3.9 C
Prizren
E premte, 1 Maj, 2026
Home Blog Page 8841

Kosova, paradoksi ynë që nuk falet

0

OpinionBejtullah KRASNIQI

Zhvillimi i shoqërisë njerëzore nëpër etapa të ndryshme ka përjetuar rënie dhe ngritje nga më të ndryshmet. Janë ngrit e kanë rënë, herë një popull e një kulturë, e herë një tjetër. Kanë jetuar e sunduar liderë e udhëheqës, diktatorë e tiran. Herë kanë parë e përjetuar më shumë zullum e herë më pak shtypje, por nuk ma thotë mendja se kanë parë paradokse çfarë po sheh e përjeton ‘epoka’ jonë.

Të gjitha këto më silleshin ndër mend derisa po e pija kafenë time të paradites (që më shumë i ngjante djersës së zezakut) në sheshin shatërvan, përball katër krojeve që datojnë nga koha e osmanlive.
Pasi e morra dozën e zakonshme të ‘helmit’ nga gazetat, mendja më fluturoi nëpër kohë. Cila gjeneratë ka pasur fatin të jetojë kohë më të bujshme se kjo e jona? Kemi përjetuar Masakrën e Tivarit, shpërnguljet masive për në Turqi, demonstratat e ’68-ës, që na sollën një frymëmarrje më të lehtë. Pastaj demonstratat e ’81-ës, që tronditën themelet e një mini perandorie artificiale, pamë e përjetuam luftën e fundit që nxori nga sarkofagu Drakullën e etur për gjak të fëmijëve.

Megjithatë, kjo gjeneratë pa dhe ishte dëshmitare edhe e shumë sukseseve kombëtare; pamë se si i mbijetuam të gjitha kurtheve për eliminimin fizik nga këto hapësira, dhe kjo është e bukur, përjetuam themelimin dhe veprën e UÇK-së, projekti më madhështor në 2000 vjetët e fundit, e jetuam çlirimin e këtij vendi, e përjetuam shpalljen e Pavarësisë së Kosovës që ishte ëndërr e shumë brezave para nesh. Vetëm zemrat më të qëndrueshme kanë mundur t’i përballojnë këto batica e zbatica që përjetoi brezi ynë. Dhe tani, mozaiku i skicuar në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, dalë-ngadalë po plotësohet, por shumë ngadalë!

Koha tashmë është ftohur dhe, edhe në qytetin më të ngrohtë të vendit nuk rrihet jashtë. Ne, ‘meraklitë’ e kafës, gazetës dhe cigares, jemi ulur në tarracat me tavolina të mbuluara me shtrez, që nga lagështia e natës e kishte krijuar acari i mëngjesit. Brenda lokaleve nuk mund të hynim, meqë ligji e ndalon duhanin. Çfarë paradoksi! Pamje të ndryshme vazhdojnë të parakalojnë në mendjen time si në vegim.

Ministria e Shëndetësisë, sikur i ka rregulluar të gjitha problemet që e rëndojnë këtë lami, tani i ka mbetur vetëm duhani! Shërimi i pacientëve me sëmundje malinje mbetet vetëm dëshirë, por nuk intervenohet as aty ku ka mundësi. Reparti i kardiologjisë vazhdimisht i ka aparaturat e prishura, ndërsa në spitale private kurrë nuk prishen! Mjekët refuzojnë të shkojnë ne sallë të operacionit sepse, ta zëmë sot nuk janë në qejf, duhet intervenimi policor! Mjekë apo kriminel janë këta?! Për mungesë të kujdesit mjekësor kanë vdekur foshnja të porsalindura! Mjekët kapen në flagrancë duke marrë ryshfet…

Skandali që plasi së fundmi rreth blerjes së provimeve në Fakultetin e Mjekësisë është krim mbi krime. Para atyre mjekëve me provime të blera, nesër do të shtrihemi në tavolinën e operacionit!!! Situatë e njëjtë është edhe në fakultetet tjera, porse ato ende po arrijnë t’i mbajnë portat të mbyllura me shul.
Tregu farmaceutik, kineastëve iu ofron material për serial qindra episodesh. Kompanitë farmaceutike, herë na helmojnë me barëra pa afat, herë me barëra që vijnë nga prodhues anonim e herë me barëra bartëse bakteriesh të prodhuara nëpër bodrumet tona ilegale. Të gjitha këto që u thanë më lartë, ministrit nuk i bëjnë përshtypje, madje as mungesa e sigurimeve shëndetësore. Në kohën kur substancat narkotike vrasëse kanë depërtuar edhe nëpër shkolla fillore, ministri e ka prioritet ndalimin e duhanit!!! Paradokse, paradokse.
Njësojë si në Ministrinë e Shëndetësisë, paradokset vargohen edhe në resorët tjerë të Qeverisë sonë. Ja, ta zëmë sistemin arsimor; për një vend pune konkurrojnë me dhjetëra kandidat, të gjithë të diplomuar, madje shumë prej tyre me titull master. Por, kot e kemi, arsimi ynë mbetet ndër më të dobëtit në rajon e më gjerë. Askush nuk pyet se ku dhe si i marrin këto diploma këta njerëz. Kush na i përgatit kuadrot në duart e të cilëve po mbetet e ardhmja jonë. Programi për avancimin e arsimtarëve pa shkëputje nga puna, si duket është ideuar për miqtë e zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit. Aty marrin diploma: kuzhinier, policë, zjarrfikës, marangozë… të gjithë këta janë në moshë të shtyrë dhe posa të diplomojnë (e këtë e kanë të sigurt) kërkojnë të punësohen në arsim. Shumë prej tyre e vazhdojnë edhe për masteri. Edhepse një numër i konsiderueshëm i këtyre vijuesve nuk dinë të flasin shqip, diplomat do ti marrin se kanë kryer fakultet në gjuhën shqipe!!!

