Zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Dragash, Eljam Seferi, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, të martën, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Hajrip Krasniqi, ka kërkuar që aktakuza ndaj tij të hudhet si e pabazë.
Gjatë shqyrtimit të dytë të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, avokati Krasniqi ka qëndruar pranë kërkesës së bërë me shkrim për hudhje të aktakuzës dhe ka kërkuar që pas analizimit të të njëjtës, gjykata të merr vendim pozitiv për klientin e tij.
Krasniqi, kërkesën për hudhje të aktakuzës e ka arsyetuar me faktin se veprimet e përshkruara në aktakuzë se kinse i ka kryer i mbrojturi i tij, nuk kanë të bëjnë fare me veprimet e ndërmarra nga ai në realitet. Po ashtu, ka thënë se organi i akuzës nuk ka paraqitur asnjë provë me të cilën do të dëshmonte se i akuzuari Seferi, të ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Prokurori i rastit, Metush Biraj, ka kërkuar që të refuzohet kërkesa e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës, me arsye se ajo është e paqëndrueshme. Ai ka thënë se aktakuza është e bazuar në ligj dhe se të gjitha provat janë siguruar sipas dispozitave ligjore.
Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka thënë se rreth kërkesës së mbrojtjes do të vendosë me vendim të veçantë dhe për atë vendim do të njoftohen të gjitha palët me nga një kopje.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren e akuzon Eljami Seferin se gjatë zbatimit të një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dobi personit tjetër.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Seferi, më 1 qershor 2017, së bashku me zyrtarë tjerë policorë, ka shkuar në shtëpinë e Mexhait Qerimit në fshatin Bresanë të Komunës së Dragashit, për ta arrestuar të njëjtin sipas urdhëresës së gjykatës, por i kërkuari ka ikur.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Seferi pasi ka biseduar me Mexhait Qerimin, rreth çështjes së arrestimit të tij, ka lejuar që i njëjti të futet në shtëpi, me pretekst që të përgatitet dhe më pas ai është arratisur.
Ndërsa, sipas aktakuzës, i akuzuari nuk ka urdhëruar bastisjen e shtëpisë, objekteve përcjellëse dhe kërkimin e tij, por pa lënë patrullë policore për të vëzhguar shtëpinë, e urdhëron ekipin policor që të largohet nga vendi i ngjarjes./betimiperdrejtesi/