16.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Opozita: Bisedimet nuk i kanë sjellë përfitim Kosovës

KuvendiKosoves5-27Partitë opozitare në Kuvend vlerësojnë se bisedimet me Beogradin nuk i sollën ndonjë përfitim Kosovës. Sipas tyre, shumë çështje nuk janë zgjidhur, procesi po shkon në drejtim të fuqizimit të serbeve në Kosovë dhe po shihet qartë se nuk ka gatishmëri për zbatim të marrëveshjes në praktikë. Në këtë rast, humbës është Kosova.

Edhe pse dialogu i Kosovës me Serbinë nuk ka filluar të shënojë humbës apo fitues për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, në bazë të rezultateve të deritanishme Serbia ka më shumë favore, vlerësojnë partitë opozitare, transmeton RTK.

Vjosa Osmani, nga LDK konsideron se pala kosovare nuk ka qenë e përgatitur për bisedime, prandaj një gjë e tillë po ndikon në rezultatin final.

”Shumë çështje që janë përfshirë në marrëveshje konkrete mes Kosovës dhe Serbisë do të mund të dilnin më të favorshme për Kosovën sikur pala kosovare do të ishte më e përgatitur për të negociuar në të mirë të vet. Kështu që ky ka qenë problem kryesor, ndërsa problem i dytë është implementimi në praktik i marrëveshjes. Derisa Kosova ka treguar gatishmëri të madhe që të implementojë të gjitha pikat e marrëveshjes, herë herë edhe duke e tejkaluar atë që ka premtuar, në anën e Serbisë nuk kemi parë një gatishmëri të tillë, që tregon se Kosova duhet të jetë shumë më vigjilente që të mos ndërmarr hapa të njëanshëm në implementimin e marrëveshjeve”.

Ndërsa Ahmest Isufi nga AAK, thotë se nuk ka kuptim vazhdimi i dialogut me Serbinë nëse nuk zbatohen marrëveshjet nga ana e Serbisë, pasi gjithçka po shkon në dëm të interesit të Kosovës.

”Në këtë proces më shumë ka humbur Kosova, sepse të gjitha cështjet e brendshme të Kosovës janë bisdeuar dhe nuk janë diskutuar ato çështje që janë të ndërlidhura me dëmet që Serbia i ka shkaktuar Kosovës, siç janë të pagjeturit, dokumentet kadastrale të cilat ende mbahen në Serbi, artefaktet, shumë cka nga ato elemnte që është dashur ti përmbush Serbia e deri te njohja e pavarësisë së Kosovës. Sjellja në këtë mënyrë e qeverisë së Serbisë e ka dobësuar pozicionin e Kosovës sepse ka lënë edhe më tej iluzione te serbet që të mendojë se Kosova nuk është e pavaruar. Po ashtu edhe te miqtë tanë, kanë lënë që të pritet që përmes dialogut të ndryshohet diçka dhe e kanë lënë Kosovën në një status quo”.

Sipas Glauk Konjufcës, deputet i Vetëvendosjes në dialogun me Serbinë, edhe Kosova edhe Bashkësia ndërkombëtare kanë dështuar plotësisht pasi duke bërë përpjekje për integrim të serbëve të veriut në Institucionet e Kosovës, ata po fuqizohen duke mos njohur Kosovën.

”Kjo do të thotë se një organizim institucional që është krijuar brenda Kosovës siç është bashkësia e Komunave serbe do të mbushet me përmbajtje e cila na vjen prej Serbisë edhe do të punojnë me programe që do të jenë kundër pavarësisë, kjo është shumë e qartë. Unë mendoj se kjo është njëra prej dështimeve më të mëdha të qeverisë dhe një dështim edhe i strategjisë ndërkombëtare të Kosovës se si e kanë parë ata integrimin e popullatës serbe këtu. Kështu prej atyre 11 apo 12 komunave sa do të jenë në asociacionin e komunave serbe, 9 prej tyre do të jenë të listës së Daçiqit që nuk e pranojnë Kosovën, dhe unë mendoj se krejt asociacionin do ta vendosin në këtë funksion”.

Sipas Konjufcës, i vetmi përfitim i Kosovës në këtë dialog ka qenë pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje, edhe pse fitorja e tyre është kundër Kosovës. Ndryshe dialogu Kosovë Serbi, pritet të vazhdojë në janar, për të gjetur zgjidhje për gjykatën në veri.

Më Shumë

Rreth 100 punëtorë të lënduar këtë vit

Përveç dhimbjeve dhe pamundësisë për të lëvizur, Rexhep Gashi brengosej edhe për mbulimin financiar të trajtimit të tij. I shtrirë prej ditësh në Klinikën e...

Prizren: Dënohet me 24 vjet burgim dhunuesi i dy të miturave

Gjykata Themelore në Prizren, departamenti për të mitur, e ka dënuar të akuzuarin E.G., me 24 vjet burgim pasi i ka detyruar dy vajza...

Lajmet e Fundit