21.1 C
Prizren
E hënë, 4 Gusht, 2025
Home Blog Page 8455

Opozita: Bisedimet nuk i kanë sjellë përfitim Kosovës

0

KuvendiKosoves5-27Partitë opozitare në Kuvend vlerësojnë se bisedimet me Beogradin nuk i sollën ndonjë përfitim Kosovës. Sipas tyre, shumë çështje nuk janë zgjidhur, procesi po shkon në drejtim të fuqizimit të serbeve në Kosovë dhe po shihet qartë se nuk ka gatishmëri për zbatim të marrëveshjes në praktikë. Në këtë rast, humbës është Kosova.

Edhe pse dialogu i Kosovës me Serbinë nuk ka filluar të shënojë humbës apo fitues për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, në bazë të rezultateve të deritanishme Serbia ka më shumë favore, vlerësojnë partitë opozitare, transmeton RTK.

Vjosa Osmani, nga LDK konsideron se pala kosovare nuk ka qenë e përgatitur për bisedime, prandaj një gjë e tillë po ndikon në rezultatin final.

”Shumë çështje që janë përfshirë në marrëveshje konkrete mes Kosovës dhe Serbisë do të mund të dilnin më të favorshme për Kosovën sikur pala kosovare do të ishte më e përgatitur për të negociuar në të mirë të vet. Kështu që ky ka qenë problem kryesor, ndërsa problem i dytë është implementimi në praktik i marrëveshjes. Derisa Kosova ka treguar gatishmëri të madhe që të implementojë të gjitha pikat e marrëveshjes, herë herë edhe duke e tejkaluar atë që ka premtuar, në anën e Serbisë nuk kemi parë një gatishmëri të tillë, që tregon se Kosova duhet të jetë shumë më vigjilente që të mos ndërmarr hapa të njëanshëm në implementimin e marrëveshjeve”.

Ndërsa Ahmest Isufi nga AAK, thotë se nuk ka kuptim vazhdimi i dialogut me Serbinë nëse nuk zbatohen marrëveshjet nga ana e Serbisë, pasi gjithçka po shkon në dëm të interesit të Kosovës.

”Në këtë proces më shumë ka humbur Kosova, sepse të gjitha cështjet e brendshme të Kosovës janë bisdeuar dhe nuk janë diskutuar ato çështje që janë të ndërlidhura me dëmet që Serbia i ka shkaktuar Kosovës, siç janë të pagjeturit, dokumentet kadastrale të cilat ende mbahen në Serbi, artefaktet, shumë cka nga ato elemnte që është dashur ti përmbush Serbia e deri te njohja e pavarësisë së Kosovës. Sjellja në këtë mënyrë e qeverisë së Serbisë e ka dobësuar pozicionin e Kosovës sepse ka lënë edhe më tej iluzione te serbet që të mendojë se Kosova nuk është e pavaruar. Po ashtu edhe te miqtë tanë, kanë lënë që të pritet që përmes dialogut të ndryshohet diçka dhe e kanë lënë Kosovën në një status quo”.

Sipas Glauk Konjufcës, deputet i Vetëvendosjes në dialogun me Serbinë, edhe Kosova edhe Bashkësia ndërkombëtare kanë dështuar plotësisht pasi duke bërë përpjekje për integrim të serbëve të veriut në Institucionet e Kosovës, ata po fuqizohen duke mos njohur Kosovën.

”Kjo do të thotë se një organizim institucional që është krijuar brenda Kosovës siç është bashkësia e Komunave serbe do të mbushet me përmbajtje e cila na vjen prej Serbisë edhe do të punojnë me programe që do të jenë kundër pavarësisë, kjo është shumë e qartë. Unë mendoj se kjo është njëra prej dështimeve më të mëdha të qeverisë dhe një dështim edhe i strategjisë ndërkombëtare të Kosovës se si e kanë parë ata integrimin e popullatës serbe këtu. Kështu prej atyre 11 apo 12 komunave sa do të jenë në asociacionin e komunave serbe, 9 prej tyre do të jenë të listës së Daçiqit që nuk e pranojnë Kosovën, dhe unë mendoj se krejt asociacionin do ta vendosin në këtë funksion”.

Sipas Konjufcës, i vetmi përfitim i Kosovës në këtë dialog ka qenë pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje, edhe pse fitorja e tyre është kundër Kosovës. Ndryshe dialogu Kosovë Serbi, pritet të vazhdojë në janar, për të gjetur zgjidhje për gjykatën në veri.

Italianët që këndojnë këngët shqiptare

0

italianet-kendojneSapo ka dalë në treg albumi i parë i grupit ‘Spartiti per Scutari’ me titullin “Këtu është gjithnjë pranverë” që përmban 14 këngë, një pjesë janë përpunim i këngëve popullore shqiptare e një pjesë janë këngë të panjohura.

