14.3 C
Prizren
E diel, 10 Maj, 2026
Home Blog Page 8635

Gashi: Dënimi, treguesi më i mirë i 100 ditëshit të Qeverisë “Muja III”

0

NderimGashi-LDKLidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Prizren,  e ka vlerësuar të dështuar 100 ditëshin e Qeverisë “Muja III”.

Zëdhënësi i LDK-së, Nderim Gashi tha se në dështimin e parë të mandatit të tretë të kësaj qeverie ka ndikuar edhe dënimi me kusht i kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja dhe pesë ish-drejtorëtve të tij.

“100 ditëshi i Qeverisë në Prizren , s’ka se si të mos karakterizohet me refleksionet që ka sjell vendimi i Gjykatës Themelore , i cili shpalli fajtor Mujën me ish-drejtorët e Ekzekutivit”, tha Gashi.

Gashi thotë se sipas LDK-së sjelljet e zyrtarëve komunal në këtë 100 ditësh nuk kanë ndryshuar krahasuar me dy mandatet e kaluara.

“Sjelljet e zyrtarëve komunalë në Prizren kanë qenë kaotike”.

Ai thotë se LDK kërkon që të ndërpritet kjo sjellje e zyrtarëve komunal dhe të japë dorëheqje kryetari i dënuar Ramadan Muja.

“Ne si LDK kërkojmë që të ndërprehet korrupsioni që ka kaplua qeverisjen lokale në Prizren”.

“Shenja e parë për t’u kthyer në normalitet qyteti i Prizrenit, është dorëheqja e të dënuarit Muja”. /PrizrenPress.com/

Kryeziu: Kryetarët e rinj më transparentë, por nën ndikimet partiake

0

ismet kryeziuDrejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, gjatë 100 ditëve të qeverisjes në komunat ku janë ndryshuar pushtetet dhe janë zgjedhur kryetarë të rinj, thotë se ka vërejtur rinim të stafit, se ka indikacione për zhvillim të transparencës e llogaridhënies, se ka edhe përkushtim më të madh në punë.

Në intervistën dhënë gazetës, Kryeziu paraqet edhe vërejtje, siç është mosfillimi i realizimit të premtimeve, disa prej të cilave, sipas tij, kanë mundur të bëheshin ose të realizoheshin gjatë kësaj periudhe.

Me gjithë përpjekjet për transparencë, kryetarët e rinj, sipas tij, nuk janë liruar nga ndikimet partiake. Kryeziu ua qan hallin komunave të mëdha, ku edhe pse drejtorët e drejtorive kanë disa herë më shumë punë se komunat e vogla, janë me paga të njëjta…/koha ditore/

Qemal Stafa na porositi nga burgu të bënim rezistencë

0

Kristo FrashëriParashikimi, se pas shtypjes së Republikës Spanjolle radhën e agresionit fashist do ta kishte Shqipëria, nuk ishte pa themel. Pas agresionit fashist italian kundër Abisinisë (1935), e cila u pushtua pa ndonjë faj të banorëve etiopë, më 1936 filloi ndërhyrja ushtarake e Berlinit dhe e Romës kundër Republikës Spanjolle. Pastaj Japonia pushtoi Kinën, pa e marrë vesh njeri arsyen e këtij agresioni. Pak më vonë Austria u pushtua nga ushtritë hitleriane. Dhe tani në vitin 1939 në mes të muajit mars Çekosllovakia u pushtua papritur nga divizionet e hekurta gjermane. Disa ditë më vonë Hitleri i rrëmbeu Lituanisë Memelin.

Po në atë kohë forcat e zeza fashiste kremtuan fitoren e kundërrevolucionit në Spanjë. Pikërisht në këto rrethana, në fund të marsit 1939 u përhap lajmi se në bregdetin e Puljes së Italisë, në Bari, Brindizi dhe Taranto, qenë grumbulluar ushtri italiane me sytë e kthyer nga Shqipëria. Me shpejtësi të rrufeshme qarkulloi nëpër rrugë lajmi se Musolini i kishte dërguar Zogut një ultimatum, me të cilin i kërkonte – nuk dihej me siguri se çfarë – por thuhej se i kërkonte vendosjen e reparteve ushtarake italiane në skelat shqiptare. Të paktën kështu thuhej nën zë. Lajmi tronditi të madh e të vogël. Natyrisht më tronditi dhe mua. Por lajmi nuk ishte akoma i sigurt dhe njerëzit, veçanërisht të rinjtë, kishin frikë ta besonin lajmin e hidhur, aq më tepër kur e keqja nuk kishte ndodhur dhe aq më shumë kur lajmi pëshpëritej vetëm në rrugë. Veç kësaj, qeveria mbretërore nuk dha asnjë shenjë se ishte e shqetësuar. Ajo vazhdoi të merrej me kremtimin e javës së gruas shqiptare. Në bazë të programit qeveritar, në mbrëmjen e datës 1 prill 1939 u shfaq në kinoteatrin “Gloria” melodrama e Vinçens Prendushit me titull “Gruaja shqiptare”, e cila vinte në dukje patriotizmin e femrës shqiptare. Rolin kryesor të nënës e luante Berardina Qeraxhia, kurse atë të vajzës që qëndiste flamurin kombëtar e luante Rozina Zojzi.

Kur flamuri kombëtar u shpalos në skenë në sallë kishin shpërthyer duartrokitje të gjata patriotike.

