18 C
Prizren
E enjte, 7 Maj, 2026
Home Blog Page 8714

Avokati i Popullit ka vërejtje për reformën zgjedhore

0

Institucioni i Avokatit të Popullit ka kundërshtime në çështje të caktuara të reformës zgjedhore, me të cilën tashmë po merret Komisioni parlamentar për legjislacion. Avokati i Popullit, Sami Kurteshi thotë se pragu i lartë zgjedhor për partitë dhe për kandidatët e pavarur dhe përfshirja e normës që vota e partisë t’i shkojë bartësit të listës, është kundër kushtetuese. Avokati i Popullit i ka dërguar dy rekomandime në Kuvend lidhur me këto çështje. Ai nuk e përjashton mundësinë që t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese.

Pragu i lartë zgjedhor dhe bartësi i listës, mos t’i nënshtrohet votës së qytetarëve, për Avokatin e Popullit janë të papranueshme. Lidhur me këto dy çështje, Avokati i Popullit i ka dërguar dy rekomandime në Komisionin për legjislacion duke propozuar që pragu zgjedhor të ulet. Avokati i Popullit, Sami Kurteshi thotë se është antikushtetuese t’i mohohet dikujt e drejta të zgjidhet, duke vendosur prag të lartë zgjedhor.

“Jo vetëm në Kushtetutë, por në asnjë ligj nuk gjendet e drejta e dikujt që të merret vesh që dikujt tjetër t’ia kufizojë të drejtën të zgjedh, ose të zgjidhet”, tha Kurteshi për Radio Kosovën.

Avokati i Popullit ka kërkuar po ashtu që mos të ketë privilegje për bartësin e listës, që votat e partisë t’i shkojnë atij. Kurteshi thotë se kjo nuk ka të bëjë me reformë zgjedhore, por është një kthim prapa.

“Vota e hedhur t’i shkojë automatikisht kandidatit të parë në listë, është shkelje e pakuptimtë e nenit themelor të kushtetutës, barazisë para ligjit.

Sipas tij, në organizimin e brendshëm, partitë mund t’i privilegjojnë liderët e tyre, mund t’i votojnë si të duan, por jo t’i privilegjojnë kur ata dalin në zgjedhje.

“Dalja në zgjedhje, nuk është më çështje vetëm e partisë. Aty merren votat e njerëzve të shoqërisë dhe aty nuk do duhej të dallohej asnjë njeri”, tha ai.

Avokati i Popullit thotë se as Kuvendi e askush tjetër nuk jep një arsye pse ka privilegje të tilla të liderit, ndërsa përsërit kërkesën e tij.

“Ky lloj i privilegjimit kundërkushtetues të hiqet nga ligjet”, tha ai.

SamiKurteshi-avokati popullitRekomandimet e Avokatit të Popullit, në mbledhjen e fundit të Komisionit parlamentar për legjislacion nuk janë marrë parasysh, por Kurteshi pret që Kuvendi të reflektojë karshi këtyre kërkesave. Në të kundërtën, ai thotë se do t’i ndërmarrë hapat tjerë.

“Në qoftë se shkon kjo më tutje, natyrisht se Avokati i Popullit do të sheh t’i ndërmarr të gjithë ata hapa që janë në kompetencën e tij. Njëri ndër ata hapa mund të jetë ngritja e çështjes në Gjykatën Kushtetuese”, tha Kurteshi.

Ndryshe, në rekomandimet që institucioni i Avokatit të Popullit i ka dërguar në Kuvend, kërkohet që partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare e të tjera, të kenë prag zgjedhor prej maksimum tre për qind, kurse për kandidatët e pavarur, pragu të jetë maksimum një për qind. Avokati i Popullit kërkon që edhe bartësi i listës, apo lideri i partisë, të jetë në listën e votimit, e jo vota e partisë t’i shkojë drejtpërdrejt atij, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit lokale.

Ku janë ?

0

Thirrja e nenave-te pagjeturitKosova dhe Serbia kanë nisur të dialogojnë qysh në mars të vitit 2011. Tre vjet prej asaj kohe, një temë që qe proklamuar si e para, nuk është diskutuar asnjëherë ndonëse janë zhvilluar edhe mbi 200 takimet bashkërisht në nivelin teknik e politik të palëve. Aty janë diskutuar e arritur shumë marrëveshje, por asnjëherë nuk është prekur çështja e fatit të mbi 1800 personave të zhdukur.

