23.8 C
Prizren
E mërkurë, 6 Maj, 2026
Home Blog Page 8739

Pasioni i Presidentes, lidhja me babain dhe xhelozia e nënës

0

Atifete jahjagaPresidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se është e përgatitur të përballet me sfida të ndryshme në jetë, pasi që eksperienca fëmijërore, dhe ndërtimi i personalitetit të saj me përgatitje profesionale e akademike ia ka mundësuar një gjë të tillë.

Ajo në një intervistë për Televizionin Klan, ka bërë me dije se me babanë i ka marrëdhëniet mjaltë. E këtë, e ka vërejtur edhe nëna e saj, duke iu drejtuar sa herë në fëmijëri ‘ti je e babait’.

“Eksperienca si fëmijë, si adoleshent, si student më ka përgatitur përballë çfarëdo sfide të jetës”.

“Është përgatitja ime profesionale dhe akademike, e cila sa ka ardhur e ka ndikuar në formësimin e personalitetit tim. Edhe familja ime ka qenë përkrahëse e fuqishme. Gjithmonë kam pasur përkrahje dhe mbështetje të fuqishme prej familjes sidomos në shkollë të mesme”.

“Përkrahja e gjyshit tim në atë kohë ka qenë e pakushtëzuar. Gjithmonë ka qenë babai dhe gjyshi të cilët më kanë ndihmuar shumë”.

Ajo e konsideron raportin me babanë si të veçantë, për të cilin thotë se nuk ka fjalë që ta shpjegojë.

“Unë babanë e kam mikun më të madh. Gjithmonë nëna është xheloze se thotë ke qenë vajza e babait”.

“Nga momenti që e mbaj mend për vete deri më tani, pa marrë parasysh çfarë vendimi kam marrë, ai ka qëndruar afër meje”.

“Ai ka qenë një raport dhe vazhdon të jetë një raport i veçantë në jetën time”, ka thënë Jahjaga.

Po bëhen tri vjet që Jahjaga mban postin e Presdientes së vendit.

Me Kushtetutë, pas dy viteve, ajo duhet të luftojë për një mandat të dytë, apo t’ia lëshojë vendin dikujt tjetër.

Thotë se vendimin nuk e ka marrë ende se çka do të bëjë kur t’i vijë koha të vendosë.

“Asnjëherë nuk jam ndalur të mendoj se çfarë do të bëjë pastaj. Sepse, kam shumë punë që duhet të përmbushë”.

“Nuk kam pasur kohë të mendojë për këtë. Kudo që jam unë do të jam në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe vendit tonë”, ka thënë Presidentja Jahjaga.

Por ajo nuk i përket vetëm zyrës dhe nevojave që ia kërkon posti, me pritjet dhe vizitat që bën.

Jahjaga përkujdeset edhe për veten. Në ujë e natyrë.

“Unë kam pasion të veçantë notin dhe ecjen në natyrë”.

“Për të parën nuk është e mundur në mënyrë të vazhdueshme, edhe pse e kemi afër detin vetëm 2 orë”.

“Kurse për ecje unë për çdo mëngjes bëj ecje në parkun e Prishtinës e në parkun e Gërmisë. Nga 1 orë e gjysmë ose 2 orë”.

“Nga njëherë në muaj apo edhe më shumë tentoj të shkoj në ngjitje malore, apo ‘hiking’, në Malet e Sharrit a Pashtrakut së bashku me ekipin”.

“Kjo na kontribuon edhe në fizikun tonë për një energji më të re”, ka thënë Jahjaga.