Ligji, në vendin tonë të paradokseve, nuk e lejon një arsimtar me shkollë të lartë, të emërohet drejtor i një kolektivi me 10-15 arsimtarë, Në anën tjetër, ligji lejon që të emërohet një ambasador në SHBA me përgatitje shkollore të mesme.!!!
Paradokset tona nuk kanë të ndalur.
Baseni më i madh në Evropë i thëngjillit është pikërisht në Kosovë, ndërsa ne e paguajmë rrymën më të shtrenjtë, edhepse reduktimet vazhdojnë edhe 15 vjet pas lufte. Një miku im, duke dashur të mburret me pasurit natyrore që i ka Kosova, një të huaji që punonte në Kosovë i kishte thënë: – Ne kemi rezervat më të mëdha të thëngjillit në Evropë. Pa një pa dy e kishte marrë përgjigjen: – Çka po ju duhet ai thëngjill, ju nuk keni ngrohje, ju nuk keni drita!
Logjikisht, policia do të duhej të ishte institucioni më i besueshëm në vend. Mirëpo, meqë vendi ynë është vend i paradokseve, populli nuk ka besim në polici. Nëse vidhen dhomat e dëshmive (në Prishtinë e Pejë), nëse vidhet fondi i destinuar për prodhimin e pasaportave etj. etj., si mund të besojmë se këta policë do të na mbrojnë nga hajnat e kriminelët?!

Vendet e rezervuara për deputetët e pakicave në Kuvendin e Kosovës, janë një tjetër paradoks që njeriut ia ngacmon ulcerën e ia vështirëson frymëmarrjen. Të gjithë këta kanë marrë pjesë në krimet mbi popullsinë civile në Kosovë, dikush drejtpërdrejtë e dikush tërthorazi. Pas çdo lufte agresori është ndëshkuar, mirëpo te ne ‘rregulli’ i paradoksit kërkon të kundërtën. A ka Kosova burra që e ndalojnë këtë ‘rregull’ mazohist? Kjo po na kushton tepër. Me këtë ‘rregull’ të dëmshëm është infektuar edhe Misioni Evropian Për Sundimin e Ligjit EULEX-i.
Po çka po bën EULEX-i?

Asgjë të veçantë. EULEX-i vetëm po zbaton ‘rregullin’ e paradoksit që e ka gjet te ne. Policët, prokurorët dhe gjykatësit e EULEX-it me ngulm po hetojnë, në mos dikujt po i mungon ndonjë ble flokësh në mënyrë që pastaj ta gjejnë ndonjë komandant të UÇK-së për ta akuzuar për krime lufte, apo në mos dikush e ka marrë ndonjë flakaresh prej ushtarëve të UÇK-s për bashkëpunim me policinë serbe, në mënyrë që pastaj t’i vërsulen komandantëve të UÇK-s duke i akuzuar për krime lufte! Të gjitha aktakuzat e prokurorit Salustro deri më tani kanë dalë të jenë inskenime të dështuara, dhe askush nuk del me i thanë; hajde baco, mbathja prej nga ke ardhë. Jo, nuk po them se duhet me i thanë dikush i yni, se kjo është punë që nuk bëhet sepse, ne e ruajmë traditën e mikpritjes, po as ata të Evropës nuk po i thonë. Me siguri edhe ata e dinë rregullin e paradoksit te ne…!!!
Kushedi sa situata paradoksale do të më vargoheshin në mendje sikur ezani i namazit të drekës që vinte nga xhamia e Sinan Pashës të mos ma ndërprente këtë udhëtim të trisht. Ashtu i strukur nga të ftohtit, me gazetën nën sqetull, kokulur e me krenari të mposhtur, u nisa për në shtëpi pa ia ndier shijen kafes të cilën kisha harruar ta paguaja. kështu padashtas u rreshtova në vargun e paradokseve tona të pafundme.

 

LDK-ja në Prizren, pikë e pestë

0

LDK-logo5-23Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Prizren është bërë pikë e pestë, pas humbjes së zgjedhjeve të 3 nëntorit.Një pjesë e anëtarëve të Kryesisë dhe nëndegëve të këtij subjekti politik, fajësojnë kryetarin e Degës, Eqrem Kryeziun, për humbjen e zgjedhjeve në Prizren.Ata publikisht kanë kërkuar nga Kryeziu, që të tërhiqet nga pozita e kryetarit të Degës dhe të lëshojë rrugë për reformimin e partisë. Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Eqrem Kryeziu, ndërkaq nuk i ka përfillur kërkesat e tyre për dorëheqje. Ndonëse ka deklaruar se do të analizojë pensionimin e tij politik, deri më tash nuk ka marrë asnjë veprim në këtë drejtim. Për këtë çështje, Kryeziu madje nuk ka folur asnjë fjalë.

