Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff ka deklaruar se gjykata për krime luftë që supozohet që janë bërë në Kosovë do të jetë “gjykatë kosovare, por nën ombrellën e EULEX-it” dhe do të gjykoj sipas ligjeve të Kosovës.
Cliff iu ka thënë gazetarëve në Fushë Kosovë që prokurorët dhe gjyqtarët do të jenë nga bashkësia ndërkombëtare, derisa selia e gjykatës do të jetë në Kosovë dhe në Holandë.
“Qeveria e Britanisë së Madhe vlerëson se është absolutisht e nevojshme formimi i asaj gjykate, e cila nuk është e drejtuar kundër Kosovës dhe UÇK-së. Gjykata do të merret me krime individuale”, ka thënë Cliff.
Ai ka theksuar se zgjatja e mandatit të EULEX-it edhe për dy vite është e rëndësishme për edhe për shkak të gjykatës për krime lufte. /Indeksonline/
Cliff: Tribunal kosovar, por nën ombrellën e EULEX-it
KMDLNj: Një Tribunal për të gjitha krimet në Kosovë
?
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar që të krijohet një Tribunal për të gjitha krimet në Kosovë përkatësisht një Tribunal për viktimat e dhunës.
Më poshtë po e sjellim letrën e plotë të KMDLNj’së:
Paralajmërimi në heshtje më herët mediale e sidomos institucionale se është në formim e sipër Tribunali për Kosovën apo Tribunali për krimet e UÇK-së tash duket se ka marrë formë dhe përmbajtje e cila do të përligjet në Kuvendin e Kosovës me votat e 2/3 të deputetëve të këtij Kuvendi. Tash, kur jemi para një akti dhe një fakti të kryer po zgjidhen format e ambalazhimit të jashtëm për t’ua “ruajtur fytyrën” bartësve të lartë të këtyre institucioneve të cilët, së paku para një viti kanë qenë të informuar ( pa u kërkuar pëlqimi i tyre ) se ky tribunal do të formohet nga ndërkombëtarët që caktojnë rregulla në Kosovë se si duhet të jetohet, që nga çasti i lindjes e deri te koha kur duhet të vdiset.
Kjo është Kosova e ditëve tona! Ky është realiteti që nuk na pëlqen por që nuk bëjmë fare përpjekje ta ndryshojmë. Për ta “zbutur” situatën tash po luhet me terminologji gjuhësore; jo nuk është ky Tribunal ( të mos asociohet me Tribunalin e Hagës ), jo nuk do të jetë Gjykatë Speciale por një Dhomë e Veçantë brenda sistemit të drejtësisë të Kosovës që nuk është aspak e vërtetë! Jo ky Tribunal, Gjykatë Speciale apo Dhomë e Veçantë nuk do të ketë të drejtë të rihapë raste të reja por do të merret me rezultatet e hetimeve të Task Forcës, në me krye prokurorin amerikan Viliamson që doli si rezultat i një raporti çoroditës të senatorit zviceran Dik Marti, edhe ai ish prokuror për dyshimet se pjesëtarët e UÇK-së paskan kryer krime kundër civilëve serbë duke i marrë peng dhe duke i dërguar në Shqipëri. Si përfundim i këtij raporti çoroditës të senatorit Dik Marti del se viktimave u janë marrë organet të cilat pastaj qenkan trafikuar!! Kështu deklaronte edhe ish prokurorja e Tribunalit për Krime Lufte për ish – Jugosllavinë Karla del Ponte pasi e pati përfunduar mandatin dhe pasi nuk u rizgjodh si prokurore!
Kështu deklarojë edhe Bruno Vekariq, prokuror për krime lufte në Beograd. Këtë e përkrahin edhe disa parti apo politikanë projugosllavë të Kosovës të cilët presin me padurim, si korbat që përsëri ta marrin shtetin pa pushtet!
Gjithashtu, për t’ua “ruajtur fytyrën” bartësve të institucioneve u është lënë mundësia që Kuvendi i Kosovës të votojë edhe për vazhdimin e mandatit të EULEX-it por edhe për formimin e Tribunalit të Kosovës ndryshe këtë do ta bëjë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara! Unë nuk shoh këtu fare dallim! Madje, do të ishte ndoshta edhe më mirë që ky Tribunal të formohet nga OKB-ja. Realisht, në rrethanat aktuale, PDK,AAK (shkaku se rrezikohen shumë pikërisht nga ky Tribunal) dhe VV për shkaqe parimore (ndonëse edhe këtu mund të ’’shkëputet’’ ndonjë kokë nga Tribunali) vullnetarisht nuk do të votonin për formimin e këtij Tribunali. Partitë e tjera, duke shfrytëzuar lirinë e shprehjes si vlerë demokratike, verbalisht e kundërshtojnë, formimin e Tribunalit për Kosovën (për krimet e UÇK- së) ndërsa, në të vërtetë i fërkojnë duart nga gëzimi, se më në fund “kriminelët” e luftës dhe “kriminelët” e UÇK-së do të përfundojnë në burgje ndërsa, pushteti do t’u dhurohet në pjatë! Këtu qëndron pandershmëria dhe dyfytyrësia e tyre! Jo se duan drejtësi për viktimat që do të ishte krejt e natyrshme dhe e pranueshme.
