18 C
Prizren
E enjte, 7 Maj, 2026
Home Blog Page 8715

Latifi: Për kthimin e rrugës në një kahje, u konsultova me ekspertë

0

SmajlLatifi-rahovecIsh- kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka reaguar rreth kthimit të rrugës kryesore të qytetit në dy kahje.

Ai tregon se ndryshimi i regjimit të qarkullimit të automjeteve në trafik ka ardhur si rezultat i realizimit të projektit të Komisionit Evropian dhe Komunës së Rahovecit.

“Qëllimi i këtij projekti ka qenë dhe mbetet, që të kemi më shumë gjelbërim në qytet dhe të sigurohen përfundimisht trotuaret me ato pengesat, që e kanë ngjyrën e portokalltë dhe janë në formë të topave”,shkruan Latifi në “Facebook”.

“Mirëpo, edhe gjatë realizimit, por sidomos me realizimin e këtij projekti ka pasur ankesa legjitime të bizneseve, të cilat pothuajse në këtë moment, e kishin të pamundshme të furnizoheshin, për shkak se trotuaret nga ky projekt i realizuar nuk mund të shfrytëzoheshin më për ndalim, parkim të automjeteve etj.”

“Njëkohësisht, ka pasur edhe shumë falënderime dhe mirënjohje nga ana e qytetarëve, prindërve të nxënësve, mësimdhënësve, qytetarëve, ngase qyteti mori një pamje më të bukur si dhe jeta e tyre tashmë me këtë projekt po bëhej shumë më e sigurt.”
“Dua të them me këtë rast se, ndryshimi i regjimit të qarkullimit në trafik, pra nga rrugë dykahëshe, në rrugë njëkahëshe ka ardhur si kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e momentit, pikërisht për t’i dhënë zgjidhje situatës së re të krijuar me realizimin e projektit në fjalë.”

“Komuna e Rahovecit, ekzekutivi, inxhinierët e komunës, drejtoria e urbanizmit, ajo e shërbimeve publike, kuadrot kompetente të policisë së Kosovës dhe ekspertët e komunikacionit si dhe ata të autoshkollave kanë dhënë kontribut të madh dhe i kanë dhënë këtë zgjidhje kësaj problematike, duke e lejuar qarkullimin e automjeteve vetëm në një kahje dhe atë në: rr.” Xhelal Hajda-Toni” dhe në rr. “Gëzim Hamza-Piktori”. Çfarë ka bërë komuna më pas? Me të njëjtën përbërje ka vendosur shenjat e komunikacionit.”

“Siç jemi në dijeni, me rrugën njëkahëshe është krijuar edhe parkingu, i cili është shenjuar dhe siç e e shohim çdo ditë, pikërisht nga mungesa e një menaxhimi ka krijuar shumë shpesh probleme për bizneset, qytetarët etj. Nga ana jonë si ish qeveri ka pasur një përpjekje serioze për ta futur në menaxhim me pagesë parkingun në rr. “Xhelal Hajda-Toni”, por Kuvendi i Komunës, mendojmë pa arsyetim të qartë, nuk e ka aprovuar propozimin e qeverisë që e kam drejtuar.”

“Për informimin e atyre që nuk janë të informuar, unë dhe qeveria ime atëbotë jemi pajtuar me opsionin që e kanë trajtuar, arsyetuar dhe vendosur ata që marrin vesh në këto çështje.”

“Çdo përpjekje për t’i dhënë kahje tjetër dhe konotacion ndryshe kësaj çështjeje, nuk është e saktë dhe nuk është e shëndoshë. Tekefundit, nuk ka qenë prej askujt ideja që të përfitojë individualisht apo politikisht dikush në këtë çështje. Kjo është logjika.”

“Së fundi, debati i sotëm me qytetarë që u mbajt në qendrën e kulturës

“Mensur Zyberaj” në Rahovec është shumë domethënës, shumë i qëlluar dhe mendoj se është edhe produktiv. Unë i respektoj shumë kritikat, vërejtjet, sugjerimet si dhe kërkesën për rikthim të rrugës në dy kahje, siç ka qenë më herët, por nuk mendoj se vendimi definitiv do të duhej të merrej pa ofruar ekspertizën më të mirë të mundshme profesionale institucionet përgjegjëse, të cilat më së miri mund ta thonë fjalën e tyre vendimtare”./PrizrenPress.com/

Nisma e Limajt, më mirë vonë se kurrë!

0

Beq CufajShkruan: Beqë Cufaj

Buzëmbrëmjet e Prishtinës janë pothuajse të frikshme. Është ai tisi i zi që posa mbulon nënqiellin e Kosovës seç jep një paqartësi e cila duhet të peshojë mbi lodhjet që njeriu ia bën njeriut në këtë vend. Tërë ditën e lume. Në kuptimin e mirëfilltë, atë jetësorin dhe prej së voni edhe virtualisht, njeriu i nënqielliut tonë e lodhë tjetrin përskajt. E konsumon. Për mëngjese kafesh e dreka të gjata. Nëpër mejhane, rrugë e rrugica, telefonata, emaila, twitter-a, facebook-a, viber-a, sms-a e ku jo tjetër. Të jetë ajo nevoja të iket nga vetmia e demblia, nga trauma e trazimi që s’po ngjet se s’po ngjet asgjë? Derisa të bie tisi.

Dhe posa njeriu ta lëshojë sheshin ku ato pak drita fytyrash të njerëzve u japin një shkëlqim, gjithsesi të zbehtë, në dhomat e ndejave, në sallonet me e pa mysafirë, në kafehanet e qeta para se të nisin lajmet e “para”, për të pasuar të “dytat”, “tretat” dhe prej së voni edhe “katërtat” pëlcet kur pëlcet po “lajmi” i cili më vonë duhet të diskutohet në tavolinat e studiove televizive me mysafirë të cilët kur njeriu i sheh aty seç mendon që herë janë të paarritshëm për dijen e elokuencën e herë të padurueshëm për shkurtpamësinë e verbërinë. Por më së shumti sipërfaqësinë!
E premtja ishte një prej këtyre ditëve sa të zakonshme aq edhe të çuditshme. Sepse Kosova, deshi dikush apo jo, prejse Ligji për Zgjedhjet edhe zyrtarisht është deponuar në Kuvend, fushata ka nisur.
Kështu të premten njeriu mund të lexonte, shihte dhe dëgjonte: Ramush Haradinaj bën një segment të ofertës ekonomike për 70.000 vende të reja pune. Isa Mustafa mobilizon krerët e degëve të LDK-së nëpër komuna dhe këndellet nga goditja e rëndë që VV!-ja i dha në Asamble, ish-bastionin e tij, Prishtinë. Kurse Hashim Thaçi e bën atë që tashmë e ka sport në vigjilie fushatash elektorale: qytetarëve ua premtoi nja 1 miliard euro, të cilat edhe vet vdektarët e zakonshëm të këtij vendi në ndërkohë duket e kanë kuptuar që s’ka ku i merr! Por po Thaçi bëri edhe vulosjen e ndarjes nga dy bashkëluftëtarët dhe bashkëpunëtorët e afërm: Fatmir Limajn e Jakup Krasniqin duke thënë që shkuarja e tyre nuk do ta cenojë PDK-në- dhe me këtë edhe fitoren e saj të ardhshme.

Risia që s’ishte më risi pra: Fatmir Limaj doli me 28 Shkurt me Parti. Dhe atë disa ditë pasi iu hodh edhe një aktakuzë të cilën fitgurativisht po e quaj limë e re! (e limë dmth.: Përdorëse prej çeliku, e gjatë e shpatuke ose në trajtë tjetër, me faqe dhëmbë-dhëmbë, që shërben për të ngrënë sende prej metali a prej druri dhe për t’i bërë të sheshta, të lëmuara, të mprehta etj.).
A s’i shkojnë bizarisht bukur krejt këto shpjegime nga shqipja jo edhe aq e varfër krejt topografisë e gjenealogjive gjyqësore të ballafaqimit të ish-Komandant Çelikut në UÇK dhe politikanit Fatmir Limaj në paqe me drejtësinë? Them që po! Sepse rasti, pardon rastet e tij janë sui-generis sa vet “çështja e Kosovës”.