Burimet e “PrizrenPress-it” brenda LDK-së bëjnë të ditur se Eqrem Kryeziu nuk është duke planifikuar të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Degës në Prizren, pa përfunduar reformimi i partisë nga nëndegët.

“Eqa nuk e ka në plan të largohet dhe të lëjë partinë në duar të askujt. Ai është i interesuar që vitin e ardhshëm të fillojë procesi zgjedhor i reformimit nga nëndegët dhe të përfundojë tek kryetari”.

Përçarjet brenda LDK-së në Prizren, kanë reflektuar në seancën e parë të betimit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Mujës. Një pjesë e këshilltarëve të LDK-së, iu kanë bashkuar partive të tjera opozitare dhe kanë bojkotuar betimin e Mujës,ndërkaq që një pjesë tjetër kanë qëndruar në seancë.

Ish- shefi i GP-së së LDK-së për dy mandate, Haziz Hodaj, bashkë me një pjesë tjetër të asamblistëve të këtij subjekti politik, nuk e ka bojkotuar betimin e Ramadan Mujës. Ai thotë se në LDK nuk është biseduar për këtë çështje dhe si të veprohet në seancë.

”Nuk kemi qenë të informuar,askush nuk ka biseduar me ne”.

“Gjithmonë ka qenë praktikë që para seancave të takohemi. Është dashtë që Kryesia që të bëjë një gjë të tillë, pasi që ende nuk janë formuar grupet punuese. Kjo ka qenë arsye e vetme, sepse po të kishim pasur një marrëveshje sigurisht se do të kishim qenë unik në betimin e Mujës”.

Hodaj shpreson se ajo që ka ndodhur me LDK-në në seancën inauguruese të betimit të Ramadan Mujës, është bërë qëllimisht nga individ të caktuar.
“Nuk dëshirojmë që kjo të ketë qenë ndonjë skenar i qëllimshëm nga ndonjë individ që pretendon të udhëheqë trupin e LDK-së”.

Zëdhënësi i LDK-së në Prizren, Nderim Gashi thotë se veprimet e këshilltarëve të Asamblesë Komunale për (mos)bojkotimin e betimit të Mujës kanë qenë individuale.
“Ne ia kemi lënë secilit asamblistë që të veprojë sipas ndërgjegjes së tyre. Gjysma janë treguar të vetëdijshëm se Muja është një i pandehur, ndërsa gjysma jo”. Gashi thotë se për seancat e ardhshme, do të koordinohen veprimet e këshilltarëve të Asamblesë Komunale.

“Sigurisht që në të ardhmen do të koordinohen veprimet”. /PrizrenPress.com/

Fitore pa pushtet

0

SalimJonuziSalim Jenuzi dhe PDK-ja në Sharr, në zgjedhjet e fundit lokale, fituan edhe një mandat për të qeverisur komunën e Sharrit.Fitoren Jonuzi e siguroi për të tretën herë në balotazhin e 1 dhjetorit, përballë kandidatit të LDK-së,Fatmir Mehmeti.

Për të arritur deri të fitorja, ai në balotazh ka mbledhur rreth vetit në koalicion edhe pesë subjekte të tjera politike, në mesin e tyre edhe CDU-në

Burimet e “PrizrenPress-it”, bëjnë të ditur se koalicioni i PDK-së me CDU-në, po i shkakton probleme kryetarit Salim Jenuzit, në formimin e qeverisë së re në Sharr. Ai nuk është duke mundur që të ndaj ‘kulaçin” e pushtetit në mes të partive politike në koalicion dhe PDK-së.

“Jenuzi ka ra në hall të mëdha se kujt çka t’i jep. CDU ia ka prish balancën, që ka pasur edhe me partitë e tjera”,tregon burimi i “PrizrenPress-it”.Sipas të njëjtit burim, pakënaqësi për numrin e madh të partive në koalicion kanë shprehur edhe anëtarët brenda PDK-së.

” PDK-ja në Sharr ka filluar ta shoh vetën pa pushtet. Pesë partitë politike në koalicion, ndërkaq nuk heqin dorë nga marrëveshja që kanë arritur në balotazh”.

Ekzekutivi i Komunës së Sharrit përbëhet prej tetë drejtorive. Ndërkaq, PDK-ja në balotazh, ka lidhë koalicion me pesë subjekte politike, AKR-në,AAK-në,”Vakat”,GIG dhe CDU-në. Në opozitë kanë mbetur vetëm LDK-ja dhe Bashkimi Demokratik.

Kryetari Salim Jonuzi pranon se ende nuk e ka arritur të formojë me partitë e koalicionit, qeverinë e re. Ai premton se shumë shpejt do të ndodhë një gjë e tillë.”Jo nuk e kam formuar qeverinë e re. Është punë e imja kur e formojë”,ka thënë shkurt Jonuzi për “PrizrenPress”. Jenuzi në balotazhin e 1 dhjetorit ka dal fitues përballë kundërkandidatit të LDK-së, Fatmir Mehmeti. Ai do të jetë kryetar i Sharrit edhe për një mandat katërvjeçar./PrizrenPress.com/

 

 

Dialogu e lë Kosovën pa ushtri

0

FSK12-16Shpërbërja e formacionit ilegal “Mbrojtja civile” dhe transformimi në strukturë legale mund t’i kushtojë Forcës së Sigurisë së Kosovës me zvarritje të mëtutjeshme në ambiciet për t’u shndërruar në Ushtrinë e Kosovës. Qeveria dhe ministri i FSK-së, Agim Çeku, ishin shumë optimistë në fillim të vitit se kjo forcë do të shndërrohej gjatë vitit 2013 në ushtri.

