10.9 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026
Home Blog Page 9104

Familjet e dëshmorëve në Prizren, përfitojnë 92 banesa

0

Prizreni5-24Komuna e Prizrenit, do të rrisë kujdesin ndaj familjeve të dëshmorëve dhe kategorive të tjera të dala nga lufta. Drejtoresha për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Farie Bytyçi, bëri të ditur se për 92 familje më në nevojë, do të zgjidhet problemi i banimit. Siç pohon Bytyçi, konkursi për aplikim ka filluar dhe do të qëndrojë i hapur për 30-të ditë, shkruan RTK

Në shoqatën e familjeve të dëshmorëve, ky lajm është mirëpritur me entuziazëm, pasi siI thotë kryetari i kësaj shoqate , Xhevit Berisha, shumë gra të dëshmorëve, nuk e kanë problem ushqimin për fëmijët e tyre, por banimin, pasi disa prej tyre jetojnë në bashkësi dhe në fshatra të thella.
Ndërsa, kryetari i OVL-së në Prizren Hajrim Qengaj, jep sihariqin se të gjithë familjet e dëshmorëve do të kompletohen me banesa, por kjo do të ndodhë gradualisht.

Drejtoria komunale për punë dhe mirëqenie sociale këtë vit ka dërguar për pushime në bregdet edhe 30 gra dhe nëna të dëshmorëve të luftës. Komuna e Prizrenit, numëron 154 dëshmorë, ndërsa në bazë të të dhënave që ka Shoqata e familjeve të dëshmorëve të Prizrenit, në proces shkollimi janë mbi 90-të fëmijë të këtyre familjeve.

Kosova me mungesë çerdhesh

0

Femije çerdheshKosova ka gjithsej 42 institucione parashkollore. Por, ky numër është i pamjaftueshëm për t’i përmbushur kërkesat e fëmijëve që kanë nevojë për gjithëpërfshirje në këto institucione. Këtë e thotë Drita Kadriu, këshilltare e ministrit të Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Ramë Buja.

“Edhe Prishtina, edhe Kosova nuk kanë numër të mjaftueshëm të institucioneve parashkollore, posaçërisht me lëvizjet e popullsisë në drejtim të kryeqytetit, çerdhet nuk e plotësojnë numrin e kërkesave”.

“Krahas kësaj, janë zhvilluar edhe institucionet private të arsimit parashkollor, por që gjithashtu edhe me këto institucione, edhe pse është rritur numri, nuk i përmbushin nevojat e fëmijëve për përfshirje në sistem. Gjithsej në Kosovë janë 42 institucione parashkollore. Për kopshte nevojat janë shumë të mëdha, e posaçërisht në Prishtinë”, thotë Kadriu.

Ndërkaq, prindërit e fëmijëve parashkollorë mendojnë se, përpos vështirësive për t’i regjistruar fëmijët e tyre në çerdhe, edhe kushtet që ofrohen në institucione parashkollore publike nuk janë në nivel të duhur.

Dafina Kastrati është nënë e një vajze 4 vjeçe, e cila flet për çerdhet.

“Çerdhet që ofrohen nga komuna, janë të pakta dhe nuk mjaftojnë për numrin e fëmijëve që janë në qytete. Është shumë e vështirë ta regjistrosh fëmijën aty dhe unë personalisht kam pasur shumë vështirësi, edhe pse më në fund kam arritur ta regjistroj vajzën time në çerdhen e lagjes. Sa i përket cilësisë, nuk janë kushedi sa mirë. Edukimi i edukatoreve nuk është në nivelin e duhur. Dhe, mendoj se merren aq shumë sa për t’i përgatitur fëmijët për shkollë”.

Këshilltarja Drita Kadriu thotë se e kanë parasysh faktin se sa i përket edukimit të fëmijëve nuk është duke u bërë aq sa duhet. Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se do të bëhet së shpejti një zgjidhje.

“Në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit është përgatitur programi që është akredituar për studime të larta për edukatorë të nivelit 0- 3 e që përveç kujdesit, do të ofrojnë edhe pjesën edukative për fëmijët e kësaj moshe”, shpjegon Kadriu për Radion Evropa e Lirë.

