20.3 C
Prizren
E diel, 10 Maj, 2026
Home Blog Page 8632

Letra dërguar NATO-s për pranimin e Kosovës

0

LetraderguarNATO“Epoka e re” ka arritur të sigurojë një kopje të letrës që Kuvendi i Kosovës, konkretisht kryetari Jakup Krasniqi dhe nënkryetari Xhavit Haliti, i cili e kryeson që disa vite delegacionin parlamentar të vendit tonë në AP të NATO-s, ia kishin dërguar më 12 mars 2013 kryetarit të këtij institucioni, që në atë kohë ishte, Dr. Kar A. Lamers, për pranimin e Kosovës në rangun e vëzhguesit.

“Siç jeni në dini një delegacion i Kuvendit të Kosovës për disa vjet me radhë është duke marr pjesë në takimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në bazën ad hoc. Duke u nisur nga ky fakt, përvoja që kemi fituar gjatë pjesëmarrjeve në këto takime si dhe nga rrethanat e krijuara së fundi në Kosovë, kërkojmë nga ju që Kuvendi të përfaqësohet në takimet e radhës në rangun e vëzhguesit. Me këtë rast ju falënderojmë për angazhimin tuaj, fal të cilit ekziston një bashkëpunim i mirë ndërmjet Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe Kuvendit të Kosovës.

Jemi të bindur se ky bashkëpunim në të ardhmen do të fuqizohet edhe më shumë. Mbesim me shpresë se kërkesa jonë do të merret në konsideratë”, thuhet në këtë letër.

Konfirmimi për pranimin e Kosovës në Asamblenë parlamentare të NATO-s, nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti i ka ardhur edhe nga zëvendëssekretarja e përgjithshme për politika në këtë institucion, Ruxandra Popa.

“Dua të ju njoftoj se Komiteti i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s në takimin e mbajtur dje ka rënë dakord që Kuvendit të Kosovës t’i japë statusin e vëzhguesit.

Sipas rregullave tona, ky vendim ende nuk është ratifikuar, mirëpo do të ratifikohet nga Asambleja në Sesionin e plotë që do të mbahet ne Vilnius, por mendova se ju dhe anëtarët tuaj të delegacionin të Kuvendit të Kosovë në AP të NATO-s do të ndiheni të lumtur”, thuhet në letrën e Ruxandra Popa.

Letra derguar NATO

Prokuroria kërkon bashkëpunim për zbardhjen e një rasti të krimit të luftës në Prizren

0

EULEX-kosoveProkuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka kërkuar sot bashkëpunim nga qytetarët për zbardhjen e një rasti të krimit të luftës që ka ndodhur nga forcat serbe gjatë vitit 1999 në Prizren.

“Prokuroria i bën apel të gjithë atyre që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjeve të mëposhtme që të paraqiten dhe t’i japin informatat që mund t’i kenë”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Më 29 mars 1999 rreth orës 09:15 të mëngjesit, një radhë e refugjatëve ishte ndaluar nga paramilitarë serbë përpara Llamellës B/2, rruga “11 marsi” në Ortakoll, Prizren. Dy individ dyshohet të kenë marrë nga një traktor dy djem të rinj të cilët ishin me familjet e tyre dhe i kishin rrahur me kondak të automatikut derisa dy djemtë ishin alivanosur. Pastaj i kishin tërhequr zvarrë deri në fabrikën e ushqimit “Voqar” në Prizren dhe i kishin vrarë”.

“Nëse ndonjë person ka informata lidhur me këtë ngjarje, përfshirë identitetin e këtyre dy djemve apo familjeve të tyre, apo që ka qenë dëshmitar i rastit, lusim të thërrisni në numrin 038784021 nga ora 9:00 deri në 17:00 gjatë ditëve të punës, ose shkruani në adresën [email protected]” . / PrizrenPress.com/
.

 

Prej nesër hapet panairi i librit në Shkup

0

Shkup-panairi i libritMbi 70 botues do të marrin pjesë në Panairin e 26-të ndërkombëtar të librit, i cili prej nesër deri më 14 prill do të mbahet në Arenën Metropolis në Panairin e Shkupit, me sipërfaqe të përgjithshme prej 3.000 metra katrorë. Motoja e këtij viti është “Panairi i librit – panair për dashurinë ndaj fjalës së shkruar”. Panairin sonte në orën 19 do ta hap ministrja e Kulturës Elizabeta Kançevska-Milevska.

Në stenda me çmime të panairit do të shiten librat nga produksioni më i ri botues në Maqedoni dhe botimet e përkthyera, zhanre të ndryshme, letërsi shkencore, enciklopedi dhe fjalorë, libra për fëmijë… Organizatorët – Panairi i Shkupit dhe Shoqata e Botuesve dhe Librarive të Maqedonisë (SHBLM) paralajmëruan pjesëmarrje edhe të botuesve të huaj – Bullgaria, Shqipëria, Serbia (e prezantuar nga Biblioteka kombëtare), Italia dhe Suedia (nëpërmjet ambasadave të tyre në Shkup) dhe Hungaria (Instituti Balashi nga Budapesti dhe Lektorati për gjuhë hungareze pranë Fakultetit filologjik “Bllazhe Koneski”).

Gjatë shtatë ditëve të manifestimit të panirit do të ketë promovime të përditshme dhe lexim në Qendrën promovuese të galerisë në Arenën Metrolpolis. Më 12 prill SHBLM do t’i ndajë edhe çmimet tradicionale për botimin më të mirë mes dy panaireve, librin më të shitur të Panairit dhe çmimin për shitësin e librave më të mirë të vitit në Maqedoni.