Por, tani vlerësohet se analizat e tyre ishin të mangëta. Në rrafshin ndërkombëtar, FSK ende nuk e ka miratimin e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s për t’u pavarësuar nga KFOR-i, si parakusht për t’u shndërruar në ushtri. Pengesat vijnë nga vendet që nuk e njohin shtetin e Kosovës,shkruan Tribuna

Kurse së fundi, pengesa shtesë po paraqet edhe dialogu i Brukselit. FSK, sipas këtij dialogu dhe marrëveshjeve të arritura, mbetet forcë e kufizuar, pa liri të lëvizjes e të qarkullimit në veri dhe se atje mund të shkojë vetëm me lejen e KFOR-it dhe ftesën e institucioneve të serbëve lokalë, edhe atë e paarmatosur. Shtrirja e FSK-së në veri tani po ndërlidhet edhe përmes një rruge tjetër. Asaj të transformimit të formacionit ilegal “Mbrojtja civile”, përkatësisht marrjes së disa pjesëtarëve nga ky formacion në radhët e Forcës Mbrojtëse të Kosovës.

‘New York Times’: Thaçi guerrilas, s’merr dot ‘Nobel’, ish-luftëtarët e quanin gjarpër

0

Thaci7-03Sipas gazetës së njohur amerikane, “New York Times”, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nuk mund të vlerësohet me çmimin “Nobel”. Ai cilësohet si një ish-guerrilas i pamëshirshëm, që urdhëronte arrestime e vrasje. Prestigjiozja amerikane ka botuar një shkrim pesë muaj më parë, në të cilin paralajmërohej kandidimi i mundshëm i Thaçit dhe i Kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, për çmimin “Nobel”. Lajmi shoqërohej edhe me një profil të kryeministrit kosovar me titull “Thaçi aspiron të bëhet burrë shteti, por e përndjek e kaluara e tij si guerilas”.

Në artikullin e “New York Times” shkruhet se ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe diplomatët perëndimore thonë se ai ka qenë një udhëheqës i pamëshirshëm i UÇK-së, që urdhëronte arrestime, vrasje dhe përndiqte rivalët e mundshëm të tij. “Luftëtarët e tjerë e quanin “gjarpër”, shënohet në fillim të artikullit. Sipas gazetës, këto janë arsye që e bëjnë të pamundur për Thaçin, vlerësimin me çmimin e paqes. Po ashtu edhe Daçiç, nuk shikohet si një ‘nobelist’ i mundshëm. Gazeta liston një sërë titujsh që tregojnë situatën e vështirë në Kosovë e Serbi, duke e konsideruar të pamundur vlerësimin e krerëve të këtyre dy shteteve. “Serbia shteti më i korruptuar dhe kriminalizuar në Evropë”, “Kosova, shteti më i korruptuar”, “Zbulohen varreza masive në Serbi”. “Nënat kosovare kërkojnë eshtrat e mbi 1700 bijve të tyre në Serbi, “Në Kosovë papunësia më e madhe në Evrope”, “Interpol: Serbia dhe Kosova, rajone të trafikut të drogës dhe prostitucionit”, janë këta tituj që kemi hasur në shtypin vendor dhe perëndimor, por edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare qoftë në OKB, OSBE, BE apo nga Interpol”, shkruan “NYT”.

Tri ditë më parë një grup ligjëvenësish amerikanë emëruan Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, si dhe shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton si kandidatë për çmimin ‘Nobel’ të Paqes për vitin 2014. Në njoftimin e përbashkët të ligjëvenësve thuhej se tre zyrtarët duhen nderuar me çmimin ‘Nobel’ për rolin e tyre kritik për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë.

REAGIMI
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka vlerësuar shumë faktin që është nominuar për çmim ‘Nobel’ për Paqe nga Kongresi Amerikan. Megjithatë, ai është shprehur se ky çmim nuk i takon vetëm atij, por të gjithë qytetarëve të Kosovës, të cilët i quan heronj të vërtetë të heshtur dhe heronj të Nobelit të lirisë. “Pavarësisht ç’ka ndodh më tutje, ‘Nobel’-in për Paqe, heroizëm, qëndresë e pjekuri, më shumë se kushdo tjetër e meritoni ju, qytetarë të Kosovës. Çdo vendim politik që kam marrë në jetë, sado i vështirë e jopopullor të ketë qenë ai në momente të caktuara, e kam marrë duke pasur parasysh interesat e Kosovës dhe të kombit tim. Një shpresë e rilindur, një mundësi më e mirë për të ardhmen e fëmijëve tanë ka qenë dhe mbetet motivi im i vetëm jetësor dhe politik”, është shprehur Thaçi në rrjetin social “Facebook”.

Haradinaj: Nuk i respektoj flliqtanat me mjekërra

0

Ramush Haradinaj 1

(E plotësuar) Ramush Haradinaj i është kthyer edhe temës së fesë. Ai ka thënë se e respekton besimin atuokton, por jo edhe njerëzit e ndytë me mjekërra.

