20.3 C
Prizren
E diel, 10 Maj, 2026
Home Blog Page 8633

Në Prizren do të ndërtohet memoriali për dy pilotët amerikanë

0

NATO 000Bazuar në kërkesën e Qeverisë së Kosovës pushteti lokal i Prizrenit ka iniciuar procedurën për ngritjen e një memoriali për dy pilotët amerikanë, David Gibbs, dhe Kevin Reichert, të cilët kishin humbur jetën në maj të vitit 1999, pas rrëzimit të helikopterit “Apache” gjatë një fluturimi rutinë në afërsi të kufirit Shqipëri-Kosovë shkruan sot “Koha Ditore”.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, ka bërë të ditur se pas shqyrtimit të kësaj çështjeje në njërën prej mbledhjeve të Qeverisë së Kosovës, Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sporteve i është drejtuar me një shkresë Komunës së Prizrenit përmes së cilës ka kërkuar ndarjen e një lokacioni për ndërtimin e obeliskut.

Sipas historikut të ngjarjeve në Ushtrinë amerikane, pilotët David Gibbs 38-vjeçar nga Ohio dhe Kevin Reichert 28-vjeçar nga Wisconsin kanë humbur jetën më 5 maj 1999, kur helikopteri i tyre “Apache” u rrëzua për arsye të panjohura gjatë një trajnimi në terrenin malor në Shqipëri

Thaçi shpeshton vizitat në Prizren

0

Thaci-qeveriaKryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi, ka shpeshtuar vizitat në qytetin e Prizrenit. Ai nuk ka ditë që nuk qëndron në këtë qytet. Vizitat i shfrytëzon kryesisht për takime me strukturat e PDK-së, por edhe me qytetarë. Ndërkaq, kur nuk e zhvillon asnjë prej këtyre takimeve, ai në Prizren vjen, sa për të bërë foto “Selfie”.

Thaçi gjatë fushatës zgjedhore ka qenë njëri prej liderëve politik, i cili çdo ditë ka qëndruar në Prizren. Pas përfundimit të fushatës dhe fitores së PDK-së, ai nuk është dukur për një kohë në këtë qytet. Edhe përkundër ftesës së opozitës që të vijë dhe të formojë sa më shpejtë Qeverinë “Muja III”, Thaçi nuk kishte lëvizur nga Prishtina.

Ai vizitat në Prizren ka filluar t’i shpeshtojë, vetëm pas dënimit 2 vjet me kusht të kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja dhe ish-drejtorëve të Ekzekutivit, të cilët disa prej tyre tashmë janë pjesë e PDK-së.Njëri prej të dënuarëve është edhe kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Minir Krasniqi.

Thaçi të shtunën është takuar në mbrëmje me struktuart e PDK-së në këtë qytet. Ai në këtë takim ka komentuar akuzat që partitë politike po i bëjnë në drejtim të tij dhe PDK-së.

Tha se rivalët politik, më shumë po bëjnë politikë të inatosur se sa programore.

“Edhe në zgjedhjet e radhës PDK do të dalë triumfues karshi rivalëve tonë politk të cilët, po merren me politikë të inatosur”, tha Thaçi. Ai tha se PDK-ja edhe në zgjedhjet e ardhshme nacionale do të dalë fituese.

Ndërkohë, sot   Thaçi do të vizitojë edhe Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”. Ai bashkë me Ministri i Arsimit, Shkencës dhe i Teknologjisë, Ramë Buja dhe Prof. dr. Zahadin Shemsidini, u. d. Rektor i UPZ-së do të mbajnë një takim me studentët. Takimi do të mbahet në ora 13:00 në Amfiteatrin e ri të UPZ-së./PrizrenPress.com/

Eva Braun, gruaja e Hitlerit ishte çifute

0

83749Gruaja e Adolf Hitlerit, Eva Braun, dyshohet se kishte origjinë çifute. Kjo sipas analizës së ADN-së të kryer gjatë xhirimit të një dokumentari që do të jepet në televizionin britanik Channel 4.

Kjo tezë bazohet në analizën e qimeve të marra nga furçat e flokëve nga rezidenca e Hitlerit në Berghof, ku Eva ka kaluar shumë kohë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ekspertët gjatë analizave kanë gjetur sekuenca të ADN-së që ndërlidhen me ashkenazët që përbëjnë 80 për qind të popullatës çifute në botë. Autorët e dokumentarit pohojnë se mostra është nga flokët e Evas, por shtojnë se gjëja më e mirë që kjo të vërtetohet është krahasimi i ADN-së së saj me ADN-në e të afërmve të gruas së Hitlerit. Mirëpo, në këtë rast, asnjëri prej tyre nuk ka dashur t’i nënshtrohet testi, transmeton Telegrafi.

Eva Braun ishte e dashura shumëvjeçare e Hitlerit. Ata janë martuar më 29 prill 1945, në ditën e vetëvrasjes së tyre të përbashkët në bunkerin e Berlinit, teksa në qytet futeshin trupat sovjetike.

Në shekullin XIX, një pjesë e madhe e ashkenazëve kanë kaluar në krishterim.

Projektligji për përgjime rrit koston e shërbimeve të komunikimit

0

Pergjimet-telefonikeProjektligji për përgjime nëse miratohet si i tillë, do të rrit koston e shërbimeve të komunikimit elektronik. Kundërshtime për këtë projektligj ka pasur nga Shoqata e Teknologjisë dhe Komunikimit si dhe nga BIRN.

Projektligji për përgjimin e komunikimeve elektrike po vazhdon të marrë kritika të ashpra.

KTV raporton se efekti i këtij ligji do të jetë i madh sepse ai pritet të rritë koston e shërbimeve të komunikimit elektronik.

Përfaqësuesit e Shoqatës së Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës, të cilët e kanë analizuar këtë projektligj, thjonç se ai është i panevojshëm. Projektligji parasheh detyrime që tashmë janë të rregulluara me ligjet e tjera, siç është Ligji për komunikime elektronike.

