11.3 C
Prizren
E shtunë, 12 Prill, 2025

Prizreni shënon Ditën Ndërkombëtare të Romëve me thirrje për drejtësi sociale,  barazi dhe përfshirje

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka vlerësuar se 8 Prilli nuk është festë vetëm e komunitetit rom, por se është kremte e gjithë qytetit, “sepse komuniteti rom është pjesë integruese që e kompleton tërësinë e Prizrenit”.

“Prizreni është shembull i diversitetit, trashëgimisë, tolerancës dhe mirëkuptimit dhe në këtë kontekst secili komunitet e ka rëndësinë e vet dhe është i barabartë me të gjithë. Edhe festat e secilit komunitet janë festë e përbashkët”, ka thënë Totaj, raporton Telegrafi.

Përfaqësuesja e komunitetit rom në Komunitetin për Komunitete, Shyhret Hoxhaj ka vënë në pah se kjo ditë është e rëndësishme për të reflektuar mbi tolerancën kolektive.

“8 prilli është më shumë se një datë kalendarike, është një kujtesë e gjallë për historinë, kulturën dhe sfidat e rezistencës së popullit rom në mbarë botë. Është një ditë e rëndësishme për të reflektuar mirëkuptimin tonë kolektiv dhe për të afirmuar zotimin tonë ndaj drejtësisë sociale, barazisë dhe përfshirjes”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, roli i institucioneve lokale dhe qendrore është kyç në krijimin e politikave që garantojnë integrimin real dhe të qëndrueshëm të komunitetit rom.

“Por përveç institucioneve, secili prej nesh ka një rol për të luajtur si qytetar, si prind, si aktivist dhe si pjesë e kësaj shoqërie”, ka shtuar Hoxhaj.

Islam Elshani nga Zyra Komunale për Kthim dhe Komunitete ka paraqitur progresin ndër vite të këtij komuniteti në Komunën e Prizrenit.

“Dita e sotme është një mundësi për të kujtuar se të drejtat e njeriut janë të patjetërsueshme dhe se duhet të mbrohen për të gjithë pa dallim. Ashtu si çdo komunitet tjetër edhe romët meritojnë mundësi të barabarta për arsim, punësim, shëndetësi dhe pjesëmarrje në jetën sociale”, ka thënë Elshani, duke shtuar se nevojitet kontributi i të gjithëve për të krijuar një shoqëri të barabartë.

Në kuadër të kësaj akademie ka pasur program kulturor, me interpretim nga  Hysni Qulangji, pastaj prezantim mbi rëndësinë e kësaj dite për identitetin rom nga Urma Menekshe, sikurse edhe rolin e këtij komuniteti në kulturën dhe historinë e Prizrenit nga Daut Qulangjiu.

Dita Ndërkombëtare e Romëve është festë e diversitetit, kulturës dhe gjuhës, si dhe kontributit që ka dhënë ky komunitetit përgjatë historisë. Më 8 prill 1971, përfaqësues të këtij komuniteti nga vende dhe prejardhje të ndryshme janë takuar në Kongresin e parë të Romëve dhe së bashku janë dakorduar për simbolet dhe emrin rom.

Më Shumë

“Kinemaja e Kujtimeve” rikthen nostalgjinë në Kino Lumbardhi

Programi i klubit të filmit të Kinemasë së Zgjeruar për muajt prill dhe maj, nis më 9 prill prej orës 19:00, me një bisedë...

Vazhdon rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit në Prizren – Përmirësim i furnizimit me ujë në zonat e larta të qytetit

KRU “Hidroregjioni Jugor” njofton se edhe sot kanë vazhduar punimet në rehabilitimin e gypit FI 400 mm nga materiali ACC dhe integrimin e burimit...

Lajmet e Fundit