10.9 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026
Home Blog Page 9105

KQZ me plan sekret për zgjedhjet në veri

0

KQZ-raportKryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, pas kthimit nga Brukseli ku ka marrë pjesë në delegacionin e Prishtinës në bisedime me Beogradin, është përkujdesur që me anë të një raporti konfidencial t’i informojë anëtarët e KQZ-së për punën e bërë por edhe për pikat e planit që do të zbatohet gjatë organizimit të zgjedhjeve në veri.

Në këtë raport të dedikuar vetëm për anëtarët e KQZ-së e të cilin ka arritur ta sigurojë gazeta Tribuna, përshkruhen pikat se si duhet të koordinohen KQZ-ja me OSBE-në për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës. Në fillim të dokumentit, Daka informon anëtarët se në Bruksel ka qenë në cilësinë e ekspertit e jo të kryetares së KQZ-së.

“Qëllimi i këtyre takimeve ka qenë identifikimi i rolit të OSBE-së, lidhur me ndërmjetësimin e organizimit të zgjedhjeve lokale 2013. Dëshiroj të potencoj se roli im dhe i drejtoreshës së zyrës për regjistrimin e partive në takimet e Brukselit, ka qenë thjeshtë teknik, në cilësinë e ekspertit zgjedhor”, ka shkruar në raport Daka.

Hoxhaj: Ne nuk e shpikëm Ligjin për Amnistinë

0

Hoxhaj-Enver5-21Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se Qeveria po bën përpjekje t’i integrojë qytetarët serbë në veri. Në këtë kontekst, ai ka përmendur miratimin e Ligjit për Amnistinë, i cili, sipas tij, nga një pjesë në Kosovë është keqinterpretuar me qëllim.

“Ligji për Amnistinë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkundrazi është dëshmi e një vizioni të elitës politike në Kosovë. Një dëshmi e një zemërgjerësie të qytetarëve të Kosovës që t’ia shtrijnë dorën e amnistisë – pajtimit. Çdo shoqëri në situatë të njëjtë është sjellë në mënyrën e njëjtë. Ligji për Amnistinë nuk është shpikje e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës. Çdo shtet serioz, i cili ka synuar të ndërtojë shtet dhe kulturë politike të përbashkët, ka bërë hapa të tillë”, ka thënë Hoxhaj.

Në këtë intervistë për “Epokën e re” Hoxhaj, ka thënë se Kosovën shumë shpejt do ta njohin edhe tri shtete të tjera.

Ai ka thënë se këto vende janë në procedurë për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. “Janë dy vende nga bota arabe, por ka edhe një vend tjetër nga Amerika Latine, por për shkak të kalendarit të verës nuk e përjashtoj mundësinë që njohjet të shtyhen për në shtator”, është shprehur Hoxhaj. Ai në këtë intervistë ka folur edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Hoxhaj ka thënë se Serbia nuk ka alternativë tjetër pos zbatimit të marrëveshjes. “Kështu që, zbatimi i marrëveshjes do të ndodhë”, është shprehur Hoxhaj, duke shtuar se çasti më i rëndësishëm në këtë drejtim do të jetë mbajtja e zgjedhjeve lokale në veri. Ai mendon se do të ketë pjesëmarrje të mirëfilltë në zgjedhje të komunitetit serb.

E drejta e Kosovës, si e drejtë ndërkombëtare

0

Bujar DeskuBujar Desku
Tre vjet më parë, Kosova kishte betejën më delikate juridike dhe politike për subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Pas një procesi të gjatë deklaratash, seancash e ballafaqimeve diplomatike të blloqeve për dhe kundër, më 22 korrik 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) dha mendimin e padiskutueshëm, që pavarësia e Kosovës ishte në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat relevante të OKB-së.

Gjykata ka shkuar edhe më tutje, duke bërë të qartë se shpallja e pavarësisë nuk ka cenuar në asnjë mënyrë as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe as Kornizën Kushtetuese. Por, edhe me i fuqishëm u bë ky mendim kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së aprovoi atë dhe kërkoi nga Kosova dhe Serbia të angazhohen në zgjidhje të problemeve praktike në mes tyre, si pjesë e proceseve integruese.

