13.4 C
Prizren
E mërkurë, 29 Prill, 2026
Home Blog Page 8875

Në procedurë të EULEX-it, 90 raste të reja për krime lufte

0

EULEX-kosoveNë Kosovë nuk ka përfunduar hetimi as për gjysmën e rasteve për krimet e luftës. Misioni i EULEX-it ka në procedurë edhe 90 raste të tjera, ndërkohë që deri më tash ka marrë vetëm tridhjetë vendime gjyqësore.

Shefi i departamentit ekzekutiv në misionin EULEX, Mats Mattsson, në një intervistë për “Zërin” tregon se ky mision ka në procedurë rastet që kanë të bëjnë me krimet e luftës në Mejë të Gjakovës, Dubravë të Istogut e Krushë të Prizrenit.

Ai tregon se rreth 30 vendime gjyqësore janë marrë deri më tani përkitazi me krimet e luftës, edhe 90 raste të tjera janë në procedurë, 60 nga të cilat gjenden në fazën preliminare.

Mattsson qartëson se “ata për të cilët pretendohet se kanë kryer krime të luftës në Kosovë dhe të cilët gjenden jashtë juridiksionit të Kosovës nuk mund të gjykohen këtu”.

Një gjë të tillë ai thotë se nuk e lejon ligji andaj edhe nevojitet bashkëpunim me prokuroritë e tjera në mënyrë që keqbërësit të dalin para drejtësisë në vendet përkatëse.

Ndonëse është proces i gjatë dhe i vështirë jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë Ballkanin, hetimi dhe ndjekja penale e krimeve të luftës, sipas tij, është një mënyrë e shkuarjes përpara. E për t’u arritur kjo, sipas tij, duhet një bashkëpunim rajonal ani pse 15 vite pas luftës rastet kërkojnë kohë për t’u përgatitur e mungesa e provave dhe dëshmive vazhdon të jetë evidente.

PDK-ja përgatit ndëshkime për përçarësit

0

PDK-Pr-PzTrendi në rënie dhe humbja e komunave si Gjilani, Mitrovica, Ferizaj, Vitia dhe Malisheva kanë bërë që Partia Demokratike e Kosovës të rinisë reformimin e degëve.

Burime të gazetës Tribuna bëjnë të ditur se drejtues të PDK-së janë duke shikuar mundësinë për riformatim të degëve. Kjo pasi ata mendojnë se përçarjet nëpër degë kanë ndikuar në humbje.

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, ka thënë se PDK është duke e pritur certifikimin e zgjedhjeve për të parë se si do të veprojë. Ai nuk ka pranuar të flasë nëse PDK-ja, pas rezultatit të zgjedhjeve të 3 nëntorit, do të bëjë ndonjë reformë të brendshme nëpër degët ku kjo parti e ka humbur qeverisjen.

“Jemi në pritje të certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, pastaj vendosim si do të vazhdojmë. Deri më tani nuk kemi diskutuar asgjë në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Musmurati, shkruan Tribuna. Degët me problematike të PDK-së gjatë procesit të reformës së brendshme kanë qenë ajo e Gjilanit dhe e Vitisë.

Pas reformës, zgjedhjet parlamentare

0

Zgjedhje-kosove-logoTë gjitha partitë opozitare kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme nacionale, megjithatë, sipas tyre, paraprakisht duhet të përfundojë referoma zgjedhore, shkruan Zëri. Edhe partia më e madhe në vend është në favor të mbajtjes së zgjedhjeve, por pas përfundimit të reformës zgjedhore.

Halit Krasniqi nga PDK-ja thotë se duhet pritur reforma zgjedhore, meqenëse ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme janë të përgatitura pothuaj në tërësi, nga Komisioni për Reformë Zgjedhore, duke përjashtuar pjesën që kërkohet qëndrimi dhe konsensusi i lidershipit të subjekteve politike.

“Jo vetëm se do të jenë të kontestueshme zgjedhjet, por edhe të hendikepuara nga një varg mangësish që i kemi evidentuar në ligjin aktual”, ka thënë Krasniqi. Ai ka bërë të ditur se nëse kihen parasysh sugjerimet e ndërkombëtarëve, të gjithë na sugjerojnë përfundimin e reformës zgjedhore.