Për mungesë institucionesh parashkollore, kanë reaguar edhe zyrtarë të organizatave që merren me të drejtat e grave.

Luljeta Vuniqi, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, thotë se është shtruar nevoja e ndryshimit të politikave nga institucionet, në mënyrë që të rritet numri i çerdheve në vend.

“Gratë nuk kanë mundësi t’i dërgojnë (fëmijët) në çerdhe, sepse numri është shumë i kufizuar. Andaj, pa u ndryshuar politika dhe pa mbështetje për gratë që kanë nevojë për çerdhe për fëmijët e tyre, gratë do të duhet të zgjedhin mes punës apo familjes”, konsideron Vuniqi.

Sidoqoftë, Drita Kadriu thotë se sipas strategjisë së arsimit parauniversitar 2011- 2016, parashihet rritja e numrit të çerdheve. Por, nga ai vit, deri tash ende nuk është vënë ndonjë gurthemel. Ajo shton se janë në kërkim të donatorëve në mënyrë që ta zbusin situatën aktuale.

Meta: Haradinaj figurë historike

0

BeqirMeta-historianHistoriani Beqir Meta, autor i dhjetëra librave që prekin temat e reprezaljeve 100-vjeçare shoviniste dhe grabitjes së kufijve nga fqinjët tanë grekë e serbë, thotë se “e rëndësishme është të kuptojmë që për çdo lloj momenti historik, për një ngjarje, një personalitet, një kryengritje, një përpjekje që është bërë, çfarë përfaqëson. Në këtë kontekst ai rrëfen edhe rolin e Ramush Haradinaj dhe UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Duke mos dëshiruar të japë komente për deklaratat e analistit Fatos Lubonja se Ramush Haradinaj mund të cilësohet “vrasës”, historiani Beqir Meta preferon të flas për rolin dhe pozicionin e Haradinaj si figurë historike pas fushatës së tmerrshme të helmimit të fëmijëve kosovarë nga serbët, vrasjes së të rinjve shqiptarë, që solli si kundër-reaksion edhe daljen në skenë të UÇK-së.

“Këto luftëra në themel të tyre kanë pasur karakterin e tyre të drejtë çlirimtar dhe në të gjitha rastet kanë qenë luftërat e një populli të kërcënuar për të siguruar mbijetesën e vet. Këtu nuk bënë përjashtim as lufta që ka bërë UÇK-ja e gjithë populli i Kosovës për të shpëtuar nga shtypja dhe nga dhuna serbe. Gjithë bota e di, duke pohuar dhe dokumentuar qëllimin që kishte Serbia; spastrimi etnik i Kosovës.

Kështu që në këtë kontekst karakteri i luftës dhe nga studiuesit, politologët, organet e shtypit më serioze ndërkombëtare, karakteri çlirimtar i saj është e evidentuar qartë. Sigurisht që lufta ka edhe tejkalime nga individë të ndryshëm, por një karakter i veçantë nuk mund të provojë karakterin e një lufte.

Kombi shqiptar ka që nga lidhja e Prizrenit, kur shqiptarët janë ndier si komb, deri në ditët e sotme që po mbrohen në mënyrë të pandërprerë nga përpjekja e fqinjëve dhe organizmave të ndryshëm dhe individëve të ndryshme, për t’i anatemuar, për t’i gjykuar negativisht luftërat dhe përpjekje e shqiptarëve”, u shpreh për ‘Shqiptarja’ historiani Beqir Meta.

Thaçi: Kosova krenohet me Rahovecin

0

Epopeja e RahovecitKa përfunduar Akademia përkujtimore “Epopeja e Rahovecit” në nderim të luftës çlirimtare që është zhvilluar në këtë komunë dhe të rënëve të saj. Me këtë rast Mensyr Zymberaj, Bedrush Gashi, Sheh Mujedin Jonuzi Shehu, Xhelal Bajram Hajda dhe Selajdin Mullaabazi, janë nderuar me titullin Heroi i Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka marrë pjesë në këtë Akademi ka thënë se Shteti i Kosovës është krenarë me Rahovecin luftën dhe sakrificën që është bërë në këtë komunë për çlirimin e vendit.

