnë krejt natyrshëm. As cigare, e as alkool!!! Porosit një çaj kamomil, ndërkohë që zona ku jemi ulur është nosmoking. Mbas disa pyetjesh mirësjellje për këta 2-3 muaj(takimi i fundit ishte në nëntor), vendosim të nisim bisedën që do të botohet. E dija, që s’ka për të qenë e lehtë të marr përgjigje për një sërë gjërash. Kongoli, nuk i do lëvdatat, është i qetë, i tërhequr, më shumë modest se ç’duhet, s’ia ka ënda kryetitujt, qendrën e vëmendjes, debatet, akuzat, fjalët e pafundme e të pabereqet, dhe në mos qe për librat, ai me shumë gjasa, nuk do të dilte fare në media. Çështjet e ndaluara? Të flasë për politikën, vendimet e saj, bëmat e saj, mëkatet e saj (të pafundme)! I ka zët këto komentesh, anipse prej vendimeve të kësaj varet shumëçka në jetën tonë. Nuk do bindej, edhe, nëse do i thoje se si intelektual, ka ‘detyrë’ t’ju tërheqë veshët vendimmarrësve. Por, në vendin tonë, pa u marrë me vërtetësinë e mendimit, merren me ty, duke sulmuar burimin e mendimit për ta bërë atë të duket i pavlefshëm, duke e lënë kështu problemin të qetë në rrokopujën e vet. Biseda, vijon si më poshtë.

Ditëlindja juaj e 70-të, çfarë ju bën të mendoni?

Nuk më vjen në mendje ndonjë gjë e madhe. Më vjen habi që u bëra 70 vjeç. Është edhe për të qeshur se vetja më duket i ri, por është edhe trishtim kur mendon se ke hyrë në zonën e rreptësisë dhe mund të dalësh jashtë loje.
(Me një trishtim, që s’lë rehat, mendoj se kur vitet ikin fluturimthi, fillon mendon se ç’mban mend prej kohës kur ishe veçse një fëmijë, me një livadh të madh para, dhe e pyes)

Cili është kujtimi i parë nga fëmijëria?

Kujtimi i parë nga fëmijëria është i turbullt dhe i largët. Me një llogari që bëj unë, duhet të kem qenë shumë i vogël. Mbaj mend gjyshen nga babai, të sëmurë në krevat, në prag të vdekjes. Ajo ka vdekur rreth vitit 1946, kur unë i bie të kem qenë vetëm 2 vjeç. Ishim në shtëpinë e vjetër të tim eti në Elbasan, shtëpi që gjendej rrëzë kullës së Sahatit. Tani janë vetëm rrënojat e asaj shtëpie.
A vuani nga kujtimet që mbetën brenda saj? Fëmijëria bart kujtimet më të këndshme…
Kujtimet nga fëmijëria janë diçka që vezullon, një lloj mirazhi, është e shkëlqyer dhe unë kam shumë mall. Vitet e para të fëmijërisë i kam kaluar kryesisht në rrugicën e shtëpisë që thashë më lart, ku jetonte familja e tim eti, ngjitur me bedenat e kalasë. Kam kujtime nga shumë shokë e miq, kushërinj, disa prej tyre s’janë më. Mbase edhe për këtë më mungon.

Zakonisht në fëmijëri, në ato lojërat e para me shokët, vendos aty për aty, profesionin e së ardhmes, pilot, mjek, mësues… Ju, ç‘patët vendosur asokohe?

Nuk më kujtohet. Nuk duhet të kem menduar për atë që do bëhesha. Madje, edhe vite më vonë, kam vendosur fare rastësisht.
Në fakt, ka qenë babai juaj që ka vendosur për ju.
Po. Unë, nuk kam menduar, ngaqë s’isha fort i sigurt se çfarë doja të bëhesha. Kam qenë gjithnjë në kërkim dhe ia kam lënë rastësisë.
A ruani sende nga shtëpia e vjetër? Pasqyra, tavolina, dollape, sëndukë?
Jo ndonjë gjë të veçantë. Ruaj, e që i kam sot e kësaj dite, mobiliet e dhomës së gjumit të prindërve të mi. Mobilie, prodhim italian i paraluftës. Janë shumë të bukura. Relike të vjetra nuk para kam, kanë humbur. Një pjesë të madhe i kemi humbur ne vëllezërit. Relike do quaja violinën e babait. Edhe atë e kemi dhënë në fis.

Pse?

Sepse violina sipas muzikantëve shurdhohet po ndenji e varur në mur. Im atë deshi që një nga fëmijët tij të bëhej violinist, por asnjëri nuk u bë i tillë.
Dukeni tejet i tërhequr si karakter, megjithatë, Kongoli djalosh i ri, si e mban mend veten: kryeneç, i hedhur, i bukur, tërheqës, ngacmues?
(Qesh me zë, por pa tërhequr vëmendje. Diçka bluan në mendje, por nuk thotë shumë.) Unë kam qenë gjithnjë i druajtur si tip. Mundet të kem qenë sanguin, por nuk e kam shprehur, ose, kjo ka ndodhur në raste shumë të rralla. Në adoleshencë s’mbaj mend të kem qe qenë tip i hedhur, as i guximshëm. Ky ka qenë një defekt i madh për mua, sepse kur dëshiroja të hyja në intimitet me ndonjë vajzë që më pëlqente, (dhe mua vajzat më kanë pëlqyer gjithmonë) kam qenë i druajtur, nuk guxoja.

A ka të bëjë kjo me një mungesë besimi tek vetja, apo duhet kërkuar me thellë në fëmijërinë tuaj?

Kam vuajtur gjithë jetën nga një kompleks inferioriteti, që është shumë i dëmshëm për njeriun.

Ku e kishte burimin ky kompleks inferioriteti?

