7.4 C
Prizren
E enjte, 30 Prill, 2026
Home Blog Page 8850

U harruan 1.4 milionët e MPB-së!

0

VeliaPavarësisht faktit se tetë persona janënë bankën e të akuzuarve për zhdukjen e 1.4 milionë eurove të MPB-së, zvarritja e këtij procesi e zbeh mundësinë që paratë ndonjëherë t’i kthehen Qeverisë.

Një aferë që e tronditi Kosovën një vit më parë, ajo e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ku u tretën si “kripa në ujë” 1.4 milionë euro të destinuara për furnizim me pasaporta biometrike, po vazhdon të mbetet në “margjina”, nga aspekti politik. Pavarësisht se për këtë skandal që u bë toplajm edhe i medieve ndërkombëtare po ballafaqohet në gjykatë Natali Velija dhe tetë të akuzuar të tjerë.

Megjithatë kjo shumë e parave të “zhdukura” duket se do t’i transferohet si barrë qeverisë së ardhshme, ndërsa analistët thonë se është shumë vështirë të kthehen ato para, aq më shumë kur ky proces po zvarritet. Pas një viti në paraburgim dhe nga arrestimi i saj, Velija doli para gjykatës si e akuzuar për herë të parë më 21 nëntor të këtij viti, shkruan Zeri.

Zgjatja e proceseve gjyqësore në vend, jo pak të ndihmuara dhe me legjislacion krijon përshtypjen e pafajësisë së të akuzuarit dhe zbeh dyshimet për fajësinë e tij. Kjo po ndodh që nga paslufta në vend. Të akuzuarit për korrupsion më shumë denoncohen nga mediat dhe mbesin në kronikat e lajmeve të zeza, kurse nga gjykatat lëndët e këtyre rasteve rrinë me vite nëpër sirtarë.

Serbia bllokon zhvarrimet në Rashkë

0

Varreze masiveJo pak keqtrajtim i ishin bërë palës kosovare gjatë përpjekjeve për të zbuluar varrin masiv në Rashkë të Serbisë. Fillimisht pala serbe i kishte mohuar krejtësisht dyshimet dhe vetëm pas sjelljeve të imazheve satelitore të periudhës së luftës, shteti serb u detyrua që të lejojë gërmimet në zonen që sot është e mbuluar me beton e objekte të tjera.

Por kur varreza masive është gjendur, një tjetër sfidë nisi për autoritetet kosovare dhe familjarët e viktimave të mundshme. Beogradi zyrtar refuzoi që mbetjet mortore të viktimave të zbuluara së fundmi të sillen në Prishtinë për autopsi, duke lënë në pikëpyetje nëse pala kosovare ka të drejtë të jetë apo jo e pranishme në procesin e zbulimit të trupave.

“Këtu është Serbi, funksionojnë ligjet e shtetit serb dhe nuk ka as Amerikë dhe as EULEX”, citohet të ketë thënë gjyqtari serb nga drejtori i Departamentit të mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, në takimin e radhës së komisionit qeveritar për personat e pagjetur, transmeton TCH.

Kjo qasje është e papranueshme për palën kosovare, e cila kërkoi zyrtarisht nga Beogradi që të lejojë jo vetëm prezencën e palës kosovare dhe ndërkombëtare gjatë gërmimeve, por edhe gjatë kryerjes së autopsisë në institutin e Begoradit. Në të kundërt, proçedurat e verifikimit do të kryhen edhe në Prishtinë.

Festat e fundvitit dhe periudha e dimrit çuan në ndërprerjen e punimeve në Rashkë dhe duhet një vendim tjetër i palës serbe për të vazhduar puna.

Përfaqësuesi ndërkombëtar i Departamentit të mjekësisë ligjore kërkon që objekti, i cili dyshohet se u ndërtua mbi trupat e shqiptarëve të vrarë, të zhvendoset. Ai kërkoi që mbetjeve mortore të zbuluara t’u bëhet sa më shpejt autopsia jo vetëm për të përmbushur aspektin humanitar, por edhe atë hetues.