Organizatorët presin vizitë të madhe, duke marrë parasysh edhe çmimin simbolik të hyrjes – 30 denarë dhe 20 denarë për vizitat grupore.

Me rreth 40.000 vizitorë, Panairi i librit është manifestimi i dytë më atraktiv i Panarit, pas panairit të mobilieve, i cili është më i vizituari. Panairi i librit do të punojë prej orës 10 deri në orën 20.

Gjetet i vdekur legjenda e filmit, Mickey Rooney

0

MickeyRooney-aktorYlli amerikan i filmit, Mickey Rooney, ka ndërruar jetë. Legjenda e industrisë së filmit në Holllywood, është gjetur i vdekur në moshën 93 vjeçare, i rrethuar nga familja në shtëpinë e tij.

Komandanti i policisë në Los Angeles, Andrew Smith, ka njoftuar se Rooney ka ndërruar jetë të dielën (të hënën në mëngjes sipas kohës evropiane) pranë familjarëve të tij, në shtëpinë e tij në veri të Hollywoodit.

Ai la pas një trashëgimi të gjallë në Hollywood, që u shtri në 80 vjet dhe disa qindra filma, duke përfshirë “Boys Town” dhe “The Black Stallion”. Shkëlqimi i tij Do të vërehej qysh në vitet 1930-1940.

Gjatë karrierës së tij 80 vjeçare, Rooney ka luajtur në më shumë se 200 filma. Por më së shumti njihet për rolin e tij në serialin Andy Hardy.

Ai në vitin 1944 ka qenë aktor në filmin “National Velvet”, së bashku me aktoren Elizabeth Tailor.

Rooney ishte i martuar tetë herë. Martesa e tij e parë ishte me Ava Gardner.

Agani: Zgjedhjet në shtator

0

FeridAgani-pdKryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, thotë se janë të përgatitur për zgjedhjet e përgjithshme. Sipas tij, periudha më e përshtatshme për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve është pjesa e dytë e shtatorit.

Ai deklaroi se qytetarët janë duke e rritë besimin në PD dhe se në këto zgjedhje do të shkojnë vetëm.

Agani thotë se kanë bazë të fuqishme intelektuale dhe politike me përfaqësues kredibil, dhe nuk do të bëjnë koalicione parazgjedhor, duke e parë si më të rëndësishmen përfaqësimin në Kuvendin e Kosovës.

Sa i përket krijimit të Tribunalit për krimet e supozuara të UÇK-së, kreu i PD-së, në një intervistë për RTK 1, tha se nuk ka informacion të saktë mbi përmbajtjen e këtij Tribunali, por do bashkërendim me vendorët dhe ndërkombëtarët.

Njëherësh edhe drejtues i Ministrisë së Shëndetësisë, Ferid Agani, mungesën e barnave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e arsyeton me vështirësinë në menaxhim dhe mos ndërrimin e menaxhmentit, duke e kritikuar punën e të deritanishmëve, dhe duke thënë se në të ardhmen përgjegjësia dhe llogaridhënia do të rritet dukshëm.

Blomayer: Deputetët të vendosin për vazhdimin e EULEX-it

0

Peter Blomayer.Ambasadori gjerman në Prishtinë, Peter Blomeyer mendon se para se të shpërbëhet Parlamenti, deputetët e Kosovës duhet të vendosin për vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe themelimin e Tribunalit për Kosovën.

Ai tha për “Kosova Sot” se “nëse Kosova refuzon të themelojë Tribunalin, mund të akuzohet për pengim të procedurës penale”.

Mbreti Zog na premtoi se do luftonte me ne

0

Kristo FrashëriNdërhyrja e drejtorit qe një pengesë e papritur. Ishte rrezik që drejtori t’i urdhëronte nxënësit të mos dilnin nga shkolla ose të mbyllte portën e oborrit. Kohë nuk kishte që të bindeshin e të sqaroheshin të gjithë. Ora 5, kur do të fillonte demonstrata dhe kur nxënësit duhej të ndodheshin në sheshin “Skënderbej” po afrohej. Kur në mënyrë të papritur në orën 4.30 ndërtesa e gjimnazit u rrethua prej xhandarëve. Xhandarët nuk nganë dhe nuk penguan njeri të hynte e të dilte. Në fillim nuk u kuptua se ç’qëllim kishte kjo masë. Nxënësit u çuditën dhe u hutuan.

– Të dalim që tashti, – menduan disa nxënës.
– Të dalim sa më parë, se mos na mbyllin brenda, – shtonin disa të tjerë.
– Të dalim, po ku të vemi? Ora s’ka ardhur akoma! – përgjigjeshin të tjerë nxënës.
– Të dalim, pa mblidhemi në një vend tjetër.
– Jo, se edhe atje vijnë e na rrethojnë!
– Të rrimë dhe kur të vijë ora të dalim, s’kanë se ç’të na bëjnë!
– Po pankartat?
– Pankartat t’i fshehim, t’i futim në depon e druve ose në tavan!

Ndërsa nxënësit qenë në telash të madh, hyn në oborrin e shkollës një burrë i vjetër, me kokë të madhe, mustaqe të trasha dhe me bastun në dorë, i shoqëruar nga disa xhandarë dhe civilë. Ai kaloi përmes oborrit, ngjiti shkallët dhe hyri në drejtori.
Nxënësit që nuk e njihnin pyesnin:
– Kush është ky?
– Është Musa Juka, ministri i Brendshëm.

