9.7 C
Prizren
E enjte, 15 Maj, 2025
Home Blog Page 8638

“Hejzat” dedikuar Anton Pashkut

0

BeharGjoka-shkrimtarMungesa e një studimi të mirëfillt për shkrimtarin kosovar Anton Pashku në hollin letrar shqiptar ka bërë studiuesin Behar Gjoka që t’i kushtoj një vëmendje të veçantë prej muajsh shkrimtarit që hodhi themelet e letërsisë moderne.

Studimin pagëzuar me emrin “Hejzat” rrok gjithë aspektet letrare te Pashkut. Gjoka na bën me dije se titullin e ka gjet mes rreshtave te shkrimtarit,transmeton abcnews

Në këtë vepër studimore veçohen dy aspekte të pa prekura më parë, forma e të komunikuarit të Anton Pashkut me lexuesin. Po aq rëndësi ka edhe proza për fëmijë për studiuesin Behar Gjoka.

“Hejzat” dedikuar Anton Pashku është një përpjekje serioze që përmes 400 faqesh studim të dalin në dritë vlerat letrare, artistike dhe estetike që shkrimtari la trashëgim pas ndarjes nga jeta në moshën 57 vjeçare.

Azilkërkuesit në Kosovë me kushte të mira

0

Qendra per azilkerkuesAzilkërkuesit që ndodhen në Kosovë, nga vende të ndryshme të botës, kanë kushte të mira në Qendrën për Azilkërkues. Ndërsa, azilkërkuesit kosovarë përballen me kushte të vështira në kampet hungareze dhe franceze.

Prej fillimit të këtij viti, Qendra për Azilkërkues në Kosovë ka pranuar dhe ka trajtuar gjithsej 47 azilkërkues të vendeve të ndryshme, ndërsa aktualisht në këtë qendër janë 15 të tillë.

Drejtues të kësaj qendre thonë se Qendra plotëson të gjitha kushtet dhe nevojat për personat që kërkojnë azil në Republikën e Kosovës, raporton KTV.

Një 14-vjeçar nga Nigeria ka një muaj që ka ardhur në Kosovë. Ai nuk ka dashur të flasë para kamerave, por thotë se në këtë qendër janë kushtet shumë të mira.

Ndërkohë, Rroksana Qarri, drejtoreshë për Informim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka deklaruar se është rritur numri i azilkërkuesve në Kosovë. Shumica e tyre janë nga Algjeria, Maroko, Pakistani, Siria, Nigeria etj.

Azilkërkuesit janë të lirë të dalin nga Qendra, prej orës 07:00 deri 22:00, pasi u plotësohet formulari inicial i azilit.

Thaçi përgëzon Bashën

0

Basha_ThaciKryetari i PDK-së, Hashim Thaçi uron Lulëzim Bashën me rastin e zgjedhjes kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Në telegramin e përgëzimit thuhet:

I nderuar kryetar Basha!

Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dhe në emrin tim t’Ju përgëzoj pë zgjedhjen në krye té Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Zgjedhja juaj kaloi nëpér një proces demokratik, transparent dhe të konkurrencës së lirë, shenjë se kultura demokratike në shoqërinë shqiptare po krijon traditë të mirë edhe në këtë rrafsh të rëndësishëm të konsolidimit të vlerave.

Duke shprehur urimet më te sinqerta Ju sigurojmë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe thellimit të marrëdhënieve midis PDK-së dhe PDSH- së në shërbim të forcimit të raporteve midis dy vendeve tona, me synim për promovimin e vlerave të përbashkëta në planin e brendshëm dhe me vizion të integrimeve euroatlantike, në planin global.

Partia Demokratike Shqipërisë nën drejtimin tuaj besoj se do ta luaj rolin adekuat në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Shqipëria.

Të enjten kthehen 110 kosovarë nga Hungaria

0

RefugjatTë enjten do të organizohet kthimi i 110 shtetasve kosovarë që ndodhen në Hungari. Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.
Sipas zëdhënësit të kësaj ministrie Artan Behrami, kthimi i tyre do të bëhet me aeroplan. “Një përpjekje e ngjashme pritet të ndodh në fillim të gushtit”, thotë Behrami për “Express”.

Sipas Behramit, kthimi përmes IOM-it vazhdon, derisa pritet rritja e numrit që lejohen të kthehen në një fluturim. Pritet që maksimumi në 5 fluturime në javë përmes Stambollit të mund të kthehen së paku nga 5 persona për fluturim.

“Mundësi tjetër kthimi është edhe me vetëfinancim, mirëpo vetëm për ata që kapen duke hyrë në Hungari dhe nuk kërkojnë azil”, sqaron Behrami.

Kthimi sipas zëdhënësit të MPJ-së, do të vazhdojë deri në kosovarin e fundit, nga 500 sa ndodhen aktualisht në Hungari.