Gjykimi i kryetarit të Dragashit,Salim Jenuzit mbahet në zyrë

0

SalimJonuziTë premten, pasi në njërën nga sallat po gjykohej kryetari i Prizrenit Ramadan Muja dhe dy gjykatoret tjera ishin të zëna me dy gjykime vrasjesh, seanca kundër Salim Jenuzit dhe Lulzim  Rifajt, u mbajt në një zyrë të Gjykatës Themelore të Prizrenit.Në seancën e së premtes u dha fjala hyrëse nga prokurori dhe mbrojtësit e të akuzuarve.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore i ngarkon të pandehurit, se më 27 gusht 2009, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për tjetrin, i kanë shkaktuar dëm ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhimi” në Dragash, e cila është nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Pas marrëveshjes së tyre paraprake, ata akuzohen se shpërdoruan pozitën e tyre zyrtare, duke tejkaluar kompetencat, në atë mënyrë që i akuzuari i parë Salim Jenuzi, në cilësi të kryetarit të Komunës në Dragash, urdhëroi drejtorin e Urbanizmit dhe Kadastrës që të bartë pronën shoqërore, patundshmërinë në sipërfaqe prej 29,7 hektarësh prej pronarit të ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhim” në pronë të KK të Dragashit.

Pastaj këtë patundshmëri, i akuzuari Jenuzi ua dha në shfrytëzim pa ndonjë bazë juridike, personave fizikë – blegtorëve.

Prokurori , Mejdi Sefa, në fjalën hyrëse e arsyetoi aktakuzën e ngritur ndaj kryetarit të komunës së Dragashit dhe ish kryesuesit të asamblesë komunale.

Ai para trupit gjykues tha se aktakuza është e bazuar në prova të pranueshme për gjykatën dhe në dëgjimin e të dëmtuarve, ndërmarrjes “Sharr Prodhimi” dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ndërsa avokati i kryetarit te Dragashit, Ruzhdi Berisha e kundërshtoi akuzën, me arsyetimin se e njëjta është e pabazuar në ligj dhe elementi thelbësor i veprës penale për të cilën akuzohet kryetari i Dragashit nuk ekziston.

“Elementi thelbësor i veprës penale për të cilën akuzohet kryetari i Dragashit është që të ekzistojë qëllim, dashje, duke përdorur autoritetin dhe pozitën që ka, t’i sjellë dobi pasurore tjetrit apo të shkaktojë dëm dhe asnjëra nga këto nuk ekziston” tha avokati Ruzhdi Berisha.

Sipas tij, fjala është për kalimin e regjistrimit të së drejtës së pronës nga “Sharr Prodhimi” në komunën e Dragashit, por tash kjo është zgjidhur krejtësisht ndryshe, pasi gjithë ajo sipërfaqe është përfshirë në Parkun Nacional të Maleve të Sharrit.

I akuzuari i dytë, Lulzim Rifaj, si kryesues i Kuvendit Komunal të Dragashit, paraprakisht e vë në rend dite këtë bartje të pronës shoqërore, duke bindur asamblistët që ta votojnë propozimin, edhe pse e dinte se një veprim i tillë është në kundërshtim me ligjet në fuqi, pasi menaxhimi i pronës shoqërore me ligj i përket AKP-së.

Neni pesë i Ligjit për AKP-në, e përcakton këtë agjenci si administratore të ndërmarrjeve publike, pavarësisht nëse ndërmarrjes i janë nënshtruar ose jo transformimit.

Me këto veprime të akuzuarit thuhet se u kanë mundësuar përfitim të kundërligjshëm material personave fizikë, në këtë rast blegtorëve, duke i shkaktuar dëm ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhimi”.

Duke u bazuar në këto veprime, sipas prokurorisë, të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës zyrtare, ose autorizimit”, për të cilën vepër është paraparë maksimumi i dënimit deri në pesë vjet burgim.

Luzlim Rifaj, ish kryesues i Asamblesë Komunale thotë se akuza është e pabazuar, ndërsa sipas tij në këtë rast me kërkesën e më shumë se 1/3-ës së asamblistëve, kanë kërkuar që këtë çështje ta vënë në rend të ditës.

Rifaj mendon se ky është një vendim kolektiv nga asamblistët dhe është marrë në mënyrë unanime dhe në bazë të logjikës nëse ky veprim është i montuar nuk mund të ketë dënim kolektiv .

