19.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Vajza e Zekatëve dhe rrëfimet për Ali Pashën

Nga ballkoni i lartë i shtëpisë së Zekatëve mund të shohësh sesi rrezet e fundit të diellit shpërndahen lehtë, duke veshur si me një tis të purpurt malin e Lunxhërisë. Më pas, një shkëlqim i lehtë shpërndahet kudo nëpër qytet, përpara se të mbërrijë mbrëmja. Vojsava Zeko Anastasi i pëlqen ta shohë perëndimin e diellit nga ky kënd i shtëpisë. Me anëtarë të tjerë të familjes, ajo ulet shpesh aty, duke gjerbur kafe e duke humbur në biseda kujtimesh. Nga vajza e vogël me flokët e verdha me bishtaleca dhe fustanin e bardhë që kërkonte të zbulonte gjithë misterin e kësaj shtëpie të madhe, sot ka mbetur ende ajo grishje misteri që mbart kjo shtëpi. Pothuajse çdo ditë, Vojsava pas pune hap portën e madhe të shtëpisë mbi 200-vjeçare të Zekatëve, jo vetëm për turistët që çdo ditë ndalojnë për të parë atë çfarë mbart kjo ndërtesë monument kulture, por dhe për t’u kujdesur nga gjithçka ka aty brenda. Perdet e bardha vendosur me kujdes në dhomën e pritjes apo qilimat e thurur sipas stilit të dikurshëm, janë zgjedhje e Vojsavës.

Këto ditë ajo ka blerë një tjetër qilim të ri në pazar. Është si një kthim në kohë, sa herë hyn në oborrin e madh për të humbur më pas në dhomat e pafundme të kësaj ndërtese. Deri në vitin 1968, familja e saj ka jetuar në këtë ndërtesë, për t’u shpërngulur më pas në hapësirën ngjitur, ku kanë ndërtuar një shtëpi. Por zemra duket se ka mbetur në këtë hapësirë. Është diçka më shumë se kujtimet që e bën ta dojë këtë vend, diçka që lidhet me rrëfimet e gjyshes, apo të afërmve dhe lojërat e fëmijërisë për shtëpinë që është më shumë se një histori e qytetit. Ajo është dëshmia e një kohe dhe një qytetërimi që ka ekzistuar në këtë qytet që para Luftës së Dytë Botërore. Çdo pjesëtar i familjes Zeko ka një histori të tyren për këtë ndërtesë, një histori ku hyjnë dhe përjetimet personale. Historia e Vojsavës është ndoshta më e bukura për vetë kujdesin dhe dashurinë që ajo tregon ende për shtëpinë. Është sikur një pjesë e saj ka mbetur ende në këto dhoma të ndërtuara me kaq stil që në vitin 1811. Dikur shtëpia gumëzhinte nga jeta, ndërsa sot vetëm nga frymëmarrja e Vojsavës apo zërat e turistëve.

Beqir Zeko, pronari i parë i saj, u takonte tregtarëve të sërës, që besonin se cilësia e biznesit shihet dhe në cilësinë e jetës. Thuhet se ai ishte mik me Ali Pashë Tepelenën, pasi i mbante llogaritë dhe për besimin që kishte krijuar te Pashai shqiptar, ai i bëri dhuratë këtë shtëpi. Vetë pozicioni ku është vendosur shtëpia, në krye të qytetit, shumë pranë pllajës me qiparisa që ndodhen si kurorë mbi kokën e Gjirokastrës, është një zgjedhje e Ali Pashës. Nga këtu mund të kontrolloje çdo lëvizje në qytet, dhe ky ballkon ku Vojsava mund të shohë luginën e Drinit, ishte vendi i preferuar i Pashait. Kjo është vetëm një nga variantet e historisë së kësaj shtëpie, që mbart shpirtin e tregtarëve të kohës.

