21.6 C
Prizren
E hënë, 4 Gusht, 2025
Home Blog Page 8458

Thaçi uron një vit të mbarë

0

Thaci7-03Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka uruar të martën qytetarët e Kosovës që viti 2014 të jetë vit i mbarë dhe i suksesshëm.

Ai në rrjetin social Facebook në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës uroi të gjitha familjet kosovare për sa më shumë shëndet, mirëqenie e gëzim në vitin e ardhshëm.

“Shpresoj që ky mesazh imi t’ju gjej me shëndet të plotë juve dhe njerëzit tuaj më të dashur. Uroj që ky vit të finalizohet për juve dhe familjen tuaj me sa më shumë arritje dhe gëzime e që viti i ardhshëm të na rezervojë të gjithëve më shumë mbarësi dhe suksese.

Urimet më të përzemërta ia dërgoj gjithashtu të gjithë shqiptarëve kudo që janë! Gëzuar dhe qoftë sa më i mbarë për të gjithë ne Viti i Ri 2014!”, u shpreh kryeministri.

Viti 2014 – Vit i kthesës për UP-në

0

UP-rektoratiKëshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, si organi më i lartë i këtij institucioni, në kuadër të kompetencave dhe të përgjegjësive të veta, gjatë vitit të shkuar ka zhvilluar një sërë aktivitetesh për avancimin e punës mësimore dhe shkencore në UP.

“Për herë të parë në historinë e këtij Universiteti, KD-ja e ka hartuar Planin Strategjik trevjeçar me të gjitha specifikat dhe detyrat konkrete të zbatimit të tij. Ky plan është mbështetur në Planin Strategjik për Zhvillimin e Arsimit 2011-2016 dhe në Programin Kombëtar të Shkencës 2010-2015, por që, për habinë e të gjithëve, ky dokument akoma nuk është publikuar në faqen e Universitetit”, thotë komunikata.

Këshilli Drejtues e ka krijuar infrastrukturën e domosdoshme, si dhe ka hartuar një varg rregulloresh të rëndësishme, duke përfshirë edhe Rregulloren për kodin e etikës, Rregulloren për themelimin e instituteve në kuadër të njësive akademike, që në një fazë të parë ka rezultuar me krijimin e instituteve në Departamentin e Biologjisë dhe të Matematikës, si dhe Rregulloren për krijimin e teatrit në kuadër të Fakultetit të Arteve, por dhe akte të tjera të domosdoshme për punën në UP.

Në kuadër të angazhimeve për sigurimin e infrastrukturës dhe të kushteve të punës në UP, Këshilli Drejtues, në bashkëpunim edhe me menaxhmentin, i ka nisur procedurat për ndërtimin e objektit të ri të FSHMN-së, gjë që pritet të realizohet vitin që vjen, si dhe ka vazhduar me zbatimin e projekteve ekzistuese, përfundimin e aneksit në Fakultetin Ekonomik, rregullimin e kampusit të Universitetit, si dhe punë të tjera infrastrukturore në disa njësi akademike.

Lidhur me zhvillimet e fundit, që u karakterizuan edhe me zbardhjen e disa shkeljeve të rënda në Universitet, kryesisht gjatë 3-4 vjetëve të fundit, Këshilli Drejtues e ka shprehur shqetësimin e vet serioz, duke qenë edhe vetë iniciator i masave konkrete ndaj shkelësve të ligjit. Këshilli Drejtues i UP-së, gjatë gjithë këtij viti, e ka inkurajuar në vazhdimësi menaxhmentin dhe rektorin, që, në kuadër të kompetencave që kanë, të bëjnë gjithë ç‘është e mundur, me qëllim të kthimit të imazhit pozitiv, por edhe të normalitetit në këtë institucion të shkencës dhe të dijes në Republikën e Kosovës.

“Begu” i Malishevës

0

RagipBegaj-IQPMKryetari i Malishevës,Ragip Begaj në vitin 2013 ka arritur të fitojë përballë ish-shefit të tij,Isni Kilaj të PDK-së dhe kandidatit të LDK-së, Sali Morina.