Pas pak drejtori lajmëroi nxënësit të mblidheshin përpara drejtorisë se do t’u fliste ministri. Kur nxënësit u mblodhën përpara shkallëve të drejtorisë, filloi të fliste Musa Juka. Musa Jukën, pjellën anadollake, njeriun e hafijeve, llumin e shpëlarë të bejlurçinave, këlyshin e xhonturqve, njeriun e litarit e të natës shumë të rinj nuk e kishin parë ndonjëherë nga afër, por emrin ia kishin dëgjuar. Nga tregimet që kishin dëgjuar, atë e përfytyronin si një përbindësh të uritur për viktima dhe tani çuditeshin që e kishin përpara syve, me fytyrën ngjyrë mavi.
Musa Juka donte të evitonte shpërthimin e demonstratës dhe si duket, me anën e spiunëve ishte informuar se agjentët e tij nuk qenë në gjendje të ndalnin valangën që do të shpërthente pasdreke. Për t’i prerë hovin demonstratës, ndërsa ai vetë erdhi në Gjimnazin e Shtetit, Faik Shatku, ministri i Arsimit, vajti në Shkollën Teknike po për të njëjtin qëllim.

Musa Juka fliste me të urtë e me të butë. Ai kishte frikë, kishte frikë nga ata të rinj që po e vështronin me çudi. Duke folur për mbretin e për qeverinë që e kishin vënë gjoja punën në vijë dhe i kishin larguar retë e zeza, Musa Jukës i merrej goja dhe fytyra iu mavijos më tepër. Ai vazhdoi të fliste duke i këshilluar studentët të rrinin urtë, të hiqnin dorë nga demonstratat.
– Sot nuk asht vakti i demonstratave, – vazhdoi, – prandaj qëndroni në shkollë ose shkoni në shpijat tueja. Disa prej jush t’u thonë shokëve tuaj të Shkollës Teknike të mos dalin, se demonstrata u anullua. Kshu pra?
Asnjë nuk u përgjigj. Heshtja e mërziti ministrin. Ky kërkoi edhe një herë të përgjigjeshin. Atëherë nga radhët e studentëve, një djalosh e prishi heshtjen duke iu drejtuar me fjalë të prera Musa Jukës:
– Zoti ministër, ç’dëm i sjell vendit demonstrata jonë? Ne nuk do të dalim kundër qeverisë, ne do të kërkojmë të na japin armë për të mbrojtur atdheun nga rreziku.
– Do kërkoni armë? – tha i tmerruar Musa Juka. – Kush ju ka mësue? Mos ndonji keqbas? Mosni, bre çunat e ri, mosni se kemi naltmadhëninë që mendon për ne! Hajt pra, si thoni? A po ma jepni fjalën se s’keni për të shkue në manifestim? Hajt pra, epmani fjalën, se unë pa fjalën tuej s’po luej prej vendit.

Fjalën askush s’po ia jepte. Por ndërkohë gjendja po vështirësohej. Koha po kalonte, ora e caktuar po afrohej, ministri ngulte këmbë dhe nuk largohej, nxënësit shikonin njëri-tjetrin në sy. Shkolla vazhdonte të ishte gjithnjë e rrethuar.
Si nuk mori përgjigje, ministri desh ta bënte punën të kryer duke thënë:
– Hajt pra, zgjidhni dy a tre vetë nga shokët tuej, të shkojmë bashkë në Shkollën Teknike. Ata presin fjalën tuej. Eja ti dhe ti, – iu drejtua me gisht dy studentëve.
Gjendja u rëndua. Disa studentë filluan të lëkundeshin. Filluan të thoshin:
– Të heqim dorë nga demonstrata. Po të bëjmë demonstratë, ministri do të inatoset. Xhandarët i ka me vete dhe do ta paguajmë rëndë.
Ora po afronte dhe duhej patjetër t’i jepej fund asaj situate. Të gjithë pyesnin:
– Ç’të bëjmë tani?
– T’ia fillojmë që këtu demonstratës? – propozoi një nxënës.
– Jo, – u përgjigj një tjetër. – këtu ka xhandarë, këtu do të dështojmë!
– Ejani shpejt, – tha ministri, – zgjidhni dhe një tjetër, shpejt se s’ka kohë.
Pa mbaruar fjalën Musa Juka, ndërhyri një civil që shoqëronte ministrin:
– Zoti ministër, s’ka kohë për të vajtur deri në Shkollën Teknike, prandaj këta duhet të flasin me telefon, nga zyra e drejtorisë.
– Mirë, shumë mirë, ashtu po bajmë, – u përgjigj ministri.
Studentët panë njëri-tjetrin në sy. U duk sikur ministri ia arriti qëllimit. Njëri nga të dy studentët, Jusuf Keçi, të cilit i kishte vënë gishtin ministri, u tha shokëve të tij me ngadalë:
– Unë po shkoj lart në drejtori me ministrin, atje do t’i sjell pengesa, ndërkohë ju dilni dhe filloni demonstratën.

Të dy nxënësit filluan të ngjitin shkallët e drejtorisë. Ministrit iu çel fytyra nga suksesi që kujtoi se korri. Pastaj bashkë me suitën e tij u ngjit shkallëve të drejtorisë. Atje Jusuf Keçi u informua me telefon nga Shkolla Teknike se nxënësit ishin nisur nga shkolla për në sheshin “Skënderbej”. Kështu plani i ministrit Musa Juka dështoi.