Sipas tij, kjo akuzë më shumë është ngritur për t’ia ulur prestigjin atij dhe kryetarit të Dragashit se ka vepër penale.

Seanca e radhës mbahet më 4 prill./Gazeta Jeta në Kosovë/

Parku Nacional i Sharrit përfshihet nga zjarri

0

ZjarriiEnde pa kaluar stina e dimrit në rajonin e Prizrenit janë regjistruar vatra të zjarrit duke parapaljmëruar kështu një situatë jo normale të djegies së pyjeve, në vargmalet e Sharrit, që janë edhe pjesë e Parkut Nacional.

Një zjarr i ndezur pasditen e djeshme në fshatin Pllanian të Luginës së Lumbardhit është përhapur shumë shpejt duke rrezikuar kështu pyjet me pisha në këtë territor.

Hazir Berisha, zëdhënës i PK-së thotë se janë dy persona të dyshuar, por aktualisht ende nuk janë identifikuar.

Drejtoria rajonale e pyjeve e sheh si paralajmërim të rrezikshëm, për shtrirjen e zjarreve në pyje. Ixhinieri Naim Ramadani thotë se programi për shuarjen e zjarreve i bazuar në udhzimin administrativ 22/ 2007-të, përcakton se sezona për shuarjen e zjarreve është paraparë duke filluar më 1 qershor deri më 15 shtator.

Zjarre të qëllimshme apo të rastësishme, janë dukuri e njerëzve të papërgjeshëm, thonë si policia ashtu edhe ekspertë të pyjeve, andaj për sejcilin rast do të ketë hetim të detajuar për të ardhur deri te personi i dyshuar, i cili do të përgjigjet në bazë të ligjeve në fuqi.

Situata e verës 2012, nuk guxon të përsëritet thonë ekspertët./rtk/

Qendra Historike e Prizrenit nuk mbrohet nga askush

0

tyreza e ec ma ndrysheOrganizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe” në kuadër të projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm” të martën ka organizuar tryezën e diskutimit mbi zhvillimet urbanistike në Qendrës Historike të Prizrenit, në të cilin organizim është prezantuar edhe raporti i titulluar “Qendra Historike e Prizrenit, Zonë e (Pa)Mbrojtur”.

Panelistë të tryezës ishin: Hasan Hoti, drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Prizren, Sadik Paqarizi, drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit dhe Vesel Hoxhaj, Kryetar i Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit.

Diskutimi u zhvillua rreth respektimit të kritereve urbanistike në pjesë të ndryshme të qytetit të Prizrenit, me fokus në Qendrën Historike të Prizrenit. Panelistët filluan diskutimin me përshkrimin e përgjegjësive dhe aktiviteteve të tyre për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Gjatë debatit u tha se mungon një bashkëpunim i mirëfilltë ndërmjet institucioneve lokale dhe qendrore. Hasan Hoti, nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve në Prizren i shprehu shqetësimet që kanë të bëjnë me drejtoritë komunale duke thënë se jo gjithmonë ato e kërkojnë dhe presin pëlqimin/përgjegjen nga Instituti, për të bërë një intervenim në Qendrën Historike te Prizrenit.

Drejtori i Urbanizimit, Sadik Paçarizi u ankua se IMMH i vonon pëlqimet, si dhe nuk merr leje për punimet restauruese në Zonën Historike. Vesel Hoxhaj nga Këshilli për Trashëgimi Kulturore tha se mungon bashkëpunimi i duhur dhe se duhet punuar në këtë drejtim.

Në tryezë nga shumica e pjesëmarrësve u përmenden shembuj të transformimit të strukturës urbane të qytetit dhe degradimit që ka pësuar Qendra Historike gjatë dekadës së fundit, si rezultat i aktivitetit kaotik ndërtimor dhe u tha se sa më shpejtë duhet që të ndalet ky degradim ndaj objekteve me vlera historike kulturore. Gjithashtu u diskutua mos respektimi i ligjeve dhe planeve rregullative.

