17.2 C
Prizren
E diel, 5 Prill, 2026
Home Blog Page 9111

Dy togje të FSK-së në Turqi dhe Holandë

0

FSK6-02Në Komandën e Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kazermën ,,Adem Jashari’’, sot u përcollën për jashtë vendit dy togje të FSK-së. Njëri udhëtoi për Turqi dhe tjetri për Holandë.
Një tog prej 33 pjesëtarëve, nën komandën e Major Enver Vocës, udhëtoi për në Republikën e Turqisë, ku në kuadër të bashkëpunimit bilateral në mes të Ushtrisë së Turqisë dhe FSK-së, do të marrë pjesë në trajnimin dy javor të “Kërkim – shpëtimit urban”.

Togu tjetër prej 30 pjesëtarëve, nën drejtimin e Toger Fatbardha Osaj, udhëtoi për të marrë pjesë në ,,Marshin tradicional katër ditor në Nijmegen të Holandës’’.

Ky është një marshim i ushtrive të botës, ku FSK-ja në dy vitet e kaluar ka qenë ndër të parat dhe është nderuar me medalje.

Për ti përcjellë këto dy togje jashtë vendit kishte dalë komandanti i Komandës së Forcës Tokësore (KFT) të FSK-së gjeneralmajor Rrahman Rama dhe Shefi i Shtabit të KFT-së kolonel Naim Haziri dhe epror të tjerë,transmeton Telegrafi.

Gjeneral Rama ,duke i përshëndetur pjesëtarët e FSK-së, iu uroi sukses në trajnime, duke kërkuar që ta përfaqësojnë denjësisht FSK-në dhe Kosovën. Kurse garuesve në Holandë ju uroi sukses me kërkesën që të përsërisin suksesin e dy herave të kaluara dhe të kthehen me rezultate të larta nga marshimi në Holandë.

Pikaso i besonte vetëm Gjon Milit

0

PikasoKur Gjon Mili mbërriti për herë të parë në studion e Pikasos, ndjeu sesi drita që ishte gjithnjë bashkudhëtarja e tij u zhduk menjëherë sapo tablotë e mëdha shpërndarë kudo në hapësirën e madhe u shfaqën para tij. Ishte viti 1948 dhe fotografit shqiptar nuk i ishte dashur shumë të gjente studion e artistit në Vallauris, në Francën e Jugut, ku Pikaso ishte vendosur për të punuar, transmeton Gazeta-Shqip. Me sy ai kërkoi çelësin e dritës dhe kur nuk e gjeti shkoi tek dritarja dhe e hapi.

Një dritë e lehtë çau dalëngadalë errësirën dhe subjektet në tablotë e pikturuara sikur morën një tjetër kuptim. I veshur thjesht me pantallona të shkurtra, siç ishte duke punuar, Mili iu lut mjeshtrit të vendoste duart kryq dhe të shikonte nga aparati i tij. Një mori shkrepjesh do të ktheheshin në fotot më të mira të realizuara për Pikason gjatë gjithë jetës së tij. Në vazon me lule mbi tryezën e drunjtë, Mili këputi një lule dhe ia vendosi mjeshtrit lehtë në kokë. Njeriu që i kishte dhënë aq jetë luleve, tashmë ishte i gjithi nën fuqinë e saj.

Por eksperimenti që më pas do të ndikonte dhe në pikturat e realizuara nga Pikaso ishte drita. Si fotograf novator, Mili e kishte zbuluar dritën si një element që i jepte një tjetër fuqi imazheve. Duke ia treguar Pikasos, ky i fundit do të mahnitej nga forca e saj, duke e derdhur më pas në ngjyra. Pikaso dallohej për tendencën për të shtyrë kufijtë e vetes dhe kur Mili i tregoi rrugën për të pikturuar përmes dritës, ai pranoi menjëherë. Vizatimet e dritës shfaqin Pikason duke lëvizur një dritë për të krijuar një figurë të ngjashme me kafshën që çirret në pikturën e tij, apo gruan plot forma tek “Ëndërrimtarja”. Për të krijuar efektin hipnotizues, Pikaso mbante në dorë një elektrik të vogël të cilin e lëvizte në një dhomë të errët. Për fotot u përdorën dy aparate, njëri për të kapur pamjen ballore dhe tjetri atë anësore. Duke lënë objektivin të hapur, Mili kapi vijat e dritës si vorbulla në hapësirë.