“Do të bënim një gabim me pasoja të mëdha nëse hyjmë në zgjedhje pa reformën zgjedhore, për të cilën është bërë shumë dhe është domosdoshmëri në këtë proces nëpër të cilin po kalon vendi ynë”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa Haki Demolli nga LDK-ja ka thënë se kjo parti është e gatshme në çdo moment që të shkojë në zgjedhje të parakohshme. “Është edhe kërkesë e subjekteve politike, por edhe e faktorit ndërkombëtar që pa reformë të mos shkohet në zgjedhje. Por zgjedhjet e fundit treguan se ligji nuk ka qenë shkaktar për vjedhjet që ndodhën në zgjedhjet 2010”, ka thënë Demolli.

Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, ka pohuar se Aleanca është e gatshme për zgjedhjet parlamentare dhe beson se Kosovës i duhet një qeverisje tjetër, qeverisje e mirë, efektive, zhvillimore dhe e bazuar në sundim të ligjit.

“Aleanca beson se sa më shpejt që është e mundur duhet të përfundojë reforma zgjedhore në mënyrë që të hapet rruga për zgjedhjet parlamentare.

Pra, duhet të përfundohet reforma zgjedhore dhe menjëherë të përgatitemi për zgjedhje parlamentare”, ka thënë Ramadani.

Visar Ymeri nga Lëvizja “Vetëvendosje” thotë se kanë bërë kërkesë zyrtare prej dhjetorit 2011 për mocion votëbesimi ndaj Qeverisë. “Në shtator të vitit 2011 kemi kërkuar publikisht dorëheqjen e Qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve”, shprehet Ymeri.

Sipas tij, e ashtuquajtura reformë zgjedhore sipas marrëveshjes Thaçi-Mustafa-Pacolli, ishte alibia për zgjatjen e jetës së Qeverisë. “Zgjedhjet manipulohen jo prej ligjit, por si pasojë e nxitjes nga partitë e pushtetit për hajni”, ka potencuar Ymeri.

Asllanaj: Mustafa sakrifikoi Kryeqytetin për Kosovën

0

SaliAsllanaj-ldkIsa Mustafa ende s’ka marrë ndonjë kërkesë publike prej zyrtarëve të LDK’së për t’u larguar nga udhëheqje e partisë pas humbjes së pushtetit në Prishtinë. Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Sali Asllanaj e arsyeton humbjen e liderit dhe thotë se me te do t’i fitojnë zgjedhjet nacionale. Sipas tij, Isa Mustafa sakrifikoi Kryeqytetin për Kosovën.

Pavarësisht humbjes së Isa Mustafës në Prishtinë, zyrtarët e LDK’së deklarojnë se me të njëjtin udhëheqës do t’i fitojnë zgjedhjet nacionale.

Askush prej zyrtarëve të LDK’së deri më tash nuk ia ka kërkuar zyrtarisht dorëheqjen Isa Mustafës, i cili si Lider partie humbi garën komunale përballë një kandidati të partisë së katërtë në Kosovë.

Sidoqoftë, anëtari i Kryesisë së LDK’së, Sali Asllanaj thotë se LDK mund të fitojë zgjedhjet e ardhshme me Isa Mustafën.

Ai thotë se Lideri i LDK’së humbi në Prishtinë për shkak të përqendrimit të tij për t’i fituar komunat tjera.

“Isa e ka sakrifikuar edhe Prishtinën pikërisht për shkak të përkrahjes dhe mbështetjes së madhe të Kryetarëve që ka pasur. Isa ka qenë Shef i Shtabit për krejt Kosovën, jo vetëm për Prishtinën”, ka thënë Asllanaj për Gazetën Express.

“Mendoj se LDK është ngritur nën udhëheqjen e Isës. Nën udhëheqjen e tij, LDK ka kthyer udhëheqjen në shumë komuna të Kosovës”, ka shtuar ai.

Përveç Prishtinës, LDK ka humbur edhe Kamenicën dhe Obiliqin, derisa ka ruajtur pushtetin në Podujevë, Fushë Kosovë dhe Istog. Ndërsa ka kthyer Pejën, Gjilanin, Ferizajn, Vitinë, Lipjanin dhe Suharekën.

Kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj thotë se Kryetari i LDK’së tash do të ketë kohë më shumë të merret me partinë dhe të fitoj garën në krejt Kosovën.