I ballafaquar me procesin e gjatë dhe të mundimshëm të Hagës ku u doli i pafajshëm, i ballafaquar me po të njejtin rast (pjesërisht) në EULEX e Prishtinë, i ballafaquar me rastin e “parë” të korrupsionit dhe prej disa ditësh edhe me rastin e “dytë” të korrupsionit, Fatmir Limaj del të jetë njeriu dhe politikani me më së shumti procese gjyqësore në historinë më të re të Kosovës! Dhe kjo i bie që ky njeri o të jetë një mbinjeri (uebermensch!) që din t’i ikë drejtësisë o kjo drejtësi të mos jetë drejtësi por një gjueti e përbërë nga gjuetarë… limash e Limajsh.
Në fakt, tërë rasti, ose thënë edhe më mirë Rastet Limaj, një ditë do të jenë “study case” për drejtësinë jo vetëm vendore por edhe ndërkombëtare. Është një diçka që njeriu edhepse jo i fushës së drejtësisë, thjesht e ka zor, në mos të pamundur, ta gëlltisë, sepse seç kundërmon, seç e ka një duhmë tërë kjo çështje, aq sa edhe vet populli, qytetari i këtij vendi ka nisur ta marrë “erë”.

Të kuptohemi: s’dua dhe s’mundem ta mbroj Limajn. E njoh dhe e kam përkrahur gjithmonë- si atë si Haradinajn, sa kanë kaluar në procesin e Hagës sepse atë proces e kam parë dhe e shoh si një sprovë e cila Kosovës ka dashur t’ia vë një barrë të rëndë dhe njollë për gjeneratat që vijnë.
Por dua të pyes veten (zëshëm): si u bë që nga të gjithë ministrat e deritashëm, Qeveritë Thaçi (I dhe II) të jetë vetëm një dhe i vetmi ministër i cili së pari kishte keqpërdorur buxhetin për… s’e dijmë sa mijëra Euro dhe tash edhe për “rreth” 1 milion Euro. Ta marrim që mesatarja e buxhetit të Kosovës prejse Thaçi është në pushtet është 1 miliard në vit… 7 vite bëjnë 7 miliard Euro. Del që Limaj e paska dëmtuar (hipotetikisht dhe në bazë të edhe kësaj akuze të re) për nja 1 milion euro. Po ku janë tjerët? A po themi, jo, a s’po klithim për këta hajnat tjerë… që janë pasuruar e po e dëmtojnë buxhetin e Kosovës me miliona e miliona… Dhe as edhe një prej tyre nuk u akuzua as edhe një dhe të vetmen herë!

Këtu vijmë tek ai peri i hollë, por për këtë tmerrësisht i rrezikshëm, i amoralitetit të politikës, publicistikës e çka jo tjetër që mbizotëron në Kosovë. Çfarë shpotie i bëjmë vetes- ne si shoqëri dhe ne si shtet. Kur e dijmë që as edhe një dhe i vetmi Ministër i as edhe një dhe të vetmes “Qeveri” e Qeveri kurrë nuk është dënuar për kurrupsion (apo edhe akuzuar?). Janë dhjetëra supozime, qindra sinergji, mijëra belbëzime që vazhdojnë këtë njeri, dikur pjestar UÇK-je e sot politikan që e ndjekin dhe stërndjekin. Sidomos sot. Kur në këtë vend çdo gjë është mes së vërtetës dhe gjysmë të vërtetës. Mes supozimit dhe hiperbolës. Sepse të jesh në Kosovë dhe i Kosovës e të mos e kesh një atribut, një epitet, një mbirrëfim por para së gjithash të mos e kesh të varur si qafore (virtuale) një stisje prej rrethit, moçalit, është e pamundshme.
Ne si qytetarë dhe vdektarë të zakonshëm të këtij vendi vërtet nuk e dijmë nëse Limaj është apo ka qenë i korruptuar. Por ajo që e dijmë është se Limaj deri në ditën e sotme kur doli në publik me Nismën e tij, e ka shtyer e stërshtyer këtë hap të shkëputjes përfundimtare. Edhe kur ishte në Hagë e hamendej për të ikur nga PDK-ja. Edhe kur u kthye nga Haga dhe si triumfues u prit nga gjysma e Kryeqytetit. Edhe kur u rrebelua pas atij kthimi dhe në të njejtën kohë pranoi të kandidohej për (herë të dytë) për Kryetar Prishtine. Edhe kur e mori postin e Ministrit të Transportit… ku edhe filloi e tëra dhe sot e gjet përfundimin e saj!

Fatmir Limaj sot kur e nisi Nismën e tij, Partinë e tij, në “supe” i ka tre procese të gjyqësore: Kleçka ende s’ka përgjigje nga Supremja, “MTPT 1” ende s’është mbyllur dhe së treti e ka edhe më të freskëtin “MTPT 2”. Të gjitha këtyre “telasheve” e telasheve ai kishte menduar që do t’u ikte në çastin kur u pajtua përfundimisht me ish- shefin e tij Thaçin pasi e mori postin e Ministrit të Transportit. Por Thaçi ia çoi në derën e prapme, dorën e tij- herë të djathtë e herë të majtë- Adem Grabovcin… dhe vetëm detaji sesi ky i fundit dha dorëheqje pak para se të fillonte rrokullima e akuzave në njërën anë dhe tragjedive familjare të Limajt në anën tjetër mund të jetë dhe në fakt është treguesi më i mirë se sa këta ishin “pajtuar”.
Thaçi- së bashku me Veselin e kanë parë Limajn gjithmonë si të tretin- dhe në një formë a tjetrën, të vërtetin, në PDK. U befasuan kur e kuptuan që herë Baci e herë Profesori- Jakup Krasniqi, përfundimisht u përcaktua për Limajn dhe ia luajtën lojën derisa e rraskapitën dhe në fakt edhe e detyruan që më në fund të bënte atë që ndoshta ishte dashur ta bënte menjëherë pasi qe kthyer nga Haga apo edhe më herët. Shkëputjen e tij nga PDK-ja, nga Thaçi e Veseli.

Të jetë vonë kjo që sot Limaj, së bashku me Krasniqin e nisën? Them që jo. Ka qenë e vetmja mënyrë e mundshme që të provojnë të marrin një pjesë të punës e meritës së tyre në ish- Partinë e tyre për të cilën bënë aq shumë e morën aq kaq pak! Nëse do të jenë të suksesshëm? Nuk e dijmë. Për dallim nga rasti i LDK-së dhe Dacit, këta janë dy. Por e kanë edhe ngarkesën e proceseve gjyqësore e cila në fakt edhe nuk do të duhej të ishte ngarkesë sepse nëse e kanë përnjëmend, sepse nëse një politikan e ka përnjëmend, të bëjë ndryshime atëherë atë njëmendësi populli, qytetari, njeriu, e ndjen… dhe e aprovon. Qoftë ai politikan me akuza e telashe të të gjitha natyrave. Nuk duhet të jemi kurrë kundër formimit të sa më shumë partive! Përkundrazi. Qytetari, votuesi i Kosovës sot është më racional sesa asnjëherë në historinë e këtij vendi. Në vëzhgimin, leximin dhe analizimin për secilin që del me ofertë politike. Por para së gjithash, qytetarit të këtij vendi i është zhvilluar senzori kryesor: ai i matësit nëse politikani po don të bëjë diçka për taksapaguesin po don për t’i shërbyer atij. Dhe para së gjithash nëse politikanë po don ta ndërrojë gjendjen e rëndë në të cilën jemi: dramatikisht dhe radikalisht!

Prandaj them që Fatmir Limaj sot ka nisur diçka për të cilën nuk do të pendohet. Sepse tash edhe me letra dhe më në fund e ka shtëpinë e tij dhe vijat e Nismës së tij e cila në ditët, javët e muajt në vijim do shihet sa e si është e përgatitur dhe para së gjithash me çfarë oferte do del para qytetarit.
Në të njejtën kohë, Fatmir Limaj sot e ka dënuar një subjekt politik i cili në këto vite pushteti, herë falë arrogancës e herë falë injorancës ka rënë ku ka rënë. Për kuriozitet, së fundmi ky subjekt ka këtë risinë e re: është mbyllur në botën virtuale të FB-ve e Portaleve pa e parë e ndjerë tisin e zi… që ka rënë mbi këtë nënqiell në këtë fillim të muajit Mars!/Gazeta Balic/

Krasniqi i gatshëm të japë dorëheqje

0

Jakupkrasniqi10-6Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka shprehur gatishmërinë të jap dorëheqje nga posti i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, pasi kjo pozitë i takon subjektit më të madh politik në vend, PDK-së.
“Pas themelit të subjektit politik NISMA për Kosovën, Kryesia e saj në mbledhjen e mbajtur sot, shqyrtoj pozitën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi. Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA për Kosovën, Jakup Krasnqi në mbledhjen e parë të Kryesisë pas themelimit të saj u deklarua se është i gatshëm të jap dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës”, është thënë në komunikatën e këtij subjekti politik.