Tridhjetë fotografi janë realizuar me Pikason duke vizatuar me dritë. Nga viti 1948 deri në vitin 1967, për dy dekada, Pikaso dhe Mili do të kishin një miqësi të veçantë. Askush si Mili nuk do të mund futej thellë në psikikën e artistit dhe për ta dhënë këtë psikikë përmes fotove të rralla. Mili dhe Pikaso më shumë se miq ishin dhe dy artistë që sipas kritikës u influencuan nga arti i tyre. Kur Mili e vizitoi Pikason sërish në Vallauris, ai jetonte me Françoise Gilot, e dashura e tij prej dhjetë vitesh me të cilën kishte një djalë, Claude. Në kopshtin e shtëpisë së tyre, Mili ka realizuar një set fotosh të gruas së dashuruar me djalin. Por ajo çfarë i bën fotot e Milit të veçanta është karakteri që ai u jep atyre. Njohës i mirë i Pikasos, ai mundohet të vendosë në çdo fotografi detaje të cilat janë në thelb dhe arti i piktorit. Interesante janë dhe fotot ku Pikaso shfaqet me maskën e një gomari, të cilën Mili e gjeti në studion e tij kur e vizitoi në vitin 1967. Në atë kohë Pikaso sapo kishte dalë nga dëshpërimi i thellë që e pushtoi pas ndarjes me muzën e tij të vetme, Françoise.

Ai jetonte me gruan e dytë, Jacqueline Roque, dhe ky kolazh fotosh ku trupi i Pikasos shfaqet i zhytur nën portretin e një gomari, është një alegori e madhe për të shkuarën. Takimi i Milit me Pikason ishte një ngjarje e madhe për revistën “Life” dhe në vitin 1968 kryeredaktori i revistës, George P. Hunt, shkroi një shkrim special për këtë. Fotot e realizuara nga Mili për Pikason vijojnë të jenë si një libër për të lexuar mendjen e artistit, që shumë pak foli për vete, por vetëm pikturoi. Një nga fotografitë që vijon të ekspozohet në galeritë më të njohura të artit është ajo me titull “Pikaso duke vizatuar me dritë”. Në vitin 1952, në Paris, Mili hapi një ekspozitë kushtuar Pikasos.

Në albumin biografik të Pikasos, fotot e artistit shqiptar zënë një pjesë të madhe të hapësirës. Emri i Gjon Milit renditet në morinë e fotografëve më të njohur botëror. Ai nuk e mohoi asnjëherë origjinën e tij shqiptare dhe pse ishte vetëm 5 vjeç kur e la Shqipërinë. Për 15 vjet, ai punoi në revistën e njohur “Life” dhe fotot e realizuara prej tij, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të fondit të kësaj reviste, e cila herë pas here i risjell në vëmendjen e publikut, për të kujtuar një ikonë të fotografisë botërore, e cila kërkonte t’i shikonte gjërat përmes dritës… Fotot e publikuara me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Pikasos janë ndër më të rrallat në jetën e artistit dhe e sjellin atë në momente të ndryshme të jetës, në një stil që nuk ndryshon shumë nga ai i pikturave të tij…

Nëna që lutet të vdesë para mëngjesit

0

familja e varferTre kilometra larg kompleksit memorial të Jasharëve në Prekaz, fshat ky që u bë simbol i rezistencës dhe lirisë, në një nga lagjet e tij, atë të Nezajve, banorët nuk po e jetojnë shtetësinë.

Në këtë lagje, një nënë lutet të mos e presë mëngjesin gjallë, duke menduar vazhdimisht se me çfarë do t’i ushqejë të nesërmen fëmijët e saj, me çka do t’i veshë e mbathë, me çka do t’i ngrohë… Lutjet e saj drejtohen te Zoti.

Me tërë qenien e saj ajo lutet në netët me shi, që forca hyjnore të ndalë shiun dhe të mos i lagë dy fëmijët e saj. Kjo nënë, uron që vera të zgjasë më shumë dhe fëmijët t’i fl enë të qetë natën pa iu pikuar pikat e shiut mbi trup, shkruan Zëri.