Ndërkohë, Qemal Stafa, i cili e vuante dënimin në burg në fshatin Mbrostar të Beratit dhe të cilin ato ditë e kishin sjellë në Tiranë për të marrë pjesë në varrimin e të vëllait Veli Stafës, në një pusullë që i dërgonte Ali Demit i thoshte afërsisht se kishte marrë vesh se Italia do të pushtonte Shqipërinë. Një lajm i tillë po e tmerronte për faktin se ndodhej në burg. Ai porosiste që ne të mos e gënjenim veten duke thënë se ishallah nuk është e vërtetë. Gjithashtu na porosiste që të përpiqeshim sa më tepër dhe të organizonim një rezistencë, mbasi siç dukej sulltani (sulltan i thoshte Zogut) do të ruante lëkurën e tij. Në fund kërkonte që ta njoftonim për lëvizjet që do të bënim.
Të hënën në mëngjes, më 3 prill 1939, kur u takuam në shkollë, Ali Demi ma dha letrën e Qemal Stafës ta lexoja.

Ajo më nxiti të pyesja shokët e celulës sime se çfarë duhej të bënim. Jusuf Keçi më njoftoi se vendimi ishte marrë. Të gjithë ne së bashku me simpatizantët e grupit tonë duhej të blinim biletë në kinema teatër “Gloria” për të asistuar po atë mbrëmje në rishfaqjen e melodramës së V. Prendushit.

Ai shtoi se na u dha porosi që kur në skenë të shpalosej flamuri kombëtar, të mos kufizoheshim vetëm me duartrokitje, por duartrokitjet t’i shndërronim në manifestim për mbrojtjen e atdheut. Këtë porosi kishte marrë dhe Ali Demi nga qendra e grupit të tij.

Në mbrëmje rrugët gumëzhinin si një koshere me bletë, gjë e jashtëzakonshme për ditën e hënë në Tiranë. Njerëzit lëvrinin rrugëve, kërkonin të mësonin gjendjen nga pamjet e vrenjtura apo të qeta të qytetarëve. Gjendja ishte gjithnjë e pasigurt.

Duke hyrë në sallën e kinoteatrit “Gloria” nxënësit merrnin porosi njëri nga tjetri të ruanin gjakftohtësinë, të mos provokonin përleshje të papritura, të mos fyenin njeri, sepse këto mund të kapeshin nga agjentët e Romës si pretekste për të justifikuar okupacionin që kishin përgatitur.
Salla u mbush dhe shfaqja filloi. Në sallë, heshtjen e prishnin vetëm deklamacionet e aktorëve. Skenat ndërroheshin dhe shumica e spektatorëve prisnin fundin e shfaqjes kur do të fillonte shtrëngata.

Shfaqja po i afrohej fundit. Kur në skenë, sipas programit, u shpalos flamuri i kuq me shkabën dykrenore, që u duk atë natë më i bukur se tjetër herë, në sallë shpërtheu një buçitje e madhe sikur gjëmëtoi aty brenda një rrufe e papritur. Duartrokitjet e furishme u mbuluan nga një zhurmë e përzier me brohoritje e me këngë, një zhurmë e fuqishme sa s’u mor vesh se ç’ishte. Por më vonë, gumëzhitja u vu në rregull dhe u kuptua se po këndohej himni i flamurit. Të gjithë këndonin me sa fuqi kishin, salla dukej sikur do të përmbysej, spektatorët sikur do të pushtonin qiellin.
Pa mbaruar mirë himni i flamurit, një zë djaloshar bërtiti nga mesi i sallës:
– Rroftë Shqipëria! Rroftë populli shqiptar!
Përgjigjja qe e shpejtë dhe e fuqishme.

Duke kënduar e brohoritur njerëzit dolën nga salla. Ishte ora 11 e mbrëmjes. Jashtë në oborrin e kinoteatrit këngët e brohoritjes u ndërprenë. Por kur spektatorët dolën në Rrugën e Kavajës, buçiti më me furi se brenda kënga e patriotëve tanë të Rilindjes, kënga që më vonë u pagëzua me gjak dëshmorësh, si himn i demonstratave kundër okupatorit fashist, kënga “Eja mblidhuni këtu!”.
Këngës iu përgjigjën qindra njerëz nga ata që sapo dilnin nga kinoteatri dhe nga të tjerë qytetarë që kalonin rrugës.