“Nuk i respektoj flliqtanat me mjekrra”, ka thënë Haradinaj, shkruan Express.

Ai ka thënë se i respekton të gjitha besimet fetare në Kosovë, por qytetarët e këtij vendi janë shqiptarë.

 

Haradinaj: Në zgjedhje SHIK-u i PDK-së ka qenë aktiv sikurse SHIK-at e partive tjera

Ramush Haradinaj i është kthyer temës së SHIK’ut. Ai ka thënë se në zgjedhjet e fundit Shërbimi Informativ i Kadri Veselit ka qenë aktiv. Ai ka lëshuar akuza se edhe SHIK’at e partive tjera kanë qenë aktive kundër AAK’së. Sidoqoftë, Haradinaj ka thënë se partia e tij nuk do të votojë nesër buxhetin e Shtetit.

Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj ka thënë se SHIK’u i PDK’së ka qenë aktiv në fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale.

“Ish-SHIK’u i PDK’së ka qenë akvit. Edhe SHIK’at e partive tjera kanë qenë aktive”, ka thënë Haradinaj në RTK, shkruan Express.

“Edhe kuzhinat e SHIK’ut kanë me u mbush mend. Një ditë kanë me rënë vetë”, ka shtuar ai.

Haradinaj ka thënë se AAK do të reflektojë për rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit lokale.

Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj ka thënë se partia e tij nuk do t’ia mundësojë Qeverisë së Kosovës shumicën në Kuvendin e Kosovës.

“Kemi dëshirë mos me praktiku largimin nga senaca. Nuk mundemi me ndejt në seancë në rast se prezenca jonë e ndihmon kurorumin e Qeverisë”, ka thënë ai.

“Ata duhet të kenë shumicën në Kuvend”, ka shtuar ai.

Ai ka konfirmuar se vota e AAK’së do të jetë kundër buxhetit.

“Kjo votë do të jete negative”, ka shtuar ai.

Ai ka dhënë edhe disa aryse se pse do të votojnë kundër buxhetit të vitit të ardhshëm.

“Buxheti nuk premton zhvillim ekonomi. Është një buxhet i një vazhdimësie dhe kolegët tonë deputetë kanë shumë vërejtje”, ka thënë Haradinaj.

Shoqëria civile, deputetëve: Votoni me përgjegjësi

0

KuvendiKosoves5-27Kuvendi i Kosovës këtë të enjte do të ketë reprizë të situatës që ndodhi në 2011 ku qeveria e Kosovës nëpërmjet buxhetit tentoi në mënyrë të kundërligjshme të privatizonte PTK-në. Kështu vlerëson Shoqëria Civile për të cilët veprimet e qeverisë po bëhen në kundërshtim me ligjin e ndërmarrjeve publike. Madje për ta kuvendi do të duhej të ndjehej i turpëruar dhe nuk do të duhej të pranonte një diskutim të tillë.

Driton Selmanaj nga KDI ju bën thirrje publikisht të gjithë deputetëve të kuvendit që t’i thërrasin ndërgjegjes dhe të mundohen të arrijnë një konsensus për të ndaluar si të tillë këtë privatizim.

“Nëse kuvendi i Kosovës dhe qeveria e Kosovës duhet të jenë shembull se si mbrohet ligjshmëria në vend, e kanë rastin të dëshmojnë tani. Unë mendoj së këto institucione nuk duhet të binë pre e programeve dhe interesave të ngushta të ndonjë subjekti politik në dëm të kushtetueshmërisë së vendit. Nëse kuvendi i Kosovës do të ishte shembull për vendime të jashtëligjshme atëherë çfarë do të ishte mesazhi për institucionet dhe shoqërine në përgjithësi”, tha Selmanaj për KTV-në.

Ndërkohë për Avni Zogianin nga Organizata Çohu, kjo është lojë që po vazhdon moti dhe një arenë ku po përplasen forcat e ekzekutivit me kuvendin.

“Mua më vjen turp kur e shoh që për të 4-5 herë qeveria po mundohet të bëjë prapë të njejtën turpërim të kuvendit duke provuar që ta detyrojë atë që në mënyrë joligjorë t’a kalojë një dokumentë siç është privatizimi”, tha Zogiani.

Për Zogianin problem nuk është vetëm privatizimi i PTK-së por edhe nënshtrimi i plotë i kuvendit kur pritet shpejt në kuvend të kalojnë gjëra të papranueshme sikurse ndryshimet kushtetuese që lidhen direkt me negociatat me Serbinë.

“Onufri” në jubileun e njëzetë, tre kosovarë në garë

0

Elozhe Dushi-MitEdicioni i ekspozitës “Onufri” në vitin e njëzet prezanton 12 artistë nga Shqipëria, Kosova, Italia, Egjipti. Nga 26 dhjetori deri më 2 shkurt, në Galerinë Kombëtare të Arteve art multimedial që reflekton ndryshimet dhe dyshimet e dhjetëvjeçarëve të fundit.

Jemi pak para “Onufrit”. Ekspozita e artit pamor me shumë halle në vite, në edicionin e saj jubilar është një “Elozh dyshimit”. I kuruar nga Claudio Cravero që udhëtimin në verën e shkuar në Shqipëri e ktheu në ide për 12 pjesëmarrësit.