Ndërkaq, Arianit Dobroshi, anëtar i bordit në FLOSSK, ka thënë për KTV se me rëndësi është që AKI-ja dhe institucionet tjera të mos kenë mundësi autonome për përgjim. Ai ka kërkuar edhe heqjen e detyrimit për mbajtjen e të dhënave për një periudhë, pasi që rrezikojnë privatësinë e qytetarëve.

Kundërshtime për projektligjin ka pasur edhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, që ndër të tjera konsideron se projektligji edhe qëllimin e ka të paqartë. Gjithashtu, sipas BIRN-it, projektligji lejon një numër të pakufizuar të institucioneve të kenë qasje në telefonata dhe mesazhe.

20 vjet pas vdekjes, Kurt Cobain i pavlerësuar në vendlindje

0

Kurt CobainKurt Cobain ishte 27 vjeç kur i dha fund jetës së tij në datën 5 prill 1994 në garazhin e shtëpisë së tij në Siatëll, Uashington. Pavarësisht lidhjes së fortë shpirtërore me qytetin e lindjes, Cobain jetoi atje vetëm 18 muaj të jetës së tij.

Vendi ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës është Aberdeen, një qytet i vogël rreth 100 milje në jug-perëndim të Siatëll, ku ai u lind në vitin 1967. Megjithëse Cobain jetoi atje për 20 vjet, banorët e Aberdeen ende ndihen të paqartë për trashëgiminë e djalit të tyre të famshëm.

Qyteti, që nuk është rimëkëmbur pas rënies së industrisë së drurit dhe ka një nivel të lartë papunësie, është ende i shkujdesur në raport me historinë e Cobain që përfshin depresionin, abuzimin me drogërat dhe vetëvrasjen. Disa njerëz mendojnë se nderimi i tij është një inkurajim i fëmijëve dhe të rinjve për të përdorur drogërat.

Shpesh Cobain ka folur për rritjen e palumtur në qytetin e lindjes, veçanërisht pas ndarjes së prindërve të tij kur ai ishte vetëm 8 vjeç. Pavarësisht marrëdhënies së vështirë me vendlindjen, shumë nga këngët e Cobain ishin frymëzuar nga pamjet e qytetit, ku batisti i grupit, Krist Novoselic jetoi deri në adoleshencë dhe ku grupi bëri provat e para në mesin e viteve 1980.

Në Malishevë u themelua NISMA e Rinisë për Kosovën

0

keshilli i te rinjev te nismesNë Malishevë është bërë konstituimi i Këshillit të Rinisë i NISMA për Kosovën.Në këtë tubim i cili u mbajt në shtëpinë e Kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë, morën pjesë kryetari i Komunës, Ragip Begaj, anëtari i Kryesisë së NISMËS, Haxhi Shala dhe kryesuesi i Asamblesë në Komunën e Malishevës Enver Hoti.

“Jemi gjeneratë e vullnetarëve për të ndryshuar. Bashkë me ndihmën tuaj ndryshuam në zgjedhjet lokale edhe bashkë me rininë dhe besimin e qytetarëve, Malisheva do punojë të ndryshojë edhe në zgjedhjet qendrore”, tha para pjesëmarrësve kryetari i Kuvendit Komunal të Malishevës Ragib Begaj.

“Ne gjeneratat e vjetëra e patëm qëllimin të nisim, e të rinjët do të vazhdojnë punën e përbashkët që të përmisojmë jetën dhe përspektivën e qytetarit”.

Këtë iniciative e përshëndeti edhe anëtari i Kryesisë së NISMA për Kosovën Haxhi Shala.

“Sot të rinjtët në Kosovë janë duke zhvilluar forma të ndryshme të aktivizmit politik dhe pjesëmarrjes politike, duke i demonstruar mendimet politike madje edhe përmes rrjeteve sociale, ata sot gëzojnë një publicitet dhe zë të fuqishëm, e ky zë jeni edhe ju”.

“NISMA, përmes zërit të iniciativës rinore që nisi pikërisht në Malishevë, me dinjitet, moral, e pasion politik, po njihet me qëllimet e të rinjëve në gjithë Kosovën, me format alternative të aktivizmit tuaj politik, dhe me format e ligjshme dhe efikase të përfshirjës dhe inkurajimit të votuesit të rI në zgjedhjet e ardhshme”.

Konstituimi i Këshillit rinorë i NISMA për Kosovën në Malishevë i vazhdojë punimet deri në zgjedhjen e kryetarit. Me votat e rinisë së Komunës së Malishevës, kryetare e Këshillit të Rinisë së NISMËS për Malishevë u zgjodh Arbëresha Krasniqi.

“Po e marr këtë detyrë me përkushtim dhe me qëllimin të ndryshojmë pozitën e rinisë në Kosovë. Sot, të nderuar të pranishëm, ka ardhë koha që vendi të ketë një qeveri meritore që di dhe guxon të ndërmarrë projekte të rëndësishme që do të ndryshojnë jetën e qytetarëve dhe të përmisoj pozitën e rinisë Kosovare”, tha Krasniqi. /PrizrenPress.com/

 

Koleksioni ende i panjohur i Kafkës, del në dritë

0

kafkaKoleksioni ende i panjohur i shkrimeve të Franc Kafkës ishte mbajtur fshehur për katër dekada në një apartament në Tel Aviv.

Një koleksion ende i panjohur i shkrimeve të Franc Kafkës, fshehur për katër dekada në një apartament në Tel Aviv, do të bëhet publik dhe do të transferohet në Bibliotekën Kombëtare të Izraelit, në bazë të një vendimi gjyqësor. Dokumentet qenë mbajtur nga Eva Hoffe dhe Ruth Wiesler, dy motrat të cilat luftuan në një rast të gjatë katërvjeçar, në të cilin pretendonin se ato ishin trashëgimtare legale të dokumenteve, të cilat i morën nga nëna e tyre, Esther Hoffe, sekretarja dhe mikja e ngushtë e Kafkës, si dhe nga Max Brodi, biografi i shkrimtarit të njohur.