Ai, gjithashtu, para të pranishmëve ka bërë të ditur vendimin e tij për shpalljen Hero të Kosovës, të bartësve të organizimit dhe luftës çlirimtare në këtë komunë.

“Sot jam i nderuar që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 84, pika 28 e Kushtetutës së Kosovës, të nenit 6 të ligjit për dhënien e dekoratave nga presidenti i Kosovës, të nenit 3, 4, 5 të Rregullores mbi dekoratat, urdhrat dhe titujt e nderit dhe procedurës së dhënies së tyre të prezantoj dhe të jap vendimet për shpalljen Hero të Kosovës për; Mensyr Zymberaj, Bedrush Gashi, Sheh Mujedin Jonuzi Shehu, Xhelal Bajram Hajda, Selajdin Mullaabazi”, ka thënë Thaçi, transmeton Kosovapress, i cili më pas, përfaqësuesve të familjeve të këtyre dëshmorëve u ka shpërndarë vendimin e tij.

Bie numri i udhëtarëve që hyjnë dhe dalin përmes pikës kufitare të Vërmicës

0

Kufiri ne vermicËshtë shënuar rënie e numrit të udhëtarëve që hyjnë dhe dalin përmes pikës kufitare të Vërmicës, krahasuar me periudhën e njëjtë kohore e vitit të shkuar. Kështu i ka thënë Radio Kosovës Komandanti i kësaj pike, Qamil Kroni. Lëvizjet e kohëpaskohshme për organet e rendit në Vërmicë nuk paraqesin fluks, por qarkullim të zakonshëm. Kroni thotë se janë 5 kabina në dispozicion në të cilat i nënshtrohen kontrollit udhëtarët.

Pesëmbëdhjetë mijë persona hyjnë dhe dalin përgjatë kufirit të Vërmicës gjatë 24 orëve. Ky qarkullim i njerëzve në këtë pik të verës nuk po paraqet asnjë shqetësim për policinë kufitare, pasi kjo e fundit i ka marrë të gjitha masat e duhura. Komandanti Qamil Kroni i tha Radio Kosovës se për dallim nga periudha e njëjtë kohore e vitit të shkuar, sivjet ka shënuar rënie numri i udhëtarëve, ndonëse nuk përmendi ndonjë arsye.

Ai tha se janë në dispozicion pesë kabina në të cilat i nënshtrohen kontrollit udhëtarët, ndërsa, është shtuar edhe personeli me qëllim të shmangies së pritjeve që edhe jo rrallë herë ndikonin në shtimin e kolonave të gjata. Kroni thotë se këto lëvizje konsiderohen si të zakonshme dhe nuk po paraqesin fluks i cili nuk mund të përballohet. I pari i Policisë Kufitare të Vërmicës tha se pritjet më të gjata janë pesë deri në dhjetë minuta. E të njëjtën gjë e pohojnë edhe qytetarët.

Ndërkohë për mungesën e numrit të turistëve ankohen edhe pronarët e agjencive turistike në Prizren që bartin udhëtarët për në vendet turistike. Moti jo i mirë dhe muaji i Ramazanit thonë të kenë ndikuar tek klientët e tyre.

Tur operatorët shpresojnë se numri të shënojë rritje gjatë muajit gusht. Madje me qëllim të joshjes së udhëtarëve disa prej kompanive turistike kanë bërë edhe oferta të ndryshme përmes uljes së çmimeve të udhëtimit, sidomos për në bregdetin e Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Bullgarët i sjellin Butrintit “spiunazhin” e prehistorisë

0

Butrinti-teatriBullgarët i sjellin Butrintit “spiunazhin” e prehistorisëMbrëmjen e 18 korrikut, skenës magjike dhe shkallareve të Butrintit antik iu kthye teatri. Pas dy vjetësh heshtje të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, ka rinisur aty ku mbeti, në edicionin e 12-të. Disa dymbëdhjeta ka gërshetuar nata e parë e këtij festivali.