Ai bashkë me disa aktivistë të PDK-së, kishte formuar Iniciativën Qytetare për Malishevë. Kjo iniciativë në zgjedhjet e 3 nëntorit ka qenë pjesë e garës me subjketet e tjera politike. Pas mbështetjes së Fatmir Limajt IQM-ja në Malishevë arriti t’i shkrijë shumë nëndegë të PDK-së në këtë qytet.

Përkundër premtimeve të shumta që kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi i bërë për qytetin e Malishevës, votuesit me 3 nëntor u përcaktuan për IQM-në e Ragip Begajt. Ai arriti që në balotazh të mposhtë Sali Morinën e LDK-së, derisa ish-kryetari nga radhët e PDK-së,Isni Kilaj, ka mbetur jashtë balotazhit. Begaj në katër vitet e ardhshme, do të jetë kryetar i Malishevës. /PrizrenPress.com/

Viti i sfidës

0

Ramadan Muja 2Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, bashkë me pesë drejtorët e tij, në vitin 2013-të është ballafaquar me aktakuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Prokuroria e EULEX-it.

Edhe pse gjatë tërë kohës së fushatës zgjedhore të 3 nëntorit, ishte i detyruar të shkonte në Gjykatën Themelore të Prizrenit, besimi i votuesve nuk ishte luhatur për Ramadan Mujën. Për të tretën herë radhazi, ata e votuan Mujën për të udhëhequr Komunën e Prizrenit. Për të fituar edhe një mandat, Mujës i patën ardhur në ndihmë Qeveria e Kosovës, bashkë me dy kryeministrin e Turqisë, Taip Erdogan dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama.

Në fund të shkurtit të 2013-s Prokuroria e EULEX-it ka ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja dhe pesë drejtorëve të tij,me dyshimet se ata kanë shpërdoruar detyrat apo autorizimet zyrtare gjatë vendimmarrjes për ndarjen e tokës komunale,moszbatimin e një aktgjykimi të Gjykatës Supreme dhe ndalimin e gjeodezistëve për të dhënë ekspertizë në gjykatë.

Gjykimi i Ramadan Mujës ka nisur me 25 mars dhe do të vazhdojë në muajt e parë të 2014-s. Gjykata Themelore në Prizren,në fund të janarit ose në fillim të shkurtit do të jep verdiktin përfundimtar për kryetarin Muja dhe pesë drejtorët e tij.

Përkundër aktakuzës së ngritur nga EULEX-i dhe skandaleve të tjera në urbanizëm,arsim,shëndetësi dhe dikastereve të tjera, Ramadan Muja i PDK-së,ka arritur të fitojë garën zgjedhore përballë kandidatit të LDK-së, Eqrem Kryeziut. Nëse do t’i shpëtojë ndonjë dënimi nga gjyqtarët e EULEX-it, Muja edhe për katër vitet e ardhshme do të jetë kryetar i Prizrenit./PrizrenPress.com/

 

 

Fituesi i betejës me drejtësi dhe garës zgjedhore

0

SaliAsllanaj-ldkKryetari i rizgjedhur i Suharekës, Sali Asllanaj , gjatë vitit të kaluar është përballur me akuzën e Prokurorisë se më 27 gusht të vitit 2008, kishte nënshkruar paligjshëm marrëveshjen për shfrytëzimin e tokës ndërtimore në pronësi shoqërore, duke ia mundësuar ndërmarrjes “Benaf”, ndërtimin e një strukture afariste banesore me garanci për shfrytëzim të përhershëm të ngastrës kadastrale. Pas disa seancave gjyqësore, Asllanaj në korrik të vitit 2013-s, kishte fituar betejën me drejtësin. Prokuroria në mungesë të dëshmive është tëhequr nga aktakuza dhe ai është shpallur i pafajshëm.

Deputeti i Parlamentit të Kosovës nga radhët e LDK-së, në zgjedhjet e vjeshtës i është kthyer garës për kryetar të Suharekës,pas humbjes që kishte pësuar nga kandidati i AAK-së, Blerim Kuçi.