Ministria thotë se përmes ambasadës në Budapest në vazhdimësi po mbledh informacion për vendndodhjen, trajtimin si dhe aspektet tjera që lidhen me akomodimin e përkohshëm të shqiptarëve të Kosovës në këtë shtet.

Sipas një komunikate të qeverisë, thuhet se nuk është evidentuar asnjë “keqtrajtim fizik” apo rast i “ofendimit” të shqiptarëve që janë vendosur në qendra të ndalimit dhe pranimit të azilkërkuesve në Hungari.

Trocki: Unë, dëshmitari i masakrave serbe ndaj shqiptarëve në Shkup

0

Shkup-masakra ndaj shqiptarveNë orën 5 pasdite iu afruam Kumanovës. Sa më shumë errësohej, aq më tepër shiheshin flakët e zjarrit që shkonin përpjetë. Të gjitha fshatrat shqiptare, të afërta dhe të largëta, ishin kthyer në shtëllunga zjarri, deri te hekurudha

I njohur edhe si bashkëpunëtor në disa gazeta të rëndësishme të kësaj kohe, dhjetori i vitit 1912 e gjen atë si të dërguar special të gazetës ruse “Kievskaja Misl” në Shkup dhe rrethinat e tij për të bërë një reportazh lufte. Por, i gjendur në mes të një masakre të organizuar të serbëve ndaj popullsisë shqiptare, ai nuk ngurron te shkruajë me tone akuzuese për atë që pa me sytë e tij. Gazeta “Kievskaja Misl” që botohej në Kiev në gjuhën ruse, në atë kohë ishte më e madhja dhe më e rëndësishmja që botohej jashtë kryeqytetit, Moskës. Me fillimin e Luftës Ballkanike, Shqipëria ishte gjysmë e shkretuar dhe trupat serbe, në emër të luftës kundër Perandorisë Osmane, ndërmorën një sërë pushtimesh, të cilat u shoqëruan me masakra masive kundër popullsisë krejtësisht të paarmatosur. Sipas shtypit të kohës, gjatë kësaj ofensive humbën jetën rreth 250 mijë shqiptarë.
Gazetari austriak Leo Frojdlih, edhe ky me origjinë hebreje, autor i librit “Golgotha Shqiptare”, i përshkruante masakrat e serbëve në vjeshtën e vitit 1912, deri në pranverën e 1913-s, në trojet shqiptare, Kosovë, Maqedoni me këtë gjuhë: “Me qindra e mijëra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e lumenjve. Ata që mundin t’u shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të caktuara dhe u jepej nga një plumb kokës”, shkruan gazeta lajm.

Më poshtë, reportazhi i plotë i Leon Trockit, botuar në gazetën ruse “Kievskaja Misl”, në dhjetor 1912, veç të tjerave shërben për të rrëfyer edhe përsëritjen e historisë me masakrat e gjenocidin serb gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë.

Leon Trocki
Kam pasur rastin, për fat apo fatkeqësi, ta vizitoj Shkupin, disa ditë pas Betejës së Kumanovës.