Familja Veliu jeton që nga paslufta në shtëpinë e improvizuar, me kulm llamarine, i cili është i padobishëm kur moti merr me shi dhe borë, me dysheme nga dërrasa të kalbura, me gjësende të huazuara… Institucionet për ta nuk bënë asgjë, madje edhe ndihmat humanitare për rindërtimin e shtëpisë së kësaj familjeje pas luftës u vodhën.

Çifti Hetem dhe Lumnije Veliu, nuk gëzuan ndihmën e shtetit, as në rastin kur Lumnija u diagnostikua me kancer të gjirit dhe trajtimi i saj do t’i kushtojë mijëra euro.

Shpirti i trazuar i një poeti

0

Ersa Fryn si me pareQazim Muska është një ndër ata letrarë të rrallë që u ka ngelur poezia si gjaku në deje, por nuk janë ngutur t’i shfaqen lexuesit. Ndoshta nga modestia. Ndoshta të munduar prej mendimit se të jesh poet do të thotë të jesh shok me diellin, në yllin tënd të digjesh, që të ndezësh yllin e të tjerëve, siç edhe duhet të jetë misioni e synimi i poetëve të vërtetë. Mendoj se këto do të kenë qenë arsyet që autori i vëllimeve “Mëkat të flesh dhe kur je zgjuar” dhe “Era s’fryn si më parë”, i lindur më 1965, t’i nxjerrë në dritë librat e tij në vitet 2012 dhe 2013.

Apo mbase ka pritur kohën kur do të kishte ç’të thoshte për të qenë vetvetja në çdo varg e në çdo fjalë – zë e ndërgjegje bashkëkohësish. Por, përtej këtyre hamendjeve, ajo që mund të thuhet me siguri është se vjershat e përfshira në të dy vëllimet e përmendura mbajnë vulën e shqetësimeve të tanishme, jehona të së shkuarës së afërt e pikëpyetje për të ardhmen e derdhur në krijime lirike me tharmë e theks dramatik tronditës, konkretizuar në vjersha, të cilat veçmas e bashkërisht, të shumtën e herëve përmbajnë mall e brengë, fuqi durimi e gëzim shpresimi, mendim e grishje, tingëllim fjale e vargu.

Është kënaqësi të vërehet se shpirti i trazuar i poetit prej dallgëzimesh gjeratoresh të kohës, sikurse mendimi i shqetësuar prej çështjes nga vijmë, ku jemi e ku po shkojmë, kanë gjetur në vjershat e vëllimeve në shqyrtim emëruesin e përbashkët ideoartistik, me frymën realiste të pasqyrimit, në sintonimin ideoemocional të trajtimit të çdo motivi, në përzgjedhjen e fjalës e të figurave, në shkallëzimin me theks liriko-dramatik të vargjeve zgjedhur përshtat një ndjenje trishtimi që u shëmbëllen grumbullimit të reve në pritje të ndryshimit të motit.

Konkretisht: Në lirikën intime me motive të dashurisë e të miqësisë ndeshim në dëshirën e gjaktë për të gjetur strehë e ngrohtësi në afeksione thellësisht e çiltërsisht njerëzore të një realitet egërsisht jonjerëzor, që e huazon dashurinë dhe i shpërbën verigat e shoqërisë e të miqësisë si dhe në kontrastin dramatik të këtyre ndjenjave me prirjet e çmendurisë bashkëkohore, që e bëjnë poetin të vajtojë fatin e miqve të mërguar dhe ta quajë humbjen e një shoku humbje të gjysmës së botës, ose të klithë dëshpërueshëm: Ikim, pra, e dashur/ Në heshtje/ Pa fjalë/ Kjo s’është koha jonë/ Ndoshta do të kthehemi në një epokë tjetër këtu/ Të gjallë. Me këto motive kujtojmë vjershat: I yni është mëngjesi; Ballkoni i braktisur; Vjeshtë e dashurisë së humbur; Vjen dhe ikën; Ikja që më rrënon; S’është kohë për dashuri; Ç’të bëjmë e dashur; Epoka e akullnajave; E mblodhëm botën në një vend; Nëse një ditë; Moli i vjetër; Më pas; Pa ty; Sonte pa ty; Kam frikë të them “Të dua”; Të thashë; E pashë dashurinë; Ti je e thjeshtë; Më kot; T’ia rrëmbeja brengën; Përmbytje…