Të shqetësuar janë familjarët e të pagjeturëve, të cilët shprehen hapur se kanë dyshime në fshehjen e trupave nga Beogradi nëse pala kosovare dhe ndërkombëtare nuk lejohen të marrin pjesë në proces.

Autoritetet në Prishtinë shprehen të rezervuara përsa i përket numrit të viktimave, por thuhet se është një numër i madh i mbetjeve mortore. Deri më tani është thënë se janë zbuluar katër trupa. Autopsia e tyre po kryhet në Beograd.

Vepra e artistit kosovar regjistrohet në Librin e Ginisit

0

Mozaiku vleraveMozaiku i vlerave”, vepër e rrallë artistike e autorit Don Dominik Qerimi përurohet të shtunën në Gjilan. Qerimi deklaroi për KultPlus se për realizimin e kësaj vepre i janë dashur mbi 50 mijë boça të pishave të cilat janë mbledhur në një periudhë prej katër vitesh.

Nesër në Gjilan do të përurohet një vepër e veçantë artistike e cila pritet të certifikohet nga autoritetet e Librit të Rekordeve Botërore të Ginisit.

Bëhet fjalë për një mozaik me sipërfaqe prej 90 metrash katrorë, ku janë portretizuar figurat e tri personaliteteve të shquara kombëtare, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Nënës Terezë dhe Don Boskos.

I tërë punimi është realizuar me boça të pishave natyrore nga autori vendor, prifti katolik Don Dominik Qerimi.

Qerimi deklaroi për KultPlus se për realizimin e kësaj vepre i janë dashur mbi 50 mijë boça të pishave të cilat janë mbledhur në një periudhë prej katër vitesh. Ai tha se “Mozaikun e vlerave” e ka realizuar për 53 ditë pune ndërsa për mbledhjen, seleksionimin dhe pastrimin e boçave i kanë ndihmuar të rinjtë vullnetarë të Qëndrës “Don Bosko” në Gjilan, të cilët siç tha, quhen animatorë.

“Mozaiku i vlerave” është i gjerë 15 metra dhe i gjerë 6 metra ndërsa do të ekspozohet në mjediset e Teatrit të Qendrës Edukativo-Sociale “Don Bosko” në Gjilan.

Drejtori i i kësaj qendre, shtoi se mozaiku është i regjistruar në Komisionin e rekordeve botërore Guinness dhe me 26 dhjetor 2013, do të dërgohen dokumentet përkatëse për certifikim. Ai shtoi se katër javë pas përurimit, vepra pritet të certifikohet nga autoritetet e Librit të Ginisit.

“Kuvendi” mbajti ‘Ditët e Letërsisë Shqipe’ në Detroit

0

detroitKur një ngjarje kulturore kthehet në traditë disavjeçare, aty mund të gjesh përsëritje të një platforme të njohur të konceptit tërësor apo segmenteve përbërëse. Mirëpo, në përvjetorin e 12-të të këtij aktiviteti letrar (i vetmi në këto përmasa në diasporë) u shfaqën natyrshëm risi tërheqëse, për të cilat ia vlen të krenohen komisioni organizues dhe krejt nikoqirët e Kuvend-it.

Sipas traditës, Revista Kuvendi fton autorë e letrarë nga brenda dhe jashtë Miçiganit për të qënë pjesëmarres të një shkëmbimi kulturor e shpirtëror midis bashkatdhetarëve në Amerikë, të njohur tashmë si Ditët e Letërsisë Shqipe.