Si aktivist shumëvjeçar për të drejta të njeriut dhe të drejta kombëtare nuk e kundërshtoj formimin e asnjë Gjykate, Tribunali, Dhomë Speciale apo quaje si të duash, që për qëllim ka ndriçimin e vrasjeve gjatë luftës në Kosovë në periudhën 01 janar 1998 – 12 qershor 1999. Viktimat i trajtoj si viktima pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, të moshës, gjinisë, bindjeve politike, statusit social etj. dhe angazhohem në radhë të parë në mbrojtje të viktimave. Gjithashtu, as të dyshuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nuk i dalloj në baza etnike, fetare, gjinore, të moshës, bindjeve politike apo statusit të tyre social. Mbroj qëndrimin personal dhe të KMDLNj-së se të gjithë ata që kanë bërë krime në Kosovë gjatë luftës e që kanë shkelur zakonet e luftës dhe Ligjin për të Drejtën Humanitare duhet të dalin para gjyqit dhe duhet të marrin dënimin e merituar!
A munden gjykatat e formave me vendime politike t’i shpaguajnë vuajtjet e viktimave dhe familjeve të tyre dhe t’i dënojnë përgjegjësit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit:
– Praktika e deritanishme tregon se këto gjykata nuk kanë pasur qëllim vendosjen e drejtësisë dhe dënimin e kriminelëve por vendosjen e një baraspeshe politike, ruajtjen e sigurisë dhe interesat ekonomike të palëve ndërluftuese si dhe atyre vendimmarrëse.
1. Tribunali për Krime Lufte për ish Jugosllavinë në Hagë ka qenë Gjykatë e themeluar nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe i financuar nga shtetet anëtare prandaj asnjëherë nuk ka qenë i pavarur në marrjen e vendimeve. Gjithmonë i është nënshtruar presioneve politike dhe për këtë arsye kryeprokurorja e parë e këtij Tribunali, znj. Luiz Arbur, kanadeze pati dhënë dorëheqje. Shtetet ku ishin strehuar të dyshuarit për krime lufte nuk kanë treguar gatishmëri të bashkëpunojnë me Tribunalin e Hagës deri në çastet kur ndaj tyre është bërë presion nga shtetet e fuqishme. Tribunali i Hagës ka negociuar me të dyshuarit për Krime Lufte duke i fyer viktimat dhe familjet e tyre. Janë marrë vendime fyese që kanë qenë në shpërputhje të madhe me peshën e krimit. Statuti i këtij Tribunali nuk ka siguruar ndarje të drejtësisë por pazare politike gjë që e pranojnë thuaja të gjithë zyrtarët e këtij Tribunali pasi e kanë përfunduar mandatin. Dosjet e të akuzuarve janë falsifikuar dhe janë mshehur nga opinioni. Definitivisht, Tribunali për Krime Lufte në Hagë është shembull i keq për ndarje të drejtësisë dhe parandalimit të dhunës si dhe shkelje të drejtave të njeriut në të ardhmen. Kosova, përkatësisht krimet që janë kryer në Kosovë janë trajtuar shumë pak para këtij Tribunali. Tribunali i Hagës për shkak të ndikimeve politike nuk e ka kryer punën në bazë të mandatit prandaj mund të llogaritet si Tribunal i dështuar. I cili as për së afërmi nuk i ka realizuar pritjet për drejtësi e as mjetet e shumta financiare.
2. Gjykatat e UNMIK-ut në Kosovë kanë pasur ekskluzivitet në gjykimin e rasteve të krimeve të luftës, krimeve me motive etnike dhe politike, krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore dhe rasteve të tjera të ndjeshme. Të gjitha rastet, pas përfundimit të luftës në të cilat janë dënuar për krime lufte të dyshuarit serbë janë anuluar nga gjykatësit ndërkombëtarë. Të gjitha kallëzimet penale që janë bërë nga KMDLNj janë blombuar në sirtare dhe nuk janë shqyrtuar asnjëherë. Për shkak të oportunitetit politik dhe projekteve politike ndërkombëtarët kanë bashkëpunuar me Serbinë dhe autoritet serbe duke i anashkaluar autoritetet kosovare. Këto gjykata vetëm kanë blerë kohë. Dështimi i tyre nuk ka qenë për shkak të mungesës së profesionalizmit por të motivuara politikisht.
3. Gjykatat e EULEX-it: fillimisht ishin kopje e UNMIK-ut ndërsa më vonë “çuditërisht” u aktivizuan shumë. Prej rasteve të hetuara dhe të gjykuara 80% ishin të drejtuara kundër të arrestuarve shqiptarë të dyshuar për krime ndaj serbëve dhe shqiptarëve. Ndërkaq 20% ishin të arrestuar dhe gjykuar të dyshuar serbë për krime ndaj shqiptarëve. Prej tyre 85% janë liruar apo u është shqiptuar masë e lehtë e dënimit.
Për lexuesit e nderuar duhet t’u përkujtojmë se në Kosovë gjatë luftës janë vrarë dhe konsiderohen si të zhdukur afërsisht 12.000 civilë prej të cilëve 97.2% janë shqiptarë. Në këtë kontekst kemi një shpërputhje të madhe midis shqiptarëve të ekzekutuar dhe serbëve të dyshuar dhe të dënuar për këto vrasje. Prandaj, askush nuk ka besuar në drejtësinë e ndërkombëtarëve përkatësisht në vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për vendosje të drejtësisë. Prandaj edhe ka dyshime dhe hezitime për punën e Tribunalit për Kosovë (për krimet e UÇK-së) i cili pashmangshëm do të dështojë në përmbushjen e drejtësisë ndërsa do të jetë i suksesshëm në fushën e riprogramimit të skenës politike të Kosovës që është duket edhe qëllimi kryesor i këtij Tribunali.