Me këngë në gojë turma u nis drejt sheshit “Skënderbej”.
– Ku vemi? – pyeti një qytetar që sapo u bashkua me turmën dhe nuk kuptonte se ç’ngjiste.
– Vemi të shfaqim dashurinë tonë për atdhe dhe urrejtjen për armiqtë e Shqipërisë.
Turma kaloi përmes sheshit “Skënderbej” duke kënduar e brohoritur. Pastaj hyri në rrugën e “Sahatit të Madh”. Në atë orë, shumica e Tiranës flinte. Nga zhurma e madhe e këngëve dhe e brohoritjeve filluan të ndizeshin dritat e dhomave të pallatit “Kaceli” dhe të zgjatnin kokën nga dritaret burra e gra. Të tjerë, të përgjumur, u ngritën me vrap duke kujtuar se ndodhi e keqja e madhe. Disa prej tyre dolën nga shtëpitë dhe me vrap u bashkuan me turmën, dikush i paveshur mirë.
Si arriti në krye të rrugës te “Varri i Kapllan Pashës”, turma u kthye djathtas, në drejtim të pallatit mbretëror. Atëherë policët, që ndiqnin nga pas turmën, vrapuan me nxitim drejt pallatit dhe qëndruan para portës së hekurt. Në të njëjtën kohë brenda nga oborri vrapuan me armë në duar disa ushtarë të gardës mbretërore dhe qëndruan disa brenda, disa jashtë portës me kangjella të hekurta.
Kur turma arriti te porta e pallatit, u ndal vetë. Gjithashtu kënga pushoi. Për një çast u duk se do të fillonte përleshja. Ushtarët dhe policët qëndronin të çuditur dhe me dorë në brez. Në këtë çast arriti komisari i policisë i shoqëruar me tre policë. Komisari, i cili deri një ditë më parë shfrynte me inat e me gjuhë të vrazhdët kundër viktimave që arrestonte, tani u afrua me urtësi dhe pyeti me zë të butë:
– Çfarë kërkoni tani në mesnatë?
Një zë nga turma bërtiti:
– Rroftë Shqipëria! Rroftë populli shqiptar!
– Rroooooftë! U përgjigjën qindra veta.
Një oficer i Gardës mbretërore që rrinte pranë portës së madhe me hekura, u afrua me kujdes dhe me zë të dridhur iu drejtua turmës:
– Mos thërritni, mos thërritni, se zgjohet nalt-madhënia!
– Zgjohet nalt-madhënia? Po, po, për atë kemi ardhur! Duam t’i themi nalt-madhënisë, se nuk mund të flemë kur mendojmë se vendi është në rrezik!
Kënga buçiti përsëri. Ushtarët e Gardës me pushkët në duar nuk kuptonin se ç’bëhej. Oficeri i Gardës filloi të lutej të mos qëndronin shumë. Me këngë e brohoritje turma filloi të ecte përsëri.
– Po tani ku do të shkojmë?
– Ja, po kalojmë nëpër rrugët e Tiranës, ta marrë vesh populli që të jetë gati.
– Mirë pra, përpara shokë, filloni këngën!
Komisari i policisë, bashkë me shokët e tij, ndiqte turmën herë anash, herë pas. Kur pa se turma nuk po shpërndahej, doli përsëri përpara dhe u lut të ndaleshin. Turma ndali.
– Dëgjoni, – tha komisari, – tani është mesnatë, njerëzit flenë dhe ju po prishni qetësinë publike, po trembni kalamajtë, pastaj këtë punë e di qeveria, e di nalt-madhënia. Prandaj shpërndahuni me rregull dhe shkoni në shtëpitë tuaja.
– Largohu, largohu, se e dimë ne – vërshuan një breshër përgjigjesh. Mos na trego qetësinë publike. Largohu se nuk jemi ne që i trembim kalamajtë – vazhdonin përgjigjet. Kalamajtë i kini trembur ju kaq vjet me radhë – kumboi një zë burri.
– Shëëët! Shëëët! – ndërhynë dy policë.
– Shëët ju dhe jo ne – u vajti policëve menjëherë përgjigjja.
Këtyre bisedimeve u dha fund kënga që buçiti përsëri. Turma filloi të ecte dhe policët me gjithë komisarin e tyre hapën rrugën. Turma u fut në Rrugën e Kavajës. Pas këngës buçitnin brohoritjet dhe pas brohoritjeve përsëri kënga. Si ecën pak, nga kreu i turmës tre vetë ngritën mbi supet një shokun e tyre. Ky foli me gjakftohtësi:
“Le të qëndrojmë këtu, se jemi përpara banesës së një diplomati frëng. Të qëndrojmë vetëm sa t’i themi që populli shqiptar nuk do ta lërë vendin e tij të shkelet nga armiku i huaj dhe se në këtë orë kaq kritike për atdheun tonë, populli shqiptar ka nevojë për ndihmën e popullit frëng si dhe të popujve të tjerë”.
Komisari i policisë, që e kish ndjekur turmën nga pas, u tërbua fare. Kënga vazhdoi me hov. Nuk vonoi dhe u hap drita në një dhomë të katit të sipërm. Pastaj u hap dritarja dhe u duk pas perdes një hije njeriu. Nga turma u dëgjuan thirrjet në frëngjisht:
– Vive l’Albanie! Vive la liberte!
– Vive la securitee collective – bërtiti nga mesi i turmës një nxënës i shkollës sonë. Thirrja u prit me brohoritje të gjata. “Sigurimi kolektiv” ishte platforma e politikës së frontit popullor, ishte deviza e kërkesave të tij në Lidhjen e Kombeve. Sigurimi kolektiv ishte mjeti më i mirë që mund t’i jepte fund politikës së shfrenuar të agresioneve që kishin filluar fuqitë e trekëndëshit fashist. Më tepër se kurdoherë ato ditë populli shqiptar e kuptonte se vetëm mungesa e sigurimit kolektiv solli okupimin e Austrisë, Çekosllovakisë dhe tani rrezikun që trokiste në derë të Shqipërisë.
Diplomati frëng u përgjigj duke shuar dritën e dhomës. Hija e burrit humbi në errësirë. Atëherë turma u drejtua në Rrugën e Durrësit.
– Akoma doni të vazhdoni? – klithi i alarmuar komisari.
– Shko të flesh, se të kaloi ora e gjumit! – iu përgjigj një qytetar.
Përpara legatës turke dhe më tutje përpara legatës jugosllave, u përsëritën po ato brohoritje. Po edhe atje nuk pati ndonjë përgjigje. Pastaj turma përpara dhe komisari me policët e tij prapa, hynë në sheshin “Skënderbej”. Ora donte dhe pak të binte një pas mesnate. Nga mesi i turmës që kishte ndalur, u ngrit një djalosh i ri:

