11.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

12 vjet në Kosovë: një shikim prapa shumë personal

Walter Happel SJ

Atij, të cilit i është dedikuar kjo e vërtetë politike, nuk do të duhej ta lexonte, pasiqë ai vetëm do të nevrikoset. Sigurisht që nuk do të jem politikisht korrekt, por do të marr guximin e sinqertë, që pas dymbëdhjetë vjetësh në Kosovë të shikoj prapa dhe të mundohem ta them mendimin tim për të gjitha përjetimet dhe ato që kam parë këtu.

Pompat e shumta të karburanteve në Kosovë, në fillim ishin diçka e re për mua, të cilat nuk i ndante një kilometër nga njëra-tjetra. Të bashkuara me to ishin edhe motelet e shumta, të cilat në të shumtën e rasteve kishin një lidhje me këto pompa të karburanteve. Ndërkohë më ranë në sy edhe sallonet e mëdha të lojërave, bashkë me banditët e tyre të armatosur. Por kjo tanimë nuk më habit. Pastrimi i të hollave po duket që është diçka e vetëkuptueshme këtu, sikur lindja e diellit në mëngjes dhe perëndimi i tij në mbrëmje. Organet e shtetit ose nuk e kanë fuqinë, ose nuk kanë interes për t’i ndjekur dhe sqaruar këto raste. Po përse do t’u duhej kjo atyre? UNMIK-u dhe tani edhe EULEX-i dhe organizatat tjera, duket qartë që kanë hequr dorë nga kjo gjendje në vend. Për të thënë edhe më keq, ata kanë aranzhuar me ata, të cilët po përfitojnë nga situata e tanishme, që të mos kenë telashe me kapjen e trenit të fundit të tyre për kthim. Në fund të fundit ata janë aty për të siguruar një safe and secure environment. Kryesorja është që atyre po ju shkon përdore çështja, por se si e bëjnë këtë, nuk është shumë e rëndësishme.

Një pyetje, e cila më është shtruar shumë shpesh në të kaluarën dhe e cila edhe sot parashtrohet shpesh, ka të bëjë me atë nëse ka ndryshuar diçka gjatë kohës së qëndrimit tim në Kosovë. Natyrisht që ka ndryshuar shumëçka. Rrugës për në Prishtinë nuk më ndalin për kontroll forcat ushtarake të KFOR-it. Rruga nga Prizreni për në Prishtinë tanimë nuk zgjat më shumë se një orë. Anës rrugës për në Suharekë nuk gjindet tanimë vetëm një mobileri,por një duzinë sosh. Rrugët kanë shumë më pak gropa. Tanimë secili qytet i madh në Kosovë e ka një universitet dhe “Qendrat e përsosmërisë”, të ashtuquajtura ndërtesa të shkollave profesionale si dhe shumë shtëpi të ndërtuara, e shpesh të papërfunduara dhe të pa lyera, të cilat nuk janë më pak për t’u vënë re, sesa dyqanet e mëdha në rritje. Poashtu ndikimi ndërkombëtar, përmes UNMIK-ut, KFOR-it, EULEX-it, ambasadave të shteteve mike, Shoqërisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe shumë organizatave joqeveritare (NGO), tregon padyshim një ndikim, por sipërfaqësor. Një demokraci e shfrenuar, joefikase, si një zonjushë e lindur, me një burokraci që kërkon shumë dhe që natyrisht vetëm vjel mundohet të shfaq sikur ka një strukturë të rregullt administrative. Sigurisht që janë bërë ndryshime, përmes donatorëve, programeve nga jashtë, angazhimit të Caritas-it dhe NGO-ve të lartpërmendura. Por këto ndryshime pak a shumë janë detyruar të bëhen nga jashtë, përpara nuk ka shkuar asgjë. Një ndryshim i vërtetë dhe thelbësor nuk është bërë. Është administruar shumë mirë, por nuk është formësuar gjë. Ndryshimet janë pranuar në mënyrë pasive. Aty ku ka pasur hapësirë të lirë, pothuajse nuk është lëvizur fare. Kështu është gjetur një rehati në shërbimet që i janë kryer njeriut nga të tjerët, dhe aty ku ai ka mundur të shërbehet edhe vet në llogari të tjetrit, apo në llogari të përgjithshme. Ashtu si aktor i pafajshëm në dukje, njeriu nuk përfshihej në procese, dhe gjithashtu nuk ndiente obligime për asgjë.