Refuzimi në heshtje për formimin e këtij Tribunali me arsyetimin se në këtë mënyrë po njolloset lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është fakt i qëndrueshëm dhe i pranueshëm aq më parë që përgjegjësia është individuale dhe jo kolektive. Përgjegjësia kolektive nuk është zbatuar as ndaj Serbisë ndonëse Serbia, si përgjegjëse kryesore për të gjitha luftërat në hapësirat e ish Jugosllavisë i ka plotësuar kushtet për një cilësim të tillë.
– Institucionet vendore duhet të bashkëpunojnë me drejtësinë e imponuar ndërkombëtare duke ofruar të dhëna ( nëse ka ) për krimet e supozuara dhe siguruar mbrojtje efektive për personat e dyshuar për të dëshmuar pafajësinë e tyre. Nëse sigurohen fakte për përfshirjen e individëve të caktuar në krime kundër civilëve apo thyerje të ligjeve të luftës atëherë duhet t’i binden vendimit të Gjykatës.
– Institucionet vendore duhet të kundërshtojnë që si krime lufte mund të llogariten edhe viktimat pas përfundimit të luftës përkatësisht viktimat pas 12 qershorit 1999 kur llogaritet se kanë përfunduar veprimet ushtarake. Nëse pranohet që si viktima të luftës të llogaritet data deri me 31.12.2000 atëherë hetimet për krime lufte duhet të shtrihen edhe para vitit 1998.
– Nëse llogaritet koha deri me 31 dhjetor 2000 atëherë duhet të zhvillohen edhe hetimet ndaj forcave ndërkombëtare që kanë përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të Kosovës në atë kohë.
– Duhet të kërkohet edhe hetimi i të gjitha rasteve të krimeve në Kosovë gjatë periudhës së luftës e që nuk janë trajtuar nga Tribunali i Hagës.
– Duhet të kërkohet të formohet një Task Forcë për hetimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe për këtë të formohet një Tribunal.
Ndryshe, nëse veprohet në këtë mënyrë ky Tribunal do të jetë paragjykues sepse do të formohet për gjykimin vetëm të dyshuarve shqiptarë. Do të jetë Tribunal i cili do të ndajë drejtësi në baza etnike duke dënuar të dyshuarit e një përkatësie etnike dhe duke falur të dyshuarit e përkatësisë tjetër etnike. Duke dënuar shqiptarët e dyshuar dhe duke amnistuar serbët.
Kjo Gjykatë do të ketë karakter ekskluzivisht etnike duke ndarë drejtësi ekskluzivisht në baza etnike.
Sipas këtij parimi, as nuk do të ketë ndarje dhe vendosje të drejtësisë e as nuk do të ketë shpagim për viktima.
Përfundimisht kjo Gjykatë do të jetë mbi autoritetet kosovare, duke i shpërfillur ato dhe do të ketë shtrirje edhe në Shqipëri por jo edhe në Serbi.
Nëse punon sipas këtyre parimeve atëherë do ta ketë fatin e Tribunalit të Hagës, Gjykatave të UNMIK-ut dhe EULEX-it që nënkupton se do të dështojë edhe në mbrojtjen e dëshmitarëve, edhe në vendosjen e drejtësisë, edhe në shpagimin e viktimave, edhe në stabilitetin politik e sidomos në procesin e ballafaqimit me të kaluarën dhe procesin e pajtimit nëpër të cilën po kalon Kosova. Në këtë mënyrë do të dhunohej skajshmërish universaliteti i të drejtave të njeriut që është parim themelor i Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Rrëfimi i Belfort, personazhi i vërtetë i ”The Wolf of Wall Street””
Jordan Belfort, protagonisti i vërtetë i historisë së ”The Wolf of Wall Street””, është 51 vjec, nuk prek alkool dhe drogë prej 17 viteve dhe jeton në një vilë normale pranë plazhit të Hermosa Beach. Eshtë truplidhur, muskuloz , i shoqërueshëm dhe flet shpejt, me ritmin e famshëm njujorkez.
POSTUAR 15:08 / 08.04.2014
A i ngjan Leonardo di Caprios, alter egos së tij në filmin “Ujku i Wall Street-it”? “Me Leon kemi kaluar qindra orë së bashku… Tani ai më njeh më mirë se sa njoh unë veten time”, thotë Belfortin.
Filmi, me regjisor Martin Scorsesen, është tashmë në krye të klasifikimit për të ardhurat në të gjithë botën . Askush nuk ka qëndruar indiferent ndaj filmit të Scorseses.
Akuzat: është seksist, maskilist, vulgar përtej cdo limiti, por mbi të gjitha e paraqet këtë qenie të përcmueshme si një hero, një model.
Entuziastët: është art i pastër, sic ishte Goodfellas, sic ishte Tony Soprano. Nuk bëhet kinema me moral, bëhet me realitetin. Scorsese është Balzaku i shekullit 21.
Dhe ja pra, një intervistë me protagonistin e vërtetë, për të folur për gjithë këto. Ujku i vjetër, i ulur në divan, me fotografitë gjigande të fëmijëve në mure dhe me ujë, vetëm ujë në frigorifer. Njeriu që ka kuptuar gabimet e tij, është hedhur në hithrat e botës së korruptuar.
Keni qenë vërtetë i tillë, si në film?
Po, Scorsese dhe Di Caprio kanë bërë një punë fantastike. Isha pikërisht kështu. Në Wall Street, 80 përqind punojnë vetëm falë kokainës. Të gjithë duan pasurinë. Mua më kanë pëlqyer gratë e bukura dhe doja gjithmonë e më shumë.
