7.4 C
Prizren
E enjte, 30 Prill, 2026
Home Blog Page 8849

Filarmonia e mbyll vitin me koncert festiv

0

FilarmoniaKosovesTë dielën, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, Filarmonia e Kosovës do të organizojë një Gala Koncert me rastin e festave të fundvitit.

Sipas drejtorit të Filarmonisë dhe Operës, Baki Jashari, veçantia e këtij koncerti festiv është rikthimi i përmbajtjeve programore vokale me një laramani kontrastesh nga literatura e popullarizuar operistike botërore.

“Bazuar në faktin e mungesës së shtëpisë operistike tek ne, Filarmonia ndjen obligim zyrtar dhe profesional për stimulim dhe avancim artistik të solo këngëtarëve kosovarë”, ka thënë Jashari, raporton KTV.

Dirigjent në këtë koncert do të jetë Nayden Todorov nga Bullgaria, i cili do t’i prezantohet publikut për herë të parë në orkestrën simfonike të Filarmonisë së Kosovës. Në këtë program do të paraqiten modelet më të bukura nga operat e autorëve romantikë si Verdi, Puçini dhe Lehar, por edhe të epokës së barokut.

Thaçi po i jep shokët, një nga një

0

AlbinKurti1205Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për KosovaPress thotë se kryeministri po i jep shokët e vet një nga një.
Ata shokë të cilët ose e kundërshtojnë me të drejtë, ose i ka të papërdorshëm deklaron ai.
Kurti thotë se pazaret me Serbinë në Bruksel po e shfajësojnë Serbinë dhe po e inkriminojnë Kosovën, dhe pjesë e kësaj dukurie politike janë edhe’ persekutimet’, siç është shprehur ai, që po bëhen në Kosovë ndaj ushtarëve të UÇK-së.

Ai shprehet se EULEX-i nuk do të duhej të trajtonte krimet e luftës fare, duke e vlerësuar luftën çlirimtare të UÇK-së si një luftë të drejtë, e cila Albin Kurti thotë se, nuk lë vend për neutralitet, e që neutraliteti ndaj luftës çlirimtare të UÇK-së, sipas tij, tashmë është mbajtja e anës së Serbisë dhe regjimit të Millosheviqit.

“Mos harroni që fundi i vitit 2013 shënohet nga një ngjarje shumë e rëndë, e kjo është fakti që kryeministri i Kosovës Thaçi e bëri lidere në Ballkan Serbinë sërish. Pra, Serbia fillon negociata për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Ndërkaq, Kosova dhe Shqipëria nuk fitojnë asgjë. Ky jo vetëm që nuk po e ndihmon popullin, dhe kombin tonë, por ky po e ndihmon armikun tonë, dhe mendoj që kontributi personal i Thaçit në dekadën e fundit të shekullit 20-të për largimin e Serbisë nga Kosova është, tashmë, më i vogël sesa kontributi i tij personal për kthimin e Serbisë në Kosovë në dekadën e dytë të shekullit 21”, shprehet Kurti.

Në këtë intervistë, Kurti ka folur edhe rreth zhvillimeve politike në vend gjatë këtij viti, për politikën e jashtme, Lëvizjen Vetëvendosje, e çështje të tjera të politikës në Kosovë.

Si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Kosovës, Albin Kurti, vlerëson se Ministria e Punëve të jashtme ka qenë e hendikepuar për shkak se, sipas tij, dialogu në Bruksel midis Thaçit e Daçiqit shumë vende i ka bërë që ta suspendojnë veprimin e tyre për njohjen e Kosovës në pritje të rezultateve të këtij dialogu. Përkundër kësaj, Kurti, pret njohje në vitin e ardhshëm, duke thënë se në këto vite nuk ka pasur njohje sa janë premtuar.
Ai thotë se Kosova e konteston vetën në bisedime me Serbinë dhe se nuk është aspak e papritshme që këtë gjë ta bëjnë edhe të tjerët që ndoshta mund ta kenë konsideruar njohjen e Kosovës më herët.

Ai kritikon edhe ministrin Enver Hoxhaj duke thënë se gjatë mandatit nuk ka qenë në nivel të detyrës sa i përket llogaridhënies ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndaj Komisionit për Punë të Jashtme. Ai thotë se të gjitha vizitat që i ka bërë jashtë vendit, ministri Hoxhaj, asnjëherë nuk është shoqëruar me asnjërin prej anëtarëve të Komisionit, ndonëse rregullorja e punës së Kuvendit e kërkon një gjë të tillë.