Nëse e pyesni veten : Pse ne Detroit? Përgjigjen e gjeni në disa emra të përveçëm që mbajnë peshën kryesore të aktivitetit. Por e vërteta është se emrat si: Pjeter Jaku, Alfons Grishaj,Elinda Marku, Gjovalin Lumaj, Nexhip Ejupi, Lulash Palushaj, Nevruz Nazarko, Luigj Gjokaj, Kujtim Qafa, Gjeto Ivezaj, Mondi Rakaj përbëjnë një bashkim ideal të energjive patriotike, shpirtërore, materiale dhe intelektuale që rrallë përsëritet në komunitetet e tjera shqiptare në Amerikë! Dhe, aq më pak të vazhdohet për 12 vjet rresht!

Me këtë rast Kuvendi mblodhi pranë sofrës letrare përveç penave të njohura të letrave shqipe, disa debutantë dhe letrarë të rinj. Në darkën ‘jozyrtare’ me 7 dhjetor tek Kafe Kuvendi ishin ulur natyrshëm në bisedë shkrimtarët Naum Prifti, Fatos Kongoli, Pandeli Simsia nga Nju Jorku, dhe vajza amerikane me ‘zemër shqiptare’ Ashley Wood (e shqipëruar Eshli Ud), së shpjeti autore e një libri për shqiptarët. Ndërsa komunikimi në tryezë dublohej aty-ketu shqip-anglisht, ishte e qartë se nuk mund kishte pengesa gjuhësore midis artistëve të dy brezave dhe dy kulturave. Dhe, vërtet drejtuesi spontan i kësaj darke, e cila i paraprinte mbrëmjes zyrtare me 8 dhjetor, Alfons Grishaj, e ‘zuri ngusht’ secilin të pranishëm që të thoshte dy fjalë përshëndetje. Kjo i dha shkas një parade origjinale të ndjenjave e emocioneve të shprehura nga Elinda Marku, mprehtësisë së Gjovalin Lumajt, urtësisë së Don Fran Kolajt, humorit të Nevruz Nazarkos, dhe përgëzimeve të krejt pjesëmarresve për sukseset e Kuvendit. Mbi të gjitha vërehej vetëdija se atë natë secili ndihej pjesë e një diçkaje më të madhe. Ky ishte manifestimi i bashkimit kulturor të shqiptarëve, që gjeti shprehjen e vet në formë të një ‘programi të improvizuar artistik’ me krijime të disa krijuesve të pranishëm dhe pastaj në këngët që nuk njihnin kufi etnik.

Pjesë e traditës së këtij aktiviteti është ngritja e jurisë që pranon dhe vlerëson të gjitha krijimet e paraqitura në datat e caktuara. Juria e Ditëve të Letërsisë 2013, e përbërë nga Gjovalin Lumaj, Ruzhdi Gjokaj dhe Arben Dervishi, u prezantua me shumë dinjitet gjatë mbrëmjes. Në këtë festë të letërisë, komisioni organizues kishte ftuar në sallën Gjergji Kastrioti të Kishës së Shën Palit në Detroit, plot veprimtarë e krijues, drejtues e anëtarë të shoqatave patriotike.

Mbrëmja kishte një platformë serioze dhe një program të kombinuar duke nisur me fjalën e hyrjes së kryetarit të komisionit organizues, Nevruz Nazarko, dhe më tej me përshëndetjet nga mysafirët, me recitime nga poetët dhe krijuesit dhe me pika muzikore e interpretime. Mikrofoni kalonte nga duart e drejtuesve tek folësi i radhës, tek autorët e respektuar dhe tek të ftuarit e nderit si Don Ndue Gjergji dhe Reshat Sahitaj dhe pastaj alternohej me recituesit dhe me këngëtarët Hana dhe Kol Nikprelaj. Salla u mbush me ngrohtësi nga interpretimet e Simon Sinishtës e Luigj Gjokajt, nga recitimi mjeshtëror i Arben Dervishit dhe nga improvizimet aq të goditura të drejtuesit Ndue Gjekaj.