E nisim nga fillimi?
Ok. Familje e varfër, por e kulturuar, fillimisht në Bronx e më pas në Brooklyn. Shumë libra në shtëpi, në darkë ime më më thoshte:
“Studio, do të bëhesh një mjek i madh që do të kurosh kancerin”. Ndërsa unë doja të bëhesha i pasur. E shihja pasurinë mu mbrapa qoshes, dhe e doja dhe unë. Isha mirë në shkollë, por zbulova që dija të shisja. Gjatë verës shisja akullore në plazhin e Coney Island, fitoja 500 dollarë në ditë. Afrova nja pesëdhjetë djem të rinj, shisnin bizhuteri. Më tej gjevrekë. Bizhuteri, gjevrekë dhe akullore. Me ato para shkova në universitet, u diplomova në biokimi. Më pas u rregjistrova në stomatologji. Që në leksionin e parë profesori më tha: “Duhet të të paralajmëroj që kohët e arta për dentistët kanë marrë fund”. U largova menjëherë. U pranova në LT Rothschild në Wall Street, roli im ishte ai i ndërlidhësit. Ose më saktë, duhet të rrija në telefon gjithë ditën dhe të arrija ta coja klientin tek marrësi (jo sekretaria). Në atë pikë, thosha: “Po ju kaloj shefin tim”. Dhe ai propozonte investimin dhe kryente marrëveshjen. Shefi im tërhiqte kokainë me hundë në publik, mbante këpucë me lëkurë krokodili, kishte një Rolex shumë të shtrenjtë prej floriri dhe fitonte 2 milionë dollarë në vit, mes bonuseve dhe komisioneve. Ishte një shkollë jete e jashtëzakonshme. Gjithcka mori fund të hënën e zezë të vitit 1987. Por në të vërtetë pikërisht aty nisi fati im.
Përse?
Sepse unë kam një talent natyral. Di të shes. E njoh psikologjinë e njerëzve, e di si të fitoj kundër frikës së tyre për të blerë. Krijova kompaninë time – e famshmja Stratton Oakmont dhe nuk thirra profesionistë, por të rinjtë e grupit të adoleshencës sime. Ashtu si unë, bij të popullit, asnjëri me diplomë. Donim të bëheshim të pasur. E c’të keqe ka këtu? Sot, unë e di mirë që njerëzit në Wall Street janë më të përcmuarit në botë. Por nuk ndodh sepse fitojnë shumë, apo që kanë gjithë ata përfitime dhe bonuse.. Jo, jo. I urrejnë sepse kanë shkaktuar humbje të parave të klientëve të tyre. Nëse i bën të fitojnë, nuk të urrejnë, jini të sigurtë. Unë kam ndihmuar shumë njerëz të fitojnë para. Për fat të keq në fund kam shkaktuar edhe humbje për shumë njerëz, mu desh ta lë presidencën e kompanisë. Por Stratton nuk ka qenë asgjë krahasuar me kolosët e mëdhenj, me mashtrimin e të famshmeve “subprime”, me Lehman Brothers, me Bernie Mahdoff. Kur mendoj që, atëherë kur më arrestuan mua ai doli në televizion dhe tha që isha delinkuent! Ta ndajmë një herë e mirë: nëse unë të premtoj një titull në bursë dhe të them që fitimi është 25%, edhe ti e di mirë që është me risk. Apo gabohem? Dhe unë kisha një klientelë popullore, nuk kisha të pasurit. Në film, Leo flet në mikrofon, sic bëja unë, dhe ulëret: “Tani u shesim titujt e mirë, u shesim IBM, dhe kur t’i kemi mbërthyer, u shesim mut!” Ja, unë këtë nuk e kam thënë asnjëherë, është një sajesë. Madje ne u dërgonim letra klientëve ku u thoshim që është me risk.
Epo tani, Z. Belfort. Ju keni kuotuar në bursë një kompani të panjohur këpucësh mode, keni bërë të gjithë klientët tuaj që të blejnë aksionet, dhe në tre minuta keni fituar 28 milionë dollarë, më pas keni shitur aksionet tuaja, titulli u rrëzua dhe ua keni hedhur klientëve tuaj. Apo jo?
Eshtë disi më e ndërlikuar, por të themi që kështu ndodhi. E pranoj. Shikoni, jam unë i pari që them që është gjithë sistemi që nuk funksionon. Paraja, pasuria, lakmia kanë shumë rëndësi. Unë jam i pari që jam zënë në kurth. Gjithcka ndodh shumë shpejt, ka
shumë intensitet. Duhet të ndryshojnë rregullat, nuk është e drejtë që një ndërmjetës të ketë bonuse milionësh vitin e parë, sepse kjo e shtyn të bëjë operacione të paligjshëm për të cilët më pas do ta paguajë. E ka bërë mirë Goldman Sachs që hoqi bonuset për harkun e pesë viteve. Eshtë e drejtë. Por mbetem me idenë që të shesësh një produkt të mirë – dhe duhet të jetë i mirë – është një sistem i mirë për të nxjerrë jetesën