Por gjykata vendosi se Brodi kishte urdhëruar me vullnetin e tij që shumica e dokumenteve që ai ia kishte dhënë sekretares, duhet të shkonin në një arkiv publik. Kritikët besojnë se dokumentet mund të përfshijnë dorëshkrimet e Brodit, që do të mund të hidhnin dritë mbi jetën e Kafkës dhe kohën e kaluar në Pragë.

“Procesi”, “Kështjella” dhe “Amerika” janë veprat e Kafkës, të botuara pas vdekjes së tij, pasi Brodi, që është edhe biografi i tij, ka injoruar testamentin e shkrimtarit hebre të lindur në Pragë, që të gjitha dorëshkrimet e papublikuara të digjeshin. Në vitin 1939 Brodi iku nga nazistët, duke marrë trenin e fundit nga Praga me një valixhe të letrave të Kafkës nën krahun e tij. Pas vdekjes së Brodit në Izrael, në vitin 1968, arkivi iu kalua Esther Hoffes.

Thaçi kërkon mobilizim në PDK, për të fituar zgjedhjet

0

thaci ne mbledhje te PDKKryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhje me kryetarët e degëve të PDK-së, ku ishin të pranishëm edhe kryetarët e RDK-së, ka kërkuar angazhim dhe mobilizim për të fituar zgjedhjet e ardhshme nacionale.
“PDK angazhohet për një fitore bindëse dhe krijimin e një qeverie që do ta thellojë zhvillimin e Kosovës dhe integrimet euratlantike”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

Kryetari i PDK-së, njëherësh Kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi foli për të arriturat e fundit të Qeverisë, për miratimin e Ligjit për veteranët e luftës së UCK-së dhe për lehtësirat që u krijuan për studentët e universiteteve publike.

Thaçi kërkoi angazhim maksimal të të gjitha strukturave të PDK-së, për një fitore bindëse që mundëson krijimin e një qeverie të fuqishme, e cila do të punojë në zhvillimin e Kosovës dhe në integrimin e saj në institucionet euratlantike.

Kushtrimi i “komandant” Ismetit: S’i lëshojmë kullat e Sheremetit!

0

bexhet Shala KMDLNJBehxhet Sh. SHALA-BAJGORA
Veteranët e luftës dhe veteranët e “rezistencës” paqësore: Kuvendi i Kosovës, më në fund, ndonëse me një vonesë të madhe, e miratoi Ligjin për Veteranë të Luftës, si shpagim moral dhe material për ata që luftuan, u sakrifikuan, humbën pjesët e trupit për këtë gjysmë lirie, gjysmë pavarësie dhe gjysmë sovraniteti që e kemi sot. Historia te shqiptarët nuk ka një qëndrueshmëri, prandaj edhe bëhet riciklimi i saj, varësisht prej situatës politike dhe garniturave pushtetmbajtëse. Ish-komunistët me mendje, bindje dhe zemër jugosllave, e që Zoti i kishte krijuar si shqiptarë të cilët mendonin serbisht dhe flisnin shqip, përfituan dhe po përfitojnë në të gjitha sistemet. Në kohën e Rankoviqit jetonin mirë duke dhunuar, arrestuar, gjykuar, dënuar dhe vrarë shqiptarë që mendonin dhe vepronin shqip.

Ashtu kishin jetuar edhe në kohën e Titos. Ashtu jetonin në kohën e UNMIK-ut. Edhe më mirë po jetojnë në kohën e EULESH-it dhe kryeministrit Thaçi! Janë të respektuar, mbajnë poste të larta publike, janë këshilltarë për çështje politike dhe kombëtare (!!!), prokurorë, gjykatës, pronarë të medieve (krijues të opinionit), pronarë të bizneseve me shifra të larta të përfitimit, të infiltruar në Policinë e Kosovës, në FSK, në AKI, në subjekte politike, Presidencë, Kuvend dhe në Qeverinë e Kosovës! Këta, në kohën kur burgjet e Jugosllavisë ishin plotë me shqiptarë që ishin dënuar për bindje politike dhe gjakim për liri, shërbenin si hetues, torturues, gjykatës, prokurorë dhe linçues publik, sepse kishin nën kontroll të plotë mediet jugosllave dhe ato të Kosovës. Këta bënin diferencime politike dhe shkatërronin familje shqiptare duke i larguar nga puna shkaku se anëtari i tyre ishte dënuar si armik i Jugosllavisë, vëllazërim – bashkimit dhe bashkëjetesës midis kombeve dhe kombësive. Ishin të dënuar si nacionalistë, irredentistë dhe kundërrevolucionar.

Diferencimin politik, varësisht nga pesha e “fajit” e bënin komunistët e bindur jugosllavë që më vonë themeluan parti politike në Kosovë duke filluar nga LDK. Programin politik të LDK-së e patën shkruar komunistët jugosllavë me ideologun e tyre Rrahman Morinën, i cili pati dhënë leje që këta të organizohen politikisht, të veprojnë lirshëm, të organizojnë zgjedhje të lira në Kosovën e okupuar dhe të bëjnë propagandë si dhe linçime publike ndaj të burgosurve politik shqiptarë që kishin mbaruar burgjet e tyre në kohën kur u themeluan këto parti. Motoja kryesore e bijve dhe bijave politike, ideologjike dhe shtetërore të Rrahman Morinës të organizuar në parti politike ishte se: “të burgosurit politikë shqiptarë për ne janë më të rrezikshëm se vet Serbia”.