Sipas tij, LDK mund të ndjek shembullin e Edi Ramës në Tiranë.

“Merreni edhe pak shembullin e Tiranës, kur humbi Edi Rama për pak vota në raport me Bashën, por e kthej fitoren në krejt Shqipërinë”, ka thënë ai.

Asllanaj thotë se LDK bëri gabim kur vendosi t’i kandidoi për herë të tretë të njëjtit kandidat.

“Është edhe fenomeni i mandatit të tretë. Ka edhe defekte lokale që kanë ndodhur. Jo krejt lista ka qenë e përkryer”.

Ilir Bokshi me “Edipi-Mbret”, fitues i festivalit mbarëkombëtar

0

EdipiMbret-ilirbokshiShfaqja “Edipi-Mbret” e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, me regji të Ilir Bokshit dhe skenografi të Petrit Bakallit, ka fituar çmimin e publikut në festivalin e dytë mbarëkombëtar të Teatrove në Qytetin e Tetovës. Nga votat e mbledhura nga spektatorët, çmimi iu dha pikërisht kësaj vepre të Shekspirit.

“Në bazë të rezultateve paraprake dhe komisionit që ka ofruar rezultatin e votimit të publikut, shfaqja më e mirë e festivalit ndërkombëtarë të Teatrit të Tetovës është ajo që është bërë në bashkëprodhim mes Kosovës dhe Shqipërisë, “Edipi-Mbret”. Dhe ne i përgëzojmë të gjithë ata që morën pjesë në këtë festival dhe që na nderuan me prezencën e tyre”, tha Valmir Aziri, drejtor i Teatrit të Tetovës për televizionin Alsat-M.

Festivali i sivjetmë, për dallim nga festivali i parë, megjithë fondet e pamjaftueshme për realizimin e tij, pati një jehonë më të madhe, falë përzgjedhjes së shfaqjeve. Për pesë net me radhë publiku nuk i la bosh kolltukët e sallës së Teatrit.

“Publiku tetovar i priti në mënyrë të mahnitshme gjashtë shfaqjet që u dhanë në Teatrin e Tetovës, të gjitha pritshmëritë që kishte festivali dhe drejtoria u përmbushën”, u shpreh Aziri.

Tahiri: Kryetarët serbë t’i respektojnë ligjet

0

Edita TahiriZëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ka thënë se pret bashkëpunim nga kryetarët e komunave serbe me institucionet e Republikës së Kosovës. Përndryshe, sipas saj, nëse ka të atillë që refuzojnë ligjet e Kosovës do të mbeten pa u përfshirë në organet legale komunale të saj.

Tahiri ka thënë për “Epokën e re” se kryetarët e komunave serbe që janë zgjedhur në zgjedhjet e fundit lokale, marrëveshja e Brukselit i obligon që të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës dhe t’u përmbahen ligjeve të Kosovës. Në këtë drejtim ajo ka thënë se konstituimi i organeve të reja komunale do të bëhet sipas ligjeve të Kosovës.

“Organet legale komunale në komunat me shumicë serbe ne veri të vendit, janë rezultat i zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, të mbajtura në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës, ashtu sikurse e konfirmon marrëveshja e Brukselit. Procedura e konstituimit të organeve të reja komunale do të bëhet sipas ligjeve të Kosovës, dhe këto organe komunale do të funksionojnë në kuadër të rendit Kushtetues të shtetit të Kosovës. Kosova ka aprovuar Ligjin për Amnisti për të krijuar politika të mirëbesimit për ata qytetarë serbë, të cilët në të kaluarën kanë bërë veprime ilegale. Mendoj se zgjedhjet lokale dhe Ligji për Amnisti kanë krijuar kushte për shuarjen e komunave ilegale dhe krijimin e komunave legale dhe integrimin e tyre në sistemin shtetëror të Kosovës”, është shprehur Tahiri.

Zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë se kryetarët serbë janë të vetëdijshëm se bashkëpunimi i tyre me institucionet shtetërore të Kosovës është obligim ligjor dhe demokratik. Tahiri ka thënë se, nëse ndonjë kryetar serb heziton t’i përmbahet këtij obligimi, do të mbetet i papërfshirë në organet legale komunale të Republikës së Kosovës.