Nga muaji korrik 2013, “EC Ma Ndryshe” ka nisur zbatimin e projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”. Nevoja për mbikëqyrjen e zhvillimeve në sektorin e urbanizimit ka rrjedhë si pasojë e zhvillimeve të shumta negative gjatë periudhës së pasluftës dhe tranzicionit që janë manifestuar me degradimin urban dhe planifikimin e pa-balancuar hapësinor.

Projekti synon që të instaloj një sistem të monitorimit të përhershëm të aktivitetit shtetëror (dy nivelet e pushtetit dhe organet e drejtësisë) në fushën e menaxhimit dhe zhvillimit urban në qytetin e Prizrenit, me theks të veçantë në Qendrën Historike të tij, për të siguruar rend urbanistik./PrizrenPress.com/

 

Haradinaj: S’po e kuptoj hezitimin e partive për ta rrëzuar Qeverinë

0

Ramush Haradinaj 1Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nuk ka dhënë përgjigje të qartë nëse AAK do të arrijë të mbledh nënshkrime të mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë.
Haradinaj ka theksuar se nuk është duke i kuptuar partitë tjera opozitare të cilat hezitojnë që ta dërgojnë vendin në zgjedhje sa më shpejtë që është e mundur.

“Është i pakuptimtë qëndrimi i subjekteve që kërkojnë zgjedhje në muajin qershor, ndërkohë sipas tij edhe sikur zgjedhjet të organizohen në prill, për të cilin afat është duke u angazhuar AAK-ja, në të dyja rastet, zgjedhjet janë të parakohshme”, ka thënë Haradinaj gjatë takimit me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Poezit e Ilire Zajmi botohet në Francë

0

Ilire ZajmiShtëpia botuese franceze l ‘Harmattan ka botuar përmbledhjen me poezi të shkrimtares shqiptare nga Kosova, Ilire Zajmi. Libri është botuar në formatin tradicional, elektronik apo e-book dhe pdf.

Në pasdhënien e librit, shkrimtarja franceze Adeline Yzac, shkruan: “Fatin tënd askush nuk e nënshkruan. Ilire Zajmi ndjek dhe nënshkruan punën e saj, ashtu siç edhe shkruan, e shtyrë nga zëri i brendshëm i poezive të saj, duke shtrirë fjalët e pakursyera në mes të fjalive në hapësirën e lënë vakante rreth tekstit.

Te poezitë e Ilires zëri shtrihet, vargjet flasin vetë. Flet vetmia, dyshimi, brishtësia, pritjet . Në poezitë e saj ka etje, dëshirë, dashuri, frikë njerëzore.

Kur lexon poezitë e saj doemos të kujtohet Virgjinia Uolf. Kur them grua, them emrin tim, Ilire Zajmi” –shkruan Adeline Yzac në pasthënien e librit.

Parathënien e librit e ka shkruar Bernadette Herman.
Pas botimeve në Itali e Portugali, ky është libri i tretë i Ilire Zajmit që botohet jashtë.

Ilire Zajmi, është autore e pesë përmbledhjeve me poezi, një romani, një libri publicistik botuar në italisht e shqip, dhe një libri studimor në fushën e komunikimit.

Nuk zbatohet ligji për Hoçën dhe Prizrenin

0

prizreni5Komisioni për Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim ka mbajtur dëgjim publik për monitorimin e Ligjit për Fshatin Hoçë e Madhe dhe Qendrës Historike të Prizrenit, ku u tha se këto ligje nuk po zbatohet për shkak se ende nuk janë formuar këshillat që zbatojnë këto ligje.

Po ashtu, anëtarët e këtij komisioni kanë kritikuar mospjesëmarrja e kryetarit të Komunës së Rahovecit si dhe atij të Prizrenit, të cilët janë përgjegjës për zbatimin e këtyre ligjeve.

Mirëpo, Vjosa Vela nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka premtuar se brenda një jave do të hartohet drafti i Udhëzimit Administrativ i cili i këshillon Komunat se si duhet të formohen këshillat për zbatimin e këtyre ligjeve dhe se sipas saj, për një muaj e gjysmë ky dokument do të jetë i gatshëm.