Oficeri, të cilin e kisha njohur për një kohë të gjatë, ishte njeri i ndershëm. Mirëpo, sapo ai e mori vesh se unë po shkoja për në Shkup, meqë realisht edhe e kisha marrë lejen për të shkuar atje, me një qëndrim të hapur armiqësor më tha se nuk duhet të shkoja dhe se nuk e kuptonte se pse Beogradi po vepronte në këtë mënyrë, sipas tij, duke i lejuar “të huajt” të shkonin në Shkup. Në Vranjë, në kufirin me Serbinë, kur e kuptoi se nuk do ndryshoja vendimin, oficeri serb e ndërroi zërin dhe filloi të më përgatitë për pamjet që do të shikoja kur të arrija në Shkup. “Këto janë gjëra të pakëndshme, por fatkeqësisht janë të paevitueshme”, më tha ai. Kjo, më duhet ta pranoj, se më bëri edhe më shumë të dyshoja. Kjo do të thotë se veprat e liga, për të cilat ishte dëgjuar deri në Beograd, nuk ishin të rastësishme, nuk ishin raste të veçanta e të izoluara, përderisa një oficer i trajtonte si “nevoja të shtetit”. Dikush duhej të kishte të dhëna për këto. Kush? Ushtria apo qeveria? Përgjigjen për këto pyetje e mora sapo arrita në Shkup. Trishtimi im filloi porsa e kaluam kufirin. Në orën 5 pasdite iu afruam Kumanovës. Dielli po perëndonte dhe errësira tashmë kishte fituar terren. Sa më shumë errësohej, aq më tepër shiheshin flakët e zjarrit që shkonin përpjetë. Po digjej gjithçka përreth nesh. Të gjitha fshatrat shqiptare, të afërta dhe të largëta, ishin kthyer në shtëllunga zjarri, deri te hekurudha. Ishte ky shembulli i veçantë i një lufte të tmerrshme shkatërruese që pashë në zonat e luftimeve. Në një çast, pasuria e atyre njerëzve, e trashëguar nga gjyshërit e stërgjyshërit dhe e fituar me mund, po kthehej në flakë. Kjo monotoni zjarri na përcolli gjatë gjithë rrugës deri në Shkup.
Masakra serbe
Zbrita nga vagoni me të cilin udhëtova. Tërë qyteti ishte i heshtur, në rrugë nuk shihje njeri të gjallë, vetëm para stacionit të trenit ishte një grup ushtarësh, prej të cilëve mbërrinin zëra të dehurish. Secili shkoi në rrugën e vet, ndërsa unë mbeta i vetmuar në stacion. Shkova te grupi i ushtarëve. Katër ushtarë mbanin bajonetat në gjendje gatishmërie. Në mesin e grupit të ushtarëve qëndronin dy të rinj shqiptarë, me takije të bardhë. Një ushtar, çetnik i dehur, mbante në dorë thikën, ndërsa në dorën tjetër shishen e rakisë. Çetniku i urdhëroi shqiptarët të shtriheshin për tokë. Ata, gjysmë të vdekur nga frika, u ulën në gjunjë. Pas urdhrit tjetër, ata u ngritën. Këtë ai e përsëriti disa herë….
Pastaj çetniku, duke sharë dhe duke kërcënuar, u drejtoi majën e thikës edhe viktimave të tjera. I detyroi të pinë raki, pastaj… i puthi. I dehur nga forca, rakia dhe gjaku, ai argëtohej duke luajtur me ta ashtu si macja e egërsuar me minjtë. Të njëjtat veprime, e njëjta psikologji. Të tre ushtarët e tjerë, edhe ata të dehur, qëndronin duke ruajtur se mos shqiptarët po iknin ose do kundërshtonin, derisa çetniku të argëtohej. “Këta janë arnautë”, më thotë një ushtar, “tash do t’ i ther”. Prej frikës u largova nga grupi. Nuk kishte kuptim të mundohesha për të mbrojtur shqiptarët. Ata mund të shpëtonin nga këta ushtarë vetëm nga një forcë tjetër e armatosur. E gjithë skena luhej në stacionin e trenit. Sapo mbërriti treni tjetër, ika për të mos dëgjuar britmat e tmerrshme dhe thirrjet e shqiptarëve për ndihmë…
Në rrugët e qytetit dhe në vetë qytetin ishte aq qetësi, sa dukej sikur ishte i shkretë. Të gjitha dyert ishin mbyllur qysh nga ora gjashtë pasdite. Me të rënë nata, çetnikët fillonin punët e tyre. Futeshin dhunshëm nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe turqve, duke vrarë e plaçkitur. Shkupi kishte 60 mijë banorë, gjysma e të cilëve ishin shqiptarë e turq. Disa nga ata sigurisht që kishin ikur, por shumica kishte mbetur. Tashmë, gjatë natës kundër tyre kryheshin krime. Dy ditë pas arritjes sime në Shkup, e para gjë që me të cilën përballesha në mëngjes ishte grumbulli e kufomave të shqiptarëve me koka të thyera nën Urën e Vardarit, mu në qendër të qytetit. Disa thoshin se ishin shqiptarë, të cilët ishin mbytur nga çetnikët, të tjerët thoshin se ata i kishte sjellë uji i lumit. Vetëm një gjë dihej: ata njerëz nuk ishin vrarë në luftime…
Shkupi ishte kthyer në një kamp të rëndomtë ushtarak. Popullata, sidomos shqiptarët dhe myslimanët fshiheshin nëpër rrugë për të mos u parë nga ushtarët serbë. Në mesin e masës së ushtarëve dallohen edhe fshatarë serbë, të cilët kanë ardhur këtu nga vende të ndryshme të Serbisë. Duke u justifikuar se kanë ardhur për të gjetur bijtë dhe vëllezërit e tyre, ata kalojnë nëpër Kosovë duke plaçkitur. Bisedova me tre prej atyre “torbaxhinjve”. Më i riu, një burrë i shkurtër, i sojit të “trimave”, lavdërohej sesi me pushkën e tij kishte vrarë dy shqiptarë, ndërkohë që dy të tjerë i kishin ikur. Bashkudhëtarët e tij, fshatarë të moshuar, e vërtetonin rrëfimin e tij.