Thirrja për pjesëmarrje ka qenë vonë dhe e shkurtër për shkak të ndryshimeve drejtuese që kapën dhe Galerinë Kombëtare, por stafi kuratorial thotë se mbërritën te kjo 12 artistësh duke skualifikuar ata që e kanë futur artin e tyre në klishetë e modave sociale politike dhe kanë zgjedhur artistë si Silva Agostini, Irgin Sena, Ergin Zalonshnja të cilët dyshimin si filozofi e kohës e kanë patur natyrshëm pjesë të kërkimit të tyre, transmeton abcnews.

Nga Kosova marrin pjesë Alban Muja me videoprofilin e Hitlerit, një veteran i luftës së Kosovës, Driton Selmani me një botë armësh, Flaka Haliti me protestën e brishtë për qarkullim të lirë.

Ceremonia e çmimeve mbahet më 30 dhjetor dhe ekspozita rri e hapur deri më 2 shkurt.

Çeku mohon kabllogramet e Wikileaks

0

AgimCeku5-30

(E plotësuar) Agim Çeku e ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë kërkuar që Kosova të ketë Parlament Dydhomësh, njërën dhomë për deputetë serbë dhe tjetrën për deputetë shqiptarë gjatë kohës sa ai udhëhiqte kryeministrinë. Një gjë të tillë ai e ka bërë të ditur për portalin publiku.net, duke hedhur poshtë konkluzionet e tilla.

“Absolutisht nuk është e vërtetë. As që më kujtohet të kem biseduar me dikë lidhur me këtë çështje. Kategorikisht e mohoj një gjë të tillë”, ka thënë Çeku.

Wikileaks: Çeku kishte pranuar Parlament Dydhomësh në Kosovë

Ish-kryeministri i vendit, Agim Ceku, në kohën sa e udhëhiqte Qeverinë e Kosovës ishte pajtuar që Kosova të ketë Parlament Dydhomësh, njërën dhomë për deputetë serbë dhe tjetrën për deputetë shqiptarë.
Kështu thuhet në një kabllogram të Ambasadës Amerikane (ish-zyrës amerikane), botuar nga Wikiliks.
Siç shkruan aty, ideja kishte ardhur nga këshilltari i tij serb joformal nga Kroacia, Milorad Pupovac, emri i të cilit është mbajtur fshehur nga Kabineti i atëhershëm i Çekut.

Pupovac është një nacionalist serb që jeton në Kroaci, ku e udhëheq Këshillin Nacional Serb, të ngjashëm me Këshillin Nacional Serb që vepron në veri të Kosovës.
Ndërkaq, kryeministri i atëhershëm i kishte dhënë përkrahje maksimale idesë që Kosova ta ketë një Parlament, të atillë çfarë e ka Bosnja, por kishte dashur që gjithçka të mbahet e fshehtë nga qytetarët e Kosovës.
Në kabllogram thuhet se tek qarqet ndërkombëtar ideja ishte dhënë nga ish-politikani serb, Nenad Radosavljeviç, i cili “përpos punës së tij si pronar dhe drejtor i TV Mir, gjithashtu ka sugjeruar disa mekanizma, për të cilët ai kishte thënë se do t’i siguronte serbët e Kosovës që në mënyrë efektive të marrin pjesë në institucionet e post-statusit”, transmeton indeksonline.

Ai kishte propozuar që të themelohet Asambleja mbarë Serbe në Kosovë menjëherë pasi të jetë deklaruar statusi, e cila më pas do t’i propozonte kandidatët për “dhomën e komuniteteve” në një Parlament të ri Dydhomësh të Kosovës.
“Kryeministri Çeku është duke e përkrahur në mënyrë diskrete nëpërmjet këshilltarit të tij serb nga Kroacia, Milorad Pupovac. Ne e inkurajuam Radosavljevicin (ish-politikanin serb) që të takohet dhe t’i diskutojë idetë e tij me kryeministrin Çeku, i cili më pas u pajtua”, shkruan në kabllogram.
“Propozimi nuk është ndryshe nga një Kongres mbarë-Serb i cili në mënyrë diskrete është duke u organizuar të ndodhë në dhjetor nga deputeti (serb) i Kroacisë dhe këshilltari jo-formal i kryeministrit Çeku, Milorad Pupovac. Kryeministri Çeku së voni i kishte thënë ambasadorit të atëhershëm amerikan, Wisner, se e përkrah planin e Pupovacit (këshilltarit të tij) si mënyrë për t’i integruar serbët, por ai deshi që kjo çështje të mbahet në një distancë diskrete në mënyrë që mos të njolloset projekti”, thuhet në kabllogram.
Rreth pranimit të Parlamentit Dydhomës nga Çeku në vitin 2006, gjegjësisht në kohën kur ende nuk ishte caktuar statusi final i Kosovës, të mërkurën ka reaguar analisti politik, Shpend Kursani.