Brenda saj janë ende jo vetëm kujtimet e Beqir Zekës, këtij burri, imazhin e të cilit mund ta përfytyrojmë vetëm përmes rrëfimeve, por dhe të shërbëtorëve apo pjesëtarëve të tjerë të familjes që kanë jetuar aty. Çdo Zekat ka lënë gjurmët e një historie që duket se nuk do të dalë asnjëherë nga oborri i shtëpisë. Aty ka mbetur dhe historia e Marinës, shërbëtores nga Hormova, e cila u vra nga hajdutët pikërisht në oborrin e shtëpisë. Marina ishte shërbëtorja e besuar e Zekatëve. Por vajza së cilës i ishin besuar të gjitha sekretet e shtëpisë, do të binte pre e banditëve dhe do të bashkëpunonte me ta për të vjedhur florinjtë. Pasi morën thasët me flori, ata e vranë Marinën në kopsht. Vendi ku ajo dha frymën e fundit mban sot emrin e saj. Pas kaq shekujsh, Marina nuk ka mundur të ikë nga aty. Vojsava thotë se kur duan të dalin në kopsht, ata thonë se “do të shkojmë te Marina”. Historia e nuses turke, të një prej djemve të shtëpisë, që para luftës ka mbetur ende në rrëfimet e grave të Zekatëve. Djali i shtëpisë përpiqej t’i vendoste gjithnjë diçka më tepër te filxhani i kafesë në shenjë dashurie, gjë që nuk ishte në stilin e burrave gjirokastritë. Femrave të shtëpisë nuk mund t’u shpëtonte kjo gjë … Kjo histori dhe dhjetëra të tjera tregohen shpesh nga pasardhësit e Zekatëve, që përpiqen të mbajnë gjallë përmes rrëfimeve atë çfarë ka ekzistuar dikur. Në fund të çdo rrëfimi na shfaqen silueta njerëzish që përçojnë një kulturë dhe një nivel qytetërimi tepër të emancipuar për kohën.

Kjo shtëpi është mënyra më e mirë për të parë sesi jetonin bejlerët e parë shqiptarë. Një aristokraci e pastër e mbetur në çdo detaj të mënyrës sesi është ndërtuar shtëpia. Në fotot e vjetra të familjes që Vojsava ruan me kujdes, mund të dallosh nga copat e zgjedhura për fustan të femrave të familjes, nivelin e kulturës që përfaqësonin. Në një foto, gjyshja e shtëpisë ka veshur kontaxhup (e realizuar me lëkurë kunadheje dhe brenda me push). “Sa e pasur ishte një familje shihej se sa oxhak kishte”, thotë Vojsava. Te Zekatët çdo dhomë ka një oxhak e banjë dhe një prej tyre është me hamam. Shtëpia e Zekatëve është një shembull i kullës tipike. Ndërtuar më 1811-1812 me dy kulla binjake dhe një harkatë të madhe të dyfishtë. Shtëpia ka tri kate, ku i poshtmi përmban dhomat e magazinimit, një kuzhinë të lartë dhe sterat e ujit, si dhe shkallët që gjarpërojnë lart për në katet e tjera. Kati i dytë ka dhomat kryesore, që shërbenin për degë të ndryshme të familjes, ndërsa kati i sipërm ka një dhomë të madhe pritjeje dhe dy dhoma të tjera. Dhoma kryesore është tipike për shtëpitë më madhështore të Gjirokastrës me mure me afreske, tavan druri të gdhendur dhe oxhak të zbukuruar. Në një nga hapësirat e murit të shtëpisë ka qenë e pikturuar Xhamia Blu e Stambollit, por me dëmtimet që mori shtëpia gjatë Luftës së Dytë Botërore ka mbetur vetëm një pjesë e saj. Ky kat i fundit ishte i destinuar për t’u përdorur nga e gjithë familja. Në qendër të katit, pranë shkallëve, është një ballkon druri që mbizotëron mbi qytet. Një pjesë e tij është më e ngritur, e rezervuar për kreun e familjes, ku ai qëndronte dhe gostiste miqtë dhe shikonte se ç’ndodhte në qytetin poshtë këmbëve. Qilarët kanë mbetur ashtu si më parë, ku Zekatët ruanin bulmetin. Gjatë viteve të diktaturës në shtëpi, përveç familjes së Vojsavës, jetonin dhe qiraxhinj të vendosur nga shteti. Vlerat e kësaj ndërtese, e cila shihet si unike në llojin e saj në Ballkan, thuhet si diheshin dhe nga vetë diktatori Hoxha që ishte nga ky qytet, madje nëna e tij rridhte nga Zekatët. Në vitin 2004, kjo ndërtesë iu nënshtrua restaurimit, një investim që u bë nga firma angleze “Pankart”. Gjatë kësaj ndërhyrjeje u mundua të ruhej gjithçka sipas modelit me të cilin Beqir Zeka e projektoi më shumë se 200 vjet më parë. Me çmimin modest që familja ka vendosur për turistët, përpiqet të heqë të gjitha shërbimet që i duhen një ndërtese monument kulture. Ca rreshta nuk mjaftojnë për të përshkruar atë çfarë përfaqëson me të vërtetë kjo ndërtesë historike, por disa orë duke vizituar atë, mund të mjaftojnë për t’u zhytur në histori dhe për të ndier erën që vjen nga Lunxhëria, aty në ballkonin e drunjtë që kushedi ç’mendime të sjell …

Më Shumë

Policia shqipton mbi 2 mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2038 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Nektari i luginës së harruar

Enver Sulaj Unë nuk mund të hyj në vetminë tënde As në trishtimin tim në ditën e kryqëzimit Kur turma ulërinte drejt qiellit skëterrë. Unë nuk mund ta...

Lajmet e Fundit