“Një gjë nuk është e mirë”, ankoheshin ata. “Nuk kemi para me vete. Këtu mund të marrësh sa të duash qe dhe kuaj. Paga e ushtarit është dy dinarë (75 kopekë). Ushtari shkon në fshatin e parë të shqiptarëve dhe e merr kalin e parë që gjen. Përmes ushtarëve mund të marrësh një pendë qe për 20 dinarë. Serbët nga rrethina e Vrajës, në mënyrë masive janë nisur drejt fshatrave shqiptare me qëllim për të rrëmbyer gjithçka që gjejnë. Gratë serbe kanë ngarkuar në shpinë edhe dyer e dritare të cilat i kanë marrë nëpër fshatrat shqiptare.
Ndërkohë erdhën dy ushtarë. Ata bëjnë pjesë në çetat, të cilat çarmatosin shqiptarët. Një ushtar pyet ku mund ta këmbejë një lirë. Kërkova të ma tregojë lirën, meqë nuk kisha parë monedhë turke. Ushtari fillimisht shikon anash, pastaj e nxjerr floririn nga qesja, duke rrëfyer se ka edhe të tjera, por nuk dëshiron të rrëfejë sasinë. Një lirë turke këmbehet me 23 franga. Erdhën edhe ushtarë të tjerë. Po dëgjoja bisedat e tyre. “Nuk e di sa shqiptarë kam vrarë”, thotë njëri, “por te asnjëri prej tyre nuk kam gjetur diçka të vlefshme për ta marrë. Dhe, kur ia kam hequr kokën një nuseje të re, te ajo kam gjetur 10 lira”. Për bëmat e tyre, ata flasin krejt lirshëm. Kjo është e zakonshme për ta. Njerëzit nuk e kuptojnë se sa ndryshime të brendshme kanë sjellë vetëm disa ditë të luftës. Mund të shihet se deri në çfarë niveli shkon njeriu nga rrethanat. Në kushte të organizmit barbar të luftës, njerëzit shpejt brutalizohen dhe këtë ndoshta edhe nuk e kuptojnë. Një tog ushtarësh po marshonte rrugës kryesore të Shkupit. Një i dehur, sipas të gjitha gjasave, një turk i marrë, filloi t’i mallkonte. Ushtarët ndaluan. E mbështetën turkun tek muri më i afërt dhe e pushkatuan në vend. Toga vazhdoi tutje, ashtu sikur edhe popullata që ishte në rrugë.
Biseda me oficerin që e njihja
Në mbrëmje, në një pijetore, takova një oficer, të cilin e njihja. Njësia e tij kishte qenë e stacionuar në Ferizaj, në qendrën e shqiptarëve, “Serbia e vjetër”. Me njerëzit e tij, rreshteri kishte tërhequr një top të madh të rrezikshëm, gjatë marshimit nga Koçani deri në Shkup. Topi do t’i dërgohej ushtrisë, e cila kishte rrethuar Edrenenë.
– Çfarë detyrash keni tani në Ferizaj mes shqiptarëve? – e pyes.
“Po pjekim zogj dhe po vrasim arnautë. Jemi lodhur tashmë”,- thotë,- duke bërë grimasa dhe duke hapur gojën nga lodhja. Pastaj vazhdon: “Ka shumë njerëz të pasur mes tyre. Afër Ferizajt kemi hyrë në një fshat të pasur, me shtëpi si kështjella. Pronari ishte një njeri i pasur, i cili kishte tre bij. Ishin katër meshkuj dhe shumë gra. Të gjithë i kemi nxjerrë nga shtëpia, i kemi radhitur gratë dhe para syve të tyre u kemi therur burrat. Gratë nuk qanin nga frika. Na u lutën t’i lejonim të futeshin në shtëpi dhe të merrnin rrobat e tyre. I lejuam. Ato pastaj na dhanë nga një dhuratë. Pastaj i vumë zjarrin tërë vendit…”
– Si mund të veproni në mënyrë kaq brutale?,- e pyes i tmerruar nga rrëfimi i tij.
“Nuk e di as vetë, mësohet njeriu. Në një kohë tjetër, nuk do të kisha qenë në gjendje ta vrisja një plak apo një fëmijë të pafajshëm. Në kohë lufte, sikundër e dini, komandanti urdhëron dhe ju duhet ta zbatoni urdhrin. Shumë gjëra si këto kanë ndodhur. Gjatë bartjes së atij topi deri në Shkup, gjatë rrugës takuam një qerre, në të cilën ishin shtrirë katër burra të mbuluar deri në brez. Menjëherë nuhata erën e jodit. Diçka ishte e dyshimtë, mendova. Ndalova qerren dhe i pyeta kush ishin dhe ku shkonin. Heshtnin, duke u justifikuar se nuk dinin serbisht. Me ta ishte vetëm qerrexhiu, një rom, i cili na tregoi se katër të plagosurit kishin marrë pjesë në luftime në Merdar. Ishin plagosur dhe tani po ktheheshin nëpër shtëpi. E kuptova se kush ishin. -Zbritni!,- urdhërova.
E kuptuan çfarë po u thosha, por hezitonin. Ç’të bësh? Vendosa bajonetën në pushkë dhe i thera të katërt…
E kisha njohur këtë njeri. Kishte qenë kamerier në Kragujevc. Njeri pa ndonjë kualitet. Jo luftarak nga natyra, kamerier, ashtu sikur të gjithë kamerierët në vendet e tjera. Një kohë ishte edhe në Sindikatën e Kamerierëve. Ishte madje edhe sekretar, por u largua… Dhe shikoni tani se në çfarë është kthyer!”
– Përse veproni si banditë, po vrisni dhe po plaçkitni, pa bërë asnjë dallim!,- bërtita, duke ndier një neveri për njeriun me të cilin kisha biseduar.
Eprori u gjend në një situatë të vështirë. U duk sikur diçka i kishte rënë ndërmend. Pastaj duke u munduar ta justifikonte veten, i bindur dhe serioz, shqiptoi një frazë, e cila kishte edhe më shumë të zeza sesa kisha parë dhe dëgjuar.
“Jo. Nuk është ashtu. Ne, ushtria e rregullt, i përfillim në mënyrë rigoroze rregullat, asnjëherë nuk vrasim njeri më të ri se 12 vjeç. Për çetnikët nuk të them asgjë me siguri. Ata janë kokë më vete. Unë mund të siguroj për ushtarët”.
Rreshteri nuk siguronte për çetnikët. Dhe me të vërtetë, ata nuk pranonin asnjë kufizim. Të rekrutuar nga mesi i të papunëve, të paaftëve, elementë të ligj dhe të pavlerë, nga turma më e ulët, argëtoheshin me egërsinë e tyre me krimet, plaçkitjet dhe dhunën. Veprat dëshmonin shumë kundër tyre. Edhe ushtria e shteti ndiheshin jo mirë nga banalitete të tilla të përgjakshme të çetave të degjeneruara. Ata u detyruan të marrin masa dhe ende pa mbaruar lufta, i çarmatosën dhe i kthyen nëpër shtëpitë e tyre.