Dhe kishin të drejtë, sepse ata nuk kishin pasur dhe nuk kishin fare problem me Serbinë! Sepse, një numër jo i vogël i tyre ishin bima e Serbisë! Ishin të mbëltuar në fidanishtet e Beogradit, Kumrovcit dhe Nishit! Asokohe, nga Armata Popullore e Jugosllavisë ktheheshin në arkivole me qindra ushtarë shqiptarë të cilët kishin “bërë vetëvrasje”! Ishin dënuar me qindra shqiptarë në këtë armatë me burg deri në 20 vite. Në procese të montuara politike. Edhe vet jam dënuar 12 vite në Gjykatën Ushtarake të Zagrebit në vitin 1984. Hetues në këto procese kanë qenë oficerët shqiptarë të KOS-it (Kontra Obavestajna Sluzba) apo Shërbimi Kundër Zbulimit i Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë dhe ushtarë shqiptarë të shantazhuar, frikësuar dhe të detyruar të dëshmojnë. Ishte Tahir Zemaj me shokët e tij. Njëri ndër ta ishte edhe Enver Krasniqi atëherë kolonel i KOS-it. Këta, përveç se kanë montuar procese politike kundër ushtarëve shqiptarë, pa asnjë dyshim kanë qenë pjesë edhe e skenarëve të vrasjes së ushtarëve shqiptarë të cilët pastaj i kanë kthyer si të “vetëvrarë”.

Nëse analizohet lista e ushtarëve të “vetëvrarë” shqiptarë dhe atyre të dënuar në Ushtrinë Popullore të Jugosllavisë, nuk do ta gjeni askund dikend, prindi i të cilit ka qenë funksionar, zyrtar apo në ndonjë pozitë tjetër udhëheqëse në organet shtetërore, politike, ushtarake, policore, gjyqësore, diplomatike etj., të ish -Jugosllavisë. Të gjithë ishin ish të burgosur politikë, familjarë të tyre apo patriotë të dëshmuar si dhe aktivistë për çështje kombëtare! A ishte kjo e rastit?! Ky ishte provimi i tyre (KOS-it) i besnikërisë ndaj një ushtrie ku Rankoviqi dikur kishte shumë ndikim. Sa më shumë ushtarë shqiptarë të arrestuar, të dënuar dhe të “vetëvrarë”, aq më lehtë dhe më shpejtë e ndërtonin karrierën e tyre. Atëbotë ka qenë e pamundur të jesh oficer i Ushtrisë Jugosllave nëse nuk ke qenë përkrahës i atij regjimi që ua pinte shqiptarëve gjakun me pambuk! E lëre më oficer i KOS-it jugosllav. Është dashur t’i kalosh të gjitha sitat dhe shoshat e filtrimit e të fitosh besimit të bëhesh kolonel i KOS-it. Këtë besim e kishin fituar kolonelët Zemaj dhe Krasniqi dhe shumë të tjerë të cilët pastaj u bënë “kuadri ushtarak” i (TH) FARK-ut dhe “Ministrisë së Mbrojtjes” duke sabotuar luftën dhe duke shkërdhyer pamëshirshëm paratë e qeverisë së Bukoshit të Fondit të 3-përqindëshit.

Këto para i shkërdhyen këta oficerë dhe “ushtarë” që luftonin nëpër shtetet perëndimore, me paga të majme dhe duke mos e shkrepur as edhe një plumb të vetëm në Kosovë! Këta ishin dallaveraxhinj dhe mercenarë ndërkaq ata që e kishin përnjëmend si Agim Ramadani, Sali Çeku dhe shumë të tjerë luftuan nën uniformën e UÇK-së, duke e dhënë edhe atë më të shtrenjtë që e kishin për lirinë e Kosovës. Jetën e tyre. Ata shkuan në përjetësi me uniformën e UÇK-së dhe jo me uniformë të njëfarë (TH) FARK-a! Krahu politik në me krye Himë Govën e bënin jetën e sulltanëve me para të Fondit të 3 qindëshit! Duke e sabotuar luftën me të gjitha mjetet e mundshme! Duke i përçarë studentët para protestave të tyre për lirimin e objekteve universitare. Duke e cilësuar UÇK-në si: “dorë të zgjatur të Serbisë”. Duke pranuar çdo gjë që i ofronin popat e Shën Exhidios me qëllim të dëmtimit të luftës së UÇK-së së lavdishme! Duke dorëzuar mbi 5000 armë në Zonën Operative të Dukagjinit dhe duke e lënë vetëm me 12-15 ushtarë luftëtarin e hatashëm dhe trimin e madh të kësaj zone, kombëtarin Ramush Haradinaj të cilit i bënë puç pikërisht “Ministria e Mbrojtjes” dhe (TH) FARK-u që pastaj ikën në Padesh të Shqipërisë ku koloneli dezertor (i cili nuk u kthye asnjëherë më në Kosovë për të luftuar) Tahir Zemaj e puthte flamurin kombëtar që ia dorëzoi Ahmet Krasniqi. Duket se e ka puthur flamurin e gabuar. Flamuri i kolonelit ishte flamuri para të cilit kishte dhënë betimin si oficer i KOS-it jugosllav. Dhe të cilit i shërbeu deri në fund!

Atëherë ishte një vijë e qartë ndarëse midis atyre që luftonin për lirinë e Kosovës dhe atyre që sabotonin këtë luftë edhe me mjetet më të ndyra. Ata që e sabotonin luftën në planin ushtarak dhe politik. Luftën e sabotonin ushtarakisht “Ministria e Mbrojtjes” me (TH) FARK-un, ndërsa politikisht e sabotonte Himë Gova me “qeverinë” e tij. Luftën e bënë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe të pabarabarta UÇK-ja me Komandantin Legjendar, të Pavdekshmin, Adem Jashari dhe Komandanti Politik i Çështjes Kombëtare, i Përjetshmi Adem Demaçi!