Nuk janë thjesht lektisje dashurie. As thjesht blatime miqësie nuk janë. Janë më shumë se kaq, sepse janë dashuri e miqësi kohësh të trazuara, ngarkuar me shtrëngatë e tramundanë, me ndarje të dhembshme shokësh, me pasiguri dhe me udhëkryqe nga lindin shpërthime tronditëse: Ç’të bëjmë e dashur, ç’të bëjmë me veten tonë?/ Si erdhi kaq shpejt ky Shën Bartoleme/ Kur ne përplasemi verbtas ndër ciklonë/ Që si një makth kllapie fryjnë për ne?

Në vazhdim vlen të përmendet se Qazim Muska është ndër të paktët poetë të sotëm, që i është kthyer temës së atdheut, gjë që po të kihen parasysh erërat kozmopolite që fryjnë nga të katërta anët dhe distancimin gjithnjë e më dukshëm të politikanëve, intelektualëve e letrarëve prej frymës kombëtare të Rilindjes e të letërsisë së shekullit XX, përbën një tjetër meritë të padiskutueshme dhe një vlerë të shtuar, pasi tema e atdheut është përthyer në vargjet e tij me theks elegjiak bashkëkohor dhe me ngjyrim stili vetjak të përshtatshëm për t’u përcjellë lexuesve brengën e thellë për të sotmen e shqetësimin e madh, për të ardhmen në një ndërthurje motivesh patriotike e shoqërore. Nuk kuptohet pse dashuria për vendlindjen dhe për popullin, evokimi krenar i historisë dhe ndjenja e etnicitetit kombëtar, shprehja e dhembjes për vithisje vlerash dhe ndërgjegjja e përgjegjshmërisë për sigurimin e mbijetesës në një epokë integrimesh e globalizmi, disave iu duken folklorizëm, romantizëm i perënduar dhe ideologji nacionalkomuniste në kohën kur, për të përdorur fjalët e Migjenit, nacionalizmi i të tjerëve po na i përzhit fytyrat. Apo atdheu, përpara se t’u drejtojë bijve të vet pyetjen ç’duhet bërë, nuk e paska të drejtën të gjëmojë: Jam zogu në pritë i çiftes së gjahtarëve!/ Jam bukuria e këputur nga trupi i fazanëve!/ Jam mish i copëtuar, ushqim i luanëve!/ Jam qengji në hell për darkën e të marrëve!… Jam mali që barkun ma zbrazën me abort!/ Jam deti që më prenë me gërshërë si letër!/ Jam pylli që më dogjën dhe ndezën cigar’!/ Jam lumi që qaj për shtratin e vjetër!

Një atmosferë zymtësie, depërtuar aty-këtu prej shkëndijimeve lirike të natyrës, vezullime bukurie e malli për troje etnike dhe përmendje tradite, përshkon edhe vjershat me motive qytetare e politike, në të cilat ndihet një sens i përmbajtur, po i thellë kritik shpërndarë herë në formë dilemash, herë në frymë satirike. Në këtë pjesë krijimtarie pleksen si në një ngërç reflektime të dyzuara për të shkuarën socialiste, maraze të sotme dhe dilema për të ardhmen, që në disa krijime marrin ngjyrime pesimiste ushqyer prej mosbesimit e pafuqisë.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Tushemishti, fshati si në film

0

Tushemishti-fshatiTushemishti është fshati turistik 5 km larg qytetit të Pogradecit. Përveç vlerave që i ka falur natyra Tushemishti u bë i njohur pas xhirimeve të filmit “Zonja nga Qyteti”.