Z. Belfort, a jeni një i penduar ju?
Burgu më ka bërë mirë. E di që kam qenë budalla, i kam dhënë shumë peshë parasë. Shikoni, edhe në mesin e gjithë atij luksi, nuk isha i lumtur. Doja vajzat më të bukura, makinat më të bukura, por nuk isha i kënaqur. Jam më i kënaqur tani. Jam mësime në teknika shitjeje. U shtoj vlera njerëzve, është gjë e mirë. Jam më i kënaqur sepse arrij të realizoj dicka, e kuptoni? Bëj, transformoj. Më pëlqejnë ata njerëz, si tek Google apo Apple që bëjnë produkte të bukur dhe të dobishëm për njerëzimin, dhe nëse pastaj vjen fitimi, mirë se të vijë. Ndërsa këta të Occuppy Wall Street unë nuk i kuptoj fare. Për mua janë budallenj. Vendosin cadra dhe kërkojnë punë. Por shkoni të punoni, u them unë! Amerika është në gjendje t’u ofrojë punë të gjithëve, shikoni rastin tim. Dhe
aspirata për pasurim nuk është vetëm legjitime, është e drejtë. Unë e pranoj, e kam ekzagjeruar. Kam bërë shumë gabime. Për shembull, ajo ideja që të dërgoja paratë në Zvicër. Isha naiv.
Z. Belfort, ju a konsideroheni një tradhëtar? A ka ndodhur ashtu si thuhet në film, që FBI vendosi një mikrofon të fshehur për të kapur të gjithë?
Po, ashtu ndodhi. FBI kërcënoi se do të arrestonte po, ashtu ndodhi. FBI kërcënoi se do të arrestonte gruan time, që nuk kish fare punë. Eshtë e vërtetë që për ta shpëtuar, pranova mikrofonin. Por është po kështu e vërtetë që i dhashë në dorë ortakut tim, Danny një pusullë ku i thosha: “Mos fol, kam mikrofon”. Dhe është e vërtetë që ishte pikërisht Danny ai që foli. Eshtë gjithashtu e vërtetë që ktheva ato para që mundesha, 110 milionë, por ortaku im Danny nuk ktheu mbrapsht asgjë, ka një kompani që furnizon të gjithë spitalet e Floridës, një llogari bankare me 6
milionë dollarë në Majemi. Më mirë për të. Dhe më mirë për të gjithë të tjerët e Stratton Oakmont, që ia hodhën paq. Por nuk do të ribëja asgjë. Kam kuptuar që kam gabuar. Paraja në vetvete është një gjë e tmerrshme!
Kryeministri Thaçi i kishte kërkuar vet hetimet për akuzat e Martyt
Lexojeni letrën e vitit 2011, kur Kryeministri Thaçi kishte kërkuar nga Këshilli i Europës hetime për Raportin e Martyt.
Pak kohë pas miratimit të Raportit të Dick Martyt, në Këshillin e Europës, në formë rezolute, ishte bërë publike letra e Kryeministrit Hashim Thaçi që ia kishte drejtuar , Sekretarit Gjeneral të Këshillit të Europës, suedezit Thorbjorn Jagland, nga i cili kishte kërkuar hetime për akuzat e zviceranit.
Asokohe Thaçi kishte kërkuar nga të gjitha autoritetet kompetente, në veçanti nga EULEX-i, që të bëjnë gjithçka që është e mundur për të zbuluar se çfarë ka ndodhur”.
“Express”, e kishte siguruar letrën e vitit 2011 të Kryeministrit Thaçi me të cilën kishte kërkuar hapjen e hetimeve rreth akuzave të Martyt.
“Po ju shkruaj këtë letër si përgjigje ndaj raportit të Asamblesë mbi “Trajtimin Johuman të Njerëzve dhe Trafikimin Ilegal të Organeve Njerëzore në Kosovë” të përgatitur nga raportuesi i Asamblesë, senatori Dick Marty. Duke pasur parasysh se draft-raporti përmban një numër të akuzave serioze, unë besoj se këto pohime nuk duhet të mbeten pa përgjigje. Për këtë arsye, si qenie njerëzore dhe si Kryeministër i Republikës së Kosovës, shfrytëzoj rastin që t’u bëjë thirrje të gjitha autoriteteve kompetente, në veçanti EULEX-it, të bëjnë gjithçka që është e mundur për të zbuluar se çfarë ka ndodhur”, kishte shkruar Thaçi.
“Kështu që unë konsideroj se është e një rëndësie të madhe që hetimet të fillojnë sa më parë që është e mundur”, thuhej në letrën me firmën e Thaçit.
Kryeministri, i cili bashkë me figura tjera, që aktualisht janë në PDK, përmendet me emër në raportin e Martyt, kishte ofruar garanci për bashkëpunimin kur të bëhen hetimet.
“Për më tepër, unë fuqishëm ofroj të gjitha garancitë se Qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë plotësisht në lidhje me hetimet e udhëhequra nga EULEX-i rreth këtyre pohimeve”, thuhej ndër të tjera në letër.
Neymar dhe Alves këndojnë me “djemtë” e Pintos
Dani Alves dhe Neymar kanë qënë protagonistë të kapitullit të dytë të “Ve a por tus suenos”, ku dy brazilianët kanë kënduar së bashku me disa prej “nxënësve” të portierit blaugrana, por nuk kanë harruar të rrëfejnë edhe diçka rreth muzikës.
Projekti i Pintos ka si synim ti japë një mundësi të gjithë njerëzve që të plotësojnë ëndrrën e tyre përmes muzikës.
Pas Neymar dhe Dani ALves në këtë kapitull morën pjesë edhe notarja Ona Carbonell dhe volejbollisti i Barcelonës Victor Toma
Krenohet Begaj
Kryetari i Komunës së Malishevës,Ragip Begaj, ka prezantuar 100 ditëshin e parë të qeverisjes së tij. Ai ka thënë se për 100 ditë ka arritë të ulë të shpenzimet dhe të rritë aktivitetet e Komunës.
