Familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës, të cilët për më shumë se një dekadë e gjysmë po jetojnë me plagën e tyre shpirtërore për të pagjeturit, kanë akuzuar vazhdimisht faktorin vendor dhe atë ndërkombëtar se nuk është bërë sa duhet për ta mbyllur këtë plagë të hapur duke ushtruar presion te Serbia për të treguar për vendndodhjen e varrezave masive ku u groposën trupat e shqiptarëve të vrarë e të masakruar nga forcat serbe.
Akuzat më të rënda janë drejtuar mbi Qeverinë e Kosovës dhe ish-kryeministrin e saj, Hashim Thaçi, që e filluan dialogun me Serbinë pa këmbënguljen që së paku çështja e të pagjeturve të renditet si problem dialogu, e lëre më që dialogu me Serbinë të kushtëzohet me hapjen e informacioneve nga pala serbe për vendndodhjen e varrezave masive.
Familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë edhe sot ngritin shqetësimin e tyre se përse askush nga më përgjegjësit për negociatat me Serbinë, duke filluar nga kryenegociatorja Edita Tahiri, ish-kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeministri aktual Isa Mustafa, nuk e kushtëzuan asnjëherë vazhdimin e dialogut me Serbinë me çështjen e të pagjeturve.
Edhe pse ka kaluar më shumë se një dekadë e gjysmë pas luftës Kosova mbanë në evidencën e të pagjeturve gjatë luftës në Kosovë edhe rreth 1.600 persona, fati i të cilëve mbahet i pandriçuar për shkak të fshehjes së informacioneve nga pala serbe për vendndodhjen e varrezave masive.
Në një shkrim këtyre ditëve të KosovaLive në këtë temë, deputetë opozitarë vunë në pah se qeveria nuk përfilli asnjëherë deputetët lidhur me dialogun me Serbinë dhe as rezolutën e tyre të miratuar në Kuvendin e Kosovës, në maj të vitit 2012, me të cilën kërkohej që të kushtëzohej vazhdimi i çfarëdo dialogu me Serbinë pa u zbardhur fati i personave të rrëmbyer e ende të pagjetur.
Këta deputetë madje ishin të bindur ashtu sikur edhe familjarët se zbardhja e fatit të të pagjeturve është peng i politikës, prandaj çështja e të pagjeturve asnjëherë nuk u ngrit si temë a pikë e veçantë e dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel. As familjarët e as deputetët nuk i kanë shumë të qarta arsyet pse ndodh kështu, por e kanë dyshimin se kjo bëhet për ndonjë interes individual a klanor të atyre që sot e sundojnë Kosovën duke mos zgjedhur mënyrë as mjete.
A është hapur deri më tash në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë, çështja e të pagjeturve?
KosovaLive me gjithë insistimin e madh që të sigurojnë ndonjë prononcim lidhur me akuzat bëhen në adresë të qeverisë dhe zyrtarëve të saj lidhur me zbardhjen e fatit të të pagjeturve nuk ka arritur. Zyra e kryeministrit Mustafa, kabineti i ish-kryeministrit Thaçi dhe tash zëvendëskryeministër dhe kabineti i kryenegociatores kosovare, Edita Tahiri, nuk na kanë dalë në ndihmë.
Kemi pritur shumë që kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, ta sqarojë pozicionin e saj karshi kësaj çështje dhe deklarimet e saj kundërthënëse në media lidhur me këtë çështje. Pyetja që i ka shtruar KosovaLive ka qenë shumë e thjeshtë: a është hapur deri më tash në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë, çështja e të pagjeturve dhe çka është arritur nëse është diskutuar për këtë çështje?
Pyetja e njëjtë u është dërguar edhe këshilltarëve të saj, Dren Zeka e Gazmir Raci, me lutje që ata të përgjigjen ose të na sigurojnë një përgjigje nga kryenegociatorja Tahiri, por pritja jonë disaditore ka qenë e kotë.
Të rikujtojmë se kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, varësisht nga momentumi dhe medias për të cilën është prononcuar ka thënë se në takimet e radhës në Bruksel pritet të diskutohet edhe çështja e të pagjeturve, por ka pasur rast që ka thënë se është diskutuar edhe për të pagjeturit, e ndonjëherë edhe e ka pranuar se kjo çështje, përkundër insistimit të palës kosovare, nuk është futur në agjendën e dialogut me Serbinë.