Në nëntor të këtij viti, ai ka arritur të fitojë garën zgjedhore përballë kandidatit tjetër të AAK-së, Bali Muharremaj.Asllanaj për katër vitet e ardhshme do të jetë kryetar i Suharekës./PrizrenPress.com/

Diplomacia në shtëpinë e Pashës në Prizren

0

Nijazi Kryeziu dhe Enver HoxhajNjë objekti në qendër të pjesës së vjetër të qytetit të Prizrenit po i rikthehet fama që kishte qysh në vitin 1878, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Atëbotë, shtëpia e Shuaip Pashë Spahisë ishte konaku më i bukur në Prizren. Ndërsa, pronari i këtij konaku, vet Shuaipi ishte zgjedhur ministër i Ekonomisë dhe Financave i Qeverisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për shkak të bukurisë që kishte shtëpia e tij dhe nevojës së asaj qeverie për asete, Shuaip Pasha kishte vendosur që konakun e tij t’ia falë Qeverisë. Pak vite më vonë, në këtë shtëpi, ishte vendosur misioni diplomatik austro-hungarez. Ndërsa, vite më vonë, shtëpia e ministrit ishte shfrytëzuar edhe nga aktori i njohur shqiptar Bekim Fehmiu i cili ka jetuar për një periudhë të jetës së tij në këtë ndërtesë. Këtë fakt, Fehmiu vet e ka të theksuar në autobiografinë e tij. Prej dekadash, pas shfrytëzimit të ndërtesës nga ana e Fehmiut, ajo kishte filluar të dëmtohej deri në rrënim, ndërsa disa herë persona të pandërgjegjshëm kanë tentuar ta ndezin. Në shkatërrim e sipër të objektit, Kuvendi Komunal i Prizrenit më në fund ka reaguar për ta shpëtuar. Kështu u vendos që ky objekt dhe prona rreth tij të shpallet në interes të përgjithshëm dhe të shpronësohet. U propozua edhe kompensim për familjen që është trashëguese e kësaj prone. Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prizrenit, i cili nënshkroi vendimin për shpalljen në interes të përgjithshëm të objektit në fjalë, Nijazi Kryeziu, ka treguar për Tribunën për rëndësinë e këtij objekti dhe procedurat që janë ndjekur deri në marrjen e objektit në pronësi të Komunës.

Kryeziu ka shpjeguar se Kuvendi Komunal, kur ka vendosur ta marrë objektin nën pronësi, e kishte parasysh idenë që atë objekt t’ia jep në shfrytëzim Akademisë Diplomatike të Kosovës. “Me vendim të Kuvendit Komunal, ai objekt i është dhënë në shfrytëzim Akademisë Diplomatike të Kosovës. Ajo pronë ku do të vendoset Akademia Diplomatike në fakt është shpallur zonë me interes të veçantë dhe komuna e ka tani në pronësi. Edhe pse ende juridikisht prona është në kontest pronësor me familjen që e ka poseduar si trashëgimtare atë pronë. Por ne në Kuvendin Komunal kemi marr vendim për shpronësim si dhe kompensim të asaj prone me interes të përgjithshëm. Pra ligjërisht qëndrojmë mirë”, ka thënë Kryeziu.
Fazën e parë të renovimit të objektit e ka financuar vet komuna e Prizrenit me buxhet të saj, si pronare legale tanimë e shtëpisë. “Renovimi fillestar i rimëkëmbjes së shtëpisë së vjetër është kryer nga Komuna. Tani po kryhet faza finale e punëve, apo pjesa dekorative e objektit. Objekti po bëhet afërsisht ngjashëm siç ka qenë atëkohë kur është ngritur, me ato dizajne klasike. Punët finale të objektit tani janë nën organizimin dhe financimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme si shfrytëzuese e objektit”, ka thënë Kryeziu,shkruan Tribuna.

Shtëpia e Shuaip Pashë Spahisë i cili ka qenë ministër i Ekonomisë dhe Financave i dalë nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit është bërë e famshme kur vet Spahija siç thuhet ia ka dhuruar Qeverisë së atëhershme shtëpinë e tij si seli për shkak se thuhet se ajo shtëpi ishte konaku më i mirë në Prizren. “Për një kohë të gjatë, pas lidhjes shqiptare të Prizrenit, kjo shtëpi thuhet se ka shërbyer si seli diplomatike e austro-hungarezëve”, ka thënë ai.
Kryeziu është i bindur se Akademia Diplomatike do t’ia kthejë Prizrenit namin e dikurshëm dhe dinjitetin si një qytet që do të përgatisë diplomatët e rinj të Republikës së Kosovës por edhe diplomatë që do të shkollohen aty nga Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit. “Qysh e kemi ne Akademinë e brishtë, pra të re, sikur qysh e kemi edhe diplomacinë e re, besoj shumë se kjo Akademi Diplomatike e vendosur në një vend me histori diplomatike, do tu ndihmoj gjitha trojeve shqiptare. Ky projekt do ta ketë mbështetjen e komunës për të gjitha nevojat që ka”, ka thënë Kryeziu.