“Shërbimi i jashtëm i Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme lëngojnë shumë nga partizimi, pra nuk bëhet fjalë për politizim, por bëhet fjalë për partizim jopolitik, për shkak se me njerëz të partisë, që kryesisht kanë qenë militant gjatë fushatave e para fushatave, pas zgjedhjeve ata janë shpërblyer me poste nga më të ndryshmet dhe shërbimi i jashtëm, jo vetëm që nuk ka qenë imun ndaj kësaj dukurie të shëmtuar, por njëkohësisht edhe duket se ka qenë preferencë e aq shumë militantëve të partisë në pushtet që kësisoj të marrin pozita ku pajisen edhe me imunitet dhe privilegje, por të njëjtën kohë kjo i mundëson që ta shtyjë edhe më tej agjendën partiake”, shprehet ai.

Lëvizja Vetëvendosje, në Parlament, shpeshherë ka ndryshuar agjendat për të cilat Kurti thotë se kjo ka ndodhur për shkak se Kuvendin e Kosovës nuk e shohin si shtëpi ku banojnë politikanët, por e shohin si një arenë ku ballafaqohen botëkuptimet demokratike, dhe kjo është arsyeja, sipas tij, pse edhe kritika edhe debati ka lindur me hyrjen e deputetëve të Vetëvendosjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Besoj që pa deputetët e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, ai nuk do të ishte as Kuvend as i Kosovës. Ndërkohë që ne aty e kemi mbrojtur edhe Republikën si prej Qeverisë, po ashtu, edhe prej Serbisë, sepse ka orvatje të vazhdueshme që Kosova të mbetet pa Republikë edhe në aspektin e funksionimit të procedurave të institucioneve shtetërore, gjithashtu, edhe në aspektin juridik-nominal. Ju e dini që pazaret në Bruksel që po quhen dialog me Serbinë e kanë pasur gjithmonë në shënjestër Republikën e Kosovës me çrast kryeministri i Kosovës ka lëshu pe për çështjen e shtetit, ndërkohë që ka fituar vetëm privilegje personale”, thotë Kurti.

Sa i përket rezultatit në zgjedhjet lokale, qytetarët e Prishtinës kanë qenë më shumë të njoftuar dhe familjarizuar me Lëvizjen Vetëvendosje sesa në asnjë komunë tjetër, vlerëson Kurti. Shpifjet dhe akuzat e pabaza, siç i quan ai, ndaj Lëvizjes Vetëvendosje kanë hasur në vesh të shurdhër në Prishtinë thotë Kurti duke e cilësuar si kandidat të shkëlqyeshëm Shpend Ahmetin. Por, në vitin që po vjen, me shumë bindje, ai thotë se do të qeverisin me Kosovën.

“Arritja kryesore e Kosovës në vitin 2013 është ndryshimi në kryeqytetin e Kosovës, pra fitorja e Vetëvendosjes dhe Shpend Ahmetit, nuk ka asgjë në vitin 2013 më pozitive sesa ky fakt, i cili do të testohet dhe sfidohet në vitin 2014, për shkak se në vitin 2014 ne do të arrijmë të tregojmë edhe me shembullin tonë se si duhet të qeveriset. Duhet ta dëshmojmë që administrata është shërbim, jo sundim. Do ta kemi transparencën radikale, dhe gjithashtu, përveç se do t’i ndalim të gjitha të këqijat që kanë ardhur nga pushtetet e pasluftës, në të njëjtën kohë do të bëjmë edhe shumë punë të mira, gjithnjë përbrenda konceptit tonë, e me qëllime tona të cilat e vendosin interesin e përgjithshëm mbi interesin e veçant”, thotë Kurti.

Sipas tij, deri sa Vetëvendosje nuk qeverisë me vendin do të jetë më keq për Kosovën, dhe se janë duke bërë strukturim brenda kësaj Lëvizje si përgatitje për zgjedhjet parlamentare. Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse është në Kuvendin e Republikës së Kosovës, tash e tre vjet, ajo për herë të parë ka marrë pjesë në zgjedhje lokale, dhe alternativa për qeverisje lokale, sipas Kurtit, edhe pse ishte e vetmja, nuk arriti që të depërtonte tek qytetarët e komunave tjera, përveç Prishtinës, ashtu siç kanë menduar dhe ashtu siç kanë pritur.