Orkestra e drejtuar nga Bardh Jakova, djali i Cesk Jakoves dhe nip i Prenke Jakoves, përbehet nga rreth njëzet instrumentiste, shumica italiane. E veçanta është se ata këndojnë dhe interpretojnë këngë shqiptare, që nga “Mora mandolinen” e “Dy zymbyla”, apo vallet dibrane e sarandiote. Me këmbëngulje kanë studiuar pjesë të muzikës popullore shqiptare dhe kanë arritur të mësojnë shqiptimin e sakte të këngëve.

Pasioni i tyre nuk është flakë kashte, ka vite që ata marrin pjesë në festivale dhe aktivitete të ndryshme në të gjithë vendin. Sjellin për publikun italian muzikë nga të gjitha trevat shqiptare, instrumente tipike si lodra apo fyelli, melodi dasme apo këngë dashurie. Pjesët janë aranzhuar nga Bardh Jakova i cili i është përkushtuar këtij projekti duke mbledhur rreth vetës këtë grup të rinjsh, përçues të traditës shqiptare edhe pse kanë lindur e janë rritur në zona të ndryshme të Italisë./ TCh/

Humbja e besimit në Edita Tahirin

0

Edita TahiriZëvendëskryeministres së Kosovës, Edita Tahirit, nuk i kanë shkuar punët mirë me vota në zgjedhjet e 3 nëntorit të vitit 2013-të në Prizren.

Partia e saj, ADK, në këto zgjedhje nuk ka marrë as më shumë e as më pak se 228 vota. Votuesit jo vetëm që nuk i siguruan ulëse në organet më të larta lokale ADK-së, por ato ishin tepër të ulta për një parti që udhëhiqet nga një Zëvedëskryeministre e Kosovës.

Edita Tahiri është kryetare e ADK-së.Nga zgjedhjet nacionale të vitit 2007, është në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Tahiri ka një karrierë të shquar politike si lidere, politikane, diplomate dhe negociatore me reputacion ndërkombëtar prej çerek shekulli, të nisur në kohërat më të vështira të Kosovës, në vitet 1989, kur regjimi i Milosheviçit po instalonte masat e dhunshme, atëbotë si zyrtare e LDK-së, e tash si kryetare e ADK-së.

Tahiri është Zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ajo ka qenë e ngakruar në bisedimet e zhvvilluar me Serbinë në Bruksel.
Ajo ishte edhe Ministre e Administratës Publike. Por këto pak i kanë bërë punë në zgjedhjet e fundit lokale në Prizren.

Mbështetur në rezultatet e publikuara nga KQZ, për Asamblenë Komunale, partia që udhëheq Tahiri, ADK, në Prizren ka marrë vetëm 228 vota, ndërsa ato janë adresuar tek bartësi i listës Nizam Mullafazliu.

Ndërkaq, menjëherë pas Mullafazliut, kandidati i dytë për Kuvend të Prizrenit nga ADK, doktoresha e mirënjohur, gjinekologia Dr. Jalldëze Gorani ka marrë vetëm 37 vota. Më së paku vota në listën e këtij subjekti apo vetëm tri sosh i mori Myrvete Perdibuka.

Por, ndonëse Tahiri vepron në majat e Qeverisë së Kosovës, partia e saj mori pak vota edhe në kryeqendër, bile për më keq ADK më e votuar doli në Viti, një komunë kjo shumë më e vogël se sa Prishtina.

Në kryeqendër bartësi i listës së ADK-së, Faruk Salihu, siguroi vetëm 134 vota, përderisa Teuta Rexhepi në Viti mori 172 vota, pra 38 më shumë. ADK më së miri në zgjedhjet komunale kaloi në Gjilan. Bartësi i listës Neshat Rexhepi këtu siguroi 373 vota, përderisa në Pejë, Gazmir Raci, si bartës i listës për Kuvend Komunal është votuar nga 263 qytetarë./PrizrenPress.com/

Kurti: Do të fitojmë në zgjedhjet parlamentare

0

AlbinKurti1205Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se edhe përkundër rezultatit jo të mirë që ka shënuar kjo parti në disa komuna, megjithatë ata e fituan Prishtinën, qytetin më të madh.

“Kemi fituar, sepse kemi fituar në Prishtinë, në komunën më të madhe dhe më të rëndësishme në Kosovë, në Kryeqytetin e Republikës. Nuk jemi të kënaqur me rezultatin në përgjithësi dhe nuk do të jemi të kënaqur deri atëherë kur do të ndryshojmë qeverisjen në gjithë Kosovën dhe në secilën komunë ashtu siç bëmë në Prishtinë”, ka thënë Kurti në një intervistë për gazetën “Bota Sot”, të numrit festiv.

Kurti i ka bërë bisht pak pyetjes së gazetarit kur është pyetur se a ka qenë Shpend Ahmeti ai që e ka fituar Prishtinën apo Vetëvendosje.