– Manifestuam – tha – sa deshëm. Tani duhet të shpërndahemi. Nesër përsëri do të takohemi.
Kur u ktheva në shtëpi gjeta para portës mamanë që më priste e shqetësuar. U qetësua kur më pa shëndoshë e mirë.
Akulli qe thyer. Policia dhe Garda mbretërore qenë treguar të pazonjat për ta shpërndarë demonstratën. As kërcënimet dhe as dhelpëria nuk pinë ujë. Demonstrata vazhdoi pa guxuar njeri të vinte dorë mbi ne.
Të martën më 4 prill, që në mëngjes herët, komisari i policisë arrestoi pesë nxënës nga ata që rrinin në krye të demonstratës – midis tyre dhe Jusuf Keçin. Por nuk guxoi t’i mbante më tepër se dy orë. “Liroji shpejt, i thanë, se kur të marrin vesh që ke arrestuar shokët e tyre, ata të mbrëmshmit do t’ia fillojnë përsëri, dhe pastaj, hajde ndali!”.

Që në mëngjes, njerëzit pllakosën në rrugë. Policia sekrete lëvizte poshtë e përpjetë si mizë e tërbuar. Çështja se ç’duhej bërë tani diskutohej sheshit. Thuhej haptazi se qeveria shqiptare kishte kapitulluar para shantazheve fashiste italiane. Thuhej po ashtu se Zogu dhe qeveria kishin frikë ta shpallnin ultimatumin e Musolinit, sepse mund të pëlciste vullkani nga poshtë. Demonstrata e mesit të natës ua kishte kallur frikën në palcë. Po atë ditë, për të qetësuar opinionin publik, në shtyp u botua deklarata pa autorësi në të cilën thuhej se lajmet e përhapura rreth prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-italiane ishin të pasakta, se midis Shqipërisë dhe Italisë vazhdonin të ekzistonin si dhe më parë marrëdhënie miqësore. Kur u përhap lajmi, unë isha i pranishëm në kafe “Kursal” në qendër të Tiranës. Një burrë i thyer nga mosha me qylaf labi në kokë, i cili dëgjonte komunikatën që po u tregonte me zë të lartë shokëve të tij një burrë mesatar, në një tavolinë tjetër, u hodh nga tavolina ku rrinte: “Miqësore?!”.
– Miqësore thotë komunikata; po, po, miqësore, e këndova vetë me sytë e mi.
– Miqësore janë për qeverinë, more xhaxho, dhe jo për ty e për mua e për këtë popull të gjorë – ndërhyri një burrë tjetër.
Zhurma mbyti sallën e kafesë. Njerëzit rrinin më shumë në këmbë se të ulur në karrige.
Xhaxhua, si u ngrit, nuk u ul fare në karrige. Iu afrua tre burrave që bisedonin në këmbë dhe i pyeti:
– Mos kini parë, ku janë deputetët që gjithë ditën rrinin këtu në “Kursal” dhe tani s’duken gjëkundi? Unë për ta kam ardhur, dua t’i pyes në kanë marrë vesh ndonjë haber të saktë.
– S’dimë ku janë – u përgjigjën.
– Ç’pyet për të mykurit! Ndërhyri përsëri burri i mëparshëm.
Xhaxhua e pa me sy të habitur, fërkoi ballin dhe zuri të dilte.
Një burrë i shkurtër e tullac, nëpunësi i një dikasteri qendror që po fliste në mes të një grupi, ngriti zërin dhe i mbuloi fjalët e të tjerëve:
– Nuk duhet të nxitohemi, se pastaj bëjmë gabime që na kushtojnë rëndë. Ne jemi shtet, kemi një qeveri, të mirë a të keqe, po kemi një qeveri, një parlament, një mbret, prandaj s’duhet të futim hundët e të bëjmë sipas kokës. Situata është kritike, kështu themi ne që nuk dimë gjë, që rrimë në kafene. Po sikur të mos jetë kështu?

Xhaxhua plak akoma nuk kishte dalë nga salla kur dëgjoi këto fjalë. U kthye dhe duke e shikuar në sy po i afrohej:
– E si të mos jetë kështu a derëzi? Po si thua ti, marrëdhëniet janë miqësore, ëëë? Miqësore, ëëë? Po tymi që po del ç’është?
– T’i lëmë fjalët, – u hodh një burrë me syze, i cili nga pamja dukej se qe intelektual. – Çdo gjë është e qartë: vendin tonë e kërcënon një rrebesh. Dhe ne nuk dimë akoma nëse janë ose jo të vërteta këto që po thuhen. Ne kemi qeveri, po, e kemi, dhe ta marrë djalli atë qeveri. Mos harroni se jemi njerëz e jo berra që të vemi atje ku të na shpjerë kasapi. Këtu në kafene vetëm gënjeshtra do të mësojmë. Në doni të vërtetën, ejani të shkomë atje ku mësohet e vërteta. Duhet vetëm trimëri. Ejani të shkojmë te kryeministri, mbreti, cilido që të jetë dhe ta shtrëngojmë të na thotë të vërtetën. Pastaj dimë ne se ç’duhet bërë.
– O më të lumtë goja! – tha plaku lab. – Të vemi të kapim edhe deputetët.
– Lëri larot, o xhaxho – ia preu prapë burri i mëparshëm.
Në sallë kishte hyrë një burrë, i cili siç u mor vesh më vonë ishte agjent i policisë. Pasi dëgjoi fjalët që u thanë aty, si vështroi rreth e rrotull, iu afrua burrit me syze dhe i tha me ngadalë:
– Kam një fjalë me ju dhe ju lutem të flasim te porta jashtë.
– Tani s’kam kohë, – iu përgjigj me zë të lartë, – më vonë eja se tani kemi një bisedim me rëndësi. Agjenti nguli këmbë disa herë të tjera, por si e pa që nuk ia vari njeri veshin, doli jashtë.