Opinioni Këshillëdhënës i GJND-së ishte i qartë, se nxjerrja e Deklaratës se Pavarësisë nga institucionet e Kosovës ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Ne aspektin komperativ, legjitimiteti i pavarësisë së Kosovës mund të krahasohet me disa vende të tjera qe si rezultat i vazhdimësisë së tyre nga një territor tjetër të ketë fituar pavarësinë. Sipas të drejtës ndërkombëtare, Kosova i përmbush të gjitha kriteret të jetë një shtet i pavarur siç edhe është e paraparë nga Konventa e Montevideos (1933).

Kosova i përmbush të gjitha kriteret për të qenë shtet i pavarur dhe sovran. Nëse bëhet fjalë për territorin – në OKB ka 34 shtete me territor më te vogël se Kosova; nëse bëhet fjalë për popullatën – në OKB janë 58 shtete me numër më te vogël të popullsisë se te Kosovës. Një tjetër fakt që dëshmon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës është njohja nga mbi 100 shtete anëtare të OKB-së.

Shpallja e Mendimit të GJND-së, për ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës shënon arritjen më të çmueshme në konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë. Ky mendim ka konfirmuar në mënyrë të qartë dhe shprehës se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka cenuar asnjë normë ligjore të së drejtës ndërkombëtare.

Opinioni Këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) ishte vendimtar për të ardhmen e Kosovës. Legjitimiteti që mori ndikoi në njohjet e reja apo se paku nuk vazhdoi të jetë arsye për mosnjohje nga shtetet që kishin ketë dilemë para mendimit të GJND-së.

Ky opinion, si argument i fuqishëm shtesë, ka rezultuar me një lobim më bindës për njohje të reja, perspektivë më të mirë dhe anëtarësim në disa organizata, mekanizma e institucione relevante ndërkombëtare.

Është evidente që mendimi i qartë i GJND-së në favor të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk ka ndikuar ende që 5-shja evropiane, Rusia dhe disa vende të tjera, të ndryshojnë qëndrim kundrejt njohjes së shtetit të Kosovës. Megjithatë, mendimi i GJND-së ka ndihmuar në një mënyrë tjetër: pa marrë parasysh kundërshtimet e Serbisë dhe të disa shteteve përkrahëse të saj ndaj legjitimitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, ekzistenca e saj si subjekt shtetëror në marrëdhëniet ndërkombëtare, tashmë pranohet në mënyrë të padyshimtë edhe nga një numër i konsiderueshëm i shteteve, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Për shembull, mbi 125 shtete tashmë pranojnë pasaportat e Republikës se Kosovës, në baza formale apo joformale. Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së 64/298 (9 shtator 2010), e sponsorizuar nga BE-ja dhe Serbia, ishte shumë e qartë dhe ka mbyllur përfundimisht mundësinë e bisedave për status një herë e përgjithmonë.

Procesi i njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, është kushtëzuar nga rrethanat e veçanta politike dhe ligjore ndërkombëtare, në të cilat është pavarësuar Kosova.

Praktika ndërkombëtare e legjitimimit ndërkombëtar të shteteve të reja, pas vitit 1945, gjegjësisht që nga krijimi i OKB-së, dëshmon se ky proces kryesisht është realizuar, përmes anëtarësimit në OKB-së. Kjo, në thelb, ka nënkuptuar njohje kolektive të shteteve të reja, duke i bërë praktikisht të panevojshme njohjet nga shtetet veç e veç.

Duhet theksuar se rruga për sigurimin e njohjeve individuale është rruga më e vështirë dhe merr më shumë kohë. Asnjë nga fqinjët e Kosovës nuk kanë arritur më shumë se disa dhjetëra njohje formale bilaterale, sepse njohjen e kanë siguruar nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kosova duhet të përcjellë rrugët paralele për të arritur – një nga një – numrin më të madh të mundshëm të njohjeve, por po ashtu për t’i përmbushur obligimet, në mënyrë që vendi të bëhet anëtar i barabartë i OKB-së dhe BE-së.