Drejtori artistik dhe themeluesi i këtij festivali teatror, Alfred Bualoti, i tha spektatorit se përgjegjësia dhe emocioni i këtij rifillimi është si 12 vjet më parë dhe se është një rinisje për të mos u ndalur më kurrë. Dhe, për koincidencë, fabula e shfaqjes që shme. Dramaciteti rritet, nga momenti që në shërbimi të qëllimit për shtimin e ushqimit, u përdor edhe spiunazhi. Kjo erdhi tek spektatori përmes zgjedhjes për ta kryer këtë shërbim vajza më e bukur e fisit të skorpionëve, që u rrit në sytë e spektatorit si protagoniste e shfaqjes së bullgarëve, shkruan GSH.

Regjisori i saj bëri edhe pak histori të kësaj drame. Ai tha se pjesa “Spiunazh në epokën e gurit” është shkruar rreth viteve ’80 në Bullgari dhe se u ndalua menjëherë më pas nga regjimi komunist. Shkaku qëndronte se ajo u kuptua si denoncim për izolimin dhe mungesën e komunikimit mes grupimeve të njerëzve. Veshja prehistorike në ngjyrën e dheut dhe mjete të tjera skenike, si tatuazhet, shkopinjtë mbi të cilët aktorët ecnin si mbi një palë këmbë të dyta e po kështu mjetet primitive të peshkimit dhe veshjet prej lëkure për aktorët-moderatorë të shfaqjes, të përzgjedhura nga regjisori bullgar, e bënë të dallueshme dhe të admirueshme “Spiunazh në epokën e gurit”. Për më tepër që ato ishin në harmoni me efektet ritmike dhe muzikën e prodhuar nga rrahja e shkopinjve dhe përdorimin e pjesës ujore të paraskenës apo përhumbjen e aktorëve deri përtej shpinës së spektatorit të radhës së fundit. Performanca bullgare ishte një ansambël i lojës së një grupi aktorësh potentë. Por ato që spikatën më tepër ishin dy ekstreme moshore: vajza-“spiune”, një aktore e re dhe me plastikë të mrekullueshme, dhe aktorja 82-vjeçare, Tatjana Llollova. Organizatorët e eventit të Butrintit, tek aktorja më e re dorëzuan emblemën e festivalit, ndërsa tek 82-vjeçarja çuan buqetën e luleve, që e ka kënaqur dhe bërë të ndihet e privilegjuar Tatjana Llollovën. Ajo tha pas shfaqjes, se disa herë e pyetën miqtë në Sofje me një lloj habie se ç’do të donte që do shkonte në Shqipëri. Do të shkoj, u përgjigjej ajo, se është tjetër tokë, tjetër klimë dhe se është një skenë për të cilën kishte dëgjuar që të çon mijëra vite më parë. Prapë miqtë e pyesnin, ndërkohë që dita e udhëtimit afronte dhe prapë ajo thotë se u kthente pak a shumë të njëjtën përgjigje. “Ditën që më panë me valixhe, pyesnin dhe përgjigjeshin po ata vetë, duke thënë: Aaaa, tani e dimë, do shkosh në Shqipëri, atje ku gjendet kurioziteti i fundit i turizmit në Europë”.

Aktorja e njohur bullgare Tatjana Llollova, u shpreh e mrekulluar nga vetë skena e Butrintit dhe magjia dhe akustika e papërsëritshme e saj. Në natën e dytë, mbrëmë, skena e Butrintit ishte për kompaninë teatrore “Tribuene” të Madridit, me dramën e njohur “Shtëpia e Bernarda Albës”, në versionin spanjoll.