Sa u largua nga sytë ministri, nxënësit lajmëruan njëri-tjetrin të dilnin nga shkolla dhe të grumbulloheshin me shpejtësi në sheshin “Skënderbej”. Disa shokë shkuan në oborrin e pasmë, atje ku qenë fshehur pankartat dhe kapërcyen me to avllinë nga ku nuk kishte xhandarë.
Nga shkolla nxënësit kaluan togje-togje përmes xhandarëve. Jo shumë larg gjimnazit ndodhej Parlamenti. Aty qenë grumbulluar deputetët. Disa u shkëputën nga masa e nxënësve, u drejtuan për në Parlament, hynë brenda, duke u thënë deputetëve:

– Pse rrini këtu zotërinj? Jashtë po valon Tirana. Lërini fjalët dhe ejani të kërkojmë armë për të mbrojtur vendin.
Deputetët dolën nga Parlamenti, por nuk panë njëri-tjetrin nga ikën.
Ndërkohë në sheshin “Skënderbej” arritën nxënësit e Shkollës Teknike, po ashtu dhe një grup vajzash të Institutit Femnor. Në sheshin “Skënderbej” lëvrinte një mizëri e madhe njerëzish, që prisnin sinjalin e demonstratës. Pas pak buçiti kënga. Grumbulli i madh i njerëzve filloi të drejtohej nga rruga e Sahatit.
Turma sa vinte e shtohej. Si mbaroi kënga, filluan thirrjet: “Armë! Armë!”. Pastaj prapë kënga. Herë me këngë dhe herë me thirrje për armë, turma arriti deri në xhaminë e vjetër, aty ku sot është ngritur monumenti i Ushtarit të Panjohur. Aty ku rrugët ndahen, masa e demonstratorëve qëndroi. Në rrugën që shpinte në pallatin e mbretit, u radhit me të shpejtë një kordon xhandarësh. Komandanti i qarkut dhe komisari i policisë kujtuan se ajo turmë që këndonte me shpirt revolucionar dhe kërkonte armë, ai grumbull i madh njerëzish të lidhur krahë për krahë, do të hynte në pallat. Prandaj për të prerë rrugën dhanë urdhra të rrepta të formoheshin dy kordonë xhandarësh.
Si ndali turma, pas një çasti, duke qëndruar mbi shpatullat e disa shokëve, u ngrit një djalosh. Këngët e brohoritjet vazhdonin.
– Pushoni shokë, se dikush do të flasë, – thirrën disa zëra.

Të tërë pushuan. Djaloshi filloi të flasë:
– Ju të gjithë e keni marrë vesh se vendi ynë ndodhet në rrezik të madh. Ju të gjithë e keni dëgjuar se kush është ai shtet që kërkon të pushtojë vendin tonë, që kërkon të na veshë me të zeza, me të zezat e robërisë. Ne nuk dimë se ç’mendon qeveria, nuk dimë se ç’ka ndër mend të bëjë, por ne e dimë detyrën tonë. Detyra jonë është të mbrojmë atdheun, me armë e jo me fjalë, me gjak e jo me pallavra. Prandaj kemi dalë ta themi sheshit se ne duam armë të luftojmë, se ne nuk do të lëmë asnjë armik të shkelë mbi tokë tonë pa shkelur më parë mbi trupat tanë. Rroftë atdheu! Rroftë populli shqiptar!

Një breshëri duartrokitjesh shpërthyen dhe një llavë brohoritjesh mbyllën fjalët e djaloshit. Thirrjet “Armë! Armë! Armë!” buçitën gjer në kupë të qiellit. Pastaj filloi kënga “Për mëmëdhenë! Për mëmëdhenë!” Kur ajo mbaroi, u ngrit dhe foli një qytetar thatanik. Edhe ai kërkoi armë për të luftuar. Fjalët e tij u pritën me duartrokitje të stuhishme dhe me këngë. Kënga nuk kishte mbaruar kur dy vetë nga kreu i turmës thërritën:
– Pushoni, pushoni! Do flasë Mehdi Beu!

Ish-kryeministri i Zogut, Mehdi Frashëri, me fraza të errëta dhe me pozë politikani, filloi të fliste me një gjuhë diplomatike pa kripë, fjalë tërë flluska, të cilat njeriu sapo i dëgjon i harron se nuk lënë asnjë mbresë. E vetmja gjë që u kuptua nga fjalët e Mehdi beut, të mbuluara edhe ato me mjegullën e termave të huaja, qe ajo e së drejtës së popullit shqiptar për të jetuar në një shtet “endependan”, “suvëren”, prandaj vendi duhej mbrojtur. Por nuk duhet të harrojmë, tha ai, se ne kemi një qeveri “luajal”, kemi një mbret “ogyst” e të tjera fjalë burokratike.
Këtë fishekzjarr të Mehdi Frashërit e kapi menjëherë një deputet që ndodhej pranë tij, i cili vrapoi të fliste:
– Puna më e mirë që mund të bëjmë ne sot është të zgjedhim një komision e ta dërgojmë te naltmadhënia që t’i deklarojë se ne jemi gati të mbrojmë vendin. Prandaj ne duhet të zgjedhim këtu një komision!