Vështirë ta them. Për shembull më kujtohet diçka. Kur kam qenë i vogël, dy dhëmbët e parë i kisha pak të mëdhenj dhe shokët e lagjes më thërrisnin, ku je o dhëmbç? Kjo më bënte të ndihesha keq. Fyhesha.
E shohim nga një tjetër këndvështrim: djali i një kompozitori në zë, pjesë e elitës intelektuale, i gjatë, me sy blu, student i shkëlqyer, ju pra, i kishit gjitha për të qenë i lakmuar…
Kjo, mbase ka qenë në një periudhë më të vonshme, kur fillova ta njoh më mirë veten, në periudhën e gjimnazit a të shkollës së lartë, por sërish thelbi i druajtur ka mbetur gjithë jetën. E po ashtu naiviteti i lindur. Nuk i shpëton dot naivitetit: beson shumë tek të tjerët, jep shumë dhe duke marrë shumë pak përgjithësisht. Unë i përkas kësaj kategorie.

Raporti juaj me matematikën, cili është?

Matematika s’ka qenë talenti im. Sido që të jetë, ka qenë një periudhë e shkurtër kohe që unë i mbajta mëri tim eti që më futi në këtë degë, por më pas i qeshë mirënjohës, se në mos për gjë tjetër, matematika si shkencë, si kurora e shkencave, të jep atë që quhet logjikë matematike: ajo që nuk e lejon njeriun të fluturojë pa qenë i sigurt për diçka. Në matematikë, teorema vërtetohet dhe pranohet si e vërtetë vetëm pasi të vërtetohet, ndryshe nga aksiomat që nuk kanë nevojë për vërtetim.

Një pjesë e shkollës së lartë ju e keni bërë në Pekin. Sot, Kina krejt ndryshe prej asaj kohe, cilësohet një përbindësh i përgjumur, që me resurset e veta dhe me një fuqi më të madhe ekonomike do të ishte pa dyshim një superfuqi. Çfarë keni marrë ju prej Kinës ‘komuniste’?

Kinezët vendin e vet në gjuhën e tyre e quajnë: Xhung(qendër) guo(vend) – që në shqip përkthehet qendra e botës, vendi i mesit të botës. Ka qenë perandoria e lashtësisë. Libri im “Dragoi i fildishtë” iu kushtohet viteve të mia studentore atje. Para se të shkruaja këtë libër, vajta në Kinë për 2 javë. Në mungesën time 30-vjeçare, ndryshimi ishte kolosal, i paimagjinueshëm. Ishte viti 1994, tani jemi në 2014 dhe në këto 20 vite ka pasur ndryshime të tjera. Kina është një vend ku mund të rrish 10 vite dhe ta kesh të vështirë të gjesh thelbin e mentalitetit e botëkuptimin të kinezëve.

Meqë jemi tek ai botëkuptim, cili është mendimi dhe qasja juaj ndaj rimishërimit?

Unë nuk kam qenë ndonjëherë i fortë në fushën e filozofisë. Kam pasur një prirje të hershme që u shua shpejt. Në bazën e kulturës së kinezëve është konfucianizmi dhe budizmi. Kam lexuar diçka për këto dhe e kam pasqyruar tek “Dragoi i fildishtë”, por nuk dua të futem në fusha ku jam në nivelin amator edhe pse kam studiuar 3 vjet në Kinë. Marrëdhëniet e mia me këtë vend kanë qenë shumë praktike, të drejtpërdrejta, jo filozofike, por të lidhura me një realitet i cili në kohën që studiova unë, ka qenë shumë gri e shumë i egër.

Ishte koha e revolucionit kulturor kinez?

Para revolucionit. Unë nuk e përjetova atë, sepse u ktheva, në fakt më kthyen në Shqipëri. Kam kujtime të bukura atje, por edhe të dhimbshme. Megjithatë, me kalimin e viteve ajo që mbetet është një thelb dhimbjeje e dëshirueshme, e këndshme.
Sepse përzjehet me mallin për veten në atë kohë.
Sigurisht. Ç’është dashuria për atdheun? – mes të tjerash mall për fëmijërinë, për kohë që nuk kthehen më. Malli është i fortë. Marrëdhënia ime me Kinën ka qenë e drejtpërdrejtë, materiale. Kam vajtur 18 vjeç dhe jam kthyer 21 vjeç dhe ju mund ta mendoni ç’mund të bëjë një djalë nga mosha 18-deri në 21 vjeç.

Ishte kjo, koha kur ju u formuat?

Si natyrë jam formuar në shkollë të mesme, ku unë kam studiuar shumë, kam qenë shumë i rregullt. Periudha tjetër ishte përvojë e jo formim. Vitet universitare në Kinë e këtu, më vonë, kanë qenë përvojë. Periudha ku unë kam marrë më shumë në fushën e letërsisë ka qenë koha kur punoja në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Por, edhe kjo ka qenë përvojë, jo formim. Ende më duket vetja si gjimnazisti i dikurshëm.

E mbani mend sot gjuhën kineze?

Po të bëjmë një llogari, una isha atje para 50 vitesh. Gjatë kësaj kohe nuk e kam përdorur e në pesë dekada, nëse nuk e përdor, harron edhe gjuhën e nënës. Mundem të komunikoj vetëm për gjëra të përgjithshme.

Cili është raporti juaj me muzikën? Sa ju ndihmon të shkruani, apo të mendoni për të shkruarin?

Unë jam djalë muzikanti dhe muzika ka qenë e afërt për mua që në fëmijëri. Më ka pëlqyer shumë dhe ka ushtruar efekt magjepsës. Im atë synoi të më jepte pianon dhe violinën, por mua në muzikë me nxorën pa talent që në moshën 6-7 vjeçare.

U zhgënjyet?

Kam qarë kur mora vesh që nuk u pranova në lice, edhe pse më thanë se nuk kisha vesh për muzikë. Asokohe më vinte habi pse s’kisha vesh për muzikë kur unë e pëlqeja shumë atë. Ka pasur periudha të jetës që kam dëgjuar intensivisht muzikë, jo vetëm i ri kur e dëgjoja në radio. Për tri vite në Institutin e Lartë të Arteve kam qenë përkthyes i një pianisti të shkëlqyer kinez. Përktheja leksionet e tij dhe rrija më shumë në Institutin e Arteve se sa në fakultetin tim. Kam dëgjuar veprat e kompozitorëve më të mëdhenj botërorë të repertorit klasik të pianos.