Instituti i Historisë, mangësi në studimet e periudhës së mesjetës

0

Libra historikShqipëri- Instituti i Historisë pas disa botimeve të rëndësishme një vit më parë edhe këtë vit vijon puna nga studiuesit dhe historianët për të tjera botime. Drejtori i këtij instituti, prof. Beqir Meta tregon se puna që bëjnë studiuesit është e madhe, dhe gjithmonë synimi i botimeve janë dokumentet dhe faktet historike. Sot në këtë institut janë tre departamente, ai i Mesjetës, periudha e Pavarësisë dhe periudha e Luftës së Ftohtë ( periudha e komunizmit), por sipas drejtorit Meta tashmë ka ardhur koha që të ketë jo vetëm plotësim të departamenteve me më shumë studiues, por dhe të shtohet një tjetër departament. Sipas tij, problemi i forcimit të departamentit të Mesjetës ka qenë gjithmonë dhe vijon të jetë. “Ne duam të forcojmë departamentin e Mesjetës që ekziston në Institutin e Historisë dhe është i vetmi ku bëhen studime në mesjetë, por është shumë i vogël, ka tre persona. Mendoni që nga mesjeta e hershme, pra periudha post ilire deri më 1912 vetëm me tre historianë, kjo është e pamundur”, pohon Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë, transmeton Sotnews.Ky institut, i cili ashtu si dhe institutet e tjerë ndodhet në kupolën e Qendrës së Studimeve Albanologjike, sipas drejtorit Beqir Meta shtimi i studiuesve në departamentin e Mesjetës do të ndikonte shumë dhe në rezultatin e punës së këtij departamenti. Kërkesa për shtim të studiuesve në këtë departament ka qenë bërë e ditur dhe herë të tjera, dhe kjo gjë do ti bëhet e ditur edhe institucioneve të tjera shtetërore në vijim. “Duam shtim të historianëve. Njëlloj si ia kemi bërë kërkesën për më shumë historianë në këtë departament qeverive deri tani, do t’ia shtrojmë këtë kërkesë dhe qeverisë së re. Forcimi i departamentit të Mesjetës është kusht shumë i rëndësishëm, tre veta janë shumë pak. Janë me qindra vjet histori dhe duhen specialistë të merren me studime, mendoj se ky departament duhet të ketë 6 apo 7 veta, të ketë profilizim sipas shekujve dhe të ulim ngarkesat e këtyre që janë. Ne kemi shumë studiues të mirë, por fuqizimi i departamentit të Mesjetës sjell më shumë studime, më shumë kompetenca shkencore, thellime të studimeve, pasi ne sot kemi mangësi të studimeve të kësaj periudhe”, pohon drejtori i Institutit të Historisë. Përballë zhvillimeve ndër vite, sipas drejtorit të këtij instituti ka ardhur koha që tashmë ky institut të ketë 4 departamente, ku është menduar të shtohet ai i periudhës Postkomuniste. “Si institut kemi interes që të shtohen departamentet. Mund të krijohet edhe departamenti i periudhës Postkomuniste, që ne sot nuk e kemi. Duhet patjetër të fillojnë studimet dhe për këtë periudhë, ka artikuj, studime, shtypi, etj. Temat e studimit duhet të fillojnë, sepse dalëngadalë do të vijë dhe periudha e hapjes së arkivave. Ky departament të jetë për periudhën e tranzicionit drejt demokracisë”, shton më tej drejtori i këtij instituti, i cili thekso se dhe këtë kërkesë do t’ia parashtrojnë Ministrisë së Arsimit.

Botimet e këtij viti

Edhe këtë vit synimi kryesor në Institutin e Historisë është që të mbahet ritmi i punës së bërë një vit më parë, që sipas drejtorit Beqir Meta ka qenë shumë intensiv dhe me rezultate. Një vit më parë janë realizuar rreth 17 tituj botimesh të ndryshme, duke përfshirë dhe revistën “Studime historike”, ndërsa këtë vit janë dhjetë botime, mes tyre është dhe ai mbi rezultatet e konferencës së 100-vjetorit një vit më parë. “Këto janë botime me shumë interes. Janë dy vëllime të rëndësishme të akteve të konferencës së 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, që u zhvillua një vit më parë. Është bërë një punë e madhe dhe janë mbledhur të gjithë materialet nga studiuesit e huaj apo shqiptarë. Është bërë redaktimi shkencor dhe po punohet në dy plane paralele, atë të redaktimit gjuhësor dhe për përkthimin e tyre në gjuhën angleze”, pohon drejtori Meta, duke shtuar se në fund të vitit këto botime do të përfundojnë. Këtë vit pritet dhe monografia “Minoritet dhe ndërtimi kombëtar në Shqipëri në periudhën 1912-1925” me autor prof. Beqir Metën, vëllimi i parë mbaron këtë vit dhe i dyti vitin tjetër. Vitin e kaluar janë botuar 5 vëllime me dokumente historike për qëndrimin e Austro-Hungarisë ndaj shtetit shqiptar më 1912 dhe këtë vit do të botohen dhe dy të tjerë. Do të botohen gjithashtu edhe dy numrat e revistës “Studime historike”, ku nuk do të mungojnë dhe dy vëllime me studime për Franc Nopçën. Mes botimeve, para disa ditësh u promovua dhe vëllimi “Kujtimet e Syrja bej Vlorës”, por vëmendja e historianëve do të vijojë dhe me historinë e shekullit të XX. Drejtori i Institutit të Historisë pohon se ata nuk kanë hasur në probleme me buxhetin për botimet, por nuk mungon dhe ndihma e shtëpive botuese.