Ato fjalë ngjallën një bisedim të zjarrtë. “Si i bëhet?” – “Të zgjidhet apo të mos zgjidhet komisioni? – “Të vejë apo të mos vejë te mbreti?” – Mirë është të zgjidhet, mirë është të vejë, po ç’t’i thotë? T’i thotë ato që tha deputeti? Jo, s’bëhet! Më mirë të mos vejë fare”. Diskutimet po zienin. Zgjidhja akoma nuk po dukej. Në atë çast, një i ri iu drejtua deputetit:
– Zoti deputet, a nuk është më mirë të vemi të gjithë, kështu si jemi, te mbreti pa qenë nevoja për komision?
Një burrë që rrinte pranë deputetit tha:
– Një djalë i ri kërkon të vemi të gjithë siç jemi te mbreti? Fjalë është kjo? Bëhet gjëkundi kjo? Pse kryengritje do bëjmë ne? A na ka hije ne t’i vemi mbretit si ushtri e Haxhi Qamilit? Punë që s’bëhet! Punë që s’bëhet! – vazhdoi të fliste i nxehur e i shkumëzuar.
Më në fund u zgjodh një delegacion prej pesë vetash. Ky delegacion i kryesuar nga vetë deputeti shkoi në pallat dhe atje u takua me mbretin Zog. Turma priti derisa u kthye delegacioni.

Deputeti dha sqarime mbi takimin me mbretin.
-Zogu na priti mirë, – tha deputeti, – na dha dorën, na tha se hë për hë furtuna e madhe duket sikur kaloi, prandaj s’është koha për shqetësime. Sidoqoftë, – këtu deputeti ngriti zërin, – atdhedashuria juaj, na tha naltmadhnia, – është e madhe dhe po qe se gjendja do të ngatërrohet përsëri, unë vetë i pari, shtoi mbreti, do të mbath përsëri opingat dhe do të dal të luftoj, kudo që të jetë nevoja. Prandaj, – tha ai, – nuk ka pse të kërkojmë armë. Kur të jetë puna për armë, vetë mbreti do të dalë i pari; këtë na e tha vetë mbreti me gojën e tij.
Data 5 prill

Të mërkurën që në mëngjes, më 5 prill, në qendra pune dhe në shkolla kalonin shokë për t’i lajmëruar se pas dreke do të shpërthente një demonstratë më e madhe. Vendi i takimit ishte sheshi “Skënderbej”. Në Tiranë kudo puna ishte prerë. Dyqanet qenë pothuaj gjysmë të mbyllura; qepenat e vitrinave qenë të ulura, kurse ato të dyerve gati për t’u mbyllur. Në këto e sipër u hap lajmi se lindi princi trashëgimtar. Pastaj filluan të gjëmojnë topat për t’i dhënë ditës pamjen e festës. Këto dhanë shkak që zyrat të mbylleshin fare.

Pasdreke tërë njerëzia priste të shpërthente demonstrata. Nxënësit e Shkollës Teknike, për të shmangur ardhjen e tyre me vonesë, u nisën pak para kohës së caktuar dhe me këngë e flamurë, kazma e lopata në krahë, po drejtoheshin në qendër të qytetit. Rrugës disa qytetarë u bashkuan me ta. Kur arritën në sheshin “Skënderbej”, sollën me vete demonstratën e filluar. Tërë ç’qenë aty u bashkuan dhe kështu, si dhe një ditë më parë, duke kërkuar armë, u drejtuan në rrugën “28 Nëntori”. Te “Sahati i Madh” turma u ndesh me kordonin e xhandarëve, që qëndronin me armë në duar dhe nuk donin të linin njeri të kalonte tutje.

Po turma nuk ndali. Me këngë në gojë, të lidhur, krahë për krahë, ecnin përpara, pa marrë parasysh kordonin e xhandarëve. Ecnin duke thirrur herë pas here për armë e duke brohoritur. Xhandarët në fillim nuk deshën të luanin nga vendi, por kur panë se turma po u afrohej përpara hundëve, kur panë se me gjokset e tyre demonstratorët po u mbulonin tytat e pushkëve, filluan të tërhiqeshin dalëngadalë.
– Qëndroni! – bërtiste një kapiten i xhandarmërisë, – ku doni të shkoni?

Asnjëri nuk i dha përgjigje. Turma me hap të sigurt vazhdoi rrugën e saj duke manifestuar për mbrojtjen e vendit.
Rrugët që shpinin për në pallat qenë përsëri me xhandarë të armatosur. Të përleshurit me xhandarmërinë nuk kishte ndonjë kuptim ato ditë. Përpara rrezikut të madh që trokiste në derë, çështja e regjimit të brendshëm ishte lënë pas krahëve.
Turma ktheu nga Rruga Mbretërore (sot Rruga e Barrikadave) dhe pastaj vazhdoi në rrugë të tjera. Demonstrata vazhdoi. Në orën 8 të mbrëmjes ajo mori fund dhe pjesëmarrësit u shpërndanë. U pa se demonstratat tani ishin të pamjaftueshme. Duhej shkuar më tutje. Por kjo qe tepër e vështirë. Atë e pengonte vetë qeveria. Me mijëra vetë ishin treguar në Tiranë të gatshëm për të luftuar. Një gatishmëri të tillë kishin treguar të gjitha qytetet e Shqipërisë. Por për të luftuar duheshin armë. Armë kishte – por ato qenë fshehur.
Data 6 prill