Po në kërcim si keni qenë?

Kam qenë vallëzues i shkëlqyer, kjo është e vërtetë. I kam ditur të gjitha kërcimet, që na rock en roll, tëist tek mambo, cha-cha-cha, charleston, etj.
Atëherë nuk keni qenë edhe aq i ndrojtur.
Druajtja është tjetër gjë.

Kur mësuat të kërceni?

Në mbrëmje të hapura me studentët e huaj në Kinë. Më së shumti mësova nga studentë më ngjyrë.

Kishte edhe femra mes tyre?

Vallëzimi me femra mësohet, jo me meshkuj.
Sot nuk janë më këto lloj argëtimesh…
Është tjetër kohë e tjetër atmosferë. Atëherë ka qenë diçka më shpirtërore. M’u kujtua diçka me të cilën njerëzit mund të qeshin sot. Në gjimnaz ishim të lumtur kur bënim ato që i quanim mbrëmje vallëzimi. I bënim në shkollë, por jo pa telashe. E para, se do kërkoje nga drejtoria që të lejonte ta bëje aty. Problemi i madh ishin vajzat që të merrnin leje në shpi. Ishte shqetësuese për prindërit, dyshonin, kishin frikë. Pasi kaloheshin këto, e siguroheshin 6-7 vajza, ishte puna e gjetjes së orkestrës. Muzika jonë bëhej vetëm me një fizarmonikë. Pastaj ndodhte që mësuesi dezhurn i shkollës s’rrinte dot më dhe i hipnin nervat e na thoshte këputni qafën.

Çfarë pijesh kishte në këto mbrëmje vallëzimi?

Asnjë. Birrë kam pirë për herë të parë në mbrëmjen e maturës. Nuk bëhej fjalë për alkool. Vetëm kërcenim. Qëllonte që shkonim ekskursion në malin e Dajtit, me program mësimor. Ishim dy matura, shkonim në këmbë dhe qe kënaqësi shumë e madhe. Ishim vetëm, larg familjes, rrinim me kë të donim, me ata që na hahej muhabeti dhe mezi prisnim mbrëmjen e vallëzimit. Qëllonte që kishte edhe ekskursionistë të tjerë që mund të na vinin tek mbrëmja jonë, dhe mbajtja e tyre jashtë ishte hall i madh. Ky ka qenë pak a shumë dëfrimi më i madh kolektiv. Ndërsa individualisht, gjithsecili kishte emocionet e veta.
Martesa ju ka dhënë dy fëmijë, vajza e martuar me një amerikan e djali me një ruse. Do doja të ndanit me ne emocionet e një dasme vjeneze.
Vajza prej 16 vitesh e djali prej 14 vitesh jetojnë në Neë York. Shtëpitë i kanë afër e kur shkoj, rri te djali. Në vitin 2008 unë pata fatin të shkoja në Vjenë në një rezidencë për shkrimtarë. Në muajin e dytë, në shkurt, me rastin e Shën Valentinit, erdhën fëmijët në Vjenë. Apartamenti ishte shumë i bollshëm; dy dhoma, një paradhomë e madhe, një mjedis ngrënie. Pra, kisha shumë hapësirë. Pasi kishin bashkëjetuar 8 vjet, ime bijë dhe bashkëshorti i saj erdhën dhe e bënë kurorëzimin në Bashkinë e Vjenës. Ishte diçka shumë e bukur dhe pas celebrimit shkuam në një restorant karakteristik të Vjenës, që ishte i kripur, por që për rastin ia vlente.

Cili është raporti juaj me bashkëshorten? Shkrimtarët janë të vështirë…
Unë jam shumë i vështirë. Shkrimtarët përgjithësisht janë qenie egoiste, tekanjoze e me huqe, por me kohë ajo i ka mësuar huqet e mia, nuk më ngacmon dhe përpiqet të më krijojë qetësinë e nevojshme.

E keni pyetur bashkëshorten dhe veten nëse ju për të keni qenë ‘princi i kaltër’, apo vetëm ‘princi’ me sy të kaltër?

Ne njiheshim se kemi qenë në një lagje. Nuk i kishim larg shtëpitë, por nuk më kishte shkuar në mendje që do martoheshim. Mund të them pa diskutim, se sot ne jemi më të lidhur se kurrë e nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin.
Keni bërë një jetë të ndarë mes Shqipërisë e Amerikës dhe mbase nuk i keni ndjekur me vëmendje të madhe zhvillimet këtu. Megjithatë, ju, secilën ngjarje që keni parë të ndodhë në Shqipëri, e keni gjykuar me mendjen tuaj. Ka qenë një rast, (që shkaktoi debat) kur ju u shprehët publikisht, për protestën e deputetëve të opozitës së kohës më 2009, duke dalë kundër saj.

Si ndodhi që u përfshitë duke habitur shumëkënd?