Kthimi
Nuk isha në gjendje ta duroja edhe më tej atë atmosferë, nuk kisha stomak për ta duruar. Interesi politik dhe vetëdija morale, për të parë me sy se si bëhen gjërat e tilla, u fundosën. Tashmë kisha vetëm një dëshirë: Të kthehesha sa më parë. Sërish u gjeta në tren. Po shikoja fushat e gjera rreth Shkupit. Çfarë bukurie, çfarë gjerësie! Njerëzit mund të jetonin mirë këtu. Çfarë dobie ka të flas kur ju vetë i dini këto ide, porse ato në atë vend më tingëllonin dhjetë herë më fort. Pesëmbëdhjetë minuta nga nisja e trenit, hodha vështrimin jashtë dhe pashë në një largësi prej 200 jardësh nga stacioni një kufomë me takije në kokë, me fytyrë përdhe dhe duar të shtrira. Rreth 50 jardë nga hekurudha po qëndronin dy roje serbe, pjesë e forcave që po ruanin hekurudhën. Me siguri kjo ishte vepër e tyre. Tutje, tutje, vetëm të largohem sa më parë nga ky vend.
Jo larg nga Kumanova, në një livadh, afër hekurudhës, ushtarët po hapnin një gropë të madhe. I pyes se për çfarë po hapej ajo gropë. Më thanë se gropa po hapet për mish të prishur, që ndodhej në dhjetë apo 15 kamionë, të cilët ishin parkuar anës rrugës. Ushtarët nuk e kishin marrë mishin që u kishte takuar. Krejt nevojat e tyre ushqimore, madje edhe më shumë se u nevojiteshin, ata i merrnin nga shtëpitë e shqiptarëve: djathë, qumësht, mjaltë. “Në atë kohë hëngra më shumë mjaltë, që ua merrnim shqiptarëve, sesa kisha ngrënë gjatë tërë jetës sime”, më thotë një ushtar. Për çdo ditë, ushtarët serbë thernin qe, dele, derra, pula, të cilat i hanin duke i hedhur mbetjet tej. “Neve nuk na duhet mishi. Sa e sa herë u kemi shkruar atyre në Beograd të mos na dërgojnë mish, por ata e bëjnë këtë sipas disa rregullave”. Kështu qëndrojnë gjërat kur shikohen nga afër. Mishi po prishet, si mishi i njerëzve, ashtu edhe i kafshëve, fshatrat janë bërë shkrumb e hi, njerëzit po dëbohen, “njerëzit mbi 12 vjet”… të gjithë janë barbarizuar, duke humbur fytyrën e tyre njerëzore… Lufta po del në sipërfaqe si kryesorja dhe më e rëndësishmja, do t’i shihni krimet nëse shpalosni pak perden, e cila rri varur para veprave të “trimërisë” së ushtarëve…