Kjo nuk ka ndodhur edhe pse kur zëvendëskryeministrja Edita Tahiri pati nisur takimin e parë me palën serbe pati deklaruar se çështja e të pagjeturve është arsyeja kryesore e dialogut. Edhe tash kur pyeten se ku ka mbetur kjo çështje në procesion e dialogut, zyrtarët kosovarë deklarohen se kjo temë gjithsesi se do të trajtohet. Mirëpo siç duket do të kalojë edhe kohë e gjatë derisa t’i vije rendi kësaj pike, pasi sipas zyrtarëve qeveritarë duhet të priten edhe disa marrëveshje tjera, por edhe zgjedhjet në Kosovë e Serbi, në mënyrë që më pas të diskutohet për të pagjeturit,shkrun Tribuna.

Kjo nënkupton se para shtatorit ose tetorit të këtij viti një temë e tillë nuk do të diskutohet me Beogradin, pasi paraprakisht zgjedhjet në Kosovë priten në qershor, ndërsa konstituimi institucioneve të reja nuk mund të bëhet para shtatorit. Zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, ka thënë se nuk e di saktë se kur mund të preket kjo çështje, por sipas tij Prishtina mbetet e përkushtuar që ta qojë këtë proces deri në fund. “E kemi propozuar këtë temë dhe presim që pas marrëveshjes për drejtësi dhe zgjedhjeve do të jetë një ndër temat e para që do të diskutohet në dialog me Serbinë”, ka thënë Kuçi

Sot ndahen çmimet prestigjoze Oskar

0

Oskar filmÇmimet Oskar ndahen sot në “Dolby Theatre”, Hollywood, Los Angeles. Këto çime ndahen për 24 kategori dhe përfshijnë ndër të tjera çmimet Oskar për: aktorët, regjisorët, efektet vizuale dhe makijazhin.
Në listën me 9 filma, të nominuar për çmimet prestigjioze janë: drama “American Hustle” , “Captain Phillips” dhe filma “Gravity”, “Dallas Buyers Club”, “Her”. Këta kryesojnë nominimet për çmimet Oskar. “American Hustel” dhe “Gravity” kryesojnë me nga 10 nominime secili. “American Hustle” kandidon në të gjitha kategoritë për aktorët me Christian Bale, Amy Adams, Bradley Cooper dhe Jennifer Lawrence, ndërsa në garën për figurën më të mirë, përballë ka “Gravity”, regjisori i të cilit, Alfonso Cuaron është kandiduar për regjinë më të mirë, ndërsa protagonistja Sandra Bullock, si aktorja më e mirë. “The Wolf of Wall Street”, “Nebraska” dhe “12 Years a Slave” janë gjithashtu pretendentë.

“American Hustle” është filmi i 15- të në historinë e çmimeve Oskar, që nominohet në katër kategoritë vlerësuese për aktorët, megjithëse asnjëherë nuk ka ndodhur që një film t’i fitojë që të gjitha këto kategori. Në garën e nxehtë për çmimin aktori më i mirë janë nominuar Christian Bale, i cili interpreton tek “American Hustle”, Bruce Dern Nebraska dhe Leonardo DiCaprio te “The Wolf of Wall Street”. Për çmimin aktorja më e mirë garojnë tri aktore mjaft të suksesshme, Amy Adams, e cila interpreton në filmin “American Hustle”, Cate Blanchett, Blue Jasmine, Sandra Bullock te “Gravity”, Meryl Streep te “August: Osage County”. Në nominimet e edicionit të 86-të të “Academy Awards”, numri i nominimeve që filmat “Gravity” dhe “American Hustle” kanë arritur arrin plot 10 nominime në kategori të ndryshme, kurse personazhet me numrin më të lartë të nominimeve janë, Alfonso Cuaron dhe Spike Jonze, me nga 3 nominime secili. Organizatorët premtojnë një mbrëmje mahnitëse.