Thaçi e Krasniqi s’kanë as raporte institucionale

0

Thaci dhe Jakup krasniqiPrej fundit të muajit nëntor të vitit 2012, kur ishin publikuar përgjimet e aferës “Pronto”, asnjë takim zyrtar s’ka ndodhur ndërmjet Kryeministrit Hashim Thaçit e Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi. Pra, komunikimi mes Zyrës së Kryeministrit dhe Zyrës së Kryetarit të Kuvendit vazhdon të bëhet vetëm përmes letrave.

Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi kishin pasur raporte institucionale deri në momentin kur u publikuan përgjigjet e EULEX’it, ku Lideri i PDK’së i ishte drejtuar Kryeparlamentarit me nofkën “Jakupovfski”, derisa bashkëpunëtorëve të Fatmir Limajt si zagarë.

Prej asaj kohe, asnjë takim mes Thaçit si Kryeministër dhe Krasniqit si Kryetar Kuvendi s’ka ndodhur.

Kryeministri ka komunikuar vetëm përmes disa shkresave që ia ka dërguar si kërkesa për të raportuar në Kuvend.

Kështu, këta dy zyrtarë shtetëror raportet personale kanë ndikuar të mos kenë as raporte institucionale.

Thaçi, para se të dilte afera “Pronto”, i kishte raportuar Krasniqit sa herë kishte shkuar në Bruksel për t’u takuar me Kryeministrin e Serbisë.

Por, prej nëntorit të vitit 2012, Thaçi takohet vetëm me Presidenten Jahjaga dhe me liderët e partive opozitare.

Në zgjedhjet e fundit, Thaçi e Krasniqi ishin përplasur edhe me akuza edhe më të rënda se sa që ishin dalë në përgjigjet.

Krasniqi i ishte përgjigjur një akuza të Thaçit i cili kishte thënë në Drenas se “ai që ju quan juve hajna është kryehajn i Drenicës dhe i Kosovës”

Kryeparlamentari kishte thënë se Hashim Thaçi është mashtrues ordiner sepse është i lindur i tillë.

“Ai vazhdon të jetë mashtrues ordiner se atë karakter ka. Nuk ka faj se e ka humbur jo vetë Drenasin por edhe Drenicën. Drenicasit janë bujar, atë bujari kam trashëguar”, kishte thënë Krasniqi.

Thaçi i përgjigjet Isa Mustafës: Pa ndryshime kushtetuese s’ka reformë

0

HashimThaci-IsaMustafaPërmes ndryshimeve kushtetuese për reformën zgjedhore, Kryeministri Thaçi po synon të përmbushë edhe premtimin dhënë pakicave për vazhdimin e mandateve të rezervuara në Kuvend. Por, kundër ndryshimeve kushtetuese dhe vazhdimit të mandateve të rezervuara ka dalë Lideri i partisë më të madhe në opozitë, LDK’së, Isa Mustafa.Lideri i PDK’së, Hashim Thaçi i është përgjigjur Kryetarit të LDK’së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se reforma zgjedhore duhet të përfundojë pa e prekur Kushtetutën.

Por, Thaçi ka thënë se pa ndryshimin e Kushtetutës s’mund të ketë reformë zgjedhore.

“Pa ndryshime kushtetuese nuk mund të ketë reformë të mirëfilltë zgjedhore”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Një natë më parë, Lideri i LDK’së, Isa Mustafa tha se reforma zgjedhore duhet të përfundojë por pa e prekur Kushtetutën.

Nëse bëhen ndryshimet kushtetuese, atëherë do të duhen edhe votat e deputetëve minoritarë, të cilët po kërkojnë vazhdimin e vendeve të rezervuara në Kuvend edhe për të paktën një mandat.

Sidoqoftë, Thaçi bashkë me Mustafën, Pacollin dhe AAK’në u patën premtuar pakicave vazhdimin e vendeve të rezervuara nëse ata përkrahin përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.

Megjithëkëtë, Kryeministri Thaçi i ka ftuar për unitet të gjitha partitë politike për t’i çuar përpara reformën zgjedhore.