Kurse, Kaltrina Drançolli nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e cila e ka zëvendësuar ministrin, Dardan Gashi, ka njoftuar komisionin me punën e kësaj ministrie lidhur me zbatimin e Udhëzimit Administrativ për themelimin, zgjedhjen, përgjegjësitë dhe funksionimin e Këshillit për fshatin Hoçë e Madhe dhe Qendrën Kulturore të Prizrenit.

“MMPH ka mbajtur takim me akterët e përmendur ku janë shqyrtuar komentet e dërguara nga OSBE-ja, Kisha Ortodokse Serbe, Ministria e Kulturës dhe përgjegjësitkomunave, pas shqyrtimit të komentete, zyra ligjore e Ministrisë së Mjedisit, i ka inkorporuar komentet në draft udhëzimin administrativ dhe ato janë në proces të përkthimit. Pas përkthimit do të mbahet edhe një takim me përfaqësuesit e OSBE-së, të Kishës Ortodokse Serbe, Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Rahovecit dhe MAPL për të shqyrtuar draftin me komentet e inkorporuara dhe më pastaj drafti i UA-së do të dërgohet në konsultime paraprake dhe publike”, ka thënë ajo.

Mirëpo, Dimitri Moschepoulos, i cili është i angazhuar për mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre ligjeve, ka thënë se zbatimi i këtyre ligjeve ka pas ngecje dhe janë bërë për shkak të stërzgjatje së zgjedhjes së kryetarit të Rahovecit.

“Keni të drejtë, ka pas vonesë në zbatimin e këtyre dy ligjeve, veçanërisht në zbatimin e Ligjit për Hoqën e Madhe. Ligjet janë miratuar në gusht të 2012. Do të thotë se jemi me vonesë për një vit e gjysmë për Hoqën e madhe, shumë pak ka ndodhur dhe zgjedhjet komunale, ajo periudhë ka zgjat më tepër se që është dashtë zyrtarisht dhe kjo ka shkaktuar vonesën e zbatimit të këtyre dy ligjeve”, ka thënë ai.

Mirëpo, ai ka thënë se pas zgjedhjes së kryetarit të ri ka sinjale pozitive për zhvillim në këtë drejtim.

Mospjesëmarrjen e kryetarëve të komunave përgjegjëse për zbatimin e këtyre ligjeve, si dhe moszbatimin e tyre e ka kundërshtuar edhe anëtari i Grupit SLS, Sasa Milosaviljevic, i cili ka thënë se këto pasuri nuk duhet të shikohen vetëm si të serbëve pasi këto janë pasuri jo vetëm e Kosovës por edhe e rajonit.

“Nuk e arsyetoj mosardhjen e kryetarëve të komunave që janë ftuar për këtë takim sepse kjo tregon mospërgjegjësinë e tyre ndaj zgjidhjes së këtij problemi, do të thotë ndaj zbatimit të këtyre dy ligjeve. E dyta, dëshiroj që të apeloj te të gjithë qytetarët që jetojnë në Komunën e Prizrenit dhe Rahovecit që së bashku të marrin pjesë në zgjidhjen e këtij problemi dhe të mos e nacionalizojnë këtë problem sepse pasuria kulturore në Prizren dhe në Hoqën e Madhe nuk është një pasuri vetëm e serbëve por është një pasuri e Kosovës dhe lirisht mund të them që është pasuri kulturore e gjithë regjionit”, është shprehur ai.

Hoqa e Madhe dhe Qendra Kulturore e Prizrenit janë në mbrojtje shtetërore me ligj.kosovapress/

Thaçi ia premtoi Mustafës edhe dorëheqjen

0

HashimThaci-IsaMustafaKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa janë pajtuar që zgjedhjet do të mbahen në pjesën e parë të qershorit, dhe që shpërndarja e Parlamentit të bëhet në fund të prillit.

Por jo vetëm kaq.