“Nuk e fituam ne Prishtinën, por Prishtina na fitoi ne. Prishtina e fitoi një kryetar të ri e të mirë, Shpend Ahmetin dhe qeverisjen e Vetëvendosjes me alternativë përkatëse lokale për Prishtinën. As Shpend Ahmeti dhe as Isa Mustafa nuk ishin kandidat të pavarur. Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e mundi kryetarin e LDK-së”, ka thënë Kurti.

Në këtë intervistë Kurti është pyetur edhe për një formatizim dhe ndryshime në Vetëvendosje duke sjell një “frymë të re” në këtë Lëvizje. Po në vend të kësaj ai e ka quajtur zgjerim të VV-së dhe jo “formatizim”.

“Është e vërtetë që Lëvizja Vetëvendosje por zgjerohet e po forcohet, po i shton e po i shtrëngon radhët e saj në përgatitije për sfidat e vitit 2014. Do të fitojmë në zgjedhjet parlamentare që me gjasë do të mbahen në vjeshtën e vitit 2014. për të gjitha këto beteja që nuk janë vetëm qeverisëse dhe elektorale lëvizja Vetëvendosje ka nisur ristrukturimin e qendrave të saj dhe organizatës në përgjithësi. Këtë ne e quaj ristrukturim dhe jo “reformatizim”, ka thënë Kurti.

 

Si sot

0

Skender Berisha

 

Për herë të parë

më ishe si sot
kështu s’të kisha parë
asnjëherë asnjë mot

e shkrirë bukurie
fund e krye fund e krye
pak ndryshe moj
dagandrishe

e dimër jasht dimër
që nuk e diktuam
për herë të parë
kaqe thellë të vështrova

ecin orët e reja
prap ecin e s’lodhen për ne
sonte qiellit nuk u mblodhën re
unë të pash ngrohtë ti më pe

Skender Berisha

1 janar 2014,Prizren

Në janar mbahet mbledhja e dy qeverive shqiptare në Prizren

0

Thaci dhe Edi ramaQeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Kosovës pritet që të zhvillojnë këtë muaj mbledhjen e parë të përbashkët, e cila do të mbahet në qytetin e Prizrenit.

Mbledhja e dy qeverive, e cila ishte paralajmëruar që në muajin shtator të vitit që lamë pas, do të mbahet këtë muaj. Kanë qenë vetë dy kryeministrat, Thaçi dhe Rama që konfirmuan janarin si muajin kur do të zhvillohet edhe mbledhja mes dy qeverive.

Vetë kryeministri Rama deklaroi në konferencën për shtyp të fundvitit se dy qeveritë synojnë që të hartojnë një strategji të përbashkët qeverisjeje mes dy vendeve, për t’i bërë kufijtë shtetërorë të padukshëm.

Në këtë kuadër, Rama konfirmoi se mbledhja e parë e qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës do të zhvillohet në janar 2014, ku pritet të akordohet edhe një fond për Preshevën.

Në këtë mënyrë qeveria Rama pritet të përmbush zotimin për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve që jetojnë atje. Ndërsa kryeministri kosovar, Hashim Thaçi deklaroi në mbledhjen e fundit të qeverisë kosovare për vitin 2013 se mbledhja e përbashkët do të zhvillohet javën e dytë të janarit.

Kosova bardh e zi

0

Milaim ShefkiuMilaim Shefkiu

Në shumë vende, numri 13 konsiderohet si “ters”, prandaj edhe hotelet më me renome në botë, të cilat posedojnë mijëra dhoma, nuk kanë numër 13, sepse frikësohen se ky numër nuk u sjell fat, as atyre e as pushuesve.

Por, a ishte ters për Kosovën dhe shqiptarët ky vit, apo ndodhi e kundërta?

Nëse i bëhet një rezyme në vija të trasha 365 ditëve të kaluara, duket se më shumë ka pasur zi (sherr) se sa bardh (hajr). Ndërsa për disa qytetarë, vitet në Kosovë kalojnë nëpër të njëjtën trajektore, ku të mirat nuk shihen, por edhe këqijat nuk bëjnë shumë përshtypje. Është e njëjta rrugë ku kalohet përditë dhe ku kosovarët, janë si në atë tregimin e atij të vobektit që e kalon urën me sy mbyllur.

Në aspektin ekonomik Kosova ka mbetur aty ku ka qenë tash e disa vjet, me 10 për qind varfëri ekstreme, me 30 për qind të njerëzve të papunë, e zhytur në krim të organizuar e korrupsion.

Madje sipas matësit të korrupsionit, Kosova deri në hundë ka sharruar në hajni ordinere institucionale, duke avancuar nga vendi i 106-të në atë të 111-të në ranglistën botërore.