MPJ në pritje për dislokimin e Akademisë Diplomatike në Prizren

Akademia Diplomatike e Kosovës e cila pritet të vendoset në objektin që tashmë e ka nën shfrytëzim në Prizren, tanimë ka filluar punën e saj gjatë këtij viti. Deri tani janë organizuar një sërë trajnimesh, të ofruara ekskluzivisht nga institucione me renome botërore në fushën e diplomacisë. Siç ka treguar Artan Behrami, drejtor i Zyrës për Informim në Ministrinë e Jashtme, Akademia Diplomatike e Kosovës aktualisht posedon një zyrë në kuadër të ndërtesës së Komunës së Prizrenit si dhe ka një kontakt zyrë në kuadër të MPJ-së, prej nga zhvillon kontaktin e drejtpërdrejtë me administratën e MPJ-së si dhe me institucionet ndërkombëtare në Prishtinë. “Meqë ndërtesa e Shuaip Pashës ende nuk është e përfunduar nga ana e brendshme, dhe duke qenë se janë të nevojshme mjete financiare për ta funksionalizuar, mbetet të funksionojmë nga dy qendra”, ka thënë Behrami. Ai ka treguar edhe se si kanë ardhur deri tek vendosja për marrjen në shfrytëzim të shtëpisë së Shuaip Pashës në Prizren. “Duke kërkuar ndërtesë reprezentative për të vendosur Akademinë Diplomatike, ndërtesa e Shuaip Pashës na është propozuar nga autoritetet e Kuvendit Komunal të Prizrenit. Meqë është në qendër të pjesës së vjetër të qytetit, jo larg shatërvanit, mendojmë se Akademia Diplomatike e situuar në Konakun e Shuaip Pashës, do të mbaj epitetin e një institucioni prestigjioz”, ka thënë Behrami.

Aktualisht, për shkaqe të mungesës së financave, Akademia Diplomatike ka pak staf, ndërsa Ministria e Jashtme po përgatitë bazë të re ligjore për ta funksionalizuar sa më shumë dhe për të shtrirë aktivitetin e Akademisë dhe për të ngritur kapacitetet diplomatike të vendit përmes përgatitjes së kuadrove të reja. “Akademia Diplomatike udhëhiqet nga Drejtori i saj. Për shkaqe buxhetore, ajo do të vazhdon që edhe gjatë vitit 2014 të ketë dy zyrtarë të lartë dhe një asistent. Meqë është punuar drafti i parë i Ligjit për Akademinë Diplomatike i cili do të ngritë kapacitetet e kuadrit, pretendojmë që të trajnojmë numër optimal të diplomatëve junior, ata me gradë të mesme dhe diplomatë sendor”, ka thënë Behrami. Pëër ti realizuar këto qëllime, Behrami ka thënë se tashmë janë nënshkruar Memorandume të Mirëkuptimit me shume institucione prestigjioze ndërkombëtare, si: Instituti Diplomatik Holandez – Clingendael (MoU trevjeçare); Institutin e MPJ-së së Kroacisë; Marrëveshje me Akademinë Diplomatike të Vjenës, etj. “Akademia ka punuar strategjinë e punës dhe kurrikulen e saj, si dhe ‘induction cours’ për diplomatët që do të shkojnë në misione diplomatike”, ka thënë Behrami.

Haradinaj: Hashim Thaçin e mbështeta për tema nacionale

0

Ramush Haradinaj 1Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se ka pritur që zgjedhjet lokale të 2013-s të kenë rezultat tjetër për partinë e tij, dhuke theksuar se nuk është aspak i kënaqur me arritjen e partisë.