Në rastin e Kosovës, mungesa e konsensusit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për mbështetjen e propozimit të të dërguarit të posaçëm të OKB-së për statusin e Kosovës, Presidentit Martti Ahtisari, për shkak të kundërshtimit të Rusisë, e ka detyruar Kosovën që të ndjekë rrugën e njohjeve individuale, për të arritur integrimin e plotë në bashkësinë ndërkombëtare.

E gjendur përballë këtyre specifikave, sigurisht se mendimi i GJND-se është situata me komfore të cilës politika dhe diplomacia e Republikës se Kosovës i referohet si pika më relevante gjatë lobimit

Ndërkaq, përveç këtij dimensioni, pas opinionit këshillëdhënës të GJND-se për legjitimitetin e deklaratës së pavarësisë së Kosovës, Kosova dhe Serbia kanë mundësinë t’i tejkalojnë dallimet, të vendosin marrëdhënie dypalëshe dhe te zhbllokojnë rrugën e tyre, drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE). Dialogu dhe përfaqësitë respektive janë sinjalet e para ne këtë drejtim.

Prishtina vazhdon të shpresojë që opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), si pikë reference, do të nxisë më shume njohje, duke e përdorur këtë si argument të fortë në çdo “kërkesë” për njohje dhe realisht, pas mendimit të GJND-se janë rreth 30 vende që kanë njohur Kosovën.

Megjithatë, qëndrimet e pesë shteteve anëtare të BE-së dhe të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (sidomos Rusisë dhe Kinës), vështirë se do të mund të luhaten.

Mendimi këshillëdhënës i GJND-së ishte disfatë për Serbinë, duke i dhënë fund shpresës së Beogradit për të shfrytëzuar këtë organ gjyqësor si pikënisje për rihapjen e bisedave mbi statusin e Kosovës. Në përpjekje për ta marrë veten pas iniciativës në GJND, Beogradi u armiqësua edhe më shumë me shtetet e BE-së, kur më 28 korrik, në kuadër të reagimit ndaj mendimit të GJND-së, propozoi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara një projekt-rezolutë, e cila nuk qe koordinuar paraprakisht me Brukselin.

Në Kosovë, vendimi i GJND-së kishte ndihmuar në zvogëlimin e frustrimit të prodhuar nga procesi i ngadalshëm i njohjeve dhe nga qasja neutrale ndaj statusit realisht e pëlqyer nga KB-të.

Duke pasë parasysh gjithë këtë kronologji procesi, pa asnjë dyshim, mendimi këshillëdhënës i GJND-së përbën një fitore të madhe për Kosovën dhe humbje, po aq të madhe, për Serbinë. Në thelb, ai legalizoi pavarësinë e Kosovës dhe minimizoi përpjekjet e Serbisë, dhe faktorëve të tjerë kundërshtues për zhbërjen e saj, nën maskën e mbrojtjes të së drejtës ndërkombëtare.

Mendimi këshillues i GJND-së rikonfirmoi, edhe një herë tjetër, më me forcë, se e drejta ndërkombëtare përbën një sistem të tërë parimesh e normash, në të cilin nuk ka hierarki. Në këtë kuptim, parimi i respektimit të sovranitetit shtetëror nuk ka epërsi mbi atë të vetëvendosjes së popujve, tezë së cilës i përmbahen pseudolegalistët serbë dhe mbështetësit e tyre.

Me mendimin e saj, GJND dëshmoi se e drejta ndërkombëtare, në përgjithësi dhe Karta e OKB-së, mbron sovranitetin e popujve, ajo nuk ka kuptimin e një license për qeveritë, që ato të nëpërkëmbin të drejtat njerëzore dhe dinjitetin dhe se sovraniteti nënkupton përgjegjësi, jo vetëm pushtet.

Kosova në “agjendën” e GJND-së

Me rezolutën 63/3 të miratuar më 8 tetor 2008, Asambleja e Përgjithshme i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, organit kryesor gjyqësor të Kombeve të Bashkuara, dhënien e një mendimi këshillëdhënës në pyetjen nëse Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Rezoluta është miratuar me 77 vota për, 6 kundër dhe 74 abstenime.