Po ashtu edhe sivjet është vërejtur një sistem gjyqësor anemik, një legjislativ ku më tepër i ka ngjarë teatrit antik të tragjikomedive se sa institucionit ku bëhen ligjet dhe kontrollohet ligjshmëria. Ndërsa Qeveria njëtrajtshëm vazhdoi ta mbajë në grusht gjithë Kosovën.

Ka edhe disa njolla të tjera që shkojnë më shumë kah e zeza sesa kah e bardha. Por, cila është e bardhë në mozaikun bardhezi të vitit 13 në Kosovë.

Ajo që i tejkaloi pritjet, janë zgjedhjet e nëntorit, të cilat kaluan në një frymë shumë demokratike, pa incidente dhe ku sovrani votoi ndryshimin. Zgjedhjet e morën epitetin e “revolucionit të nëntorit”, ndërsa sovrani ua dha mundësinë secilit nga pak, që të dëshmohen nëse janë pragmatikë në qeverisje, ose fleksibil në demagogji.

E bardha tjetër në vitin “ters” është nisja e negociatave për MSA, që shënoi një hap të madh drejt integrimit të Kosovës në BE. Kurse ndërtimi i Autostradës “Ibrahim Rugova” është një vepër tjetër e madhe në Kosovën e varfër.

Një çështje që ka mbetur e përlyer, ndërmjet të bardhës dhe të zezës, është Marrëveshja e 19 Prillit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Derisa ideja e pajtimit ishte e mirë, rezultati doli i keq, sepse në vend të integrimit të veriut, ndodhi çintegrimi i serbëve në gjithë Kosovën.

Ndryshe, edhe ky vit iku, ndërsa sikurse gjithmonë, qytetarët e presin vitin tjetër me thënien “Viti i ri – nafaka e re”. Ndoshta këto janë ëndrra të qytetarëve që jetojnë në shtetet e varfra, megjithatë te ne do të mbetet sintagma e lutjes dhe pritjes edhe për disa vjet…

Urime dhe gëzuar viti 2014!!!

MSN shpalli Prizrenin, ndër vendet më të bukura në botë

0

Prizren ura e guritKy fundvit na sjell një lajm të mirë, pak më ndryshe se herë tjera. Këtë radhë mund të ndjehemi vërtetë krenarë si shqiptarë sepse kemi arsye të madhe.

Në listën e vendeve më të mrekullueshme të botës të shpallur nga MSN-i për vitin 2013, qyteti i Prizrenit gjendet në vendin e 9-të ndër vendet më të bukura në botë.

Për më tepër informacion mund klikoni ne lidhjen e mëposhtme:

http://photos.ca.msn.com/slideshow/photo/beautiful-places-around-the-world/2t4aws0f#9

Ngjarjet që shënuan vitin

0

Thaci, Ashton, Dacic ne bruksel1. Habemus Pactum

Kanë qenë të lodhur ditën kur kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiq kanë vënë nënshkrimin në 15 pika të printuara në dy faqe A4. Por lodhja, mungesa e kapaciteteve që prezantojnë dhe nënshkrimet veç e veç e shumë dilema tjera rreth marrëveshjes së Brukselit nuk kishin hedhur hije mbi një fakt. Ajo që po bënin të dy kryeministrat ishte historike.

Nënshkrimi i marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë që prej shpalljes së pavarësisë së 17 shkurtit padyshim që ishte ngjarja e vitit që ndodhi më 19 prill.

Të dy delegacionet e lodhura pas disa ditë konsultimesh u kthyen në vendet e tyre ku u përballen me shumë pyetje. Dilema kishte sidomos në Kosovë për marrëveshjen që thuhet se po e mundësonte shtrirjen e autoritetit të shtetit në veri nëpërmjet institucioneve e mekanizmave që do të jenë neutrale ndaj pavarësisë së vendit.

Zërin e dilemave e përmbysën reagimet e zhurmshme të liderëve e diplomatëve nga i gjithë perëndimi që uruan për arritjen historike, të parën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Marrëveshja solli shumë përplasje e debate, shumë ndryshime ligjesh e rregullash, që prej zgjedhjeve deri tek funksionimi i policisë, sistemit buxhetor e mënyra e organizimit të komunave. Fjalët e miradije nga përfaqësuesja e lartë e BE-së dhe shumë diplomatët ë tjerë për të dy kryeministrat kanë bindur disa kongresistë amerikanë se këta të tre janë të denjë të kandidohen për çmimin Nobel. Pati protesta, bllokim të punës së Kuvendit, vonesa e gjithçka, si rezultat i marrëveshjes. Pati edhe amnisti, por edhe ndryshim të gjendjes në veri.

2. Revolucioni zgjedhor

Qe krijuar ndjenja se kosovarët nuk dinë të mbajnë zgjedhje të lira dhe të drejta. 2013-a, lumturisht na e dëshmoi të kundërtën. E kur nuk u prek vota, kosovarët treguan se duan ndryshimin. Gjithandej u shkaktua revolucion zgjedhor.

