Rigjykimi ndaj ish-gjyqtares dhe tani avokates, Shemsije Sheholli, ka dështuar të fillojë për të dytën herë radhazi. Pas mungesës së saj në seancën e 3 shkurtit, sërish, të enjten ka munguar me arsyetimin e njëjtë se është e sëmurë dhe se nuk ka mundësi të prezantojë në shqyrtim.
Mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Shpresa Berisha-Rexhepi, ka thënë se e mbrojtura e saj është ende në pushim mjekësor për shkak të problemeve shëndetësore. Ajo i ka propozuar gjykatës që shqyrtimin ta shtyjë pa afat e në ndërkohe ajo vet do ta njoftojë gjykatën për gjendjen e të akuzuarës.
Prokurori i rastit, Genc Nixha, ka kërkuar që në këtë rast të veprohet me urgjencë sepse ko lëndë do të mbërrijë afatin e vjetërsimit në korrik të këtij viti.
Përfaqësuesi i të dëmtuarve, avokati Hajrip Krasniqi, ka propozuar që nga e akuzuara të kërkohet që të paraqesë një mendim të mjekut sipas të cilit ajo nuk mund të paraqitet në këtë shqyrtim gjyqësor.
Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka thënë se nuk mund të vlerësojë raportet mjekësore të të akuzuarës andaj i ka dhënë afat prej 10 ditëve që e akuzuara të paraqesë një mendim mjekësor i cili sqaron gjendjen e saj dhe nëse ajo mundet të përcjellë gjykimin.
Seancën e radhës e ka caktuar për 23 mars, në ora 13:30.
Me datën 12.09.2013, Prokuroria e Shtetit, ka ngritur aktakuzë ndaj Shemsije Shehollit, të cilën e akuzon se në cilësinë e gjyqtares në ish-Gjykatën Komunale në Prishtinë, ka keqpërdorur pozitën zyrtare të saj.
Sipas aktakuzës, Sheholli ka aprovuar kërkesën e paditësve Jetullah, Sherife dhe Naim Krasniqi, me të cilën ka vërtetuar se ata janë pronar të një prone, në vendin e quajtur “Kroi i Bardhë”, pa ftuar në shqyrtimin gjyqësor, palën paditëse.
Sipas aktakuzës, Sheholli i ka caktuar palës së paditur, përfaqësues të përkohshëm, pa u munduar që të sigurohet se i njëjti nuk jeton në Kosovë, por se është mjaftuar me deklaratën e paditësve se i padituri, Ustun Sylejman, është shpërngulur në Turqi.
Poashtu, Sheholli, akuzohet se nuk ka zbatuar ligjet pozitive që të shpallë në gazetën zyrtare, vendimin mbi caktimin e përfaqësuesit të përkohshëm, me çka i është mohuar e drejta e pjesëmarrjes në kontest, trashëgimtarëve ligjor të të paditurit Ustun, mbesat dhe nipat e tij, Zineta, Ifeta dhe Eroll Nikoqeviq dhe Emil Popoviq.
Me 27 maj 2016, e akuzuara Shemsije Sheholli, është shpallur fajtore për veprat penale me të cilat ngarkohet dhe është dënuar me 3 muaj burgim efektiv.
Ndaj këtij aktgjykimi, palët e dëmtuara dhe prokurori i rastit, kanë parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kanë kërkuar që të rritet lartësia e dënimit.
Poashtu edhe mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Shpresa Berisha-Rexhepi, ka bërë ankesë ku ka kërkuar që të prishet aktgjykimi dhe rasti të kthehet në shkallën e parë për rivendosje.
Me 5 dhjetor 2016, Gjykata e Apelit, ka marrë aktvendim me të cilin ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e ka kthyer rastin në shkallën e parë, për rivendosje.
Sipas aktvendimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur që të vërtetojë në tërësi gjendjen faktike, pasi që nuk ka administruar si provë, lëndën kontestuese për të cilën bëhet fjalë në aktakuzë, ku do të vërtetoheshin nëse janë të sakta pretendimet e palës akuzuese apo asaj mbrojtëse.
Lënda penale në këtë rast, në korrik të këtij viti, arrin afatin e vjetërsimit.