5.8 C
Prizren
E premte, 29 Nëntor, 2024

Intervistë| Klosi: Ja pse i bllokoi Majko armët për UÇK-në

Ish-shefi i SHISH, Fatos Klosi, iu përgjigj Pandeli Majkos duke i kujtuar se gjatë luftës së Kosovës në krye të qeverisë shqiptare ka penguar me urdhrat që jepte armatosjen e UÇK-së.

Duke iu përgjigjur akuzës së Majkos se “Klosi nuk ka luftuar në Kosovë”, ish-kreu i SHISH i kujton atij se si atëherë edhe sot, nuk e ka kuptuar se si është bërë lufta e UÇK-së për çlirimin e Kosovës.

Në një reagim me nëntë pika te Panorama, Fatos Klosi i kujton Majkos, në atë kohë Kryeministër i Shqipërisë, se debatin me Isa Mustafën e bëri pas cilësimit të tij nga Kryeministri kosovar si kryespiun që ka bashkëpunuar me serbët.

“Ti prapë gabon, kur debatin tim me Isën e mendon si debat shterpë me ‘heronj’ dhe ‘tradhtarë’ për luftën e Kosovës që janë në kohën dhe vendin më të keq, për momentin që kalon Kosova dhe shqiptarët në rajon. Debati nuk është as për heronj as për tradhtarë, është për një çështje parimore të historisë moderne të Kosovës”, shkruan Klosi në reagimin e tij.

Në lidhje me akuzat ndaj Rugovës, Klosi sqaron se nuk ka fyer Ibrahim Rugovën, por ka thënë se filozofia e tij u provua me luftën e UÇK-së se nuk mund të çonte në çlirimin e Kosovës

“Ti ke të drejtë kur thua se ‘Klosi nuk ka luftuar me armë në dorë’, por me këtë shprehje, ti tregon se asnjëherë nuk e kuptove luftën e UÇK-së, as atëherë kur ishe Kryeministër dhe me sa duket as sot akoma s’e ke të qartë. UÇK-ja nuk kishte nevojë për ushtarë që të mbanin armë në dorë, kishte shumë të tillë, gjithë rininë patriote kosovare, asaj i mungonin armët dhe municionet e tyre dhe ti këto i pengove me urdhrat e tu absurdë. Ke shumë gjynahe në këtë aspekt”, tha Klosi.

“Prandaj asnjëherë mos prit që dikush prej tyre të të lavdërojë për këto veprime, që të mos flasim për të tjera çështje, mbase më pak të rëndësishme. Sa për kontributin tënd dhe të Qeverisë që drejtoje, gjatë eksodit të popullit të Kosovës, të mburra sa munda dhe nuk ta mohon njeri meritën” përfundon ai.

Klosi ka folur edhe në emisionin “Oktapod” në Vizion Plus.

Më poshtë intervista e tij:

– Turjan Hyska: A ka dosje për çdo politikan shqiptar?
Fatos Klosi: Ka s’ka dosje, është e ndaluar me ligj. Nuk duhet pyetur për këtë gjë. Kanë imunitet ata!

– T. Hyska: Po pse ekziston gjithnjë ideja që ka dosje?
F. Klosi: Atë e dini ju, e thoni ju!

– T. Hyska: Cili Kryeministër ka qeverisur më keq?
F. Klosi: Unë këtë nuk mund ta them. Kam një mendim timin sigurisht, por nuk mund ta them publikisht. Mund të them me kë kam komunikuar më mirë, dhe me kë kam hasur më shumë vështirësi në bashkëpunim!

– T: Hyska: A ka qenë zoti Majko paranojak, me idenë që e përgjonin?
F. Klosi: Jo jo! Nuk kam pasur probleme të tilla. Problemet kanë qenë vetëm këto; me Majkon humbëm komunikimin që mbas ndoshta datës 15 nëntor. Po bëhej analiza e masave të marra për mbarëvajtjen e referendumit, një analizë shumë e gjërë, ku më tha hapur fare përpara të gjithë ministrave: “Nuk dua të dëgjoj prej teje opinione për këtë gjë.” Se une i thashë që kemi folur me ministrin, gjithë ditën para dite kam qenë me atë… por jo, Majko më tha: “S’ke ç’thua, ti merresh me trafik armësh!”

– T. Hyska: Trafik armësh me kë?
F. Klosi: Ishin armët që shkonin në Kosovë! Armët që shkonin për luftë! Unë s’e kam thënë ndonjëherë, por ky ishte skandal!

– T. Hyska: Pra zoti Majko, ju ka quajtur ‘trafikant armësh’, për armët që shkonin në Kosovë për të ndihmuar UÇK-në?
F. Klosi: Ishin armët e UÇK-së mor, nuk ishin armët tona!

– T. Hyska: Ju ishit thjesht ‘tranzit’ domethënë.
F. Klosi: Ne thjesht ndihmonim për atë proceurë.

– T. Hyska: Pra zoti Majko ka qenë kundër këtij kalimi?
F. Klosi: E ka bllokuar, zyrtarisht e ka bllokuar!

– T. Hyska: Pra, mund të themi që zoti Majko nuk ka dashur që ato armë t’i shkonin UÇK-së?
F. Klosi: Jo, ai kishte idenë që ishte embargoja… ai notonte në të tjera ujëra! Domethënë që ndaj luftës në Kosovë kishte embargo, ne nuk duhej të kontribuonim. E quante si një luftë që po zhvillohej në një kontinent tjetër! Pra, qeveria duhet të ishte e kujdesshme për detyrimet ndaj ndërkombëtarëve etj.

Më Shumë

Moti sot: Me diell dhe vranësira të shpërndara, temperaturat deri në shtatë gradë Celsius

Sot mbi Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet...

Sot nis turneu ndërkombëtar ‘Adem Jashari’

Federata e Boksit e Kosovës (FBoxK) do të organizojë turneun e 26-të ndërkombëtar “Adem Jashari”, i cili do të nis sot pasdite në Pallatin...

Lajmet e Fundit