Kosova ka një komunë më shumë. Shteti tash ka udhëheqës që i pranon si legjitim edhe në tri komuna tjera në veri, ndonëse këta nuk pritet që fillimisht ta njohin pavarësinë. Edhe komunat tjera të vendit kanë ndryshuar. Ka ndërruar fuqia e partive më të mëdha. LDK është ngritur derisa PDK e AAK kanë rënë. Ka ndryshuar Prishtina ku ka fituar Lëvizja Vetëvendosje. Ka ndryshuar Gjakova dhe Mitrovica ku ka fituar AKR. Me pak incidente të izoluara dhe në një proces të rregullt zgjedhor, ka ndryshuar Kosova.
Rezultatet qe dënuan të gjitha partitë që kishin pushtet, por nuk shpërblyen fort as ato në opozitë për shkak të mungesës së reformave dhanë sinjalet e ndryshimin në raundin e parë të tyre. megjithatë vulën mrekullisë së rezultati që ndëshkon ia dha balotazhi.

3. Karota e stabilizimit

Askush nga diplomatët evropianë nuk pranon ta thotë publikisht për negociatat e Stabilizim-Asocimit iu referuan Prishtinës drejtpërdrejt si shpërblim për pranimin e marrëveshjes së Brukselit.

Sa herë janë pyetur për këtë, zyrtarët evropianë kanë përsëritur se kanë marrë parasysh konstruktivitetin, por vendimi është marrë për shkak të plotësimit të kritereve. Megjithatë, ata që kanë përcjellë nga afër procesin kanë vërejtur se pengesat burokratike të vendosura nga shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, u hoqën vetëm pas marrëveshjes së Brukselit.

Në këtë mënyrë Kosova ka nisur dialogun e Stabilizim-Asocimit, marrëveshjes që mundëson përparimin e vendit dhe përfundimin e shtegut të parë të rrugës së gjatë drejt integrimit. Karota e njëjtë shpërblyese për Kosovën do të përdoret edhe në vitin 2014, kur pritet të përfundojë dialog, e pastaj do të nisë debati për nënshkrimin e marrëveshjes.

4. Rashka dhe Pajiqi

Në vitin kur aq shumë është folur për normalizim, nuk ka ndodhur normalizimi i jetës së mijëra familjarëve që ende nuk i dinë se ku i kanë të afërmit e tyre që prej luftës 98-99. Të dy kryeministrat kanë gjetur kohë të flasin për detaje tejet të parëndësishme të funksionimit të jetës në Kosovë, por nuk kanë folur për fatin e të pagjeturve.

Dialogu vazhdoj, dhe kryeministrat heshtën edhe atëherë kur në Batajnicë afër Rashkës u gjetën gjurmët e një varreze masive me trupa shqiptarësh. Qysh prej përfundimit të luftës ishte dyshuar për këtë lokacion. Dy herë madje ishin bërë gërmime sipërfaqësore nga autoritetet serbe duke rezultuar si të pabaza dyshime. Tek në herën e tretë u dëshmua se ajo që e kishin thënë disa dëshmitarë ishte e vërtetë. Trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës ishin bartur nga Kosovë për në Serbi. Atje ishin hedhur në varreza masive.
Një dëshmitarë tjetër ka tronditur opinionin në vitin 2013.
Ivan Pajiq, ka rrëfyer për gazetën Tribuna se ka parë gjatë luftës, se si trupa të civilëve të vrarë janë hedhur në shkritoren e Borit.

5. Koha e takimeve

Në fillim të 2013-s takimet mes liderëve kosovarë e atyre serbë bënin ende lajm. Për shkak se po ndodhnin për herë të parë në histori, detajeve u kushtohej rëndësi. Kush kënd po e përshëndeste i pari, çfarë po deklaronin, çfarë po pinin e si po silleshin. Për të vazhduar traditën tash të konsoliduar të takimeve, në fillim të vitit u kujdesën presidentët e të dyja vendeve. Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga u takua për herë të parë me presidentin e Serbisë Tomisllav Nikoliq në shkurt të vitit 2013, pak muaj pasi një gjë të tillë e kishin bërë kryeministrat.

Prej atëherë, takimet mes përfaqësuesve kosovarë dhe atyre serbë janë bërë të zakonshme. Problematike dalin vetëm takimet nëpër samite ku Serbia enden nuk e pranon Kosovën në tavolinën e shteteve të barabarta.

6. Fitorja e dytë

Askush nuk e kishte pritur që në mes të betejës me drejtësinë për dyshimet për korrupsion, Fatmir Limaj t`i kthehej e kaluara si komandant i UÇK-së. Por prokurori italian i EULEX-it që ndjek krimet e luftës Salustro, ishte pak më i shpejtë se kolegu i tij gjerman De Mangeot. Para se t’i konfirmohej aktakuza për korrupsion, Limaj u akuzua për krime lufte. Sërish të njëjtat akuza, për të cilat ishte gjetur i pafajshëm pos tjerash edhe nga Tribunali i Hagës.