Një kopje e Listës së Oskar Schindler është nxjerrë në ankandin eBay

0

eBay-oscarNjë kopje e Listës së Oskar Schindler (Schindler’s List) , i cili shpëtoi nga vdekja në kampet naziste të përqendrimit më shumë se një 1 mijë hebrenj, është nxjerrë në ankand në faqen e Internetit të eBay, shkruan gazeta amerikane “New York Post”.

Organizatorët e ankandit llogarisin të fitojnë nga ajo jo më pak se 5 milionë dollarë. Në vitin 2011 këtë dokument ia bleu nipit të Oskar Schindler një blerës anonim.

Deri më sot kanë mbijetuar nga 4 deri në 7 kopje të listës. Njëra ndodhet në Muzeun e Holokaustit të SHBA-së, ndërkohë që edhe dy prej tyre janë ekspozuar në muzeun “Yad Vashem” në Izrael.

Në Mynih, peticion për Shqipërinë Natyrale

0

KoçoDanajMe një peticion masiv shqiptarë duan të bëjnë presion mbi bashkësinë ndërkombëtare për të realizuar qëllimin që shqiptarët të jetojnë në një shtet të përbashkët, paralajmëroi sot në Mynih (München) të Gjermanisë filozofi Koço Danaj, organizator i projektit “Shqipëria Natyrale”.

E përditshmja austriake Prese shkruan se “BE-ja fuqimisht kundërshton këtë projekt”. Në konferencë për gazetarë në Mynih, Danaj deklaroi se deri në muajin nëntor duhet të mblidhen një milion nënshkrime nga shqiptarët e diasporës, të cilët jetojnë jashtë “Shqipërisë Natyrale”, shkruan gazeta austriake.

Pas grumbullimit të nënshkrimeve, ato do t’iu dërgohen, pos tjerash, edhe qeverive të Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Austrisë.

Projekti është nisur me grumbullimin e mbrëmshëm në sheshin Karlsplatz të Mynihut.

Kosova në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës

0

Kosova-flamuriPër të tretin vit me radhë në historinë e shtetit të Kosovës, nesër më (21.07.2013), do te nisën nga aeroporti Adem Jashari djemtë dhe vajzat e reprezentacionit te Kosovës që do të marrin pjesë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës. Kjo garë, në të cilën marrin pjesë më shumë se 100 shtete të botës,  këtë vit organizohet në Santa Marta në Kolumbi. Kosova do të përfaqësohet si shtet me flamur dhe himn të saj nga 6 nxënës të shkollave të mesme të Kosovës. Ekipin e përbëjnë nxënësit Petrit Avdylaj, Valdrin Sherifi, Doruntina Sylejmani, Besart Kodraliu, Bardh Shabani, Alban Kryeziu dhe përcillen nga profesorët Ramadan Limani dhe Kajtaz Bllaca, njofton përmes postës elektronike Elban Avdylaj.

Kjo është gara më e madhe botërore e matematikës  e cila zhvillohet çdo vit në një vend të ndryshëm të botës. Gara daton qysh nga viti 1959 dhe Kosova është anëtar i saj tash e tri vjet. Me gjithë vështirësitë e mëdha financiare dhe mospërkrahjen institucionale, ekipi jonë edhe këtë vit ka arritur të mbledhë fondet e nevojshme për pjesëmarrje.