Kjo çështje u fut ne rend dite të AP-së, pas kërkesës së Serbisë, të përmendur me lart, e cila kërkonte që kjo gjë të shkonte ne GJND.

Mbështetur në nenin 65(2) të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 30 janar 2009, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i ka dorëzuar Gjykatës një dosje me dokumente që mund të hidhnin dritë në pyetjen e kërkuar. Gjykata ka përcaktuar afatet kohore brenda të cilave shtetet e interesuara do të mund të paraqisnin deklaratat, përkatësisht komentet me shkrim, si dhe më vonë ka vendosur dhe përcaktuar dinamikën e mbajtjes së seancave dëgjimore. Gjykata e ka ftuar edhe Kosovën që të paraqesë kontributet me shkrim dhe të marrë pjesë në seancat dëgjimore.

Në fazën e parë me shkrim, deri më 17 prill 2009, 37 shtete kanë dorëzuar deklarata me shkrim. Në fazën e dytë, atë të komenteve ndaj deklaratave me shkrim, komente me shkrim kanë paraqitur 15 shtete. Në periudhën midis 1 dhe 11 dhjetorit 2009, Gjykata ka organizuar seanca dëgjimore, me të cilin rast argumentet e tyre i kanë paraqitur 29 shtete. Republika e Kosovës ka marrë pjesë në të gjitha fazat e procesit në Gjykatë.

(Bujar Desku është autor i librit “Interpretimi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës nga GJND”)

Paçarizi, AK-së: Miratoni Planin Zhvillimor të Prizrenit

0

sadik-pacariziDrejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Sadik Paçarizi, kërkon nga Asambleja Komunale që sa më shpejt ta miratojnë Planin Zhvillimor të Prizrenit.

“ Kërkoj që Kuvendi Komunal të miratojë sa më shpejt Planin Zhvillimor dhe zhvillimi i qyteti të mos mbetet peng i këtij plani”, tha Paçarizi.

Ai po ashtu kërkon që të miratohet edhe taksa e re komunale.Paçarizi tha se drejtoria që drejton ai deri më tash ka bërë një punë të madhe. Sipas tij, si rezultat i punës që është bërë në këtë drejtori, qytetarëve i janë krijuar lehtësira të mëdha.

“Kemi bërë një punë të madhe në këtë drejtori. Nga kjo punë qytetarëve ju kanë krijuar shumë lehtësira”, tha Paçarizi.

Ai kërkoi nga qytetarët që të respektojnë ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit. “Vetëm së bashku mund ta ruajmë Zonën Historike të Prizrenit, tha Paçarizi. /PrizrenPress.com/

‘Lufta’ e AAK-së dhe VV-së për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit

0

Kurti,Krasniqi, SelimiLargimi I deputetes Alma Lama nga Lëvizja Vetëvendosje, mund t’i kushtoj kësaj të fundit me humbjen e pozitës së nënkryetarit të Kuvendit, pozitë këtë që e mbanë Glauk Konjufca. Kjo pasi që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tanimë numerikisht është partia e tretë në Kuvendin e Kosovës dhe kërkon t’i marrë VV-së postin e nënkryetarit.

Kërkesa e AAK-së do të shqyrtohet të hënën nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për ORAinfo, zëdhënësi I AAK-së Ernest Luma, i cili ka sqaruar se shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Ardian Gjini ka kërkuar nga kryesia që të shqyrtohet mundësia që nënkryetari i Kuvendit të bëhet nga AAK-ja.

“AAK-ja beson se kërkesa do te merret parasysh, pasi një gjë e tillë parashihet me Kushtetutën e Kosovës”, është shprehur Luma.

Brovina kërkon më shumë femra në Qeverinë e Kosovës

0

FloraBrovina-deputete

Në Qeverinë e Kosovës e cila drejtohet nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, më së paku ka vend për gratë e PDK-së. Janë dy zëvendëskryeministre, Edita Tahiri dhe Mimoza Kusari, kjo e fundit edhe ministre e Tregtisë. Por PDK-ja përfaqësohet në ekzekutiv vetëm me Vlora Çitakun, e cila është ministre e Integrimit Evropian. Ndonëse në ekzekutiv nuk qëndron mirë, brenda PDK-së, gruaja ka zënë pozitë më të favorshme pas zgjedhjeve të fundit brenda këtij subjekti politik.