Pas një beteje të gjatë, edhe drejtësia e Hagës e ka pastruar Çelikun nga dyshimet për krime lufte, por beteja e tij vazhdon. Vitin e ardhshëm do të përballet me akuzat për keqpërdorim të detyrës sa ka qenë ministër.
Veç betejës me drejtësinë, Limaj do të përballet edhe me misionin që ia ka vënë vetes në politikë, dëshmimit të fuqisë së tij qoftë edhe duke e ndarë partinë më të madhe deri tash, PDK-në.
Ndjekja e komandantëve të dyshuar nga EULEX-i ka vazhduar.

7. Humbja e EULEX-it

Një pjesëtarë i EULEX-it ka humbur jetën në veri të Kosovës, si pasojë e një sulmi të organizuar në pritë. Andrius Senavichius është pjesa më e dhimbshme e misionit të BE-së për vitin 2013. Por misioni që gjatë 2014 do të ndryshojë formë dhe emër nuk ka arritur që të heqë nga vetja dyshimet për ndikime politike dhe pamundësi të përballjes me sfidat as gjatë viti 2013.
Këtë nuk e ka e ka dëshmuar sidomos në pjesën problematike të vendit, në veri.

8. Bllokada me Maqedoninë

Patatja që nga grekët e lashtë është vlerësuar si simbol i dashurisë, doli që në vitin 2013 të jetë subjekt sherri mes dy shteteve të Ballkanit: Kosovës dhe Maqedonisë.
Vendimi disa herë i përsëritur i Qeverisë së Shkupit për të ndalur importin e patateve nga Kosova, me qëllim të mbrojtjes së fermerëve atje, bëri që Qeveria e Kosovës t`i vë embargo disa mallrave nga Maqedonia.
Shkupi fillimisht provoi që të shtyhet me masa më të rënda por në fund e tërhoqi embargon.

9. Kosova shtyn Serbinë drejt BE-së

Brukseli u tregua zemërgjerë me Beogradin në fund të vitit 2013. Trupat e pagjetur të shqiptarëve, mungesa e kërkim faljes për gjenocidin, edhe shumë gjëra tjera nuk e ndalën BE-në që të marr vendimin për të nisur dialogun e anëtarësimit të Serbisë në këtë unionin. Kësisoj, gjatë vitit 2013 BE-ja pos që ka lehtësuar dialogun mes Serbisë dhe BE-së, ka marrë vendim që të bëjë dy dialogë veç e veç me të dy shtet. Me Kosovën për Stabilizim Asocim, me Serbinë për anëtarësim. Dallimi mes dy proceseve qëndron në gjatësinë e rrugës që kanë përpara të dyja shtetet. Kosova është në shtegun e parë të rrugës së anëtarësimit, Serbia në shtegun e “finishit”.

10. Zbehja për shtetin që nuk u kry!

Qe planifikuar të ishte festë e madhe për shkak të përvjetorit të pestë jubilar. Në përvjetorin e pestë të shpalljes së pavarësisë, parakalimi i forcave të sigurisë dhe një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, kanë qenë aktivitetet kryesore. Pavarësisht kësaj, Kosova nuk arrit që gjatë vitit 2013 ta bëjë ushtrinë, njërin prej elementeve kryesorë të shtetit.
Kosovës i mbetet shumë deri në ndërtimin e shtetit të shpallur në 2008./Tribuna/

Zoi Xoxa: Konica, dembel por “estet” si askush në Shqipëri

0

FaikKonica-shkrimtarSot në 71 vjetorin e ndarjes nga jeta të një prej mendjeve më të ndritura të kombit, Faik Konica, sjellim për lexuesit dëshminë e një bashkëkohësi, gazetarit Zoi Xoxa, mbi procesin e të shkruarit tek Konica. Si e shkroi një artikull për 25-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa e kishte shtyrë për momentin e fundit. Afro një orë duke fërshëllyer një arie…dhe artikulli qe gati- dëshmon Zoi Xoxa në “Kujtimet” e tij, prej nga është shkëputur edhe ky fragment.
Ndër të tjera për Konicën, Xoxa kujton dhe një episod ku ai e kishte mbrojtur para mbretit, pas sulmeve të Iljaz Vrionit, apo edhe përplasjen mes Konicës dhe dom Gasper Jakovës. Kur ky i fundit e kishte kritikuar se Konica po i harxhonte me gratë paratë që i jepnin shqiptarët e gjorë për punë atdhetare, Konica i qe pwrgjigjur se fundja bashkw kishin qenw me gratw duke u zbavitur… Ndërsa mw tej shtonte se “Shqipërisë i kam falur nga kërthiza e sipër; nga kërthiza e poshtë bëj ç’të dua, s’i hyjnë në punë Shqipërisë…”