“Kemi punuar për rezultate më të mira, kemi shpresuar, kemi pritur. Them të drejtën nuk jemi të kënaqur me rezultatin në zgjedhjet komunale. Kemi humbur në disa komuna, kemi fituar një komunë të re, por si rezultat nuk e çmojmë si fitore”, ka thënë Haradinaj për Bota sot.

I pari i AAK-së thotë se kryeministrin Hashim Thaçi e ka mbështetur për tema nacionale.

“Unë i kam dhënë mbështetje temave nacionale. Veriu ka qenë edhe një kancer për Kosovën, është një temë e pazgjidhur, është një brengë, një problem real që po na kushton edhe në zhvillim ekonomik, që po na kushton edhe në marrjen e njohjeve”, theksoi Haradinaj.

Së fundmi, Haradinaj pati deklaruar se bisedimet pas 19 prillit e kanë zbehur dhe shpenzuar arsyen e tij. Por që në këto bisedime edhe pas 19 prillit po vazhdon të marrë pjesë njeriu i dytë i AAK-së, Blerim Shala.

“Nëse dikush nga PDK-ja e sulmon Haradinajn dhe AAK-në në tërësi, AAK-ja dhe Haradinaj do t’i kthehen atij në nivelin qendror deri në fund. Pra ne e kemi bërë këtë dhe nuk do të durojmë. Ne e dimë se shumia e tyre shpifin, edhe kryetari i Pejes e di se ka shpifur, sepse ai, por edhe të tjerët rreth thij, e dinë se nuk është ashtu çka thotë ai”, ka shtuar Haradinaj./Bota sot/

Adem Demaçi: 2013-ta, vit “baksuz”

0

Adem DemaciVeprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, vitin 2013 e ka quajtur vit “baksuz”. Sipas tij, gjatë këtij viti qytetarët e shtetit të Kosovës janë stërmbushur me mashtrime e zhgënjime.

“Qytetarët janë stërmbushur me zhgënjime e me mashtrime”, ka thënë Demaçi në intervistën për “Epokën e re”.Por, Demaçi ka thënë se populli shqiptar është populli më optimist në botë. “Mund të krenohemi që jemi populli më optimist në botë”, ka theksuar ai, duke shtuar se vetëm shpresa ka qenë ajo që nuk u ka humbur asnjëherë shqiptarëve.

“E mira më e madhe është se, pavarësisht asaj se shumë të drejta po na i marrin një nga një, shpresën nuk po na marrin dot. Shpresa po na thotë se një ditë do të bëhet mirë”, ka deklaruar Demaçi.

Ai ka vlerësuar se Kosovën gjatë këtyre 12 muajve e kanë karakterizuar një serë ngjarjesh të këqija, të cilat nuk ka dashur t’i përmendë për të mos e prishur atmosferën e festës së Viti të Ri. “Ato janë aq të shumta saqë po t’i numëroja do të na prishej me themel atmosfera e pritjes së Vitit të Ri 2014”, ka theksuar Demaçi.

Për simbolin e rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, ngjarja më mbresëlënëse e 2013-s ka qenë rënia e Isa Mustafës dhe fitorja e Shpend Ahmetit. Kurse në aspektin kombëtar fitorja e Edi Ramës.

“Në planin global, ngjitja mahnitëse e gjithëmbarshme ekonomike, shkencore, teknike e teknologjike e popullit mik kinez; në planin kombëtar, fitorja bindëse e Edi Ramës në zgjedhjet e qershorit në Shqipëri dhe në planin e treçerek Kosovës, rënia e papritur e z. Isa Mustafës në komunën e Prishtinës dhe fitorja e papritur e Shpend Ahmetit të VV-së, si dhe koncerti i mrekullueshëm i orkestrës frymore të FSK-së nën dirigjimin brilant të dirigjentit Baki Jashari me rastin e përcjelljes së vitit ‘baksuz’ 2013”, ka deklaruar Demaçi. /Epoka e re/

Vdiq Hans Haekerrup, ish-Kryeadministratori i UNMIK’ut

0

Hans HaekkerupHans Haekkerup, ish-ministri danez i Mbrojtjes, i cili në vitin 2001 ishte kreu i misionit të UNMIK’ut në Kosovë, ka vdekur pas një sëmundjeje të gjatë dhe është varrosur sot.

Haekkerup (68) ishte anëtar i Partisë Social Demokratike danez.