Deputete në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina në vazhdimësi ka pasur pozitë të lartë edhe brenda Partisë Demokratike të Kosovës. Madje në zgjedhjet e para pas luftës, ajo ishte e nominuar nga PDK-ja për presidente të vendit. Brovina thotë për Radio Kosovën se pas zgjedhjeve të fundit në PDK, gruaja ka përmirësuar pozitën e saj, duke u përfaqësuar me disa anëtare në kryesinë e partisë dhe me një nënkryetare. Por, sipas saj, kjo nuk është e mjaftueshme, ngase në ekzekutiv mungon gruaja e PDK-së.

“PDK-ja herë pas here di të befasojë duke i dhënë një pozicion të mirë gruas, duke i dhënë një pozicion të mirë gruas, por mandej del si jorealiste, sepse deri tash, edhe pse do duhej të printe sa i përket barazisë gjinore, ajo ngecë në përfaqësimin e gruas. Tani po më pyetni për ekzekutivin. Kjo pyetje duhet t’i shtrohet kryeministrit, sepse ai i zgjedh bashkëpunëtorët”, tha Brovina për Radio Kosovën.

Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, flet për një pozitë të mirë të femrës në PDK, por për praninë në ekzekutiv thotë se varet nga interesimi i vetë femrave të inkuadruara në politikë.

“Këto punë nuk bëhen aq shpejt edhe varet prej interesimit të tyre që është. Ne i kemi për shembull kryetare të degëve dy femrave, në kryesi janë tetë ose më shumë, në Këshillin Drejtues gjithashtu janë së paku 40 për qind femra, në institucione ka udhëheqëse të ndryshme, por te pozitat e ministrave e të tjera, varet sa janë të interesuara ato”, tha Musmurati për Radio Kosovën.

Kjo qasje e Musmuratit, nuk i pëlqen deputetes Flora Brovina. “Kjo nuk qëndron dhe unë do doja ta kem një duel të drejpërdrejt me sekretarin dhe t’i them se nuk është kështu, sepse gratë kur hyjnë në politikë ato marrin përsipër të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë politike. Shpeshherë e kam thënë se gratë në PDK janë më të përgatitura edhe se burrat”, tha ajo.

Nga ana tjetër, PDK-ja asnjëherë deri më tani nuk ka kandiduar ndonjë femër për kryetare të komunës. Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati nuk e përjashton mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme lokale, të ketë ndonjë femër kandidate.

Ndryshe, përfaqësimi i gruas së PDK-së në ekzekutiv mbeti në nivelin e njëjtë edhe pas freskimeve të fundit në Qeverinë e Kosovës ku u bënë ndërrimet e disa zëvendësministrave.

Xhandarmëria “shpërngul” karaçevasit

0

xhandarmeria serbeBanorët e Karaçevës,në brezin kufitar me Serbinë kanë nisur t’i shesin bagëtitë, dhe t’i lëshojnë shtëpitë.

Xhandarmërisa serbe sapo të perëndoë dielli iu futet nëpër shtëpi duke ua marrë bagëtitë dhe terrorizua ata.

Për t’iu bërë me dije prezencën në fshat, xhandarët serbë ndezin zjarr gjatë natës dhe të pajisur me armatim u kanë futur tmerrin 3200 banorëve të këtij fshati, shkruan gazeta Zëri.

Xhandarmëria serbe hyn e del kur t’i teket në territorin e Kosovës kurse askush nga institucionet e vendit nuk ka shkelur këmbën atje përkundër terrorit që janë duke përjetuar këta banorë çdo ditë atje.Tash 14 vjet nga çlirimi i Kosovës dhe pesë vjet që nga Shpallja e Pavarësisë dhe shtetësisë 3200 banorët të cilët po jetojnë nën tytat e xhandarmërisë serbe, janë lodhur dhe tashmë kanë nisur të shpërngulen. Ata janë duke e parë se Institucionet shtetërore kanë neglizhuar dhe po neglizhojnë sigurinë e jetës të banorëve të këtij fshati.