Kryesia e NISMA për Kosovën pas diskutimeve erdhi në përfundim se dorëheqja e Kryetarit të Kuvendit në situatën në të cilën gjendet vendi, sidomos tash pasi kemi hyr në vitin zgjedhor nuk do t’i kontribuonte stabilitetit institucional dhe politik në Kosovë.

“Kryesia është e vetëdijshme që posti i kryetarit të Kuvendit sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës i takon partisë që ka dal forca e parë politike, në këtë rast PDK-së, prandaj Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA për Kosovën dhe Kryesia e saj janë plotësisht dakord që në rast se PDK parashtron një kërkesë të tillë zyrtare, kryetari i Kuvendit të Kosovës z. Jakup Krasniqi është i gatshëm të dorëhiqet nga posti i kryetarit të Kuvendit”, është thënë në komunikatën e NISMA për Kosovën.

Kuçi: Limaj e Krasniqi do të dëmtojnë PDK-në

0

Kuci-hajredin5-30Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi në një intervistë për Gazetën Blic ka thënë se nuk është lajm i mirë për PDK-në largimi i Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit. Ai thotë se largimi i tyre pa dyshim se do ta dëmtojë partinë e Thaçit, por shprehet i bindur se PDK megjithatë do të mbetet partia numër një në vend. Kuçi thotë se edhe tani ka hapësirë të mjaftueshme për bashkëpunim ndërmjet PDK-së dhe Nismës së Limajt e Krasniqit.

Kuçi nuk dëshiron të komentoj shumë për skandalin e ministrit Blerand Stavileci me traktorë, për të cilin skandal ka raportuar Gazeta Blic dhe është konfirmuar edhe nga vetë ministria e Bujqësisë. Për çështjet e ministrave ai ka thënë se vendos kryeministri Thaçi. Kuçi thotë se në PDK nuk ka njerëz të fuqishëm, saqë partia të mos mund t’i largoj nga lista zgjedhore.

Kuçi akuzon presidenten Atifete Jahjaga se ka gënjyer kur ka deklaruar se edhe Ministria e Drejtësisë ka qenë pjesë e komisionit për faljen e të burgosurve. Ministri i Drejtësisë thotë se ka kërkuar që të hetohet ky rast nga Kryeprokurori dhe nga misioni i EULEX-it. Ai ndër të tjera në këtë intervistë thotë se suksesshëm po i menaxhon burgjet, ku sipas tij nga 2000 të burgosur, tash e sa kohë nuk ka ndodhur asnjë problem i madh.

I dyti i PDK-së në pjesën e dytë të intervistës që do të botohet nesër flet për zgjedhjet, flet për takimin Thaçi- Mustafa, për atë se çka është biseduar në atë takim, flet për Tribunalin për Krime lufte, për Misionin e EULEX-it, për çështjen e koalicionit paszgjedhor, për Universitetin e Prishtinës, për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe shumë çështje tjera që lidhen me zhvillimet aktuale politike.

Ka hapësirë bashkëpunimi PDK- Nisma

Blic: Dy drejtuesit e PDK-së dhe dy ndër njerëzit më të votuar të PDK-së, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, dje edhe zyrtarisht u ndanë nga PDK-ja dhe e themeluan një subjekt të ri politik. A mendoni se do ta dëmtojë PDK-në kjo Nismë dhe largimi i tyre?

Kuçi:Në jetën plurale ndodhin edhe këto. Demokracia lejon edhe mendime ndryshe brenda subjektit. Nuk është lajm i mirë për PDK-në largimi i tyre. Të gjithë e kemi pranuar këtë fakt. Natyrisht që do t’i shohim hapat, veprimet që do t’i ndërmarrim në të ardhmen. Unë mendoj që ka hapësirë, që secili të bashkëpunoj edhe në të ardhmen ashtu siç kemi bashkëpunuar në parti. Të shohim mundësinë të punojmë bashkë edhe në të ardhmen për të mirën e vendit.

Blic: Mendoni se ka hapësirë për bashkëpunim ndërmjet PDK-së e Krasniqit e Limajt?

Kuçi:PDK-ja nuk e ka logjikën refuzuese me asnjë subjekt politik, e aq më pak me ata që e kemi ndërtuar konceptin e përbashkët të partisë dhe besoj që prapë kemi pika të përbashkëta edhe për bashkëpunim në të ardhmen. Nuk e marrim si logjikë refuzuese as me këta, as me të tjerët. Në veçanti në planin personal themi se jemi të njëjtë, as nuk kemi qenë më shumë miq kur kemi qenë në parti e as tash.

Blic: Çka ndodhi, pse erdh deri te largimi i tyre?

Kuçi:Besoj dhe vazhdoj të besoj bindshëm që ka pasur hapësirë të mjaftueshme që gjërat t’i thonë, t’i bëjnë në PDK dhe fuqia e ndryshimit të tyre jo vetëm në PDK, por edhe në Kosovë ka qenë më e fuqishme brenda PDK-së sesa jashtë saj.

Kushdo që del nga PDK merr diçka me vete

Blic: Thatë që largimi i tyre do ta dëmtojë PDK-në. Keni bërë analiza, sa do t’ju dëmtojë?

Kuçi:Këto analiza do të mund të jenë spekulative. Ata njerëz kanë pasur pozita në PDK, kanë pasur emër në PDK, dhe është normale, është logjike që kushdo që del nga PDK-ja, natyrisht se merr edhe diçka me vete. Sidoqoftë, ne mendojmë që të rikuperojmë këtë situatë, nëse krijohet ndonjë vragë. PDK do të vazhdoj të punoj, do të vazhdoj të jetë partia e parë politike në vend dhe do të jetë alternativa më e besueshme për qytetarët e vendit.

Blic: Besoni se keni njerëz që do t’i mbuloni këto hapësira të krijuara pas largimit të tyre? Limaj ta zëmë ka pasur 75 mijë vota e Krasniqi mbi 30 mijë vota, pra kanë qenë njerëzit më të votuar pas Thaçit?

Kuçi:Është e vërtetë që kanë qenë ndër njerëzit më të votuar jo vetëm në PDK, por edhe në Kosovë. Natyrisht secili prej nesh, edhe unë që kam qenë në mesin e të parëve, e kam konsideru votën time të ngjitur për PDK-në. Kur ndahem prej PDK-së nuk e di sa vota do t’i marrë un e sa do t’i mbesin PDK-së. Sidoqoftë të jetë, jam i bindur se PDK-ja ka pasur lidership dhe ka edhe sot lidership të qëndrueshëm. Unë e kam thënë në një rast se në PDK janë me qindra njerëz, por kam thënë së paku se në PDK janë 20 të dytë, pra PDK ka shumë kapacitete të krahasueshme me të partive tjera, për të mos thënë në shumë raste edhe më të mira se të gjitha partive tjera.

Blic: Ne e dimë se në zgjedhjet e fundit, PDK-ja ka pasur një rënie të rezultatit zgjedhor. Pra nga 32, ka rënë në 27 për qind, pra mbi 5 për qind. A është një prej faktorëve që ka ndikuar edhe largimi i Limajt e Krasniqit?

Kuçi: Në shpërndarjen e votave në 11 komuna kemi njerëzit e PDK-së , që kanë ndalë nga PDK-ja. Me siguri se ata kanë marrë diçka.

Blic: Pse ka ndodhur largimi i tyre?