Burime brenda takimit të fundit Thaçi- Mustafa, që ishte mbajtur larg nga syri i gazetarëve i kanë treguar Gazetës Blic kryeministri i ka premtuar liderit të opozitës se do të japë edhe dorëheqje në fund të prillit, nëse Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do ta mbështes mocionin e votëbesimit të qeverisë, që ishte ngritur javën e kaluar nga partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Megjithatë, zyrtarisht as zyrtarët e PDK-së e as ata të LDK-së nuk kanë pranuar që të japin detaje të takimit të liderëve Thaçi- Mustafa që ishte zhvilluar në fund të javës që e lamë pas.

Krejt çka është bërë publike nga ky takim, ishte një kumtesë për medie, ku ishte thënë se dy liderët, ai i PDK-së dhe ai i LDK-së janë pajtuar që në zgjedhje të shkohet në muajin qershor, dhe të bëhen disa ndryshime sipërfaqësore në Ligjin për zgjedhjet.

Madje, në një intervistë për RTK-në, Isa Mustafa e ka propozuar 8 qershorin si datë të mundshme për zgjedhjet e parakohshme nacionale. Këtë datë nuk e ka përjashtuar as kryeministri Hashim Thaçi.

Ndërkohë, zyrtarët e AAK-së edhe pse duket nuk do ta kenë mbështetjen e partisë më të madhe opozitare për të vazhduar me mocionin, shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Ardian Gjini ka thënë se ata do të vazhdojnë tutje me këtë mocion.

Mblidhet PDK-ja, shkak zgjedhjet

0

PDK-logo8-07Partia Demokratike e Kosovës do të mblidhet sot. Kjo, për të diskutuar rreth qëndrimeve për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, si dhe reformës zgjedhore.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se sot do të takohen dhe do të marrin qëndrime rreth reformës, por, do të diskutojnë edhe rreth kohës së mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Sipas këtij burimi, sot do të dihet se cilat do të jenë qëndrimet e tyre për reformën, por ende nuk e dinë se cilat do të jenë qëndrimet rreth mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, pasi sot vetëm do të diskutohet.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ditë më parë ka realizuar një takim edhe me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, ku kanë biseduar rreth reformës dhe zgjedhjeve parlamentare.

Ndërsa, është raportuar se tanimë janë disa variante për zgjedhje parlamentare, për kohën e mbajtjes së tyre. Por, më e afërmja duket të jetë mesi i qershorit të këtij viti.(Kosovapress)

KFOR-i premton bashkëpunim kundër etheve hemorragjike në Malishevë

0

begaj me kforKryetari i Komunës së Malishevës,Ragip Begaj ka pritur një delegacion të KFOR-it gjerman në Kosovë, të prirë nga togeri i marinës gjermane Benjanim Rapp.

Begaj dhe Rapp në këtë takim kanë biseduar për çështjen e etheve hemorragjike, thumbimin nga rriqrat dhe bashkëpunimin e ndërsjellë në këtë fushë të sigurisë në shëndetësi.

“Jam i shqetësuar për këtë situatë me ethet hemorragjike, pasi ky virus po merr jetën e njerëzve tanë. Është i formuar këshilli ndërministror që merret direkt me këtë çështje dhe me masat parandaluese, por ne jemi të shqetësuar për shëndetin e qytetarëve tanë”.

“Unë ju falënderoj për interesimin tuaj dhe kërkoj që të bashkëpunojmë në këtë drejtim, në mënyrë që të zvogëlojmë rastet e infektimit nga ethet hemorragjike, qoftë të qytetarëve tanë, ashtu edhe të pjesëtarëve të KFOR-it”, tha Begaj.

Togeri i marinës gjermane Benjanim Rapp,tha se KFOR-i po e përcjell situatën dhe shqetësimin për ethet hemorragjike.

Ai tha se KFOR-i do të jenë në kontakt edhe me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, në mënyrë që të bashkëpunojmë në këtë drejtim, për të mbrojtur jetën e njerëzve./PrizrenPress.com/