Në Gjimnazin e Shtetit mësimet ishin ndërprerë, por nxënësit qëndronin në oborr. Po kështu ndodhte edhe në dy shkollat e tjera të mesme – në Shkollën Teknike dhe në Institutin Femëror. Në të tria këto shkolla po bëheshin përgatitje për të marrë pjesë në demonstratën e madhe që do të shpërthente pasdite. Në demonstratë do të merrnin pjesë edhe punëtorë e nëpunës. Për organizimin e demonstratës po punonin të dyja grupet komuniste.

Në Gjimnazin e Shtetit, në fillim qe treguar solidar për shpërthimin e demonstratës edhe drejtori Safet Butka. Por para drekës filloi të lëkundej. Pastaj mori qëndrim kundër organizimit të demonstratës. Nga orët e drekës ai thirri në drejtori tre nga nxënësit e klasave të larta, një nga të cilët isha dhe unë, dy të tjerët qenë Jusuf Keçi dhe Themo Vasi. Me zë të lartë na tha:
Ju kam si vëllezërit e mi më të vegjël, ndaj ju thirra të bisedoj me ju, jo si një drejtor me nxënësit e tij, por si shokë që na rreh zemra për dashurinë ndaj atdheut. Unë dyshoj se demonstrata që po përgatitet nuk do të na sjellë dobi, bile kam frikë se do të na sjellë dëm. Prandaj ta mendojmë edhe një herë para se t’ia fillojmë.

– Zoti drejtor! – u përgjigj Jusuf Keçi, i cili mbasi na pa në sy, vazhdoi: Demonstrata që po përgatitet nuk është e nxënësve të shkollës sonë, por e tërë Tiranës; prandaj ne nuk kemi si të shkëputemi.
– Pse të mos bëhet demonstrata? – shtoi Themo Vasi. – Ç’do të kërkojmë ne, veçse të mbrojmë atdheun?
– E marr vesh, e kuptoj, jam i kënaqur për entuziazmin tuaj, – vazhdoi drejtori, – por duhet vepruar me kujdes. Ju e morët vesh se qeveria shpalli se s’ka asgjë alarmante. Përderisa s’ka gjë alarmante, përse ta bëjmë ne alarmante?
Pas bisedimesh që filluan të zgjaten, ne nxënësit ia premë shkurt:
– Zoti drejtor, gjëja më e mirë që ju duhet të bëni është të vini me ne dhe me flamurin e Shqipërisë e me pankartën e madhe që kemi përgatitur të dalim së bashku me shokët e tjerë dhe të kërkojmë armë për të mbrojtur vendin.

Sipas fjalës së dhënë, që në orën 4 pasdreke, nxënësit e gjimnazit u grumbulluan në oborrin e shkollës.
Në oborrin e pasmë po zbukuroheshin dy pankarta të shkruara me germa të mëdha “Rroftë Shqipëria” dhe “Rroftë liria”. Drejtori u orvat edhe një herë të bindte nxënësit të hiqnin dorë nga demonstrata./K.Frasheri/

Komision hetimor për 3 përqindëshin dhe ‘Vendlindja thërret’

0

Bujar BukoshiDeputetët e pozitës dhe opozitës e shohin të domosdoshëm formimin e një komisioni hetimor për 3 përqindëshin dhe fondin ‘Vendlindja thërret’, por ata asnjëherë deri më tani nuk e iniciuan krijimin e tij

Ndonëse disa herë është përfolur për keqpërdorimet me fondin e 3 përqindëshit të Qeverisë në ekzil, që udhëhiqej atëbotë nga Bujar Bukoshi, si dhe për fondin ‘Vendlindja thërret’, ligjvënësit kosovarë asnjëherë nuk e thirrën të paktën një seancë plenare për të kërkuar llogari apo raportim nga menaxhuesit e këtyre fondeve.

Madje deri më tani nuk kemi dëgjuar as edhe një kërkesë, qoftë nga subjektet politike apo edhe deputetët për krijimin e një komisioni hetimor.

/Kosova Sot

Edhe dhjetë vjet me mina

0

MinatPër 15 vjet në Kosovë janë pastruar rreth 100 milionë metra katrorë fusha të minuara, janë gjetur dhe asgjësuar rreth 85 mijë mjete të pashpërthyera
Qytetarët e Kosovës edhe për së paku dhjetë vjet nuk do të mund të lëvizin lirshëm në çdo pëllëmbë të territorit të shtetit – shkruan gazeta Tribuna.