Kuçi:Normal që në çdo parti të madhe, njerëzit kanë edhe ambicie. Dhe shpesh herë partia atyre iu duket e vogël. Frustrimi ndodh kur ambiciet dhe kapacitetet nuk përputhen njëra me tjetrën. Kjo është normale, ndodh gjithçka. Por, PDK-ja e ka ruajtur stabilitetin më të madh prej paslufte e deri më tani. Besoj se edhe tani do ta ruaj. E kemi liderin, dhe partitë që e kanë liderin e kanë shumë ma lehtë që ta ruajnë këtë stabilitet, por do të punojmë që ta rikuperojmë çdo lëshim. Besoj se kuadri i PDK-së, kapacitetet e PDK-së dhe programi i saj është i pakrahasueshëm me të tjerët. Këtë bindje e kanë edhe partitë tjera për ne, që nuk mund ta mundin PDK-në një nga një. Por, mundohen që të bëhen të gjitha bashkë, ose tentojnë ta përçajnë PDK-në, në mënyrë që ta mundin.

Blic: Megjithatë, kjo është legjitime…

Kuçi:Është normale, dhe ju e keni parë që ne nuk luftojmë me ta, përkundrazi ne e marrim si shumë demokratike këtë gjë. PDK-ja një nga një do t’i mund të gjitha.

Kryeministri vendos për Blerandin

Blic: Por trendët e thonë të kundërtën. I pamë zgjedhjet lokale, shumë zyrtarëve të PDK-së janë të zhytur në skandale, kemi rritje të varfërisë…

Kuci:Asnjë ministër nuk është zhytur në skandale…

Blic: Rastin e fundit e kemi me ministrin e Bujqësisë, Blerand Stavileci. Një traktor kjo ministri e paguan 52 mijë euro, e ne treg kushton 26 mijë euro. Madje, më skandal është se ky traktor shitet sërish, pa u shfrytëzuar për çka është destinuar…

Kuçi:Nuk e di këtë rast…

Blic: Këtë gjë e ka konfirmuar edhe ministria. A duhet të merren masa në këtë rast ministrit në fjalë?

Kuçi:Nuk e di këtë rast. Ne, mediet dhe opinionin publik i marrim shumë seriozisht, dhe çdo informatë që del në medie e trajtojmë nëse ka elemente serioze….

Blic: Kemi konfirmim edhe nga vetë ministria…

Kuçi:Ka elemente që duhet t’i ndërmarrim ne, por ka elemente që duhet t’i ndërmerr edhe prokuroria. Por, ajo çka dua të them është se ne nuk kemi informatë zyrtare, dhe unë personalisht nuk kam për një veprim të tillë.

Blic: Ta lëmë këtë rast, edhe pse i konfirmuar. Të flasim parimisht, në raste të tilla kur ka konfirmim zyrtar, ose si te rasti i skandalit të MPB-së, a duhet partia të merr masa ndaj këtyre shkelësve të ligjit?

Kuçi:Unë mendoj që kryeministri merr veprime të tilla…

Blic: Mirëpo, ju jeni zëvendëskryeministër dhe nënkryetar i partisë…

Kuçi:Për qeveri vendos kryeministri, si nënkryetar i partisë, e them se çdo kush është i pafajshëm deri sa nuk shpallet fajtor nga një vendim i formës së prerë nga gjykata. Ky është parim kushtetues- juridik i prezymimit të pafajësisë. Ne e marrim shumë seriozisht kur mediet reagojnë ndaj dikujt, por nuk mund ta ndërrojmë menjëherë. Por kur ato fakte përputhen me realitetin merre edhe masa.

Blic: Z. Kuçi, ne kemi raste nga vende të ndryshme demokratike, si në Britani ku ministri i migracionit jep dorëheqje vetëm pse ka punësuar një pastruese, e cila pasi i verifikohen dokumentet del që nuk i ka pasur të gjitha në rregull. Ndërkaq, këtu skandalet konfirmohen e nuk kemi kurrfarë mase ndaj askujt, si rasti i ministrit Stavileci, ministrit Rexhepi…?

Kuçi: Ajo çka dua të them, se krahasimi edhe në shkencë edhe në jetë edhe në sport bëhet në mes të kategorive dhe llojeve të njëjta. Dhe lloji i njëjtë është krahasimi me rajonin, dhe më vonë do të mund të krahasohemi me vendet tjera demokratike, si Britania etj. Ajo çka dua të them është se kjo do të mbetet në ndërgjegjen e individëve. Në Kushtetutën e Kosovës, thuhet se çdo person i cili nuk e ka aktgjykimin e formës së prerë, i dënuar mbi një vjet, ka të drejtë të mbajë poste publike. Në këtë rast partia politike, e paguan çmimin politik, nëse perceptimi krijohet i tillë, natyrisht se partia humb edhe në vota, humb edhe individi.

Blic: A mendoni se një prej arsyeve pse keni pasur rënie si parti në zgjedhjet e fundit është ky imazh, gjegjësisht skandalet dhe proceset gjyqësore të shumë zyrtarëve partiak?

Kuçi:Ato nuk janë ngjarje të këndshme as për partinë e as për opinionin publik. Por, dua të them një fakt që PDK-ja nuk është imune ndaj këtyre ngjarjeve, por natyrisht se PDK-ja është në qeverisje… Në asnjë vend edhe të BE-së, përfshirë edhe Britaninë, nuk ka njerëz të pushtetit të atakuar sa në Kosovë…

Blic: Në çfarë kuptimi e mendoni atakimin?

Kuçi:Partia në pushtet ka pasur vazhdimisht atakime. Kjo tregon se ka pavarësi të gjyqësorit në Kosovë, kjo tregon se qeveria nuk ndërhyn në punën e hetuesisë, në punën e gjyqësisë.

Blic: Pavarësisht që gjyqësia e ka bërë punën e vetë, ju si parti nuk keni vepruar? I keni futur edhe nëpër lista zgjedhore. A s’keni mundur t’i hiqni nga lista, apo janë shumë të fortë sa s’mund t’i largoni?

Kuçi: Jo, ata kanë të drejtë kushtetuese që të kandidojnë. Partia i bënë kriteret vetë, por e drejta kushtetuese, ligji nuk është shkelë në asnjë rast.

Blic: S’po flasim për shkelje ligji, por si imazh i partisë…

Kuçi:Ajo është çështje e partisë, dhe secila parti e mendon për vete dhe në fund e paguan çmimin.

S’ka të fortë në PDK

Blic: D.m.th., nuk janë shumë të fortë saqë nuk mund t’i largoni?

Kuçi:Në demokraci i fortë dhe i dobët matet vetëm në proporcion me ligjin.

Blic: Po flasim për Kosovë. Dihet se këtu shumë gjëra bëhen ndryshe, që jam i bindur se edhe ju e dini…

Kuçi:Në PDK nuk ka njerëz të fortë që PDK i tutet.

Blic: Do të thotë në lista i futni se ju vie keq apo?

Kuçi:Ata prezantojnë diçka. Disa prej tyre kanë fituar shumë vota, mbi 80 për qind në komunat e tyre. Nuk është çështje e fortësisë. Çdo partie i konvenojnë njerëzit që sjellin vota më shumë. Shpeshherë ata në sytë e një grupi tjetër, mediatik, intelektual ose të ndonjë grupi tjetër mund të jenë më ndryshe. Mos harroni se në demokraci vota është e barabartë.

Jahjaga gënjeu

Blic: Z. Kuçi jeni përplasur me presidenten Jahjaga për çështjen e amnistisë. Madje ju e keni akuzuar se ju ka anashkaluar? Mirëpo, nga Presidenca ju demantuan, duke thënën se edhe Ju, gjegjësisht Ministria e Drejtësisë, ka qenë pjesë e komisionit?

Kuçi:Kjo është një gënjeshtër e madhe.

Blic: A kanë qenë njerëz të ministrisë suaj në këtë komision?

Kuçi:Asnjë njeri i ministrisë s’ka qenë në këtë komision. Atë komision e ka themeluar vetë presidentja. Më ka anashkaluar mua personalisht. Mirë ka bërë në këtë rast, ngase në këtë drejtim unë nuk marrë asnjë akuzë. Me asnjë letër s’ka komunikuar presidentja me ministrin e Drejtësisë. S’duhet harruar se me të gjitha ligjet, me Ligjin për Administratën Shtetërore, me Rregulloren e Kuvendit thuhet se ministri është menaxheri kryesor dhe përfaqësuesi i ministrisë.