Luftëtarët mbesin luftëtarë, sabotuesit mbesin sabotues: Me datën 3 prill 2014 u përsërit historia. Ata që kur ishte nevoja dhe koha luftuan për lirinë e Kosovës e mbrojtën nderin e luftës dhe nderin e UÇK-së. E votuan Ligjin për Veteranë të Luftës së UÇK-së së lavdishme. Mbrojtën vlerat e vërteta dhe nuk lejuan kontrabandimin e antivlerave “ushtarake” dhe “politike”! Nuk e lejuan shndërrimin e antivlerave në vlera. E penguan përligjjen e antivlerave si vlera! Sabotuesit e luftës u bënë edhe sabotues të paqes! Bënë përpjekje që të rehabilitojnë dhe përligjin ata që e penguan luftën, që keqpërdorën Fondin e 3-përqindëshit, dezertorët dhe oficerët e ish -armatës Jugosllave që bënin jetë luksoze në qendrat mondane botërore. Ish -oficerët e UDB-së dhe KOS-it. Sabotuesit e sotëm në Kuvendin e Kosovës deshën të vishnin me merita kombëtare ata që punuan kundër kombit në aspektin politik dhe ushtarak! Ata që e penguan luftën dhe çlirimin e Kosovës! Sabotuesit e sotëm deshën ta bëjnë (TH) FARK-un ushtri që e ka bërë luftën, ndërsa UÇK-në si tog të kësaj “ushtrie”! Qëllimi final i tyre ishte që ta bëjnë një kryefrikacak (Himë Govën), komandant suprem të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vend të komandantit të vërtetë të UÇK-së, Legjendarit Adem Jashari! Këtë mashtrim nuk e duron as Toka e as Zoti, si krijues i saj! Nuk krijohet historia dhe madhështia me përmendore të Kim il Sungut, si ajo para Kuvendit të Kosovës! Por me vepra dhe sakrificë sublime!

Për pacientin e Armend Zemajt: Armend Zemaj nga goja e vet nuk po nxjerr mjaltë. Duket se as mjaltë nuk po hanë! Edhe në rastin e parë dhe të dytë ai po përzien diçka që shumë ia kënda e që fillon me shkronjën e mjaltit! Ky nuk është mjek që të caktojë diagnoza për Adem Demaçin të cilin e diagnostifikon si monstrum dhe psikopat. Ky nuk ka të kaluar, as personale e as familjare që ta cilësojë Adem Demaçin si antikombëtar dhe proserb. Që i ka shërbyer Serbisë. Ky është i ri të flas për Rankoviqin duke i krahasuar deputetët që e kanë votuar Ligjin për Veteranë të Luftës se po e bëjnë këtë si në kohën e Rankoviqit. Armend Zemaj mund të ketë dëgjuar për Aleksandar Rankoviqin nga xhaxhai i tij, ish- oficer i KOS- it të Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë, kolonel Tahir Zemaj. Kur Adem Demaçi dhe shumë të burgosur të tjerë politik shqiptarë kanë vuajtur vite dhe shekuj burg (ata të dënuar në Armatën Popullore të Jugosllavisë edhe me kontributin e pakursyer të xhaxhait të Armend Zemaj), koloneli Zemaj ka vrapuar pas prostitutave në Zajeçar, Pozharevc, Beograd, Vukovar dhe qytetet tjera ku me besnikëri qençe i ka shërbyer Jugosllavisë dhe Serbisë! Dhe frymës së Rankoviqit! Edhe pjellën e ka përzier! Kjo është e vërteta! Është e vërtetë se Tahir Zemaj ka qenë i dënuar për tregti me drogë dhe si diler.

Me disa persona nga Besiana dhe Prishtina. Armendi është i ri dhe mbase nuk i kujtohet. Apo nuk ka dëshirë ta kujtojë këtë! Është e vërtetë se Tahir Zemaj, si oficer i KOS-it ka marrë në pyetje ushtarët shqiptarë në ish-Armatën Jugosllave. Pas së cilës janë dënuar me burgje të gjata, deri me 20 vite! Për këtë ka fakte të shkruara! Është e vërtetë se nuk përjashtohet roli dhe kontributi i tij në “vetëvrasjen” e ushtarëve shqiptarë. Për këtë do të dalin fakte edhe për së gjalli të Armend Zemaj! Është e vërtetë se në zonën ku ka “luftuar” Tahir Zemaj i janë dorëzuar ushtrisë dhe policisë serbe mbi 5000 copë armatim. Janë bërë publike listat e personave që kanë dorëzuar armatimin. Janë edhe filmimet nga koha e dorëzimit të këtyre armëve që janë transmetuar në mediet e asaj kohe! Është e vërtetë se janë lënë në duart e serbëve mbi 600 të plagosur në kohën kur Tahir Zemaj me (TH) FARKUN e tij ia mbathi për Shqipëri për t’u mos kthyer kurrë më në luftë! Prandaj, Armend Zemaj, si mbrojtës i “jetës dhe veprës” së kolonelit të KOS-it jugosllav, Tahir Zemaj, nëse ka ndonjë aktgjykim me të cilin Tahir Zemaj është gjykuar nga gjykatat serbe dhe jugosllave për aktivitete kombëtare dhe politike, le t’i bëjë publike.