Anëtar i Parlamentit të Danimarkës u bë në vitin 1979. Në vitin 1993 mbajti postin e Ministrit të Mbrojtjes, ndërsa në vitin 2001 erdhi në Kosovë si pasardhës i Bernard Kouchner në postin e Përfaqësuesit Special të Kombeve të Bashkuara.

Opinioni shqiptar e mban në mend atë për të keq, pasi që ai nënshkroi një marrëveshje – e konsideruar e dëmshme për Kosovën – me përfaqësuesin e Qeverisë serbe, Nebojsha Qoviq.

Ndërsa, B92 shkruan se ai mbahet mend për mbartjen e zgjedhjeve të para në Kosovë, të cilat sipas tyre, ishin hapi i parë drejt shpalljes së pavarësisë që ndodhi në vitin 2008.

Po, Hashim Thaçit për Çmimin Nobel

0

ArturZheji-gazetarARTUR ZHEJI

Në këtë rrokopujën tonë të përditshme tiranase, pakkush ka pasur në fokus të vëmendjes së vet apo të vëmendjes kolektive propozimin e një grupi nismëtar senatorësh të Shteteve të Amerikës, që ka lidhje me dhënien e Çmimit Nobel për Paqen, Kryeministrit shqiptar të Kosovës, Hashim Thaçi.

Që të sqaroj në mënyrë ironike kundërshtarët politikë të Thaçit, ky nuk është një propozim, i cili lind dhe aq më tepër që votohet në Kosovë dhe në Shqipëri. Sepse dihet se është vështirë që ndër ne një gjë e tillë do të mund të ndodhte.

Thaçi, së bashku me baroneshën Ashton dhe Kryeministrin serb Daçiç, për shkak të ecurisë së bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës, aspak popullore as në Prishtinë dhe as në Beograd, kanë transmetuar perceptimin ndërkombëtar se ata kanë vullnet për të zgjidhur shumë nga çështjet e mbetura pezull ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Personalisht, si opinionist, bëj pjesë ndër ata që kam pasur një sens jo të vogël kritik për “lëshimet” disi të shumta, që pala shqiptare i ka bërë palës serbe.
Mirëpo termi “lëshime”, që të marrë kuptim, duhet sqaruar. Në politikën ndërkombëtare, që të bësh lëshime ose shtrëngime, duhet të kesh, në të dyja rastet:

Forcë!
Ose pra, një forcë ushtarake, ekonomike dhe gjeopolitike, të tillë, saqë të mund të imponohesh për të maksimalizuar deri më një kërkesat e vendit që përfaqëson ose një forcë superiore morale për të lëshuar në emër të besimit të plotë, që sot po mbjell një proces tolerance të vuajtur dhe të vështirë, për një të nesërme së paku njëshekullore:

Paqe të qëndrueshme dhe të gëzueshme, midis të dy vendeve ish- armike për vdekje.Mendoj se as Hashim Thaçi dhe as Kosova nuk i ka këto mjete të forcës superiore apo këto iluminime sublime. Kosovës dhe Hashimit dhe kujtdo tjetër që do të qeveriste fatet e Kosovës apo edhe të Serbisë, do t’i pëlqente forca superiore mbi tjetrin.

Serbia e provoi rrugën e forcës dhe të aventurës ushtarake. Fort dhe përgjakshëm sa më s’ka. Dhe humbi. Thekshëm dhe përgjakshëm sa më s’ka. Por askush nuk mund të thotë sot me siguri se Serbia, në indet e saja më të thella kulturore apo politike, është penduar përfundimisht për këtë. Ndoshta është penduar vetëm për taktikën, kohën dhe rrugën e zgjedhur. Të cilat, pa dyshim, kishin elemente marrëzie dhe radikalizëm delirant. Të papranueshëm për kohërat që jetojmë dhe në rajonin europian, ku dhe ndodhemi.

Kosova rezistoi fort dhe përgjakshëm. Aq sa mundej dhe me gjithë ç’mundej. Bashkësia Ndërkombëtare, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, na mbështetën. Fort dhe ashpër dhe drejtësisht sa më s’ka!

