Në shumë vende, numri 13 konsiderohet si “ters”, prandaj edhe hotelet më me renome në botë, të cilat posedojnë mijëra dhoma, nuk kanë numër 13, sepse frikësohen se ky numër nuk u sjell fat, as atyre e as pushuesve.
Por, a ishte ters për Kosovën dhe shqiptarët ky vit, apo ndodhi e kundërta?
Nëse i bëhet një rezyme në vija të trasha 365 ditëve të kaluara, duket se më shumë ka pasur zi (sherr) se sa bardh (hajr). Ndërsa për disa qytetarë, vitet në Kosovë kalojnë nëpër të njëjtën trajektore, ku të mirat nuk shihen, por edhe këqijat nuk bëjnë shumë përshtypje. Është e njëjta rrugë ku kalohet përditë dhe ku kosovarët, janë si në atë tregimin e atij të vobektit që e kalon urën me sy mbyllur.
Në aspektin ekonomik Kosova ka mbetur aty ku ka qenë tash e disa vjet, me 10 për qind varfëri ekstreme, me 30 për qind të njerëzve të papunë, e zhytur në krim të organizuar e korrupsion.
Madje sipas matësit të korrupsionit, Kosova deri në hundë ka sharruar në hajni ordinere institucionale, duke avancuar nga vendi i 106-të në atë të 111-të në ranglistën botërore.
Po ashtu edhe sivjet është vërejtur një sistem gjyqësor anemik, një legjislativ ku më tepër i ka ngjarë teatrit antik të tragjikomedive se sa institucionit ku bëhen ligjet dhe kontrollohet ligjshmëria. Ndërsa Qeveria njëtrajtshëm vazhdoi ta mbajë në grusht gjithë Kosovën.
Ka edhe disa njolla të tjera që shkojnë më shumë kah e zeza sesa kah e bardha. Por, cila është e bardhë në mozaikun bardhezi të vitit 13 në Kosovë.
Ajo që i tejkaloi pritjet, janë zgjedhjet e nëntorit, të cilat kaluan në një frymë shumë demokratike, pa incidente dhe ku sovrani votoi ndryshimin. Zgjedhjet e morën epitetin e “revolucionit të nëntorit”, ndërsa sovrani ua dha mundësinë secilit nga pak, që të dëshmohen nëse janë pragmatikë në qeverisje, ose fleksibil në demagogji.
E bardha tjetër në vitin “ters” është nisja e negociatave për MSA, që shënoi një hap të madh drejt integrimit të Kosovës në BE. Kurse ndërtimi i Autostradës “Ibrahim Rugova” është një vepër tjetër e madhe në Kosovën e varfër.
Një çështje që ka mbetur e përlyer, ndërmjet të bardhës dhe të zezës, është Marrëveshja e 19 Prillit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Derisa ideja e pajtimit ishte e mirë, rezultati doli i keq, sepse në vend të integrimit të veriut, ndodhi çintegrimi i serbëve në gjithë Kosovën.
Ndryshe, edhe ky vit iku, ndërsa sikurse gjithmonë, qytetarët e presin vitin tjetër me thënien “Viti i ri – nafaka e re”. Ndoshta këto janë ëndrra të qytetarëve që jetojnë në shtetet e varfra, megjithatë te ne do të mbetet sintagma e lutjes dhe pritjes edhe për disa vjet…
Urime dhe gëzuar viti 2014!!!