Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë sot në homazhet për martirët e masakrës së Pastaselës, duke theksuar se sakrifica e tyre është themel i lirisë së Kosovës.
“Aparati shtetëror serb, duke parë fundin e tij, nga pranvera e vitit 1999 aktivizoi tërë makinerinë e tij vrastare kundër popullit shqiptar. Në Pastasel të Rahovecit, sot nderuam kujtimin për 106 martirët e ekzekutuar nga ky fshat dhe fshatrat përreth, të cilët ishin strehuar në këtë trevë për t’i shpëtuar barbarisë së armikut,” ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka kujtuar edhe masakrën në fshatin Burim të Malishevës, ku u vranë 42 shqiptarë të pafajshëm, në mesin e tyre të moshuar, gra dhe fëmijë.
“Plumbat e armikut nuk kursyen askënd, duke lënë pas dhimbje të pashlyeshme për familjet dhe mbarë kombin. Por gjaku i tyre nuk u derdh kot. Nga kjo sakrificë u forcua më tej vendosmëria jonë për liri dhe shtetndërtim,” ka shtuar Haradinaj njofton zyra për informim e kësaj parti.
Ai ka bërë thirrje për ruajtjen e kujtesës kombëtare dhe përmbushjen e amanetit të të rënëve.
“Ndaj sot, të përkulur para varreve të tyre, jo vetëm që kujtojmë dhimbjen, por ritheksojmë zotimin se amaneti i tyre do të mbetet i shenjtë, e se Kosova kurrë nuk do t’i harrojë ata që u flijuan për të,” ka përfunduar Haradinaj.