Më kujtohet, dhe më vjen keq. Është një moment që e kam menduar shpesh edhe vetë. Unë jam shkrimtar, në librat e mi nuk ka politikë aq më pak anësira politike dhe nuk dua të zgjatem në këtë. Por, ka një gjë: ne duhet të pranojmë se kushdoqoftë ka mendimet, bindjet e opinionet e veta. Kushdo nga ne, vjen një çast e ndjen për detyrë ta shfaqë atë që ndjen, pavarësisht në e ka gabim apo mirë. Sinqerisht u ndjeva i lënduar nga reagimet që pati për qëndrimin tim. Nuk ishte refleks i çastit, ishte i menduar. Ky qe mendimi im, nuk mund të thosha ndryshe. Për oportunizëm mund të mos kisha pranuar të flisja për çështjen: të thosha, jo, nuk dua të shprehem. Por, mua më erdhi turp ta bëj këtë kur kisha një mendim për ngjarjen.
Mendimi i lirë, shpesh në Tiranë, interpretohet si të bërit palë me njërën nga dy kampet, paçka idesë me të cilën ti e ke shprehur atë.
Po. Jam lënduar shumë edhe nga një episod tjetër, aq sa mora një vendim: të mos flas më. Kjo është një formë tjetër censure. Kur tjetri të turret e të shan për një mendim që ti jep, do të thotë mbyll gojën, sepse në vazhdon kështu, mund të të rrjepë shtatë lëkurë duke të sharë. Kjo pra, sipas meje, është një lloj censure sui generis.
Vijmë tek libri. Letërsia e para 1990-ës, e përgjuar nga censura, e ndaluar nga censura e më herët nga autocensura. Ajo e pas 1990-ës, krejt ndryshe ecën e lirë, pa censurë, por pa u vënë as në peshoren e kritikës. Pra, nga mbyllja brenda një kornize të hekurt, nën kontroll, në një të ashtuquajtur liri, pa iu nënshtruar, asnjë mendimi kritik.
Unë kam një mendim timin për këtë. Shumë njerëz mund të mos jenë dakord. Letërsia jonë, me aq sa vërej unë, është në rrugën e saj normale. Ka faza që një letërsi ka vepra të shumta, ka faza që veprat me vlerë janë të pakta. Në panairin e vitit të kaluar u vërejt se kishte pak libra të rinj, por kjo nuk është hata se letërsi s’mund të ketë çdo vit. Nuk mund ta parashikosh letërsinë si të ardhurat nga doganat. Autorët e mëdhenj nuk dalin çdo ditë apo dekadë.
Këtë e them me rezervë sepse nuk jam as kritik, as studiues, as nuk e di mirë çfarë shkruhet e lexohet se nuk kam kohë, por po jap një mendim timin personal. Letërsitë botërore janë më të zhvilluara se ka më shumë shkrimtarë. Një popullsi 300- milionëshe nuk krahasohet me një popullsi 3- milionëshe dhe jo të dyja mund të japin të njëjtin numër shkrimtarësh. Sa për kritikën, nuk kam pasur e as nuk kam ndonjë shqetësim, si ecën e ku ngecën. Letërsia ecën e pavarur nga kritika. Nuk shoh as rozë as zi në këtë pikë.

Sa po e gllabëron teknologjia artin e letërsinë?

Është çështje e diskutueshme. Mua nuk më intereson aspak. Më intereson që në këto vite që më kanë mbetur të shkruaj. Është një problem që shqetëson më shumë brezat e rinj, që e kanë karrierën para.

Ju shkruani direkt në kompjuter?

Jo, gjithë jetën time kam shkruar me laps e me gomë – shkruaj e fshi. Më tej e kam diktalografuar. Shumë vonë kam filluar të punoj me kompjuter, jo më shumë se 6-7 vjet kur m’u prish makina daktalografike. Ka qenë një ditë e zezë për mua, sepse e doja atë shumë. Kisha shkruar romanet e mia më të mira në të.
Kompjuteri? Në fillim kisha paragjykime, por të punosh me të është e mrekullueshme.

Bashkëshortja
Ne njiheshim se kemi qenë në një lagje. Nuk i kishim larg shtëpitë, por nuk më kishte shkuar në mendje që do martoheshim. Mund të them pa diskutim, se sot ne jemi më të lidhur se kurrë e nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin.

Ndrojtja
Unë kam qenë gjithnjë i druajtur si tip. Mundet të kem qenë sanguin, por nuk e kam shprehur, ose, kjo ka ndodhur në raste shumë të rralla. Në adoleshencë s’mbaj mend të kem qe qenë tip i hedhur, as i guximshëm. Ky ka qenë një defekt i madh për mua, sepse kur dëshiroja të hyja në intimitet me ndonjë vajzë që më pëlqente,

Të shkruarit
Gjithë jetën time kam shkruar me laps e me gomë – shkruaj e fshi. Më tej e kam diktalografuar. Shumë vonë kam filluar të punoj me kompjuter, jo më shumë se 6-7 vjet kur m’u prish makina daktalografike. Ka qenë një ditë e zezë për mua, sepse e doja atë shumë.

Censura sot
Jam lënduar shumë edhe nga një episod tjetër, aq sa mora një vendim: të mos flas më. Kjo është një formë tjetër censure. Kur tjetri të turret e të shan për një mendim që ti jep, do të thotë mbyll gojën, sepse në vazhdon kështu, mund të të rrjepë shtatë lëkurë duke të sharë. Kjo pra, sipas meje, është një lloj censure sui generis.

Titujt e librave
Tregime – 1978
Ne të tre (1985)
Karuseli (1990)
I humburi (1992)
Kufoma (1994)
Dragoi i fildishtë (1999)
Ëndrra e Damokleut (2004)
Lëkura e qenit (2003)
Te porta e Shën Pjetrit (2005)
Jetë në një kuti shkrepësesh, 2007
Bolero në vilën e pleqve, 2008
Iluzione në sirtar, 2010
Si-do-re-la, 2011
Njeriu me fat, 2013
(BalkanWeb)

Thaçi ndërhyn në ndarjen e “kulaçit” të Mujës

0

Thaci dhe MujaPartia Demokratike e Kosovës dhe tetë partitë e tjera në koalicion nuk po mund të ndajnë “kulaçin” e Ekzekutivit të Prizrenit.

Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja ende nuk ka arritur të formojë qeverinë e re. Edhe pse kishte premtuar se menjëherë pas Vitit të Ri do t’i bëjë të njohur emrat e drejtorëve, por një gjë e tillë deri më tash ende nuk ka ndodhur.

Burimet e TV Prizrenit bëjnë të ditur se të shtunën “kulaçin” e qeverisë “Muja III”, do të ndajë kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi. Ai të shtunën për të zgjidhur këtë çështje, do të qëndrojë në Prizren.