Se më e besueshme është kjo e fundit dëshmojnë edhe pohimet e kryeministrit Musfata dhe zëdhënësit të tij për media, se çështja e të pagjeturve po kërkohet vazhdimisht që të futet në agjendën e dialogut në Bruksel. Madje edhe vetë kryenegociatorja Tahiri ka deklaruar se, “kryeministri Mustafa që nga takimi i parë me Federica Mogherinin e ka rikonfirmuar kërkesën e Kosovës që tema e të pagjeturve të jetë në agjendën e dialogut të Brukselit, siç e ka bërë edhe ish-kryeministri Thaçi në vazhdimësi. Kjo kërkesë është ripotencuar edhe në takimin e fundit. Do të vazhdojmë të kërkojmë derisa kjo çështje do të jetë pjesë e dialogut të Brukselit”, ka deklaruar në fillim të majit të këtij viti për gazetën “Zëri” kryenogociatorja Tahiri.
Institucionet s’po bëjnë sa duhet për ndriçimin e fatit të të pagjeturve
Se tema e të pagjeturve i ka shërbyer lidershipit të Kosovës si retorikë, mund të gjenden dëshmi të shumta, ndërsa në anën tjetër edhe temën e shqiptarëve të pagjetur Serbia e ka shfrytëzuar mrekullisht për interesat e veta dhe ka përfituar favore te bashkësia ndërkombëtare.
Kryetari i Komisionit qeveritar për persona të pagjetur, Prenk Gjetaj, e ka pranuar se zbardhja e fatit të të pagjeturve është peng i politikës dhe se kjo temë shpeshherë lidershipit të Kosovës i ka shërbyer vetëm si retorikë, e ka pranuar.
Ditë më parë, në një konferencë për media, ai deklaroi hapur se zbardhjen e fatit të personave të pagjetur më së shumti është duke e penguar politika, e cila po e mban peng këtë proces tashmë e disa vite me radhë, ndërsa Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq edhe përkundër punës që e ka bërë nuk e ka forcën politike të ndikojë në këtë çështje, këtë deklaratë e kishte dhënë ditë më parë.
Sipas Gjetajt, Komisioni që ai drejton ka bërë kërkesë disa herë që çështja e të pagjeturve të ngritët si temë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel dhe në bazë të informacioneve që ka për këtë çështje vetëm një herë është biseduar.
“Ne kemi bërë kërkesë që çështja e bisedimeve për të pagjeturit të jetë temë bisedimi në Bruksel dhe mendojmë se politika ka vazhduar ta mbajë peng këtë çështje. Edhe pse kur ka filluar dialogu teknik është thënë se do të jetë temë e bisedave edhe çështja e të pagjeturve, mirëpokemi informacione se vetëm në një takim është hapur kjo çështje. Bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë e disponuar ta ngarkojë procesin e bisedimeve edhe me çështjen e të pagjeturve me arsyetim se e vlerëson si një dialog të ndërmjetësuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe ai sipas vlerësimit jep frytet e caktuara”, ka theksuar Gjetaj për KosovaLive.
Lirije Kajtazi, kryetare e Komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur dhe peticione, në një prononcim për KosovaLive thotë se sa i përket kësaj çështje deri më tash është bërë minimumi i asaj që do të duhej të bëhej nga pala kosovare. Ajo thotë se për këtë temë duhet të insistohet të bisedohet edhe në Bruksel.
“Është thënë disa herë që politika është adresa që ka shkaktuar dhe që mbanë faje për të pagjeturit. Serbia vazhdon lojën me fatin e tyre për kushtëzime politike. Madje edhe në rastet kur ka adresë të saktë të bartësve të krimit, në vend të ndëshkimit Serbia ata i dekoron. Natyrisht që minimumi i seriozitetit të bisedimeve Kosovë – Serbi shihet në këtë pikë. Por siç e dini edhe ju kjo është agjendë e Brukselit, në të cilën mendoj se edhe qeveria kosovare ka mund të jetë më imponuese”, tha Kajtazi.
Deputetja Kajtazi tha se komisioni që ajo drejtoj ka nxjerrë rekomandime, të cilat i ka votuar edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, me të cilat insistohej që në Bruksel të diskutohej për çështjen e zbardhjes së fatit të të pagjeturve në kuadër të dialogut me Serbinë, po ashtu që institucionet shtetërore të ngitin kapacitete edhe rreth përmirësimit të statusit të familjarëve të të pagjeturve.
“Mos zbardhja e fatit të pagjeturve bënë që Kosova të mbetet dosja e madhe e krimit të pa ndëshkuar, e fajtori dihet ka adresë dhe ky ishte shteti i Serbisë, i cili jo vetë që nuk kërkoi falje për atë që bëri në Kosovë, por nuk shprehu as një fije humaniteti për të treguar së paku vendndodhjen e varrezave masive”, deklaroi Kajtazi.
Sipas saj, autoritetet serbe edhe kur kanë treguar për ndonjë varrezë masive, këtë Serbia e ka shfrytëzuar maksimalisht për përfitime të shumta, duke filluar nga fondet për gërmime e deri te favoret edhe në dialog me Kosovën dhe në dialog me Bashkimin Evropian. /KosovaLive/