“Jam i bindur se janë shtuar aktivitetet në shkallën 90 për qind dhe kemi zvogëluar shpenzimet, por kemi rritur edhe të hyrat”,tha Begaj.
“Janë rritur të hyrat dhe janë zvogëluar shpenzime dhe kemi shtuar aktivitetet, jam i bindur se kemi 90 për qind me shumë aktivitete, kemi organizuar takime në fshatra, takime të përditshme me qytetar në zyre, dhe jo vetëm të premteve kur është i caktuar termini, pasi nuk mund ti refuzoj qytetarët. Jam zotuar dhe do ta jap maksimumin që unë dhe qeveria komunale, të jemi në shërbim të qytetarëve të Komunës së Malishevës”.
Ai ka prezantuar të gjitha shpenzimet dhe të hyrat, në bazë të raportit të drejtorisë për buxhet dhe financa, për tremujorin e parë të qeverisjes së tij, si dhe për projektet që janë duke u realizuar apo që janë në procedurë e sipër për realizimin e tyre.
“Të hyrat, krahasuar me tremujorin e parë të viteve të kaluara, p.sh. 2012 kanë qenë 115 mijë euro të hyra, më 2103 kanë qenë 129 mijë euro të hyra, ndërsa këtë vit janë 158 euro të hyra vetanake, ose 29 mijë euro më shumë se viti paraprak, edhe pse i kemi hequr taksat komunale për bizneset”
“Shpenzimet operative për mallra dhe shërbime, për vitin 2013 kanë qenë 35 për qind, ndërsa për vitin 2014 janë vetëm 12 për qind shpenzime. Shpenzimet e udhëtimit për vitin 2013 kanë qenë 42 mijë euro, këtë vit janë ulur në 8 mijë euro. Shpenzime kontraktuese kanë qenë 43 mijë euro në 2013, tani janë 25 mijë euro”
“Furnizimi për zyre, kanë qenë 19 mijë më 2013, tani janë 6 mijë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë. Shpenzime të karburantit, prej 36 mijë në vitin e kaluar, kanë rënë në 5 mijë në këtë vit. Drekat zyrtare, në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kanë qenë 14 mijë euro, tani janë 2 mijë euro. Të gjitha këto janë krahasime me vitin paraprak, ndërsa ju vet mund ta bënë krahasimin apo dallimin me periudhën e njëjtë të vitit 2013”.
“Sa i përket projekteve, ne kemi intervenuar në riparimin e disa kanalizimeve, në disa fshatra, si në Marali, Turjakë, Panorc, Drenoc, dhe të tjera, ku ka qenë emergjente intervenimi, për ta larguar kontaminimin e ujit për pije dhe ka qenë rrezikshmëri e lartë nga dalja e ujërave të zeza në sipërfaqe”
“Pastaj, janë projektet e shkollave në proces e sipër, si në Gurishtë, Golluboc, Bubavec, Carrallukë, Shkozë, Damanek dhe ajo në Vërmicë. Brenda dy viteve, të gjitha do të përfundojnë. Rrugët e parapara për këtë vit, në procedurë e sipër, si ajo e Ukajve në Vërmicë, e Lagjes Muhaxhirëve në Tërpezë, ajo e Kirrellëve në Bardh dhe ajo e Kodralive në Kërvasari. Të gjitha këto do të përfundojnë brenda këtij viti. Janë hapur tenderët dhe janë bërë paramasat për kanalizime në 20 fshatra. Kanë përfunduar procedurat për ndërtimin e çerdhes për fëmijë, në Malishevë dhe kjo brenda pak ditëve do të filloj të ndërtohet”
“Projekti më madh, në realizim e sipër, është projekti i ujësjellësit për fshatin Drenoc, i cili pritet të finalizohet brenda këtij viti, pjesa e rrjetit dhe pjesa tjetër e ujëmbledhësit në Senik, ku kemi ndarë mjete së bashku me Hidroregjionin, ku edhe është duke u punuar”
“Në bujqësi kemi ndarë mjete për fermerët, dhe do të ndajmë përsëri mjete për fermer, në perimtari dhe blegtori. Kemi mbështetur fermerët me 0.05 cent për litër të qumështit. Synojmë të mbështesim edhe bletarinë”.
“Kemi mbështetur të gjitha ekipet sportive që veprojnë në Malishevë. Skamnorët i kemi mbështet me 10 mijë kilogram miell, por edhe me ndihma të kohëpaskohshme, ku vetëm muajin e kaluar kemi ndarë rreth 5 mijë euro ndihma, si dhe kemi ndarë 75 bursa për studentë”.
“Do të përpiqemi në maksimum ti mbështesim të gjithë që kanë nevojë dhe ti realizojmë të gjitha synimet tona edhe pse është shkurtuar buxheti i komunës”
“Të gjitha që i thash, i kam premtuar gjatë fushatës elektorale, madje të gjitha që kam menduar ti kryej gjatë mandatit katër vjeçar, do të kryhen shumica dërmuese gjatë këtij viti. Për vitet e ardhshme i mbetet kuvendit të vendos për projekte, pasi unë gati i kam përfunduar të gjitha që i kam premtuar”./PrizrenPress.com/
Haradinaj fajësoi qeverinë për ngecje ekonomike
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj fajësoi qeverinë për ngecje ekonomike të Kosovës. Gjatë takimit që pati me përfaqësues të Odës Ekonomike Gjermane, Haradinaj potencoi se gjatë mandatit të kësaj qeverie investitorët kanë ikur nga Kosova. Ndërsa, zyrtarë të Odës Ekonomike Gjermane kërkuan që të hiqet TVSH-ja për makinat prodhuese që hyjnë në Kosovë.