Ambiciet për t’u bërë drejtor të zyrtarëve të PDK-së në Prizren janë rritur. Madje, as drejtorë në ikje nuk janë duke hequr dorë për të vazhduar mandatin edhe për katër vitet e ardhshme.

Burimet e “PrizrenPress”it bëjnë të ditur se kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja për të plotësuar ambiciet e disa zyrtarëve të PDK-së, është duke shikuar mundësin që të rrisë edhe numrin e drejtorive. Disa sektor të Drejtorisë së Bujqësisë, mund të shndërrohen në drejtori në vete.

“Ka pakënaqësi të mëdha brenda PDK-së. Krejt po donë me u bë drejtor”.

Ndërkaq, AAK-ja është në pritje të jetësimit të marrëveshjes me PDK-në. Ky subjekt politik bashkë me LDD-në do të marrin postin e nënkryetarit dhe katër drejtori./ PrizrenPress.com/

 

Islami politik apo politika islame?

0

Beni Kizolli ,kandidat i PK per prizrenShkruan:Beni Kizolli

Fillimisht dëshiroj që të sqaroj një kuptim se Islami te ne është një. Është sistem jete që ofron zgjidhjet me logjike në të gjitha sferat jetësore. Vlerat e islamit janë të qarta, universale dhe gjithëpërfshirëse. Gjithashtu, duhet të sqarohet përkufizimi i termit “Islami politik”, se si duhet të përdoret dhe si të kuptohet mënyrë të drejtë; kur është fjala për një familje me traditë fetare islame nuk mund të themi, islami familjar, kur është fjala për një shoqëri me traditë fetare islame nuk mund të themi, islami shoqëror.

Pra, përdorimi i drejtë i këtij termi do të ishte “Politika islame”, sepse islami nuk përkufizohet vetëm në politikë, rite, fe, traditë e as kulturë, por është një sistem vlerash, është sistem që ofron zgjidhje ideale. Ky sistem jetësohet vetëm kur ato vlera reflektohen në këto sfera të shoqërisë. Shtjellimin e këtij shkrimi nuk do ta vazhdoj nga këndvështrimi i “islamit politik”, por mbi “politikën islame”.

Politika dhe dinjiteti!

Përse njeriu neveritet aq shumë nga politika? Për atë se politika është e keqe? Sigurisht që jo, por nga njerëzit të cilët veprojnë me paragjykime neveritëse politike.

“… në kushtet e trashëguara, angazhimi i njerëzve labilë në politikat aktuale, nënkupton pezmatimin e tyre nga veset e politikës aktuale… Po të ishte vetëm pezmatimi nga veset, do ishte mirë, mirëpo personi i tillë do të shndërrohet në qendër të përhapjes së të keqes.”
Andaj, gjatë vlerësimit të aftësisë politike, nuk duhet të shikohet vetëm rreshtimi, por edhe karakteri ose nuk duhet të shikohet vetëm arritja e suksesit në politikë, por duhet të shikohet ajo se çfarë ka sakrifikuar, e çfarë jo.

Ai i cili nuk vepron në përputhje me politikën-ideologjinë që e premton, sigurisht nuk jeton me të dhe për të, nuk zbatohet në botën e brendshme të tij dhe çfarë pritet nga ai?!

Farabiu thotë: Shteti i ndershëm bëhet nga politika e ndershme; politika e ndershme, bëhet nga shoqëria e ndershme; ndërkaq shoqëria e ndershme krijohet nga veprat e personaliteteve të ndershëm.

Politika si vepër!
Edhe politika është një vepër. Çdo vepër ose është e drejtë, ose e devijuar, e keqe.

Vepra e drejtë ka tri kushte: 1) Nijeti – qëllimi i pastër; 2) Metoda e drejtë dhe 3) Synimi -objektivi i qartë (dhe ligjor). E kundërta e këtyre është vepra e devijuar.

Edhe ato vepra që nuk bëjnë pjesë në këto dy kategori dhe që nuk kanë rezultat (të ligjshëm), nuk sjellin sukses, janë vepra të kota; gjithashtu dhe këto janë vepra përçarëse.

Politika islame ka të bëjë më atë të parën, ajo pranon dhe motivon vetëm për veprat e mira.Përndryshe politika islame është art i bërjes së gjërave të mundura dhe të lejuara.

Në këtë drejtim edhe këto dy tipare, dituria dhe urtësia, kanë dimensionet e veta etike dhe estetike: Politika pa dituri (naive) shkakton injorancën; politika pa urtësi shkakton marrëzinë; politika joetike shkakton poshtërsi dhe politika joestetike shkakton neveri.

Koncepti i Politikës islame: Ata që i janë besnik vullnetit të popullit, duhet të përvetësojnë politikën e padirigjuar, por ajo duhet të mbështetet në këto parime: dëshmia-vërtetësia, drejtësia, mëshira, ndërgjegjja, profesionalizmi dhe konsultimi me një qëllim, t’u shërbejnë krijesave është për hir të Krijuesit (Nuk dallon: racën, përkatësinë etnike dhe as atë fetare). Atyre ju lejohet politikëbërja.

Por, si mund t’i dallojmë ata: duke shikuar rreshtin (safin) e atyre që i janë nënshtruar politikës së dirigjuar; duke shikuar rreshtin (safin) e atyre që janë pranë medieve të kontrolluara; duke shikuar rreshtin (safin) e atyre që njihen si financues politikë.

Çka mund të na sigurojë Politika islame?

Politika islame siguron një shoqëri që mbështetet në besim në Zot, në dashuri për atdhe, familje, shtet dhe liri.

Besimi në Zot– Garanton të drejtën e besimit dhe praktikimit të tij: “Ju keni fenë tuaj, e unë kam fenë time!” El-Kafirun, 6.
Dashuria për atdhe – Na mëson i Dërguari a.s., se : “ Dashuria për atdheun është nga besimi dhe kjo dashuri ka një çmim sikurse që është të biesh dëshmor” .