Në këtë përjetor, në mesin e letrarëve pjesëmarrës në konkurs u shfaq një filiz, vogëlushja 8-vjeçare Mara Jaku. Me këtë debutim, tradita e këtij aktiviteti e hodhi hapin drejt ardhmërisë. Me siguri nuk ka garanci më të mirë për suksesin e mëtejshëm të Revistës Kuvendi, që pasi e mbushi përvjetorin e vet të dymbëdhjetë do prezantohet me një organizim të ri: botimin periodik të printuar siç ka qënë, faqen e përditshme në internet si dhe një palosje të përmuajshme që do të shpërndahet falas.

Sponsorët e bashkëpunëtorët e Kuvendit i kultivuan Ditët e Letërsisë në gjurmët e paraardhësve të tyre më të hershëm. Ata janë ‘autorët’ e një tradite, për të cilën mund të hynë me nderim në historikun e ri të komunitetit shqiptar në Amerikë. Nga viti në vit, Kuvendi risjell tek komuniteti i krijuesve një të përbashkët të patjetërsueshme të identitetit tonë: fjalën shqipe.

E veçanta shpresëdhënëse e Ditëve të Letërsisë 2013 ishte freskia e sjellë nga zërat rinor dhe entuziazmi për veprat e të ardhmes, të cilat pa dyshim do promovohen në Detroit. Dhe, për busull morale, mbetet shprehja proverbiale me të cilën Don Fran Kola pranoi çmimin e akorduar nga Juria për Merita të veçanta në përkrahjen e vazhdueshme të veprimtarisë së revistës : Të gabosh është njerëzore, të falësh është hyjnore !

Çmimet e akorduara nga “Kuvendi” në Detroit:

I- Poezi

– Çmimi i parë – Mensur Spahiu

– Çmimi “Gjergj Fishta” – Ana Toma Agraja

– Çmimi “Migjeni” – Gjeto Turmalaj

II- Proze

– Çmimi i pare – Agim Dishnica

– Çmimi “Petro Marko” – Vlash Fili

III- Humor

– Çmimi i pare- Naum Prifti – Pse qeshim dhe si qeshim.

IV- Publicistikë

– Çmimi i pare – Hatixhe Latifi Popovci- Polarizimi, fenomen shqetësues.

Çmime te veçanta

– Per krijimtarine qe sjell realitetin: Gani Vila – Poema- s’është vonë

– Çmimi i dhuntisë: Vogelushja 8 vjeçare- Mara Jaku.

– Për krijimtari me frymën e traditës: Lulash Palushaj

“Green Art” fillon aktivitetin për mbrojtjen e mjedisit

0

prizreni5Organizata Joqeveritare “Green Art”  do të zhvillojë projekte që kanë për qëllim përfshirjen sa më të madhe të publikut.Fokus të veçant i kushton ngritjes së vetëdijes lidhur me mbrojtjen e mjedisit, riciklimin dhe përfitimet ekonomike dhe pjesëmarrjen qytetare në procesin e vendimmarrjes.
Drejtuesi i “Green Art”,  Driton Kastrati tha se ky organizëm sot ka filluar me zbatimin e projektit, i cili ka të bëjë me ruajtjen e lagjeve të Nënkalasë dhe Pantelisë nga ndotja, si dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për ruajtjen e mjedisit.

Gjatë aktivitetit “Green Art” ka bërë edhe inaugurimin e shportave për riciklim.Lidhur me këtë është kërkuar që qytetarët dhe institucionet të shfaqin përkujdesje më të madhe ndaj ambientit.

Përkrahje të veçantë në realizimin e këtij aktiviteti të projektit kanë dhënë edhe nxënësit e SHMT “11 Marsi”, të cilët i punuan shportat me punë vullnetare,transmeton TV Prizreni.