Si çdo vit një vend të veçantë protagonistët i kanë dedikuar edhe stilit të të veshurit, pasi çdo vit media rozë nuk i kursen në kritika apo vlerësime. Edicioni i 86-të i Oskarit do të vijë nën prezantimin e Ellen DeGenere-s. Pjesëmarrës do të jenë edhe: Angelina Jolie, Brad Pitt, Zac Efron, Emma Watson, Kristen Bell, Jennifer Garner, Bradley Cooper, Charlize Theron etj. Çmimet e përvitshme për arritjet më të mira të kinematografisë tërheqin vëmendjen e mbarë globit mbi Hollywood- in. Nesër disenjatorë të njohur prezantojnë punimet e tyre. Kjo lagje e Los Angeles-it prej dekadash ka qenë e lidhur me filmin. Përballë teatrit ku do të ndahen çmimet Oskar, Muzeu i Hollywood-it do të presë vizitorë në një ndërtesë që dikur ishte studioja e makiazhistit “Max Factor”.

Në këtë muze ekspozohen relike të Hollywood-it, përfshirë sandalet e kuqe që Judy Garland kishte veshur në filmin “Wizard of Oz”, si dhe fustani që veshi aktorja Barbara Stanwyck gjatë ceremonisë së Oskarit, vite më parë. Punonjësit e skenës po përgatisin “Dolby Theatre”, ku do të mblidhen nesër emrat më të njohur të Hollywood-it për Çmimet e Akademisë së Filmit dhe Shkencës. Ky aktivitet tërheq vëmendjen e medieve, por edhe të vizitorëve të ndryshëm. Përgatiti: Valeria Dedaj

Më të pasurit e çmimeve Oskar?
Kompania ndërkombëtare nga Singapuri, “Wealth X”, ka hartuar listën e yjeve më të pasur të Hollywood-it, të cilët në karrierën e tyre kanë arritur të fitojnë çmimin Oskar. Regjistrimi i multimilionerëve është publikuar para disa ditësh nga ndarja zyrtare e trofeve, që mbahet nesër në teatrin “Dolbi”, në Los Angeles, nën drejtimin e Ellen DeGenere-s.
1. Jack Nicholson – 3 Oskar – 390 milionë dollarë
2. Tom Hanks – 2 Oskar – 350 milionë dollarë
3. Robert de Niro – 2 Oskar – 310 milionë dollarë
4. Barbra Streisand – 1 Oskar – 310 milionë dollarë
5. Sean connery – 1 Oskar – 250 milionë dollarë
6. George Clooney- 1 Oskar – 220 milionë dollarë
7. Michael Douglas – 1 Oskar – 200 milionë dollarë
8. Anthony Hopkins – 1 Oskar – 160 milionë dollarë
9. Robin Williams – 1 Oskar – 150 milionë dollarë
10. Sandra Bullock – 1 Oskar – 150 milionë dollarë

Sabit Geci: Ka diçka që nuk ia falë kurrë ish shokëve dhe kryeministrit

0

Sabit GeciQëndrimi në burg dhe spital, njërit prej krijuesve të UCK’së i është vështirësuar këto ditë. Jo për shkak të shëndetit por për shkak të një lajmi që ka dalë këto ditë në media.
Sabit Geci e ka përjetuar rëndë kur ka lexuar se ka bashkëpunuar me prokurorinë që po i heton krimet e pretenduara në raportin e Dick Martyt.

Edhe më rëndë e ka përjetuar kur i kanë thënë se shokët po flasin se ai është dëshmitarë bashkëpunues, shkruan Tribuna.

“Janë munduar të më thyejnë në të gjitha mënyrat dhe e kanë provuar edhe këtë formë. Kam lexuar për Tribunalin sepse unë i marr gazetat cdo ditë”. Ish eprori i UCK’së i dënuar me 15 vjet burg për krime lufte, ka thënë se ai që kreu vrasjen e Ivan Bulatoviqit, dora i lumtë. Ai ka disa gjëra që nuk do ia falë kurrë ish shokëve e as kryeministrit.

Nuk duhet të ketë zgjedhje serbe në Kosovë

0

Azem-VllasiAnalisti politik, Azem Vllasi mendon se faktori ndërkombëtar është ai që e thotë fjalën e fundit, nëse zgjedhjet e përgjithshme serbe do të mbahen edhe në Kosovë.