Familja – Sikurse që gruaja konsiderohet si shtyllë e familjes edhe familja konsiderohet shtyllë e shoqërisë. Për këtë familja duhet të jetë nën kujdesin e institucioneve që të sigurohet një shoqëri e emancipuar, e shëndoshë dhe e lumtur.

Shteti – Shteti i vërtetë mbështetet në dituri dhe në ndërgjegje, dhe si përfundim ka prioritet zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e shoqërisë.
Liria – Një jomusliman kur shpreh besimin e tij, shumë herë mund t’i kundërshtojë parimet e Islamit, por kjo nuk duhet të pengohet përderisa ajo nuk ka për qëllim ofendimin por shprehjen e besimit të tij. Ky vendim është marrë nga gjyqtarët besimtar në një shtet islam. Pra: “Ekziston liria e të menduarit, liria e arsimimit, , liria e shprehjes dhe e kritikës, liria e besimit dhe fesë, liria e lëvizjes dhe veprimit, liria e pronës, etj. Por: “Jo dëmtimi i vetes dhe i të tjerëve”. Nisur nga ky parim, çdo lloj lirie e cila i shkakton dëm vetes së tij apo dikujt tjetër, është përjashtuese dhe duhet kufizuar. Liria ime përfundon aty, ku fillon liria e dikujt tjetër.

Si përfundim, Politika islame do të sigurojë këto standarde: në vend të hakmarrjes – paqe; në vend të konfliktit – mirëkuptim; në vend të standardeve të dyfishta – drejtësi; në vend të shfrytëzimit – bashkëpunim; në vend të diskriminimit – barazi; në vend të shtypjes – demokraci.
Kemi shumë burime për të kuptuar atë të vërtetën, por na duhet guxim dhe sinqeritet që të pranojmë të vërtetën. Pa dyshim se e vërteta do të ngadhënjejë mbi të pavërtetën!

 

Përfundon procesi zgjedhor i studentëve në UPZ

0

UPZNë Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” janë mbajtur zgjedhjet e para për Parlamentin Studentor.Procesi zgjedhor vlerësohet se është zhvilluar normalisht. Ai është monitoruar nga KQZ-ja.Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 36.3 %.

Në bazë të rezultateve preliminare, organizata studentore USSH ka fituar 62.30 % të votave, ndërsa organizata studentore USPE 37.70% të votave.
Brenda afatit ligjor, Komisioni Zgjedhor do të shpallë rezultatet përfundimtare nga këto zgjedhje.

Nga këto zgjedhje do të dalin përfaqësuesit e Studentëve në Këshillat Studentore në Fakultete dhe në Parlamentin Studentor për periudhën 2014/2016.

Studentët do të përfaqësohen në Senatin e Universitetit dhe në Këshillat e njësive akademike.

Haga uli dënimet e të burgosurve serbë

0

Haga-te burgosurit serbeTribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë, uli sot dënimet për tre ish-zyrtarë të lartë serbë, që ishin shpallur fajtorë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.

Ish-nënkryetari i Qeverisë jugosllave Nikola Shainoviq, gjeneralët e ish-Ushtrisë jugosllave, Nebojsha Pavkoviq e Vlladimir Lazareviq, si dhe ish-gjenerali i policisë serbe Sreten Lukiq, ishin dënuar në shkurt të vitit 2010 më nga 15 deri 22 vjet heqje lirie, për fushatën e vrasjeve, torturave dhe dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës gjatë vitit 1999.

Nikola Shainoviqit, i cili ishte dënuar me 22 vjet heqje lirie, gjykata sot ia uli dënimin në 18 vjet. Sreten Lukiqit në 20 nga 22 sa ishte dënuar fillimisht dhe Vladimir Lazareviqit, nga 15 në 14 vjet heqje lirie.

I pandryshueshëm mbeti dënimi prej 22 vjetësh për ish-gjeneralin Nebojsha Pavkoviq.

Në aktakuzën e njëjtë, kishte qenë i përfshirë edhe ish-presidenti i Serbisë Milan Millutinoviq, i cili ishte shpallur i pafajshëm, ndërsa ish-shefi i ushtrisë serbe Dragolub Ojdaniq, ishte liruar vitin e kaluar, pasi kishte mbajtur dy të tretat e dënimit prej 15 vjetësh.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Hagës, nxiti zemërimin e familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kryetarja e organizatës “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, Nesrete Kumnova, ka thënë se me këtë vendim është shkelur populli i pafajshëm shqiptar. “Në vend që t’u rritet dënimi për shkak të gjenocidit të bërë ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, me mbi 15 mijë të vrarë, 6 mijë qytetarë të zhdukur dhe me mbi 20 mijë femra të dhunuara, ata e zvogëlojnë dënimin”, është thënë në reagimin e saj, shkruan Epoka e re.

Arrestohen katër persona në Prizren, dyshohen për vepra penale

0

Syl Hoxha dhe Hazir berishaKatër persona të dyshuar për vepra penale janë arrestuar nga policia në Prizren.

Zëdhënësi i PK-së në Prizren, Hazir Berisha tha se policia në bashkëpunim me Prokurorinë, pas një hetimi disamujor,ka arrestuar me 21 janar, të dyshuarin S.Guraj(1971) nga fshati Kosavë i Komunës së Dragashit, i dyshuar për tri vepra penale.

“I arrestuari dyshohet për tri vepra penale:keqpërdorim seksual,mashtrim dhe posedim të armëve pa leje”.

Gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuarit janë gjetur disa armë.
Kryeprokurori Sylë Hoxhaj, tha ndërkaq se I dyshuari S.G , akvitetin e tij të kundërligjshme e kishte zhvilluar gjatë vitit 2013.

“Viktima të tij kryesisht kanë qenë persona të gjinisë femërore,të cilëve i dyshuari i’u kishte premtuar rregullim të dokumentacionit për migrim jashtë shtetit duke i’u marr shumë të konsiderueshme të të hollave”, transmeton TV Prizreni.