Pasiviteti ka qëndruar në vend dhe gjithashtu edhe në të mirat materiale të jetës nuk ka ndryshuar asgjë thelbësisht. Ende nuk ka një furnizim të garantuar me ujë dhe rrymë, poashtu nuk ka ndonjë sistem funksional shëndetësor. Sistemi arsimor është jashtëzakonisht i mangët, përfundimi, apo më mirë me thënë diplomimi në këtë sistem arsimor shpeshherë mund të blehet dhe nuk merret aq serioz. Kështu do të mund t’u besohej etiketave me të cilat dekorohen këto institucione, por në të vërtetë dihet që nuk bëhet asgjë. Këtu titujt dhe pozitat janë shumë të rëndësishëm për syrin e jashtëm, ndërsa ajo që fshihet pas tyre nuk përmban atë që duhet. Vepër e kotë dhe thjesht më shumë dukje, sesa vlerë e vërtetë. Kryesore është që me këtë garantohet hise në fuqi, të holla dhe ndikim. Përderisa secili bëhet pjesë e lojës, e gjitha funksionon vetëm mjaftueshëm, edhe nëse njeriu vet nga brendia i qëndron kësaj në distancë dhe nuk i beson kësaj loje. Kështu mbetet mosbesimi si qëndrim i sigurtë dhe distancë e çfarëdo autoriteti dhe rasti normal. Për këtë edhe mungon besimi për t’i dhënë kredi shtetit. Ky nocion ka ardhur nga latinishtja credere, që do të thotë besoj, mirëbesoj. Që kjo mosdashje ekziston, nuk është çudi, pasiqë shteti me insitucionet po përjetohet vetëm si vjelës. Ai vetëm kërkon dhe mezi siguron minimumin e kujdesit shtetëror, siç edhe u cek më lart me shembullin e mungesës së furnizimit me ujë dhe rrymë ose kujdesit të mirëfilltë shëndetësor. Qytetari, për shembull, përjeton nga njëra anë kontrollin e tëpërt me radarë nga ana e policisë, ndërsa në anën tjetër, ajo nuk merret me rastet kriminale. Ai paguan taksat për provimet e shtetit, që të mund të ketë qasje të pakualifikuar për studime në universitet, sheh një dhënie të harlisur nga ana e instucioneve njerëzve të grupacionit të njëjtë politik dhe kështu shteti përjetohet si një kleptokraci e korruptuar. Ku mund të gjindet këtu besimi? Por pa besim nuk është e mundur të bëhen kthesa dhe me këtë edhe progrese, qofshin ato vetanake apo si komunitet, nuk pritet angazhim dhe gjithashtu edhe shpresa nuk duket gjëkundi.

Por prej nga e krijon njeriu vetëbesimin e tij, për çka është krenar, a guxohet t’i jepet të drejtë? Pasiqë e vërteta e tanishme nuk premton shumë, shpesh duhet të shërbehemi me të vërtetën e supozuar historike. Njëra nga to është numri i 50.000 veteranëve të regjistruar të UÇK-së, në një popullatë me rreth 1.8 milon banorë, numër madhështor. Kështu secili kosovar mund të ndihet krenar që ka në familje një veteran. Por është e turpshme kur ky veteran instrumentalizohet, për shembull pa e kryer shkollën e mesme e regjistron universitetin. Për këtë nuk e kanë rrezikuar dhe dhënë jetën e tyre pjesëtarët e UÇK-së! Për mua nuk është edhe shumë më i mirë aluzioni i të qenit pasardhës i ilirëve. Kjo mund të jetë e sigurtë apo jo, por sigurisht që nuk është një arritshmëri, për të cilën njeriu do të duhej të ndihej krenar. Në fund të fundit këtë nuk e kemi bërë ne. Apo do të duhej që aluzioni i të qenit ilir të kthehej në titull ligjor? Absurd! Nëse nisemi nga kjo, atëherë duhet të mendohet se kujt i takojnë SHBA-të. Amerikanëve të tanishëm- sigurisht që jo. Do të jetë vështirë me vetëbesimin e autorizuar, përderisa njeriu nuk është i gatshëm të japë kontributin e tij vetanak përmes arritshmërisë.