Dr. Zoi Xoxa
Më 1929, pas shumë vitesh mërgimi, erdhi për një vizitë në Shqipëri Faik Konica, që ishte ministri ynë në Uashington. Zogu e priti me nderime të mëdha: pritje në Durrës, veturë në dispozicion, apartament luksoz në “Kontinental”, hyrje-dalje në Pallat përditë etj. etj. Sa kohë që ndenji në Tiranë, Faiku merrte pjesë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, që mbaheshin nën kryesinë e mbretit.
Siç e dini, unë e kisha mik Faikun që në kohën kur bashkëpunoja në gazetën “Dielli” të Bostonit. Më erdhi nja dy a tri herë për vizitë në gazetë dhe më mbajti disa herë për drekë.
Po një ditë më thirri në telefon dhe më tha t’i shkoja në “Kontinental” se kishte disa fjalë. Shkova dhe e gjeta vetëm me Omer Fortuzin, të cilin e mbante si ndihmës. Më shtrëngoi dorën me përzemërsi dhe më tha, duke qeshur me të madhe: “Të uroj, se shpëtove nga një rrezik. E vërteta do të dilte medoemos në dritë, por për disa kohë mundet edhe të vuaje. Ndodhesha te mbreti kur erdhi ai sarhoshi, Iljaz Vrioni, tërë i nevrikosur dhe i shqetësuar, me sytë gjak dhe me duart që i dridheshin dhe i tha mbretit se gjoja ti i kishe kërkuar 200 napolona ryshfet legatës italiane, përndryshe do ta ktheje gazetën kundër Italisë. Këtë legata italiane ia kishte bërë të ditur Ministrisë së Jashtme, me një notë verbale.
-Mbeta pak si i habitur, – vazhdoi Faiku, – por menjëherë e mora me mend si qëndronte puna. E pyeta:- “A e lexuat mirë emrin?” – “Si jo, fare mirë…”. – “Nuk është e mundur”. – “Si nuk qenka e mundur?” – “Nuk është e mundur jo vetëm që unë e njoh karakterin e tij, por edhe për një arsye fare të thjeshtë: “Gazeta e Re” del në Tiranë. Kështu që edhe sikur të dojë, ai kurrë s’mund ta kthejë politikën kundër vijës së qeverisë, se të nesërmen kapet dhe arrestohet. Shiko se mos është ai i Rumanisë, që nxjerr “Shqipërinë e Re”.
Edhe mbreti që s’kishte thënë asnjë gjysmë fjale dhe po na dëgjonte, më dha të drejtë.
Atëherë Iljaz beu mori telefonin, kërkoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe, pas pak, u kthye me një shkresë në dorë. Ishte fjala për Mihal Xoxen. Mbreti i hoqi vërejtjen dhe i tha të kishte kujdes, se mund të merrte më qafë njerëz të pafajshëm. U shkrimë së qeshuri.
Po atë drekë unë i thashë Faikut se po afrohej 28 Nëntori dhe ai, që ndodhej këtu për herë të parë pas aq e aq vitesh mërgimi, duhej ta shkruante kryeartikullin në Gazetën e Re”.
Më dha fjalën dhe unë e fjeta mendjen.
Pas një jave i bëra një telefon, duke i kujtuar fjalën që më kishte dhënë. M’u përgjigj të mos kisha merak.
Dy ditë përpara 28 Nëntorit i bëra prapë një telefon për ta kujtuar dhe prapë më siguroi të mos bëhesha merak.
Por erdhi nata e fundit dhe ai s’më kishte dërguar akoma asgjë. Rudi po më mërziste duke më thënë se duhej kryeartikulli se do ta mbyllte gazetën. Ia shpjegova sesi qëndronte puna, ndaj të kishte edhe pak durim. Mbylla telefonin me Rudin dhe kërkova Faikun. Më doli menjëherë.
-Zoti Faik, gazeta duhet të mbyllet. Nuk mungon veçse kryeartikulli. Ju jeni i zanatit dhe më kuptoni.
-Por, po ç’të bëj? Tani posa u shkëputa nga legata amerikane. Megjithatë, po vij. Më prit.
Dhe mbylli telefonin.
Pas dhjetë minutash, përpara zyrës sime qëndroi një veturë. Ishte Faiku. I dola përpara, e futa në zyrë dhe i lashë tryezën time. U ul dhe nisi të bënte shakara me mua. Unë i thashë se po shkoja në dhomën tjetër që ta lija të qetë. M’u përgjigj që s’i bënte gjë prania ime dhe mund të rrija. Nuk e kundërshtova. U struka në një kolltuk dhe ndenja i menduar. Faiku po lozte me stilografin dhe po fërshëllente arien e nuk e di çfarë opere. Kujtova se po mendohej gjersa t’i vinte frymëzimi dhe të lidhte idetë. Vazhdoi kështu afro një orë, gjithë duke fërshëllyer.