Askush nga përfaqësuesit e shtetit nuk ka vizituar banorët.

Haradinaj akuzon Vetëvendosjen për radikalizëm islamik

0

Albin Kurti dhe ramush haradinajLideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një bisedë për News24 ka thënë se Vetëvendosje po “flirton me radikalizmin islam”. Por, ka shuar se shton se nuk ka rrezik nga ky radikalizëm, pos që nga ajo që ka parë Vetëvendosje e “e ka humbur orientimin”, “logjikën e një force politike që përfaqëson një kauzë”, ka thënë Haradinaj transmeton koha.

“Ne në Kosovë jemi një popull shqiptar në radhë të parë, prej mijëra vjetësh. Të paktën ashtu e besojmë veten. Për aq sa dimë, dëshirojmë të mbesim shqiptarë dhe për aq mijëra vjet sa është e mundur. Kemi identitetin fetar, e kemi shumë aspekte të tjera, por nuk i nxjerrim ato në plan të parë, dhe ato nuk kanë qenë identiteti ynë. Unë i respektoj edhe bashkësitë fetare, besimtarët, të gjithë. S’kam problem. Por, nuk mund të lejoj lëvizje ose mekanizma të caktuar që duan të nxjerrin mbi të gjitha këto identitete”.

Pretenduesi për fronin e kryeministrit të Kosovës në këtë intervistë ka shpjeguar se “ka pasur interesim nga Hashim Thaçi që ai të lironte postin e tij të kryeministrit.

“Me siguri zhvillimet ose të brendshme ose zhvillime të tjera në ekipin e tij, ose ku di unë si kanë shkuar gjerat më tutje… por, kjo nuk ndodhi”, thotë Haradinaj, i cili shton se ai do të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës.
“E bazoj në ato që punoj, në ato që ndodhin në terren dhe në ato që ndodhin në mendjet e njerëzve të Kosovës

Suspendohen dy hetues të Inspektoratit Policor

0

Policia e KosovesKryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Fitim Shishani, me vendim ka suspenduar me pagesë dy hetues të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) pasi që veprimet e tyre kanë rënë ndesh me udhëzimet administrative që rregullojnë disiplinën në Inspektoratin Policor të Kosovës, transmeton RTK.

”Vendimi për suspendim bazohet në nenin 22 paragrafi 2 pika 2.2. të Udhëzimit Administrativ Nr. 13/MPB-2011, për përcaktimin e shkeljeve, masave disiplinore dhe procedurës disiplinore ndaj punonjësve të IPK-së.

Inspektorati Policor i Kosovës si agjenci ekzekutive mbikëqyrëse për Policinë e Kosovës, i garanton qytetarët e Republikës së Kosovës se në vazhdimësi do të përmirësojë dhe fuqizojë mekanizmin e vet-kontrollit brenda organizatës.

Inspektorati Policor i Kosovës është i vetëdijshëm që për të realizuar misionin ligjor, punonjësit e IPK-së duhet të karakterizohen nga integriteti dhe profesionalizmi”, thuhet në njoftim.

Jahjaga do t’i marrë parasysh shqetësimet për ligjin e amnistisë?

0

Jahjaga me Ilir denenPërfaqësues të shoqërisë civile ia kanë dorëzuar peticionin për ndryshimin e ligjit të amnistisë Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga

“Pas dorëzimit të peticionit të nënshkruar, përfaqësuesi i KIPRED-it dhe udhëheqës i delegacionit të shoqërisë civile në takim me Presidenten Jahjaga, zotëri Ilir Deda, theksoi se shoqëria civile përmes peticionit thekson kundërshtimin ndaj ligjit për amnistinë i cili, siç tha, nuk është në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare si dhe me praktikat e shteteve të tjera, veçanërisht ato të rajonit”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, sipas Presidencës, Jahjaga ka vlerësuar angazhimin dhe rolin e shoqërisë civile në Kosovë në procesin e demokratizimit të vendit.