Kjo periudhë e është e nevojshme duhet të shoqërohet me një punë intensive që dominuesit Forcës së Sigurisë së Kosovës të pastrojnë të gjitha sipërfaqet e minuara.

Mirëpo, edhe pas një dekade ndoshta nuk do të mjaftojnë, nëse shfaqet edhe ndonjë fushë tjetër e minuar për të cilën tash për tash nuk ka të dhëna.

Kjo pengesë mund të shfaqet ngase FSK dhe kompania e deminuesve të kësaj force nuk posedojnë të gjitha hartat që pasqyrojnë sipërfaqet e minuara nga forcat serbe gjatë luftës së vitit 1998-99.

Për 15 vjet në Kosovë janë pastruar rreth 100 milionë metra katrorë fusha të minuara, janë gjetur dhe asgjësuar rreth 85 mijë mjete të pashpërthyera. Në strukturën e saj, Kompania e dominimit e FSK-së aktualisht ka 126 pjesëtarë, të specializuar në tri fusha: Deminim, BAC dhe EOD.

Thaçi: Rivalët po bëjnë politikë të inatosur

0

Thaci-qeveriaKryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka komentuar të shtunën akuzat që partitë politike po i bëjnë në drejtim të tij dhe PDK-së.

Ai tha se rivalët politik, më shumë  po bëjnë politikë të inatosur se sa programore.

“ Edhe në zgjedhjet e radhës PDK  do të dalë triumfues karshi rivalëve tonë politk të cilët, po merren me politikë të inatosur”, tha Thaçi.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, të shtunën, ka qëndruar në Prizren, ku është takuar me strukturat e PDK-së në këtë qytet.

Ai tha se PDK-ja edhe në  zgjedhjet e ardhshme nacionale do të dalë fituese. /PrizrenPress.com/

 

Limaj: Prizreni nuk e meriton të udhëhiqet me SMS nga Prishtina

0

Limaj Nisma rahovecNISMA për Kosovën sot ka mbajtur tubim në Prizren, me ç’rast është themeluar këshilli Iniciues i NISMA në këtë qytet. Kryetari i  NISMA për Kosovën Fatmir Limaj ka thënë se,NISMA dëshiron që përmes Prizrenit të rrezatojë në çdo pjesë të Kosovës. “Tani NISMA është alternativa më serioze për ndryshim në Prizren dhe në gjithëKosovën.Sot po i shtohet Prizrenit edhe një zë i fuqishë, ky është zëri i NISMËS”, tha Limaj.

“Jemi këtu për t’ju kthyer qytetin qytetarëve të Prizrenit.Prizreni duhet të qeveriset nga qytetarët e vet.Prizreni ka mjaft qytetarë të denjë të qeverisë vet.Nuk ka nevojë Prizreni të qeveriset me sms nga Prishtina”.

“Thuani JO që Prizreni gjatë gjithë ditës të shërbej si vend për plaçkitje, dhe në mbrëmje të boshatiset dhe askush të mos çajë kokën se çfarë ndodhë pastaj në këtë qytet”.

“ Prizreni nuk mund të shërbej si rezervuar për vota, dhe të qeveriset me njerëz që s’kanë lidhje me ketë qytet, madje kurrë nuk i kanë shërbyer këtij vendi.

“Ju themi mos u frikësohunni nga askush sepse nuk guxon t’u shantazhoj, sepse NISMA ështëpranë jush për ta ndryshuar këtë gjendje”.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Jakup Krasniqi ka thënë se procesi i ndërtimit të institucionevetë Kosovës mbi parimet e funksionimit demokratik mbetën në kompetencat e partivepolitike.

“Për këtë arsye, funksionimi demokratik i vetëpartive politike del si kusht paraprak për realizimin e këtij qëllimi”.

“Fatkeqësisht, i tërë procesi i themelimit dhe konsolidimit të shumicës së partive politike të Kosovës u kufizua vetëm në disa aspekte procedurale”.

“Siguria edhe pesëmbëdhjetëvjet pas luftës çlirimtare, e gjashtëvjet pas pavarësisë, vazhdon të jetë tepër e brishtë”.
Ndërsa, kryetari i sapozgjedhur i NISMA përKosovën në Prizren, Sejdullah Hoxhaj u është drejtuar bashkëqytetarëve, duke u thënë se ‘’Nisma për Kosovën’’nuk e ka synim vetëm prezentimin dhe transmetimin e asaj çfarë din dhe çfarë dëshiron, por e ka për synim instalimin e një fryme të bashkëpunimit mes neshë.

“Të perballesh sot me realitetin në qytetin e Prizrenit është shumë e veshtirë, e është bërë akoma edhe më veshtirë derisa shohim pushtetarët të cilët janë zhytur në ujëra të turbullta të lakmisë”.