“Green Art” zbaton këtë projekt me përkrahje nga Komuna e Prizrenit, gjegjësisht nga Drejtoria e Urbanizmit, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria e Arsimit dhe Kompania Ekoregjioni./PrizrenPress.com/

“Ec Ma ndryshe” prezanton punën vjetore

0

Konferanca vjetore e ecitOrganizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe” organizoi sot konferencën vjetore të projektit “Qyteti Gjithëpërfshirës – planifikim me pjesëmarrje për zhvillim të qëndrueshëm urban në Prizren”.

Gjatë konferencës, u prezantuan raportet e veçanta për shtatë grupe të komunitetit, me të cilët është punuar gjatë gjithë vitit 2013, si dhe dy analizat e dytë që kanë dal nga hulumtimet (anketimet) me qytetarët e Prizrenit mbi planifikimin urban.

Raportet janë prezantuar si drafte, ndërsa gjatë sesionit të diskutimit janë validuar të gjeturat dhe është kërkuar mendimi i pjesëmarrësve, para se ato të publikohen përfundimisht dhe dërgohen në Drejtorinë e Urbanizmit. Raportet u prezantuan nga ekspertët (autorët) e angazhuar: Dukagjin Bakija, Rozafa Basha, Fisnik Minci, Eli Gashi, Kreshnik Basha dhe Nol Binakaj.

Panelistë të konferencës ishin: Sadik Paçarizi, drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në komunën e Prizrenit, Rozafa Basha, autore e analizave të hulumtimit dhe mësimdhënëse e Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës dhe Levend Biçaku, udhëheqës i Olof Palme International Center në Kosovë.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësuesit e shtatë grupeve të komunitetit, OJQ-të që punojnë me këto grupe të komunitetit, zyrtarët e qeverisë lokale dhe qendrore, ekspertët e planifikimit urban, autorët e raporteve, organizatat partnere të “EC Ma Ndryshe”, organizatat ndërkombëtare në Kosovë, përfaqësues të institucioneve të zbatimit të ligjit dhe përfaqësues të medias lokale dhe qendrore.

Konferenca vjetore ishte aktivitet përmbyllës i të gjitha veprimeve të realizuara gjatë vitit 2013 në kuadër të këtij projekti dhe moment reflektimi për hapat e ardhshëm gjatë viteve 2014 dhe 2015. Gjatë vitit 2013, projekti ka realizuar 28 fokus grupe dhe shtatë debate me shtatë grupe të komunitetit (të moshuarit, gratë, të rinjtë, personat me nevojat të veçanta, lagjia Arbana, kultura dhe mjedisi), pesë iniciativa avokimi (performansa publike), dy hulumtime me nga 500 respondentë dhe analizat përkatëse dhe shtatë raporte të veçanta që identifikojnë nevojat e grupeve të komunitetit dhe rekomandojnë veprime konkrete për procesin e hartimit të planeve urbane nga komuna e Prizrenit./PrizrenPress.com/

Bllokohen 11 diploma në UP, me dyshimin për falsifikim

0

UP-rektoratiPas suspendimit nga puna të tre asistentëve të UP-së dhe shkarkimit të dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Këshilli Drejtues dhe menaxhmenti i UP-së kanë vazhduar me masa të tjera ndëshkuese ndaj të dyshuarve për keqpërdorime.

“Në këtë kuadër, Universiteti i Prishtinës ka vendosur që t’i bllokojë diplomat e 11 të diplomuarve në UP, me dyshimin për falsifikim, dhe të njëjtat t’i nënshtrohen një procesi të hollësishëm verifikimi.

Në mesin e atyre që u janë bllokuar diplomat janë: Gazmend Maliqi, Esat Belaj dhe Kemajl Gashi, asistentë në Fakultetin e Mjekësisë (pas suspendimit të dy të parëve, angazhimi i mëtutjeshëm i ndërpritet edhe Kemajl Gashit), Arian Janova, asistent në Fakultetin Filozofik, Leonard Bytyqi, mjek në Suharekë, Albion Haxhijaha, mjek në QKUK, Arton Hoti, mjek në Gjakovë, si dhe katër të diplomuar të tjerë në fakultete të ndryshme të UP-së.