Autoritetet kosovare vazhdimisht kanë deklaruar se nuk do të lejojnë përsëritjen e skenarit të vitit 2012, kur zgjedhjet serbe u organizuan me ndihmën e OSBE`së, brenda territorit të Kosovës, me vendvotime të hapura nëpër vendbanimet e serbëve.

Megjithatë, deklaratat e zyrtarëve vendas, Vllasi nuk i sheh si serioze. Sipas tij, sa herë që është thënë jo, gjithmonë ka ndodhur e kundërta.

Në një bisedë për lajmi.net, Vllasi thotë se nëse zgjedhjet mbahen, nuk kanë ndonjë efekt politik, por e quan poshtërim të radhës për autoritetet vendore.

“Mjerisht unë besoj që institucionet e Kosovës do të lejojnë diçka që i kërkojnë ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët thonë se mos e bëni të madhe këtë punë, sepse nuk është esenciale, politike dhe ndoshta do ta lejojnë “.

“Esencialisht dhe politikisht nuk ndodh asgjë, nëse mbahen zgjedhjet. Serbët dalin të votojnë edhe ato vota dërgohen në Serbi, por është një poshtërim i radhës që vendorët çfarë thonë se nuk do të bëhet, ajo po bëhet”

“Për këto zgjedhje do të vendosin ndërkombëtarët. Ndërsa nga përvojat e tanishme nëse thonë vendorët që diçka e tillë nuk do të bëhet, pikërisht ajo do të bëhet”.

“Zgjedhje të Serbisë nuk duhet të ketë, atëherë ishte për shkak të pjesës veriore të Kosovës”.

Zyrtarët serbë janë deklaruar zëshëm disa herë që zgjedhjet e jashtëzakonshme serbe të cilat mbahen më 16 mars, do të organizohen edhe në Kosovë.

Në vitin 2012, votimet e serbëve në Kosovë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë ishin lehtësuar nga misioni i OSBE`së, në Kosovë.

Por një mundësi të tillë e ka hedhur poshtë Zëvendës Kryeministri Hajredin Kuçi. Në një intervistë për lajmi.net ai kishte thënë se Serbisë nuk do t’i lejohet të organizojë zgjedhjet nacionale në Kosovë.

Por sipas, tij do të respektohet e drejta e qytetarëve serb me nënshtetësi të dyfishtë, që të votojnë qoftë përmes postës, Zyrës Ndërlidhëse, apo edhe përmes misionit OSBE.

Kosova nuk i do të mençurit

0

Mjeku 2Me qindra të diplomuar janë larguar nga Kosova gjatë viteve të fundit. Niveli i dobët i shkollimit pasuniversitar, pagat e ulëta dhe metodat korruptive për punësim, përbëjnë motivin kryesor që të rinjtë ta braktisin Kosovën.
Edhe ata që bëjnë master e doktoraturë jashtë vendit kanë vështirësi të pranohen në punë në Kosovë. Institucionet nuk kanë një strategji për kthimin e trurit në vendin tonë, shkruan Koha.

Ali Hajdari është një mjek, i cili nuk priti gjatë nga shteti për t’ia siguruar vetes një vend të qëndrueshëm pune një specialisti, por iku larg vendit të tij.

Shkoi në Gjermani e kreu specializimin që e ëndërronte dhe u punësua me një rrogë dhjetë fish më të madhe se në Kosovë…

Thaçi u frikësohet ministrave të tij

0

Thaci7-03Qeveria Thaçi 2, duket se do ta përfundojë mandatin pa riformatimet e shumëpërfolura. Kryeministri përkundër deklaratave për ndryshime nuk e bëri asnjë veprim të tillë.
Burime të gazetës “Tribuna”, thonë se Thaçi me deklarime ka mbajtur peng individ të zhurmshëm në parti duke i joshur me oferta për pozita.

Kryeministri i Kosovës, me 6 shkurt ka hyrë në vitin e 4 të qeverisjes së mandatit të dytë, ndërsa që nga koha kur e mori këtë mandat e deri më sot, shumë herë ka përmendur çështjen e ndryshimeve në kabinetin qeveritar, por nuk e ka bërë asnjëherë

Krasniqi: Afera “Pronto”, kulmi i prishjes së raporteve me Thaçin

0

JakupKrasniqi10-29Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një intervistë për RTV21, ka folur për arsyet që e shtynë atë dhe Fatmir Limajn të largohen nga PDK-ja, partia në themelimin e të cilës kishin kontribuar që të dy.