Kështu pra, situata midis dy vendeve u ndreq, por nuk u shërua dhe as mund të shërohet për një kohë ende të gjatë. Pasiqë plagët e marra janë gdhendur thellë në kujtesë. Plagë të freskëta, të cilat u mbivendosen plagëve më të vjetra historike, të cilat datojnë në mënyrë ciklike, në të paktën dy shekuj. Shekuj të zymtë, ku shfarosja e shqiptarëve ishte një strategji dhe një praktikë pothuajse e përhershme.

Askush nuk mund të ketë besimin se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës janë dhe do të jenë marrëdhënie midis vendesh thelbësisht të sinqerta. Lufta e vërtetë diplomatike synon vendosjen në ekuilibër të këtyre marrëdhënieve. Një ekuilibër sa më i qëndrueshëm dhe sa më pragmatist.

Përkundrazi pra, pikërisht në mossinqeritetin e deklaruar të këtyre marrëdhënieve shqiptaro-serbe, ka, për paradoks, më shumë garantizëm. Sepse ka shumë më pak iluzione. E pra, ka kushtet e duhura, për më shumë realpolitikë ndërmjet të dy vendeve.

Më shumë realizëm dhe konkretësi, sepse janë interesat që vendosin dhe jo idetë fluturake dhe sentimentale.

Dhe ky është një hap i vërtetë përpara. Një nga hapat e mundshëm, në sfondin e marrëdhënieve të këqija historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lakmitare.
Në këtë dimension dhe në këtë terren të lojës diplomatike, roli i Hashim Thaçit ka qenë dhe mbetet ekselent.

Thaçi është rrëfyer befasues përkundrejt çdo parashikimi në këtë garë publike dhe ndërkombëtare për realizëm, e cila lartësohet si ngrehinë, pikërisht përmbi mosbesimin reciprok të palëve që negociojnë.

A nuk është kjo një qasje virtuoze?

Edhe Brukseli, nga ana tjetër, nuk ushqen ndonjë iluzion romantik për të ardhmen gjeopolitike të të dy vendeve. Që të mund të quhen të tilla, duhet që njëra palë, me dhimbje ose jo, të heqë dorë nga Kosova.

Ose pra, shqiptarët të heqin dorë nga Kosova, një absurd ky i pamundur, ose serbët të njohin pavarësinë e Kosovës njëherë e mirë, që me sa duket është dhimbje kulturalisht dhe politikisht e papërballueshme ende për ta.
Mirëpo shëndeti i marrëdhënieve, me sëmundjen e pashërueshme të armiqësisë, si dhe është rasti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kushton shumë shtrenjtë.

Kushton shtrenjtë në terma financiarë. Sepse, asistentët ndërkombëtarë të kësaj paqeje të armatosur, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë financuar dhe financojnë nga xhepi i taksapaguesve të tyre miliarda euro. Dhe miliarda euro të tjera janë vënë në radhë për t’u shpenzuar dhe ndërkohë ka mosbesim të madh se mund të shërohet ndonjëherë përfundimisht kjo marrëdhënie dhe palët të dalin jashtë rrezikut të luftës. Nëse ndërkombëtarët lënë fushë të lirë dhe largohen pa e kthyer kokën pas, gueriljet, bombat dhe më pas, lufta, në një formë ose tjetër, do të ishte te pragu. Ky është një përfundim me të dhëna bindëse dhe me prova ende të përditshme.
Sepse mendjet e serbëve dhe shqiptarëve nuk janë ende sot, mendje të çarmatosura.

Por le të sqarojmë, serbët në dëshirën e tyre për aneksimin e Kosovës dhe shqiptarët në mbrojtjen e pavarësisë së tyre. Dhe kjo është një kokëçarje e madhe. Shumë e madhe, aq më tepër në kuadrin e një krize ekonomike globale.
Në këtë dilemë, Brukseli dhe Washingtoni politik janë të interesuar, pra, për vendosjen e një ekuilibri sa më të qëndrueshëm ndërmjet të dy vendeve. Duke ndjekur doktrinën që thotë: se marrëdhëniet në ekuilibër shpenzojnë shumë pak ose aspak energji. E pra, kësisoj, qeverisja e këtyre marrëdhënieve të kushtojë më pak. Dhe prezenca ndërkombëtare të mund të zvogëlohet sa më shumë, së bashku me shpenzimet përkatëse.