“Ata e kanë konsideruar veten të përsosur dhe kanë menduar se e kanë merituar t’a udhëheqin komunën tonë. Dhe për këtë, ata i kanë krijuar vetës shumë komoditet, duke menduar se mund të bëjnë çfarë të duan, të kryejn edhe vepra të jashtëligjshme, korruptive e abuzuese>

“Për këto vepra të bëra,udhëheqësit e komunes së Prizrenit duhet t’i lënë faj vetes. Sepse derisa janë ndjerë komod nuk kanë menduar fare që gjërat mund të ndryshojnë. Dhe ky është defekti i tyre që nuk kanë menduar se një ditë mund t’u bie e keqja mbi kokën e tyre”

“Krejt në fund z. Hoxha ka thënë se, Kosova pas gjithë kësaj kohe pret një qeverisje të re e cila dinë të ndertoj një shtet të guximshëm, të ndërtoj një shtet të ditur, të ndërtoj një shtet të drejt, të bazuar në të vertetën dhe jo në gënjeshtra e mashtrime”/PrizrenPress.com/

 

VV shpalosi Alternativën Qeverisëse në Prizren

0

Kurti ne pzAnëtarë të kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje mbajtën tubim me aktivistë, anëtarë dhe simpatizantë të Qendrës në Prizren, me ç’rast u shpalosën edhe hapat dhe synimet e Lëvizjes drejt realizimit të Alternativës Qeverisëse të saj.

Sekretari Organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj foli për ristrukturimin e Lëvizjes që e ka ngritur nivelin organizativ si dhe e ka bërë Vetëvendosjen subjekt ku njerëzit e gjejnë mundësinë për ndryshim.

“Sot, ata që vijnë në Lëvizje janë të lidhur pas konceptit dhe Alternativës së saj. Lëvizja Vetëvendosje do të angazhojë shumë personalitete nga fusha të ndryshme, për ta bërë ndryshimin”, tha Molliqaj.

Kryetari i Grupit Parlamentar, Visar Ymeri, duke folur për gjendjen aktuale në vend, tregoi se si ky subjekt politik angazhohet që rruga drejt zgjedhjeve të jetë ajo e rrëzimit të Qeverisë, dhe në këtë drejtim që rrëzimi i qeverisë të jetë njëkohësisht kundërshtim i politikave të saj, e jo vetëm i njerëzve në të.

Ai gjithashtu shpjegoi se një mocion mosbesimi për qeverinë duhet domosdoshmërisht ta përmbajë kundërshtimin e marrëveshjes, negociatave dhe koncesioneve ndaj Serbisë, si dhe kundërshtimin ndaj politikave qeveritare të rrënimit të pasurisë publike, të keqpërdorimit të parasë publike, të politikave varfëruese dhe kundërzhvillimore të qeverisë.

Duke folur për kundërshtimin e Lëvizjes Vetëvendosje për praninë e EULEX-it në Kosovë dhe krijimin e Tribunalit për krime të luftës, Visar Ymeri tha se “Vetëvendosje angazhohet që t’i ndërtojmë kapacitetet për luftë ndaj krimit dhe korrupsionit”.

“Për ta ndërtuar një sistem të tillë drejtësie duhet ta kemi një qeveri të pastër dhe me vullnet për një gjë të tillë. Pushtetarët e djeshëm dhe ata të sotshmit nuk e kanë këtë sepse vet do të ishin të akuzuarit nga një gjyqësi e pavarur. Kjo ndërtohet vetëm përmes qeverisjes së pastër, të guximshme, dhe të drejtë”, përfundoi Ymeri.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti duke folur për mundësinë e një qeverisjeje të mirë në nivel shtetëror, tha se me fitoren në Prishtinë u dëshmua se mund të fitohet edhe pa para, pa borxhe ndaj dikujt dhe pa i thyer parimet në politikë. Ai tha se vetëm koncepti i drejtë mund ta garantojë një qeverisje të drejtë dhe Lëvizja Vetëvendosje bazohet në konceptin e drejtë për të qeverisur.

Në fund, fjalën e mori kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili prezantoi temat kryesore të cilat e përbëjnë Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në alternativën tonë qeverisëse ne kemi bërë një lidhje të ngushtë dhe harmonike midis shtetit të së drejtës, shtetit zhvillimor dhe shtetit social. Besojmë se që të tria këto mungojnë në Kosovë dhe që të tria janë të domosdoshme”, tha Albin Kurti.

AKR-ja në Malishevë shkrihet në NISMA

0

MalishevaKryesia e Degës së AKR-së në Malishevë, sot mori vendim që t’i pushojë të gjitha aktivitetet në këtë parti dhe njëkohesisht të gjitha strukturat e kësaj partie duke përfshir edhe 13 nëndegë.  Aktivitetet dhe angazhimet e tyre do ti bartin në subjektin e ri NISMA për Kosovën.

“Pas rrethanave të krijuara politike në Republikën e Kosovës dhe pas formimit të subjektit të ri NISMA për Kosovën, duke konsideruar se është krijuar një frymë e re me njerëz të merituar në udhëheqje një shpresë e re për qytetaret e Kosovës, si dhe në pajtim me deklaratën programore, sot më date 05/04/2014 në mbledhjen e mbajtur nga kryesia e Degës së AKR-së në Malishevë mori vendim që t’i pushojë të gjitha aktivitetet në këtë parti dhe njëkohesisht të gjitha strukturat e kësaj partie duke përfshir edhe 13 nëndegë, që nga sot aktivitetet dhe angazhimet e tyre do ti bartin në subjektin e ri NISMA për Kosovën”, njofton nëpërmjet një komunikate NISMA pë Kosovën, dega në Malishevë. /PrizrenPress.com/

FOL: Shkallë e lartë korrupsioni në vitin 2013

0

FidanKalaja-FOLLëvizja Fol ka vlerësuar se viti 2013, ka qenë vit i korrupsionit të lartë dhe efikasitet i ulët në luftimin e tij, nga institucionet përkatëse. FOL sot ka prezantuar statistikat vjetore të Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave në kuadër të Platformës së Statistikave Anti-Korrupsion dhe gjithashtu vendimet dhe veprimet e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës si dhe Misionit Evropian të Sundimit të Ligjit EULEX në fushën e luftimit të korrupsionit në Kosovë për vitin 2013.