LPK bashkohet me Lëvizjen Vetëvendosje!

0

LPK-LVV7-23Lëvizja Popullore e Kosovës iu bashkua sot Lëvizjes Vetëvendosje. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se duke u bashkuar më këtë subjekt, do të forcohen, duke u shtuar radhët për tu angazhuar në të mirë të popullit të Kosovës. Përfaqësues të LPK-së, thanë se bashkimi me Vetëvendosjen, në zgjedhjet e ardhshme do të ndryshojnë rrjedhën politike, ekonomike e shoqërore në vend.

Duke bërë publike bashkimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës me Lëvizjen Vetëvendosje, kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, tha se tashmë do të krijohet komisioni i përkohshëm të përbërë nga përfaqësues të dy subjekteve, që do të merret me bashkimin e anëtarësisë dhe strukturave të LPK-së brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Pavarësisht se LPK është një subjekt i vogël politik, lideri i Vetëvendosjes Kurti tha se LPK gëzon respektin e gjithë popullit shqiptar, pasi është simboli i përpjekjeve dhe sakrificave të popullit për liri e barazi, drejtësi e bashkim kombëtar. “Askush nuk mund t’i kuptojë dhe shpjegojnë tri luftërat e ushtrive çlirimtare shqiptare, pa LPK-në”, tha Kurti.

Ndërsa përfaqësuesi i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Azem Zekaj, tha se LPK-ja ka vendosur të bashkohet me Lëvizjen Vetëvendosje, duke parë angazhimet e saj në skenën politike të Kosovës dhe situatën e rëndë në vend.

Ndërkaq, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Derguti tha se Bashkimi i lëvizjeve është mundësi e takimit të brezave të veprimtarëve, përvojës, diturisë dhe aktivizmit politik për të njëjtën kauzë. Kjo hap rrugë për realizimin e qëllimit që shqiptarët për më shumë se një shekull aspirojnë dhe na bind se vetëm bashkë është e mundshme.

Kurse nënkryetari tjetër i LVV-së, Shpend Ahmeti tha se “është e domosdoshme që përmes këtij bashkimi të sotëm mes VETËVENDOSJE!-s dhe LPK-së t’ua bëjmë edhe njëherë një thirrje të gjitha organizatave politike e shoqërore që është momenti i fundit që të bashkohemi në një fron për ta ndalur të keqen në Kosovës dhe për t’i çuar deri në fund aspiratat e të gjitha brezave para nesh, sepse këtë ia kemi borxh të gjithë atyre që kanë sakrifikuar që ne sot ta gëzojmë shtetin e Kosovës. Çka është më me rëndësi, ia kemi borxh edhe gjeneratës së ardhshme se çka do t’i lëmë pas”. /PrizrenPress.com/

“Trenat” e Haqif Mulliqit përshkojnë Apolloninë

0

MulliqiPas netëve të xhazit, skenës antike të Apollonisë iu rikthye sërish teatri. Mbrëmë, në “Apolonia International Fest 2013” ishte radha e teatrit. Një mbrëmje me nota të trishta, që të kthente pas në vitet e luftës shqiptaro-serbe, në dramat e humbjeve të mëdha, ku një nga më të rëndat ishte edhe ajo shpirtërore. Veni dhe Vini, burrë e grua, janë dy personazhet e dramës “Trenat”, shkruar nga dramaturgu kosovar Haqif Mulliqi dhe me regji të Agim Selamit.

Ata, raporton Panormama, janë në pritje të trenit, që do t’i çojë larg një fatkeqësie të pritshme nga pushtuesit, por treni nuk vjen. Vijnë ata që dhunimin dhe përdhunimin, pa e pyetur për moshën e gjininë e përdorin si mjet, si armë lufte.

Këtu nis drama, personazhet e së cilës, edhe pas pësimit, mbesin në pritje të trenit, por tani për të ikur nga vetja e tyre. Mbesin në pritje të atij treni që do t’i shpinte diku, kudo qoftë, larg qenies së tyre fizike, shpirtit, psikës, emocioneve, ndërgjegjes, gjakut… Ai tren për Veni-Vini-n nuk vjen kurrë. Në këtë pritje pa fund shpërthejnë akuzat, kundërakuzat, vetakuzat, mospajtimet e konfliktet, shpresa, dashuria e dhimbja e Veni-Vinit, që herë ndërtojnë, e herë shkatërrojnë njëri-tjetrin.

Ata tashmë janë kthyer në dy personazhet beketianë, Vladimiri e Estragoni, ndërsa treni në një Godo. Në fund të dramës, Veni e thërret gruan e tij Vinin me emrin që Estragoni e Vladimiri e thërrasin njëri-tjetrin: Didi. Më në fund, vdekja vjen për njërin prej tyre dhe ai udhëtim vajtje-ardhje tani ka vetëm një biletë pa kthim.