Rektori i UP-së tashmë ka krijuar një komision, i cili do të merret me verifikimin e këtyre diplomave, dhe Rektorati i UP-së shumë shpejt do të dalë me vendim nëse do t’i anulojë ato”, thuhet në njoftim.

Në shkollat fillore dhe të mesme, përfundon gjysmëvjetori i parë

0

SamiFrasheri-gjimnaziNë të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës, përfundoi sot gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2013-2014. Rreth 400 mijë nxënës dhe mësimdhënësit do të pushojnë deri më 8 janar të vitit të ardhshëm.

Me këtë rast, Ministria e Arsimit, iu uron të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve pushim të këndshëm, njëherësh duke falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në mbarëvajtjen e procesit mësimor në këtë gjysmëvjetor. Sipas kalendarit të vitit shkollor, mësimi për gjysmëvjetorin e dytë do të fillojë më 8 janar të vitit 2014.

Partnerët e PDK-së në Prizren, përcaktojnë drejtorët

0

PDK-dega PrizrenPDK-ja në Prizren “heshturazi”  është duke negociuar emrat  që do të jenë  pjesë e  qeverisë “Muja III”.Partëeri i PDK-së, AAK-LDD,  ndërkaq duket se e ka zgjidhur çështjen e  caktimit të emrave të drejtorëve të rinj.

Samir Hoxha, zyrtar  për media i  PDK-së, ka thënë se kryesia  do të mblidhet shumë shpejt  për të diskutuar  rrth emrave të mundshëm të qeverisë  lokale .”Marrëveshjet  me partnerët   janë bërë  në parim nga qendra, dhe këto ditë  priten të definohen shumë  shpejt”, ka thënë Hoxha.

Një burim  i gazetës “ Zëri” brenda AAK-LDD-së,  ndërkaq  bënë të ditur emrat  që do të jenë pjesë e qeverisjes së  Mujës.  Drejtor i  Administratës do të jetë Ilir Baldedaj,  i  Zhvillimit Ekonomik  dhe Turizëm Arton Muçaj,I Kulturës , Rinisë dhe Sportit  Mensur Bytyçi,  ndërsa drejtor  i Drejtorisë së Bujqësi  Asim Thaçi/   PrizrenPress.com/

Dy hajna kapen në flagrancë duke vjedhur karburant në Prizren

0

PoliciaKS-prangatPolicia në Prizren, ka kapur në flagrancë dy persona, të cilët ishin duke vjedhur karburant. Zëdhënësi i PK-së, Hazir Berisha tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:10 min të mëngjesit.

“Një patrullë policore gjatë patrullimit në afërsi të Qendrës Sportive “Sezai Surroi”, ka vërejtur një kamion me targa të Turqisë, i cili ishte i parkuar në parking, ndërsa afër tij një veturë të llojit ‘BMË’ me targa vendore dhe dy njerëz që silleshin afër kamionit”.

“Patrulla heshtazi i është afruar kamionit dhe në vendin e ngjarjes ka gjetur S. Cyske dhe E. Soske, të cilët kishin hapur me forcë kapakun e rezervuarit të kamionit dhe po vidhnin naftë me anë të dy zorrëve dhe dy bidonëve të plastikës gjersa shoferi turk po flinte i qetë në kabinën e kamionit”

“Policia ka kryer procedurat e duhura dhe ka sekuestruar provat materiale ndër to edhe veturën ‘BMË’, ndërkaq policia i ka intervistuar të dyshuarit dhe pas informimit të prokurorit është vendosur që të dyshuarit të ndalën nën masën e arrestit policor për 48 orë”.

Berisha tha se po ashtu, pas një pune hetimore një javore, hetuesit kanë arrestuar Xh. Koçinaj, i cili dyshohet se ka kryer disa vjedhje serike. I njëjti është ndalur nën masën e arrestit policor. /PrizrenPress.com/