Rrugica e fshatit është e nëjtë me atë të rreth 40 viteve më parë, qendra po ashtu. Ato janë rikonstruktuar me mjeshtëri duke ruajtur origjinalitetin. Kushdo që viziton fshatin mund të shohë e të prekë burimin ku Ollga është rrëzuar, por edhe lumin ku rrëzoi postierin. Lokali në qendër të fshatit aty ku është xhiruar pjesa më e madhe e filmit ka marrë emrin tij. Në shtëpitë e fshatit është ruajtur e paprekur arkitektura e tyre ashtu si kalldrëmet e oborreve dhe saksitë e luleve. Ky origjinalitet, mikpritja e banorëve të zonës dhe klima i rikthen pushuesit në fshatin që thuhet se është ndërtuar mbi ujë.

Vizitorët besnikë të fshatit turistik thonë se ai ka ndryshuar për mirë, duke patur parasysh restaurimet e shtëpive dhe të rrugicave me kalldrëm si edhe ndërtimet e hoteleve.

Rreth 50 vjet më parë inxhinjeri Artan Ylli ka vizituar për herë të parë Pogradecin dhe tani së bashku me miqtë e tij Artani është turisti i çdo stine në Tushemisht.

Njëra ndër protagonistet e filmit Zonja nga qyteti, Rajmonda Bulku, ruan kujtimet më të bukura nga koha e xhirimeve. Shumë ka ndryshuar fshati sipas saj, por ajo që është trashëguar më mirë është mikpritja e banorëve të tij. Ka me shume jete ashtu siç ka me tepër vizitore, sepse atëherë kur xhirohej filmi “Zonja nga Qyteti” vizitoret ishin të kufizuar pasi Tushemishti ishte fshat kufitar. Sigurisht bahçet me molle jane me te pakta pasi janë zëvendësuar me ndërtimet shumëkatëshe, por mikpritja dhe infrastruktura modern e përshtatur me tradicionalen rikthejnë në dimër dhe verë vizitorët rinj dhe ata besnikë të fshatit buzë Liqenit të Ohrit.

Thaçi: S’ka kthim mbrapa, Hasi do t’i gëzojë të dy komunat

0

Thaci7-03Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, siguroi banorët e fshatrave të Hasit, se do të jetë i pakthyeshëm vendimi i Qeverisë së Kosovës, për themelimin e komunave në Rogovë dhe Gjonaj. Ai tha se themelimi i dy komunave në Has, është bërë pas kërkesave të vetë banorëve dhe premtimit që ka dhënë PDK-ja. “Unë e kam mbajtur premtimin tim që e kam dhënë për Hasin. Kam respektuar vullnetin e juaj, dhe sot kam ardhur të t’ua uroj komunat e reja”, tha Thaçi.

Kryeministri Thaçi të shtunën ka vizituar dy komunat, Rogovë dhe Gjonaj. Ai gjatë vizitës ka bashkëbiseduar edhe me banorët e fshatrave të Hasit. Kryeministri Thaçi ka kërkuar nga banorët e fshatrave të Hasit, që t’ju bëjnë presion të zgjedhurve të tyre në Parlamentin e Kosovës, që të votojnë ligjin për themelimin e komunave në Has. “Ju duhet të qëndroni unik ashtu siç keni qenë deri më tash dhe t’ ju bëni presion deputetëve që të votojnë për komunën e Rogovës dhe Gjonajt”, tha Thaçi.

Sipas tij, po të ishte votuar ligji në Kuvendnin e Kosovës, qytetarët e Hasit në zgjedhjet e këtij viti, do të kishin votuar për përfaqësuesit e komunave të tyre. “Mirëpo ju e dini se çfarë ndodhi të enjten në Kuvend. Bëni presion ndaj atyre që ua keni dhanë votën që të votojnë vendimin e Qevreisë për themelimin e komunave”, kërkoi Thaçi.

Ai tha se ata që nuk e votuan ligjin pwr komunat nw Has, nuk duhet të shpërblehen. “Nesër do të vijnë t’ju kërkojnë edhe votën, por sigurisht që nuk do t’i shpërbleni ata që ishin kundër komunave”, tha Thaçi. Ai tha se me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka respektuar vullnetin e të gjithë banorëve të Hasit, pavarësisht bindjeve politike. “Vendimi është marrë pas takimit që kam pasur me përfaqësuesit e të gjitha fshatrave të Hasit dhe përfaqësuesit e partive politike. Vullneti i tyre ka qenë që Hasi t’i ketë dy komuna dhe unë e kam respektuar këtë vullnet”, tha Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha se formimi i komunave do të ndikojë në përmasimin e jetës të secilës familje në Has. “Hasi do të përfitojë projekte nga Qeveria e Kosovës”, tha ai. Ai tregoi se Qeveria e Kosovës ka hartuar projekte të veçanta për dy komunat në Has. “Qeveria e Kosovës i ka projektet për këto dy komuna. Mbetet vetëm votimi në Kuvendin e Kosovës dhe menjëherë ato projekte do të fillojnë të implementohen”, tregoi Thaçi.

Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, ndërkaq tha se në Has janë realizuar shumë projekte kapitale. Ai i sigurojë banorët e Hasit, se çdo herë do të kenë përkrahjen e Komunës së Prizrenit. “ Unë ju siguroj se edhe pas funksionimit të Komunës në Gjonaj, ne do t’ju përkrahim në realizimin e projekteve. Nuk do t’ju harrojmë“, tha Muja. /PrizrenPress.com/

Vizitë në Kosovë, tetë deputet të Serbisë nesër në Zoçishte dhe Hoçë të Madhe

0

Kuvendi serbiseTetë deputetë të Kuvendit të Serbisë kanë vizituar sot pasdite komunën e Shtërpces, ndërsa nesër pritet të vazhdojnë tutje vizitën në manastire ortodokse, lajmëroi shefi i zyrës për Kosovën në Graçanicë, Branimir Stojanoviq.

Sipas Stojanoviq, deputetët do të vizitojnë gjatë ditës së sotme edhe ski qendrën në Brezovicë dhe malet e Sharrit.

Ai tha për mediet serbe, siç transmeton REL, se ligjvënësit serb do të udhëtojnë të dielën për në Zoçishte, dhe Hoçë të Madhe.

Hungaria do t’i deportojë afro 1000 kosovarë ilegalë (Video)

0

Emigrant kosovarHungaria do t’i deportojë afro 1000 kosovarë që janë duke qëndruar ilegalisht në këtë shtet. Më shumë se 250 prej tyre ndodhen në burgje, kurse të tjerët në kampe dhe kanë mundësi të kufizuara lëvizjeje, transmeton KTV.

Edhe përkundër paralajmërimeve sërish ka vazhduar shkuarja e kosovarëve në këtë vend, por ky numër ka rënë ditëve të fundit.

Që prej 1 korrikut, policia i dërgon kosovarët direkt në burgje në bazë të ndryshimit të legjislacionit, i cili nuk ua lejon më ikjen në shtetet e tjera të BE-së. Në Zyrën për Emigracion, pjesë e Ministrisë së Brendshme të Hungarisë, kanë shpjeguar për KTV-në fatin e kosovarëve, që po vijnë në këtë shtet.

Zyrtarët e Qeverisë hungareze kanë thënë se gjasat janë minimale që ndonjëri prej tyre të mbetet në këtë shtet.

Më shumë se 5000 persona nga Kosova kanë hyrë ilegalisht në Hungari në 6 muajt e parë të vitit 2013. Në muajt e parë ktheheshin çdo natë më shumë se 100 veta, por ky numër ka rënë kohëve të fundit në 20.

Hoxhaj uron Malin e Zi për ditën e shtetësisë

0

Hoxhaj-Enver5-21Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj i ka derguar një telegram urimi ministrit të Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Igor Lukshiç, me rastin e ditës së shtetësisë së Malit të Zi.

“Kam nderin qënë emër të popullit dhe Qeverisë së Kosovës, të përgëzoj popullin dhe Qeverinë e Malit të Zi për ditën e shtetsisë në këtë 13 korrik. Ne kemi gëzuar marrëdhënie të ngrohta të bashkëpunimit dhe mbështetje në fusha të ndryshme. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen aktive të shtetit tuaj, duke përfshirë pjesëmarrjën në nismat rajonale”, thuhet në telegramin e urimit.

Në telegram thuhet se marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, vazhdojnë të forcohet, derisa jemi duke lëvizur drejt procesit të integriumeve euroatlantike.

“Në këtë frymë të bashkëpunimit, unë jam i bindur se lidhjet miqësore dhe marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe popujve do të thellohen edhe më shumë”, thuhet të telegramin e urimit të ministrit Hoxhaj derguar ministrit të Jashtëm të Malit të Zi, Igor Lukshiç.