Fidan Kalaja, nga Lëvizja FOL, tha se gjatë vitit 2013, Policia e Kosovës për veprën penale të korrupsionit marrje e ryshfetit ka trajtuar gjithsej 57 raste, ku për 22 persona ka ngritur kallëzim penal dhe 12 persona janë arrestuar. Ndërsa, për veprën penale të korrupsionit dhënie e ryshfetit ka trajtuar gjatë këtij viti 43 raste, ku për 16 persona është ngritur kallëzim penal dhe 10 persona janë arrestuar. Derisa, për veprën penale të korrupsionit keqpërdorim i pozitës zyrtare Policia e Kosovës ka trajtuar 441 raste të korrupsionit, ku për 242 persona është ngritur kallëzim penal dhe 45 persona janë arrestuar.

“Prokuroria e Kosovës gjatë vitit 2013, për veprën penale të korrupsionit marrje e ryshfetit ka pasur gjithsej në punë lëndë në të cilat kanë qenë të implikuar 56 persona, ku nga këto në fund të vitit ka zgjidhur gjithsej lëndë në të cilat kanë qenë të implikuar 30 persona dhe në fund të periudhës kanë mbetur të pazgjidhura gjithsej lëndë në të cilat kanë qenë të implikuar 26 persona. Për veprën penale të korrupsionit dhënie e ryshfetit Prokuroria ka pasur gjithsej në punë lëndë në të cilat kanë qenë të implikuar 59 persona, ku nga këto lëndë që kanë implikuar 36 persona i ka zgjidhur ndërsa nga këto lëndë që kanë implikuar 23 persona janë të pazgjidhura në fund të vitit 2013. Dhe për veprën penale të korrupsionit keqpërdorim i pozitës zyrtare, Prokuroria e Kosovës ka pasur gjithsej në punë lëndë që kanë implikuar 1585 persona gjatë vitit 2013, ku nga këto vetëm janë zgjidhur lëndë që kanë implikuar vetëm 363 persona ndërsa lëndë që kanë implikuar 1222 persona kanë mbetur të pazgjidhura në fund të kësaj periudhe”, tha Kalaja.

Ndërsa sipas tij, përgjatë vitit 2013, Gjykatat e Kosovës për veprën penale të korrupsionit marrje e ryshfetit kanë pasur gjithsej në punë lëndë në të cilat kanë qenë të implikuar 122 persona, ku nga këto lëndë kanë zgjidhur lëndë në të cilat kanë qenë të implikuar vetëm 31 persona ndërsa lëndët ku kanë qenë të implikuar 91 persona kanë mbetur të pazgjidhura në fund të kësaj periudhe. Kurse, për veprën penale të korrupsionit dhënie e ryshfetit, Gjykatat e Kosovës kanë pasur në punë gjithsej lëndë në të cilat kanë qenë të implikuar 67 persona, ku lëndë në të cilat kanë qenë të implikuar vetëm 23 persona i kanë zgjidhur ndërsa lëndët ku kanë qenë të implikuar 44 persona janë të pazgjidhura në fund të vitit 2013. Dhe, për veprën penale të korrupsioni keqpërdorim i pozitës zyrtare, Gjykatat e Kosovës kanë pasur në punë gjithsej lëndë në të cilat kanë qenë të implikuar 603 persona gjatë vitit 2013, ku nga këto janë zgjidhur lëndë në të cilat kanë qenë të implikuar vetëm 66 persona ndërsa lëndët ku kanë qenë të implikuar 5 37 persona kanë mbetur të pazgjidhura në fund të kësaj periudhe.

Kalaja shtojë se përveç tri institucioneve të përfshira në këtë platformë, Lëvizja FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve anti-korrupsion edhe të tri institucioneve tjera siç janë Qeveria, Kuvendi dhe EULEX-i, sa i përket aktiviteteve të tyre në luftën kundër korrupsionit.

Sipas të gjeturave të Lëvizjes FOL, Qeveria e Kosovës përgjatë vitit 2013 ka nxjerrë gjithsej 427 vendime ku vetëm 4 vendime janë marrë në kuadër të luftës kundër korrupsion në krahasim me vitin 2012 ku 5 vendime kanë qenë në luftë kundër korrupsionit.

Ndërsa, Kuvendi i Kosovës nga 23 seanca plenare sa ka mbajtur gjithsej për vitin 2013, vetëm në 6 prej tyre kanë diskutuar për luftën kundër-korrupsion në krahasim me vitin 2012 ku në vetëm 3 seanca Kuvendi ka diskutuar për luftën anti-korrupsion.

Sipas statistikave anti-korrupsion për vitin 2013 nga EULEX-i, gjykatat e EULEX kanë shpallur vetëm 9 aktgjykime për raste të korrupsionit ndërsa prokuroria e EULEX gjatë vitit 2013 ka trajtuar 9 raste të reja, ka zhvilluar 29 hetime paraprake, ka pasur 15 hetime në vazhdim, ka ngritur 5 aktakuza, ka ndryshuar 2 aktakuza, dhe i janë konfirmuar 2 aktakuza. /PrizrenPress.com/