Krasniqi, që prej dje është zyrtarizuar në funksionin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, ka thanë se acarimi i raporteve të tij me Kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, kishte nisur qysh para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010, por ftohja e tyre kishte arritur kulmin pas publikimit të përgjimeve telefonike, të njohur si afera “Pronto”.

“Prej përgjimeve janë ftohur raportet. Ndoshta ,Thaçi nuk e ka ndie veten mirë nga ai moment”, ka thënë Krasniqi, duke potencuar se vetë nuk ka ndie inat ndaj personave të përfshirë në këtë aferë ku lakohej emri i tij, citon Telegrafi.

Duke folur për arsyet e largimit nga PDK-ja, Krasniqi është shprehur se para se të ndodhte largimi, ka bërë përpjekje të krijojë “funksionim demokratik” të partisë, por kjo sipas tij, nuk ka ndodh.

Krasniqi ka thanë se ne të të gjitha institucionet e shtetit janë emëruar njerëz që nuk e kanë pasur përgatitjen e duhur profesionale dhe nuk kanë qenë kompetentë për detyrat që i kanë marrë.

“Keq qeverisja dhe korrupsioni, sidomos në mandatin e dytë, kanë pamundësuar jetën e përbashkët politike”, ka theksuar Krasniqi, duke potencuar se Kosova nuk ka kapacitete financiare të ketë më shumë se 10 ose 12 ministra.

Tash kur bashkë me Limajn kanë themeluar subjektin e ri politik Nisma për Kosovën, Krasniqi thotë se nuk mund të japë ndonjë vlerësim se cila është pesha politike e saj.

Mirëpo, thotë se Nisma për Kosovën mund të orientohet kah qendra e majtë, ndërsa sa i përket bashkëpunimit të mundshëm me subjektet e tjera, ka përmendur mundësinë e bashkëpunimit me Vetëvendosjen.

“Ndoshta një përparësi e subjektit politik Vetëvendosje është, si të themi, më i lehtë për t’u bashkëpunuar në të ardhmen, për faktin që nuk e ka pjesën në keqqeverisje as tani e as në të kaluarën”, tha Krasniqi.

”Srpska” nuk është kundër shtetësisë së Kosovës

0

Valdeta Kostic-SrpskaIniciativa Qytetare “Srpska”, subjekti politik që me mbështetjen e Beogradit ka fituar shumicën e komunave serbe në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, nuk ka qëndrim kundër shtetësisë së Kosovës.

Lideri i kësaj iniciative, Valdeta Kostic, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se ata nuk kanë fare qëndrim për çështjet e mëdha, pasi që sipas tij, për këto gjëra u takon të pajtohen qeverisë në Prishtinë e Beograd.

Sipas tij, pas zgjedhjeve lokale në Kosovë, serbët gjenden në pozitë më të mirë dhe tashmë kanë përfaqësuesit e tyre që janë më legjitimë.

“Ne në zgjedhjet lokale jemi marrë me tema lokale dhe me problemet e njerëzve të thjeshtë. Në këtë mënyrë i kemi fituar 9 komuna. Iniciativa Qytetare Serbe ka treguar me këtë se është e mundur që të bëhet një konsensus i gjerë ndërmjet serbëve në bashkësinë serbe në Kosovë dhe ne tashmë të përgatitur mund t’i presim zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Se a do të dalim në formatin e Iniciativës qytetare apo do ta regjistrojmë partinë, për këtë do ta sjellim vendimin në periudhën e ardhshme”, ka thënë Kostic.

Ai ka paralajmëruar se Bashkësia e Komunave Serbe nuk do të mund të krijohet pa u kryer zgjedhjet nacionale në Prishtinë dhe Beograd.

“Më duhet të them që ky është mendimi im se formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe do të fillojë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Gjithashtu, mendoj se kështu është mirë, sepse kemi nevojë që të kemi dy qeveri, me mandate dhe kapacitete të plota para vetes, si dhe të kemi dy parlamente, të cilat do t’i kenë fuqitë politike. Në Beograd e kemi Qeverinë e Serbisë, e cila është teknike dhe e kemi një parlament të shpërndarë. Ndërkaq, këtu e kemi një Qeveri të Kosovës, e cila nuk e ka shumicën në parlament dhe me këtë nuk e ka as fuqinë politike për të sjellë procedurat e caktuara ligjore, kur bëhet fjalë për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Kostic.