Çdo letër që vjen nga jashtë ministrisë dhe që del nga ministria, bëhet përmes ministrit. Do të thotë se ministrja komunikon me presidenten dhe presidentja me ministrin, e jo me stafin teknik, apo me Shërbimin Korrektues. E drejta e presidentes që të falë apo jo. Por në formularin që e ka dërguar, që e kam parë më pastaj, unë nuk kam qenë as në CC.

Në formularë shihet qartë, thuhet qartë se vlerësimi i rrezikut të recidivizmit është i mesëm, ngase personi vuan dënimin për herë të katërt. Prapë, presidentja ka të drejtë që ta falë, edhe kur është ashtu. Nuk dua ta akuzojë atë. Por, mua ma ka shqetësuar shumë fakti prej 1915 vetave të burgosur, dhe vetëm një prej tyre fale, e që njëri rast është skandal. Çka do të thotë kjo.

Ne tërë kohën i mbajmë njerëzit me sjellje të mira, duke i stimuluar që ata që sillen mirë, që e respektojnë rendin shtëpiak, do të kenë përfitime, qoftë vizita, e kështu me radhë. Dhe nëse ne nuk e kemi falur vetëm dy njerëz, është destimulim për ata. Kurrë në historinë e Kosovës nuk ka pasur burgosur më të rëndë sesa tani që ka, dhe poashtu të them se nuk ka pasur asnjë rast i vrasjeve, djegieve apo forma të tjera. Për mua nëse njerëzve do t’u jepje një shpresë, do t’i stimuloje për sjellje të mira. Po i përmendi tri kategori. Një, kemi gra që janë në burgun e Lipjanit për shkak të dhunës në familje. Disa prej tyre janë edhe ushqyese me fëmijë të gjirit.

Ne kemi fëmijë nën 18 vjet dhe ne kemi të vjetër mbi 65 vjet. Këto kategori kanë mundur të shikohen me një dioptri më ndryshe. Jo ata që kanë bërë vepra të rënda penale, trafikim, por me vepra që mund të jenë incidente të ndryshme. Risocializimi pas moshës 65 vjeçare nuk ndodh, pak njerëz në këtë moshë kthehen në jetë. Këtyre nën moshën 18 vjeçare a mund t’ua japim edhe një shanse. Nuk po them që t’ua heqim gjithë dënimin, por t’ua japim shembull dy ditë. Ka pasur mundësi.

Blic: A keni reaguar ju si ministër?

Kuçi:Natyrisht se kam reaguar. I kam dërguar letër presidentes, kryeprokurorit të shtetit, kryeprokurorit të EULEX-it që ta hetojnë rastin.

Blic: Ka filluar hetimi i rastit?

Kuçi:Është punë e tyre. Presidentes në letër i kam thënë se nuk e kontestoj të drejtën tuaj që të merrni vendime, as të organeve të pavarura. Nuk e ka kontestu vendimin e presidentes nëse ka qenë i drejtë apo jo. Kam tregu se çka ka ndodh dhe na ke vënë në siklet që t’i menaxhojmë 1915 veta, kur njerëzit nuk e shohin një shpresë se sjellja e mirë e tyre mund të shpërblehet…

Blic: Z. Kuçi kur jemi të burgjet, vazhdimisht është raportuar se disa prej njerëzve të fuqishëm, sillen në burgje sikurse të ishin drejtor. A keni ndërmarrë diçka në këtë drejtim?

Kuçi:Unë këto gjëra i kam dëgjuar vetëm nëpër medie. Poashtu po them se kam kërkuar raporte të veçanta. Shërbimi Korrektues është agjencion i pavarur me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale. Poashtu kam kërkuar hetime edhe nga EULEX-i. Poashtu disa prej tyre mund të jenë në QKUK apo diku tjetër. Por, më është konfirmu nga EULEX-i se ata asnjëherë nuk kanë shkuar atje pa vendim të gjyqtarëve të EULEX-it.

 

Thaçi kërkon mobilizim maksimal për zgjedhjet e përgjithshme

0

Thaci7-03Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës njëherësh Kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar sot kryetarët e degëve të PDK-së. Thaçi në takim me kryetarët e degëve të PDK-së ka diskutuar rreth rëndësisë së zgjedhjeve nacionale, situatës politike në vend, përgatitjeve për reformën zgjedhore dhe zhvillimet aktuale në vend.

“Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka kërkuar nga kryetarët e degëve mobilizim maksimal për zgjedhjet e përgjithshme nacionale, të cilat PDK-ja do t’i fitojë bindshëm. Thaçi theksoi se në mandatin e tretë do të jemi të koncentruar tërësisht në zhvillim ekonomik, vazhdimin e reformave demokratike, rritjen e mirëqenies së qytetareve.

Thaçi, gjithashtu i informoi kryetarët e degëve edhe me vendimin për krijimin e fondit investues për punësim dhe ndërmarrësi me vlerë rreth 1 një miliardë euro, vendimin për rritjen e pagave për 82 mijë punëtorët kosovarë si dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për formimin e Ushtrisë së Kosovës-Forcave të Armatosura të Kosovës, etj”, njofton PDK.

Hoffman vdiq nga përzierja e drogave

0

Philip Seymour3Aktori Philip Seymour Hoffman rezulton të ketë vdekur nga një mbidozë aksidentale e përzierjeve të drogave të ndryshme, përfshi heroinë, kokainë, amfetaminë dhe benzodiazepinë, bëjnë të ditur zyrtarët.

Fituesi i çmimit “Oscar” u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në New York City, në moshën 46-vjeçare, më 2 Shkurt, me një shiringë në krahun e tij. Ai vuante nga varësia ndaj drogave, si dhe kishte pranuar së fundi se i ishte rikthyer përdorimit të tyre, pas një ndërprerje disa vjeçare.

Ekzaminuesit mjekësorë të New York-ut zbuluan rezultatet pas-vdekjes ditën e premte. Ai ka lënë pas partneren e tij, me të cilën ishte martuar prej 15 vjetësh, Mimi O’Donnell, dhe 3 fëmijë.

Pas 23 vitesh vetëpërmbajtje, raportohet se ai i ishte nënshtruar një kontrolli për trajtimin nga varësia e drogave, për 10 ditë gjatë vitit të kaluar, pasi kishte nisur përdorimin e tyre që prej 2012-s.

Trupi i pajetë i tij u gjet nga një dramaturg dhe mik i tij në pallatin ku jetonte, në rajonin periferik të Greenwich, në Manhattan, e më pas kishte mbërritur edhe policia, që kishte zbuluar dhjetra pako me heroinë.

Një nga aktorët më të admiruar të gjeneratës së tij, Hoffman fitoi çmimin më të lart akademik, “Oscar”, në vitin 2006, për rolin e tij si Truman Capote, në filmin “Kapotat”. Ai ishte nominuar gjithashtu edhe për “Luftën e Charlie Wilson”, “Doubt” dhe “The Master”. / Top Channel

Elina Duni në Francë prezanton vlerat e muzikës shqiptare

0

Elina DuniNë një koncert në Thionville të Francës, Elina Duni prezantoi përmes tingujve jazz muzikën e saj, siç është shprehur vetë këngëtarja, është e bazuar në rrënjët e saj, në Shqipëri.
Kuarteti i Elina Dunit dhe Ansambli Yuval Amihai janë pjesë të koncerti të përbashkët që u dha në Thionville të Francës. Përfshirja e këtyre muzikantëve në një koncert të vetëm nuk është e rastësishme, pasi që të dy bendet që prezantojnë muzikë jazz, burimin e kanë te rrënjët e veta, e para në Shqipëri , kurse e dyta në Izrael.

Në prezantimin për këngëtaren shqiptare Elina Duni, organizatorët shkruajnë: Elina Duni përmes koncerteve të saj po e vë botën në kontakt me vlerat e muzikës shqiptare. Edhe pse nuk ka pasur shumë mundësi që të ketë kontakt të drejtpërdrejtë me muzikën popullore, përgjatë fëmijërisë së saj ajo gradualisht është angazhuar për eksplorimin e kujdesshëm të historisë së trazuar të vendit të saj, e cila ka gjetur këngë me një bukuri të rrallë dhe një fuqi të vërtetë emocionale.