Askush nuk i urren shqiptarët më shumë se shqiptari vetë

0

Arben I KastratiARBEN I. KASTRATI
Jam në Strugë. Dhe gjëja e parë qe kujtova pasi shkrimin tënd lexova, ishte viti 1999. Teksa në Kosovë Ramush Haradinaj po udhëhiqte luftën në një zonë, dhjetra mijëra shqiptarë nga Kosova (tanimë disa me vetdëshirë vetquhen Kosovarë), pushonin në brigjet e liqenit të Ohrit. Dhe teksa rreziteshin dhe ziheshin se kush ka marrë më shumë ngjyrë, kur ktheheshin nga plazhet, dëgjonin në shtëpitë e mikpritësve, lajmet për tragjedinë që po ndodhte në Kosovë. Aq shumë vuanin nga lajmet që konsumonin, sa që rendnin me ngut për në plazh. Nje pjese syresh, ishin për herë të parë me pushime. Pjesa tjetër e shqiptarëve, madje s’donin as të identifikoheshin me qenësinë e tyre, kështu që pushonin dhe argëtoheshin me sllavo maqedonasit në Ohër, se u mungonte gjuha sllave, të cilën e njihnin fare mirë për të dëgjuar se ç’urdhër duhet zbatuar.

Kur lufta perfundoi, ne – pushuesit, u kthyem në vendin tonë të çliruar, të festonim lirinë dhe duke kërkuar respekt dhe pushtet…

***

Askush nuk i urren shqiptarët më shumë se shqiptari vetë.

Të kam ndjekur kryesisht tek Opinion-i i gazetarit mediokër Fevziu. Aty ku kryesisht mblidhen mediokritetet dhe kuvendojnë. Aty ku më shumë vleresohen defektet se cilesitë…Aty ku metastazon marria…

Dhe ti s’përbën asnjë përjashtim, analizon çdo ndodhi, cdo fenomen, nga kënveshtrimi yt “superior”. Madje ti i lejon vetes të analizosh e gjykosh çdo gjë dhe çdo kë…Dhe kjo të bën pjestar të shquar të mediokritetit. Të bën prijës.

Dhe kur (në këto ditë pa Opinion) ke mbetur pa vemendje, fillon të trajtosh heronjtë, që ti nuk i njeh fare. Për ç’gjë, duhet të kesh turp. Por soji yt (cosmopolitan me pagesë), që veproni – MADE FOR EXPORT, ka kohë qe jeni kastruar nga morali dhe keni krijuar imunitet nga përgjegjësitë. Ju jeni të preokupuar me pershtypjet që do lini me vardisjen tuaj tek të huajt. Që të arrini të ushqeni egot tuaja me ndonjë privilegj. Të kuroni komplekset tuaja të pakurueshme. Ju jeni një turp i kombit. Ju jeni të perdalet e kombit. Ky soj i juaji është për t’u qarë me vajtojca.

Ti ke pasur hapsirën e mjaftueshme si askush tjetër të shkruash tek mediumet vendore atë që ke thënë tek një gazetë e huaj koti. Por jo rastësisht ke këtë personazh për temë trajtimi, që të arrish të koleksionosh ca mendime pozitive tek të huajt, të cilët, me beso, s’çajnë kokën as për ty as për sojin tënd. Ata ju shfrytezojnë por nuk ju respektojnë. Ata s’respektojnë askënd që mohon kombin e vet. Se e dinë qe ju do bënit të njëjtën gjë dhe për ata.

Prandaj, s’arrij të kuptoj inferioritetin tënd në raport me të huajt dhe “superioritetin” tënd në raport me shqiptarët. S’arrij të kuptoj vardisjen tënde ndaj të huajve ashtu siç s’arrij të kuptoj nevojën tënde për autoritet ndër shqiptarë.

***

Nuk dua të marr rolin e zëdhënësit të Z. Haradinaj e as të historianit që të të dëftoj për punën e kontributin e Z. Haradinaj. Por si qytetar do të marr barrën e përgjegjësisë të mbroj të vërtetën. Ti i bën padrejtësi të madhe të vërtetës. Ti i bën një padrejtësi të madhe veprës së Ramush Haradinajt dhe karakterit të tij.

Nëse dy herë, Tribunali Ndërkombëtarë i Hagës e shpall të pafajshëm Z. Haradinaj, përkundër ndihmës së pakursyer të Serbisë dhe aleatëve të saj, je ti ai që kërkon ta gjykosh. Se ti je aq i arritur (sa që në këtë rast merr dhe detyrën e prokurorit), sa që merr të drejtën dhe ta gjykosh, ta shpallësh fajtor pa fakte por me fjalë Z. Haradinaj, që u lirua nga të gjitha akuzat i pafajshëm. Këto fakte dëftojnë për – “cilësitë” tua. Dëftojnë për komplekset e tua të shumta që bashkëjetojnë brenda teje. Këtij soji të veçantë mediokriteti me pagesë.