Megjithë premtimet e shumta nga ana e shumicës së njerëzve, siç po duket ndryshimet nuk janë shumë të dëshiruara. Kështu vit për vit në testin pranues në Gjimnazin Loyola po lajmërohen më shumë djem se vajza. Në arsimimin e vajzave po duket qartë që nuk po investohen të holla pa pasur nevojë për t’i investuar ato dikund tjetër. Kjo lejohet të vazhdohet kështu, siç edhe ishte më parë dhe pa projektuar diçka të re. A nuk po duket me këtë qartë që vajzat dhe gratë po konsiderohen si njerëz të rendit të dytë dhe nuk do të duhej të ndryshohet gjendja e tyre? Që po hiqet dorë pa nevojë e në mënyrë tendecioze nga zhvillimi i vendit përmes jokontributit të gjysmës së popullatës, pra gjysmës femërore, duket që nuk vihet re. Në vendet e zhvilluara të botës besohet me të drejtë, që këto lloje të zhdukjeve të resurseve njerëzore nuk janë të përballueshme, sepse përndryshe të mirat e përgjithshme nuk do të ishin në gjendje t’u mjaftonin të gjithëve.
Pasiviteti në vend po gjen vendin e tij. Po mungon guximi për të ndërmarr inisiativa në besimin për të ardhmen. Rreziku dhe ndryshimet po duken si kërcënuese, ekzistuesja është kundër ndryshimit të kohës. Të mësuarit përmendësh, që është traditë e të parëve, duket që mjafton. Të menduarit gati që nuk duhet, pranimi i saj që mendohet nga të vjetrit duket që mjafton. Kështu luhet me të ardhmen, bllokohet zhvillimi, garantohet varfëria.

A është vërtet kaq keq? Po, sigurisht që po, është kaq keq dhe në asnjë mënyrë nuk është që nuk shihet nga shumë të tjerë. Sigurisht që është përceptuar, dhe njerëzit shpërthejnë me sqarime, të cilat nganjëherë edhe qëndrojnë si të vërteta. Këto sqarime e kanë njërën të përbashkët dhe këtë në një pikë kohore: njeriu vet nuk është fajtor, ishin apo janë ende të tjerët fajtorë. Osmanët dhe serbët dhe UNMIK-u dhe dhe, dhe… por ai i cili ia drejton gishtin tjetrit, ia ka drejtuar tre të tjerë vetvetes! Kështu sillen njerëzit, të cilët vetëm thonë Ti dhe nuk janë të gatshëm të veprojnë të pavarur dhe të lirë për të thënëUnë, për të qenë i gatshëm për përgjegjësitë ndaj së ardhmes.