Zëdhënësi i Policisë në Prizren ,kapiteni Hazir Berisha, po ashtu njoftoi se gjatë ditës së sotme është kryer një bastisje nga policia në një shtëpi në fshatin Krushë e Vogël si dhe dy të tjera në lagjen ‘Arbana’ të Prizrenit.

“Pas bastisjes së shtëpisë policia ka ndalur në mbajtje tre persona të cilët dyshohen se janë të përfshirë në veprën penale të kontrabandës me armë”.

“Gjatë bastisjeve në këto dy lokacione janë gjetur dhe sekuestruar nga policia 3 pistoleta të llojit Crvena Zastava dhe një tjetër e llojit ‘Ekoll Tuna’ si dhe qindra fishekë”. /PrizrenPress.com/

 

 

‘Freedom House’: Kosova, pjesërisht e lirë

0

FreedomHouse6-18Në raportin më të ri të organizatës Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara, për liritë në botë, theksohet se vitit 2013 është përshkuar me represion të intensifikuar në Euro-Azi dhe Lindje të Mesme dhe se gjendja e lirisë ka shënuar rënie. Kjo është rënia me radhë në tetë vitet e fundit.

Në raport theksohet se veçanërisht të dukshme ishin zhvillimet në Egjipt, që ka shënuar rënie në institucionet demokratike pas grusht-shtetit ushtarak.

Pengesa serioze në të drejtat demokratike ka pasur edhe në vendet e mëdha, me ndikim politik, përfshirë Rusinë, Ukrainën, Azerbajxhanin, Turqinë, Venezuelën dhe Indonezinë.

Në raportin vjetor “Liria në botë 2014” të organizatës Freedom House, Kosova klasifikohet në mesin e vendeve “pjesërisht të lira”, me ç’rast në kategorinë e të drejtave politike vlerësohet me notën 5, ndërsa në atë të të lirive civile me 4.

Në krahasim me raportin e vitit të kaluar Kosova ka mbetur në vlerësimin e njëjtë. Nota 1 paraqet shkallën më të mirë, ndërsa nota 7 atë më të dobët.

Në raportin më të ri, Shqipëria klasifikohet si vend po ashtu “pjesërisht i lirë”, me nota 3 për të drejtat politike dhe 3 për liritë civile. Shqipëria, po ashtu, ka mbetur në vendin identik sikur në raportin e para një viti.

Prej vendeve të tjera në Ballkan, klasifikim “pjesërisht i lirë” i është dhënë Bosnjë Hercegovinës dhe Maqedonisë, me nota të ngjashme si Shqipëria (3 për të drejtat politike dhe 3 për liritë civile).

Në kategorinë e vendeve të lira janë përfshirë Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi. Sllovenia e ka notën më të mirë 1 në të drejtat politike dhe në liritë civile.

Në raportin global për Liritë në Botë 2014, theksohet se qeveria e presidentit Vladimir Putin, e ka vazhduar trendin antidemokratik si brenda në Rusi, ashtu edhe jashtë saj.

Në zhvillimet e brendshme, Rusia, sipas raportit, ka ndërmarrë aksione kundër minoritetit të ndjeshëm të LGBT-së (lesbike, homoseksuale, biseksuale dhe transeksuale) dhe kundër jorusëve etnikë, derisa qeveria e ka konsoliduar kontrollin e saj ndaj mediave.

Jashtë Rusisë, qeveria e Putinit e ka udhëhequr “një fushatë të frikësimit” kundër fqinjëve të saj, Ukrainës dhe Armenisë, për shkak se synonin lidhje më të afërta me Bashkimin Evropian.

Nënpresidenti i organizatës Freedom House, Arch Puddington, i tha Radios Evropa e Lirë se lëvizjet e këtilla nuk mund ta fshehin faktin se Rusia është njëri nga vendet me regjimin më të lartë autoritar në botë.

“Rusia është fuqi udhëheqëse në fqinjësinë e saj, dhe ishte shtet në rënie prej se Putin u bë President në vitin 2000. Kjo rënie është përshpejtuar kur ai u kthye në presidencë dhe e filloi goditjen sistematike kundër shoqërisë civile, kundër opozitës politike dhe kundër asaj që ka mbetur nga mediat e pavarura.

Të gjitha këto zhvillime ne i shohim si shumë negative dhe ne e shohim Rusinë si realisht njërën nga fuqitë më të rëndësishme autoritare në botë”, tha Puddington.

Në raport theksohet përkeqësimi i vazhdueshëm i demokracisë në Ukrainë nën qeverinë e presidentit, Viktor Yanukovich.

Puddington ka shprehur shqetësim për dhunën ndërmjet policisë dhe protestuesve anti-qeveri në Ukrainë, dhe thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarrin hapa më të fuqishëm për ta dënuar atë.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për Ukrainën. Prej se Yanukovich erdhi në presidencë, është shënuar rënie e konsiderueshme dhe rënie përsëri në vitin e kaluar. Ne jemi të shqetësuar për zhvillimet e tashme atje. Ne, po ashtu, jemi të shqetësuar që qeveria amerikane nuk ka qenë sa duhet agresive në protestën kundër politikave të qeverisë së Ukrainës”, tha Arch Puddington.

Në raportin e fundit të organizatës Freedom House, theksohet se ka pasur kthim prapa në zhvillimet demokratike në Egjipt dhe “pengesa serioze” në të drejtat politike në Turqi. /REL/

Zgjedhjet më mirë të mbahen në qershor

0

MazllumBaraliuNjohësi i proceseve zgjedhore, Mazllum Baraliu, ka thënë se nuk do të ishte mirë që Republika e Kosovës të shkojë në zgjedhje parlamentare pa përfunduar reforma zgjedhore.