Mungesa e investitorëve të huaj, posaçërisht diasporës shqiptare, bënë që edhe vendi të ngecë sa i përket zhvillimit ekonomik. Ky konstatim doli gjatë takimit që kreu i AAK-së Ramush Haradinaj pati me përfaqësues të Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë. Haradinaj, fajin ia hedh qeverisë për mungesë të vizionit dhe interesimit për tërheqjen e investitorëve në Kosovë.
“Për bindjen time qeveria Thaçi ka dështuar totalisht në ekonomi. Pse është dështim total? Për faktin se përpos që nuk kanë ndodhur investime ne jemi heq edhe prej hartës, s`e kap radari më Kosovën në regjion për zhvillime ekonomike, për investitor serioz, për ata që kanë kredibilitet si kompani. Pra, janë larguar prej nesh. Kalojnë gjithkund tjetër pos te ne jo”, tha Haradinaj.
Ndërkohë, kryetari i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Bardhyl Meta, theksoi se mërgimtarët që janë të interesuar për të investuar në Kosovë, përballen me vështirësi të shumta, duke filluar nga tatimet e shumta që ngarkohen ata.
“Nëse i merr 200 mijë euro makina, prej atyre 200 mijë eurove 25 për qind ia ndalin në kufi menjëherë. Pra, atij investitori i duhen që 50 mijë euro me i lanë menjëherë në kufi. Prandaj, ajo që i propozojë unë çdo qeverie është me heq TVSH-në dhe doganën në çdo makinë prodhuese që vije në këtë vend”, theksoi Meta.
Ndryshe, përfaqësuesit e komunitetit të bizneseve, të cilët ishin të pranishëm në takim, kërkuan që institucionet e vendit t`i kthejnë sytë nga diaspora në mënyrë që edhe ai komunitet të jetë pjesë e një zhvillimi sa më të shpejtë ekonomik të vendit.
Studentët Thaçit: Hajn e mashtrues
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, është përballur me një situatë jo të këndshme në momentin kur ka vizituar mensën e studentëve.
Në këtë rast, një grup studentësh i janë vërsulur atij duke e quajti ‘hajn dhe mashtrues.
Menjëherë ka reaguar policia, që ka arrestuar 5 studentë.
Merret vesh se të rinjtë i takojnë Organizatës së Studentëve “Studim Kritikë Veprim”, njofton Klan Kosova.
Një roman për jetën e Frederik Rreshpjes
Shtëpia botuese “Saras” ka hedhur në treg romanin “Fytyra e Simurgut”, me autor Gazmend Krasniqin. Një roman kushtuar jetës së poetit Frederik Rreshpja, natyrës antikonformiste dhe talentit të jashtëzakonshëm, raporteve ikonoklaste me klishetë e ideologjisë dhe politikës, nga njëra anë, dhe jetës e krijimit, nga ana tjetër. Një trajtim i fatit të njeriut në përgjithësi dhe të poetit në veçanti.
Pas librit “Shitësi i Apokalipsit”, shkrimtari Gazmend Krasniqi vjen për lexuesin me një tjetër roman, botim i shtëpisë botuese “Saras”.
“Fytyra e Simurgut”, një roman i cili e çon në një tjetër dimension prozën e Krasniqit, me një formë e mendim ndryshe nga skemat që jemi mësuar të shohim në romanin shqip. Për të shkruar këtë rrëfim ai është frymëzuar nga jeta e poetit të njohur Frederik Rreshpja. Në libër ai quhet Marin Baina dhe bën një tjetër udhëtim, në jetën që la mëngjesin e 18 shkurtit 2006, kur mbylli sytë përgjithmonë.
“Mbase është trupëzuar diçka më shumë, se ka një homazh për të gjithë poetët e llojit, por mund të them me plot gojën se atë e ka frymëzuar një poet si Frederik Rreshpja. Kam qenë pranë tij për disa vite.”, ka thënë Krasniqi.
Veturat e Ramadan Mujes shpenzojnë 200 mijë euro
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes konferencës për media ka bërë publike raportin mujor të monitorimit të komunave në regjion të Prizrenit për muajin mars 2014 ku janë pasqyruar të gjeturat e shkeljeve ligjore dhe procedurale që kanë bërë komunat e regjionit të Prizrenit gjatë punimeve të seancës dhe mungesën e respektimit të obligimeve ligjore nga këto institucione.
Gjatë konferencës për media, zyrtari i KDI-së Haxhi Seferqaj tha se “në muajin mars të gjitha kuvendet e komunave të regjionit të Prizrenit kanë realizuar aktivitete duke thirr seanca të jashtëzakonshme dhe mbajtur seanca të rregullta. Kuvendi i Komunës së Prizrenit, Suharekës gjatë muajit mars 2014 kanë thirr nga dy seanca, derisa kuvendi i komunës së Malishevës, Rahovecit, Dragashit dhe Mamushës gjatë kësaj periudhe kanë thirr dhe mbajtur nga një seancë të rregullt”.