Të enjten, më 6 prill, Tirana u gdhi jashtëzakonisht e turbullt. Të parën gjë që mësonte njeriu në rrugë, kur dilte nga shtëpia, qe lajmi se sulmi i Italisë fashiste qe shumë i afërt. Thuhej se qe çështje dy-tri ditësh. Dikush thoshte se kishte parë filan ministër që përgatiste dengjet me plaçka. Disa të tjerë thoshin se komandanti i përgjithshëm i xhandarmërisë i ngriti baulet me teshat e tij.
Rrugës njerëzit i shikoje të alarmuar. Dyqanet nuk po hapeshin, kurse kafet qenë plot dhe aty brenda zienin thashethemet. Grumbuj njerëzish silleshin në sheshin “Skënderbej” dhe prisnin ç’do të ndodhte. Shumë të tjerë rrinin aty pa ditur se ç’prisnin. Dy veta kalonin afër tyre dhe u thoshin:
– Okupacioni është i afërt. Kush është vullnetar për të luftuar me armë, le të shkojë të regjistrohet në oborrin e “Kursalit” ose në “Pazarin e Vjetër”.
Në atë kohë Hamdi Shijaku më njoftoi që të merrja pjesë në një mbledhje që do të zhvillohej në orën një të drekës në rrugën e vjetër të Shkodrës, sot rruga “Mine Peza”. Në orën e caktuar u mblodhëm në një shtëpi tiranase rreth 20 vetë. Figura më e shquar e mbledhjes ishte Tajar Zavalani. Ndoshta ai ishte nismëtari i mbledhjes. Aty u trajtuan tri çështje. E para, u kërkua të hartohej një peticion me të cilin t’i kërkohej mbretit lirimi i komunistëve që mbaheshin të burgosur në Mbreshtan të Beratit. E dyta, meqenëse qeveria kishte kapitulluar, si mund të siguroheshin armët për të luftuar kundër okupatorit fashist. E treta, nëse pushtohej Shqipëria nga Italia fashiste, duhej qëndruar në vend apo duhej arratisur jashtë atdheut. Dy çështjet e para u miratuan shpejt. U pranua teksti i përgatitur drejtuar qeverisë për të liruar komunistët e burgosur padrejtësisht. U vendos të sulmoheshin depot e armëve dhe me to të pajiseshin vullnetarët. Çështja e tretë pati debate të zjarrta. Disa ngulën këmbë për t’u arratisur pas okupacionit, mbasi jashtë atdheut mund t’i shërbenin më mirë Shqipërisë. Të tjerë kundërshtuan me argumentin se okupatori i huaj mund të luftohej më mirë brenda vendit se sa jashtë atdheut. Përkrahës i tezës së dytë ishte edhe Tajar Zavalani me argumentin se emigracioni nuk kishte vlerë. Por pasi u vendos okupacioni, ai u arratis.

Pasdite në sheshin “Skënderbej” me mijëra njerëz prisnin se ç’duhej bërë. Ndërkohë, u shfaq në qiellin e Tiranës një skuadrilje avionësh luftarakë italianësh. Fluturonin ulur aq sa dukeshin qartë shenjat e liktorit që mbanin avionët. Si u dukën që ishin aeroplanë italianë, një klithmë e madhe shpërtheu në sheshin “Skënderbej”. Një i ri thërriti:
– Rroftë Shqipëria! Ne nuk na trembin aeroplanët! Poshtë armiku!
Të gjithë u përgjigjën. Me qindra vetë u treguan grushtet e tyre aeroplanëve. Pastaj filloi kënga:
“Për mëmëdhenë! Për mëmëdhenë!
Vraponi burra se s’ka me pritë!”

Aty për aty, shpërtheu përsëri demonstrata, e cila vazhdoi deri natën vonë. Gjer natën vonë, Tirana ushtonte nga thirrjet: “Armë! Armë! Armë!”.
Megjithëse tashmë dihej me siguri pushtimi i Shqipërisë nga ushtritë fashiste, asnjë nuk e mendonte se ai do të ndodhte pas disa orësh. Qeveria vazhdonte gjithnjë të heshtte.

Të premten që në mëngjes, një mori e madhe aeroplanësh e zgjuan me tmerr Tiranën. Qenë aeroplanët fashistë, që lajmëronin me anën e fletushkave se kishte filluar zbarkimi i trupave italiane dhe se kishte filluar pushtimi i Shqipërisë.

Njerëzit u ngritën me të shpejtë. Ç’të bënin? Shumë të rinj vrapuan menjëherë në qendrën e Tiranës për të kërkuar mjete për të shkuar në Durrës.
Një kamion plot me vullnetarë u nis për në Durrës. Qindra njerëz të tjerë kërkonin mjete. Por mjete nuk kishte. Nuk kishte gjëkundi as kamionë, as makina të tjera. Pak më vonë, arriti me një frymë nga Durrësi një motoçiklist, i cili përhapi lajmin se atje buzë detit ushtarët italianë akoma nuk kishin vënë këmbë mbi tokë, se dy herë kishin tentuar për zbarkim dhe dy herë qenë detyruar të futeshin përsëri në luftanije, duke lënë plot ushtarë të vrarë.KRISTO FRASHERI

Vehapi: Latifi e zhyti komunën në shumë borxhe

0

IdrizVehapi-rahovec-pdkKryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi, ka siguruar ndërmarrjet e kontraktuar nga ish-kryetari Smajl Latifi, se nuk do t’i mbes borxh asnjë cent. Ai tha se pavarësisht se shumë kontrata janë bërë gjatë fushatës zgjedhore pa planifikim, Komuna e Rahovecit, do të respektojë dhe realizojë ato kontrata.