“Të zgjedhurit në këto komuna janë të vetëdijshëm për këto ndryshime në realitetin politik të mbështetur nga marrëveshja e Brukselit, dhe bashkëpunimi i tyre është obligim ligjor dhe demokratik. Nëse do të këtë të tillë që refuzojnë zbatimin e ligjeve të Kosovës, do të mbeten pa u përfshirë në organet legale komunale të Republikës së Kosovës. Ndërsa Serbia, e cila është nënshkruese e marrëveshjes së Brukselit, do ta rrezikojë ardhmërinë evropiane”, ka thënë Tahiri.

Selimi: Flamuri i Kosovës është i imponuar me dhunë, s’duhet pranuar

0

RexhepSelimi-vvNë të njëjtën ditën kur Shpend Ahmeti e pranoi se do të punojë në Komunën e Prishtinës pa e hequr flamurin e Kosovës – ka folur edhe Rexhep Selimi. Deputeti i Vetëvendosjes ka thënë se flamuri i Kosovës është i vendosur me dhunë dhe askush s’duhet t’i nënshtrohet dhunës. Por, çka bëri Nënkryetari i Vetëvendosjes?

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë të premten se flamuri i Kosovës është imponuar dhe si i tillë është i papranueshëm për te.

Në një debat në televiziv, Selimi ka thënë se s’ka kompromis me flamur.

“Të gjithë e pranojnë se ky flamur është imponuar. Imponimi është dhunë. Unë jam i bindur të mos i bindem dhunës. Unë jam njëri prej njerëzve prej këtij kombi që nuk jam i prirët’i bindem dhunës deri në atë shkallë..”, ka thënë Selimi, në një debat në emisionin “Rendez Vous” të RTV21.

Por, dikush i Vetëvendosjes i është nënshtruar “dhunës” dhe ka pranuar të punojë në vendin ku është i vendosur flamuri i Kosovës dhe simbolet tjera të shtetit të dytë të Shqiptarëve.

Nënkryetari i VV’së, Shpend Ahmeti, Kryetar i ri i Prishtinës ka thënë se do të punojë në Kryeqytet dhe nuk do t’i largojë simbolet shtetërore.

“Ani pse edhe tani flamuri kombëtar është në Komunën e Prishtinës, megjithatë stema dhe gjërat e tilla do të mbesin, për shkak se ato i rregullon niveli qendror. Një gjë e tillë i mbetet Kuvendit të Kosovës. Do të vazhdojmë t’i përdorim simbolet që janë edhe në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Ahmeti, për Epokën e Re, të premten.

Sidoqoftë, Rexhep Selimi i VV’së ka thënë se s’duhet të ketë kompromis me dhunën dhe as me simbolet e identitetin kombëtar të shqiptarëve.

“Kompromis në dëm të identitetit nuk do të ketë kurrë”, ka shtuar ai.

Selimi ka ofruar një zgjidhje për të rilegjitimuar flamurin e Kosovës.

“Nëse doni të dini se i kujt është ky flamur, pyetni këta njerëz. Dilni në referendum, a thiremi në demokraci? Po. Referendumi është shkalla më e lartë e demokracisë, pyetni këta njerëz çfarë flamuri donë”.

Ecja e personave me nevoja të veçanta për identifikimin e pengesave në Prizren

0

Prizren-Ecja e personave me nevoja të veçantaSot në Prizren është realizuar ecja e personave me nevoja të veçanta për identifikimin e pengesave fizike, duke filluar nga rrethrrotullimi në lagjen Bazhdarhane (afër memorialit të NATO-s) deri në sheshin Shadërvan. Pas identifikimit të këtyre pengesave, do të përgaditet harta e pegesave, e cila do t’i dërgohet qeverisë lokale të Prizrenit me kërkesën për veprime konkrete në eliminimin e këtyre pengesave.

“Pas shumë fokus grupeve, debateve, analizave të bëra me personat me nevoja të veçanta në kuadër të projektit “Qyteti gjithëpërfshirës…”, EC Ma Ndryshe bashkë me këtë grup të komunitetit kanë identifikuar pengesat fizike me të cilat ballafaqohen këta qytetarë në përditshmërinë e tyre. Identifikimi dhe hartëzimi i pengesave udhëhiqet dhe mbikëqyret nga Znj. Rozafa Basha, arkitekte (ligjëruese në Fakultetin e Arkitekturës, UP), e cila gjatë ecjes së sotme është asistuar nga stafi i projektit dhe organizatës, studentë të Arkitekturës dhe shoqëruesit e personave me nevoja të veçanta”, theksoi Fjolla Gashi, koordinatore projekti në OJQ “EC Ma Ndryshe”.