Në profilin e tij në Facebook, ai është shprehur i shqetësuar se si në kohën kur po zhvilloheshin negociatat e Vjenës ish-kryeministri Çeku me aq lehtësi kishte qenë i gatshëm që Kuvendin e Kosovës ta ndajë në dy dhoma legjislative
“Këtë ide Agim Çeku ishte munduar ta nëpërmjet Milorad upovac, nacionalistit serb në Kroaci i cili e udhëheqë Këshillin Nacional Serb në Kroaci – formacion i ngjashëm me Këshillin Nacional Serb në veriun e Kosovës që është çerdhe e DSS (Koshtunices), SRS (Sheshelit), SNS (Vucicit), e që udhëhiqet nga Nebojsha Jovici i cili e kundërshton Kushtetutën e Kosovës edhe sot”, shkruan Kursani në Facebook.
Ai e përmend edhe faktin se në kabllogram thuhet gjithashtu se Pupovac sipas ish-ambasadores amerikane, Tina Kaidanow ka qenë këshilltar jo-formal i ish-kryeministrit Çeku, i cili tash është ministër i Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, përkatësisht, përgjegjës për mbrojtjen e Kosovës nga jashtë.

Në vegzen e mëposhtme mund të lexohet kabllogrami i plotë për Çekun, ish-këshilltarin e tij sekret, dhe pranimin e Parlamentit dydhomësh.

http://www.wikileaks.org/plusd/cables/06PRISTINA924_a.html

Fan Noli/ Katër gota raki për t’i shkruar një letër mikut të vjetër, gazetarit Milto Sotir Gurra

0

Fan NoliMë 5 janar të vitit 1919, kohë në të cilën Noli ishte administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA, i shkruan një letër mikut të tij gazetarit Milto Gurra. Një letër të cilën nis e shkruan me një shishe raki përpara, të cilën ia kishte dhuruar pas meshës një shqiptar. Kishte kaq kohë që donte t’i shkruante mikut të tij, dhe vetëm kur ktheu gotën e parë të rakisë, e më pas tjetrën e tjetrën, u ndje i çliruar të shkruante të gjithë ato çfarë kishte në zemër, duke mos fshehur dhe trishtimin dhe pasigurinë që ndjente në atë periudhë. Letrat kanë qenë një mënyrë që Noli, por dhe bashkëkohës të tjerë të tij zgjidhnin për të komunikuar me njëri-tjetrin. “Se i vetmi ilaç në të cilin besojnë shqiptarët, është rakia. Dhe qenka ilaç me të vërtetë. Vetëm dy kupa dhe m’u ndreq shëndeti: dëshpërimi i lëshon vend një lumturie ëndërrore; buzëvarja ikën e ndjekur prej buzëqeshjes dhe pastaj e bombarduar prej hargalisjes; e sotmja s’më duket aq e keqe, dhe për nesër ka Perëndia. Dhe më e mira është që me një kupë të tretë mund të ndreqen të gjitha punët…”, shkruan Noli në letrën drejtuar mikut të tij. Teksa tregon se ndihet i lodhur nga punët, Noli me humor shkruan se të nesërmen do të pijë sërish një gotë raki, të marrë frymëzimin për punët e tjera që i ka lënë në gjysmë. Por duket se gjërat nuk shkojnë keq pas kësaj letre për personalitetin e njohur shqiptar. Vetëm 7 muaj më pas, më 27 korrik 1919, ai u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, që tashmë ishte dioqezë e pavarur. Një vit më pas, duke pasur parasysh rritjen e figurës së Nolit si udhëheqës politik e fetar i bashkësisë shqiptare dhe si shkrimtar, orator dhe komentator politik i talentuar, ishte e logjikshme që ai të zgjidhej kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarësonte Shqipërinë më 17 dhjetor 1920.

Gazeta The Manchester Guardian, në një koment më 23 korrik 1924, e përshkruante Nolin si një burrë që do të kishte qenë i shquar në çdo vend. Diplomat i përkryer, ekspert i politikës ndërkombëtare, mjeshtër i debatit, që prej fillimit ai la mbresa të thella në Gjenevë. Me shumë mjeshtëri, por gjithmonë me buzë në gaz, ai i vuri me shpatulla pas murit të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas. Ai është një njeri me kulturë të pamasë, që ka lexuar çdo gjë që ia vlen të lexohet në anglishte dhe frëngjishte. Gjatë gjithë viteve të jetës së tij aktive letërkëmbimi, përbën një nga komponentët më të rëndësishëm të burimeve vetjake të Fan Nolit. Ai paraqitet i pranishëm në çdo etapë të jetës, si pjesë e pandarë e veprimtarisë së tij poliedrike. Fan Noli gjatë jetës shkroi me mijëra letra. Sigurisht, këtë punë ai nuk e bëri si shkrimtar. Por duke qenë edhe i tillë, letrat në radhë të parë u diktuan nga kërkesat e kohës, nga detyrat historike dhe nevojat e ditës. Me anë të tyre, veç rrugëve të tjera, ai do të komunikonte me shokët e luftës dhe të punës, do të mbante ato lidhje aq të domosdoshme me botën shqiptare, por dhe me atë të huaj. Letërkëmbimi i Fan Nolit shtrihet në një periudhë kohore afro gjashtëdhjetëvjeçare (1906-1965). Por pasqyra më e plotë e letërkëmbimit të pasur e të gjerë të Nolit janë të dhënat që na ofron Biblioteka Fan Noli, e krijuar më 1970 pranë shkollës së Kryekatedrales Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston, ku gjendet dhe fondi i korrespondencës, me 3000 letra dërguar Nolit në vitet 1930-1965 dhe rreth 100 kopje letrash të shkruara prej tij. Milto Sotir Gurra, të cilit i adresohet kjo letër është me prejardhje nga një krahinë e Korçës. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në emigrim, duke nisur nga Odesa, Amerikë, Stamboll, Sofje dhe Konstancë.