Baraliu në një intervistë për “Epokën e re” ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve me reformë do të ndikonte në konsolidimin e shtetit të Kosovës. “Duke pasur parasysh interesin qytetar, institucional në të mirë të demokracisë dhe konsolidimin e shtetit, zgjedhjet parlamentare të mbahen me reformë zgjedhore. Në rast se klasa politike nuk është e gatshme për ta përmbyllur reformën, atëherë nuk ka kohë për të pritur dhe me këtë kornizë legjislative duhet të mbahen zgjedhjet sepse shtyrja e tyre mund t’i shkelë afatet kushtetuese, gjë që është e kundërligjshme dhe kundërkushtetuese”, ka thënë Baraliu.

Baraliu ka vlerësuar se nëse shkohet në zgjedhje parlamentare pa reformë do ta dëmtonte imazhin e Kosovës. “Imazhi i Kosovës do të vazhdonte të dëmtohej në rast se shkohet në zgjedhje pa reformë. Në një mënyrë ose tjetër, kjo klasë politike, për shkak të sjelljeve rigide, në një masë e ka dëmtuar imazhin e Kosovës. Edhe përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar kanë thënë se nuk është mirë që zgjedhjet të mbahen pa reformë”, ka thënë Baraliu. Sipas tij, përfundimi i këtij procesi të stërzgjatur do të varet nga gatishmëria, interesimi dhe vullneti politik i klasës politike. “Ju e keni parë deklaratën e Lunaçekut, e cila ka përmendur mosgatishmërinë ose mosmbajtjen e premtimeve  të disa liderëve të subjekteve politike. Kjo çështje varet prej tyre. Mendoj se nuk ka shumë punë për të bërë në drejtim të përfundimit të reformës. Ajo çfarë duhet të bëjnë liderët e partive politike është të dakordohen për disa çështje kryesore, në mënyrë që Projektligji për zgjedhjet, i cili pothuajse është i gatshëm të dërgohet në Qeveri, Kuvend, mund të miratohet deri kah gjysma e muajit të ardhshëm”, është shprehur Baraliu. Ai ka thënë së është në interes të të gjithëve që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike. “Është interes i yni i brendshëm dhe i jashtëm që zgjedhjet të jenë të lira, fer, demokratike dhe të paanshme. Ne duhet të japim mesazhe pozitive sa iu përket zgjedhjeve”, është shprehur Baraliu.

Zgjedhjet të mbahen në qershor

Ish-shefi i ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë do të ishte qershori i këtij viti. “Koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, sigurisht se do të ishte muaji qershor, për shumë arsye të cilat nuk kanë arsye të numërohen. Institucionet e Kosovës duhet t’i kryejnë të gjitha obligimet, përfshirë edhe reformën zgjedhore, në mënyrë që presidentes t’i jepet mundësia t’i shpallë zgjedhjet në një afat i cili do të përkonte me kohën e mirë, pra para se të hyhet në pushime verore”, ka deklaruar Baraliu. Ai ka thënë se liderët e partive politike mund ta gjejnë gjuhën e përbashkët që zgjedhjet të mbahen në qershor. “Në këtë drejtim mendoj se nuk ka dallime në mes të tyre. I kuptoj pikëpamjet të cilat mund t’i kenë pak a shumë diverse të protagonistëve politikë, por jam i sigurt se janë disa zgjidhje të cilat janë të mira për të gjithë. Ato nuk duhet të anashkalohen”, ka thënë Baraliu, duke shtuar se përfaqësuesit e partive politike po deklarohen se janë të gatshëm për zgjedhje. “Paritë politike janë duke thënë se janë të përgatitura për zgjedhje. Madje disa përfaqësues të këtyre partive janë duke dhënë deklarata të cilat i tejkalojnë kufijtë e normales, se po të ketë zgjedhje nesër, janë gati. Megjithatë, kjo është për t’u diskutuar ose për t’u dëshmuar se sa janë të përgatitura partitë politike, e kjo do të dëshmohet gjatë procesit zgjedhor”, ka theksuar ai.

Baraliu ka thënë se në pjesën e dytë të këtij viti Kosova duhet t’i ketë institucionet e reja të dala nga vota e lirë e qytetarëve. “Kosova duhet ta ketë Kuvendin e ri, Qeverinë e re dhe institucionet e tjera. Për këtë arsye zgjedhjet duhet të organizohen më herët në mënyrë që mos të kemi vakuume institucionale. Në këtë proces duhet t’i kemi parasysh rezervat e caktuara. Gjithashtu, duhet pasur parasysh ndodhitë e paparashikuara të cilat mund të krijojnë probleme në funksionin e shtetit”, ka deklaruar Baraliu.

Vazhdimi i vendeve të rezervuara nënkupton Ahtisaari plus

Profesor Mazllum Baraliu, njohës i sistemeve zgjedhore, ka thënë se çështja e vendeve të rezervuara për minoritetet as që duhet të diskutohet. “Mendoj se çështja e vendeve të rezervuara tashmë është absorbuar. Pjesa kryesore e opozitës nuk është duke pranuar të vazhdohen vendet e rezervuara. Ata që  janë në pozitë ose kanë dëshirë për këtë çështje duhet të mendojnë mirë para se t’i hynë asaj pune, sepse do ta kenë shumë të vështirë ta bëjnë ndryshimin e Kushtetutës. Pa ndryshimin e Kushtetutës nuk mund të bëhet kjo punë, sepse kjo çështje duhet të shtyhet me dy të tretat e shumicës së dyfishtë, pra shumicës së shumicës dhe shumicës së pakicës”, ka deklaruar Baraliu, duke shtuar se vazhdimi i vendeve të rezervuara nënkupton Ahtisaari plus. “Të gjithë duhet ta kuptojnë se tash për tash kjo punë nuk mund të bëhet sepse e tejkalon Planin e Ahisaarit, pra do të ishte Ahtisaari plus. Askush askënd s’e ka autorizuar që definitivisht ta defunksionalizojë dhe ta ngarkojë deri në hipotekë shtetin e Kosovës”, ka thënë Baraliu.