Nga traditat stërgjyshore të rajonit të saj të lindjes apo të përbërë nga anëtarë të një diaspore të madhe shqiptare të shpërndarë nëpër botë, këngët e saj flasin për të dashuruarit, heronjtë, punëtorët, barinjtë, robërinë, dëshpërimin dhe rezistencën.

Ndërkohë, ansambli nga Izraeli, Yuval Amihai është i njohur për prezantim të muzikës jazz në shumë vende të botës, duke përfshirë edhe Çmimin e madh në konkursin e jazz-it në vitin 2009.

“Yuval kërkon mënyrë të re. Bazohet në muzikën popullore izraelite për ti vënë ato në standarde të reja të mahnitshme. Kompozimet e tij janë të frymëzuar nga laramania e kulturave që është ballafaquar gjatë rinisë së tij”, thuhet në njoftimin zyrtarë të këtij koncerti. /KultPlus.com

Ish-presidentët, ekstra të privilegjuar

0

zyra e presidentesLigji për Presidentin e Republikës së Kosovës u njeh privilegje të jashtëzakonshme presidentëve të cilët e kanë përfunduar mandatin, përfshirë edhe familjarët e tyre. Presidentët të cilët e kanë përfunduar mandatin dhe familja Rugova marrin pension mbi dy mijë euro në muaj në kohë të pacaktuar.
Presidentët e Republikës së Kosovës, të cilët e kanë përfunduar mandatin sipas Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, gëzojnë privilegje dhe beneficione të shumta. Këto privilegje dhe beneficione i gëzojnë edhe familjarët e ish-presidentëve.

Sekretari i Presidencës së Republikës së Kosovës, Fahri Breznica, ka thënë për “Epokën e re” se sipas Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës, ish-presidentëve Fatmir Sejdiut dhe Behgjet Pacollit u takojnë pension mujor mbi 2 mijë euro. “Ata marrin 70 për qind të pagës së presidentes.

Paga e presidentes është 2 mijë e 873 euro e 50 centë. Pra, pensioni mujor për ish-presidentët është 2 mijë e 10 euro e 40 centë”, ka deklaruar Breznica. Ai ka thënë se të njëjtin pension e gëzon edhe familja e ish-presidentit Ibrahim Rugova, konkretisht bashkëshortja e Rugovës, Fana.

“Familja Rugova, përkatësisht znj. Fana Rugova, merr pension mujor në shumën prej 2 mijë e 10 euro e 40 centë”, ka thënë Breznica. Në këtë kontekst, Breznica ka thënë se, sipas këtij ligji, nuk ka një afat të përcaktuar se deri kur mund t’i marrin pensionet presidentët që kanë përfunduar mandatin, përfshirë edhe bashkëshorten e ish-presidentit Rugova. “Sa i përket pensionit, nuk ka kufizim kohor”, është shprehur Breznica.

Shala: Beneficone të tilla nuk ka askund në botë

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, nuk është pajtuar me këto beneficione që marrin presidentët që kanë përfunduar mandatin. Ai ka thënë për “Epokën e re” se është e pandershme që politikanët e Kosovës të marrin këso beneficonësh për shkak të ushtrimit të funksionit shtetëror.

“Politikanët e Kosovës para përfundimit të mandatit miratojnë ligje të cilat në radhë ta parë ua rregullojnë statusin e tyre material e pastaj, nëse mbetet diçka, bëjnë edhe për qytetarët e Kosovës. Në të gjitha shtetet e tjera ekziston ligji i cili rregullon çështjet e bartëseve të pozitave të larta shtetërore, ndërkaq te ne ish-presidentët gëzojnë të drejta shumë të mëdha, konkretisht 70 për qind të pagës që kanë marrë kur kanë ushtruar funksionin e presidentit. Ata kanë të drejtë të kenë zyrë, të kenë një veturë luksoze, një vozitës, një asistente dhe të kenë mbushje për telefon”, ka thënë Shala, duke shtuar se këso beneficonesh nuk ka askund nëpër botë.

“Do të thotë se një ish-president i Kosovës buxhetit i kushton minimum 4 mijë deri në 6 mijë euro në muaj. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. Te në marrin beneficione edhe ish-presidentët,të cilët e kanë shkelur Kushtetutën, gjë që nuk është dashur të ishte kështu. Familja e ish-presidentit Rugova i kushton Zyrës së Presidencës së Kosovës afër 6 mijë euro në muaj. E njëjta gjë vlen edhe për Fatmir Sejdiun, i cili ishte detyruar të ofronte dorëheqje për shkak të shkeljes së Kushtetutës. Kjo është e tepërt dhe e pamoralshme, duke pasur gjendjen socio-ekonomike në Kosovë. Një gjë të tillë nuk e ka as Barack Obama në Amerikë”, është shprehur Shala.

Ai ka thënë se këto beneficione duhet të kufizohen e jo të jenë të përjetshme. Mendoj se beneficionet dhe pensionet duhet të kufizohen e jo të jenë të pakufizuara. “Do të ishte në rregull sikurse ish-presidentët t’i gëzojnë këto privilegje nëse janë në pension, ose derisa të gjejnë një punë, por jo në këtë mënyrë. Mos harroni, këto të drejta nuk i kanë vetëm ish-presidentët. Këto të drejta do t’i kenë kryetari i Kuvendit, kryeministri, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ai i Këshillit Gjyqësor dhe kryetari i Këshillit Prokurorial. Këto beneficione do të jenë përrallore, pra do të kenë të ardhura sikurse të ishin mbretër. Mendoj se shoqëria duhet të reagojë, pavarësisht se kush mund të jetë”, ka theksuar Shala, duke kërkuar nga shoqëria në përgjithësi të reagojë. Sipas tij, kjo çështje do të duhet të dërgohej edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk ka bazë as logjike e as ligjore t’i gëzojnë këto beneficione të përjetshme. Nuk e di se diku në botë ka diçka të tillë, por meqë Kosova është rast ‘sui generis’, secili bën çka të dojë dhe ia rregullon vetes jetën ashtu siç do. Mendoj se kjo çështje duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, sepse dikush është munduar t’ia krijojë vetes një bazë ligjore që të ketë benefite të përjetshme. Kjo duhet të sqarohet. Nuk ka logjikë që për mirëmbajtjen e shtëpisë së Rugovës të paguhen gjitha ato para”, ka thënë Shala.

Edhe drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, është shprehur kundër këtyre beneficioneve për ish-presidentët e Kosovës dhe familjet e tyre. Ai ka thënë për “Epokën e re” se do të ishte mirë të rishikohen këto beneficione duke pasur parasysh gjendjen socio-ekonomike në Kosovë. “Të drejtat dhe benefitet që i garantohen presidentit duhet të jenë shembuj të praktikave më të mira nga shtetet e rajonit dhe më gjerë. Kostoja e të ardhurave që i garantohet pozitës së presidentit duhet të rishikohet sepse jo vetëm që është në shpërpushje me gjendjen socio-ekonomike në Kosovë, por është dhe në s’përputhje me praktikat e shteteve të rajonit”, ka deklaruar Kryeziu.

Të drejtat e presidentit, pas përfundimit të mandatit

Ligji Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, presidentëve që kanë përfunduar mandatin dhe familjeve të tyre nuk ua njeh vetëm të drejtën e pensionit mujor, por edhe shumë beneficione të tjera. Më poshtë mund t’i lexoni disa nga nenet kryesore të këtij ligji që kanë të bëjnë me presidentët që kanë përfunduar mandatin.

Neni 18: Presidenti i Republikës së Kosovës fiton të drejtat e përcaktuara me këtë ligj pas përfundimit të mandatit për të cilin është zgjedhur.

Neni 19: Presidenti i Republikës së Kosovës, pas përfundimit të mandatit, në pajtim me paragrafin 1 të nenit 18 të këtij ligji, ka të drejtë në pension, shuma e të cilit është shtatëdhjetë për qind (70 %) e pagës të cilën e merr Presidenti i Republikës së Kosovës. Presidenti i Republikës së Kosovës dhe familja e tij/saj, pas përfundimit të mandatit, në pajtim me paragrafin 1 të nenit 18 të këtij ligji, kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë tërë jetës.