Ai ka thënë se ekstremistët në veri, janë problemi i kësaj iniciative.

“Iniciativa Qytetare Serbe ka pasur kundërshtarë, pikërisht në ato partitë politike ultra të djathta, të cilat i tubojnë serbët. Por, dua t’ua rikujtoj se kundër Iniciativës Qytetare Serbe kanë qenë edhe forcat ultra të djathta brenda vetë Kosovës, gjegjësisht partitë politike ultra të djathta, të cilat i tubojnë shqiptarët në Kosovë”, ka thënë Kostic.

Kosova ka nevojë për tjetër Qeveri

0

AlbinKurti1205Albin Kurti vazhdon me kritikat e tij ndaj qeverisë dhe pjesës tjetër të opozitës në Kosovë.

Në një intervistë për Top Channel, Kryetari i Lëvizjes vetëvendosje është shprehur se Kosovës i duhet një qeveri tjetër e cila, sipas tij, do ta kishte synim kryesor ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik.

Sipas tij, Isa Mustafa i LDK’së, në vitin 2011, ka bërë marrëveshje për të mos e rrëzuar Qeverinë e Kryeministrit Hashim Thaçi.

“Zgjedhjet e parakohshme do të duhej të mbaheshin që dje. Kosova ka nevojë për një qeveri tjetër. Një Qeveri, e cila do të kishte synimin kryesor shtetndërtimin dhe zhvillimin ekonomik dhe jo shtet të konsumatorëve por, një shtet të prodhuesve, i cili nuk do e vendoste Kosovën në pazare me Serbinë, por do të niste bisedimet në Tiranën për bashkimin kombëtar”, ka thënë Kurti.

Në një intervistë për Top Channel lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti thotë se zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel do të destabilizojnë vendin.

“Duke qenë që kryetari i LDK’së Mustafa po mundohet që më marrëveshje të rrëzoi Qeverinë Thaçi këtu bëhet fjale për marrëveshje për parrëzim. Kjo për shkak se nuk mund të ketë rrëzim të qeverisë me marrëveshje”.

“Vetëvendosje që në dhjetor të vitit 2010 ka nisur mocionin për rrëzim të qeverisë, i cili nuk ka hasur në mirëkuptim të partive të tjera opozitare që formalisht janë në opozitë. Dhe tani kur ndodhemi në vitin e fundit të kësaj Qeverie them se sa më pak që kjo Qeveri të jetë në pushtet aq më shumë rriten mundësitë që për shtet dhe ndryshime në aspektin socio-ekonomik”, u shpreh Kurti.

Problemet madhore, sipas Kurtit, janë gjymtimi i shtetit si territor dhe funksionim i insitucioneve pas marrëveshjeve me Serbinë. Ai thotë se Serbia ka arritur që në shekullin 21 të realizojë “Serbinë e madhe” nëpërmjet “një mori Serbishë të vogla” nga Bosnja, Kosova e deri në Maqedoni, Mal të Zi. Problemi i dytë dhe kapital për këtë Qeveri është modeli i gabueshëm ekonomik.

“Ne i druhemi destabilizimit të Kosovës në rast se zbatohen marrëveshjet. Pra Kosovën do e destabilizojnë zbatimi i këtyre marrëveshjeve dhe Kosovën do e stabilizojë vetëm pengimi i zbatimit të tyre të cilat bosnizojnë Kosovën dhe në të njëjtën kohë ne mendojmë që në mandatin e ardhshëm shpresojmë që të kemi një përbërje krejt të re në mënyrë që t’i hedhim poshtë këto pazare personale të Thaçit me Daçiç”, u shpreh Kurti për Top Channel.

Problemet me korrupsionin dhe veprimet e pandërgjegjshme të kësaj Qeverie, sipas Kurtit, nxjerrin në pah nevojën urgjente të një Republike të Tretë.

Ndërsa formimin e partisë së re të Fatmir Limajt dhe Jakup Kransiqit Kurti e cilësoi si “një tkurrje e PDK’së”.