Sipas saj, “EC Ma Ndryshe” së shpejti do të bëj publike hartën me pengesat fizike, e cila do t’i dërgohet qeverisë lokale të Prizrenit.

“Mbetemi me shpresë se autoritetet shtetërore dhe shoqëria do të dëshmojnë përkushtim në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat personat me nevoja të veçanta ballafaqohen në baza ditore”, theksoi Gashi./PrizrenPress.com/

Demaçi: Rugova sabotoi luftën, Mustafa i ngriti përmendore

0

Demaci11-21Adem Demaçi e ka komentuar humbjen e LDK-së dhe Isa Mustafës në Prishtinë. Ai ka shfrytëzuar këtë moment për të lëshuar akuza në drejtim të Isa Mustafës i cili thotë se ia ndërtoi Ibrahim Rugovës përmendoren, pavarësisht se ky i fundit ishte një anti hero dhe sabotues i luftës.

Madje shkon aq larg sa kundërshton edhe ngritjen e shtatores së Rugovës në sheshin tashmë me të njëjtin emër, Ai për pak sa nuk bën thirrje për rrëzimin e saj, shkruan Bota Sot.

“Kur erdh Isa Mustafa nuk e kuptoi që ishte koha për riorganizim, nuk ishte koha që të ngrihen përmendore i cili ishte një anti hero, anti heroit i ngrihen përmendore 9 milionë apo 10 milionë, i cili e ka sabotuar luftën, e ka sabotuar përpjekjen për pavarësi, i cili ka thënë e premtuar se çka të propozojnë miqtë tanë, unë do ta nënshkruaj, pa kurrfarë, hezitimi etj. etj, një njeri të harxhon 9 – 10 milionë, ishte një shok i madh, një goditje për këtë masë të madhe kritike që është formuar sepse njerëzit, pavarësisht moshën, po shikojnë, po dëgjojnë, po venerojnë, po vlerësojnë edhe ata sigurisht kur të vjen momenti e din çka të japin”, ka deklaruar Demaçi.

Thirrjet e tij kanë zgjuar shumë reagime në rrjetin socila të facebook dhe në rrjetet tjera sociale./BS/

Nesër nis gjykimi i grupit “Çakalli” për vrasjen e 109 shqiptarëve

0

Gjykata-beogradNesër do të nisë gjykimi i ish paramilitarëve serbë, të cilët akuzohen për krime lufte në Kosovë. 13 pjesëtarë të grupit të njohur si “Çakalli”, do të dalin para gjyqit për vrasjen e 109 civilëve shqiptarë gjatë vitit 1999, në rajonin e Pejës.

Prokuroria për Krime Lufte në Beograd ka njoftuar se nesër do të fillojë gjykimi kundër Toplica Miladinovic dhe dymbëdhjetë pjesëtarëve të tjerë të formacionit “Çakalli”, transmeton lajmi.net.

Të akuzuarit, pjesëtarë të këtij formacioni paramilitar të ushtrisë serbe, do të gjykohen për krime lufte të kryera ndaj banorëve shqiptarë të fshatrave Qyshk, Lubeniq, Pavlan dhe Zahaq në rajonin e Pejës.

Ata akuzohen për vrasjen e së paku 109 civilëve shqiptarë në këtë rajon gjatë luftës së vitit 1999.

Gjykata për Krime Lufte në Beograd më 22 nëntor të këtij vitit ka ngritur një aktakuzë kundër tre përfaqësuesve të ish-Ushtrisë së Jugosllavisë, nën dyshimin se kanë kryer krime lufte kundër civilëve shqiptarë në fshatin Lubeniq të Pejës, më 1 prill të vitit 1999.

Ndër të akuzuarit janë edhe pjesëtari aktual i Xhandarmërisë së Serbisë, Vladan Krstovic, i njohur me nofkën “Xhuxhi”, Lazar Pavlovic i njohur si “Lazo”, dhe Milan Ivanovic i njohur si “Miçko”.