“Vetëm bashkarisht mund ta bejmë këtë reformë. Reforma zgjedhore është në interes të shtetit dhe të gjitha partive politike si dhe të gjithë shoqërisë kosovare. Në këtë proces ftoj shoqërinë civile, të gjitha personalitetet publike dhe mediat që ta japin kontributin e tyre, i cili është tejet i rëndësishëm”, ka shtuar ai.

Vehapi: Fitorja ime është e pastër si loti

0

IdrizVehapi-rahovec-pdkKryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi nuk dëshiron t’i komentojë akuzat që ish-kryetari Smajl Latifi, ka bërë në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, për blerjen e votave në këtë qytet. “Nuk kam asnjë koment për këto akuza”, tha Vehapi për “PrizrenPress”.

Ai tregon se fitorja e PDK-së në Rahovec, ka qenë shumë e pastër. “Fitore ma të pastër si në Rahovec, nuk ka pasur asnjë komunë tjetër në Kosovë”.

Ish-kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe Ministrinë e Bujqësisë për blerjen e votave në Rahovec.

“Ka pasur blerje të votave me anë të subvecioneve. Unë do të doja që ndonjë prokuror të më intervistonte dhe t’i tregoj faktet që kam”, ka thënë Latifi.

Kryeprokurori i rajonit të Prizrenit, Sylë Hoxhaj, ndërkaq ka paralajmëruar se do të fillojnë hetimet për akuzat që ish-kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka bërë publikisht për blerje të votave në drejtim të kryeministrit Hashim Thaçi. “Nëse ka bazë, ne do të nisim hetimet, këtu s’ka pardon”.

Kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi, fton Prokurorinë që t’i zhvillojë hetimet ndaj akuzave të ish-kryetarit  Smajl Latifi.

“Është detyrë e Prokurorisë që t’i zhvillojë hetimet për këto akuza. Fitorja e PDK-së në Rahovec ka qenë e pastër,prandaj është mirë që kjo të zbardhet edhe nga Prokuroria”./PrizrenPress.com/

 

 

Thaçi: Pa ndryshime kushtetuese, s’ka reformë të mirëfilltë zgjedhore

0

Thaci7-03Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka demantuar bashkëpartiakun Arsim Bajrami, i cili ka thënë se reforma zgjedhore nuk duhet prekur Kushtetutën.

Thaçi në profilin e tij në Facebook ka shkruar se pa ndryshime kushtetuese nuk mund të ketë reformë të mirëfilltë zgjedhore, duke aluduar në zgjatjen e vendeve të rezervuara në Kuvend për pakicat.

“Javën që lamë pas shënoi një përpjekje tjetër të përfaqësuesve të partive politike për përmbylljen me sukses të reformës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Reforma zgjedhore është e nevojshme dhe e domosdoshme. Është edhe pjese e agjendës së integrimit europian. Vetëm bashkarisht mund ta bëjmë këtë reformë. Reforma zgjedhore është në interes të shtetit dhe të gjitha partive politike si dhe të gjithë shoqërisë kosovare’, ka shkruar Thaçi.

Ai ka ftuar në këtë proces shoqërinë civile dhe të gjitha personalitetet publike dhe mediat që ta japin kontributin e tyre, i cili sipas tij,është tejet i rëndësishëm.

Beogradi premton hetim për ata që fshehën varrezën e Rashkës

0

Bruno VekaricSerbia thotë se e ka seriozisht në përpjekjen për të gjetur mbetjet mortore të të gjitha viktimave shqiptare të luftës në Kosovë, të cilat ishin bartur në Serbi.

Zëvendësprokurori serb për krime lufte, Bruno Vekaric, në një intervistë dhënë KTV-së, ka thënë se janë bërë përpjekje me vite të tëra për ta zbuluar varrezën në Rashkë dhe me sofistikimin e mjeteve të gjurmimit, janë zbuluar mbetjet mortore.

Vekaric ka theksuar se kishte pasur presione politike nga Kosova për këtë çështje, porse Prokuroria e ka bërë punën e vet e pandikuar nga politika.

Sipas tij, organet e drejtësisë në Beograd do të hetojnë edhe ata që e kanë fshehur varrezën, duke e quajtur këtë krim të dyfishtë.

Sipas Vekaricit, zhvarrosja e mbetjeve mortore do të kryhet sa më shpejt që është e mundur, por identifikimi dhe numri i saktë i gjetjeve mund të marrë kohë.