Neni 20: Presidenti i Republikës së Kosovës, të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me paragrafin 1 të nenit 18 të këtij ligji, ka të drejtë për periudhën pesëvjeçare pas përfundimit të mandatit të tij/saj, në hapësirë zyre, në pajisje për zyrë dhe në personel profesional të zyrës që nuk mund të jenë më shumë se tre (3) persona. Presidenti angazhohet nga Qeveria e Kosovës në aktivitete shtetërore, atëherë periudha pesëvjeçare fillon nga përfundimi i angazhimit të Presidentit.

Neni 27: Në rast të vdekjes së presidentit të Republikës së Kosovës gjatë ushtrimit të mandatit, familja e presidentit gëzon të drejtat ashtu siç janë përcaktuar në nenin 19 të këtij ligji dhe;

Neni 28: Të drejtat e përcaktuara me këtë ligj u takojnë edhe familjes së presidentit të Republikës së Kosovës të cilit i ka përfunduar mandati si president para ditës së hyrjes në fuqi të këtij ligj.

Pse gënjejnë politikanët

0

OpinionGënjeshtra për lavdi. Gënjeshtra për të rritur lavdinë personale e atë familjare, origjinën Ylli Pango I RI bzpatriotike, lavdinë atërore, gjyshore e stërgjyshore, është gjithashtu e njohur në politikë. Kjo është një lloj tendence për të krijuar një lloj “brand”-i familjar, që e bën politikanin më të besueshëm, të dashur, të lavdishëm në sy të popullit. Mjaft nga ofiqarët publikë gënjejnë a mburren lidhur me të kaluarën e tyre, aftësitë e sukseset në fusha të ndryshme profesionale a shoqërore, ushtarake, dikur me trimërinë e tyre në luftë, historitë e luftës a heroizmin e baballarëve a gjyshërve, dhe kur njihet e vërteta, këto fabrikime më shumë dëshmojnë inferioritet, poshtërim sesa heroizëm. Tek ne, disa politikanë të viteve ‘90 nxituan, shpesh të lustruar dhe nga mediat servile, të japin imazhe heroike të betejave të tyre për demokraci. Kështu, dikush që shëtiti mes bulevardit mbi një makinë në ditët përpara rrëzimit të monumentit të diktatorit, u përpoq t’i japë vetes imazhin e një heroi mbi tank, që pengoi diktaturën të mitralonte njerëzit në protestë, ndërkohë që njerëzit që shëtisnin në bulevard atë ditë, shihnin me habi një makinë të vjetër ku dy burra shpalosnin madhështi, kinse ktheheshin nga Blloku ku po përgatitej gjëma, pasi kishin negociuar me sukses atje për të mos goditur popullin dhe kishin shpëtuar mijëra jetë të pafajshme. Në këtë rast e raste të tjera, duke imituar lavdinë luftarake të politikanëve komunistë të 45 viteve diktaturë, fabrikuar në vepra nga Enveri, postkomunistët ndjeheshin deficitarë dhe kërkonin me të njëjtat mjete të fabrikonin një imazh heroik të së shkuarës së afërt, gati-gati të tashmes, duke mos duruar dot deri në bërjen e historisë që do të vërtetonte dikur “heroizmin” e tyre a “lavdinë luftarake”, nëse ajo do të ishte vërtet e tillë. Përveçse etje për lavdi, kjo është dhe një nevojë për të qenë pjesë e një të kaluare historike ku kanë qenë pjesë të gjithë ata që mbahen për protagonistë, e ku mosmarrja pjesë shtron pyetjen: “Po ku ishe ti atëherë?” Ekzagjerimi i rekordeve, profesionale, militare a heroike është i zakonshëm për politikanët e shkon deri tek fabrikimi i sajesave të tëra. Të gënjesh lidhur me lavditë e shkuara e të tashme personale, shërbimet ushtarake, lavdinë luftarake, biografinë e lavdishme familjare, është një rrugë e lehtë për një kandidat a politikan që veç paraqitjes si hero, e ndihmon atë për t’u parë në një dritë pozitive nga populli edhe në aspekte për të cilat elektorati ka interes të jesh i tillë. Kështu elektoratit i pëlqen që deputeti a politikani i vet i preferuar të jetë i fortë, i disiplinuar, patriot. Kjo jep avantazhe, përmirëson imazhin tek të tjerët por edhe te vetja, sidomos kur fillon e beson në ato që ke sajuar për veten e kur mendon se vërtet je bërë personi që dëshiron të jesh…Kjo është gati-gati një sindromë që përhapet, dhe sa më shumë shfaqet, aq më sfidues bëhet. Janë të shumtë ata që e kanë e vazhdojnë ta kenë këtë në politikë, ku kjo sindromë spikat më tepër për faktin që politikani është shumë më i dukshëm e lehtësisht i diskreditueshëm. Por, për hir të së vërtetës, ky tipar spikat edhe mes njerëzve të thjeshtë që duan të bëhen të famshëm, nëpërmjet brand-it të sajuar jo vetëm për veten, por kur ka mundësi edhe për familjen. Arsyet janë jo vetëm lavdia, dëshira për t’u shquar, përfitimi financiar, por edhe vetmia e nevoja për shoqërizim.

…Më interesantja arrihet kur njerëzit fillojnë të besojnë gënjeshtrat që kanë sajuar vetë. Kjo ndodh sidomos kur gënjeshtra ndërtohet si një varg të tillash, madje kalon në një fabul a histori të tërë. Në një aspekt, të gjithë gënjejnë. Gënjeshtrat janë të zakonshme në shoqërinë njerëzore. Më e rrallë është të sajosh një varg gënjeshtrash të lidhura e që pasojnë njëra-tjetrën e të vazhdosh të jetosh me to së paku për ca kohë. Një gënjeshtër e vetme është një akt i vetëm, por të sajosh një varg mashtrimesh ke nevojë për fantazi, mani lavdie e një grup a kast mbështetës. Edhe në këtë fushë jo vetëm politikanët, por dhe mjaft njerëz të zakonshëm moralisht e profesionalisht, angazhohen në gënjeshtra, mashtrime. Ja tek kemi një shembull të kohëve të fundit: dikush boton një biografi të Lasgush Poradecit pa e njohur fare atë dhe familja indinjohet. Dhe kjo për të përfituar pak lavdi në kurriz të të lavdishmit. Dikush tjetër më diabolik, njeri i vetmuar që jeton gjithë jetën pa asnjë raport shoqëror e as seksual, gjen mbështetje në median mishngrënëse që ushqehet me sensacionin dhe sajon lloj-lloj historish për çdo njeri të njohur, hyn në detaje të jetës personale a familjare, dashurore a politike, kinse njeh mirë fakte a është dëshmitar i tyre. Dhe të gjithë këto janë raste jo politikanësh dhe jepen për të kuptuar se fenomeni është më i gjerë, njerëzor, dhe politikani shpesh është pjesë e kësaj edhe thjesht si qenie njerëzore. Ndërkohë ka sigurisht specifika për të. Për politikanin rruga drejt gënjeshtrës fillon si pa kuptuar. Ndofta fillon me diçka për të cilën ai është i etur. Si figurë publike ai duhet të ketë një përvojë jete që do ta bënte atë më të dashur për votuesit. Madje më të shquar krahasuar me politikanë të tjerë. Vetëm një gjë mungon për ta patur këtë dashuri: ai nuk e ka këtë përvojë. Atëherë ai fillon të gënjejë.