“Nuk do të hapim asnjë tender të ri pa i përfunduar punët e kontraktuara nga qeveria e kaluar”, tha Vehapi në emisionin e mëngjesit në KTV.

Ai tha se ish-qeveria e kaluar e ka futur komunën në shumë borxha.

”Para se të fitoj mandatin e kam ditur përafërisht gjendjen e Komunës së Rahovecit, por nuk kam besuar se është e futur në shumë borxhe”, tha Vehapi.

Ai premtoi se brenda mandatit do t’i realizojë të gjitha premtimet që ka dhënë në fushatën zgjedhore. /PrizrenPress.com/

Nis rrugëtimi për anëtarësim në NATO

0

AgimCeku5-30Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Agim Çeku, e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm vendimin për pranimin e Kosovës si anëtare vëzhguese në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s. Ai ka thënë se me këtë veprim Kosova ka hyrë në shtëpinë e organizatës më të fuqishme ushtarake në botë. Në një bisedë për “Epokën e re”, ai ka bërë me dije se pranimi i kërkesës së Kosovës për t’u bërë anëtare vëzhguese në Asamblenë e NATO-s nuk është vetëm privilegj, por edhe përgjegjësi. “Ky është hap i parë dhe shumë i rëndësishëm për integrimin e Kosovës në këtë aleancë. Më e rëndësishmja është se me këtë hap Kosova ka hyrë në shtëpinë e NATO-s. Pra, tani definitivisht Kosova është brenda strukturave të NATO-s. Statusi i vëzhguesit është procedurë e rregullt, kurse hapi tjetër është anëtarësimi i Kosovës në Asamblenë e NATO-s”, ka thënë Çeku.

Me këtë vendim, ka deklaruar Çeku, Kosova është edhe një hap më tej drejt partneritetit për paqe me NATO-n. “Ky është një zhvillim shumë pozitiv për Kosovën, është definitivisht një hap shumë i madh drejt raporteve formale të partneritetit të NATO-s. Me këtë vendim Kosova tanimë ka hyrë në shtëpinë e NATO-s dhe është më afër partneritetit për paqe. Me krijimin e Forcave të Armatosura Kosova tanimë i plotëson kushtet e nevojshme për marrëdhënie partneriteti me NATO-n dhe më vonë edhe anëtarësim të plotë në NATO”, është shprehur Çeku, duke shtuar se tani e tutje zëri i Kosovës do të dëgjohet brenda strukturave të NATO-s. Sipas tij, nga mbledhja e ardhshme Kosova do të jetë pjesë e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. “Në mbledhjen e parë të Asamblesë Kosova do të ftohet në cilësinë e vëzhgueses dhe do të ulet në të njëjtën tavolinë me të gjitha delegacionet e tjera anëtare të NATO-s”, ka thënë ai.

Më tutje, Çeku ka shtuar se marrja e këtij statusi është përgjegjësi për Republikën e Kosovës. Sipas tij, gjatë këtij rrugëtimi do të kërkohen të plotësohen standarde dhe të ndërmerren reforma të ndryshme që do ta fuqizojnë Kosovën. “Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare nuk është vetëm privilegj, por bart edhe përgjegjësi. Kështu që, Kosova tani po fillon rrugëtimin e vet drejt anëtarësimit në NATO. Ky rrugëtim parasheh kritere, standarde që duhet të plotësohen, po ashtu parasheh reforma që duhet të ndërmerren dhe natyrisht se këto veprime vetëm se e ndihmojnë zhvillimin e Kosovës”, ka deklaruar Çeku. Ai ka folur edhe për rrugëtimin e Kosovës deri në këtë pikë, duke thënë se arritja e statusit si anëtare vëzhguese në Asamblenë e NATO-së nuk ka qenë e lehtë.

“Republika e Kosovës me mund të madh po depërton dhe po anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, duke e ditur faktin se kemi vende që janë anëtare të NATO-s dhe BE-së e që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Çdo anëtarësim i Kosovës, qoftë edhe në statusin e vëzhguesit, është shumë i rëndësishëm, duke i ditur rrethanat politike nëpër të cilat po kalon Kosova. Kështu që, të gjitha këto bëhen me vështruesi”, është shprehur Çeku, derisa ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë për përkrahje.

“Në radhë të parë për këtë meritore është Kosova që po tregon mesazhe pozitive sikurse ishte krijimi i Forcave të Armatosura, por duhet ta dimë se të gjitha këto bëhen me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë, në radhë të parë SHBA-së dhe miqve të tjerë që i bindin të tjerët që Kosova e meriton një status të tillë”, është shprehur Çeku.

Politika larg teatrit

0

AlbatrosRexhaj-poetShkruan: Albatros Rexhaj

Zgjedhja e drejtorit të ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës u bë shkak që edhe njëherë, por kësaj here shumë më theksueshëm, komuniteti i artistëve të teatrit të ndahet në dysh. Dhe faji për këtë duhet kërkuar jo vetëm të ndërhyrja e politikës në komunitetin e artistëve, por edhe të vetë koketimi i një pjese të artistëve me politikën.