Ai ka bashkëpunuar aktivisht me shumë organe shtypi kombëtare e letrare në mërgim shpesh me pseudonimet Nomadhi, Gjon Zeza dhe D.Toçkas. Ndërkaq, vetë qe botues apo bashkëbotues i një numri revistash të tilla si i organit politik e letrar Atdheu të Konstancës më 1912 dhe të Durrësit më 1914, i së përmuajshmes Shkëndija të Korçës më 1921, i organit satiro-humoristik Zegthi të Korçës më 1922, dhe i së përdyjavshmes Zëri i Popullit të Korçës më 1922. Në këto organe Gurra botoi tregimet e para, më të mirat e të cilave qenë shkruar gjatë viteve që jetoi në Rusi. Në vitin 1938 ai botoi librin me tregime “Plagët e kurbetit”. Një kontribut Gurra ka dhënë dhe në përkthimin e letërsisë ruse. Ai ka sjellë në shqip vepra në prozë të Turgenievit, Toltoit, Çehovit, Gorkit etj.

 

 

Letra drejtuar Milto Sotir Gurrës

Boston, Mass, 5 janar 1919
I dashur mik,
I lodhur nga shpirti dhe nga trupi, i plakur përpara kohës, i thyer nga shëndeti, me luftë dje dhe me luftë nesër, me një rrezik të ri përpara posa lashë tjetrin pas, me detyrën e tmerruar të sulem e të udhëheq kur këmbët e rënduara dëshirojnë shtrirje, ndodhem në situatën e njeriut të torturuar, që përpiqet ta fshehë mjerimin e tij moral dhe fizik dhe shtrëngon dhëmbët me një fort të fundme nga frika se mos i shpëton një ulërimë e përmbytur e dëshpërimit.
Pas kësaj parafjale, tragjike, në e besofshi, melodramatike, në dyshofshi me nënqeshje, merrni vesh përse më rëndohet pena dhe përse kam heshtur. S’kam qenë mirë dhe s’ma ka kënda për asgjë. Me gjithë që më kini kujtuar me katër letra, dhe me gjithë që s’gjeja në asnjë çip të zemrës as hijen e ndjesës për heshtjen time, prapë- e rrëfej :- do të mos ju kisha shkruar, sikur të mos më zbriste papritur një frymëzim, në formën dykupësh rakie prej rrushi, të cilat më dhanë forcën të mbaroj këtë detyrë të harruar përpara një miku të vjetër. Shishen e çmuar e kam përpara. E vogël për fat të zi, por ka edhe disa kupa brenda, kupë që shtrojnë nervat, që kullojnë gjakun, që shërojnë të sëmurin, që ngjallin të vdekurin. Ma fali sot një besnik zemërdhembshur, pasi mbaroi mesha. Besniku e di që unë s’pi, por ma dha për ilaç. Se i vetmi ilaç në të cilin besojnë shqiptarët, është rakia. Dhe qenka ilaç me të vërtetë. Vetëm dy kupa dhe m’u ndreq shëndeti: dëshpërimi i lëshon vend një lumturie ëndërrore; buzëvarja ikën e ndjekur prej buzëqeshjes dhe pastaj e bombarduar prej argalisjes; e sotmja s’më duket aq e keqe, dhe për nesër ka Perëndia. Dhe më e mira është që me një kupë të tretë mund të ndreqen të gjitha punët.
O burrani! Nën flamurin e Shahinit trimëria më shtohet, bëhem zjarr e shpuzë! Të kam gjetur, or Milto! Më duket sikur të shoh përpara përmes mjegullës diafane, me të cilën më rrethoi fuqia magjike e ilaçit të vilajetit. Që të kthjellohet koka dhe të më çelen sytë, rrëmbej kupën e katërt, se ashtu këshillojnë theriaklinjt tanë, të shtruar këmbëkryq, që pinë me njërën dorë dhe ia kërcasin me tjetrën! Dhe tani të humba fare! Po kudo që të jesh mos pandeh se të harrova. Të kam kujtuar këtu e ca ditë në Mançester, ku u poqëm herën e parë. Një ditë shkova ca çaste të lumtura duke kënduar legjendën “Plaku i moçëm”. Po këtu duhet të mbaroj se m’u errën sytë dhe nisi të më dhëmbë koka. U mor vesh që ilaçi i mjekëve tanë me kallca dhe me silah s’bëka për mua. Megjithëkëtë prapë mbaroj një punë, se ja ku të shkrova këtë letër me gjallërinë më fluturake që më dha. Nesër do ta provoj edhe një herë kush e di, mund të bëj prapë ndonjë çudi. Gjer atëherë natën e mirë! Ju faleminderit me gjithë zemër për fjalët e mira që më shkruani dhe përkrahjen besnike që më keni dhënë. Qofshi shëndoshë!
Ju përshëndosh vëllazërisht dhe mbetem Juaji me besë
F.S. Noli
Peshkop F.S. Noli