KDI organizoi debat me përfaqësuesit e qytetarëve të Rahovecit

0

KDI rahovecInstituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar një debat me përfaqësues të qytetarëve në fshatra dhe qytet. Driton Selmanaj (KDI) foli për nevojën e intensifikimit të debateve me grupe të ndryshme të interesit dhe përfaqësues të komunitetit. ” Organizimi i debateve është mënyra më e mirë për ushtrim të ndikimit demokratik tek organet vendimmarrëse”, tha Selmanaj.

Në këtë debat të pranishmit ngritën shqetësimin për spërkatjen e zonave endemike ku rriqrat janë më aktiv. Përfaqësuesit e fshatrave deklaruan se masat që janë ndërmarrë deri më tani nuk kanë qenë adekuate, sepse ka pasur vonesa në reagim.

Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Florije Boshnjaku tha se me mjetet e buxhetit komunal janë spërkatur disa zona më të rrezikuara. “ Mirëpo kërkojmë bashkëpunim me përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve të qytetit”, tha Boshnjaku.

Muharrem Tahiraga nga OJQ “Natyra, shpresë e jetës”, tha se masat e duhura evitojnë më të keqen, mirëpo kërkohet një mobilizim më i gjerë i strukturave lokale dhe atyre qendrore.Ndër shqetësimet e të pranishmëve në këtë debat ishte e dhe degradimi i shtratit të Drinit të Bardhë dhe eksploatimit pa kriter të inerteve.

Shani Hoti nga OJQ “Buzdrini”, tha se është ndërmarrë fushatë vetëdijesimi për rrezikun që vjen nga degradimi dhe në njëfarë mase ka pasur efekt pozitiv. Tashmë vendimi i MMPH për ndalimin e eksploatimit të inerteve në shtretërit e lumenjve ka ndikuar që të zvogëlohet eksploatimi, mirëpo ende mbetet shqetësim. I këtij mendimi ishte edhe Lutfi Mrasori nga Mrasori, i cili tha se në këtë rajon janë shkatërruar sipërfaqe të mëdha të tokës bujqësore. Ndërsa Shaqir Berisha përfaqësues i fshatit Nashpallë dhe inspektor në drejtorinë e Inspektoratit tha se përgjegjësia për mbrojtjen e lumenjve është e MMPH-së dhe KPMM-së, ndërsa komunat nuk kanë shumë përgjegjësi.

Naim Cahani koordinator i KDI-së në Prizren tha se dhënia e subvencioneve për bujqësi është e përkufizuar me disa kritere që në shumë raste bujqit nuk po arrijnë t’i plotësojnë. “Mbase do të ishte mirë që kjo çështje të adresohet dhe si shoqëri civile të reagojmë tek instancat përkatëse”, tha Cahani

Selajdin Haxhimurati, gjeodet tha se fragmentimi i tokave bujqësore është shqetësim për të gjithë. “ Ndarja e vazhdueshme e sipërfaqeve të tokës bujqësore pamundëson përfitimin nga subvencionet. Ndërsa do të ishte mirë që në nivel lokal të ketë kritere të tjera dhe të përfshihen edhe bujqit që kanë sipërfaqe më të vogla. Këtë e ka arritur shoqata e vreshtarëve në 0.50 ha”, tha ai.

Kapllan Gashi nga Xerxa tha se bujqit e vegjël asnjëherë nuk po arrijnë të përfitojnë nga ndihmat qeveritare. Do të ishte mirë që kriteret të përshtateshin me nevojat e bujqve.

Ndër të tjera u ngrit edhe shqetësimi i regjistrimit të mjeteve motorike bujqësore. U kërkua që regjistrimi të bëhet një herë dhe mos të jenë të detyruar të regjistrojnë traktorët vit pas viti. Kjo do të ishte lehtësi e madhe për bujqit. Ekipi lider do të përfaqësojë interesat e qytetarëve në takimet me organet lokale dhe qendrore, do të parashtrohen kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, respektivisht banorëve të lokaliteteve rurale e urbane./ PrizrenPress.com/