Jam mëse i bindur që ti as nuk e njeh të shkuarën e as të tashmen e gjysmës së kombit tënd, as nuk e njeh dhunën e ushtruar ndaj gjysmës së kombit tënd nga serbi dhe shqiptari bashkë, as nuk e njeh Z. Haradinaj, as nuk e njeh vepren e tij. Ashtu siç nuk njeh asgjë përpos interesit tend vetanak.

Fillimisht, gjykoi mendimet e tua. Çlirimtari nuk mund të jetë asnjëherë – vrasës.

Ashtu siç ti asnjëherë s’ke për të më kuptuar mua e askën tjetër qe ka dashuri ndaj atdheut ashtu as unë s’kam për ta kuptuar lehtësinë tënde të papërballueshme të lajkatimit ndaj njerëzve me pushtet dhe të huajve. Prandaj nuk do të merresh kurrë seriozisht nga njerëzit që kanë mendim. Përfitimet materiale dhe ndonjë çmim, që burojnë nga të qenit i shitur intelektualisht kanë efektet e tyre anësore, përbuzjen e përçmimin kolektiv, ndërgjegjen e njollosur…

Dëshira për t’u shfaqur i ditur do t’të – torurojë… Moshën dhe dijen për të mbajtur fajësinë me vete kudo e përgjithmonë, e ke. Pra mbaje.

Jenuzi rikandidohet për kryetar të Dragashit?

0

SalimJonuziPartia Demokratike e Kosovës (PDK) do të rikandidojë Salim Jenuzin për kryetar të Dragashit. Ai javën e kaluar ka marrë përkrahje edhe nga lideri I PDK-së, Hashim Thaçi. Kryetari aktual i Dragashit, Salim Jenuzi ndërkaq tha se pavarësisht përkrahjes nga Thaçi ende nuk është nominuar zyrtarisht si kandidatë për kryetar të Komunës. “ Ende nuk jam emëruar zyrtarisht. Besoj se deri ka 15 gushti do të përmbyllet edhe kjo çështje”, tha Jenuzi për “PrizrenPress”. Ai beson se do të rikandidohet për kryetar të Dragashit. ”Besoj më shumë se po”, tha Jenuzi.

Lideri I PDK-së Hashim Thaçi, gjatë një takimi që ka zhvilluar javën e kaluar me Këshillin Drejtues të PDK-së në Dragash, ka lavdëruar punën që ka bërë Jenuzi në këtë komunë. Ai ka kërkuar nga të gjithë që të angazhohen për të ruajtur fitoren në Dragash.

Kryetari Jenuzi është i bindur se PDK-ja në Dragash do t’i fitojë zgjedhjet e nëntorit. ”Kemi bërë punë të mirë gjatë këtyre viteve të qeverisjes, prandaj qytetarët do të na besojnë edhe në nëntor”, tha Jenuzi.

Ai tregoi se në Komunën e Dragashit, janë realizuar shumë projekte kapitale në të gjitha sektorët e jetës. ”Kemi realizuar investime në të gjitha sektorët e jetës së qytetarëve të Dragashit. Kemi investuar në infrastrukturë, arsim, shëndetësi…”, tha Jenuzi. Sipas tij, qytetarët në nëtor do të dinë të vlerësojnë punën që është bërë gjatë qeverisjes së PDK-së në Dragash. /PrizrenPress.com/

 

Policia konfiskon një armë pas gjuajtjes në aheng familjar

0

Armet ne dasemPolicia ka konfiskuar një armë të llojit “Kallashnikov” në fshatin Romajë të Hasit. Konfiskimi është bërë pasi që një preson ka përdorur atë në një aheng familjarë.

“Rreth orës 10:45 min, një patrullë e Policisë së Trafikut Rajonal nga Prizreni, e cila ishte duke e hetuar një rast të aksidentit të trafikut afër fshatit Romajë, ka dëgjuar të shtëna nga arma e zjarrit.

Lidhur me rastin është informuar Qendra Operative , e cila ka sugjeruar që patrulla të merret me rastin. Më pas është identifikuar i dyshuari, i cili pasi është pyetur për rastin, ka treguar se në familjen e tij ishte organizuar një aheng familjar dhe për këtë i njëjti ka shtënë me armë të llojit ‘Kallashnikov’ të cilën e ka dorëzuar”, tha zëdhënësi i PK-së në Prizren, Hazir Berisha.

Sipas tij, Policia ka iniciuar rastin si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa prokurori i shtetit ka vendosur që rasti t’i kalojë Prokurorisë. /PrizrenPress.com/