Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren ka përshëndetur arrestimin e drejtorit Nexhat Çoçaj së bashku me pesë zyrtarët tjerë të Drejtorisë për Arsim dhe Shkencë të Komunës së Prizrenit.
“Pas zvarritjeve disa vjeçare, ndërhyrjeve të shumta në procedurën hetimore, presioneve politike dhe shantazheve të vazhdueshme të qeverisë komunale, më në fund institucionet e drejtësisë kanë vendosur të angazhohen konform detyrimeve të tyre ligjore duke u vepruar kundër rrjeteve kriminale të instaluara në Komunën e Prizrenit”, thuhet në reagimin e VV-së.
“Në vitin 2012 Lëvizja Vetëvendosje! pat ngritur kallëzim penal kundër drejtorit Nexhat Çoçajt për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe abuzim me paranë publike. Për vite me radhë, shoqëria civile, gazetarë dhe qytetarë të Prizrenit kanë denoncuar qindra raste të keqpërdorimeve, abuzimeve dhe shkeljeve të ndryshme ligjore të bëra nga zyrtarët e PDK-së. I gjithë ky presion shoqëror ka dhënë rezultatet e veta duke i cytur në veprim organet e drejtësisë”.
“Ngjarja e sotme na tregon se guximi qytetarë dhe angazhimi mbarëshoqëror për barazi dhe drejtësi janë më të fuqishme se rrjetet kriminale që veprojnë në pushtet. Prandaj urojmë që drejtësia e nisur në sektorin e arsimit, të zgjerohet edhe në dikasteret tjerë të qeverisë lokale në Prizren duke i vënë para drejtësisë secilin zyrtarë të përfshirë në aktivitete kriminale. Dënimi i tyre është kompensimi minimal për dëmet e jashtëzakonshme që kjo qeverisje i ka bërë ndaj qytetarëve të Prizrenit”. /PrizrenPress.com