Kur ngriti kokën, më tha: “Mbaroi. Këndoma ti një çikë”.
Kishte një shkrim shumë të pastër, atë shkrim që ia njihja mirë nga letrat që më dërgonte nga Amerika.
E lexova me intonacion. U habita. S’e kisha parë ndonjëherë sesi shkruante. A mund të shkruhet kështu, duke fërshëllyer? (dhe të ç’niveli, se!). A mund të përqendrohet kështu njeriu?
-Të pëlqen? – më pyeti.
-Shumë, – i thashë, jo për t’i bërë qejfin, po se vërtet më pëlqeu shumë.
Për t’u bindur, lexuesit le ta shohin vetë duke hapur koleksionin e “Gazetës së Re” , në datën 28 nëntor 1929.
-Mirë atëherë, jepe në shtyp, veçse bocat duhet t’i ndreqësh ti vetë. S’i duroj dot gabimet e shtypit; e shëmtojnë shkrimin.
Iu zotova se do të kujdesesha vetë dhe e dërgova artikullin në shtypshkronjë.
Më uroi “natën e mirë” dhe hipi në makinë.
Unë mbeta aty në këmbë, për një copë herë të madhe, edhe pasi ishte zhdukur makina. Po mendoja atë burrë me sjellje aristokratike, me fizik të bukur, i pastër dhe i krehur me kujdes. Për ata që nuk e kanë njohur personalisht, le të këndojnë “Dr. Gjilpërën”. “Dr. Gjilpëra” është Faiku vetë, me të metat e virtytet e veta. Më kujtohet se diku Faiku thotë për Dr. Gjilpërën se ky nuk ushqente një atdhedashuri të ngushtë, po atë që quhet “l’amour du sol natal”. Ky ishte Faiku. Dembel si të gjithë aristokratët, “estet” si askush në Shqipëri. Sado që ka kaluar afro një gjysmë shekulli që asokohe, shqipja e Faikut duhet të jetë “shembull” për të rinjtë, sidomos për ata që e kanë në palcë dashurinë e gjuhës.
Gjynah që ishte kaq dembel! Sot brezi i ri ka shumë pak shkrime nga Faiku: Do të kënaqet me “Albania-n”, me “Trumpetën e Krujës”, me artikujt e “Diellit”, me “Dr. Gjilpërën” që mbeti përgjysmë, me “Nën hijen e hurmave” dhe me ndonjë shkrim të hedhur andej – këndej.
Kur isha student në Romë, prita me padurim “Themelet e gjuhës shqipe”, që Faiku e reklamoi te “Dielli”, se do të dilte së shpejti. Nuk doli kurrë. Niste një punë dhe e linte përgjysmë. E tërhiqnin shumë rehatllëku, zbavitjet, jeta e bukur, gratë. Përsa u përket këtyre, shumë kuptimplote është polemika që pati me dom Gaspër Jakovën. E keni tek “Albania”, mund ta shikoni. Me dom Gaspër Jakovën kishin qenë miq e bashkëpunëtorë të ngushtë në Bruksel, ku botonin revistën “Albania”.
Por një ditë prej ditësh u prishën keq. Dom Gaspër Jakova shkoi në Trieste, ku botoi gazetën “Shpnesa e Shqypnisë”. Në këtë fletore ai e kritikonte ashpër Faikun dhe, midis tjerave, i thoshte se i harxhonte me gratë dollarët që jepnin shqiptarët e gjorë për punë atdhetare. Dhe Faiku iu përgjigj me një artikull humoristik, që është një kryevepër. I thotë se ata të dy kishin qenë shokë për një kohë të gjatë dhe bashkë kishin shkruar dhe qenë zbavitur. Bashkë kishin shkuar edhe me gratë, sido që ai ishte prift. Po kishte një ndryshim: se edhe në punë e grave dom Gaspër Jakova s’kishte as shijen më të vogël, kurse ai, Faiku, edhe në këtë punë ishte artist, estet dhe s’e ndynte veten me çfarëdo grua.
-Po fundja, -i thotë Faiku, – ç’kanë të bëjnë punët e Shqipërisë me gratë, me të cilat ne të dy shkonim dhe zbaviteshim? Duhet ta dish se unë Shqipërisë i kam falur nga kërthiza e sipër; nga kërthiza e poshtë bëj ç’të dua, s’i hyjnë në punë Shqipërisë.
Përgjigje vërtet danteske. Mbani mend kur Virgjili i tregoi Dantes Farinatën? Për ta shtënë në dorë madhështinë e tij, i thotë: “Dalla cintola in su tutti il vedrai” (Nga brezi e lart krejt ke për ta parë).
Edhe në këtë përgjigje, që duket si banale në pamjen e parë, nxjerr krye Faiku, artist dhe estet si kurdoherë. /Shqiptarja/