Në këtë histori ka shumë pak vend për parime, sepse në thelb jemi dëshmitarë të përplasjes së dy grupeve të interesit: grupit që koketon me pushtetarët e tashëm dhe me grupin që ka koketuar me pushtetarët e kaluar. Nuk ka asnjë dilemë se, në rast të ndonjë rotacioni të pushtetit, kjo përplasje do të vazhdojë, por tani në një dimension të ri.

Në tërë këtë histori ekziston vetëm një detaj, që është i dobishëm dhe për të cilin ia vlen të mendohet. Zgjedhja e drejtorit të ri, me theks në përplasjen brenda komunitetit të artistëve, është një çast i mirë për të reflektuar mbi atë se çfarë kahe dëshirojmë t’i japim kulturës sonë.

Institucionet si Teatri Kombëtar e kanë funksionin themelor të promovimit të identitetit tradicional dhe bashkëkohor të Kosovës. Si të tilla, në parim, këto duhen të jenë mbi politikën ditore. Por, në anën tjetër, duke pasur parasysh se këto janë institucione shtetërore, vartëse të drejtpërdrejta të Ministrisë së Kulturës dhe jo institucione të pavarura çfarë p.sh është Avokati i Popullit apo Komisioni i Pavarur për Medie, nuk mund të anashkalohet ndikimi politik në përzgjedhjen e udhëheqësve të këtyre institucioneve. Në këtë kontekst, zgjedhja e një drejtori, si pjesë e nomenklaturës udhëheqëse të institucioneve shtetërore, që e ka mbështetjen e partisë në pushtet nuk është diçka e jashtëzakonshme.

Por ato që nuk duhet të lejohet janë: imponimi në art i shijeve të politikës; imponimi i vlerave dhe i individëve të padëshmuar, që mund të sponsorizohen nga politika; me theks të veçantë nuk duhet të lejohet që logjika përjashtuese dhe logjika e konfliktit të bartet nga politika në mesin e komunitetit të artistëve, sepse atëherë rrezikojmë që teatri të kthehet në ditët e teatrit popullor kur ishte pjesë e arsenalit të instrumenteve të propagandës së shtetit. Rrjedhimisht, në këtë zbërthim të mundshëm të zhvillimeve, ky institucion nuk do të mund të thirret se është duke e kryer funksionin e vet, si institucion që e promovon identitetin tradicional dhe bashkëkohor të Kosovës.

Theksi i interesit të publikut duhet të fokusohet te ajo se qeveritë, si kjo e tashmja ashtu edhe ato që do të vijnë, duhet të përmbahen nga tundimi që bordet artistike, që e simbolizojnë thelbin e pavarësisë intelektuale dhe artistike të këtyre institucioneve, të mbushen me militantë partiakë dhe individë të padëshmuar. Qeveritë duhet të përmbahen nga tundimi që ta përçajnë komunitetin artistik dhe që artistët t’i kthejnë në militantë partiak, sepse arti duhet t’i bashkojë njerëzit dhe jo t’i përçajë ata.

Ndërkaq, dhe kjo është më e rëndësishmja, vetë artistët duhet të heqin dorë nga ideja se duke koketuar me politikën dhe njerëzit e pushtetshëm do të arrijnë të përmbushin agjenda të caktuara personale. Dhe në vend të kësaj duhet të përqendrohen në krijimin e një trashëgimie të fuqishme, qoftë si individ qoftë si komunitet.

Sa i përket drejtorit të ri konsideroj se është e udhës të thuhen disa gjëra parimore.

1. Askush nuk guxon të paragjykohet dhe secili ka të drejtë ta kërkoj një rast për ta dëshmuar veten. Kjo vlen edhe për drejtorin e ri.

2. Konstatimi se drejtori patjetër duhet të jetë artist i teatrit nuk qëndron, sepse drejtori është menaxher dhe jo bartës i politikave të artit. Pos kësaj jemi dëshmitarë se, së paku deri tani, artistët nuk janë treguar si menaxher të suksesshëm.

3. Drejtori i ri duhet të jetë i vetëdijshëm se është në interesin e kredibilitetit të tij ta dëshmojë një pavarësi intelektuale si dhe një pavarësi kundrejt imponimit të mundshëm të shijeve dhe individëve të sponsorizuar nga politika.

4. Drejtori i ri duhet ta dëshmojë se nuk do të aplikojë politika revanshiste dhe se do të kujdeset që Teatri Kombëtar të jetë shtëpi e të gjithë artistëve, pavarësisht simpative personale.

5. Mbi të gjitha drejtori i ri duhet të jetë i vetëdijshëm se në çfarë sfide e ka futur veten – të kesh punë me artistë të teatrit është goxha sfidë serioze – si dhe duhet të jetë i vetëdijshëm për dallimet substanciale në mes të menaxhimit publik dhe atij privat. Kjo e fundit do të thotë se skepticizmin e komunitetit të artistëve duhet ta shohë si diçka legjitime, sepse drejtori i ri duhet të angazhohet që ta fitojë besimin e komunitetit dhe jo anasjelltas.

Do të doja që këtë shkrim ta mbyll me fjalinë “shpresoj që vërtet ta çlirojmë artin nga kthetrat e ndikimit të politikës”, por nuk mund ta bëj sepse jam i vetëdijshëm se do të duhet kohë për një gjë të tillë. Por po ashtu e di se jemi dëshmitarë të fillimit të këtij procesi, sepse sot flasim dhe e ngremë zërin kundër këtyre kthetrave. Dhe ky fakt më jep shpresë.

(Autori është shkrimtar. Ky shkrim është shkruar enkas për Tribuna)