“Kuvendi i Komunës së Prizrenit gjatë muajit shkurt në mbajtjen e seancës së parë të jashtëzakonshme ka shkelur nenin 44.4 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Kjo Seanca e jashtëzakonshme është thirr me datë 10.03.2014 dhe është mbajtur me datë 12.03.2014 e cila është në kundërshtim me dispozitat ligjorë përkatësisht nenin 44.4 të LVL-së i cili thotë se “takimi i jashtëzakonshëm i kuvendit të komunës nuk mbahet nëse të gjithë anëtarët e kuvendit të komunës dhe publiku nuk janë njoftuar me shkrim, siç kërkohet me rregulloret e punës, së paku tri (3) ditë pune para datës së mbajtjes së takimit”.
Në seancën e Komunës së Rahovecit,gjatë punimeve është përdorë gjuhë jo-parlamentarë dhe fyese për anëtaren e këtij institucioni nga ana e drejtorit komunal. Përdorimi i gjuhës jo parlamentare dhe fyese në kuvendin e komunës së Rahovecit tregon për nivelin e ultë të kulturës institucionale. Me këtë rast KDI i bënë thirrje drejtorëve të drejtorive komunale si dhe anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Rahovecit që të përmbahen dhe të respektojnë diversitetin e mendimeve dhe ideologjitë partiake dhe vetë institucionin e Kuvendit të Komunës së organ më i lartë i vetëqeverisjes lokale.
Në kuadër të monitorimit të punës së Kuvendeve të Komunave të regjionit të Prizrenit është hasur edhe në mos respektimi të afateve kohore në raportim financiarë nga ana e Kryetarëve të komunave në regjion të Prizrenit. Lidhur më këtë, një mosrespektim të obligimit ligjorë nuk kanë kryer: kryetari i Komunës së Prizrenit, Mamushës dhe Malishevës, të cilët detyrohen që të raportojnë për vitet paraprake fiskale në kuvendin e Komunës jo më vonë se 31 marsi të vitit kalendarik.
Instituti Demokrtatik i Kosovës (KDI) i bënë thirrje Kryetarëve të Komunave të regjionit të Prizrenit që të respektojnë dispoziatat ligjore në raportimet financiare në Kuvendet e Komunave përkatëse sipas dispozitave ligjore të ligjit Nr. 04/L-194 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësit. Po ashtu,qysh tani i bënë thirrje që të respektojnë detyrimet ligjore kur është në pyetje raportimi tre mujor financiarë dhe në seancën e muajit prill të procedojmë edhe me raportin tre mujor financiarë në komunat përkatëse.
Një tjetër lëshim që është vërejt tek Kryetari i Komunës së Prizrenit dhe i Dragashit ka të bëjë me emërimin e nënkryetarit nga radhët e Komunitetit. Dy nga Kryetarët e Komunave janë vonuar në konsolidimin e institucioneve edhe 100 ditë pas marrjes së mandatit për të qeverisur qytetarët e komunave përkatëse. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ri-potencon nevojën e zgjedhjes së nënkryetarit për komunitete duke respektuar edhe nenin 6.2 të Udhëzimit Administrativ 2014/01 për procedurën e emërimit të Nënkryetarëve në komuna- përfundoj Seferqaj.
Naim Cahani, zyrtarë i KDI-së vazhdojë me të gjeturat tjera në raportin financiarë të komunës së Prizrenit për vitin fiskal 2013, ku tha se” KDI konsideron që disa shpenzime në disa kategori apo kode buxhetore janë enorme dhe jashtë çdo standardi për situatën ekonomiko-financiare në komunën e Prizrenit”.
Lidhur me këtë. në kodin buxhetorë 13780, qeveria komunale e Prizrenit, në vitin 2013 ka shpenzuar 133.345 euro karburant për vetura. Me një përllogaritje të vogle kjo qeveri në vitin e kaluar ka shpenzuar 365 euro në ditë karburant për vetura (133.345/365=365 euro) , pra shpenzime ditorë duke llogaritur çdo ditë të vitit kalendarike përfshirë këtu edhe ditët e vikendit dhe festat zyrtare.
Me një përllogaritje të shumës prej 365 euro si shpenzime ditorë për fuqinë blerëse të benzinës apo naftës del se kjo qeveri në vitin e kaluar ka shpenzuar 304 litra derivate në ditë (365/1.2=304 litra). Nëse shpenzimi mesatarë për një veturë në 100 km është afërsisht 8 litra benzinë atëherë kjo qeveri në vitin 2013 ka kaluar 3.800 km në ditë (304/8*100=3800 km) apo shprehu në baza vjetore kjo qeveri ka shpenzuar 110.930 litra derivate në vit (304*365=110.960 litra derivate), nëse shpenzimi mesatarë për një veturë në 100 km është mesatarisht 8 litra benzinë/naftë atëherë kjo qeveri në vitin 2013 ka kaluar 1.387.000 km për një vit të tërë fiskal duke llogaritur vikendet dhe festat zyrtare si ditë aktive të punës (110960/8*100=1387000 km).
Edhe në kodin buxhetorë 14010 në kategorinë e shpenzimeve për mallra, qeveria lokale e Prizrenit ka shpenzuar shumën prej 58,360 euro për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve të komunës.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i bënë thirrje kryetarit të Komunës së Prizrenit që të shkurtojë shpenzimet në disa kode buxhetore (si në shpenzimet e derivateve për veture, shpenzimet telefonike Vala, në mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve etj), dhe të kujdeset që paraja e qytetarëve prizrenas të shpenzohet në mënyrë efikase dhe me ekonomicitet dhe në dobi të qytetarëve mbi bazën e parimit të mirëqeverisjes- përfundoi Cahani.