Unë në këtë rast do t’i kërkoj falje publike! Nëse Armend Zemajt i duhet aktgjykimi për dënim të xhaxhait të tij si diler droge nuk e ka aspak vështirë ta sigurojë atë. Edhe për marrje në pyetje të ushtarëve shqiptarë në ish -armatën jugosllave pas së cilave janë dënuar me vite e shekuj burg, lehtë sigurohen informatat. Janë të ruajtura aktakuzat dhe aktgjykimet. Aktgjykimet e Adem Demaçit për dënim dhe mbajtje thuaja 30 vjet burg janë të ruajtura. Dhe janë publike. Edhe unë kam ruajtur aktgjykimet për dënimin tim politik. I pari është 3 vjet burg, ndërsa i dyti 12 vjet. Për të dytin kur jam dënuar si ushtar ka kontribuar shumë kolegu i xhaxhait të Armend Zemaj. Koloneli i KOS-it jugosllav, Enver Krasniqi! Armend Zemaj po krenohet me xhaxhain e vet, kolonelin e KOS-it jugosllav. Në mbrojtje të diçkaje që nuk mbrohet po sulmon vlerat e dëshmuara kombëtare. Po të isha në vendin e tij unë do të turpërohesha nga e kaluara e xhaxhait. Në vend të pastrimit të ndërgjegjes ai po e rëndon edhe më shumë. Për shkak të pastrimit të historisë familjare. Për shkak të së ardhmes së fëmijëve të vet! Për shkak të së vërtetës që në mënyrë aq të paskrupullt e falsifikon dhe e mohon!

Për titullin: Ismet Beqirin e njoh një kohë të gjatë. E mbaj mend si aktivist të palodhshëm për çështje kombëtare të viteve të 90-ta. I cili ka ndihmuar shumë banorët e ish- Lagjes së Vranjevcit e cila për së gjalli të Ismetit u quajt Kodra e Trimave. Sigurisht për shkak të Ismetit. Me t’u zhdjerg të Ismetit në qytet apo me urbanizimin e tij kjo lagje më nuk mund të quhet Kodra e Trimave. Duhet t’i kthehet emërtimi i mëparshëm! Ismet Beqirin e kam njohur si aktivist kombëtar dhe politik. Duket se nuk e paskam njohur sa duhet. Nuk e paskam ditur që Ismet Beqiri paska qenë komandant i lartë i (TH) FARK-ut. Dhe zëvendësministër i “Ministrisë së Mbrojtjes” së Bukoshit. Prandaj me aq ngulm e mbronte këtë në Kuvendin e Kosovës. Duke bërë përpjekje që të bënte një martesë të pazakontë dhe jonormale të (TH) FARK-ut me UÇK-në. Ku (TH) FARK-u do të ishte burri e UÇK-ja gruaja. Ku (TH) FARK-u do ta shalonte UÇK-në. Jo, Ismet. Nuk kalon kjo punë! Është kundër natyrës dhe kundër Zotit! Dhe mos u kërcëno se kur të vini në pushtet puna e parë që do ta bëni është se do ta shfuqizoni Ligjin për Veteranë të Luftës. Se nuk do t’i lëshoni kullat e Sheremetit! Pushkë e zbrazur është kjo, miku im Ismet Beqiri, sepse kur nuk ke banuar në ato kulla!

Shkrimi i radhës: Mbi “zallogën” e Adem Demaçit dhe mbi pallatet e Ibrahim Rugovës.

Një roman për jetën e Frederik Rreshpjes

0

frederik-rreshpjaPas librit “Shitësi i Apokalipsit”, shkrimtari Gazmend Krasniqi vjen për lexuesin me një tjetër roman, botim i shtëpisë botuese “Saras”. “Fytyra e Simurgut”, një roman i cili e çon në një tjetër dimension prozën e Krasniqit, me një formë e mendim ndryshe nga skemat që jemi mësuar të shohim në romanin shqip. Për të shkruar këtë rrëfim ai është frymëzuar nga jeta e poetit të njohur Frederik Rreshpja. Në libër ai quhet Marin Baina dhe bën një tjetër udhëtim, në jetën që la mëngjesin e 18 shkurtit 2006, kur mbylli sytë përgjithmonë. Më poshtë Krasniqi vjen në një rrëfim për këtë libër….

Udhëtimi i një shkrimtari drejt Vjenës, në fakt, kthehet në një hulumtim mbi një prej personazheve që e kishte grishur me jetën prej poeti… Ishte kjo ideja e romanit?

Ideja? Le ta marrim nga fillimi. Ashtu si romani “Shitësit e Apokalipsit”, i cili e kishte fillesën te një imazh: Një njeri që thyen tabunë i pari, edhe në këtë rast, romani ka pasur një imazh paraprirës: Një poet përballë qytetit të vet. Ky imazh, si ai para tij, nuk ka një datë të saktë: për shumë vite ka hyrë e ka dalë lirisht nga kujtesa ime. Energjia dhe forca e tij kanë qenë vetëvepruese, pasi herë-herë doja ta largoja, që të mos vinte kur të donte, sepse më pengonte për punë të tjera, herë-herë doja ta merrja në konsideratë dhe ta analizoja. Me kohë, shihja se njeriu i imazhit filloi të merrte trajtë dhe të individualizohej: nuk pranonte të rrinte dokudo, por vetëm përballë një qyteti dhe një kohe që i njihja. Ky qytet ishte Shkodra, ndërsa koha qe ajo që e quajmë demokratike. Njeriu pa fytyrë qe gjithnjë e më i aftë që ta pushtonte përfytyrimin tim, derisa filloi të bëhej e qartë se duhej të bëja diçka për të, duhej të bëja të dallueshëm shqetësimin dhe preokupimin e tij njerëzor. Kur erdhi dita që kisha më shumë kohë për t’i kushtuar, gjërat u bënë më të qarta: atëherë ndesha në faktin se edhe vetëdija e njeriut të imazhit ishte e copëtuar dhe fragmentare – shkëputur nga bota me qenësi të besuara dikur dhe të marra për të vërteta – një parodi në vetvete që, për një autor, nëse i takon atij lloj formimi, nxit parodinë si formë letrare. Edhe në librin e sipërpërmendur isha përballur me të njëjtin fakt, por ky rast paraqitej shumë më i vështirë për t’u mishëruar dhe për të marrë formën e vet. Se cilën formë po merrte, kur dihet se lexuesi e ka përfytyrimin e tij për këtë gjini letrare, duhej ta tregonte puna në vazhdim, përderisa ky tekst nuk e pranonte braktisjen.