Ndërkohë pala kosovare pret që procesi i zhvarrosjes të nisë në fillim të vitit të ardhshëm. Konsiderohet se në këtë varrezë masive gjenden trupat e së paku 250 viktimave civile të luftës në Kosovë.

Me fajin e saj, Qeveria zhgënjehet në BE-në

0

Kosove-BE-flamujtAnalistët kosovarë, zhgënjimin e Qeverisë së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe vlerësimet e larta për Serbinë nga ana e këtij mekanizmi, i shohin si të “paarsyeshme”. Sipas tyre, pala kosovare në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes Prishtinës dhe Beogradit, nuk i ka përcaktuar vijat e kuqe, duke ka bërë lëshime në vazhdimësi, gjë e cila e ka suspenduar Kosovën nga vlerësimet pozitive të BE-së.

Ardian Arifaj, nga Instituti KIPRED, theksoi se rruga e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimeve evropiane, në këtë rast Kosovës dhe Serbisë, nuk varet nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas tij, Serbia, përveç arritjes së marrëveshjeve me Kosovën, ka pasur edhe kushte tjera të vendosura në rrugëtimin e saj drejt BE-së, për të cilat Brukseli ka deklaruar se janë kryer me sukses.

Në rrugëtimin evropian fjala kryesore është përkushtimi, që e kanë shtetet ndaj obligimeve të caktuara nga BE-ja. Kjo, sipas Arifajt, nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe zbatim i tyre deri në fund. Kështu, Beogradi zyrtar ka arritur që ta bind Brukselin se është i përkushtuar në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Nëse Kosova nuk i ka përcaktuar vijat e kuqe para se të dialogojë me Serbinë, atëherë nuk mund të presim që Brukseli do të ndiej dhembshuri të madhe për humbjet që do t’i shkaktoheshin Kosovës. Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës, vitin e kaluar, e cila e ngarkon palën kosovare në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, thotë qartë se dialogu me Serbinë duhet të bëhet vetëm për çështje teknike dhe assesi për çështje politike”, ka thënë Arifaj për Telegrafin.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke iu referuar konkluzioneve të Këshillit të BE-së, ka thënë se Kosova nuk është shpërblyer për angazhimin konstruktiv në dialog dhe reformat e ndërmarra.

Analisti Bexhet Shala, thekson për Telegrafin se zhgënjimi nga Bashkimi Evropian është shtirje e Qeverisë së Kosovës, sepse, sipas tij, Qeveria ka qenë pjesëmarrëse në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Prishtinë dhe Beogradit.

Ai ka theksuar se Qeveria kokë në vete ka marrë vendime për të gjitha proceset të cilat kanë qenë jetike për Kosovën.

“Ekzekutivi i vendit, gjatë dialogut me Republikën e Serbisë, asnjëherë nuk i ka pasur parasysh kritikat dhe sugjerimet e shoqërisë civile, të analistëve dhe të qytetarëve. Ata kanë menduar se bota sillet rreth tyre, duke rënë kështu në gabime të shumta dhe të njëpasnjëshme. Diplomacia serbe, prej një pozicioni humbës, ka arritur që ta konsolidojë pozicionin e shtetit serb përballë BE-së, duke e lënë Kosovën në një pozitë të paqartë dhe me shumë probleme të brendshme, të cilat është shumë vështirë të zgjidhen”, ka thënë Shala.

Koncepti i shtetit ligjor, mit apo realitet?!

0

Taulant selmaniTaulant Selmani

Po të nisemi nga fakti se çfarë shkruan The New York Times për Kosovën, këtë vend të vogël diku në Ballkan, vërtet është për të na ardhur keq se çfarë opinion ka bota karshi neve. Fatkeqësisht, shumica e atyre që thuhen, janë të pranishme në jetët tona. E, si të mburremi ne, kur atë përshkrim e ka lexuar e gjithë bota?! Përshtypja e parë për ne, në sy të botës është mjaft e hidhur, ndoshta edhe me pasoja.

Ajo që ishte më interesantja dhe më tërheqëse në ato pika, ishte çështja e drejtësisë, saktësisht kur thotë se lënda në gjykata zgjat më shumë se sa jeta e njeriut. Situatë vërtet trishtuese! E si të flitet për shtet ligjor këtu? Deri kur do të vazhdojë kjo katrahurë?! Sa do të zgjasë ky kaos ligjor?! A po i vjen fundi këtij sistemi pa sistem?!