Në këtë sfond, takimet Thaçi-Daçiç dhe “kujdestarja” Ashton, përtej formës dhe kartolinave, po krijojnë hap pas hapi një përmbajtje.
Thaçi po e “paguan” këtë përmbajtje të re me rënie të votave në Kosovë, ndërkohë që serbët e Kosovës dhe Beogradi duket në aparencë se ka fituar shumë terren.

Mirëpo një specialist i paanshëm, që nuk ka një prapavijë interesash politikë elektoralë, e kupton mirë që nuk është kështu. Vërtet serbët në Kosovë kanë bërë disa hapa përpara, por ndërkohë në dimensionin e përgjithshëm kanë bërë shumë hapa të mëdhenj prapa. Ose, më saktë, kanë bërë de facto hapa konkretë drejt njohjes së Kosovës. Hapa të cilët nuk mund t’i zhbëjnë dot, pa një kosto të rëndë në marrëdhëniet ndërkombëtare me Bashkimin Europian, për të cilin Beogradi ka kaq shumë nevojë jetike.

Këtu Hashim Thaçi ka rrëfyer një talent të dorës së parë. Sepse kjo është një “fushëbetejë” aspak e drejtpërdrejtë dhe kërkon një intuitë të pazakontë në politikën e jashtme.

Duke qenë një njohës i debateve të ashpra që zhvillohen në Kosovë në lidhje me figurën e Hashim Thaçit, pajtohem se nuk është ai “kryeluftëtari” i luftës çlirimtare të Kosovës. Por nuk pajtohem nëse ka ose jo një kryeluftëtar Kosova, sepse mendoj se forca e betejave është një meritë kolektive.

Mund të pajtohem se ai, Thaçi pra, nuk është as dervish, as murg dhe as asket. Mund të pajtohem gjithashtu se jeton mirë dhe se është i rrethuar nga privilegje dhe kamje të bollshme.

Porse në të njëjtën kohë pajtohem edhe me një gjë tjetër.
Ai, Hashim Thaçi, disa herë rresht dhe si askush tjetër, rezultoi njeriu i duhur dhe në kohën e duhur për Kosovën.

Në krye të UÇK, në vitet e zymta të mosbesimit global për çlirimin e Kosovës.
Në Rambuje, kryenegociator kryeneç dhe i vështirë dhe përkrah Sekretares Amerikane të Shtetit, Margaret Albright.

Në krye të punëve të Kosovës deri në zgjedhjet e para të hapura dhe korrekte të Kosovës në vitin 2001.

Dhe tani së fundmi, si një kryeministër diplomat i klasit të parë. Pavarësisht se në mjaft raste disi i vetmuar dhe aspak “popullor” elektoralisht, për interesat e ngushtë dhe të vet partiakë.

Çmim Nobel pra për Paqe, për Hashim Thaçin?!

Sigurisht Po!
Për meritat e tija dhe për përfitimin e shqiptarëve. Sepse një nobelist më shumë ndër shqiptarët na bën nder të gjithëve. Dhe është në njëjtën kohë, një Nobel për një kryeministër shqiptar, është një garanci e madhe për imazhin e Kosovës në botën dhe qytetërimin ku jetojmë.
Sigurisht që këto arsye madhore nuk do të pengojë, si e kemi zakon ne shqiptarët, që, për armiqësi politike apo xhelozi personale, të shkojnë varg e varg aty ku s’duhet, kontestime dhe përgojime, për nominimin e Hashim Thaçit, nobelist.

Jo vetëm nga Serbia, por ndoshta më së shumti edhe nga ne. Ndonëse të gjithë e dimë, që këto kontestime, nëse bëhen, burojnë nga mllefe përmbajtësisht të vogla.

Frytet e proceseve të tilla, në krye të të cilave është vendosur Hashim Thaçi, nuk janë të menjëhershme. Dhe shpesh, qëllimi nga njëra anë dhe mjeti i përdorur, nga ana tjetër, duken rrejshëm në pamje të parë si kontradiktore ndërmjet tyre.

Thaçi e ka zgjidhur këtë ekuacion, i cili për shumëkënd mbetet ende një gjëegjëzë. Dhe kjo është një meritë, pa dyshim parësore.