Një fjalë e urtë gjermane thotë: “Kur njeh rrezikun, veç e ke izoluar atë”. Me këtë dua të them: Kush ka aftësinë të njohë një rrezik, ai e ka mundësinë të gjejë mjete dhe rrugë për ta evituar atë, por vetëm nëse ai do. Çka do të ishin këto rrugë dhe mjete? Këtu para së gjithash do ta merrja rininë, e cila me shpresë nuk është e gatshme për të vazhduar kështu më tutje sikurse deri më tani. Një rini, e cila refuzon vet arsyetimet, sqarimet e shfajësimet e panevojshme. Rinia e Kosovës është edhe shpresa e saj. Më shumë se gjysma e popullatës së Kosovës është nën moshën 25 vjeçare. Është shumë e rëndësishme që kjo gjeneratë të mos rritet në një atmosferë pa perspektivë, kufizime, ndarje dhe urrejtje. Kësaj rinie i nevojitet një shansë për shpalosjen e shpirtit të mirëkuptimit, të kujdesit dhe të respektit. Asaj i duhet një arsimim sipas pikëpamjeve evropiane. Arsimimi këtu është fjalë çelës, sepse pa një arsimim të mirëfilltë, të cilit mund t’i besosh, nuk ka as të ardhme. Rinia duhet të edukohet në atë formë që nga ajo të dalin njerëz që mendojnë, që të mund të dalë në pah kreativiteti. Kjo kërkon ndoshta një grindje kritike me rrymat shpirtërore dhe atë në histori dhe në të tashmen. Nevojitet edukimi për besim dhe respekt të secilit njeri. Kjo prapë kërkon gatishmëri për rrezikim, pasiqë braktisja e diçkaje dhe marrja e tjetrës në vend të saj, me gjasë sjell edhe rreziqe. Por duhet t’u hyhet rreziqeve, sepse rreziku më i madh është të mos i hyhet rrezikut fare.

Këto do të ishin idetë qendrore të një arsimimi të orientuar në të ardhmen, e cila do të orientohej në ndryshim. Ndryshim, të cilit i nevojitet vendimi im i lirë, të qenurit aktiv nga ana ime dhe formësimi im. Por idetë qendrore nuk mjaftojnë. Ato duhet të bazohen në dijen solide, në njohuritë e historisë, grindjet kritike me të tashmen dhe planifikimet e menduara mirë për të ardhmen. Ëndërrat mund të jenë dobiprurëse, por këtu nuk ka të bëjë me ëndërra, ka të bëj me të qenurit aktiv. Prindërit dhe mësuesit duhet të ndihmojnë në udhëzime, shoqërim dhe guxim, për të mos qenë i kënaqur vetëm me atë që është arritur një herë. Individi duhet të jetë masa e të gjitha gjërave. Duhet të zbulohen prirjet dhe aftësitë e tij, ashtu sikurse që ato duhet të ndihmohen dhe të ushtrohen. Vetëm kështu mund të aftësohen të rinjtë, për të qenë të suksesshëm për vete, për të qenë të lumtur përmes ndryshimit, kjo do të thotë: të jetë akter i së ardhmes së vet, të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësitë që ka në shoqëri dhe të bashkëveprojë në formësimin pozitiv.

Shteti pashmangshëm duhet të vendosë, qëprioriteti numër një të jetë investimi në arsimim. Por kjo do të ndodhte vetëm atëherë, nëse në vend të betonit do të investohej në kokat e njerëzve, do të thotë: investimet duhet t’i kthehen nxënësit, e jo ndërtesave të shkollave. Unë jam i bindur që nga kjo Kosova e ka të ardhmen e saj, një të ardhme ndryshe nga ajo që po duket sot. Shikimi prapa në kontributin që kam dhënë për këtë të ardhme në arsimimin dhe formësimin profesional të kosovarëve të rinj në Gjimnazin Loyola më bën të kënaqur. Përzemërsia dhe miqësia e kosovarëve më ka lehtësuar shumë punë dhe më ka dëmshpërblyer. Sigurisht që diçka ndoshta ishte dashur të bëhej ndryshe ose më mirë, por megjithatë është dhënë një kontribut. Sigurisht që Gjimnazi Loyola edhe në të ardhmen do të vazhdojë me kontribute të mëtutjeshme, gjithnjë sipas fjalëve të Goethes në veprën Wilhelm Meisters Wanderjahren III: “Nuk mjafton vetëm të dish, duhet të dish ta përdorësh dijen; nuk mjafton vetëm të duash, duhet edhe të veprosh.”

Walter Happel SJ
Loyola- Gymnasium

Më Shumë

Lajmet e Fundit