“Ajo tha se komunikimi ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile është i nevojshëm dhe kontribuon në avancimin e proceseve të përgjithshme në vend. Presidentja Jahjaga tha se do të marrë parasysh shqetësimet e paraqitura nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, përmes peticionit të nënshkruar nga qytetarët e vendit dhe theksoi se do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ajo tha se do të shqyrtojë edhe respektimin e normave ndërkombëtare në interes të përgjithshëm të Kosovës dhe të proceseve që çojnë drejt realizimit të synimit për integrim në BE”, thuhet në njoftim, transmeton express.

Më poshtë, mund të lexoni letrën e bashkëngjitur me peticionin, që iu është dorëzuar Presidentes Jahjaga.

1.Ky ligj ka dalë si detyrim nga Marrëveshja e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dhe si i tillë duhet t’u adresohet në mënyrë eksplicite personave/subjekteve të cilat kanë qenë objekt i marrëveshjes në fjalë. Versioni aktual i ligjit është shumë larg bërjes së një dallimi të tillë dhe lejon hapësirë për amnisti edhe të personave/subjekteve që nuk kanë qenë objekt i marrëveshjes në fjalë.
2. Disa nga veprat penale të amnistuara me këtë ligj, jashtë nenit 1.1.15, sikurse krimi ekonomik, kontrabanda, uzurpimi i pronës, armëmbajtja pa leje, zjarrvënia, kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare apo edhe ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike, nuk duhet lejuar që të amnistohen, nëse nuk kanë qenë të ndërlidhura me kushtin e kryerjes së një vepre penale politike nga strukturat serbe në veriun e Kosovës.
3. Veprat penale të amnistuara me nenin 1.1.15, krijojnë hapësirë të jashtëzakonshme për interpretim dhe keqpërdorim. Nëse qëllimi i vërtetë i kryesve të këtyre veprave penale ka qenë politik, ato duhet ndërlidhur në mënyrë eksplicite me kushtin që kryerësi i veprës së tillë penale ta ketë kryer derisa njëkohësisht ka kryer veprën penale ‘Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’ (Neni 121 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës).

Në versionin aktual të nenit 1.1.15, “thirrja për rezistencë”, që nuk ka përkufizim fare, është një vepër penale që mund të pretendohet të jetë kryer jo vetëm nga ata persona/subjekte që kanë vepruar sipas autorizimeve të Serbisë, por edhe nga kushdo tjetër në tërë territorin e Kosovës.
4. Amnistia është akt politik dhe juridik prandaj edhe insistojmë që ai do të duhej të vlente vetëm nga momenti i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për ç’arsye duhet të jetë kufizuar me kohën e fillimit, d.m.th. nga 15 qershori 2008 deri më 20 qershor 2013.
5. Kërkojmë që në procesin e rishikimit të ligjit të përfshihet shoqëria civile dhe ekspertë të pavarur, që është e domosdoshme në mënyrë që ky ligj të mundësojë forcimin e shtetit ligjor të bazuar në parimet e së drejtës dhe vlerave demokratike, e jo në dëm të kësaj të fundit.

Duke qenë të bindur se kjo kërkesë e shprehur përmes peticionit të 12,764 qytetarëve të Republikës së Kosovës do të hasë në përgjigje pozitive nga ana Juaj, Ju lutemi t’i pranoni konsideratat tona më të larta.

Në emër të organizatorëve dhe përkrahësve të Peticionit, atë e dorëzuan: Ilir DEDA, drejtor ekzekutiv -Instituti Kosovar për Kërkim të Politikave dhe Zhvillim – KIPRED, Fisnik KORENICA, drejtor ekzekutiv – Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Venera HAJRULLAHU, drejtoreshë ekzekutive – Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Igballe ROGOVA, drejtoreshë ekzekutive – Grupi i Rrjetit të Grave të Kosovës, Afërdita SYLA, drejtoreshë ekzekutive – Community Building, Mitrovica, Veton MUJAJ, drejtor ekzekutiv – Syri i Vizionit, Pejë, Hajrulla ÇEKU, drejtor ekzekutiv – EC Ma Ndryshe, Prizren, Samir REKA, drejtor ekzekutiv –INPO, Ferizaj