Gënjeshtra elektorale. Politikanët e quajtur të suksesshëm, sidomos në zgjedhje, tentojnë të jenë pragmatistë dhe e justifikojnë veten edhe kur s’kanë turp ta gënjejnë disi ose edhe me thasë, elektoratin. Si pjesë të detyrës së tyre si përfaqësues të popullit, në një demokraci funksionale, ata argumentojnë se edhe nëse nuk realizohen premtimet, së paku qëllimi i mirë është kryesori, dhe nuk është keq që populli të mbahet me shpresa të bukura. Pastaj qoftë edhe realizimi minimum i tyre, sidomos kur vijnë zgjedhjet e tjera, është diçka. Në fund të fundit kaq janë mundësitë. Në një takim elektoral përpara zgjedhjeve të vitit 2001, kandidati me integritet moral e tejet i ndërgjegjshëm V., njeri i vuajtur që kishte kaluar edhe disa vjet burg për arsye politike, duke dashur të jetë sa më i ndershëm e realist, ju thotë zgjedhësve se natyrisht ai dhe partia që përfaqësonte, do të bënin çmos t’i ndihmonin për të zgjidhur hallet e tyre të panumërta por natyrisht ata, zgjedhësit, nuk duhet të prisnin që ata t’ju zbrisnin parajsën mbi tokë. Njerëzit dëgjonin dhe jo pak syresh filluan të shprehnin dyshime nëse ja vlente a jo të zgjidhej ky politikan që pothuaj nuk premtonte asgjë, a së paku premtonte pak, ndryshe nga të tjerët. Në zonë erdhi menjëherë për ndihmë, një kandidat i një zone tjetër, pehlivani M., i vlerësuar nga partia si akrobatik për zgjedhjet dhe fitues i disa fushatave elektorale. “Nuk bëhet kështu fushata”, i sqaroi ai kolegut. “Më ndiq dhe do kuptosh”. “Çfarë deshët ju?- pyeti ai njerëzit. “Shkollë? Dy do t’jua bëjmë” “Ujë? 24 orë…do e keni”. “Rrugën? Do ta keni më të mirë se Bulevardin e kryeqytetit”. Njerëzit duartrokitën. H. i fitoi zgjedhjet në zonën e tij. V. natyrisht i humbi. Deri ku duhet të shkojë premtimi politik në zgjedhje, gënjeshtra politike, e vërteta, sinqeriteti i atij që kërkon të zgjidhet? “Sa i dëgjojnë e sa i kuptojnë zgjedhësit premtimet e komplikuara programore elektorale? Sa i besojnë ata ato të thjeshtat?” Eksperienca së paku tek ne, por edhe më gjerë tregon se shpesh fitojnë M-të dhe rëndom humbasin madje nuk kandidohen më nga partitë V-të. Cila është masa e pranueshme e gënjeshtrës që e kuptojnë të gjithë që është gënjeshtër politike, por e pranojnë si brenda kufijve të së lejueshmes për politikanin? Le të marrim një politikan që flet kundër korrupsionit orë e pa kohë, por ndërron kostume të shtrenjta shumë shpesh; rrallë kush nëmos askush do të merret me të deri me këtë aspekt, ndonëse dihet se njeriu i thjeshtë nuk ndërron dot kaq shumë kostume me rrogën e zakonshme por as edhe vetë ai politikan, s’do e bënte dot këtë vetëm me rrogën e vet sado të lartë ta ketë. Ky është minimumi i të lejueshmes. E keqja është se tek ne ka kohë që pranohet e gëlltitet si i natyrshëm a pranohet se s’ke ç’i bën, dhe maksimumi i rrenës e sidomos elektorale. Madje shpesh ajo nuk kuptohet për shkak të fjalëve të vështira për masën e zhurmës e spektaklit të fushatave që përjetohen më shumë si shfaqje në zonat rurale, se sa si vigjilje të ndryshimeve të mëdha të premtuara në jetën e tyre. Një emigrant i viteve të fundit në Bruksel, më thoshte se nuk besonte më asnjërën palë, por ç’mund t’ju bënte ai, …prapë do ngelej keq, e prandaj kishte ikur…

Ka psikologë që duke mos e humbur shpresën, (por flitet për demokracitë më të zhvilluara), mendojnë se nëse zgjedhësit kanë ide të mira dhe të dhëna të sakta, të bollshme e logjike reale, për të mbështetur kërkesat e tyre, mund të arrijnë t’i bëjnë politikanët e politikëbërësit, të bëjnë çfarë dëshirojnë ata. Të tjerë mendojnë se zgjedhësit gjithnjë do të kenë pak ose aspak influencë tek politikanët. Kjo sepse politikanët e zgjedhur e zyrtarët e lartë që rrjedhin soje, kanë mjaft ide të mira vetë, por shpesh nuk i marrin vendimet të bazuar në të dhëna apo sipas nevojave të zgjedhësve a të zhvillimit të vendit. Ata më shumë priren të dëgjojnë e të influencohen nga njerëzit me të cilët kanë raporte të afërta. Në raste të tjera më negative, ata nuk merren fare me problemet, impresionohen më shumë nga historitë personale të njerëzve të veçantë (ose i përdorin këto për tu paraqitur gjoja si të impresionuar, apo për të impresionuar të tjerët); se sa nga faktet, nevojat e njerëzve, faktet a të dhënat. Kjo sepse ngjarjet ata i mbajnë mend më lehtë se numrat, shifrat, statistikat, problemet e vërteta të komplikuara që kërkojnë zgjidhje. Vini re se sa shpesh tregohen ngjarje (përralla) në fushata elektorale me njerëz a zgjedhës të thjeshtë që e kanë takuar politikanin, kandidatin a liderin në rrugë e i kanë thënë kaq e kaq gjëra të mënçura apo histori të dhimbshme personale sinjifikative për të dëshmuar poshtërsinë e qeverisë që duhet të rrëzohet e shpresën e madhe tek qeveria që po vjen. Pse ndodh kjo? Sepse politikanët nuk kanë më nge të bëjnë studime, të lexojnë, të analizojnë e preferojnë a e gjejnë natyrisht më të lehtë të konkludojnë a bëjnë efekt nëpërmjet disa rasteve të mbledhura nga bisedat rastësore, takimet me miq, apo edhe sajesave- pjella të fantazisë së vet. Këtu fillon edhe dhjamosja e politikanit, jo vetëm fizike por kryesisht e si fillim ajo mendore

Paratë, donacionet, financimet politike. Fushatat elektorale janë e po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta për kandidatët. Nëse nuk blen direkt vota me këto para (gjë që ka ndodhur rëndom kohët e fundit), politikani duke shpenzuar para, prapë fiton akses që të influencojë zgjedhësit e procesin politik. Në cilindo rast dhe kjo është një formë e spikatur e mashtrimit elektoral. Këtu tek ne, madje blerja e votave, pra ky lloj mashtrimi elektoral, është nga më të hapurat e më banalet dhe në jo pak raste realizohet edhe me shuma qesharake për individët e familjet në nevojë. Ndërkohë, ai që kandidon e fushata e tij po i ngjasojnë gjithnjë e më shumë modelit të zgjedhjeve të vendeve më të zhvilluara, ndonëse atje ka rregulla të forta loje e ajo që bëhet me paranë, ka të bëjë edhe me premisën që politikani të jetë sa më pak i korruptueshëm. Kurse tek ne ndodh e kundërta dhe e përbashkëta me ta, qëndron vetëm në faktin që pa para nuk mund të hyhet më në zgjedhje…

Mustafa takon Pacollin: Zgjedhjet duhet të mbahen në pjesën e parë të këtij viti

0

pacolli mustafaIsa Mustafa ka thënë se zgjedhjet nacionale duhet të mbahen më së largu në qershor. Këtë qëndrim, Mustafa ia ka bërë të ditur edhe Behgjet Pacollit. Për këtë temë para disa ditësh, Mustafa ka takuar ndaras edhe Thaçin e Haradinajn.
Lideri i LDK’së, Isa Mustafa është takuar sot me Presidentin e AKR’së, Begjet Pacollin me të cilin kanë folur për datën e zgjedhjeve nacionale.

Sipas një njoftimi të LDK’së, Isa Mustafa ka thënë se zgjedhjet e përgjithshme duhet të mbahen në pjesën e parë të këtij viti.

“Kryetari Mustafa ka përsëritur se është e domosdoshme që të ketë pajtueshmëri të plotë të subjekteve politike për ta përcaktuar dinamikën e punëve, si dhe për caktimin e datës së mbajtjes Zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat duhet të mbahen brenda pjesës e parë të këtij viti”, thuhet në njoftimin e LDK’së.

Në njoftim, thuhet se Mustafa dhe Pacolli kanë biseduar dhe janë pajtuar për finalizimin e reformës zgjedhore.

“Po ashtu, ata kanë biseduar edhe për dinamikën e veprimve të tjera, me qëllim që të gjitha subjektet politike, së bashku me inmstitucionet, të angazhohen për të përgatitur zgjedhje të rregullta dhe demokratike”.
LDK ka njoftuar se në ditët në vazhdim Isa Mustafa do të takohet edhe me udhëheqësit e tjerë të partive politike për të folur për reformën zgjedhore dhe datën e zgjedhjeve nacionale.