Vështirë! Vështirë derisa politika ndërhyn në drejtësi, vështirë derisa grupet e ndryshme të interesit infiltrojnë gjyqtarët e prokurorët dhe komplet sistemin gjyqësor.

EULEX-i në anën tjetër, kinse po i ndihmon sundimit të ligjit dhe kinse po punon që drejtësia të vijë në vend, por siç po e shohim, e ka filluar mbrapsht, apo thënë më mirë e ka filluar nga fundi. Merret me akuzimin e ish pjesëtarëve të luftës tonë të lavdishme, gjë që është e fundit që duhet ta bëjë, sepse ka shumë tepër punë në aspektet tjera. Duhet ndihmuar gjykatat vendore, për t’i shqyrtuar lëndët, të cilat vetëm vjetrohen nëpër sirtare e arkiva, e të cilat sjellin shumë kontradikta tek qytetari.

Qytetari e ka humbur besimin në drejtësi, gjykata, procedura gjyqësore e të ngjashme. E kjo, si pasojë e neglizhencës që u bëhet lëndëve e akuzave, formalitetet që gjenden në to dhe mënyrën e zgjidhjes së tyre. Qytetari as që do t’ia dijë për EULEX-in. Madje e quan si mision të dështuar, qysh në fillim të ndërhyrjes së tij. Kjo gjendje na çon drejt krijimit të një miti sa i përket sistemit dhe shtetit ligjor në Kosovë. Një mit i cili vështirë të kthehet në realitet, nëse nuk ndryshojnë gjërat dhe proceset, qysh nga “themelet”, për të filluar me gjithçka të re e për së mbari.

Ky pra është realiteti, të cilin askush nuk do ta dëshironte. Por, nëse një ndryshim rrënjësor do të nis sa më shpejtë që është e mundur, atëherë ai “mit” na shndërrohet në një realitet, të cilin ne si popull i vuajtur, gjithmonë e kemi ëndërruar!

Mujë Rugova punësoi të dyshuarit për korrupsion

0

Muj RogovaMujë Rugova kishte ditën e fundit si rektor i Universitetit publik të Prishtinës. Por, atë ditë ai kishte vendosur që të punësonte dy nga 11 te arrestuarit e Prokurorisë së Shtetit në një hetim penal që po zhvillon në këtë institucion, më i madhi i realizuar att deri tash për korrupsion, Esat Belajn dhe Gazmend Maliqin, shkruan “Koha Ditore”.

Belaj dhe Maliqi dyshohet de janë në rrejt edhe me të arrestuarit e tjerët, të cilave, që të gjithëve. Rektorati tashmë ua ka pezulluar diplomat, derisa shkarkime e suspendime pas nisjes së hetimeve ka pasur në vazhdimësi nga Rektori i tanishëm, Ibrahim Gashi.

Lista e të arrestuarve në hetimin e Prokurorisë së Shtetit në UP është kjo:
Rejan Zeneli (1984) nga Istogu, është bashkëpunëtor i Esat Belajt. Është nën hetime edhe në raste të tjera për falsifikim, mashtrim, falsifikim i dokumenteve dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë.

Si të dyshuar për vepra penale të dënueshme më shumë vjet burgim janë edhe:
Kemajl Gashi (1986) nga Vushtrria, po ashtu asistent në Fakultetin e Mjekësisë.
Arjan Janova (1985) nga fshati Korroticë e Lartë e Drenasit, asistent i angazhuar në Fakultetin Filozofik.
Leonard Bytyqi (1987), nga Prizreni, mjek në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Suharekë.
Albion Haxhijaha (1988) nga Rahoveci, mjek në Repartin e Internos në QKU.
Mevledin Beqiri (1984) nga Olshani i Vushtrrisë, i diplomuar në Mjekësi.
Gazmend Maliqi (1984) nga Kijeva e Malishevës, asistent në Fakultetin e Mjekësisë.
Arton Hoti (1984) nga Jashanica e Klinës, mjek në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjakovë
Kushtrim Morina (1988) nga Rahoveci, ekonomistë i papunë dhe
Muhamet Maliqi (1983) nga fshati Busovatë i Kamenicës, student i Fakultetit të Mjekësisë.
Të gjithë janë arrestuar nën dyshimin për veprat penale “marrje ryshfeti, keqpërdorim i detyrës zyrtare, raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë’. /Koha Ditore/