Përmendët fjalën parodi. A duhet parë ky libër si një parodi?

Teorikisht, nga historia dimë se, si formë letrare, parodia merr pjesë në zhvillimin dinamik të letërsisë kur një traditë prek fundin e vet, kur kësaj tradite i shterojnë formulat dhe skemat shterpe. Sintezat e fituara shfaqen për të përtërirë forma të reja, sepse, ndryshe nga satira, e cila është thellësisht sociale në qëllimësinë e saj, parodia është pastërtisht formale: që në origjinën e tij, akti parodik është shmangia nga një normë letrare, duke e mbajtur përbrenda, në plan të dytë, këtë normë. Në këtë mënyrë u bë modeli i romanit që njohim sot e kësaj dite një libër si “Don Kishoti” i Servantesit, i cili, pasi e theksonte vetë autori, ngrihej mbi sfidën ndaj romaneve të atëhershme kalorësiake. Për ndokënd duket paradoksal shembulli i mësipërm, por kjo na kujton se, siç pohohet shpesh, më tepër se një periudhë historike, postmodernizmi është një metodë.

Kjo metodë, apo formë e mishërimit të tekstit – shkrimi që sjell, në mënyrë të pandërgjegjshme apo jo, tekste apo burime tekstesh të tjera në tekstin e planit të parë – e quajtur sot intertekstualitet, jep pranëvëniet, ndërfutjet dhe mbivendosjet, të cilat, sipas Julia Kristevas (që futi termin intertekstualitet) e krijojnë referimin me termat e dy akseve: Aksi horizontal që lidh autorin dhe lexuesin e një teksti; Aksi vertikal që lidh tekstin me tekstin. Duke vazhduar me këtë logjikë, vërehet se njësimi i dy akseve nxjerr se çdo tekst dhe çdo lexim varet nga kodet e mëposhtme: Duke e parë si strukturë, ai lejon futjen e një bote tjetër (e disa botëve të tjera) në botën tonë, duke i dhënë hapësirës mundësi paradoksale, ku janë pranëvënë elementet më kontradiktore. Duke e parë si kohë, ai i jep mundësi që periudha të ndryshme të futen brenda njëra-tjetrës në të tashmen e thjeshtë. Në këtë mënyrë, krejt pandërgjegjshëm, historia dhe fiksioni ndryshojnë vendet: historia bëhet fiksionale dhe fiksioni bëhet historia e vërtetë. Me një lëvizje si kjo humbet bota reale (Postmodernizmi do të shtonte pyetjen: në raport me çfarë?!), por është e mundshme të fitohet një tekst i cili në kohën tonë karakterizohet nga forca përmbysëse ndaj klasifikimeve të vjetra: në krahasim me lëndën e planit të dytë (e cila është në kujtesën dhe edukimin e lexuesit), lënda e planit të parë (histori apokrife, të cilat e shohin përmbajtjen e kujtimit historik duke e riinterpretuar dhe, përgjithësisht, duke e demistifikuar versionin e parë ortodoks) të mëtojë të ngrihet si një seriozitet i ri, si një autenticitet i ri, të cilët zëvendësojnë seriozitetin dhe autenticitetin e prerë mimetik (imitues), ose atë që sot e quajnë edhe niveli zero i shkrimit.

Kjo parodi ka të bëjë me realizmin socialist?

Bashkë me Roland Bartin, estetin e mirënjohur francez, do të thoshim: gjuha nuk është ngarkuar të shprehë kohën. Roli i saj është të shpjerë realitetin në një pikë dhe, nga shumësia e kohëve të jetuara dhe të mbishtresuara, të abstragojë një akt verbal të pastër, të liruara nga rrënjët ekzistenciale të përvojës dhe të orientuara drejt një lidhjeje logjike me veprime të tjera, me procese të tjera, me një lëvizje të përgjithshme të botës. Pra, ajo synon të mbajë një hierarki graduale në perandorinë e të dhënave. Gjatë këtij procesi, me paaftësinë e afirmimit të ekzistencës së një shembulli narrativ (gjithë ato prerje dhe fshirje), autorit postmodern i mbetet të ringjallë ironinë romantike ose, siç përdoret më shumë sot, metafiksionin. Ky mjet, i përdorur herë pas here, atij shërben për t’i thënë lexuesit: Je në një fiksion. Gjithë kjo është vetëm një kundërvënie ndaj doktrinës së realizmit socialist.

Po autori?

Në dukje, akti parodik është një akt sinteze (përzien dy botët që trajton), por funksioni dhe strategjia e tij janë ndarje apo kontrast, procedurë që ngre problemin e (jo)fundeve: ndryshe nga tekstet para-moderniste, që paraqesin një fund të mbyllur, ndryshe nga tekstet moderniste, që paraqesin një fund të hapur – tekstet postmoderne paraqesin funde të shumëfishta ose rrethore. Këtë kërkon ta shpjegojë dallimi thelbësor mes artit modernist dhe atij postmodernist, që është ndryshimi i Dominantes – çfarë është sfond te njëri, bëhet i dorës së parë te tjetri dhe anasjelltas. Sipas këtij argumenti, një teoricien i postmodernizmit (McHale), do të na thoshte: Dominantja moderniste, që është epistemologjike (teoria e njohjes), ngre pyetjet:

Si mund ta interpretoj këtë botë ku bëj pjesë? Çfarë jam unë në të? Çfarë njihet? Kush e zotëron këtë njohje? Si njohim dhe cili është niveli i sigurisë? Si transmetohet njohja dhe cili është niveli i seriozitetit të sigurisë? Si mund të ndryshojë niveli i njohjes nga një njohës te tjetri? (Si element teknik dominant modernizmi ka monologun e brendshëm.) Dominantja postmoderniste, që është ontologjike (shkenca e qenies), ngre pyetjet: Çfarë është bota? Çfarë bëj në të? Çfarë lloj botësh gjenden, si ndërtohen dhe si ndryshojnë? Çfarë ndodh kur lloje të ndryshme botësh vendosen në konfrontim mes tyre? Cila është mënyra e ekzistencës së një teksti dhe cila është mënyra e ekzistencës së një bote që ndërtohet? Si është strukturuar një botë e projektuar? Si element teknik dominant, proza postmoderne, me peshën e strukturave polifonike dhe konturimit në rrugë të ndryshme të dialogut, ka dimensionin ontologjik të konfrontimit midis diskurseve. Sa për hapësirën përtej librit, autori postmodern, i cili gjithnjë e më shumë del në periferi të gjërave, vetëm se përpiqet të shpjegojë pse e si ka shkruar dhe nuk duhen pritur interpretime prej tij. Ai nuk mund të thotë se si ta lexojnë, por, siç u përpoqëm të bëjmë më lart, mund të përmendë problemet që i ka shtruar vetes për të arritur një efekt artistik.

Cilat kanë qenë shqetësimet tuaja për formën, sepse kemi të bëjmë me një element që bie në sy menjëherë?

Rreth 2500 vjet më parë, Platoni nuk e pranoi Simulakrumin – kopjen që i ikën modelit fillestar – prandaj i dëboi poetët nga Republika e vet, përveç rastit kur ata i thurin lavde shtetit. Shkrimtari i sotëm (shqiptar) e pranon Simulakrumin, për t’i ikur këtij raporti me shtetin, përveç të tjerash, edhe se socrealizmi është një kujtesë e hidhur, por sheh se epoka që jetojmë ka nxjerrë në plan të parë pikërisht politikën dhe përpjekjet e saj të vazhdueshme për të siguruar mbështetjen e kapitalit të madh, me anë të të cilit fitohet mbështetja e elektoratit. Shkrimtari i sotëm pranon se me këtë shndërrim të madh në politikë, është shtuar komunikimi, por edhe se çështjet kyçe nuk kanë marrë përgjigje, pasi, ndryshe nga koha kur dëgjohej zëri i një Volteri a Tolstoi, Sartri a Kamyje, me mungesën e ideologjive, të cilat ushqeheshin nga pakënaqësia dhe revolta, mungojnë edhe rrethanat që të grumbullohen shumë njerëz rreth një ideje të veçantë. Informimi i sotëm na thotë se pakënaqësia dhe revolta e njeriut të epokës marrin formën e vandalizmit, kriminalitetit dhe pakënaqësisë së fshehur, mirëpo kjo mënyrë, me të dalë në pah, konsumohet shumë shpejt, pasi logjika e mediave është që askush të mos jetë gjithnjë i pranishëm.

Sot ka vetëm treg dhe konsum: askush nuk e di, nuk e përfytyron të ardhmen, e nga kjo, edhe për shkrimtarin, gjejnë arsye të lulëzojnë teoritë e postmodernes. Pas Mesjetës, që karakterizohej nga mendimi se Zoti është masa e gjithçkaje, pas Rilindjes, Iluminizmit dhe gjithë kohës moderne, që u kthye nga mendimi se njeriu është masa e gjithçkaje, epoka postmoderne karakterizohet nga një vetëdije e copëtuar dhe fragmentare, prandaj ndryshe nga dy epokat e tjera, të cilat e kanë njësuar ligjërimin, kjo e fundit, nga kjo pikëpamje, është pasqyrim i vetëdijes së lartpërmendur – pra, e copëtuar dhe fragmentare. Si rrjedhim (nuk është rasti për të përcaktuar nëse kjo ndodh për mirë apo për keq), ligjërimi i sotëm karakterizohet nga copëtimi dhe fragmenti. Ky libër ka dalë nga kjo pikëpamje.

 

A ka një të ngjashëm në jetën reale personazhi juaj poet? A jeni ndier i frymëzuar nga dikush, nga një figurë reale?

Mbase është trupëzuar diçka më shumë, se ka një homazh për të gjithë poetët e llojit, por mund të them me plot gojën se atë e ka frymëzuar një poet si Frederik Rreshpja. Kam qenë pranë tij për disa vite.

Në libër shkruani se poetët i marrin lavdet pas vdekjes… ?

Tani nuk po më kujtohet se ku thuhet kjo dhe në cilin kontekst, por besoj se biem dakord që pas vdekjes, Rreshpja është kthyer në legjendë. E duan dhe e lexojnë shumë. Dalëngadalë ai po bën vend si një nga fenomenet më të veçanta poetike të kësaj periudhe, por edhe i letërsisë shqipe në veçanti. Gjykoj se roli i tij si poet është më i madh sesa mendohet hë për hë. Kjo mbetet për t’u zbuluar e për t’u pranuar.

A është ky roman një homazh për rikthimin e vëmendjes te poezia?

A duhet ta lëmë kohën tonë të zbuluar para ligjërimit të politikanëve? Nuk e di se sa njerëz mendojnë si unë, por gjykoj se kjo do të kishte pasoja të rënda për një gjuhë.

Ju vetë shkruani poezi. Sa poet ndiheni kur shkruani prozë?

Frederiku kishte një postulat që e përmendte shpesh, i cili tingëllonte pak a shumë kështu: një poet di të bëjë prozën, një prozator di të bëjë gazetarinë. Duket shumë e thjeshtëzuar, por në thelb ka një të vërtetë që do të hante një trajtim të veçantë. Mandej, nuk ka një qasje të vetme ndaj prozës: ndryshon aq shumë qasja ime ndaj prozës së librit për të cilin po flasim, dhe asaj që përbën romanin para këtij: “Shitësit e Apokalipsit”. Mirëpo, pa dyshim, të dyja kanë në vetvete dimensione poetike, edhe pse duken kaq të largëta. Në të dyja rastet kam provuar të njëjtat kënaqësi e vuajtje të krijimit.