16.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Restaurimi i Hamamit të Krujës, investim 84 mijë eurosh

Pas një pune 26-mujore dhe një investimi prej 84 000 eurosh, qytetit mesjetar të Krujës i rikthehet sot Hamami i Kalasë, monument kulture i kategorisë së parë dhe një atraksion turistik potencial. Fondacioni suedez “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Albania), në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe me financim nga qeveria suedeze, inauguroi sot hamamin e restauruar të Kalasë së Krujës, një ndër më të vjetrit e llojit të vet në vendin tonë. Procesi i restaurimit përfshiu edhe rigjallërimin e hamamit, duke e bërë një nga të parët hamam tradicional funksional në Ballkan, dhe duke hapur kështu rrugën për zhvillimin e një rrjeti më të madh vendesh të trashëgimisë kulturore që ofrojnë shërbime.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit organizuar pasditen e së mërkurës ishin Ministri i Kulturës, Mirela Kumbaro, i Ngarkuari me Punë i Qeverisë Suedeze, z. Patrik Svensson, kreu i zyrës CHwB Albania, znj. Lejla Hadzic, dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal dhe qendror.Gjatë fjalës së mirëseardhjes, znj. Hadzic theksoi se “ Puna me trashëgiminë është sfiduese. Ne mendojmë se ka rëndësi që ajo të ketë peshë në jetët e njerëzve! Trashëgimia kulturore është një bazë e qëndrueshme për zhvillimin ekonomik, dhe ky është një shembull.”

I ngarkuari me Punë i Suedisë në Shqipëri, z. Patrik Svensson, ishte personi i cili, në mënyrë simbolike, dorëzoi te ministrja Kumbaro hamamin e inauguruar. Gjatë fjalës së tij, z. Svensson vuri në dukje: “Trashëgimia kulturore, aq e rëndësishme sa mund të jetë për një komb, mund të jetë edhe një urë për zhvillimin ekonomik, nëpërmjet turizmit. Turizmi, duke qenë një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, mund të zhvillohet më shumë nëpërmjet restaurimit, ruajtjes dhe rigjallërimit të trashëgimisë kulturore”.

Ministrja Kumbaro në fjalën e saj theksoi : “Është fantastik ky projekt sepse jo vetëm ka shpëtuar monumentin sit e tille, por na e risjell në jetë për të gjitha kënaqësitë e të parëve tanë, por edhe si një burim të ardhurash, rritje të turizmit dhe të plotësimit të një itinerari turistik të pasur për Krujën.”Hamami i Krujës, i ndërtuar gjatë fundit të shekullit të XV, i përket periudhës osmane dhe është një ndër shtatë hamamet që gjenden sot në Shqipëri. Për restaurimi e tij janë përdorur teknika dhe materiale origjinale, ndërsa transporti i materialeve nga fundi i rrugës, në skajin e sipërm të kalasë, në hamam është bërë manualisht. E bardha e vezës në suva gëlqereje, pluhuri i tullës (gëlqere e kuqe), dhe përzierja e qeramikës me gëlqeren e shtruar nën tjegullat e kuqe në kupolat dhe çati sigurojnë të ardhmen e këtij monumenti të vjetër kategorisë së parë. Inaugurimi i hamamit të Kalasë së Krujës është kremtimi i 14 muaj punë restauruese, 12 muaj punë dokumentuese dhe studimore, dhe dedikimit të 20 specialistëve, punëtorëve dhe zejtarëve që kanë kontribuar në rikthimin në jetë të këtij monumenti.

Objektivat e CHwB Albania në këtë projekt restaurimi dhe rigjallërimi përfshinin: zhvillimin e qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore për gjenerim të ardhurash, dhe restaurimin dhe rikthimin e funksionit fillestar të monumentit. Rikthimi i Hamamit të Kalasë në gjendje funksionale do të nxisë rritjen e të ardhurave për komunitetin lokal, rijetëzimin të lagjes përreth, rritjen e turizmit, dhe fillimin e një nisme më të gjerë për ngritjen e një rrjeti kombëtar të hamameve.

Më Shumë

Ngritet aktakuzë ndaj një shtetasi të Shqipërisë për drogë dhe kalim ilegal të kufirit

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.D., shtetas i Shqipërisë, i cili gjendet në paraburgim për shkak të dyshimit të...

Ligji i ri i trafikut: Për një muaj policia shqiptoi mbi 36 mijë gjoba

Policia ka bërë të ditur pwr dënimet që janë dhënë më së shpeshti për shkelësit e rregullave në trafik. 27 mijë e tre gjoba janë...

Lajmet e Fundit